32.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Konrad-Adenauer nxin Ramën: Shembja e Teatrit, sulmi i medias dhe kánabisi, agjendë autokratike në kohë pandemie

Në raportin 11 faqesh, me titull “Masa autokratike në kohën e Coronës”, jepen tre shembuj për të ilustruar këtë tezë. Shembja e Teatrit, luftimi kundër medias kritike, si për shembull vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e TV ORA, si edhe diskutimi për legalizimin e kánabisit mjekësor.

Sipas fondacionit, këto masa të qeverisë shqiptare në kohë pandemie, janë zgjedhur enkas të bëhen në një moment të tillë, kur deri në 23 qershor në vend ekziston ende gjendja e jashtëzakonshme, çka kufizon edhe lirinë e tubimit.

Shkelje juridike: Në raport përshkruhet me hollësi historiku i konfliktit tashmë dyvjeçar për teatrin për të arritur në konkluzionin se shembja e Teatrit, kishte një sërë shkeljesh juridike dhe procedurale. Vendimi i Këshillit Bashkiak, sipas KAS-it, nuk ishte i ankoruar me ligj. Si argumente KAS përmend faktin, që ndryshe nga trualli, ndërtesa nuk ishte pronë e Bashkisë.

Edhe klasifikimi i Teatrit si një godinë e rrezikshme është një akt juridik administrativ, i cili duhet të kalojë më parë nga instancat gjyqësore. Këshilli Bashkiak në të kundërt është një institucion politik dhe nuk ka kompetenca për të nxjerrë akte juridike që parashtrohen nga një institucion qeveritar. Nga ana tjetër, KAS kritikon edhe faktin, se mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk u bë e njohur më parë, siç e parashikon ligji. Për fondacionin, shembja e teatrit është një ogur jo i mirë para çeljes së negociatave.

Ngjashmëri me Vuçiçin: Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar është raportuar edhe në median e hapësirës gjermane. Kryesisht media është mjaftuar me kronika informuese. Karakter komentues kanë titujt e tyre, si për shembull: “Një krim moral” (FAZ) ose „Lirohet vendi për një qendër tregtare” (SZ).

Korrespondentja për Ballkanin Perëndimor e gazetës austriake Der Standard, Adelheid Wölfl, në artikullin e saj me titull „Teatri kombëtar i Tiranës prishet në një aksion nate dhe mjegulle”, bën një paralelizëm mes stilit autokratik të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili disa vite më parë në një aksion të ngjashëm shkatërroi brenda natës gjithashtu disa ndërtesa në lagjen e vjetër Savamala në Beograd.

Wadephul i zhgënjyer: Politikanët që merren me Ballkanin Perëndimor kanë preferuar të heshtin. Vetëm Johann Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristian-Demokrat e Kristian-social, simotrës së Partisë Demokratike në familjen e Partive Popullore Evropiane është shprehur i zhgënjyer në Twitter.

“Si mbështetës shumë i fortë i perspektivës evropiane të Shqipërisë, shkatërrimi i Teatrit Kombëtar me shpejtësi dhe dhunë, më ka lënë të zhgënjyer dhe të trishtuar. A mos kishin të drejtë gjithë kundërshtarët e mi në disa parlamente, kur refuzonin të jepnin ‘po’-në për fillimin e negociatave”, ka thënë Wadephul.

Keqardhje per mungesën e dialogut: Manuel Sarrazin deputet i të Gjelbërve dhe njohës i Ballkanit Perëndimor, në një deklaratë për programin shqip të DË, shpreh keqardhjen për mos arritjen e një kompromisi:

“Më vjen shumë keq për prishjen e Teatrit Kombëtar pothuajse brenda natës. Sepse unë i kuptoj dhe i mbështes protestat e atyre që duan të ruajnë asetet kulturore kombëtare dhe që janë të angazhuar për zgjidhje demokratike dhe transparente. Prandaj është shumë për të ardhur keq që nuk u gjend një zgjidhje e përbashkët midis qeverisë dhe artistëve”.

Manuel Sarrazin, deputet Te Gjelbrit: Më parë edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, për mënyrën e shembjes së Teatrit, dhe mungesën e dialogut: “Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së virusit Corona, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”, shkruan ndër të tjera ambasadori gjerman./DW

Kruja sërish në hartën e infektimeve me Covid-19

Pas uljes në minimum të rasteve të reja në fillim të javës, ditën e djeshme u rrit përsëri në mënyrë të befasishme numri i të infektuarve me Koronavirus.

Edhe sot, duket se rastet dhe shënimi i vatrave të reja nuk do të mungojnë.

Burimet bëjnë të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit në qytetin e Krujës janë testuar 14 persona dhe 1 prej tyre ka rezultuar pozitiv për Covid-19. Mësohet se rasti i ri është një vatër e re.

Gjatë epidemisë Kruja ka qenë vatër e nxehtë e infeksionit. Rastet me të shumta janë shënuar në disa fasoneri.

Basha publikon fotot e protestës: Triumfi i parë i një rruge që do e shpëtojë vendin nga krimet e Edi Ramës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka publikuar sot një seri fotografish nga protesta qytetare që u zhvillua pasditen e djeshme në shenjë revolte ndaj shembjes së godinës historike të Teatrin Kombëtar.

Fotot janë publikuar me një mesazh dhe premtim nga kryetari Basha

Së bashku me artistë dhe qytetarë në protestën e Aleancës për Teatrin, në mbështetje të kauzës së tyre të drejtë dhe vlerave të demokracisë dhunuar barbarisht më 17 maj nga qeveria e Edi Ramës.

Opozita ka një qëllim, t’u japë fund sa më parë kushteve në të cilat padrejtësia shtyp qytetarët, shkatërron pronën e tyre, i varfëron dhe kjo padrejtësi e ka një emër: ky është Edi Rama.

Vlerat e qytetarisë shqiptare të manifestuara sot në këtë shesh janë triumfi i parë i një rruge që do e shpëtojë vendin nga hajdutëria dhe krimet e Edi Ramës.

Revolta e Spaçit/ Basha: Ta shkëputim përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve

Mesazhi i kryetarit Basha në 47 vjetorin e revoltës në burgun e Spaçit

47 vjet më parë, kur diktatura komuniste e kishte zhytur Shqipërinë në izolimin e saj më të madh, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie e tronditën nga themelet Sigurimin e Shtetit, aty u thirr për herë të parë me zë të lartë se Shqipëria do të bëhej si Europa.

4 heronjtë martirë të Revoltës së Spaçit, Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ishin lajmëtarët se shqiptarët asnjëherë s’do të pajtoheshin as me dhunën, as me diktaturën komuniste e as me çfarëdo regjimi që do synonte t’u hiqte atyre lirinë. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, aty ku raportohet për dhunën çnjerëzore që diktatura përdori për ta shembur rezistencën e të burgosurve politike raportohet me tmerr paralajmërimi profetik që qëndrestarët i bënë zv/ministrit të Brendshëm të diktaturës: “Edhe ju do të përfundoni këtu, sepse është ngushtuar rrethi dhe diktatura po ha bijtë e vet”.

Revolta e Spaçit dhe qëndresa 3-ditore e të burgosurve të Spaçit pati një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Ideja e qëndresës e tmerroi regjimin diktatorial. Për të treguar këtë trashëgimi të qëndresës së shqiptarëve, të cilët nuk e pranuan asnjëherë diktaturën, fiks 11 vjet më vonë, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit, ish-të burgosurit politikë u ngritën sërish në revoltë në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Të burgosurit politikë po e mposhtnin makinën e regjimit, jo vetëm me qëndresë madhështore, shembull në të gjitha vendet ish-komuniste, por edhe me simbole.

Qafë-Bari ishte një përkujtim i denjë i revoltës së Spaçit, 11 vjet më pas, dhe që të dyja revoltat janë sot një trashëgimi politike që e gëzon çdo rezistencë qytetare kundër padrejtësisë dhe kundër çfarëdo regjimi që e gënjen mendja se mund t’ju marrë shqiptarëve të drejtat e fituara në Lëvizjen e Dhjetorit ’90.

Burrat që kryen revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit janë një frymëzim se kauzat fitojnë, edhe nëse ato kanë kundër falanga të armatosura. Nga Revolta e Spaçit vjen edhe paralajmërimi profetik se askush s’duhet të qendrojë mënjanë, kur atdheu përballet me sfida të mëdha, sepse mekanizmi keqbërës i diktaturës herët a vonë do të mbërrijë edhe tek ata.

Nga revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit ne trashëgojmë shembullin e atdhedashurisë. Duke nderuar kujtimin e martirëve të Spaçit dhe Qafë-Barit, shqiptarët nderojnë sot historinë e tyre të lavdishme të qëndresës ndaj diktaturës dhe rinovojnë angazhimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë kombëtare që kanë, për ta shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit.

Plasari publikon fotot e rralla të Teatrit Kombëtar: Kjo është historia e godinës. Pse duhet gënjyer?

Studiuesi Aurel Plasari ka sjelle detaje dhe foto interesante nga historia e Teatrit Kombëtar, godina e të cilit u shemb më 17 Maj.

‘Pse duhet gënjyer?’, pyeti Plasari gjatë intervistës së tij në emisionin “Opinion”, ku solli elementë të historisë së godinës, që u projektua që në vitin 1938, pikërisht për qëllime artistike dhe kulturore.

“Flitet për projektin e themelimit të rrethit italo- shqiptar “Skënderbeg” nga mbreti Zog në vitin 1938. Është krijuar një komision, një status dhe po hidhen përvijimet e projektit. Njoftimi i përurimit është në 31 Maj 1939. Vendimi thotë për të promovuar bashkëpunimim kulturor, artistik, shkencor etj, midis dy vendeve. Konceptimi ishte dy seksione. Seksioni A iu kushtua kryesisht kinemasë, teatrit dhe muzikës.

Ishte dhe seksioni shkencor. Në seksionin shkencor u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare, themelimi i studimeve albanologjike në Shqipëri, i trashgëuar në ‘46 edhe nga institutet që u krijuan nga regjimi tjetër”, tregoi Plasari, ndërsa bëri me dije, se arkitekti Xhulio Berte në atë periudhë ishte vlerësuar për prirjen e tij futuriste.

Më tej, ndërsa sjell edhe imazhe krejt të veçanta të ambienteve të brendshme të teatrit, Plasari kujton edhe pllakat e mermerit në kombinim e ngjyrës së kuqe dhe të zezë.

“Seksioni i dytë ishte klubi i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, ka një zonë për kafe dhe një zonë ku lexohen gazetat. Në mes të dy godinave dhe në fund ishte një palestër bashkëkohore. Dyshemeja ka qenë me pllaka mermeri të kuqe dhe të zeza”, tregoi Plasari.

Në rrëfimin e tij, historiani mohoi faktin e artikuluar së fundi se teatrit i mungonte gardëroba, dukë bërë të ditur që ajo ndërtesë ka qenë e pajisur edhe me garderobë.

Berisha publikon foton/ Rama ‘kapet mat’ në Instagram: “Futi nai vizë”…

    Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook-un e tij një foto të Edi Ramws gjatë një komunikimi live të këtij të fundit në Instagram.

    Rama është kapur në një “moment të vështirë”, ndërsa nuk mungojnë as komentet e qytetarëve që “këshillojnë” Ramën se çfarë duhet të bëjë.

    “O Ramazan, futi nai vizë”, i shkruan një qytetar.

Mjeku i njohur shpërthen ndaj Ballës: Taulant, sa herë ti flet mua më vjen turp që…

Nga Ilir ALLKJA

Taulant, sa herë ti flet, mua më vjen turp që ti je nga Librazhdi!

Si ke thënë sot more, se qenka i panevojshëm debati për Teatrin Kombëtar dhe se “në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të respektojë vendimin e shumicës”?

Ti guxon ta quash “demokraci” shembjen pa ligj, në mënyrë talebaneske , dhunshëm të njërës nga godinat më të bukura, më historike, trashëgimi evropiane, ndër më të vjetrat e Tiranës?

Ti guxon ta quash “demokraci” përdhosjen që i keni bërë e po i bëni identitetit të Tiranës, Durrësit e gjithë qyteteve të Shqipërisë!?

Me projektin famëkeq “rilindja urbane” ju shkatërruat gjithë sheshet e qendrat historike të qyteteve, dhunuat kujtimet e mijëra shqiptarëve, varrosët identitet e krijimit të qyteteve të reja për të damkosur fikozofinë se “historia fillon me ne”, dhe ti Taulant e quan demokraci këtë?!

Ja pra pse unë ndjehem i turpëruar me ty, djalin që vinte nga një familje e varfër e Librazhdit, rritur me shumë mungesa, por që sapo e ndoqi fati në politikë, falë një katapultimi aksidental u bëre personazhi i pasur por dhe më i përfoluri për lidhje me botën e krimit!

Ty , Taulant, qe je Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, unë Iliri me profesion mjek po të mësoj që demokraci nuk është arrogancë, dhunë apo sundim i shumicës mbi pakicën!

Kush t’i ka mësuar këto broçkulla, o Taulant ???

Kush?

Ti ke mbaruar edhe një doktoraturë për shkencat politike …

Mbaje mend Taulant, demokracia si fillim por edhe si mbarim është sundim i ligjit, ligjit që ti e mbarë kopeja juaj e politikanëve nuk e përfillët kurrë!

Ju thoni me arrogancë se “Ligji jemi ne”, dhe me këtë parrullë e nisët e do ta bitisni rrugëtimin tuaj skandaloz !

Herët a vonë unë mjeku, të siguroj që do të përballesh me demokracinë e vërtetë, dhe do të kuptosh ligjin, gjykatat, drejtësinë (që nuk kanë asnjë pikë takimi me broçkullat tuaja)!

Budinai diskrediton pseudoartistin Imami: Nuk mund të flas me ju, ju jeni bashkëpunëtorë në krim

Shembja e Teatrit Kombëtar është kthyer tashme në debatin më të nxehtë të aktualitetit në vend.

Mbrëmjen e sotme regjisori Edmond Budina është përplasur me aktorin Artan Imami, të cilin e quajti hajdut dhe bashkëpunëtorë në krim, në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Budina teksa fliste në një lidhje me Skype po tregonte se çfarë ndodhi gjatë protestës së sotme dhe me çështjen e Teatrit Kombëtar, por u ndërpre nga Imami.

Budina e quajti gënjeshtar aktorin si dhe bashkëpunues në shembjen e Teatrit Kombëtar

Pjesë nga debati

Edmond Budina: Kush flet aty, kush jeni ju?

Artan Imami: Jam Imami, Artan Imami…

Edmond Budina: Jo jo, shikoni, unë nuk mund të flas me ju, nuk dua të flas me ju sepse ju jeni bashkëpunëtorë në krim, dhe me ata aty…

Artan Imami: Ti gënjen.

Edmond Budina: Gënjen ti Artan se ti nuk ishe këtu…

Artan Imami: U takuam dhe kemi qenë dëshmitarë. Kur të thashë unë që do vij të marr këmishat e tua, më the hajde hajdeni se jua rregullojmë ne.

Edmond Budina: T’ju vijë turp.

Artan Imami: T’ju vijë turp juve…se keni uzurpuar një pronë publike për dy vite e ca.

Edmond Budina: Ore ju lutem do ma hiqni atë.

Eni Vasili: Ju lutem se ju kemi marrë për intervistë.

Edmond Budina: Hajde bëfshi natën e mirë….ika.

Artan Imami: S’kam ardhur këtu të dëgjoj monologun tënd.

Eni Vasili: Ju lutem dua të mbaroni intervistën.

(mbyllet linja me Budinën).

Artan Imami: Ju lutem…. T’ju tregoj ky njeriu këtu…

Eni Vasili: Jo jo nuk do flasim për zotin Budina….ai nuk është këtu.

Artan Imami: Jo, jo po duhet ta dini…

Eni Vasili: Nuk është e drejtë se ai nuk është këtu…

Artan Imami: Pse, se keni hall se ikën ai? Ikën ai se ka frikë…

Ceka: Falë Ramës, zëra të rëndësishëm në botë po përshkruajnë Shqipërinë si vend talebanësh

Në një intervistë për A2 CNN, ish politikani dhe historiani i njohur Neritan Ceka, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend dhe shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Ceka u shpreh i bindur se ajo ndërtesë kishte vlera të padiskutueshme.

“Nuk është ndërtuar nga italianët, është porositur nga mbreti Zog, ku patjetër arkitekti ishte Italian, Berte, që projektoi edhe pjesë të qendrës së qytetit. Pra ajo ishte pjesë e pandashme e kompleksit qysh në fillim. Kur ishte ministër i Kulturës, Edi Rama e futi të gjithë boshtin, nga Sheshi Skënderbej deri tek ai Nënë Teresa. Sipas tij, monumentet e kulturës duhet të plotësojnë kushte të ndryshme.

“Ka një grup objektesh me vlera arkitektonike si Xhamia, kulla e Sahatit. Kalaja e Tiranës nuk ka vlerë arkitektonike, por është qendra e parë e Tiranës dhe ka vlerë historike. Por ka edhe godina të tjera, si shtëpia e Lasgush Poradecit që mund të mos ketë vlere arkitektonike, ka shume probleme madje, por ka vlerë historike si shtëpia e një shkrimtari të famshëm. Teatri Kombëtar kishte vlera arkitektonike, pjesë e qasjes futuriste të cilës i përkiste edhe arkitekti Berte edhe pse rryma u zhvillua brenda regjimit fashist. Harmonia midis së shkuarës dhe të tashmes ishte shprehje e kësaj shkolle arkitektonike”, sqaron profesori i ftuar në A2.

Sipas tij, i gjithë kompleksi duhej pastruar me investime të vogla. Vendimi për Teatrin duhej marrë nga specialistët dhe jo nga militantët siç ka ndodhur. Ajo që ndodhi ishte marrëzi.

Sipas Cekës, kjo marrëzi ka një arsye.

“Rama është një njeri që kërkon telashe, edhe kur nuk ka, ai i krijon. Ky ishte telash fare i panevojshëm. Kur njerëzit po flinin, po dilje nga një izolim i gjatë, kur shtypi nuk kishte ngjarje. Tani ka të gjithë mediat kundra, me zëra të rëndësishëm në Gjermani, në Shtetet e Bashkuara që flasin për Shqipërinë si një vend talebanësh, na nxiu faqen me botën!”, u shpreh Ceka.

Për historianin, vendimi ka shkelur një numër pafund ligjesh, në një natë të vetme. Nga marrja e vendimit në zbatim, nga 20 ditë në 20 orë. Një gazetë gjermane thotë se dikush e ka urdhëruar, se i ka marrë diçka dikujt dhe duhet ta rikthej”.

Profesor Ceka ka edhe një fjalë të mirë për protestuesit e pranishëm në protestat e ditëve të fundit.

“Policia ndërhyri në mënyrë dispoporcionale, Policia në perëndim nuk zvarrit studentë që ulen në një rrugë pa trafik, përkundrazi i ruan, ishte një përballje e të shëmtuarës me të bukurën dhe fisniken, s’kam parë djem më të bukur, ashtu si në protestën e një dite më vonë”, tha Neritan Ceka.

Shembja e Teatrit/ Meta: Ishte ora që zgjedhin hajdutët për të vjedhur pula. Edhe në regjimet komuniste…

Presidenti Ilir Meta i ftuar mbremjen e sotme në emisionin “Aktualitet” në Fax News, foli në lidhje me aksionin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Meta e cilësoi skandaloze ndërhyrjen e policisë për të shembur Teatrin në orën 4 të mëngjesit, ndërkohë që shtoi se veprimi i tyre ishte si hajdutë, që shkojnë të vjedhin pula.

“Falë zotit nuk kemi pasur viktima, ishte një operacion skandaloz, në kuptimin e qartë të fjalës. Ajo ishte ora që zgjedhin hajdutët kur shkojnë të vjedhin pula, pasi në atë orë mendojnë se gjumi është më i thellë”, tha Meta.

Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e sotme në “Aktualitet” që transmetohet në Fax News, tha se me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar është një çështje që ka zgjuar reflektimin popullor dhe shoqëria është ngritur në mbrojtje të demokracisë.

Në këtë kontekst, Meta tha se qëndresa e artistëve nuk ishte tanimë vetëm për Teatrin por edhe për demokracinë, ndërsa paralajmëroi se kjo e fundit do ta rrethojë dhe do ta shemb diktatorën.

“Ndjehem shumë i detyruar ndaj atyre në përgjithësi, por janë shumë të tronditur dhe të lënduar për këtë që ka ndodhur. Kam parë përmes mediave por edhe nga afër përmes takimeve, kam parë shumë lot. Sepse të gjithë artistët pavarësisht mendimeve të ndryshme, nuk e kanë besuar se marrëzia dhe vandalizmi për të arritur deri këtu, të shembet në paligjshmëri. Edhe në regjimet komuniste, shkatërrimet bazoheshin qoftë edhe në vendimet formale të gjykatave, në rastin konkret nuk është dhënë qoftë një vendim i tillë, që ka tronditur kudo njerëzit në botë.

Si President dhe si qytetar, ndjehem shumë i detyruar, sepse jemi rritur e edukuar nga vepra e tyre, edhe në atë Teatër. Kjo sjellje ka qenë ç’njerëzore në kuptimin më të plotë të fjalës. Detyrimi i gjithë shoqërisë është ndaj artistëve qëndrestarë, idealistëve më fisnik të vendit dhe të kombit. Për 27 muaj qëndruan në mënyrën më heroike, në sakrificat më sublime të rrethuar nga të gjitha anët nga qeveria dhe shteti i tyre me bindjen për të shpëtuar Teatrin dhe mbrojtur këtë vlerë të jashtëzakonshme, për ta rikonstrukturuar duke ruajtur origjinalitetin e tij. Siguruan mbështetje ndërkombëtare, nga Këshillli dhe Komisioni Euroian, madje edhe financiar për rikonstruksionin e tij.

Ka qenë qëndresë paqësore dhe në mes të errësirës, një qeveri e tillë merr një operacion fatkeqësisht në mënyrë kriminale, që Gjermania i gjen në historinë e Hitlerit. Nuk ka qenë rrethuar Teatri, por demokracia që simbolizonte ajo qëndresë. Nuk është synyar shembja e Teatrit fizikisht por e demokracisë në errësirën e 17 Majit, por mendoj se është një iluzion për këdo që mendon se shkatërron Teatrin dhe gjithashtu edhe demokracinë. Ky dëm i madh që ka ndodhur, ka zgjuar gjithë shoqerinë. E kanë kuptuar të gjithë se kjo marrëzi nuk njeh limite, nuk është një kërcënim për Teatrin dhe ata që qëndrojnë, por për çdo qytetar në këtë vend.

Mendoj se është zgjuar qytetaria, të gjithë e kanë kuptuar se simpatia e tyre duhej shprehur ndaj Teatrit në mënyrë më aktive, të gjithë ndihen në borxh dhe të cënuar në integritetin e tyre. Tani është e qartë se demokracia do ta rrethojë diktaturën dhe do ta shemb atë në mënyrën më të vendosur e qytetare. Populli reflektoi dhe reagimi vjen pas Teatrit me atë që ndodhi me xhamitë, ku për të rrëzuar besimin e njerëzve tek Zoti dhe për të instaluar besimin e tyre tek partia, bënë atë çmenduri. Rrëzuan mure e ndërtesa por nuk u thye shpirti dhe besimi i popullit shqiptar.

Mendoj se situata është më e thjeshtë se atëherë, por shkundi dhe mobilizoi shoqërinë në drejtimin e duhur. Jam shprehur për ruajtjen e forcimin e gjithë atyre vlerave që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, është e caktuar edhe me Kushtetutë. Është hera e parë që një President shkon dhe e dorëzon një çështje të tillë në Gjykatën Kushteutese, dhe ka ndodhur atë ditë kur policia hyri me forcë, dhunoi artitët si Edmond Budinën.

Për të qetësuar këtë situatë, unë kam kërkuar që kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë shteruese në Gjykatën Kushtetuese sepse është një çështje kombëtre që ka të bëjë me disa konventa që Shqipëria i ka nënshkruar. Kjo është edhe çështje europiane sepse ka pasur një shqetësim të madh në Europë e sidomos në itali sepse vlerat kulturore, historike të atij kompleksi ishin mjaft të njohura për shkak të emrit të arkitektit të njohur italian të asaj periudhe. Ishte pjesë e kompleksit të madhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tha Meta.