30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Investimet “lule mos më prek”, bashkitë realizojnë vetëm 5% të programit vjetor në 3 mujor

Pavarësisht faktit se tre muajt e parë të 2025 vendi ishte i përfshirë në fushatë për zgjedhjet e përgjithshme dhe pushteti lokal u vu në lëvizje për të qenë më pranë qytetarëve, sërish realizimi i investimeve publike nga bashkitë vijoi të jetë shumë i dobët.

 

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 3-muajt e parë 2025 bashkitë investuan vetëm 1.8 miliardë lekë (18 mln euro) ose vetëm 5 për qind e fondit vjetor prej 35,7 miliardë lekësh. Me ketë ritëm përformanca e investimeve nga pushteti vendor do të jetë edhe më e ulët se vitin e kaluar, ku u realizua vetëm 43 % e programit.

Nga 18 milionë eurot e investuara, një pjesë e madhe tyre shkoi për investime dhe rikonstruksion, asfaltim, mirëmbajtje të rrugëve në zona rurale dhe urbane, si dhe përmirësim të rrjetit të ndriçimit publik. Një pjesë shumë e ulët e fondeve u përdor për rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare, shkollave të mesme, kopshteve dhe çerdheve.

Qeveria qendrore dhe ajo vendore vitet e fundit po thellojnë problematikën e mosrealizimit të programit të investimeve. Shumica e bashkive nuk arrijnë të realizojnë as 40 për qind të programit për shkak të planifikimit të dobët dhe vonesave.

Bashkitë vuajnë nga mungesa e stafit të kualifikuar në menaxhimin e projekteve, sidomos në planifikimin dhe monitorimin e investimeve kapitale. Procedurat e tenderimeve shpesh kontestohen në mënyrë të përsëritur nga kompanitë pjesëmarrëse, duke sjellë vonesa.

Analizat e ekspertëve kanë treguar se koordinimi ndërinstitucional mes bashkive, qeverisë qendrore dhe agjencive të tjera është dobët, duke krijuar pengesa burokratike dhe vonesa shtesë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se njësitë e pushtetit vendor dogjën vitin e kaluar më shumë se gjysmën e programit të investimeve publike.

Të dhënat finale mbi buxhetin 2024 tregojnë se pushteti vendor realizoi vetëm 43 për qind të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit.

Paaftësia e bashkive për të alokuar investimet vjen në një kohë kur ata janë para nevojave të mëdha për të investuar sidomos në infrastrukturën e rrugëve lokale vendore. Psh Bashkia e Durrësit e cila është mikpritësja kryesore e turistëve në vend dhe me nevoja të mëdha në infrastrukturën vendore ka realizuar vetëm 50 për qind të programit të investimeve për vitin 2024.

Në bashkitë me qendër prefekture shihet se Vlora kishte realizimin më të dobët me vetëm 17% të programit. Më 2024 u investuan vetëm 251 milionë lekë nga 1,4 miliardë lekë që ishte programi vjetor./ Monitor

“Kush shkel ligjin merr 135 euro gjobë”-Franca ndalon pirjen e duhanit në hapësirat publike ku mund të jenë të pranishëm fëmijët!

Qeveria franceze njoftoi sot, se konsumi i duhanit në hapësirat publike të jashtme ku mund të jenë të pranishëm fëmijët do të ndalohet nga 1 korriku, siç janë plazhet, parqet dhe kopshtet publike, zonat jashtë shkollave, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive .

 

“Ku ka fëmijë, pirja e duhanit duhet të zhduket”, shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin, në një intervistë të botuar në faqen e internetit të gazetës rajonale Ouest-France.

Mosrespektimi i ndalimit mund të rezultojë në një gjobë prej 135 eurosh, shpjegoi Vautrin, e cila beson se liria për të pirë duhan “mbaron aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të thithur ajër të pastër”.

Masa ka të bëjë, përveç kopshteve dhe shkollave fillore, edhe me shkollat e mesme dhe të larta, me qëllim që të shmanget kryesisht mundësia që “nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta të pinë duhan para shkollave të tyre”.

Fëmijët e infektuar me salmonelë në kopshtin në Gramsh, shkak është veza e kontaminuar

Burime zyrtare thanë se infektimi i fëmijëve në Gramsh është për shkak të vezës me salmonelë.

Burime pranë AKU bëjnë me dije se vezët e përdorura në kopshtin nr 1 në Gramsh kanë qenë të kontaminuara.

Edi Rama do të drejtojë (edhe) kërkimin shkencor në vend!

Shqipëria duket se po rrëshqet me ritëm shumë të shpejtë drejt autokracisë, sepse Edi Rama po shtrin tentakulat në çdo institucion.

Përmes një vendimi të marrë dje në mbledhjen e qeverisë, Rama do të jetë tani në krye të kërkimit shkencor në vend. Po po, një piktor do të drejtojë shkencën në Shqipëri.

Për të qenë më të qartë. Në fund të vitit që lamë pas, Kuvendi miratoi ligjin “Për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor”, ku parashikohej ngritja e një organi të ri mbikqyrës “Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor”, i cili do të drejtohet nga Kryeministri.

Pavarësisht se në ligj thuhet se ky organ do të ketë vetëm rol këshillues për përmirësimin e kërkimit shkencor, praktikisht ai merr përsipër të rekomandojë, jo vetëm politikat mbështetëse në këtë drejtim, por dhe të orientojë fushat e kërkimit shkencor. Në përbërje të Këshillit parashikohet të jenë 7 ministra, ministri përgjegjës për shkencën; inovacionin; energjinë; bujqësinë; shëndetësinë; mbrojtjen dhe për mjedisin, si dhe përfaqësues nga institucionet e arsimit të lartë, nga Akademia e Shkencave dhe qendrat e inovacionit.

Gjatë miratimit në mënyrë të njëanshme nga deputetët socialistë në nenin përkatës që parashikon mënyrën e funksionimit të këtij këshilli u ndryshua vetëm një fjalë në funksionet që do të kryejë ky këshill duke zëvendësuar ‘monitoron’ me ‘analizon’, -“analizon sistemin kombëtar të shkencës dhe kërkimit shkencor si dhe ecurinë drejt integrimit të sistemit në zonën evropiane të kërkimit (ERA), duke rekomanduar përmirësimin e tij sipas rastit”. Pra duket qartë se ky organ do të kontrollojë kërkimin shkencor në vend.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 10, të  ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor

Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor (në vijim, KKSHKSH) organizohet si organ këshillimor për politikat e shkencës dhe të kërkimit shkencor dhe ka në përbërje 19 (nëntëmbëdhjetë) anëtarë.

Anëtarët e KKSHKSH-së, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, caktohen nga Konferenca e Rektorëve. Anëtarët përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë caktohen nga kryesia e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Anëtarët përfaqësues të qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore caktohen nga ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe anëtarët përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës caktohen nga vetë institucioni.

Me qëllim realizimin e misionit të tij, pranë KKSHKSH-së mund të ngrihen komisione të përhershme apo të përkohshme me anëtarët e këtij këshilli, për studimin e çështjeve e të problematikave të veçanta, që lidhen me politikat e shkencës dhe të kërkimit shkencor.

Veprimtaria e KKSHKSH-së mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në cilësinë e sekretariatit teknik, e cila kryen detyrat e mëposhtme:

a) Siguron mbështetjen teknike për zhvillimin e takimeve dhe përmbushjen e detyrave të lidhura me KKSHKSH-në;

b) Organizon mbledhjet duke propozuar çështjet për diskutim, të përgatitura në bashkëpunim me anëtarë të tjerë dhe aktorë të rëndësishëm të shkencës dhe të kërkimit shkencor, sipas planit të miratuar apo kur ka kërkesë;

c)  Mban procesverbalet e çdo mbledhjeje dhe ua dërgon për nënshkrim anëtarëve të Këshillit;

ç)  Raporton periodikisht pranë KKSHKSH-së për realizimin e detyrave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme të tij;

d) Realizon zbardhjen  e vendimeve që janë marrë në mbledhjet e KKSHKSH-së;

dh) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar nga kryetari i KKSHKSH-së.

Kryetari i KKSHKSH-së thërret mbledhjet dhe i drejton ato, cakton rendin e ditës, drejton diskutimet e bashkërendon punën e KKSHKSH-së.

KKSHKSH-ja mblidhet jo më pak se 2 (dy) herë në vit, por, në varësi të zhvillimeve shkencore në Republikën e Shqipërisë, mund të mblidhet më shpesh, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme.

Mbledhja e KKSHKSH-së është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se 2/3 e anëtarëve. Në mbledhje mund të marrin pjesë edhe persona të tjerë të ftuar, pa të drejtë vote.

Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve, që marrin pjesë në mbledhje.

Rastet e lirimit nga detyra të anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor

Anëtarët e KKSHKSH-së qëndrojnë në detyrë për sa kohë anëtari ushtron funksionin në institucionin që përfaqëson, me përjashtim të evidentimit të rasteve të lirimit nga detyra të anëtarit. Anëtari që zëvendëson anëtarin e liruar caktohet sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij vendimi.

Anëtari i KKSHKSH-së lirohet nga detyra në rastet e mëposhtme:

a) Kur deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, në bazë të legjislacionit në fuqi;

b) Kur jep dorëheqjen;

c) Kur largohet nga institucioni që përfaqëson;

ç) Në rast se nuk merr pjesë në mbledhjet e KKSHKSH-së për më shumë se 2 (dy) mbledhje radhazi, pa shkaqe të justifikuara;

d)  Në rast se, për arsye objektive, bëhet i pamundur realizimi i detyrës si anëtar në KKSHKSH.

Dispozitat e fundit

Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, ministria përgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ekonominë, ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, ministria përgjegjëse për mbrojtjen, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Shpërfillje oraresh dhe mungesë higjiene/ Bashkia Elbasan lë qytetarët me autobusë të vjetër

Bashkia Elbasan hapi në muajin shkurt tenderin për ndërtimin e sistemit “smart” të stacioneve të autobusëve – fituar nga PC Store me ofertë 185 mijë euro, – një investim i cilësuar i nevojshëm për transportin publik, por që bëhet teksa autobusët me të cilët udhëtojnë qytetarët janë jashtë standardeve: të amortizuar, pa orare fikse dhe pa mbulim të plotë.

Elbasani vuan prej vitesh mungesën e një shërbimi të denjë urban. Kompania që kishte monopolin mbi transportin publik, e njohur si “KRIVA”, ankohej për mungesën e subvencioneve nga pushteti vendor dhe me këtë justifikonte mungesën e investimeve në përmirësimin e flotës.

Në dukje, situata ndryshoi kur një kompani e re, e cila quhej “Elbasan Bus”, mori drejtimin e shërbimit. Bashkia e shpalli procedurën në faqen e saj, pa bërë shumë publicitet, dhe ia dha shërbimin kësaj kompanie që ishte hapur rishtazi, pa përvojë të qartë në transportin publik.

Por një verifikim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se pronari i “KRIVA”-s, (Vasil Janku) ishte i njëjtë me atë të kompanisë së re, vetëm me administrator tjetër – Tahir Tafani, sipërmarrës i një bar-kafe dhe linje transporti.

Rreth 8 muaj pas hapjes së kompanisë Janku ia shiti 100% të kuotave Tafanit për vetëm 1,000 euro. Kjo ndodhi në shkurt 2024, pesë muaj para se Bashkia Elbasan ta shpallte kompaninë “Elbasan Bus” fituese të konkursit për operimin në 8 linja urbane të qytetit – përfshirë linjën për në Varrezat Publike, për të cilën qytetarët ankohen se nuk është aktive.

Dokumentacioni zyrtar mungon mbi mënyrën se si u licencua kjo kompani, apo për kushtet që ajo plotësoi për të marrë përsipër linjat përkatëse, ndërsa konkursi i hapur tërhoqi vetëm një operator: pikërisht “Elbasan Bus”.

Në një kërkesë për informacion dërguar Bashkisë Elbasan mbi përzgjedhjen e subjektit fitues dhe procesin e licencimit, Citizens.al nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi. Po ashtu, tentativat për të kontaktuar administratorin e kompanisë dështuan.

Zërat e qytetarëve: Shpërfillje oraresh dhe mungesë higjiene

Përdoruesit kryesorë të transportit publik në Elbasan janë të moshuarit, gratë me fëmijë dhe nxënësit. Ata ankohen kryesisht për mungesë linjash, mosrespektim të orareve dhe mungesë higjiene.

“Dikur ka qenë autobusi për varrezat, tani nuk e shoh më,” thotë një e moshuar, 77-vjeçare, e cila shpreson që linja të vendoset sërish në punë.

“Nisesha nga Banesat për në Varreza, linja ka qenë këtu në lagjen time,” vijon ajo, “vërtetë autobusët janë copë-copë, verës plas vapa, por të paktën mund të lëviznim.”

Një tjetër e moshuar, Bukuria, shpreh gjithashtu shqetësimin për mungesën e linjës së Varrezave.

“Nuk mendojnë se është linjë që lëvizin prindër që kanë fëmijë, apo të dashurit e tyre atje dhe janë kryesisht të moshuar ata?” ngre shqetësimin e saj si pyetje retorike.

Agroni, një banor tjetër, i cili e përdor shpesh autobusin për të lëvizur drejt poliambulancës për të marrë shërbim shëndetësor, shton: “Paguajmë çmim sa në Tiranë, por shërbimi është mizerabël. Autobusët janë të pisët dhe pa orare. Është e turpshme për Elbasanin.”

Nxënësit, nga ana tjetër, ankohen për mbingarkesën në orët e mëngjesit, sidomos në linjat kryesore, ndërsa autobusëve u mungon ajrosja apo kondicioneri.

“Autobusët janë të vegjël e sidomos në mëngjes janë plot. Shtypemi aty! Kushte nuk ka e sidomos tani që filloi vapa nuk di si durojmë për të shkuar në shkollë,” tha një nxënës.

Qytetarë të tjerë, si Ermira Osmani, përmendin si shqetësim amortizimin dhe ndotjen që autobusët e vjetër shkaktojnë në qytet.

“Sedilet janë zhul dhe autobusët shumë të papastër. Shërbimi i transportit në Elbasan është i keq,” thekson ajo.

Kjo panoramë e transportit publik në Elbasan ndodh teksa bashkia promovon imazhin e një qyteti me stacione “smart” që synon zero emetime gazrash.

Në fakt bashkia ka përfshirë në Planin e Veprimit për Energjinë e Qëndrueshme dhe Klimën objektivin për të ripërtërirë flotën urbane me mjete të gjelbra, por në realitet autobusët e sotëm janë kthyer në burime ndotje./ Autore: Bardha NergjoniCitizens.al

Miliardat që mungojnë te rritja ekonomike

Ekonomia kombëtare e Shqipërisë ka performuar vazhdimisht nën potencialin e rritjes të vlerësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke akumuluar përgjatë viteve një hendek prej miliarda eurosh mes asaj që është dhe asaj që duhej të ishte. Të dhënat statistikore të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi ecurinë faktike dhe llogaritjet teorike se sa do të ishte ekonomia shqiptare nëse ajo do të rritej me një ritëm të barabartë me potencialin tregojnë se në vitin 2025, ekonomia shqiptare është afërsisht 784 miliardë lekë ose 7.84 miliardë euro më e vogël nga sa do të duhej të ishte. Kjo shumë është e barabartë me 37% të PBB-së aktuale dhe gjithashtu, më e lartë se sa të gjitha të ardhurat buxhetore vjetore.

Rritje nën potencial

Ekspertët e ekonomiksit të zhvillimit vlerësojnë potencialin e rritjes së një vendi duke marrë parasysh faktorë të shumtë si gjendja aktuale ekonomike (sa më e varfër të jetë ekonomia, aq më shumë potencial për rritje ka), afrimësinë me tregjet, nivelin e hapjes ekonomike e të tjera. Përgjatë dy dekadave të para pas rënies së komunizmit, potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë vlerësohej në 7% në vit ndërsa pas Krizës Financiare Botërore të vitit 2008, vlerësimi i rritjes potenciale të Shqipërisë është 4.5% në vit. Kjo do të thotë që, në rast se menaxhohet siç duhet dhe reformat kryhen siç rekomandohet nga ekspertët, rritja mesatare afatgjatë e ekonomisë do të jetë 4.5% në vit. Në rast se rritja është më e lartë se sa kaq, atëherë autoritetet duhet të ndërhyjnë për ta ftohur atë, sepse një rritje mbi potencial konsiderohet e paqëndrueshme. Në rast se rritja është më e ngadaltë se kaq, ekonomia konsiderohet se ka nevojë për reforma politike në mënyrë që të rikthehet te performanca e vet.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se, që nga viti 2000, Shqipëria ka pasur rritje ekonomike mbi potencial në vetëm 4 vite dhe ka nënperformuar përgjatë të gjitha viteve të tjera.

Kriza të njëpasnjëshme dhe investime jorentabël

Grafiku më sipër, i cili paraqet ndryshimin vjetor të Prodhimit të Brendshëm Bruto me çmime konstante, (vija me ngjyrë blu) dhe potencialin e rritjes, (vija me ngjyrë të kuqe) bart në vetvete të dhënat për dy dekada e gjysmë krizash të njëpasnjëshme, të cilat, ka gjasa, lexuesit i kanë harruar.

Për shembull, viti 2001 me rritjen ekonomike në masën 8.3%, shifër kjo më e lartë se sa potenciali i vlerësuar në atë kohë, reflekton investimet e larta private në telekomunikacion ndërsa rritja vitit 2002 prej 4.5% si dhe rritjet në vitet pasardhëse, që të gjitha nën potencialin prej 7%, reflektojnë para së gjithash, krizën energjetike që u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2001 dhe që demonstroi edhe paaftësinë e qeverive të njëpasnjëshme për ta zgjidhur këtë krizë.

Rritja ekonomike e vitit 2008, në masën 7.5%, reflekton në masë të konsiderueshme huamarrjen e lartë të sektorit publik dhe transformimin e parave të marra hua në beton në formën e Rrugës së Kombit, autostradës prej vetëm 60 kilometra, e cila u nis të ndërtohej me vlerësim të kostos prej 420 milionë eurosh dhe kushtoi më shumë se 1 miliardë, shumë kjo që ishte e papërballueshme për financat e Shqipërisë në atë kohë.

Siç dallohet, Shqipëria përjetoi vite shumë të këqija sa i përket rritjes ekonomike në dekadën që pasoi, kur vendi u qeveris fillimisht nga koalicioni Berisha-Meta dhe pastaj, nga koalicioni Rama-Meta. Që nga ajo kohë, vendi nuk ka njohur rritje ekonomike afër apo mbi potencialin e vlerësuar prej 4.5% në vit ndërsa luhatja e fortë që dallohet në grafik në vitet 2020-2022 është shkaktuar nga pandemia COVID-19 në vitin 2020 dhe nga rimëkëmbja pas pandemisë në vitet 2021 dhe 2022. Ekonomia është rikthyer në nënperformancë në vitin 2023 dhe vijon të rritet më poshtë se sa potenciali, pavarësisht inflacionit të lajmeve me sukses marramendës në sektorin e turizmit, lajme që shfaqen çdo ditë nëpër mediat proqeveritare.

Mungojnë miliarda

Grafiku më sipër paraqet ekonominë e Shqipërisë siç ajo ka ecur (vija ngjyrë blu), ekonominë e Shqipërisë siç ajo do të kishte ecur në rast se do të rritej në përputhje me potencialin (vija ngjyrë e kuqe) dhe diferenca mes këtyre të dyjave, (vija e zbehtë e kuqe). Ekonomia e Shqipërisë e matur me çmime konstante, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet të jetë në masën 2.1 trilionë lekë në fund të këtij viti ndërsa nëse do të ishte rritur në përputhje me potencialin, ajo do të ishte 2.9 trilionë lekë. Diferenca mes këtyre të dyjave, 784 miliardë lekë, përbën prodhimin e brendshëm bruto të munguar për shkak të performancës së keqe në qeverisjen e vendit.

Kjo është një shumë e stërmadhe parash nëse krahasohet me çfarëdolloj parametri ekonomik apo buxhetor. Për shembull, nëse marrim parasysh se të ardhurat e buxhetit të shtetit janë afërsisht 30% e PBB-së, një shumë e tillë do të sillte 235 miliardë lekë më shumë të ardhura buxhetore, shifër kjo që është pothuajse e barabartë me të gjithë fondin social të vendit, ku përfshihen pensionet apo kujdesi shëndetësor.

“Keqalokim burimesh”

Shpjegimi më i thjeshtë i mundshëm se pse ekonomia nuk është rritur me potencialin e pritshëm mund të bëhet përmes teorisë së keqalokimit të burimeve. Roli i qeverisë në ekonomi është që të heqë pengesat për prodhim ekonomik përmes ndërhyrjeve ligjore apo infrastrukturore duke priorizuar përdorimin e parave të taksapaguesve në ato ndërhyrje që kanë kthim më të lartë. Korrupsioni dhe fryrja e kostove të projekteve infrastrukturore, gërryerja e fuqisë investuese të buxhetit nga fryrja e paarsyeshme e administratës publike apo dështimi, për shkak të keqmenaxhimit, të kryerjes së funksioneve bazë të shtetit, të tilla si dhënia dhe garantimi i titujve të pronësisë, parandalimi apo luftimi i monopoleve, oligopoleve dhe praktikave penguese në konkurrencë janë faktorët që e bëjnë ekonominë të “keqperformojë”.

Pasojat e këtyre problemeve të mbledhura së bashku mund të vihen re te grafiku i parë: prodhim i brendshëm bruto i munguar, vende pune të pakrijuara dhe një ushtri me pensionistë që jetojnë me mesatarisht 600 lekë në ditë.

Mbetur prapa

Grafiku më sipër paraqet ecurinë e ekonomive të vendeve të Evropës Lindore, të cilat FMN i ka grumbulluar në grupin “Evropa në Rritje). Të dhënat janë në Dollarë Ndërkombëtarë konstantë një monedhë imagjinare e përdorur nga FMN për t’i bërë vendet të krahasueshme dhe shifrat paraqesin PBB për frymë. Disniveli mes grafikëve tregon disnivelin në mirëqënie reale mes qytetarëve të vendeve përkatëse.

Shqipëria është rreshti blu i pestë nga poshtë dhe konkurron për të shmangur pozicionin e të qenit vendi më i varfër me Bosnjën, Ukrainën, Kosovën dhe Moldavinë. Maqedonia, Mali i Zi e Serbia janë ndjeshëm më lartë se sa ne ndërsa ekonomia me performancën më të mirë duket se është ajo e Polonisë.

Siç dallohet, Shqipëria e nisi në fakt në vitin 2000 si ekonomia e dytë më e varfër në grup pas Moldavisë. Nga viti 2002, kur në të dhënat e FMN-së u shfaq Kosova, Shqipëria u bë vendi i tretë më i varfër ndërsa në vitin 2022, për shkak të Luftës në Ukrainë, Ukraina ra poshtë nivelit të Shqipërisë dhe ne u bëmë vendi i katërt më i varfër. Në vitin 2024, Bosnja dhe Herzegovina ra poshtë nivelit të Shqipërisë. Perspektiva për të kaluar ndonjë vend tjetër është shumë e largët. Vendi më i afërt, Maqedonia e Veriut, është goxha larg.

Grafiku i fundit paraqet ecurinë e ekonomive të vendeve të Evropës Lindore si indeks. Nëse secila prej ekonomive merret në nivelin 100 në vitin 2000, ecuria e tyre vit pas viti shfaqet në grafik deri në vitin 2025. Kështu, Turqia rezulton se është vendi me rritjen më të shpejtë në raport me veten. Ekonomia turke është sot 322% më e madhe nga sa ishte në vitin 2000. Shqipëria rezulton në vend të dytë me 265%, pasuar nga Kosova me 261%. Rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës shpjegohet me avantazhin e prapambetjes, një ide themelore në ekonomi, e cila tregon se sa më i prapambetur të jetë një vend në krahasim me vendet e tjera, aq më i lartë është potenciali për t’u rritur./BIRN

“PD në gjendje të mjerueshme”, analisti: Pas rezultatit dërrmues të 11 majit duhet të shikonte nga vetja

Partia Demokratike e Shqipërisë, e udhëhequr nga Sali Berisha, humbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në këto zgjedhje, PS fitoi 53.3% të votave dhe 83 mandate, duke siguruar një fitore të katërt radhazi dhe një shumicë të qartë parlamentare.

Në anën tjetër, PD, arriti të sigurojë vetëm 32.9% të votave dhe 50 mandate.

Për të diskutuar lidhur me zhvillimet më të fundit politike, në një lidhe të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili ishte analisti Namir Lapardhaja.

Analisti tha se PD nuk duhet të kërkojë fajtor për humbjen te të tjerët, por duhet ta kthejë gishtin nga vetja.

Intervista e plotë 

-Partia Demokratike është e vendosur të bëjë betejë në kuvend për zgjedhjet e 11 majit, çfarë do të thotë kjo për sesionin e ri parlamentar?

Lapardhaja: Sipas të gjitha gjasave do ripërsëritet i njëjti skenar që pamë në sesionin e kaluar. PD pas rezultatit dërrmues të 11 majit do duhej të reflektonte dhe do duhet të shikonte nga vetja çfarë nuk shkoi mirë. Po bën gjënë e gabuar, duke e parë problemin te tjetri. Për tre vite me radhë, PD u mundua ta legjitimonte Berishën në krye të saj me idenë që Berisha do krijonte një grup të fuqishëm, fitues, pas 11 majit, të njëjtët njerëz duket se po bëjnë gjithçka për ta hedhur fajn diku tjeter.

-Çfarë mund të sjellë për PD një shtyrje e gjatë e analizës së humbjes në PD?

Lapardhja: Nuk do sjellë asgjë, do ta lërë PD në gjendjen aktuale e cila është një gjendje e mjerueshme ku në parti asnjë nuk flet për problemin real. Ata që i ka vendosur në listë të sigurt nuk flasin se ia dinë Berishës për nder. PD do vijojë të vuajë krizën e saj. Por a e meritojnë demokratët një drejtim të tillë të PD dhe a e meritojnë shqiptarët një opozitë të tillë? Kjo është pyetja reale. Nëse PD nuk reflekton do vijnë shumë shpejt zgjedhjet lokale, do t’i humbë dhe do drejtojë gishtin nga kundërshtari. Nuk po them që zgjedhjet e 11 majit ishin plotësisht të lira, por një parti e përgjegjshme duhet të shikonte nga vetja.

-Besoni se do të ketë zëra që do t’i kërkojnë Berishës të zbatojë statutin për tu dorëhequr?

Lapardhaja: Vetë Berisha e mohoi diçka të tillë duke deklaruar se ai është misionar. Berisha listën e deputetëve që bëri, nuk u mundua të bënte një listë fituese për 11 majin. U mundua që më 12 maj të kishte grupin parlamentar rreth vetes dhe çdo zë kundër ta mbyste. Mund të ketë zëra periferikë që s’kanë vlerë, apo zëra që edhe më parë kanë qenë me Berishën por për shkak të vendosjes në listë e kanë humbur besimin dhe kredibilitetin te njerëzit dhe qytetarët. Nuk besoj që brenda PD do ketë zëra që të ngrihen kundër Berishës dhe lidershipit, për arsye se kemi një tre vjeçar që të gjithë ata që dolën kundër u trajtuan në mënyrë linçuese./vizionplus.tv

Greqia do të ashpërsojë ligjet për migracionin

Greqia planifikon të eliminojë një dispozitë që u lejon migrantëve të parregullt të aplikojnë për leje qëndrimi pas shtatë vitesh në vend, njoftoi të enjten ministri i migracionit, duke thënë se rregulli është abuzuar.

Policia vitin e kaluar arrestoi 74,000 migrantë të parregullt, por mundi të dëbojë vetëm 2,500, tha Makis Voridis për transmetuesin Skai, duke shtuar se të ndaluarit shpesh pretendojnë një vend të rremë origjine për të shmangur deportimin, duke e bllokuar procesin për muaj të tërë.

“Sa më gjatë të qëndroje në vend ilegalisht, aq më i madh do të ishte çmimi yt.”

«Që tani e tutje, kushdo që ndodhet ilegalisht në Greqi nuk do të legalizohet kurrë, nuk do të marrë kurrë leje qëndrimi», tha ai, duke theksuar se rreth 55-65,000 njerëz hyjnë ilegalisht në Greqi çdo vit, gjysmës prej të cilëve u jepet azil.

“Duhet të ketë sanksione për ata që vazhdojnë të qëndrojnë edhe pse nuk janë ligjërisht këtu”, tha ai.

Projektligji i ri, i miratuar nga kabineti të mërkurën, mbart një dënim me burg deri në pesë vjet për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm, tha ai.

Miratimi parlamentar i draftit, i planifikuar për në qershor, është në thelb i siguruar me qeverinë që gëzon shumicën.

Paraburgimi administrativ para deportimit do të zgjatet në një maksimum prej dy vjetësh, nga një maksimum prej 18 muajsh që është aktualisht, tha ai.

Ai tha se migrantët e parregullt mund të zgjedhin riatdhesimin vullnetar për të shmangur çdo sanksion.

Voridis tha se rregulloret e reja për të inkurajuar migrimin e ligjshëm do të paraqiten deri në korrik.

Sipas guvernatorit të Bankës së Greqisë, Yiannis Stournaras, vendit i mungojnë rreth 200,000 punëtorë.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Endri Vrapi flet për duelin e 7 qershorit: Ja formacioni im kundër Serbisë

Kërcimin kokë më kokë me Kristiano Ronaldon në Portugali-Shqipëri dhe duelet me Lionel Mesin në miqësoren Argjentinë-Shqipëri, janë në arkivën e Endri Vrapit, ish-mbrojtësit i cili ka luajtur me ekipin kombëtar vite më parë.

Vrapi nuk është nga ata persona që shfaqet shpesh në media, por analiza e tij është e menduar dhe diçka të tillë ka bërë në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai flet për sezonin që mbyllëm në Superiore dhe Kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjes me Serbinë. Ndër të tjera, Vrapi jep edhe titullarët e tij të preferuar për ndeshjen më të rëndësishme të Shqipërisë.

Vrapi, gjithmonë afër fubollit, si ju është dukur sezoni që u mbyll në Superiore, a ishin verdiktet të drejta, sipas jush?

Të jem realist, e kam ndjekur kampionatin. Besoj se parashikimet janë të sakta. Duke parë edhe boshtin e lojtarëve që kishin të gjitha ekipet, besoj se ishte më se i merituar fitimi i kampionatit nga Egnatia, por shpresoja që Vllaznia mund të bënte pak më shumë. Gjithsesi, katërshja që doli në “Final 4”, ishte e merituar dhe fituesja e Kupës që ishte Dinamo, është një ogur i mirë për një vazhdimësi që ndoshta vitin e ardhshëm do të jetë skuadra që ndoshta me gjithë Egnatian, do të jenë pretendentet kryesore për fitimin e titullit. Duke mos menjanuar edhe Elbasanin, që nuk arriti këtë vit të merrte pjesë në katershe apo të bënte diçka në Kupë. Besoj se Elbasani mund të tentojë për një vend në Europë sezonin e ri.

Cilët lojtarë, sipas jush, ishin ata që spikatën në këtë kampionat? Keni dy-tre emra që ju kanë bërë përshtypje?

Lojtarët që bënë diferencën, normalisht që janë në dy ekipet që fituan trofe këtë sezon, kampionët dhe fituesit e Kupës. Nëse do të kesh lojtarë të mirë, puna duket. Edhe në ekipet që nuk morën pjesë në “Final 4”, mund të ketë ndonjë element të mirë. Po them që ra në sy faza ofensive e Dinamos, ishte për t’u vlerësuar, ndërkohë që prapavija la për të dëshiruar. E kundërta ishte me Egnatian, që mbrojtjen e kishte të konsoliduar, por sulmi erdhi me vonesë aty ku donte. Zaëergja me Itodon te pjesa e sulmit dhe Xhemajli bënë diferencën.

Mendoni se këtë verë do të arrijë një ekip nga Superiorja të luajë në grupet e një kompeticioni?

Partizani dhe Vllaznia aktualisht janë në rikonstruksion dhe do të kenë pak punë për të bërë ekipin. Ndërkohë, Egnatia dhe Dinamo e kanë ruajtur boshtin dhe ndoshta me nja dy përforcime e kanë mundësinë.

Niveli që kanë arritur legjionarët e ka penalizuar pak thirrjen e lojtarëve nga kampionati vendës në Kombëtare…

Patjetër që po. Duke qenë se ata luajnë në ekipe prestigjoze, zgjedhja mund të jetë më se normale. Çdo lojtar që është i thirrur në Kombëtare, do të japë më të mirën, duke qenë se janë në limitet e përfundimit të sezonit.

Si ju është dukur lista e Silvinjos?

Mendoj se ishte e pritshme. Duke qenë se është pak ndeshje specifike, siç është përjetuar edhe më parë ku të gjithë përjetuan diçka aty. Kur kujton atë ndeshje, të vjen ndërmend pjesa e flamurit dhe shumë gjëra mbrapa. Mendoj se koha ka ndryshuar dhe i ka shmangur problemet. Them se do të fokusohen te pjesa e futbollit, dhe pse jo me një fitore

Të gjithë kanë ata lojtarët e preferuar, cili është formacioni ideal i Endri Vrapit për ndeshjen kundër Serbisë?

Kjo është një përzgjedhje që çdokush te pjesa e futbollit do të kishte një dëshirë. Të paktën, e para, të fitonte Shqipëria dhe, e dyta, lojtarëv më në formë mund t’u kërkojmë 100 përqind. Personalisht do të doja të shihja një ekip me dy sulmues. Do të rrezikonim pak, por, nëse do të kërkonim që në ndeshjen direkte me Serbinë të fitonim, mendoj se do të ishte më mirë me dy. Në portë, do të vijoja me Strakoshën. Do të më pëlqente që të luanim me një skemë 3-4-1-2, duke u përshtatur me Gjimshitin në pozicionin ku luan tek Atalanta, Ismajlin në qendër dhe Kumbullën djathtas.

vrapi messi

Duke parë se Asllani dhe Ramadani kanë qenë konstantë në Kombëtare, mund të jenë dyshja e qendrës. Nga krahët, një mundësi do të ishte Balliu, i cili arriti një sukses me klubin e vet dhe në krahun tjetër Mitaj, që u shpall kampion në Arabi. Treshja përpara, Nedim Bajrami do ta bënte më së miri pjesën pas sulmuesve dhe në sulm do të preferoja dy lojtarë që të kenë shtatlartësi. Armando Broja dhe Rei Manaj do të ishin ata që unë do të zgjidhja.

Sa shanse ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Botëror?

Çdo shqiptar e ka ëndërr që ekipi i tyre të jetë prezent në çdo kompeticion. Duke qenë se ne shohim edhe grupin dhe mundësitë tona, të cilat janë, pse të mos ta provojmë. Ndoshta në këtë ndeshje mund të provojmë diçka dhe, nëse e fitojmë, do të flisnim ndryshe pastaj për Botërorin.

gfdhfKRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

Ushqimet kryesore që duhet të shmangni nëse keni probleme me tiroiden

Tiroidja është një gjëndër e rëndësishme në bazën e qafës suaj. Krijon dhe prodhon hormone që punojnë me shumë sisteme të ndryshme në të gjithë trupin tuaj, duke përfshirë çlirimin dhe kontrollin e hormoneve që kontrollojnë metabolizmin, i cili është procesi ku ushqimi që futni në trupin tuaj shndërrohet në energji.

Nëse vuani nga sëmundja e tiroides, kjo ndodh sepse kjo gjëndër prodhon shumë ose shumë pak nga këto hormone.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të gjendjeve të tiroides, të tilla si hipertiroidizmi, tiroiditi dhe tiroiditi i Hashimotos, të cilat mund të shkaktohen nga gjëra të ndryshme, të tilla si mungesa e jodit apo edhe gjenetika. Dietologia e regjistruar Molly Hembree, MS, RD, LD, vëren se gjendja më e zakonshme e tiroides është një tiroide joaktive, ose “hipotiroidizmi”.

“Shpesh një efekt anësor i madh i hipotiroidizmit është shtimi në peshë”, thotë Hembree. “Është e rëndësishme nëse përjetoni shtim në peshë të paqëllimshëm, veçanërisht nëse nuk duket se është në përputhje me zakonet tuaja aktuale të dietës dhe ushtrimeve, të flisni me mjekun tuaj për të adresuar çdo problem themelor, i cili mund të përfshijë hipotiroidizmin në disa raste.”

Të shikosh se çfarë ha mund të ketë një ndikim të madh në efektet e gjendjes së tiroides, dhe sipas Hembree, ushqimi numër 1 më i keq nëse je diagnostikuar me probleme me tiroiden janë ushqimet që përmbajnë bronkodilatatorë. “Grouthogens janë ushqime që përmbajnë një përbërës të quajtur goitrinë, i cili mund të ndikojë në sintezën e hormoneve tiroide kur shoqërohet me mungesë jodi”, thotë Hembree.

Sipas saj, bronkogjenikët përfshijnë perimet e papërpunuara kryqëzore si brokoli, lulelakra dhe lakra, si dhe soja dhe meli. Megjithatë, për të hequr qafe disa nga efektet e tyre të mundshme negative, thjesht mund t’i gatuani lehtë.

“Ngrohja e perimeve kryqëzore eliminon veprimin e tyre bronkogjenik”, thotë Hembree. “Dhe nëse hani perime të gjalla të llojit kryqëzor dhe sojë me masë, kjo nuk duket se përbën kërcënim për shëndetin e tiroides. Megjithatë, shumica e dietologëve këshillojnë eliminimin e plotë të melit nga dieta juaj“, vazhdon ai.

Në një studim të botuar në British Medical Journal, studiuesit zbuluan se një dietë e ekuilibruar luan një rol të rëndësishëm kur doni të adresoni problemet tuaja me tiroiden. Konsumi i tepërt i një ushqimi, ndërkohë që përjashton plotësisht një tjetër, mund të ndikojë në punën e gjëndrës suaj. Për shembull, shumë yndyrë dhe jod.

Gjithashtu, disa lëndë ushqyese të panjohura që gjenden në perime mund të jenë bronkogjene kur konsumohen në sasi të mëdha. Siç e përmendi Hembree, një rast i tillë është lakra dhe anëtarë të tjerë të familjes Brassica.

Si gjithmonë, megjithatë, para se të bëni ndryshime të rëndësishme në dietën tuaj, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun tuaj.