29.5 C
Tirana
E diel, 10 Gusht, 2025

Ne ju pamë. Ju e shembët Teatrin!

Nga Çlirim GJATA

Kur nazistët po largoheshin nga Parisi, vodhën shumë vepra arti të muzeve të tij. Kjo madje u konsiderua si një moment historie, në morinë e ngjarjeve të mëdha të LDB, dhe forcat aleate fituese ndërmorën një hetim të posaçëm. Shumë u gjetën, shumë të tjera nuk dihet edhe sot ku janë. Mbetet e famshme thirrja e asaj gruas parisiene, drejtuar oficerit gjerman kur po ikte me makinën e mbushur me piktura, “unë të pashë çfarë ke marrë”(i fiksuar kaq bukur ky çast edhe në art).

Kur ushtarakët e Tiranës shembën Teatrin Kombëtar, në protesta doli një parullë: “Ne ju pamë, ju e shembët Teatrin”. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Dëshmia. Ne jemi dëshmitarë. Dhe jo dëshmitarë të rremë, siç rëndom konsiderohen për shkaqe të ditura. Por një shoqëri dëshmitare për krimin e ndodhur publikisht. Dhe kur shoqëria bëhet dëshmitare e krimit, ajo nuk mund ta falë atë.

Qytetaria shqiptare ishte dëshmitare edhe për krimet e komunizmit, por sot ka një ndryshim. Qytetaria nuk është pjesmarrse në krim as aktivisht, as me heshtje dhe as me frikë. Përkundrazi, është dëshmitare kundërshtuese. Kjo është dhe thembra e Akilit e krimit, që drejton sot Shqipërinë. Mafja italiane humbi, jo dhe aq nga drejtësia, se sa kur, qytetaria e Italisë së jugut u deklarua kundër saj.

Siç e thotë edhe profesori i njohur Fitim ZEKTHI, “sundimtari mundohet me çdo mjet që, shoqërisë ti imponojë metodat e tijë në mënyrë që, ta inkriminojë totalisht atë dhe ta bëjë bashkëfajtore në krim”, pak a shumë ka ndodhur në komunizmin shqiptar, që ne e njohim shumë mirë.

Këtë po mundohet tash sa vjet të bëjë Edi Rama. Madje, jo që kur mori qeverinë, por që kur hyri aktivisht në politikë këtu e 22 vite më parë. Janë ngjarjet ato që e zbulojnë faktin se, ai e ka studiuar shumë mirë metodën e sundimit të Enver Hoxhës dhe me mjeshtrat e tij e ka përshtatur në kushtet e sotme. Thjeshtë një shëmbull. Në periudhën e sundimit enverist babai dilte dëshmitar kundër djalit në gjyq, kur ky kishte tentuar të arratisej, ose anasjelltas, duke mbrojtur “vijën e partisë”. Sot Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë, por nuk nguron të përdorë sëmundjen e djalit të tijë për përfitime politke. Ja përshtatja në kushtet e sotme.

Ai është munduar gjithë këto kohë, që të paktën në një element e gjithë shoqëria të inkriminohet, në fenomenin korrupsion, në mënyrë që me këtë të mbulojë krimin e tij shumë planësh. Kjo nuk bëhet dot vetëm, pa bashkpunimin me krimin, jo dosido, por atë të organizuar; me kontrolluesit e parave, që nga bankat e deri parelinjtë oligarkë; me admistratën shtetrore, e cila për këto shkaqe vjen një moment detyrues e nga ligjore kthehet në ushtarake. Dhe hyn në spiralen krim per të mbuluar krimin, pafundësisht.

Këtu shtohen edhe elemente të rinj, siç është ushtria e paguar e rrjeteve sociale për tu konsideruar opinion publik, që nuk është gjë tjetër veçse “kolektivat”, që duartrokisnin dënimet e intelektualëve nëpër mbledhje a gjyqe në vitet para `90-s.
Trajnimi që i bëhet kësaj ushtrie është se, një pjesë e mirë e tyre duhet të paraqiten si radikalë të djathtë(janë “kundër qeverisë”, por shajnë vetëm opozitën dhe shkojnë deri aty sa përmendin pushkët). Këta që paraqiten si radikalë të djathtë e tradhëtojne vehten në një fakt fare të thjeshtë që ju ka shpëtuar.

Janë shumë llafazanë. Flasin më shumë se duhet. Radikalët e vërtetë të djathtë(unë nuk jam i tillë por i respektoj) nuk flasin gjatë por veprojnë. E pra kjo është në ADN e tyre, veprimi jo fukarallëku i fjalëve. Ndërsa këta të FB përdorin gjithmonë të njëtat teza, të cilat kanë dalë nga zyrat e lali Erit dhe Edi Rames. Ndaj të gjithë, që shajnë nga pozita e radikalit të djathtë, po ju them vetëm një gjë: bëjeni vetë atë që na e kërkoni ne dhe që ne, për arsye”tradhëtie”, nuk po e bëkemi dot. Ose lëpini pështymën që hidhni.

Tjetër inkriminim në bashkpunimin me Ramën, vjen edhe nga të ashtuquajturit persona publikë, të nënshtruarit e përjetshëm, që i kanë gati shkrimet menjëherë sapo ndodh ngjarja, dhe gjithmonë kundër më të dobëtit e maksimumi asnjë fjalë lëvduese kundër qeverisë, nën formulën e fmashme politically correct, që në shqip përkthehet “të lash atë… me këtë…”. Edhe në rastin e teatrit këta personazhe flasin e shkruajnë me postulate ex catedra, që në shqip do të thotë “si nana e Zeqos majë thanës”, gjithmonë dhe të gjithë me një tezë: “Po opozita pse nuk e mbrojti??”. Se mos guxojnë të thonë: “Po qeveria pse e prishi??”. Për qeverinë ka vetëm heshtje, si një larje duarsh. Ka dy mijë vjet, që nuk po na ndahet larja e duarve.

Pikërisht kjo qënje ka qënë historikisht armiku i vërtetë. Kështu silleshin këta para ’90-s, kështu sillen edhe tani. Ushqimi kryesor i politikës së pushtetit. Edhe një gjë. Kur të vij PD në pushtet, këta janë gati të shërbejnë njësoj. Kjo shtresë e meriton shtypjen e nënshtrimit.

Shikoni Këshillin Bashkiak Tiranë. Çfarë inkriminimi. Rama i ka korruptuar të gjithë në disa poste pune dhe borde drejtuese ku marrin deri në 7 apo 8 rroga të larta(ka këshilltarë që vetëm nga rrogat fitojnë 10mijë euro në muaj). Normal pastaj, qe janë të gatshëm që Teatrin ta shembin me email. Ata nuk mund ti kthejnë Ramës 7 rrogat mujore ndër vite, se s`po them ndonjë gjë tjetër. Përsa i takon burgut? “Shohim e bëjmë, me kismet! Po shkoi Rama, do gjejmë zgjidhje”. Kjo është llogjika e tyre, më pragmatistja në histori.

Këtu nuk po përmend gazetarë, që marrin një rrogë në media dhe dy në shtet. Normal që, nuk e ngrenë zërin kur tentohet të mbyllet Ora, apo kur rrihet paq nga policia gazetari Lela. Uroni o të mjerë, që Rama të rrëzohet shpejt, ndryshe do ju vijë rradha edhe ju për tu rrahur nga ai. Në diktaturë rradha të vjen gjithmonë.

Edhe artistët?! A u inkriminuan?? Kurrë nuk kam, sharë jo e jo, folur ndonjëherë kundër ndonjë artisti. Janë racë ndryshe, ndaj nuk do flas as sot kundër tyre. Por, ai peticioni, ai peticioni është shumë i dhimbshëm. Pasi u shemb teatri firmosën peticionin për shembje. E tmerrshme deri ku shkon diktati. Kjo do dhëmbi shumë gjatë. Nejse. Ka menduar Zoti edhe për këtë. Ata artistë që udhëhoqën qëndresën dhe u masakruan nga trupat policore kanë shpëtuar moralin edhe të kolegëve të peticionit. Ironia e forcës së gjërave.

A ja ka dalë Rama ta realizojeë inkriminimin total? Patjetër që jo. Kur nuk e realizuan dot as Hitleri, Stalini, Mao, Enver Hoxha, s`do ja dalë dot surrogatoja i tyre Edi Rama. Teatri Kombëtar është ngjarja që e provon këtë. Dy vjet e tre muaj protestë dhe qëndresë qytetare, më e gjata në histori(po e përsëris: E denjë për GUINNESS) sfiduan mbi të gjitha edhe inkriminimin korruptiv të Ramës.

Fakti, që u detyrua që nëpërmjet një operacioni ushtarak dhe me armë zjarri, të ndërhynte për shtypur qëndresën flet jo thjeshtë për dobësi, por për dështimin e tij në sundim. Janë pikërisht këta qëndrestarë, qytetarë, aktivistë, të rinj e të reja, të angazhuar apo të pa angazhuar, deri dhe praktikantë fetarë dhe më kryesorja artistët, që bërtitën: “Ne e pamë kush e shkatërroi Teatrin Kombëtar”. Njësoj si francezja oficerit nazist për pikturat.

Kjo nuk është pak. Qëndresa tregoi se qytetaria nuk është inkriminuar, nuk është korruptuar, përkundrazi është dëshmitare e vërtetë kundër krimit shtetror. Atëherë ku jemi këtu? Në një luftë midis qytetarisë, që egziston në emër të vlerave dhe vandalëve primitivë, që shkatërrojnë në emër të modernitetit.

Gjithsesi nazistët nuk e shkatërruan Parisin. Komandanti gjerman i trupave në momentin e fundit anuloi urdhërin direkt të Hitlerit, për hedhjen në erë të qytetit. Megjithse ai kishte vrarë dhe zhdukur me mijra njerëz në atë kasaphanë, në fund të fundit, diçka i kishte mbetur si vlerë, që e detyroi të mos shkatërronte atë qytetërim, të cilin e kemi edhe sot.

Ndërsa Erion Velia e zbatoi me shpejtësi urdhërin e Edi Ramës për shëmbjen e Teatrit. Kaq thellë ka hyrë inkriminimi te ky njeri, sa nuk gjente te vetja as atë vlerën e fundit të komandantit nazist të Parisit.

Por njerzit e panë. Ndaj dhe deklamojnë me zë të lartë: Edi Rama dhe Erion Velia, ju e shembët Teatrin Kombëtar. Ne ju pamë.

Basha i përgjigjet Yuri Kim: Po përdoret fuqia e Parlamentit për ta kapur politikisht sistemin

Pas shqetësimit të shprehur publikisht nga ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim se mos ka ndonjë marrëveshje të fshehtë për të sabotuar reformën në drejtësi vjen edhe reagimi kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Kryetari Basha ka ripostuar deklaratën e ambasadores amerikane për reformen në drejtësi, ndërsa shprehet se, ndryshimet e bëra për reformën në drejtësi nga parlamenti aktual i shërbejnë mazhorancës për të kontrollur dhe kapur politikisht sistemin.

“Çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga ky parlament është ilegjitim. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që e përdorin pushtetin për të devijuar dhe për të minuar reformën, për të kontrolluar politikisht dhe për të kapur sistemin e drejtësisë”, komenton Basha.

Ambasadorja Yuri Kim: Duan të vrasin Reformën në Drejtësi

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim me anë të një statusi në “Twitter” shkruan se uron që mos ketë marrëveshje mes palëve për sabotim të reformës në drejtësi.

Kim nënvizon se reforma është e dhimbshme, por duhet të vazhdojë përpara.

Postimi i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë
Yuri Kim

BBC: Aktivistë dhe aktorë u tërhoqën zvarrë nga policia, godina 81 vjeçare e Teatrit u sheshua e tëra

Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, dhuna e policisë ndaj protestuesve dhe debatet që rrodhën pas saj kanë qenë në fokus të mediave ndërkombëtare.

Mes tyre është edhe gjigandi britanik BBC, që i dedikon edhe një kronikë ngjarjeve të Tiranës.

“Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë ka çuar në përplasje të rënda midis protestuesve dhe policisë. Aktivistë dhe aktorë u tërhoqën zvarrë nga policia teksa godina 81 vjeçare u sheshua e tëra”, shprehet spikeri i BBC.

Besnik Mustafaj: Ka pakënaqësi të madhe pas shembjes së Teatrit. Populli të ngrihet të rrëzojë qeverinë

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj tha në rubrikën “Opinion” në News24, se populli shqiptar po tregohet qaraman, duke mos u ngritur masivisht për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

Sipas Mustafajt, shembja e Teatrit Kombëtar nuk ishte normale dhe ndodhi në kushtet e një emergjence

Sa i takon faktit që protesta nuk po organizohet nga opozita, ish-ministri u shpreh se është më mirë që një kauzë e tillë të drejtohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Duke komentuar Reformën Zgjedhore, ai theksoi se të dyja palët po bëjnë hile, ndërsa shtoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Pjesë nga intervista

Si e komentoi shembjen e Teatrit?

Prishja e Teatrit ishte një proces i ankumuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për sa kohë nuk është marrë vendim nga gjykata, ekzekutivi nuk vepron. Pra u shkel parimi themelor. U shemb natën, në kushtet e një emergjence që nuk ekzistonte në realitet dhe pa asnjë paralajmërim, pa asnjë shpjegim. Nuk ishte normale se u krye në kohë pandemie, kur e gjithë shoqëria ishte e mbyllur në shtëpi me vendim qeveria, si dhe u krye të dielën. Nuk ka asnjë aspekt që të gjendet një minimum justifikimi.

Dy protestat e zhvilluara dhe që do të vijojnë, çfarë do të dalë prej tyre?

Këto protesta do të shërbejnë për një qëllim shumë të madh, do të shërbejnë si fermentues të një pakënaqësia të madhe ndaj kësaj qeverie. Për këtë është më mirë që organizatore nuk është opozita, por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Shoqëria shqiptare nëse nuk i përgjigjet masivisht thirrjes për protesta tregon se është e kënaqur me këtë qeveri, ose është e papjekur. Në protesta shkohet për të shprehur pakënaqësi. Jelekverdhët nuk shkuan për të sjellë në protestë opozitën, por për të shprehur një pakënaqësi. Në këtë kuptim, unë shpreoj që kjo shoqëri, që është kthyer në shoqëri qaramane, duhet ta shfrytëzojë këtë castë për të treguar që nuk është qaramane.

Mendoni se do të arrihet gjë nga protestat?

Kur thërret opozita në protestë, ajo duhet të ofrojë zgjidhje, ndërsa kur thërret aleanca për teatrin nuk është e njëjta gjë.

Basha zotohet se do të ndërtojë teatrin sic ishte, kur të vijë në pushtet. Sa e fuqishme është opozita?

Përgjegjëse për zhvillimet është qeveria, mazhoranca, dhe jo në cdo rast opozita mund ta pengojë qeverinë të gabojë. Përqendrimi i analizës te fuqia e opozitës nuk është qasja e drejtë. Opozitën duhet ta gjykojmë në programin që sjell, por nuk mund ta fajësojmë që është e dobët.

Ju jeni kundër revolucionit?

Unë jam evolucionist, nuk jam revolucionar.

Mendoni se këto protesta do të tregojnë dicka, po opozita cfarë duhet të bëjë?

Me kaq nuk do të tregojë asgjë, me këtë pjesëmarrje, por nëse do të rritet, atëherë po. Pjesëmarrja e gjerë në protesta dhe vazhdimësia e tyre mund të arrijnë të frenojnë qeverinë në marrëzinë e saj. Kryeministri është me probleme të mëdha me personalitetin e tij, kemi probleme me ekonominë. Kryeministri tha se nuk ka pas dhunë, kur u dhunuan gazetarë, artistë, njerëz që u terrorizuan nga policët. Rama tha dhe frazën më të tmerrshme që “për të shkuar te teatri, duhet të kaloni mbi trupat e tyre”. Në këtë kuptim unë jam për këmbënguljen e Aleancës për Teatrin në shpalljen e pakënaqësisë popullore.

A i shihni të afërta zgjedhjet?

Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në kalendarin politik të vendit nuk ka kohë për zgjedhje të parakohshme. Ne jemi ende pa përfunduar reformën zgjedhore, ku të dyja palët po përpiqen të bëjnë hile. Pasi të mbarojë kjo reformë do duhet një kohë për implementimin e saj për t’u përshtatur.

Vajza e Ndrenikës kundër shembjes së Teatrit, shpërthen ndaj Ramës: Bandë që shkatërron pa asnjë princip

Vajza e aktorit të madh Robert Ndrenika, Diana Ndrenika, reagon ashpër për shembjen e Teatrit Kombëtar, teksa shkruan në “Facebook” se një “bandë e obsesuar pas truallit të qendrës së Tiranës vjedh e shkatërron pa asnjë princip”.

Mes të tjerash, Ndrenika thekson se më e dhimbshme për shkatërrimin e godinës është fakti se në diktaturën totalitare komuniste u jepej përparësi artit, teatrit e kinematografisë.

Sipas vajzës së aktorit Ndrenika, sot në demokracinë e pretenduar merr përparësi biznesi i ndërtimit, që në mënyrë makuteske drejton qytetin e vendin.

Ajo çka e bën më të dhimbshme shkaterrimin e TK eshte fakti se ne diktaturen totalitare komuniste u jepej përparësi artit, teatrit, kinematografise etj. Ishte pikerisht atehere qe Teatri Kombetar mori zhvillim duke arritur kulme cilesore.

Sot ne demokracine e pretenduar (që aq shume kishim ëndërruar) ose diktaturen hibride ku po jetojmë merr perparesi biznesi i ndertimit që në menyre makuteske (with unlimitedet greed) drejton qytetin e vendin në menyre te drejperdrejte. Oligarki financiare pa perfaqesim. Nje bande qe e obsesuar pas truallit te qendres se Tiranës vjedh e shkaterron pa asnje princip.

Gazetarja thirrje policëve: “Një ditë Lleshaj do ju pështyjë e do ju shajë nga robt e shpisë”…

Gazetarja Anila Hoxha, ka komentuar deklaratën e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, i cili argumentoi faktin që efektivët e Policisë së Shtetit ishin pa numër identifikimi gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar, si një mbrojtje për ta.

Në një shkrim të sajin, Hoxha citon nenin dhe shkruan se kjo përveçse është një shkelje ligjore, efektivët pa numër identifikimi, janë njësoj sikur t’ua heqësh fare unifromën dhe t’I nxjerrësh me të brendshme.

Në fund, gazetarja u bën thirrje efektivëve të Policisë dhe u thotë se Lleshaj një ditë mund të mos jetë më ministër dhe mund të dalë para kordonit të tyre duke protestuar, duke i pështyrë dhe duke i sharë nga njerëzit e shtëpisë.

Shkrimi i plotë i gazetares Anila Hoxha
Ministri i Brendshem, njekohesisht Drejtor i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Drejtor i Rendit, Drejtor i Standarteve , drejtor i 12 drejtorive vendore ne te gjithe vendin tregoi te verteten se perse gjate protestes se 17 majit efektiveve ju hoq nga uniforma numri i identitetit. Ministri rrefehet ” kam degjuar shume qe kerkojne numrat e identitetit te tyre, duan ti identifikojne personalisht. Te nderuar qytetare, te nderuar kushdoqofshi, punonjesit e policise ne daten 17 maj , kane qene aty jo individualisht , kane qene te strukturuar”.

Me tej pyet ” Cfare ju duhen punonjesit individuale, perse i kerkoni emrat e punonjesve te pervecem, perse? Per ti lincuar individualisht , per ti intimiduar punonjesit e policise qe neser te mos rreshtohet ne radhe te pare?” Nuk do merrem aspak me paqartesine qe kam , pra cdo te thote polic pa identitet para qytetareve? As qe ndalem tek kuptimi shqip – shqip i “rreshtimit” qe si rrenje ka rreshtin dhe emrin ushtarak “rreshter” dhe qe masandej pershkruan vendosjen e nenreparteve ne rresht, te cilet reagojne me komande. Pra le te bindemi qe polici normal, aty ne rresht eshte ai pa identitet, pra pa numer. Me siguri te njejten gje urdheron dhe ligji per uniformen dhe simbolet e policise se Shtetit?

Ligji numer 108 , neni 98 tregon se ”punonjesi i policise i kryen detyrat per RUAJTJEN E RENDIT dhe te sigurise publike me UNIFORME dhe SHENJAT e percaktuara me vendim te Keshillit te Ministrave’ Po si te bindur qe jemi, pra si te rreshtuar e kemi mesuar cdo te thote uniforme, aq me teper uniforme polici. Por le te bejme sikur nuk e dime cfare do te thote SHENJE ne uniforme. Vendimin i Keshilli i Ministrave na ndihmon edhe per kete gje te dashur kushdoqofter; Shenjat dalluese të Policisë së Shtetit janë: Shenja e mbiemrit/numri i identifikimit.

Shenja e kapelës
Shenjat që vendosen në objektet e uniformës, sipas shërbimeve të Policisë së Shtetit, të përcaktuara, si më poshtë vijon: a) Shenja e krahut e Policisë së Rendit; b) Shenja e krahut për Shqiponjat; c) Shenja e krahut e Policisë së Kufirit dhe Migracionit; ç) Shenja e krahut e Policisë Rrugore; d) Shenja e krahut e Forcave Speciale “RENEA”; dh) Shenja e krahut e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë; e) Shenja për kursantë/studentë; ë) Shenja e jakës, përkrenare e Skënderbeut e stilizuar; f) Shiriti i kapelës dhe kopsat me ngjyrë “të artë

Pra efektivi i policise shqip shqip duhet te gjendej ate dite ne sherbim me uniformen, kapelen, graden dhe ceshte me e rendesishme …shenjen e mbiemrit dhe numrin e identifikimit. Nuk e thote Maliqi, por ligji.

I njejti vendim i keshillit te ministrave urdheron : unformat jane te patjetersueshme. Pra unformat nuk preken, eshte njesoj sikur policit ti kesh hequr kapelen, ta kesh nxjerre zbathur me te brendshme ne qytet ose pa kepuce. Perjashtohen nga keto urdhera agjentet civile dhe Renea, te fundit ne asnje menyre nuk lejohet te marrin pjese ne proteste. Ti kerkosh policit me uniforme te sherbeje pa numrin e vet personal dhe pa mbiemer , eshte njesoj sikur po e inkurajon me te dyja duart te behet autor krimi.

Pasi ne te gjitha kuptimet, ligjvenesi eshte kujdesur duke sanksionuar edhe parimet nga te cilat udhehiqet policia , e para e tyre eshte ligjshmeria dhe vijohet me integritetin apo edhe kontrollin dhe llogaridhenien. Kur policit i shkulet nga uniforma numri i identifikimit dhe mbiemri bie nje nga shtyllat e mezi ndertuara qe synon besimin e komunitetit gjate misionit te policit per ruajtjen e rendit dhe sigurise publike.

Meqe dikush duhet bere fajtor ne kete rremuje, them qe gishtin tja drejtojme ligjvenesit qe urdheron ndryshe, ai ligjvenes qe kerkon polic me uniforme dhe numer, duhet te kete qene driteshkurter dhe nuk ka parashikuar se qytetari duhet pare nga polcia si pala tjeter, si kundershtari. Keshtu e kuptova une fjalen e ministrit, leshohuni cuna dhe binduni . Ne fund te gjithe ministrat qe ju ka rene per pjese tju komandojne kane ikur. Nje dite edhe ky minister, do jete si ata paraardhesit e tij, do protestoje perpara kordoneve policore, do ju pershtyje e do ju shaje nga njerezit e shtepise. Ndersa ministri i radhes qe do kete marre komanden, kushedi cdo urdheroje tju zhveshin nga uniforma.

Ditën e sotme, gjatë seancës plenare në Kuvend, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komentoi përplasjet e policisë me protestuesit më 17 maj 2020. Në fjalën e tij në Kuvend, ministri ka mori në mbrojtje efektivët e policies dhe u shpreh se efektivët e policisë kanë vepruar sipas ligjit. Akuzave pse policia atë ditë në protestë ishte pa numrat e identifikimit, ministri tha se përgjegjësia penale dhe ligjore nëse dikush e kërkon, duhet ta kërkojë tek ai vetë dhe tek drejtorët e Policisë.

Deputeti nga Kosova: Rama në kulmin e një çmendurie shkatërrimtare!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka komentuar me tone të ashpra fjalimin e kryeministrit Edi Rama sot në foltoren e Kuvendit lidhur me projektin e rindërtimit të Teatrit Kombëtar.

Në reagimin e tij, Aliu shkruan se premtimi i Ramës për ndërtimin e Teatrit të ri me të njëjtin projekt siç ka qënë është një hap pas në retorikën politike të kreut të qeverisë, i cili sipas tij, pranon indirekt vlerat e godinës.

“Që në fillim, të thuash se do ta ndertojmë Teatrin sipas të të njejtit projekt në një vend tjeter e pranon vlerën e teatrit të vjetër. Kjo për mua është kulmi i kësaj çmendurie shkatërrimtare. Ky tanimë është nje hap prapa i Ramës. Një ndertese arkitektonike i rritet vlera me kohën dhe vendin, pasi lidhet me kujtesën e komunitetit dhe shndërrohet në objekt identitar pavarësisht se mund të mos plotësojë më kërkesat për destinimin që ka”, shkruan deputeti i Kosovës.

POSTIMI I PLOTË
Sapo degjova fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në kuvend dhe nuk po arrij të besoj atë që tha në fund të fjalimit të tij. Me aq sa degjova, ai tha se në vendin ku u rrënua teatri i vjetër do të ndërtohet teatri i ri modern ndërsa në një vend tjetër do ndërtojnë teatrin kopje sipas projektit të teatrit të vjetër. Kjo për mua është kulmi i kësaj çmendurie shkatërrimtare. Që në fillim, të thuash se do ta ndertojmë teatrin sipas të të njejtit projekt në një vend tjeter e pranon vlerën e teatrit të vjetër. Ky tanimë është nje hap prapa i Ramës. Një ndertese arkitektonike i rritet vlera me kohën dhe vendin, pasi lidhet me kujtesën e komunitetit dhe shndërrohet në objekt identitar pavarësisht se mund të mos plotësojë më kërkesat për destinimin që ka.

Teatri i vjetër është më shumë monument se sa teatër dhe për të plotesuar nevojat e sotme për teatër nuk ka kuptim të rindertohet i vjetri diku tjetër. Atje ku do rindërtohej, teatri i vjetër, më as nuk do ta kishte as vlerën e mëparshme dhe as nuk do të ishte i dobishem pasi nuk do plotesonte kërkesat. Kopja e teatrit të vjetër në një vend tjetër do të ishte nje kiç qesharak. Ajo eventualisht do të mund të bëhej në ndonjë kopësht të stilit Disneyland. Tirana sigurisht ka nevojë edhe për teatër të ri por njëkohësisht ka nevojë edhe për objektin identitar të saj. Prandaj ajo që do duhej bërë është saktësisht e kundërta e asaj që Rama tha sot. Tani pas rrënimit ndërtesa e vjetër do të duhej rindërtuar ashtu siq ishte, ndërsa një teatër i ri në një vend tjeter. Teatri i ri do të mund të mund të ndërtohej aty ku Rama po e mendoka ndërtimin e kopjes së teatrit të vjetër.

Zhupa denoncon me fakte skandalin tjetër të Veliajt me Teatrin: Po përdor kompani private për të pastruar skenën e krimit

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka publikuar dokumentat ku shihet se, mbetjet nga godinat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental po pastrohen me mjetet private në shkelje të ligjit.

Përmes një postimi në Facebook, Zhupa shprehet se, vetë vendimi fantazëm i prishjes së Teatrit Kombëtar, parashikon që kompetencen e shëmbjes e ka Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë, përcjell Syri.net.

“Referuar dokumentave që pasqyrojnë të dhënat e mjeteve rezulton që kamionet janë në pronësi private të 2 kompanive të ndertimit “ARB & Trans 2010” sh.p.k dhe “M.C Inerte “ sh.p.k! Mjetet gjatë punës janë kamufluar me logot e Bashkisë Tiranë duke funksionuar si mjete të Bashkisë”, shkruan ndër të tjera ajo.

Denoncimi i plotë i zëdhënëses së PD, Ina Zhupa

Teatri Kombëtar u prish dhe po pastrohet krimi me mjetet e kompanive private nga Veliaj në shkelje të ligjit.

Vetë vendimi fantazem i prishjes së Teatrit Kombëtar, parashikon që kompetencen e shëmbjes e ka Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë.

Bashkia nuk ka zhvilluar asnjë tender për të kontraktuar mjete për këtë qellim, që mund të justifikonte prezencen e mjeteve të firmave private. Të cilat mesa duket për qëllime të tjera klienteliste me tenderat që jep Veliaj po zhvillojnë një punë, pa dokumenta, pa tender, pa pagesë të deklaruar!

Referuar dokumentave që pasqyrojnë të dhënat e mjeteve rezulton që kamionet janë në pronësi private të 2 kompanive të ndertimit “ARB & Trans 2010” sh.p.k dhe “M.C Inerte “ sh.p.k! Mjetet gjatë punës janë kamufluar me logot e Bashkisë Tiranë duke funksionuar si mjete të Bashkisë.

Kryebetonieri Veliaj, që është njësh me kompanitë e ndërtimit duhet të japi llogari para organeve për këtë situate shkelje. Cilën Kullë të rradhes do ju japi këtyre kompanive për ndertim si përgezim për punën e palodhur në shëmbjen e Teatrit Kombëtar?

Teatri Kombëtar, tre herë në listën e Monumenteve të Kulturës, ish-drejtori nxjerr dokumentat

Akademiku Apollon Baçe, ish-drejtor i Monumenteve të Kulturës, i ftuar në “Ora 19” në Syri TV, ka publikuar dokumente zyrtare që hedhin poshtë pretendimet e mazhorancës.

Sipas kësaj të fundit, godina e Teatrit Kombëtar nuk ka qenë në listën e monumenteve të kulturës.

Por akademiku u shpreh se, jo një herë, por tre ajo godinë ka qenë mes monumenteve të kulturës në kryeqytet.

“Ky Teatër Kombëtar përmendet tre herë. Në vitin 91, 94 dhe 2005 ky Teatër përmendet si Monuiment Kulture. Jo një herë, por tre herë”, tha Apollon Baçe duke publikuar edhe dokumentet në fjalë.

Sipas tij, “Kjo është si “Plaku dhe Deti”, i Ernest Heminguej, që kap një peshk, por e sulmojnë oligarkët dhe në breg del vetëm skeleti. Ky po na çon në Sahara, ku s’ka të kaluar dhe duhet të jemi në vitin zero, vitin e revolucionit. Heq teatrin, heq stadiumin, heq vilat dhe le vetëm skeletin e peshkut. I kthen në një vend ku do të ndërtohen kullat e përbindshme”.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me hyrje në diktaturë, por me diktaturë reale”, shtoi Apollon Baçe.