23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

U dhunua dhe u burgos në protestë, gazetari i kthen përgjigje Ramës: Policët i kam falur, ty nuk të fal!

Gazetari Alfred Lela i ka kthyer sot përgjigje kryeministrit të vendit i cili një ditë më parë në një intervistë për News 24 ‘zhbëri’ dhunën policore ndaj tij duke bëzhbëzhitur disa fjali pa kuptim, madje duke e quajtur aksidentale përplasjen e bluve me njerëzit e medias.

Gjatë fjalës së tij, duke kujtuar dhunën ndaj tij mëngjesin e 17 Majit, tha se ‘policët i fal për dhunën e ushtruar natën e rrëzimit të Teatrit, por kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm jo’.

Por në fakt ajo çka pamë të gjithë ishte një akt ‘gentleman-i’ i gazetarit Lela ndaj një gruaje, ish-deputete e LSI-së Silva Caka (të cilën ai tha se nuk e njihte).

Një akt, i cili u pasua me një tjetër aspak mes ‘gentleman-ësh’ kur disa policë dhe nja 2 të tjerë civilë shtrinë në një hapje mbyllje sysh gazetarin/ qytetarin Lela. E tërhoqën zvarrë deri në një nga ambientet e izolimit të një komisariati në Tiranë.

Dhe më pas i thanë: Jo, nuk të rrahëm. Ishte aksident…

Diku u shkruajt se Lela i asaj dite nuk ishte gazetari, se ai kishte dale si qytetari Lela siç e pranoi dhe vetë. E pra, ja pra që gazetarët nuk janë rrahur…

Kjo është e vërteta, e vërteta alternative, ajo që po përpiqen të na mbushin mendjen që ka ndodhur.

Paradoksale për gentleman-in Edi Rama i cili lëvdohej jo shumë kohë më parë në një televizion italian se ishte arrestuar nga policia vendase se kishte ndihmuar një grua shtatzënë.

Shkrimi i plotë nga Alfred Lela.

Kam qenë student i Gazetarisë, në mes të viteve ’90, kur Edi Ramës i dhanë një shqepje në dru. Në një situatë ende të paqartë. Ai pretendonte se ishin ‘leva politike’, nemesis-i i tij, Sali Berisha, asokohe President, edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i quajë ‘pyka erotike’.

Rrahjet e atëhershme nuk ishin si sot, që merrnin dhenë në kohë reale, dhe unë, bashkë me një shok, bij të vërtetë të atij shekulli, u nisëm për të takuar Fatos Lubonjën. Një angazhim që lidhej me shkollën. Trokitëm në derë dhe aty u dha Lubonja, shumë më i ri se sot, por me të njëjtën fandaksje, dje e mot. Pasi u prezantuam me drojë, autori i ‘Ridënimit’ rrotulloi sytë si të kishin orën e orbitimit dhe na bërtiti: shkoni shkruani për Edi Ramën. A e dini që kanë rrahur Edin. Çfarë studentësh Gazetarie jeni ju që nuk e dini këtë?!

Kthyem shpinat, bij të një pendese të atypëratyshme, sikur të kishim qenë ne levat mbi kokën e Ramës, i cili asokohe ishte çka sot përbuz: një publicist me lugë në brez, në buzë të kazanit të medias, ku sokëllinte sikur rrathëve të politikës të ulej e ngjitej dreqi, dhe ai të qe i dërguari për të na shpëtuar.

Shpinën më të butë se barkun, dreqin në bark, Doktorin në zemër, zemrën te ai muaj i pafat i janarit ‘91 kur kishte ardhur vonë te rrokullima e ngjarjeve (a nuk e thotë Cvajgu për Fushenë: kish bërë gabimin më të pafalshëm në politikë: kishte mbërritur vonë), mërgoi në Paris. Nuk di gjë për këtë periudhë të jetës së tij, se e ka kryesisht jopublike, dhe nuk dua të ha mjaltë, siç bën ai banak më banak e frigorifer më frigorifer, në një diarre që i buron nga anusi i kartelës psiqike, por disa dhoqina thonë se ‘magjepste’ Parisin; të tjera se netëve ëndërronte për magjepsjen që priste t’i shkaktonte ‘qytetit të dritave’, tek e zinte një gjumë klosharësh poshtë urave të Senës.

E shpëtoi babai duke i vdekur dhe Fatos Nano, ati i së majtës së re shqiptare, duke e ngritur nga varri. Po t’i besojmë të njohurve të tij të asohere, që kur filluan ta kuptonin nisën edhe ta përçmonin, si prej të vdekuri (Kostandini pra, Shqipëri, moj motër!) i kish edhe thonjtë: të gjatë dhe me dhe të zi.

Trupin e gjatë, gjuhën e gjatë, pallton e gjatë, thonjtë e gjatë, ai u bë kthetër kiborgu në shpinën e Shqipërisë, së cilës nuk i ndahet në rrugëtimin upstream (përpjetrrjedhës) për të dalë prej delirit të vet. Si në mitin me shkabën që ngjit njeriun nga skëterra, ai nuk heq llokma nga vetja, por nga Shqipëria, kur doënstream-i (poshtërrjedha) e çon teposhtës.

Në një Tiranë me 100 vjet jetë urbane dhe me më pak se 100 ndërtesa me këtë moshë të artë, bash në centenialin e saj, ai varros një ndër to, katedralen laike të traditës dhe kulturës, Teatrin Kombëtar. E bën hajdutshe në 4.15 të mëngjesit. Për të shmangur përplasjen thotë. Përplasja megjithatë ndodh dhe kur ajo rrjedh gjak dhe dhunë sqaron se ‘policia po kalonte mbi gazetarët për të mbërritur te prishësit e rendit’. Pak orë pasi ka takuar ambasadoren e ShBA, në gjithëdijeni për vendin, kandidatin për president të të cilit e pat shpallur ‘turp të qytetërimit’, thotë se kështu u ndodh gazetarëve edhe në ShBA (duke e ditur ose e pritur që gazetari i dhunuar, shtetas amerikan, e ka depozituar ndërkohë ankesën në Ambasadë).

Instituti Ndërkombëtar i Shtypi (IPI) nuk mendon kështu, as organizma të tjerë evropianë që kanë reaguar për rastin. Si ai nuk mendonin shumë të tjera as për Teatrin. Por i shpërfilli.

Pse e bën? A mos hakmarrja e atij që nuk është dhunuar asnjëherë për një ide apo parim dhe urren gjithkënd që bie në levat e dhunës, jo për ‘pyka erotike’? E shtyn kjo premisë hakmarrëse, që nga partia KIS e këtej, që nga nomadizmi e këtej, që nga kartela e këtej. Tej e përtej.

Cilat janë veprat e tij? I ktheu Shqipërisë eksodet biblike të ‘90-‘91. E bëri atdheun dordolec në fund të savanës së globalizmit, duke trembur çdo investitor të huaj. Në vend të shpresës euro-amerikane mbolli xhami turko-saudite dhe erdoganizmën.

Keynesianizmi i tij në ekonomi përbëhet nga Rilindja urbane, përçartja se bukuria, stolisja e Krujës dhe Ersekës me pedonale, rrit mirëqenien. Rexhep Taipit i thotë ‘vëlla’ e Papës nxiton t’i dalë përpara si katolik. Ndërkohë katolikët e vendit të vet, persekutuar nga Enveri si kahmos e askush, bijve a nipave të votuesve të Fishtës e Gurakuqit, i poshtëron duke u dhënë si alternativë variante gege të Bonnie & Clyde.

Me karbon e letër në dorë, tek bën skica për Merkelin, rri e hedh romuze fik më fik e qif më qif, dhe me ta përgatit listat për deputetë. Në darkë, i lodhur nga vulgu, del piacës me rruzare në thile e shpall se është bir i Konicës dhe Nolit (a mos doni një listë me grupin parlamentar të peshkopit të mirë për të kuptuar Ramën?!).

I frymëzuar prej kso pisqollash intelektuale, gazetarët e dhunuar në një të dielë të Zotit dhe Shqipërisë i quan ‘trupa të shtrirë mbi të cilët policët do të kalojnë për të shkuar te ‘kriminelët’’. Ndërkohë OFL e tij dhe Heneralit të parë, Leshit rudë, kriminelëve të vërtetë u çon letra me bjonde barcaletash, ku u shkruan ‘gjeni vrimë e futuni se po vijnë bravoçunat që kanë bërë telef atë gazetarin’.

Këto mendova sot kur dëgjova Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, të përçartej në një intervistë dhënë Nisida Tufës, e cila këmbëngulte te dhuna kundër kolegut, sepse donte të ishte e ndershme me veten dhe publikun.

Por, jo Edi Rama. Ai nuk don të jetë kryeministri, por një kiborg që sot po e pagëzoj DORDOLEDI.

Publikohet “lista e zezë” e armiqve të Teatrit

Ish ministrja Mirela Karabina në fjalën e saj për prishjen e Teatrit Kombëtar, lexoi emrat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që kanë firmosur për prishjen e Teatrit.

Karabina tha ae Edi Rama dhe Erjon Veliaj duhet të japin dorëheqjen, ndërsa ka shtuar se ata dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak duhet të dalin para gjyqit.

“Ky është pushteti i krimit dhe ne jemi tek vendi i krimit. Nuk ka pasur aspak të drejtë të ceket Teatri Kombëtar. Ky krim që ka ndodhur tek Teatri ka fytyrë. Fytyra e fundit është Edi Rama. Erjon Veliaj ka bërë krim, duke rrezikuar jetën e njerëzve. Këta janë turpi i Shqipërisë, turpi i qytetit. Janë këto drejtorë e zyrtarë që marrin para kushedi nga rruga të tjera. Erjon Veliaj duhet të japë dorëheqjen. Plarent Ndreca që është anëtar në katër borde, Toni Gogu, Vjollca Braho, Mira Rakacolli, Violeta Koka, Adrian Civici, Aldrin Dalipi Rovena Voda, Romina Kuka, Julian Hodaj, Abert Nikolla, Ervin Mete.

Dua t’i poshtëroni sa herë t’ju thuhet emri. Janë këta që firmosën për prishjen e Teatrit. Oltion Rrumbullaku, Artan Sula, Ornela Cuci, Ermira Gjergji janë disa emra që janë edhe në ministri, edhe në institucione të Bashkisë, kudo, Etjen Xhafaj, Redi Shtino, Blerina Doracaj, Enis Hoxha, Alketa Lila, këshilltarja e Arbër Maznikut. Këto janë disa emra që kujtojnë se kanë marrë në dorë fatet tona e kanë firmosur krimin. Të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të japin dorëheqjen e të dalin para drejtësisë. Edi Rama të japë dorëheqjen e të dalë para drejtësisë sepse është ideatori”, tha Karabina.

Dash Shehi thirrje nga sheshi: Nëse nuk shembim këtë monument të së keqes, po lodhemi kot! Duhet të përshkallëzojmë protestat

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi, në një prononcim për mikrofonin e Fax News nga protesta e Aleancës për Teatrin, tha se opozita duhet që ti përshkallëzoje protestat, pasi këtu ka rënë shteti.

Shehi tha Rama ka bërë gabime edhe më të mëdha se kjo dhe ky akt mund të konsiderohet si një pikë për t’u mbushur gota.

“Këtu ka rënë shteti dhe ne duhet të shkojmë të mbrojmë shtetion shiqptar unë gjykoj se duhet të shkojmë në një fazë tjetër rezistence. Për sa kohë që nuk ka shtet nuk do të ketë as drejtësi.

Gjithë këshilli bashkiak janë funksionarë të shtetit. Të gjitha isntitucionet janë mbledhur në dorë të Edi Ramës. Nëse nuk shembim këtë monument të së keqes, do të lodhemi kot duke mbrojtur monumente të së mirës. Rama ka bërë gabime më të mëdhaja. Kjo mund të konsiderohet si një pikë për t’u mbushur gota. Dhe ai e ka mbushur”, tha Shehi.

Sa i përket reagimit të ndërkombëtarevë në lidhje me çështjen për Teatrin Kombëtar, Shehi tha se Rama nuk mund të mbrohet dhe ato tashmë e kanë kuptuar.

“Pothuajse të gjitha kanë reaguar në një farë mënyrë. Deri dje këtë hajdut e kanë përkedhelur, por ky udhëheq drogën. Këtë rradhë e kanë kuptuar se ky djali përveçse është i keq është edhe budalla. Ky personazh nuk mund të mbrohet. Ne për sa kohë qën uk fitojmë një ndërgjegjie tonën, ditët që ta fitojmë, ndërkombëtarët do të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me delet.

Në shumë vite janë bërë shumë kauza, për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët.

Aleati i madh shpresdhënës i opozitës shqiptare është qytetari i ndershëm. Opozita ka nevojë për një komunikim me qytetarët, me njerëzit që duan të drejtën, duan ligjin. Nëse do ta konsiderojmë opozitën si një shumatore partish është një moment shumë i gabuar”, tha Shehi.

Artistët falënderojnë Bashën për mbështetjen e protestës

Aktori Neritan Liçaj falenderon kreun e opozitës Lulzim Basha për mbështetjen e protestës së artistësve dhe për kauzën e drejtë kundër grabitjes së qeverisë me shembjen e Teatrit Kombëtar. Pas mbarimit të fjalimit, Neritan Liçaj u shkëput nga kolegët e tij dhe qendroi me kreun e opozitës, i cili po merr pjesë në protestë, në shenjë solidariteti me artistët.

Lulzim Basha është angazhuar publikisht se me të marrë drejtimin e qeverisë, do të vendosë për rindërtimin e Teatrit dhe do të çojë përpara drejtesisë përgjegjësit për shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar. Aktori Neritan Liçaj, i dhunuar dhe i ndaluar nga policia të dielën, është një nga artistët më aktivë në mbrojtjen e kauzës së Teatrit. Ai hapi sot protestën duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos mendojnë “deri tek pragu i shtëpisë së tyre”. “Nuk mbaron aty bota , aty fillon. Çdo gjë që ka të bëjë me këtë vend ka të bëjë edhe mua, edhe me ty. Ka të bëjë me të ardhmen, me atë që do mbjellim nesër”, tha Liçaj.Teatri një kauzë e drejtë dhe historia do të dënojë kryeministrin”- u shpreh ai.

Paralajmërimi nga protesta: Nëse drejtësia nuk ndërhyn, do pengojmë me forcë projektin e krimit tek Teatri

Regjizori Robert Budina, nga foltorja e protestës për shembjen e Teatrit, u shpreh drejtësia të zbardhë krimin e terrorist që është bërë me 17 maj.

Budina tha se nëse nuk ka reagim nga drejtësia atëherë do të jemi ne që do të pengojmë me forcë që aty fshihet krimi që të mos vazhdohet me projektin e Bjarke Ingels.

Budina: E dua Teatrin aty ku ishte dhe sikurse ishte. Rama tha se ka votat dhe bën çfarë do. A i ka votat? Kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u bë mbi artistët, aktivistët dhe qytetarët. Kemi pamje kur tërhiqen zvarrë intelektualët.

Ne jemi kockë e fortë dhe këtë e kemi treguar për 2 vite e 7 muaj. Halli i tyre nuk është vetëm Teatri, por kultura dhe nëse nuk kthejmë tempullin e qytetarisë. Nuk do ta fitojnë kurrë betejën e tyre. Faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi me atë që po ndodh në Shqipëri. Motoja jonë nuk është ik, ik, por eja, eja!

Ai që thotë ik të ikë vetë. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë me të keqen dhe duhet të kemi mbështetjen e të gjithëve. I kërkova policisë që të vënë vajza sepse ne nuk jemi njerëz të dhunës, por të fjalës së mençur, të durimit dhe të një vendi që do të bëhet.

Ne akuzojmë kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë dhe nënkryetarin e bashkisë, ministrin e Kulturës, drejtorin e IMT-së, drejtorin e Teatrit Kombëtar, këshillin e bashkiak, dhe të gjithë titullarët që veprimet dhe mos veprimet e tyre prodhuan ngjarjen kriminale të 17 majit.

Një hap i parë për të qetësuar situatën që po përshkallëzon është ndalimi i çdo punimi në truallin e Teatrit Kombëtar. Ndërtesa, nga prokuroria duhet të hetohet dhe shpallja e procedimit penal për autoritetet e përfshira.

Nëse nuk ka reagim nga drejtësia atëherë do të jemi ne që do të pengojmë me forcë që aty fshihet krimi që të mos vazhdohet me projektin e Bjarke Ingels. Ju bëjmë thirrje autoriteteve të drejtësisë, ndërkombëtarëve të reagojnë. Vendi po rreshket në situatë pasigurie!

Thirrja e fortë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: SPAK të zbardhë shpejt aktin-terrorist të 17 majit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i është drejtuar me një thirrje të fortë prokurorisë që të zbardhë pa humbur kohë atë që e cilësojnë si aktin terrorist të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Përmes një deklarate, e cila u bë publike në protestën që po zhvillohet, AMT thekson se ka depozituar në SPAK dy kallzime penale ndaj Erjon Veliajt dhe Arbi Maznikut, por ende nuk ka asnjë reagim.

“Nëse drejtësia nuk vepron për të zbardhur aktin terrorist, atëherë qytetarëve i lind e drejta për të mbrojtur veten dhe pronat e tyre”, thuhet në deklaratën e AMT.

Sipas saj, faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi lidhur me situatën e krijuar, dhe kjo po ndodh për shkak të qëndresës sonë.

Sipas Budinës, “faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi të skëterrshme për atë që po ndodh në Shqipëri, moto jonë është jo “ik ik”, po “eja eja”, ai që duhet të ikë duhet të iki vetë”.

“Ne akuzojmë direkt kryeministrin Edi Rama, kryetarin e nënkryetarin e Bashkisë, drejtorin e Teatrit Kombëtar, këshilltarin e Bashkisë, Ministrinë e Kulturës, që me veprimet e mosveprimet e tyre kanë provokuar atë akt dhune të 17 majit.

Një hap i parë, është ndalimi i çdo punimi në truallin e Teatrit Kombëtar, kërkesa nga ana e prokurorisë e sigurimit të provës, e shpallja e procedimit penal për të gjithë të përfshirët, nëse s´ka reagim të shpejte nga prokuroria, do jemi ne që do kërkojme me forcë.

Ju bëj thirrje autoriteteve të drejtësisë ndërkombëtare të reagojne, vendi po rreshket në situatë pasigurie”, tha Robert Budina në emër të AMT.

MIjëra qytetarë në revoltë, ultimatumi i artistëve: Të ndalet çdo punim tek Teatri, ndryshe…

Mijëra qytetarë i janë bashkuar protestës së artistëve sot në buleverdin Dëshmorët e Kombit. Numri i protestuesve është shtuar në krahasim me protestën e dy ditëve më parë ndërsa artistët shprehin vendosmëri për të mos u ndalur.

Në emër të Aleancës për Tetarin, Budina ka bërë një deklaratë të fortë duke i kërkuar Prokurorisë të reagojë menjëherë për të ndalur çdo punim që po bëhet në zonën e Tetarit, “Deri tani SPAK dhe Prokuoria nuk ka reaguar dhe vendi është i rrezikuar nga një përplasje civile.

Si hap i parë i menjëhershëm është reagimi i Prokurorisë për të ndaluar çdo punim që po bëhet tek Tetri, në të kundërt ne do të ndërhyjmë vetë”, u shpreh Budina, I cili e kosnideroi shembjen e Teatrit si akt terrorist.

Artistë, aktorë, aktivistë, intelektualë, qytetarë, dolën sërish në shesh për të protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Ngjarja ka revoltuar jo vetëm shqiptarët, por edhe opinionin publik dhe median evropiane.

“Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu,” ishte një nga banderolat kryesore në protestë.

Aktori i njohur thirrje qytetarëve nga protesta: Ejani ta mbrojmë të gjithë, të mos mendojmë deri te pragu i shtëpisë

Aktori Neritan liçaj ka hapur me fjalën e tij tubimin e sotëm në kuadër të kundërshtimit të prishjes së godinës së Teatrit kombëtar.

Liçaj bëri thirrje për bashkim dhe ndryshimin për mirë të gjërave në vend, ndërsa theksoi se askush nuk duhet të mebndojë deri në pragun e shtëpisë së vet.

“Kemi harruar se i përkasim identitetit prandaj nuk gjejmë paqe. jemi këtu, aleanca një grup njerëzish që besuan tek zemra e tyre, besuan tek kauza e tyre. gjithesesi ne jemi këtu për të thënë se ne jemi shqiptarë. Ne atë shesh të bukur e quajtëm sheshi i lirisë, sepse aty ne e shikonim në sy njëri-tjetrin. Tqë gjnithë e panë se çfarë krimi u bë. Ne duam drejtësi. Të marrim dhe të analizojmë atë dorë pushkatimi që e vrau atë Teatër. Këto institucione të dinë të tregojnë se dinë të mbrojnë kombin e tyre se për atë u krijuan.

I bëj thirrje çdo shqiptari të mos mendojë vetëm deri tek pragu i shtëpisë së vet, sepse aty nuk mbaron bota shqiptare, aty fillon. Jemi në shekullin e 21, unë e dua popullin tim dhe jam krenar, jemi rracë e fortë, shahemi mallkohemi, kemi një temperament të fortë dhe një shpirt shumë të bukur.

Ejani ta mbrojmë të gjithë, e kjo nuk bëhet duke mbrojtur vetëm interesat personale. Të mos i falemi vetëm një perëendie në kërkim të parasë, ka diçka përtej parasë, pushtetit. Kërkojmë njerëzve me zemër të pastër dhe të fortë të reagojnë ndaj atyre që na marrin forcërisht”, tha Liçaj.

Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu!

Artistë, aktorë, aktivistë, intelektualë, qytetarë, dolën sërish në shesh për të protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja ka revoltuar jo vetëm shqiptarët, por edhe opinionin publik dhe median evropiane.

“Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, ishte një nga banderolat kryesore në protestë.

Do t’i them Babës…

Nga Elona CASLLI

Këto rrudha nuk janë asgjë. Edhe flokët e thinjur nuk janë asgjë. Stomaku që zgjerohet nga ushqimi i vjetër dhe kyçet me vraja që më janë enjtur nuk janë asgjë. Truri im i errësuar nuk është asgjë.

Unë jam ende ai djali që dëgjonte zërin e mamës në atë kamp internimi, ku roja më rrihte pa mëshirë dhe unë ndieja currilin e gjakut në shpinë dhe me kokën e ulur i thoja rojes- Do t’i them babës sa të vijë. Baba do të vijë një ditë dhe unë do t’i them se më ke rrahur. Baba do të vijë një ditë dhe unë do t’i rrëfej gjithçka dhe baba ka me ta tregu qejfin ty.

Baba nuk erdhi kurrë. Baba ishte nis në një rrugë pa kthim dhe koka ime mbeti gjithmonë e ulur.

U rrita kokëulur. Dukej se mbi kokën time peshonte e gjithë rëndesa e botës dhe unë nuk e mbaja dot. Heshtja ishte mikesha ime e vetme. Me të zgjohesha dhe ngrysesha. Me të jetova shumë vite derisa për një çast e braktisa.

Fola. Më dhanë të drejtën e fjalës dhe mendova se isha i lirë. U deha nga fakti se mund t’i shaja me zë të lartë, ata që dikur më kishin rrahur. Atë çka i kisha thënë vetes, tanimë mund ta bërtisja në sy të të gjithëve. Ishte aq i bukur ai iluzion sa mendova se në të vërtetë e preka lirinë.

Por, jo! Qe thjesht një iluzion që zgjati shumë pak! Sa hap e mbyll sytë kuptova gjithçka!

Ata që dikur më kishin rrahur, tani më flisnin për lirinë dhe për demokracinë!
Ishin pa uniforma, por unë i dalloja. Dallohen ata. Ata dallohen gjithnjë.

Na kishin zhvendosur në një kamp më të madh, ku secili kishte banesën e tij.

Na trajtonin si kuajt.Për t’i gëzuar kuajt mjafton t’i lidhësh me një litar më të gjatë. Kështu ndodhi dhe me ne. Na zgjatën litarin dhe ne pandehëm se qemë të lirë. Nga kampi në banesë ndryshoi veçse gjatësia e litarit.

Në të gdhirë të 17 majit na e shkurtuan litarin. Nga banesa na rikthyen në kamp. Ata që dikur më kishin rrahur dhe më pas më kishin folur për lirinë, kishin veshur prapë uniformën.

U riktheva në kohë. Dëgjova zërin e mamës përtej trotuarit që thërriste: Mos ma rrih djalin! Ktheva kokën. Mamën nuk e pashë

Ndieva çizmen e policit të ngjeshur mbi fytyrë dhe thashë- Do t’i them babës se prishët Teatrin. Do t’i them babës se më rrahët. E baba do t’jua tregojë qejfin.

Mbi gërmadhat e Teatrit ndiej ende currilin e gjakut mbi shpinë dhe kokëulur pëshpëris me vete- Babë, ku je?!

Post Scriptum- Vehap Kola thotë se;

Hëna është buka që Baba pjek ndër yje, çdo muzg para se të shtrohet sofra.

I ngre sytë, shoh hënën dhe një zë prapa kurrizit tim thërret- Çojini të gjithë nëpër banesa!