25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Liverpool vendos për të ardhmen e Shaqirit

“Reds” janë të vendosur t’i shesin disa lojtarë gjatë verës për të bërë para për prurje të reja në ekip

Eksperienca e Xherdan Shaqirit në Liverpool mund të marrë fund shumë shpejt.

Mediat britanike raportojnë se kampioni aktual evropian dhe botëror do ta shesë mesfushorin kosovar gjatë verës që vjen.

Në fakt, mediumi “The Atletic” raporton se “Reds” do t’i shesin disa lojtarë, përfshirë këtu edhe përfaqësuesin zviceran, për të bërë para për prurje të reja.

Liverpooli synon t’i fitojë 40 milionë euro nga shitja e 28 vjeçarit.

Shaqiri nuk ka arritur ta bindë trajnerin Jurgen Klopp t’i japë më shumë hapësira në ekip.

Dhe, ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit e Stoke Cityt mund t’i bëjë valixhet gati për t’u larguar nga “Anfield Road” gjatë verës.

Interesim për mesfushorin ofanziv ka shfaqur Galatasaray në Turqi.

Siç dihet, Shaqiri e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, me Bayernin dhe me Liverpoolin.

Ai mund të largohet nga Liverpooli pasi ta fitojë titullin e kampionit në Angli, në muajin korrik ose gusht.

Pas shpërthimit të koronavirusit Wuhan ndalon me ligj konsumimin e kafshëve të egra

Autoritetet në Vuhan kanë zgjeruar ndalesën në blerjen dhe shitjen e kafshëve të egra, duke përfshirë gjuajtjen dhe ngrënien po ashtu, ka raportuar e përditshmja kineze, Global Times.

Kjo ndalesë përfshin konsumimin e çfarëdo kafshe të egër që gjendet në listën e kafshëve të mbrojtura, është thënë në faqen qeveritare të Vuhanit.

Koronavirusi fillimisht është raportuar në Vuhan në fund të vitit të kaluar, teksa autoritetet kanë fajësuar një treg të kafshëve të egra.

Në muajin janar, Kina ka marrë vendim të përkohshëm për shitje dhe blerje të këtyre kafshëve, ashtu sikurse kishte vepruar pas shpërthimit të Sars-it.

Një muaj më vonë, qeveria “ka ndaluar tregtinë ilegale të kafshëve të egra” dhe “ka eliminuar konsumimin e tyre për të ruajtur jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

Mirëpo nga ajo kohë, në një numër raportimesh është thënë se kafshët e egra janë shitur sërish në Kinë dhe vende tjera.

Origjina e saktë e koronavirusit të ri ende nuk dihet, ndonëse disa të dhëna sugjerojnë se ka ardhur nga një kafshë.

Pyetësorë apo kontrolle mjekësore? Rregullat e reja që do të vendosin aeroportet gjermane për pasagjerët

Pasagjerët duhet të planifikojnë më tepër kohë për të shkuar në aeroport në të ardhmen. Krahas mbajtjes së maskës parashikohen edhe procedura të zgjeruara kontrolli. Detyrim për të mbajtur maskë në pika të caktuara, procese më të përimta dhe për këtë arsye më të ngadalta kontrolli, por një herë për një herë jo kontroll mjekësor – këto janë disa nga rregullat që prezantoi Shoqata e Industrisë së Fluturimeve Ajrore ADV në Berlin. Paketa e masave ka për qëllim ta shmangë thuajese krejtësisht rrezikun e infeksionit nga sëmundja e mushkërive COVID-19, nëse trafiku ajror rifillon nga puna, tha drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate Ralph Beisel.

Aktualisht në aeroportet gjermane nuk ekziston një detyrim i përgjithshëm për të mbajtur maskë në terminalet e aeroporteve. Deri tani një detyrim i tillë ekziston vetëm për aeroportet në landet e Bavarisë, Baden-Vürtembergut, Nordrajn –Vestfalise, Saksonisë së Ulët dhe në atë të Berlinit dhe Bremenit. Në aeroportet e landeve të tjera udhëtarëve vetëm sa u rekomandohet një gjë e tillë. Tani mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha aeroprotet e Gjermanisë.

Më shumë autobusë – më pak vende
Shoqata rekomandon që aeroportet të ngadalësojnë proceset e ndryshme në aeroport, si p.sh. në sportelet për check-in apo në kontrollet e bagazheve në mënyrë që pasagjerët të kenë mundësi të ruajnë distancën minimale fizike. Po ashtu pritet të kufizohen edhe vendet e pritjes së pasagjerëve në hollet e aeroportit dhe që radhët e pritjes të tyre të organizohen në mënyrë të tillë që të ruhet distanca fizike. Prej zbatimit të këtyre masave pritet që infrastruktura e aeroporteve do shënojë rënie prej 20 deri 50 përqind të kapaciteteteve të saj, që do të thotë edhe një përgjysmim të numrit të mëparshëm të udhëtarëve.

Jo kontrolleve mjekësore
Sa u përket kontrolleve mjekësore të pasagjerëve para se të hipin dhe kur zbresin nga avionet aeroportet gjermane janë kundër, sepse sipas ekspertëve kamerat termike ose matja e temperaturës së pasagjerëve nuk janë masa të përshtatshme për të identifikuar bartësit e virusit Coronës. Por nëse autoritetet gjermane kërkojnë vendosjen e kontrolleve mjeksësore, aeroportet preferojnë që kjo të bëhet përmes pyetësorëve që duhet të plotësohen nga pasagjerët.

Berisha publikon Videon: Shikoni policët e armatosur në protestën e artistëve

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video ku shikohen qartë forcat e policisë të armatosura me armë automatike gjatë protestës së artitëve pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Edvin Kristaq Xhelati dhe General Vasal Hashashi terrorizuan qytetarët me narkopolicinë e armatosur gjer në dhembë!”, shkruan Berisha në postimin e tij.

Edvin Kristaq Xhelati dhe General Vasal Hashashi terrorizuan qytetaret me narkopolicine e armatosur gjer ne dhembe! sb

Gepostet von Sali Berisha am Donnerstag, 21. Mai 2020

Ja si po përfitojnë kriminelët në internet nga pandemia globale

Për shkak të virusit Corona jo vetëm ata që punojnë nga shtëpia por shumë njerëz po kalojnë gjithnjë e më tepër kohë përpara kompjuterit, qoftë për t’u informuar, argëtuar ose për të porositur mallra on-line.

Kjo situatë ofron kushte ideale që kriminelët në internet. Sipas sondazheve të kompanisë “G Data Cyber Defense”, që ofron programe për mbrojtjen prej viruseve në Gjermani, numri i sulmeve kibernetike në mars u rrit me rreth 30 përqind krahasuar me shkurtin. Këto janë vetëm sulmet e zbuluara. Numri i përgjithshëm i sulmeve ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë dhe dëmi i shkaktuar mund të arrijë në disa milion euro. Bujën më të madhe e bënë përpjekjet për mashtrim në faqet e internetit të qeverisë gjermane ku ofrohej ndihmë financiare për bizneset.

Çdo tetë sekonda një virus ose program i dëmshëm
Sipas Tim Berghoff, ekspert për sigurinë e IT pranë G Data Cyber Defense objekt i sulmeve janë jo vetëm telefonët celularë apo tablets por edhe kompjuterat dhe lap-topet. Skenaret e sulmeve nuk janë të ndryshme për shkak të pandemisë, thotë ai, por është shtuar numri i sulmeve dhe i programeve të dëmshme. Një ndër të është Emotet që shërben si çelës për të infiltruar në një sistem ose rrjet dhe për t’u hapur rrugën programeve të tjera të dëmshme (malware) shtesë.

Mendo para se të klikosh!
Kujdes duhet treguar në këto kohë sipas ekspertëve edhe ndaj reklamave në portalet e internetit që ofrojnë artikuj që lidhen drejtpërdrejtë me Covid-19, si për shembull maska të lira ose teste për Coronën.

Po ashtu qarkullojnë edhe faqe të rreme në formë portalesh që ofrojnë gjoja ndihmë të menjëhershme për të prekurit nga kriza e Coronës. Po ashtu në rrjet publikohen edhe grafikë në lidhje me Coronën, që janë të ngjashme me faqen e internetit të Johns-Hopkins, por që janë të lidhura me kode programesh të dëmshme.

SPAK nis zyrtarisht hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar, të kallëzuar zyrtarë e lartë të Bashkisë dhe Ministri i Kulturës

Prokuroria e Posaçme Anti- Korrupsion (SPAK) mësohet se ka nisur zyrtarisht hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se prokurori i çështjes do të jetë Ervin Kondili.

Mësohet se Kondili ka nisur nga puna dhe ka sekuestruar të gjithë dokumentet nga Bashkia Tiranë për procedurën e ndjekur për shembjen e dy godinava të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimenal “Kujtim Spahivogli”.

Prokurori hetimet i ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila ka dorëzuar dy padi, të cilat tashmë janë bashkuar. Po ashtu mësohet se do jenë disa zyrtarë që do merren në pyetje për këtë çështje, për të dhënë dëshminë e tyre.

Mes personave që do merren në pyetje do jenë inxhinierët që kanë firmosur për shembjen e godinave të Teatrit Kombëtar, por dhe zyrtarë të tjerë në Bashkinë Tiranë.

Aleanca për Mbojtjen e Teatrit ka dorëzuar dy padi në SPAK, ku të kallëzuar janë zyrtarët më të lartë të Bashkisë Tiranë, drejtuesit e Policisë, drejtori i Teatrit Kombëtar, Ministri i Kulutërës etj. Sipas AMT shembja e Teatrit Kombëtar është bërë në mënyrë të jashtëligjshme dhe për këtë të gjithë ata që kanë firmosur duhet të mbajnë përgjegjësi.

Godina e TK u shemb të dielën në 17 maj, orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerr protestuesit nga godina. Pas shembjes së godinës së teatrit kanë nisur protesta, të cilat janë mbështetur dhe nga opozita.

Artistët: Në burg Veliaj dhe Mazniku! Nëse nuk ka drejtësi protesta do të…

Aleanca për Mbrotjen e Teatrit e ka zhvendosur paraditen e sotme, protestën e saj, para SPAK, ku kërkon vijimin e hetimit lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Një përfaqësuese ligjore e Aleancës për Teatrin konfirmoi se SPAK ka nisur hetimet lidhur me kallëzimin e Aleancës, ndërsa kërkoi arrestimin e Veliajt dhe Maznikun.

Ajo tha se duhet të vendosen nën sekuestro preventive trualli ku ka qenë Teatri Kombëtar, të pezullohen punimet deri në një vendim përfundimtar nga drejtësia për çështjen, dhe të vendoset masa e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe nënkryetarin Ardian Mazniku, për akuzat shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publikë.

Regjisori Robert Budina tha se, fadroma goditi godinën kur aktorët ishin brenda dhe kjo është një tentativë e pastër vrasje dhe tha se do të vazhdojnë protestat deri sa të shohin një lëvizje nga prokuroria.

“Qëllimi protestës është sensibilizimi. Kemi caktuar juristët të flasin për çfarë ne jemi këtu ndërsa në parim protesta para SPAK është sensibilizim dhe mbështetje totale nga ana jonë e prokurorëve që të vazhdojnë ato procese që kemi sjellë këtu dhe do të vazhdojmë do të sjellim. Fadroma i ra Teatrit kur ishim brenda, të veprojnë me urgjencë se ishte tentativë për vrasje. Kemi prova dhe filmime.

Prokurorët duhet të ndihen të mbështetur se ne do ta çojmë këtë lëvizje në gjithë Shqipërinë. Që mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë kanë detyrën dhe moralin që të hapin procese dhe të shkojnë tutje. Nuk është faji i artistëve që mbrojtën Teatrin Kombëtar që nuk ka sistem drejtësie. Duke qenë se politika na ka vjedhur institucionet dhe drejtësinë jemi të detyruar të thërrasim popullin në fushëbeteje për të mbrojtur demokracinë.

Populli është i lodhur vëllezër prokurorë, bëhuni ju të parët që jepni shkëndijën e shpresës. Nëse ju fshihni kriminelët do të ketë një përgjigje mbarëpopullore. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë pa kompromise. E kemi provuar në kurriz, as duam të bëjmë parti dhe as të përfitojmë”, tha Budina

Ndërsa pedagogu Ervin Goci tha se, protesta për Teatrin Kombëtar është protestë politike dhe çështja është politike. Ai tha se, Prokuroria ka shumë në dorë se mund të pezullojë nga detyra kryetarin e bashkisë që tani.

“Është protestë e pazakontë. Ne jemi këtu se kjo protestë është politike, sistemi i drejtësisë është shkrirë me një angazhim politik. Subjektet politike nuk mund të shfrytëzonin boshllëkun. Grabitqarët politikë shfrytëzuan boshllëkun dhe u sulën si përbindësha mbi pasuritë publike, është përgjegjësi politike e klasës politike dhe ndërkombëtarëve. Ne sot jemi njerëz gati në kufijtë e azilantëve politikë, nuk kemi asnjë siguri.

Nëse nuk ka drejtësi protesta do të jetë politike për të dhënë dorëheqjen kryeministri i pari, kryetari i bashkisë i dyti. Prokuroria ka shumë në dorë se mund të pezullojë nga detyra kryetarin e bashkisë që tani. Ai është në hetim, nuk duhet lënë asnjë moment as të veprojë dhe as të firmosë. Vendi i krimit atje duhet të kalojë në siguri prove, nuk mund të vazhdojnë punimet. Materialet e teatrit po çohen në inceneratorë. Prokurorët duhet të vazhdojnë shpejt, situata është jashtëzakonisht emergjente.

Alenaca për Mbrojtjen e Teatrin, po ashtu paralajmëroi se në SPAK do dorëzohen dosje të reja për ankuat vrasje e mbetur në tentativë ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për tentativë vrasje. Ajo tha se do të ketë edhe padi të tjera ndaj kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtarëve, për shpërdorim detyre lidhur me vendimin për shembjen e teatrit. Padi u paralajmërua dhe ndaj ministres aktuale të Kulturës dhe paraardhëses së saj si dhe drejtorin e TK për “masakër ndaj inventarëve të teatrit”.

Ekspertët e Ramës: Sot vetëm 5 raste të reja me Covid-19…

Nga 18 raste që u raportuan dje, sot ekspertët e Ramës kanë ybuluar vetëm 5 raste të reja me Covidß19.

Rastet e reja janë zbuluar në Tiranë, Durrës dhe në Krujë, ndërsa numri i personave të shtruar ka rënë edhe më tej, duke shkuar në 14.

Deklarata e Ministrisë

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në vendin tonë. Edhe pse situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, ka vijuar puna intensive e epidemiologëve në terren, për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin aktiv të tyre, si në zonat e kuqe por edhe në ato të gjelbërta.

Ndërkohë mjekët e familjes po monitorojne në vazhdimësi rastet aktive me Covid19 që kanë simptoma të lehta ose janë asimptomatikë. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 204 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 5 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 3 raste në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 13 qytetarë. Gjendja në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 14 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 969 qytetarë. Prej tyre, rreth 80% janë të shëruar. Aktualisht janë 167 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 13,500 testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1 mijë testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat, te ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Artistët protestë para SPAK: Hetoni tentativën e vrasjes në Teatrin Kombëtar!

Ashtu siç ishte parashikuar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrin ka nisur sot protestën e saj para SPAK, ku kërkon vijimin e hetimit lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Përfaqësues të Aleancës, të mbështetur dhe nga qytetarë, qëndrojnë para godinës së SPAK, ndërsa i pari që ka marrë fjalën para protestuesve ka qenë regjisori Edmond Budina.

Ky i fundit deklaroi se SPAK duhet të hetojë tentativën për vrasje nga policia, pasi brenda teatrit kishte artistë gjatë kohës që po niste shembja.

Budina tha se disponojnë prova se në momentin e shembjes së pjesës ballore të Teatrit, artistë dhe aktivistë kanë qenë brenda godinës.

“Do kërkojmë hetimin për tentativën për vrajse të artistëve. Të hetohet edhe RENEA. RENEA ndërhyn kundër grupeve terroriste. Ne kemi dëshmi që në kohën që po rrëzohet fasada, dhe pamje se kishte ende njerëz që po dilnin nga godina. Ata mund të thonë që janë montazhe, por ne do të gjejmë ekspertë ndërkombëtarë që t’i shohin pamjet”, tha Budina.

Regjisori Budina tha se ‘ne do të vazhdojnë protestat deri sa të shohim një lëvizje nga prokuroria’.

Meta pas takimit me opozitën: Shembja e Teatrit Kombëtar, provokim për demokracinë!

Ka përfunduar takimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar.

Takimi është thirrur nga vetë presidenti në një kohë që situata mes opozitës dhe qeverisë është e tensionur pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Kreu i Shtetit është shprehur i shqetësuar për ngjarjen e shembjes, sipas tij të paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.

Gjithashtu Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.

Më tej Presidenti theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Pas takimit me opozitën presidenti pritet të zhvillojë takim me ambasadorët rreth orës 11:00.