31.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Trump ndryshon drejtuesin e Zërit të Amerikës, pritet votimi në Senat

Një komision i Senatit ka vendosur të marrë në shqyrtim të enjten kandidatin e Presidentit Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Amerikane të Medias Globale, agjensia federale që mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës mes subjekteve të tjera.

Emri i regjisorit të filmave dokumentarë, Michael Pack ka qenë në Senat për gati dy vjet, dhe është vonuar pjesërisht për shkak të shqetësimeve të demokratëve për marrëveshje të jashtëligjshme financiare të supozuara në bizneset e tij.

Javën e kaluar, votimi në komision u shty përsëri pasi zyra e prokurorit të përgjithshëm të Uashington DC hapi një hetim nëse përdorimi i fondeve të kompanisë së tij Pack Public Media Lab nga zoti Pack, ishte i paligjshëm dhe nëse ai i përdori ato fonde në mënyrë të padrejtë për të përfituar vetë.

Senatori demokrat Bob Menendez, anëtar i lartë në komision, protestoi përmes një letre të hapur se republikanët po përgatiten të ecin përpara me votimin.

“Në vend që të bëni një hap prapa dhe të kërkoni një zgjidhje dypartiake, jeni duke planifikuar të vendosni zotin Pack për konfirmim përmes votimit në komision përkundër faktit se marrëdhëniet e tij të biznesit janë objektivi i një hetimi aktiv i forcave të rendit dhe përkundër refuzimit të tij të vazhdueshëm për të korrigjuar deklaratat e rreme që ka bërë në agjencinë e taksave”, shkruan Menendez dhe demokratë të tjerë në letrën drejtuar kryetarit të komisionit Jim Risch.

Në një letër të veçantë, demokratët e komisionit gjithashtu shprehen të shqetësuar se mbledhja e Senatit nuk do të lejohet të transmetohet drejpërdrejtë për shtypin dhe publikun amerikan.

Zëri i Amerikës kërkoi komente për të dy letrat drejtuar zotit Risch.

Presidenti Trump emëroi zotin Pack për të udhëhequr USAGM gati dy vjet më parë dhe ka shprehur zhgënjim për vonesat, duke thënë se kjo është bërë për shkak të pengesave të demokratike. Presidenti më parë kërcënoi të pezullonte punimet e Kongresit në se nuk votohej kandidatura.

Shtëpia e Bardhë akuzoi demokratët për ngecjen e votimit javën e kaluar pas njoftimeve për hetimin e prokurorit të përgjithshëm të Uashingtonit, DC, duke shkruar “Presidenti qëndron në mbështetje të Michael Pack dhe është i zhgënjyer, por jo i habitur, që demokratët që nuk bëjnë asgjë, kanë vendosur edhe një herë të hedhin baltë politike mbi biografinë e pastër të një nëpunësi publik”.

Javët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e raportimeve lidhur me Kinën gjatë krizës së koronavirusit. Javën e kaluar, kur u pyet për emërimin e zotit Pack, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës është drejtuar në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Me një deklaratë të premten e kaluar, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, mbrojti misionin dhe raportimin e agjensisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane.

“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha ajo.

“Kjo është arsyeja përse më shumë se 80% e audiencës sonë prej 280 milion njerëzish në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende të botës thonë se e shohin punën tonë të besueshme,” shtoi ajo.

25% e amerikanëve nuk e duan vaksinën

Një e katërta e amerikanëve janë pak ose aspak të interesuar për të bërë vaksinën e koronavirusit, zbulon një sondazh i kryer nga Reuters/Ipsos dhe i publikuar të enjten.

Disa nga të anketuarit shprehin shqetësimin se ritmi rekord me të cilin po zhvillohen vaksinat mund të rrezikojë sigurinë e tyre.

Ndërsa ekspertët e shëndetit thonë se një vaksinë për të parandaluar infeksionin është e nevojshme për të kthyer jetën në normalitet, sondazhi flet për një çështje që potencialisht ka të bëjë me besimin tek administrata Trump, i cila tashmë është vënë nën kritika për udhëzimet e saj shpesh kontradiktore lidhur me masat mbrojtëse ndaj pandemisë.

Rreth 36 për qind e të anketuarve thanë se do të ishin më pak të gatshëm ta bënin vaksinën nëse Presidenti Trump thotë se ajo është e sigurt, krahasuar me vetëm 14 për qind që u shprehën se do të ishin më të interesuar.

Shumica e të anketuarve e kryer me 4,428 të rritur në SHBA midis 13 dhe 19 majit, thanë se do të ndikoheshin shumë nga udhëzimet e Administratës së Ushqimit dhe e Barnave ose nga rezultatet e studimeve shkencore në shkallë të gjerë, nëse ato tregojnë se vaksina është e sigurt.

Më pak se dy të tretat e të anketuarve thanë se janë “shumë” ose “disi” të interesuar për vaksinën, një shifër që disa ekspertë të shëndetit prisnin të ishte më e lartë duke pasur parasysh ndërgjegjësimin për COVID-19n dhe më shumë se 92,000 vdekjet që lidhen me të në Shtetet e Bashkuara.

Katërmbëdhjetë përqind e të anketuarve thanë se ata nuk ishin aspak të interesuar për ta bërë vaksinën, 10 për qind se nuk ishin shumë të interesuar, ndërsa 11 të tjerë ishin të pasigurt.

Studimet për vaksinat janë duke u zhvilluar, por ekspertët vlerësojnë se të paktën 70 për qind e amerikanëve do të duhet të imunizohen përmes një vaksine ose një infektimi për të arritur atë që njihet si “imunitet turmës”, kur ka njerëz të mjaftueshëm rezistentë ndaj një sëmundjeje infektive për të parandaluar përhapjen e saj.

Mes të anketuarve që shprehin pak ose aspak interes për një vaksinë, gati gjysma thanë se ishin të shqetësuar për shpejtësinë me të cilën po zhvillohen studimet. Më shumë se 40 për qind thanë se besojnë që vaksina është më e rrezikshme se vetë sëmundja.

Presidenti Trump është zotuar një vaksinë do të jetë gati deri në fund të vitit, megjithëse zakonisht duhen 10 ose më shumë vjet për ta zhvilluar dhe testuar për sigurinë dhe efektivitetin. Shumë ekspertë besojnë se një vaksinë e miratuar plotësisht nga qeveria nuk do të jetë gjerësisht në dispozicion, të paktën deri në mesin e vitit 2021.

Disa ekspertë kanë thënë se theksi i Shtëpisë së Bardhë tek shpejtësia mund t’i shqetësojë njerëzit se po sakrifikohet siguria për hir të shpejtësisë.

Për më tepër, gjatë periudhës së pandemisë në mediat sociale janë shtuar dezinformatat në lidhje me vaksinat, sipas studiuesve akademikë.

Sondazhi nënvizon se edhe polarizimi i thelluar i vendit ka ndikuar në mënyrën se si e shohin njerëzit pandeminë.

Gati një në pesë republikanë thonë se nuk kanë interes për një vaksinë, më shumë se dyfishi i demokratëve që thonë të njëjtën gjë.

Në të gjithë botën ekzistojnë më shumë se 100 vaksina kandidate për COVID-19, përfshirë disa që tashmë janë në prova klinike me njerëz.

Mollët, kura magjike për problemet me stomakun

Mollët janë të pasura me vitamina, minerale, fibra dhe kanë efekt të dobishëm në metabolizëm dhe shëndet në përgjithësi

Janë plot përbërës ushqyes, përmbajnë pak kalori dhe me të drejtë konsiderohen një ndër pemët më të shëndetshme në botë.

Është vërtetuar që ndihmojnë në dietat për humbje peshe, zvogëlojnë rrezikun nga diabeti, mbrojnë zemrën, zvogëlojnë nivelin e kolesterinës, po janë të shkëlqyeshme edhe për funksionimin e drejtë të sistemit të organeve të tretjes.

Secili nga ne në jetë është ballafaquar me diarrenë dhe kapsllëkun, dy pengesa që i kundërvihen sistemit të tretjes. Pikërisht mollët mund t’ju ndihmojnë te të dy problemet shëndetësore. Dallimi është vetëm në konsumim, transmeton Telegrafi.

Diarreja
Molla ndihmon në luftën me diarrenë, mirëpo jo siç i hamë zakonisht. Fibrat tretëse kanë konsistencë xheli në jashtëqitje dhe ngadalësojnë tretjen, ndërsa molla është e dobishme për ata të cilët kanë diarre.

Këto fibra gjenden në “mishin” e mollës, ndërkaq lëvoren duhet hequr. Më së miri do të ishte që t’i përpunoni në rende dhe t’i lini të qëndrojnë rreth një orë.

Hani dhe do të shihni si do t’jua qetësojë kjo pemë e dobishme stomakun.

Kapsllëku
Nëse keni probleme me kapsllëkun, atëherë mollën duhet ngrënë me lëvore. Fibrat e patretshme pikërisht gjenden në lëvoren e mollës dhe ndihmojnë që jashtëqitja të jetë e shpejtë dhe të kalojë nëpër zorrë, si dhe të nxisë zbrazjen e saj.

Rekomandohet që molla të hahet herët në mëngjes, si dhe përpara gjumit, pasi ajo ndihmon në motorikën e zorrëve dhe lehtëson jashtëqitjen

Mollët gjithashtu janë të pasura me fibra pektine të cilat kanë veprim amfoterik.

Shkencëtarët e NASA-s zbulojnë universin paralel, ku koha ecën mbrapa

Shkencëtarët e NASA-s kanë lansuar prova të një universi paralel, menjëherë pranë universit tonë, ku të gjitha rregullat e fizikës duket se funksionojnë në të kundërt.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, adhuruesit e librave shkencorë dhe komikë kanë ditur gjithçka rreth universeve paralele që nga fillimi i viteve 60-ta.

Përderisa fizikantët kanë debatuar që nga viti 1952 nëse ne vërtet jetojmë në një “multiverse” – pioneri i shkencës kuantike Erwin Schrodinger deklaroi se mund të duket çmenduri – ka pasur pak prova deri tani të dimensoneve përtej tonave.

Mirëpo, tani një eksperiment i zbulimit të rrezeve kozmike ka gjetur grimca që thjesht vijnë prej jashtë universit tonë.

“Antarctic Impulsive Transient Antenna” e NASA-s përdori një tullumbace gjigande për të tërhequr antenat elektronike lart në ajrin e ftohtë të thatë mbi Antarktikun – ku ka pak ose aspak zhurmë atmosferike për të tërhequr gjetjet e tij.

Ekziston një “erë” e vazhdueshme e grimcave të energjisë së lartë që vijnë nga hapësira e jashtme – disa prej të cilave janë një milion herë më të fuqishme se gjithçka që mund të krijojmë vetë.

Grimcat e energjisë së ulët – neutrinot – mund të kalojnë plotësisht përmes Tokës, duke bashkëvepruar mezi me substancën e planetit tonë . Por objektet me energji më të lartë ndalen nga materia siguruese e Tokës.

Kjo do të thotë që grimcat e energjisë së lartë mund të zbulohen vetëm se vijnë “poshtë” nga hapësira e jashtme. Për të zbuluar një grimcë më të rëndë – një “neutrino tau” – që “del” nga Toka do të nënkuptonte që këto grimca në të vërtetë po udhëtojnë prapa me kohë.

Deklarata e fortë e Aleancës për Teatrin: Angazhohemi për rrëzim të qeverisë diktatoriale të Edi Ramës

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) rikonfirmon vendosmërinë e saj për të vazhduar luftën e nisur në mars 2018, në mbrojtje të trashëgimisë, lirisë dhe demokracisë. Shembja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental ishte një goditje e rëndë, por jo fatale. Ne humbëm një betejë, por jo luftën.

Me shembjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të çdo ligji e procedure, duke mos respektuar gjykatat dhe paditë e Presidentet, Edi Rama shpalli zyrtarisht diktaturën në Shqipëri. Qysh prej amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, demokracia në Shqipëri ka bërë hapa prapa.

Me amendamentet e vitit 2016, Shqipëria u bë një regjim hibrid, i njohur si i tillë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli.

“Reforma në drejtësi”, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total! Ajo jo vetëm nuk ka fuqizuar qytetarët, por ka hequr çdo kontroll ndaj abuzimeve të Kryeministrit. Prej dy vjetësh AMT denoncon shkeljet ligjore në lidhje me çështjen e Teatrit dhe nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret për hetimin e tyre.

Në këto kushte, AMT u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës. Asnjë kauzë qytetare nuk mund të fitohet më pa rrëzuar diktaturën, pa rikthyer standardet kushtetuese dhe normalitetin e institucioneve.

Ftojmë të gjitha grupimet dhe individët, të lenë mënjanë divergjencat e pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit dhe të shtyjnë çdo debat ideologjik për një kohë tjetër, kur të jenë krijuar kushtet për konkurrencë të ndershme idesh.

Për sa më lart, ne angazhohemi në veprime konkrete, demokratike, që synojnë:
1. Rrëzimin e Qeverisë diktatoriale të Edi Ramës;
2. Ndryshimin e sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke rikthyer te qytetarët të drejtën për zgjedhjen e deputetëve të tyre;
3. Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998;
4. Hartimin e një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte.

AMT do të bashkëpunojë me çdo grupim qytetar dhe individ për rrëzimin e diktaturës dhe ringritjen e demokracisë në vend.

Poshtë Diktatura!
Rroftë Shqipëria!

Reagimi i Bashës: Rama si burracak po kërkon të shpëtojë veten, por…

Kryetari i opozitës, Basha ka reaguar përmes një postimi në twitter duke u shprehur se prishja e Teatrit Kombëtar është një provokim për çdo qytetar. Ai shprehet se Rama po kërkon të shpëtojë veten si një burracak duke ja hedhur fajin kujtdo tjetër.

Postimi i plotë
Rama e shembi Teatrin Kombëtar me dhunë, kundër ligjit dhe me qëllimin e vetëm që në truallin e tij të ndërtojë kullat duke pastruar lekët e pista në mes të Tiranës.

Si hajdut ordiner ai tani përpiqet të fshehë vjedhjen e tij pas ëndrrës së shumë artistëve për një Teatër të ri. Kjo grabitje e dhunshme e pasurisë sonë kombëtare është provokim për çdo qytetar që nuk e ka marrë akoma pagën e luftës, për çdo biznes që po falimenton prej dështimeve të Ramës, për çdo të papunë sot në Shqipëri dhe për çdo shqiptar të ndershëm.

Si burracak, Rama tani përpiqet tia hedhë fajin kujdo tjetër që të shpëtojë sadopak veten. Por ai është sot mbreti lakuriq që po e tregojnë me gisht të gjithë.

Sot në datëlindjen e Ernest Koliqit, tre ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, është drama e përbotshme e Shqipërisë

Nga Visar Zhiti

T’rrëzuemin due tá çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’qi kerkojn’ Dritën…

Ernest Koliqi

Shkrimtari Ernest Koliqi ka datëlindjen sot dhe ka dhe një dramë, të dyja s’kujtohen në atdheun e tij ashtu siç meritojnë, as datëlindja dhe as drama, ndoshta nga të njëjtët dhe për të njëjtat shkaqe.
Drama, “Rrajët lëvizin”, m’u nëpërmend veçmas tani, që, si asnjë vepër letrare në të gjithë perandorinë komuniste, parashikoi rënien e komunizmit në Shqipëri, aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, por nuk parashikoi dot shëmbjen e Teatrit Kombëtar në vitin 2020, të atij teatri modern, që u përurua në kohë lufte, në 1940, kur vendi ishte nën pushtimin fashist italian e Koliqi, nga shkrimtar i shquar, do të bëhej dhe ministër i arsimit.

Diktarura komuniste e dënoi me vdekje në mungesë. Drama e tij kurrë nuk u vu në skenë as pas rënies së komunizmit, ndërsa datëlindja e tij dhe po përmendej, por mes polemikash.
Të shpresohdet që teatri i ri të kujtohet për dramën e Ernest Koliqit, është drama e përbotshme e Shqipërisë.

* * *

Vepra koliqjane, tregime, poezi, përkthime, studime, antropoligji, etj, i tejkalon vdekjet e saj, atë të sajën, që do të ishte e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe atë që ia dhanë, vdekjen si dënim, prandaj, sipas sentences latine, mund të themi se ajo tashmë i është vënë udhës së ringjalljes e jo vetëm të vetvetes.

Duke e parë të (ri)botuar, mbase duket jo aq e shumtë, por rëndësia e saj është e jashtzakonshme dhe cilësia po ashtu. Ajo është me kuptimin e plotë e vetëzgjedhur, për të mos bërë firo, por përkundrazi, të rritet si vlerë. Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush Kutelin, janë themelues në letërsinë shqipe, të tregimit modern.

Ja si e përcakton shkrimtari tjetër i shquar, Martin Camaj: “Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare dhe themelues i prozës moderne.”

* * *

Maji është muaji kur ka lindur dhe Ernest Koliqi, pikërisht data 20 e vitit të tretë të shekullit të kaluar, teksa Shqipëria përgatitej të dilte nga robëria otomane, rrënueshmërisht e gjatë.
Njeri me dije të gjera, vizionar, mbartës i traditës mbi shpinë, i parakes, mbrujtës i risive, modernes, stilist i zoti, qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjeksore maleve të Veriut, krijues imazhesh dhe portretesh, njohës i konflikteve, i filozofisë së tyre, i brengave dhe i gazit, ashtu si dhe i rrugëve njerëzore si të ishin rrugë të qytetit të tij, Shkodrës, me kambana dhe minare, me ëndrra e traditë e pengesa, por dhe me piano e piktura e serenata nate, me miqësitë e dramat, që e bëri emblemë të veprës së vet, i derdhi prarime si një lloj ari, që ndërkohë ishte dhe e artit të tij dhe, megjithëse u përpoqën më vonë për ta errësuar, vazhdimisht përndritej edhe më shumë…

Ernest Koliqi ngado që shkonte, i kthehej Shkodrës, si qytetar i saj dhe si vokacion i veprës, duke e ribërë kështu si Itakën e vet. Është mik me më të kulturuarit, bashkëpunëtor, duke qenë vetë një i tillë, organizohet nëpër shoqata, shkon në Kroaci, kthehet sëbashku me librin e tij me novela “Hija e maleve”, risi e paparë deri atëhere, punon si mësues në Vlorë, prapë në Shkodër, boton librin e dytë me tregime “Tregtar flamujsh” ndër më të mirët në Ballkan, ndikon dhe te Migjeni e më pas shkon në universitetin e Padovas, laureohet për letërsi, mbron Diplomën me tezën “Epika popullore shqiptare”, gjë që entuziazmon albanalogët më të shquar të kohës, boton libra të tjerë, poezi, përkthen më të mëdhenjtë, etj, etj.

Në fillimet e Luftës së Dytë Botëre ai emërohet dhe Superior i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës dhe po atë vit, më 1939, caktohet ministër i arsimit, kur Shqipëria është e pushtuar nga fashistët italianë. Koliqi bëhet kështu kolaboracionist…

ÇËSHTJA E KOLABORACIONIZMIT

Pikërisht kolaboracionizmi do të bëhet shkaku i dënimit të shkrimtarit Ernest Koliqi nga fitimtarët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dënohet ai si person dhe vepra e tij, të dyja me vdekje. Koliqi në mungesë, sepse mbarimi i luftës e gjeti në Italitë, ndërsa vepra e tij ishte e pranishme fuqishëm në letërsinë shqipe. Shteti Italian nuk e ktheu Ernest Koliqin për ta vrarë bashkatdhetarët e tij, përkundrazi, kurse vepra e Koliqit, u ndalua, u hoq nga të gjitha bibliotekat, nga të gjitha tekset, u fut në fondin e zi, u grumbullua, u nis me roje në fabrika letrash për t’u rickluar në letër të bardhë e karton dhe së fundmi dënohej dhe lexuesi i tij i fshehtë. Nuk duhej të flitej më për të, duhej të harroj patjetër, duhej zhbërë.

Kolaboracionizmi me fashizmin është çështja më e rëndë dhe më e errëta që rroposi Ernest Koliqin dhe vega ku kapen dhe sot dhe i japin të drejtë vetes për ta sulmuar shkrimtarin, për ta mënjanuar e për të mos e lënë të çmohet ashtu siç duhet.

Kanë të drejtë, mund të thotë kushdo e mund të sjellë përvoja dhe shëmbuj nga vende dhe kultura të tjera ku janë dënuar edhe shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesin si nobelisti danez Knut Hamsun apo poeti amerikan Ezra Paund, madje ketë të fundit e mbyllën dhe në një kafaz në Piza për ta parë gjindja, për fjalimet e tij në radio në mbështetje të Musolinit. Natyrisht që të dy kanë zënë vendin e merituar në letërsinë e vendeve të tyre dhe asaj botërore, falë dhe apelit që kanë bërë kolegët e tyre kudo.

Në vendin tonë nuk ka ndodhur kështu dhe s’kishte se si. Por unë dua të shtroj pyetjet: A ka qenë Ernest Koliqi kolaboracionist me pushtuesin në dëm të vendit të tij? Ai e thirri pushtuesin apo e zuri pushtimi? Kujt i shërbeu, të huajit apo popullit të tij dhe kombit? Po që ka që nuk janë lidhur me pushtuesin, madje dhe e kanë luftuar dhe mund ta kenë dëmtuar atdheun shumë e shumë më tepër?
“Çështja Koliqi” duhet parë me seriozitet dhe përgjegjësi në mënyrë që të zërë drejtësisht vendin e vet në kujtesën kolektive, në histori dhe kulturë dhe në ndërgjegjen kombëtare.

Na rezulton se Koliqi nuk ka punuar në dëm të Shqipërisë? Jo dhe jo, përkundrazi. Pushtuesin nuk e solli ai, as nuk i hapi udhë me apele e himnizime, por ama nën pushtim ai punoi, edhe me pushtuesin duke shfrytëzuar ato kushte që i dha historia për kulturën kombëtare, për përparimin e saj në dobi të kombit.

Emërimi i tij si ministër i arsimit në kohën e pushtimit fashist ka arsyet dhe shkaqet e veta. Më së miri mund ta shpjegojë kjo që dëshmojnë studiues dhe biografë se Koliqi pyeti Poetin Kombëtar Gjergj Fishtën që a ta pranonte këtë post.

Fishta është vërtetuar me fakte që nuk ishte fashist, mosprovues i fashizmit, refuzues i dekoratave të tij politike, por akademik në Akademinë italiane adhurues i asaj kulture, prandaj dhe propaganda e mëpastajme do ta sulmonte ashpër, pa mëshirë dhe pa të drejtë. Gjergj Fishta i tha Ernest Koliqit që më mirë të bëhej ai ministër, se mund të bente diçka të dobishme për vendin se sa ndonjë tjetër, që mund të ishte vegël e verbër. Edhe diçka tjetër, studiuesit tani na kanë treguar se kryeministri Mustafa Kruja – Merlika në kabinetin e tij përzgjidhet patriotë me prirje antifashiste. Janë çështje e detyra të studiuesit për t’u qartësuar pëfrundimisht.

Është fakt se me nismën e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u përhap institucionalisht dhe në Kosovë arsimi shqiptar, duke u çuar atje prej tij 200 mësues nga më të përgatiturit, nga “normalistët” e famshëm, ndërkohë ai hap atje dhe të parën shkollë të mesme, pikërisht më 1941, kur këtej, si një hakmarrje e gjëmë, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë duke e braktisur Kosovën.

Pyes përsëri se kush kanë qenë kolaboracinistë më të dëmshëm për vendin, ata që s’kishin ç’t’i bënin të huajit që vinte si pushtues apo ata që dolën në krye të vendit e punonin për të huajin në dëm të vendit, për të ruajtur postet e tyre të larta? Po shkrimtarët që himnizuan diktaturën, diktatorin, sistemin, miqësitë dhe aleancat politike me të huajt, që shpesh nuk kanë qenë në interesin kombëtar.

Mbarimi i Luftës e gjen Ernest Koliqin të ikur po në Romë me punët e albanologjisë, duke iu mbyllur rrugët e kthimit në atdhe përgjithmonë. Italia nuk e ktheu Koliqin që kërkohej në atdhe si fashist, kur fashistët vetë po dënoheshin pas përmbysjes së tyre dhe në Itali. Madje gjyqet po dënonin për krime dhe shqiptarë të ikur, që e kishin luftuar fashizmin në male.

Azilantit politik Ernest Koliqi i jepen mundësirat e shpalosjes së mëtejshme, madje duke e nderuar dhe dekoruar. Ai nuk do të rreshtë së punuari, bashkëpunon me të arratisurit politikë, p.sh, me poetin Martin Camaj, me intelektualët arbëreshë, harton antologjira të poezisë mbarëkombëtare, përkthen nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, themelon katedra e revista, ndër më të vyerat “Shejzat” e tij, bashkon diasporën, ringjall botën arbëreshe, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan dhe do të ndikojë fshehtas edhe në letërsinë shqipe.

Ndërsa këtej ishte vendosur Realizmi Socialist dhe po dilnin romanet moderne që nisën me “Qyteti i fundit” i Petro Markos, çuditërisht roman i dashurisë dhe i urrejtjes, prandja dhe do të ndalohej. Por po në atë vit në Romë, më 1960, Koliqi porsa kishte botuar romanin e tij “Shija e bukës së mbrume”, ku rrëfen jetën e të mërguarit, por që si e gjithë letërsia e të ikurve, nuk do të lejohej të hynte në atdhe. Më pas do të ecej për tek romani botëror “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë.
Por do të ishte Koliqi që do të jepte mesazhin më largpamës në të gjithë letërsinë e Lindjes, parashikimin e rënies së perandorisë komuniste me dramën e habitëshme “Rrajët lëvizin”, e cila ende nuk është ngjitur në ndonjë skenë të teatrove tona, as të Shkodrës dhe harrohet shpesh dhe tani.

Në dhjetor të vitit 1975, Ernest Koliqi vdes pa pritur në Romë, duke ndërprerë shumë punë, por duke lënë një opus të një rëndësie të lartë. Në ceremoninë mortore marrin pjesë kolegë shqiptarë, arbëreshë e italianë, miq nga SHBA-të, nga Turqia, Suedia, Gjermania Perëndimore, Franca, Belgjika, etj. Ndërkaq dhe vepra të tij janë të përkthyera dhe në gjermanisht, italisht, anglisht, arabisht, greqisht, etj. Prehet në Varret e Monumentale në Romë, pranë prindërve të tij, të shoqes, ku pak më tej është dhe varri i poetit anglez Persi Bishi Shelli. Mbi mermer vazhdimisht gjenden lule të freskëta…

* * *
Vepra e Ernest Koliqit ishte caktuar të zhdukej ashtu si dhe vetë autori që qe shenjuar të vritej për shkaqe të tjera jashtletrare, megjithëse mund të besohet se përveç ideologjisë sunduese këtij aktit iu bashkëngjit dhe ambicia ndjellakobëse e shkrimtarëve të fitimtarëve, e atyre të socrealizmit, të cilat kanë ndikuar dhe ndikojnë ende në mënjanimin e tij të padrejtë.

Altari i një shkrimtari është gjuha e tij. Gjuha e Koliqit, në dialektin shkodran, është një jetë e madhe fjalësh, semantikë plot shpirt, dritë dhe hove, prajshmëri e urti, etj, etj, që sa herë ta lexojmë, krahas mrekullimit, përftojmë dhe dëshpërimin për standartin dhunues të gjuhës në diktaturë.

Solli aq dritë e iu dha aq terr. Koliqi arriti të japë drithërimat e ndjesitë e holla të njeriut, me delikatesë e elegancë e me stil të përkryer, lirik i pashoq. Po aq mirë sa ç’rrëfen një ngjarje, rrëfen dhe një ndjenjë, një imazh, bën një portret, vëzhgues i jetës brenda shtëpisë dhe jashtë saj, nuk i shmanget dramës, sidomos asaj së brendshmes, ku bien hijet e së shkuarës dhe rrezet e së ardhmes, shkodran, shqiptar, ballkanik, europian i vërtetë. Sikur gdhend me filigramë e argjend.

Gjithsesi edhe pse harrimi si dënim dhe keqkuptimet me Koliqin duket sikur vazhdojnë, është kuptuar borxhi që i kanë atij kolegët dhe lexuesit, historia e letërsisë shqipe, kultura jonë në përgjithësi e çështja kombëtare, se prej tij vetëm është marrë, pa iu kthyer tërësisht ajo që meriton, hijesorja e shkrimtarit themeltar.

Rrëfime për vëllezërit Koliqi.

Ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar:
Një si mace e bardhë kacavjerrej në dritare dhe luante me perden pa zhurmë. Loja e dritës. Dinia më tregoi si kishte mësuar t’i binte fizarmonikës me Dom Mikel Koliqin. Pse vjen ai prifti tek ti? – e pyeste operativi. Më mëson “Marshin turk” të Moxartit. Pse s’të pëlqejnë marshet tona ty? – më thanë në gjyq. Fizarmonika u shit për bukën e gojës. Nëna s’duroi dot burgun tim dhe plasi nga marazi…
Dom Mikeli i lëvizte gishtat sikur të kishte pranë një piano të padukshme.

Megjithëse i moshuar, dilte në të ftohtë, mes dimrit, dëgjonte nga altoparlanti pranë qendrës së emulacionit te lëmi i fshatit muzikë, të dielave Radio-Tirana jepte Rondo-kapriçiozo të Sen Sans-it. Të kujtohet zëpërhapësi në shtyllën e burgut?… Kur e arrestuan Dom Mikelin, i thanë dhe për kufjet që mbante në vesh, bëje sikur dëgjoje muzikë, por t’i kishte dërguar nga Italia me barnat Ernest Koliqi, ishin aparat transmetues… armik… lidhje me jashtë e tërci-vërci… Vonë pastaj, kur ra diktatura e Dom Mikeli doli nga burgu, Papa e bëri kardinal. I pari kardinal shqiptar. Vinte nga Ferri…
(nga burgologjia “Ferri i çarë”)

Tjetri në Sanremo:
…Po ta them, që të ndjellim fat sa më të bukur për ty. Dëgjo. Dikur, shumë vite më parë, kishte punuar dhe një shqiptar tjetër në Sanremo, shpërndante lule me kamion. Ishte i arratisur politik, bashkë me të vëllanë, shkrimtar i ndaluar tek ju, por i njohur, Ernest quhej, mbiemrin se si e kishte… Koliqi, ia priti Martini. Po, bravo! Vëllai i Ernest Koliqit, pra, ishte shpërndarës lulesh.

Niset nga Sanremoja me kamion për t’i çuar, s’di se ku. Ndal te një vend i bukur, me shtëpitë në kodër dhe do që të takojë një vajzë të bukur, që ai e pëlqen, duhen, do t’i japë lulen e saj siç e ka bërë zakon. Ndërsa ngjitej kalldrëmit përpjetë, dëgjon kambana. Merr vesh se ajo ka vdekur papritur dhe këmabanat po bien për të. Dhe ai sjell kamionin aty dhe zbraz të gjitha lulet mbi të vdekurën. E mbuloi. Dhe e la atë punë e nuk u martua kurrë. Mos u trishto. Ta thashë, se është histori e bukur. Ty tani të pret tjetër gjë, të shkarkosh lulet në dasmën tënde…
(nga romani “Në kohën e britmës”)

Ernest Koliqi në sytë e nxënësit të tij, Peof. Elio Miracco, Shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë:
Koliqi kishte një raport të ngushtë me studentët, dinte të dallonte momentin e profesorit akademik gjatë leksioneve e momentin i këshilltarit si një baba. Pas studimeve lidhte edhe miqësi me studentët e këtu do të përmend një studente të Koliqit, Emilia Blaiotta, që vite më vonë si drejtoreshë e shkollës në Frasnitë, e ka nderuar duke i dhënë shkollës emrin e tij. Kjo ngjarje sqaron marrëdhëniet e Koliqit me studentët që e respektonin si profesor por edhe si njeri.

Kujtoj ende leksionet të cilat më kanë udhëhequr drejt njohjes së letersisë shqiptare e nëpërmjet të cilave ne studentët jemi dashuruar me Shqipërinë e përfytyruar në letërsi. Koliqi, ulur pranë tryezës së madhe e rrethuar nga studentët, pinte duhan e recitonte poezi të poetëve shqiptarë; asnjëherë s’kemi dëgjuar poezitë e veta, por i lexonim në Shêjzat ose në veprat e tij. Na ka çuar në Rilindje me De Radën, Frashërin e Fishtën pastaj në letërsinë e pavarsisë. Kishte një ligjërim magjepsës që tërhiqte vëmendjen e të shpinte në malet e Shqipërisë, në Shkodër, në veri e në jug me autorët e veprat.

Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk përziente politikën në gjykime, kështu kurrë politika nuk ka ndërhyrë në problematikën letrare. Koliqi na paraqiti Migjenin të cilit nga ajo kohë ende i kujtoj vargjet e poezisë Të lindet një njeri.
Më kujtonte poetët bohemë italianë ose “Scapigliati”(1860-1890) që shprehnin antikonformizëm duke iu afruar RIMBAUD-it e admiruar Baudelaire-in. Ndërsa poetika moderne e Koliqit dallonte traditat negative e traditat pozitive, duke çmuar këto të fundit si rrënjët e vlerave të popullit.

Për jetën e Koliqit ishim në dijeni se ishte në mërgim për probleme politike, por asnjëherë nuk na ka rrëfyer kalvarin e jetës ose të familjes në Shqipëri. Pasi mbarova studimet kam pasur tjetër raport, shkencor e privat. Më ka ngarkuar të mbledh tekstet gojore në katundet arbëreshe në provincën e Katancaros.

Por ishte tjetër kohë, në gazeta, në libra lexoja mbi Koliqin dhe jetën në Shqipëri. Ishte koha kur regjimi komunist fillonte të ftonte arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë miq arbëreshë i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.

Kronologji e jetës dhe veprës së Ernest Koliqit:

1903: Lind në Shkodër më 20 Maj.
1918: Shkon në Itali për studimeu. Themelon në Bergamo të përjavshmën studentore “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton dhe vjershat e tij të para në italisht.
1921: Kthehet në Shqipëri, forcon miqësinë me Luigj Luigj Gurakuqin. Fiton konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar me juri: At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri e Luigj Gurakuqi.
1923: Bëhet anëtar në Shoqërinë “Bashkimi” të Avni Rrustemit. Largohet nga Atdheu dhe boton poemthin “Kushtrimi i Skandërbeut”.
1929: Në Zarë të Dalmacisë, Kroaci, boton vëllimin e novelave “Hija e maleve”.
1930 – 1933: Arsimtar në Vlorë e Shkodër.
1932: Boton vëllimin I të përkthimeve me titull “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë” (Dante, Petrarka, Aristoteli e Taso).
1933: Boton librin e vjershave “Gjurmat e stinëve”.
1934: Bashkëpunon me të përkoshmen “Illyria”.
1935: Boton librin e dytë me novela “Tregtarë flamujsh”
1935: Boton vëllimin e II të antologjisë “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë”
1937: Përfundon studimet Universitare dhe doktoron në Padova me temën: “Etika popullore shqiptare”.
1939: Emërohet Ministër i Arsimit. Mbështet botimin e dy vëllimeve të rëndësishme “Shkrimtarët shqiptarë” e “Visaret e Kombit”. Emërohet titullar i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.
1940: Organizon në Tiranë kongresin e studimeve shqiptare me pjesmarrjen e studiuesve më të njohur nga vendi dhe bota.

1941 – 1942: Dërgon në Kosovë 200 mësues për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe (deri në Novi Pazar, ish qytet shqiptar)
1947: Boton në fletorën “L’Albaniae Libre”.
1957: Me dekret të kryetarit të Italisë Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e Universitetit të Romës nderohet duke u bërë Institut i Studimeve shqiptare për meritë të drejtuesit të saj Koliqit.

Boton në Firencë në dy gjuhë, shqip dhe italisht, vëllimin “Poezia popullore shqiptare”. Themelon revistën kulturore, letrare e shkencoret “Shejzat”.
1959: Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” italisht, teksa nxit arbëreshët të ruanë gjuhën dhe identitetin kombëtar të tyre.
1960: Boton romanin “Shija e bukës mrame”, me temë mërgimin.

1961: Përkthen në italisht poemthin e Ali Asllanit “Dasma shqiptare”.
1962: Përkthen në italisht këngën e 26-të të “Lahutës të Malcis” të Gjergj Fishtës.
1963: Boton “Pasqyrat e Narçizit” dhe “Antologji e lirikës shqipe” në italisht, ku përfshihen dhe poetë nga Kosova për herë të parë.
1965: Boton monografinë për Shqipërinë “ALBANIA”.

1967: Në Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë ndalohet me ligj feja duke u shpallur vendi i parë dhe i vetëm në botë ateist dhe shëmben tempujt e fesa, kasha, xhami teqe, etj
1970: Boton poemthin “Simfonia e shqipeve” dhedramën “Rrajët lëvizin”, ku profetizohet rënia e komunizmit. 
1971: Përkthen italisht nga “Lahuta e Malcis” episodin e Marash Ucit (kangët 12–13–14–15).
1972: Boton një përmbledhje shkrimesh e kumtesash “Saggi di Letteratura Albanese”.
1973: Vazhdon në italisht “Lahuta e Malcis”, episodin “Oso Kuka” (kangët 2–3–4–5).
1975: Vdes papritmas në Romë më 15 Janar dhe varroset më 18 Janar po në Romë.

* * *

Vepra e plotë e Ernest Koliqit është botuar së pari në Kosovë, edhe gjat:e kohës së komunizmit dhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit, kurse revista “Shezat” fillojë të ridalë këto vitet e fundit nën kujdesin e Ardian Ndrecës, filozof dhe antropolg, poliglot dhe përkthyes, autor i shumë botimeve, i mërguar dhe ai si Ernest Koliqi në Itali, professor në Universitetin Urbanian t:e Romës.

2020: Në Tiranë shëmbet natën Teatri Kombëtar, ku ishin gjurmë dhe hija dhe e Ernest Koliqit së bashku me shumë intelektualë, shkrimtarë dhe artiste të tre epokave, ajo e Luftës së Dytë Botërore ose e pushtimit, e diktaturës komuniste dhe e postdiktaturës, në përpjekjet për një Shqipëri Demokratike.
Ernest Koliqi si shkrimtar i shquar shqiptar, intelektual i pëmasave europiane, mbetet themeltar në letrat moderne shqipe, është pjesë e rëndësishme e historisë së letërsisë, por dhe e historisë së re të Shqipërisë. Ai tashmë i tejkaloi të gjitha vdekjet e tij.

Rama e thotë troç: Teatri i vjetër në vend tjetër, vendi aty për kullat

Kryehajduti historik i këtij vendi e thotë troç në Parlament se një tatër sipas atij modeli që u shkatërruar mund të ndërtohet në një vend tjetër, duke e bërë të qartë se vendi ku ishte Teatri Kombëtar i duhet për kullat

Në emër të Aleancës për Tetarin, Budina ka bërë një deklaratë të fortë duke i kërkuar Prokurorisë të reagojë menjëherë për të ndalur çdo punim që po bëhet në zonën e Tetarit, “Deri tani SPAK dhe Prokuoria nuk ka reaguar dhe vendi është i rrezikuar nga një përplasje civile.

Si hap i parë i menjëhershëm është reagimi i Prokurorisë për të ndaluar çdo punim që po bëhet tek Tetri, në të kundërt ne do të ndërhyjmë vetë”, u shpreh Budina, I cili e kosnideroi shembjen e Teatrit si akt terrorist.

Rama ka dhënë lajmin në Kuvend se Teatri i Vjetër mund të ndërtohet sipas projektit origjinal dhe jo atij të papërfunduar për ta bërë diku tjetër.

Rama thotë se godina e re do të bëhet vetëm për fëmijët dhe mësuesit e tyre për të mësuar art, pikturë, muzikë apo dhe historinë e Tiranës.

”Gjysma e lajmit është që meqë godina e arkitektit italian nuk u ndërtua kurrë, dhe meqë këta as duan t’ia dinë për godinën. Ka njerëz që më kanë bërë të reflektoj. Për një boshllëk apo lëndim. Dhe mbase i ka ardhur nga ajo që …

Ne do e marrim projektin origjinal dhe do ua tikthejmë, jo Aleancës, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë por do ua rikthejmë fëmijëve si pjesë e një programi më të madh dhe do e kemi mes nesh. Jo aty. Për më shumë do e shikoni pelegrinazhin.

Do shkojnë vetëm fëmijët dhe mësuesit e tyre për të mësuar konkurset, muzikën, artin. Për të mësuar çfarë ka qenë Tirana. Madje këta kur të marrin vesh se ka qenë në vend tjetër nuk kanë për të shkuar.”- tha Rama.

Meta takim me ambasadorët e BE: Reagimi destruktiv e qeverisë po shkakton tension shoqëror

Presidenti i Republikës, Ilir Meta organizoi sot një takim pune me Ambasadorët e të gjithave vendeve të Bashkimit Europian, të akredituar në Tiranë, si dhe me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së, z.Luigi Soreca.

Presidenti Meta falenderoi për asistencën që BE dhe vendet anëtare kanë dhënë për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Kreu i Shtetit ripërsëriti mirënjohjen për vendimin e Këshillit Europian të 25 marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti Meta i njohu Ambasadorët me platformën e tij të datës 8 prill 2020, të propozuar të dyja palëve, me qëllim arritjen e një emëruesi të përbashkët në dobi të përshpejtimit të nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Presidenti Meta shprehu keqardhjen për reagimin destruktiv të qeverisë me provokimin e panevojshëme të tensionit shoqëror dhe politik në vend.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu shqetësimin se shkatërrimi i dhunshëm dhe i paligjshëm i ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe sjellja shproporcionale e policisë ndaj qytetarëve, që tronditën jo vetëm opinionin publik vendas por nxitën dhe një zinxhir reagimesh të miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, kanë shkaktuar një dëm të pamerituar ndaj procesit të integrimit europian të vendit.

Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka përfundimi sa më parë i reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimi i saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, edhe pse në kushtet e thyerjes së mëtejshme të besimit ndërmjet palëve.

Kreu i Shtetit përsëriti thirrjen për çdo aktor institucional për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në detyrimet që ka për zbatimin e secilit prej 15 prioriteteve të BE që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit.

Reagimi i fortë nga Bundestagu: Mbështesim protestat në Shqipëri, keqardhje e thellë për prishjen e Teatrit Kombëtar

Reagimet e shumta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar vazhdojnë të vijnë.

Sidomos reagimet më të ashpra po vazhdojnë të vijnë nga Gjermania.

I pari ishte ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf që dha një mesazh të fortë kundër vendimit të Edi Ramës për shembjen e Teatrit.

Por sot ka ardhur një tjetër reagim i fortë, këtë herë nga ligjëvënës të Budestagud gjerman.

Manuel Sarrazin deputet i të Gjelbërve dhe njohës i Ballkanit Perëndimor, në një deklaratë për programin shqip të DË, shpreh keqardhjen për mos arritjen e një kompromisi për Teatrin, ndërsa është shprehur se mbështet protestat.

‘Më vjen shumë keq për prishjen e Teatrit Kombëtar pothuajse brenda natës.

Sepse unë i kuptoj dhe i mbështes protestat e atyre që duan të ruajnë asetet kulturore kombëtare dhe që janë të angazhuar për zgjidhje demokratike dhe transparente.

Prandaj është shumë për të ardhur keq që nuk u gjend një zgjidhje e përbashkët midis qeverisë dhe artistëve’, është shprehur Sarrazin.

Më parë edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, për mënyrën e shembjes së Teatrit, dhe mungesën e dialogut:

‘Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje’, shkruante ndër të tjera ambasadori gjerman.