39.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Përballja me ritme të ndryshme, Shqipëria në punë dhe Serbia në plazh

Për shqiptarët, Serbia nuk është thjesht një kundërshtar sportiv. Kujtimet e ndeshjeve të mëparshme, tensioni në tribunat dhe jashtë fushës, e kthejnë këtë duel në një ngjarje me domethënie të thellë. Por këtë herë, fokusi është te futbolli.

 

Me kalendarin që rrëzon ditët njëra pas tjetrës, ora e përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë më 7 qershor në “Arena Kombëtare” po afron. Dy kombëtare, dy realitete shumë të ndryshme në prag të kësaj sfide të zjarrtë, jo vetëm për domethënien historike që mbart, por edhe për pozicionimin dhe ritmin me të cilin po i afrohen ndeshjes.

Kombëtarja shqiptare ka nisur prej tri ditësh grumbullimin në Durrës, aty ku zakonisht Edi Reja dhe tani Silvinjo ndërtojnë themelet për ndeshje të mëdha.

Me një grup lojtarësh tashmë të mbërritur dhe duke pritur vetëm për bashkimin e disa emrave të tjerë që janë ende të impenjuar me klubet apo edhe atyre lojtarëve që janë larg, si: Asani, Uzuni dhe Mitaj, atmosfera në kampin kuqezi është serioze, e fokusuar dhe larg çdo zhurme.

Seancat janë duke u zhvilluar normalisht dhe synimi është i qartë: përgatitje psikologjike dhe fizike për një sfidë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

RIVALËT – Në kontrast të thellë me organizimin dhe ritmin kuqezi, Serbia ende nuk ka nisur zyrtarisht përgatitjet. Me grumbullimin e parashikuar për ditën e hënë, më 2 qershor, përfaqësuesja serbe është ende në “mod pushimi”.

Lojtarët e saj të njohur janë të shpërndarë nëpër botë, duke shijuar ditët e fundit të relaksit përpara impenjimeve me fanellën e përfaqësueses. Një nga shembujt më të qartë është Lazar Samarxhiç, mesfushori i Atalantës, i cili aktualisht ndodhet në Dubai, duke shijuar pushimet me partneren e tij.

Pamje të postuara në rrjetet sociale tregojnë se ai, si shumë të tjerë nga kampi serb, është ende larg çdo angazhimi sportiv. Federata serbe ka publikuar më herët një listë të gjatë paraprake, por pikërisht sot pritet të bëhet publike lista zyrtare e lojtarëve që do të përfaqësojnë Serbinë në ndeshjet e ardhshme, përfshirë edhe sfidën ndaj Shqipërisë.

Kjo vonesë në përgatitje mund të jetë pjesë e një strategjie më fleksibël, por gjithsesi i jep Kombëtares shqiptare një avantazh të rëndësishëm: kohë dhe përqendrim maksimal.

Tragjedi në Nigeri, 117 viktima nga përmbytjet në pjesën qendrore të vendit

Të paktën 117 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë goditur pjesën qendrore të Nigerisë, njoftuan autoritetet vendase të premten, më 30 maj.

 

Bilanci tragjik u përditësua pasi ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupa të tjerë në zonat e përmbytura.

Reshje të rrëmbyeshme shiu në rajonin e Mokwa, në perëndim të vendit, shkaktuan përmbytje të fuqishme që përfshinë lagje të tëra dhe morën përpara shtëpi bashkë me banorët brenda tyre. Ekipet e emergjencës dhe vullnetarë lokalë janë ende në terren duke kërkuar për të mbijetuar apo trupa të tjerë nën rrënoja.

Autoritetet kishin paralajmëruar për rrezikun e reshjeve të dendura. Shërbimi Meteorologjik i Nigerisë (NiMet) kishte lëshuar alarme për 15 nga 36 shtetet e vendit, duke theksuar rrezikun e përmbytjeve të mundshme.

Përmbytjet janë një fenomen i zakonshëm në Nigeri gjatë stinës së shirave, që zgjat nga maji deri në shtator. Megjithatë, dëmet e shkaktuara këtë vit po marrin përmasa dramatike.

Vetëm në vitin 2024, mbi 1.200 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur, si pasojë e përmbytjeve – një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në vend në dekadat e fundit. Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje për ndihmë urgjente humanitare.

Emigrimi masiv, Ambasada amerikane në Tiranë shpërndan mesazhin e Marco Rubios: Shtysë për trafikimin e qenieve njerëzore, përfitojnë vetëm trafikantët

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur shqetësimin për pasojat negative të emigracionit masiv, duke theksuar se ky fenomen mund të shërbejë si shtysë për trafikimin e qenieve njerëzore.

 

Përmes një mesazhi të publikuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë, Rubio  ka deklaruar se në shumë raste, emigrimi masiv është i barabartë me trafikimin e individëve.

“Ne duam të parandalojmë emigrimin masiv sepse ai i jep shtysë trafikimit të qenieve njerëzore. Në shumë raste, emigrimi masiv është trafikim i qenieve njerëzore. Nuk ka asgjë humanitare, asgjë të dhembshur në emigrimin masiv. Të vetmit njerëz që përfitojnë nga emigrimi masiv janë trafikantët.” – Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

501273956_1140214001467089_2389547730327776458_n (1)

Krimi shqiptar nga strukturat lokale tek kartelet e Amerikës Latine

Drejtoria Italiane e Antimafias ngre alarmin për ndikimin e grupeve kriminale shqiptare dhe kërkon veprim konkret nga Shqipëria në luftën kundër tyre.

Raporti i fundit i Drejtorisë së Antimafias në Itali vë në dukje fuqizimin dhe mirëorganizimin e grupeve kriminale shqiptare, të cilat në disa raste ngjasojnë me strukturat mafioze. Këto grupe shquhen për përdorimin e dhunës, besueshmërinë dhe lidhjet e ngushta familjare apo krahinore, që i bëjnë më të vështira për t’u dekonstruuar. Aktiviteti i tyre kryesor është trafiku i drogës, por janë të përfshira edhe në trafik armësh, qenie njerëzore dhe prostitucion.

Në Itali, shqiptarët janë bërë aktorë të rëndësishëm në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke arritur të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës Latine. Aftësia për të ofruar drogë me çmime konkurruese dhe për të bashkëpunuar me organizatat italiane, u ka siguruar atyre një rol të konsoliduar në zinxhirin global të trafikut. Në raportin e prezantuar në parlamentin italian, Shqipëria përmendet si vend origjine i këtyre grupeve dhe si një nyje kyçe për ndalimin e tyre.

Për shkak të kësaj situate, Bashkimi Evropian e ka vendosur luftën kundër krimit të organizuar si një ndër kushtet thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë. Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi thekson se vendi duhet të tregojë angazhim konkret në hetimin dhe ndëshkimin e këtyre grupeve, si dhe të miratojë reformat që kufizojnë hapësirat për veprimtarinë e tyre kriminale brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.

Grupet kriminale shqiptare, “negociues” me Amerikën Latine

Kriminaliteti shqiptar në Itali përfaqësohet nga grupe kriminale të mirëstruktururara, të cilat kanë mundur të shtrijnë influencën e tyre në të gjithë territorin e shtetit fqinj, duke ngjasuar në disa raste dhe me mënyrën e veprimit të grupeve mafioze.

Këto përfundime rreth kriminalitetit shqiptar u prezantuan nga Drejtoria e Antimafias në parlamentin Italian gjatë ditës së martë.

Në raportin e përgatitur për vitin 2024, kriminaliteti shqiptar në Itali renditet përkrah atij nigerian, rumun, amerikano-jugor dhe kinez, por karakterizohet nga disa veçori në mënyrën e organizimit dhe përfshirjen në aktivitete të ndryshme të jashtëligjshme.

“Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, e cila përdoret si për të zgjidhur konfliktet e brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet frikësimi dhe kontrolli”, – thuhet në raport, ndërkohë që si një tjetër veçori që ndikon në konsolidimin e strukturës së brendshme të grupeve kriminale shqiptare është marrëdhënia farefisnore, apo përfshirja në grup të personave me origjinë nga e njëjta krahinë.

Aktiviteti kryesor i paligjshëm i tyre mbetet trafikimi i lëndëve narkotike, të ardhurat e marra prej të cilit investohen në blerjen e bizneseve apo pasurive të paluajtshme, ndërkohë që sipas provave hetimore, rezulton se këto grupe në Itali janë të përfshira dhe në trafikimin e qënieve njerëzore, trafikimin e armëve, si dhe në shfrytëzimin për prostitucion.

“Në trafikun e drogës, këto grupe etnike bashkëpunojnë herë pas here me organizata të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre tashmë të konsoliduar në nivel ndërkombëtar”, – thuhet në raport, ku saktësohet se grupet kriminale shqiptare kanë mundur të kenë një marrëdhënie të qëndrueshme me grupet italiane pasi merren me ngarkimin e lëndëve narkotike, kurse për shpërndarjen dhe menaxhimin e tyre janë përgjegjëse grupet italiane.

Gjithashtu, grupet shqiptare kanë mundur të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën Latine duke mundësuar importin në Itali të sasive të mëdha të kokainës.

“Aftësia për të vepruar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese u ka mundësuar këtyre grupeve të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme me organizatat kriminale italiane, përfshirë edhe ato me karakter mafioz”, – thuhet në raport.

Mirëfunksionimi dhe mirëorganizimi i grupeve kriminale të përbëra nga shtetas shqiptarë, jashtë edhe brenda kufijve të shtetëror, është njëra prej arsyeve përse si kusht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian Shqipërisë i kërkohet të kontriubojë në luftën kundër tyre.

“Kushti është të demonstrohet që ka angazhim për reformat që shpien  në ngushtimin e hapësirave për veprimtarinë e krimit organizuar, dhe të hetohen, dënohen grupet që aktualisht janë aktive”, – thotë gjatë intervistës për “shteg.org” Arjan Dyrmishi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe Drejtor Ekzekutiv i “Qendrës për Studimin Demokracisë dhe Qeverisjes” (CSDG).

Krimi i organizuar, brenda dhe jashtë vendit

Sipas një raporti për vitin 2024 nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes” shumica e grupeve kriminale operojnë kryesisht brenda territorit të vendit.

Grupet që veprojnë brenda Shqipërisë dallojnë nga ato me një shtrirje ndërkombëtare, duke nisur që nga madhësia e tyre e deri tek lloji i veprave penale.

“Këto grupe janë të përqendruara në aktivitete si trafikimi i drogës, armëve dhe dhuna e organizuar”, – thuhet në raport për grupet kriminale që operojnë brenda vendit.

Ndërkohë, grupet e shtrira përtej kufijve shtetëror kryesisht operojnë në trafikun e lëndëve narkorike në Itali, kurse në Spanjë dhe Bullgari janë të përfshirë në trafikimin e qënieve njerëzore dhe në falsifikimin e dokumentave. Këto grupe përbëhen kryesisht nga më shumë se 10 persona që kanë role të ndara, si: transportues, ndërmjetës, falsifikues dokumentesh dhe financues.

Gjatë vitit 2024, si rezultat i dekriptimit të bisedave të realizuara midis përsonave të njohur të botës së krimit me anë të pajisjeve të koduara (SKYECC), rezultoi se në Shqipëri funksionon një rrjet e mirëstrukturuar e grupeve kriminale.

“33 Përgjimet e zbuluara treguan se krimi i organizuar në Shqipëri operon me një strukturë të qartë hierarkike, ku individë të caktuar drejtojnë operacione komplekse, shpesh me shtrirje ndërkombëtare. Organizatat kriminale kanë krijuar lidhje të forta me elementë të sektorit publik, duke siguruar mbështetje të konsiderueshme”, – dokumentohet në raportin e CSDG-së,  ku thuhet ndër të tjera se zbulimet e vitit 2024 tregojnë se krimi i organizuar në Shqipëri ka arritur një shkallë të lartë kompleksiteti dhe ndikimi, duke kërkuar masa të forta dhe të koordinuara për të reduktuar përhapjen e tij dhe për të forcuar integritetin e institucioneve shtetërore.

Megjithatë, krimi i organizuar nuk është i vetmi problem, pasi sipas të dhënave të Open Data Albania, Shqipëria ka një koeficent të lartë krimesh për 100 mijë banorë.

“Në harkun kohor të tetëmbëdhjetë viteve, 2004-2021, në Shqipëri llogaritet një koeficient mesatar vjetor rreth 146 krime për 100 000 banorë. Viti 2021 shënon vlerën më të lartë të këtij indikatori, përkatësisht 196 krime për 100 000 banorë”, – thuhet në publikimin e Open Data Albania.

Ndërkohë, në publikimin e fundit të Institutit të Statistikave, INSTAT, gjatë vitit të kaluar, 2024 në vendin tonë janë evidentuar 32 653 vepra penale, për të cilat janë të dyshuar si autorë 40 057 persona.

/Shteg.org

Incident në një minierë kromi në Bulqizë, plagoset një 40-vjeçar

Një 40-vjeçar, teksa ka qenë duke punuar në minierën e Martaneshit në Bulqizë, është dëmtuar.

 

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme dhe mësohet se  është dërguar në spital në Tiranë, duke mos u paraqitur tek ai i Bulqizës apo i Dibrës.

“Me datë 29.05.2025, në një subjekt minerar në Martanesh, shtetasi I. D., 40 vjeç, banues në Martanesh, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë gjatë punës. 40-vjeçari ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Kujtojmë se ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër minator, i cili kishte qenë duke punuar në thellësi të tokës në Bulqizë, kur u godit nga një masiv gurësh.

Nga tradhtia e gruas, tek internimi pas përplasjeve me Carin, jeta e vështirë e Pushkinit

Aleksandër Sergejeviç Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare. Më 1811, u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e aristokracisë peterburgase.

 

Ambienti në lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anticarizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare. E internuan në jug në Kaukaz, ku e mbajtën në mbikëqyrje. Pushkini jetoi në jug gjatë viteve 1820-1824. Ëndërrimet liridashëse i shpalosi me frymë bajroniane.

S’do të ishte e drejtë nëse themi se poeti i madh rus jetoi një jetë të privuar. Gjithsesi, atij i dukej sikur fati dhe njerëzit ishin mizorisht të padrejtë ndaj tij. Dhe se ai kishte arsye të shumta që të ndihej i trishtuar. Së pari, ai ishte një fëmijë i padëshiruar, më pas, si çdo i ri, e përjetoi thellësisht atë çfarë po ndodhte në Rusi. Çka e shtyri të shkruante vargje politike, por edhe disa vargje të pahijshme, për shkak të të cilave e mërguan me forcë së pari në jug, në Moldavi dhe Odesa, mandej në Rajonin Pskov (390 milje në perëndim të Moskës).Mirëpo edhe atje vuajti, thuajse nga gjithçka: dashuri e pashpërblyer, të qenit larg nga miqtë dhe kryeqyteti. E torturonte fakti, që nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në kryengritjen kundër carit. Dhe, më pas, që pjesëmarrësit e saj ishin ekzekutuar ose internuar në Siberi. Pushkini kishte origjinë afrikane nga ana e stërgjyshit, Abram Petrovich Gannibal, i cili ishte një princ afrikan (nga Kameruni ose Etiopia) dhe u soll në Rusi si “dhuratë” për Pjetrin e Madh. Pjetri e rriti Gannibalin si djalin e tij të adoptuar dhe ai u bë një oficer i lartë ushtarak dhe inxhinier. Pushkini ishte krenar për këtë prejardhje dhe shkroi edhe një biografi të pambaruar për Gannibalin. Pushkini u përfshi në qarqet liberale dhe shkroi poezi me tone antimonarkike, gjë që e bëri të dyshohej nga autoritetet cariste.

Ai u internua disa herë në zona të largëta të Perandorisë Ruse dhe iu kufizua liria e lëvizjes dhe botimit. Në fëmijëri, Pushkini u rrit në një mjedis aristokratik ku flitej kryesisht frëngjisht. Ishte gjyshja dhe dadoja e tij, Arina Rodionovna, që i mësoi gjuhën ruse të vërtetë dhe folklorin, që më vonë e ndihmuan të krijonte një stil autentik rus. Pushkini vdiq në moshën vetëm 37 vjeç, pas një dueli me oficerin francez Georges d’Anthès, i cili përflitej se kishte një lidhje me gruan e Pushkinit, Natalia Goncharova. Pushkini u plagos rëndë në bark dhe vdiq dy ditë më vonë. Ky duel tronditi opinionin publik rus. Ai ishte mjeshtër i poezisë, prozës, dramës, eseistikës, madje edhe i historisë. Vepra e tij më monumentale është “Eugjeni Onegini”, një roman në vargje që është i njohur për gjuhën e pastër dhe strukturën inovative. Për shkak të përmbajtjes shpesh të lirë apo kritike, shumë nga veprat e Pushkinit u censuruan rëndë, dhe disa versione që lexoheshin në Rusi pas vdekjes së tij nuk ishin të plotë. Disa nga shprehjet më të guximshme u rikuperuan vetëm në shekullin XX.

Ai besonte fuqimisht në ogure, shenja dhe ëndrra profetike. Për shembull, para duelit fatal, kishte parë disa ëndrra të frikshme dhe e kishte ndjerë vdekjen e afërt. Ndonjëherë konsultohej edhe me fallxhore. Gjatë gjithë jetës së tij, ai u përball me 29 duele. Po, 29 herë! Ai ishte shpesh arrogant, ironik dhe i drejtpërdrejtë në shkrime dhe jetë, çka e fuste shpesh në telashe me aristokratët. Dueli me Georges d’Anthès ishte i fundit. Ai dhe gruaja e tij kishin katër fëmijë, dhe shumë nga pasardhësit e tij u martuan me familje të rëndësishme ruse. Sot, shumë familje fisnike ruse e lidhin gjenealogjinë me të – përfshirë edhe disa figura publike moderne.

Bisedimet për paqe, Zelensky akuzon Rusinë për mashtrim: Memoranudumi që premtuan nuk është parë ende nga askush

 

Volodymyr Zelensky thotë se Rusia po përfshihet në “një tjetër mashtrim” duke mos dorëzuar propozimin e saj për zgjidhjen e paqes përpara një takimi të mundshëm midis Moskës dhe Kievit.

 

“Edhe i ashtuquajturi ‘memorandum’ që ata premtuan dhe me sa duket e përgatitën për më shumë se një javë ende nuk është parë nga askush”, tha Zelensky në video-adresën e tij të mbrëmjes.

“Edhe Turqia, e cila priti takimin e parë, nuk e ka marrë ende agjendën e re.”

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se Moska kishte hartuar një memorandum që përshkruante qëndrimin e saj për zgjidhjen e konfliktit.

Ai sugjeroi që një raund i dytë bisedimesh të drejtpërdrejta të zhvillohet të hënën, përsëri në qytetin turk të Stambollit.

Përbërja e delegacionit do të mbetet e pandryshuar nga raundi i parë, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, e cituar nga agjencia e lajmeve TASS.

Rusia u kritikua ashpër për dërgimin e një grupi zyrtarësh të rinj në atë takim me kërkesa jorealiste ndaj Ukrainës.

Analistët thonë se Kremlini po përpiqet të pengojë procesin e paqes në mënyrë që të vazhdojë të arrijë përparime në fushën e betejës, ndërkohë që e mban SHBA-në në anën e saj duke mos e braktisur plotësisht atë.

Zelensky e kishte sfiduar Putinin që të takohej me të në seancën e parë në Stamboll, por kjo u refuzua.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha dje se Moska nuk mori asnjë përgjigje nga Kievi nëse do të merrte pjesë në negociatat e së hënës.

Zelensky tha se Rusia po “bënte gjithçka që takimet të ishin të kota” dhe se partnerët e Ukrainës duhej të intensifikonin presionin ndaj Moskës.

Shpërthim në një fabrikë ushtarake në Serbi, raportohet për disa të plagosur

Disa persona janë lënduar nga një shpërthim që ndodhi paraditen e sotme në depon e fabrikës ushtarake “Krusik”, në Valevë të Serbisë.

 

Sipas informacioneve jozyrtare nga Spitali i Valevës, janë lënduar shtatë persona, të cilët kanë marrë lëndime të lehta.

Shpërthimi ka ndodhur në orën 07:30, dhe një prej të lënduarve ka pësuar prerje ndërsa të tjerë dëmtime në dëgjim.

“Këtë mëngjes rreth orës 7:40, gjatë aktiviteteve të rregullta të presimit të pentritit, amplifikatori i ndezjes në presën u aktivizua, duke shkaktuar që një punonjës të pësonte prerje dhe katër punonjës të kishin simptoma të zhurmës në vesh. Punëtorët u dërguan në spitalin e Valjevës për ndihmë dhe kontrolle të dëgjimit”, njoftoi Krušik.

Ky është edhe një incident tjetër në vargun e aksidenteve në këtë fabrikë. Incidenti i mëparshëm ndodhi më 3 gusht 2024, kur, sipas njoftimit të drejtuesve, tre persona u lënduan lehtë gjatë punës me kapsolla në repartin e minave.

Miliona euro për Beshiktashin, klube nga Italia dhe Gjermania pas Ernest Muçit

Ernest Muçi po monitorohet nga klube italiane dhe gjermane. Beshiktashi kërkon plot 10 milionë euro për shitjen e kartonit të sulmuesit, siç raportohet në Turqi.

Kjo shumë përkon me shpenzimin e kryer nga klubi turk te Legia, pikërisht në shkurtin e vitit 2024. Kështu Beshiktashi pretendon të rifitojë shumën e investuar.

Muçi ka luajtur 54 ndeshje në Turqi. Gjatë kësaj kohe ka gjetur rrugën e rrjetës 11 herë dhe ka asistuar 4 gola.

Kontrata e Muçit përfundon në vitin 2027. Kështu edhe Beshiktashi pritet t’i marrë maksimumin në rast të shitjes së kartonit këtë verë.

Gjermanët kursejnë shumë, po pse? Shqetësimi për pleqërinë dhe pamjaftueshmëria e pensioneve

Gjermanët nuk e kanë problem të marrin kredi, por preferojnë të kenë kursime në rast të një situate të paparashikueshme, në mënyrë që kredia të jetë më e favorshme. Por gjermanët janë më të shqetësuar për pleqërinë: ka gjithnjë e më pak të rinj, gjithnjë e më shumë të moshuar dhe pak besojnë se pensionet e tyre do të jenë të mjaftueshme për të paktën një jetë të mirë në pleqërinë e tyre.

 

Kursimi për moshën e pleqërisë është qëllimi më i rëndësishëm i kursimit në Gjermani. Pothuajse 61 për qind e të anketuarve e përmendën atë si motivin e tyre kryesor, më i larti që nga pranvera e vitit 2017. Kështu thuhet në një anketë të kryer nga instituti i kërkimit të opinionit publik Kantar, të bërë për Shoqatën e Bankave Private të Kursimeve. U anketuan 2,000 persona.

Por kursimi për blerje më të mëdha, të tilla si mobilje ose një makinë, është gjithashtu i rëndësishëm – mbi 46 për qind e të anketuarve thanë se kanë lënë mënjanë para për këtë qëllim.

39% kursejnë për “katër muret e tyre”

Kursimet për shtëpinë dhe vendbanimin kanë ndryshuar së fundi. Së pari, në epokën e rritjes së çmimeve, kreditë ishin të pafavorshme – sepse kursime të tilla zakonisht janë vetëm një depozitë për një kredi, dhe përveç kësaj, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, aq sa disa kanë arritur në përfundimin se nuk do të jenë kurrë në gjendje të përballojnë apartamentin ose shtëpinë e blerë.

Tani përsëri rreth 39 për qind e të anketuarve po kursejnë për blerjen e ndonjë apartamenti apo shtëpie, që është pak më pak se një vit më parë (42 për qind), por dukshëm më shumë se në vjeshtën e vitit 2024 (33 për qind).

35 për qind e të anketuarve përmendën investimet kapitale si një motiv për kursim. Pothuajse gjashtë për qind kursejnë “për urgjenca” dhe katër për qind për arsimimin e fëmijëve.

“Fundi i periudhës së normave të ulëta të interesit u ka treguar qartë njerëzve se kursimi ia vlen përsëri – dhe se është i nevojshëm. Heqja dorë nga shpenzimet sot krijon liri më të madhe nesër”, thotë Christian König, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave Private të Kursimeve të Strehimit.

Megjithatë, interesi për depozitat u rrit në një kohë kur inflacioni ishte i lartë. Meqenëse tani po ulet, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me interesin. Por kursimi për pleqëri është një përjashtim nga normat aktuale të interesit për një arsye tjetër: “Njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se pensioni shtetëror nuk do të jetë i mjaftueshëm.”

Gratë shpesh kursejnë shumë pak për pleqëri

Ato që kursejnë për pleqëri duhet të kenë parasysh edhe jetëgjatësinë e tyre, e këtu hulumtimi vuri re një detaj të çuditshëm. Sipas hulumtimit nga Instituti Federal për Kërkime Demografike (BiB), gratë e moshës së mesme shpesh nënvlerësojnë se sa gjatë do të jetojnë – ndërsa burrat e së njëjtës moshë janë tepër optimistë.

Autorja e studimit Anna Reuter shpjegon: “Hulumtimi tregon se njerëzit që nënvlerësojnë se sa jetë u ka mbetur kanë tendencë të investojnë më pak në sigurinë e tyre të pensionit.” Kjo mund të çojë në një pension më të ulët dhe një rrezik më të lartë të varfërisë në pleqëri.

Kështu, burrat e moshës 40 deri në 49 vjeç supozojnë mesatarisht se do të jetojnë 1.2 vjet më gjatë sesa tregojnë statistikat – aktualisht në Gjermani duhet të jetë 79.2 vjet, por ata e “rrumbullakosin” në më shumë.

Gratë e së njëjtës moshë, nga ana tjetër, e nënvlerësojnë jetëgjatësinë e tyre – me një mesatare prej 3.3 deri në 5 vjet, sepse statistikat tregojnë se ato do të jetojnë më gjatë se burrat dhe do të jetojnë deri në 83.9 vjeç.

Një nga autorët e studimit, Andreas Mergenthaler, thekson se veçanërisht për gratë, siguria financiare në pleqëri është një problem në rritje. Ato jo vetëm që presin një jetë më të shkurtër, por mesatarisht ato fitojnë dukshëm më pakse burrat, që në të ardhmen mund të jetë një problem edhe më i madh financiar./DW