21.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

Misteri/ Vajza që mbijetoi në tragjedinë e Bulqizës s’ka folur, reagon administratori

Vdekja e nënës dhe dy fëmijëve të saj në Ostren të Bulqizës është e mbuluar me mister, pasi ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes.

Ndër personat e parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes sapo u mor vesh lajmi ishte administratori i njësisë administrative Ostren, Altin Tola, i cili ishte dhe i afërm i familjes ku ndodhi tragjedia. Në një intervistë për “Neës24”, Tola tregoi detaje nga ngjarja e rëndë, që i mori jetën Rajmonda Tolajt, djalit të saj 14-vjeçar Fatjonit dhe vajzës 18 vjeçe, Rudinës, ndërsa fatmirësisht arriti të shpëtonte Merita, 16 vjeçe.

Administratori tregon se 3 trupat e pajetë janë gjetur në kuzhinën e banesës, në pozicione të ndryshme, ndërsa pohon se ende nuk dihet se cili është shkak i vdekjes së tyre deri më tani. Ai tha se ndoshta familjarët janë helmuar nga ndonjë ushqim. Teksa bëri të ditur gjendjen e vajzës, e vetmja e mbijetuar e familjes Tolaj, ai tha se ajo nuk është në gjendje të flasë për shkak të traumës, ndonëse ende nuk i kanë treguar se familjarët e saj kanë ndërruar jetë.

Intervista e plotë

Ju jeni administratori i Ostrenit. Mund të na tregoni historinë e ngjarjes së rëndë në familjen Tolaj?
Është një ngjarje shumë e rëndë, jo vetëm për familjen, por për të gjithë njësinë administrative të Ostrenit dhe të bashkisë së Bulqizës, pasi humbën jetën 3 persona. Nëse nuk do të kishte reaguar shëndetësia, mund të kishte humbur jetën dhe vajza tjetër, e cila ndodhet në spital. Ajo u transportua nga ambulancën e qendrës shëndetësore e Osternit, ku kam qenë i pranishëm dhe e kam shoqëruar deri në spitalin e Bulqizës. Vajza, në kontaktin që kam pasur me spitalin e Tiranës, rezulton se është më mirë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ajo nuk e di që akoma që kanë humbur jetën nëna dhe vëllai dhe motra e saj.

Sipas jush nga se ka ardhur vdekja e tyre?
Akoma nuk dihen shkaqet, pasi është bërë autopsia nga organet e shëndetësisë. Dhe vajza është marrë në pyetje. Por vajza është e trishtuar dhe nuk është në gjendje të përballojë këtë situatë. Ndoshta më vonë ajo do të reagojë dhe do të tregojë ngjarjen me gojën e saj. Për momentin ajo nuk ka folur.

Keni kontaktuar me banorët e zonës, çfarë thonë ata?
Kam kontaktuar dhe kam qenë ndër personat e parë që kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Në momentin që shkova atje, 3 personat e tjerë kishin ndërruar jetë. Ndërsa vajzën e kishin gjetur dy kunatat e Rajmondës. Më pas njoftuan organet e shëndetësisë. Dy infermiere dhe shoferi i ambulancës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por ata kishin ndërruar jetë dhe i kishin dhënë ndihmë mjekësore vajzës së vogël, Meritës.

Është konstatuar aromë e keqe në banesën e familjes Tolaj?
Jo. Dhe unë kur shkova, nuk kishte asnjë aromë të keqe. Soba kishte qenë ndezur. Zona jonë është e ftohtë dhe detyrimisht ngrohemi me dru.

Nuk ka ardhur nga zjarri?
A ka ardhur nga zjarri, nga gazi, nga ushqimet, ne ende nuk dimë gjë. Sapo të dali ekspertiza e shëndetësisë, atëherë do dalin e vërteta.

Nga gojëdhënat e banorëve të zonës ka versione të ndryshme….
Jo nuk ka asnjë version. Mund të jetë ndoshta ndonjë helmim nga ushqimi ose pa dashje nga fëmijët dhe nuk i kanë treguar nënës që mos t’i bërtasin. Ndoshta i kanë ngatërruar (pesticidet). Akoma s’dihet asgjë.

Në pyetje është marrë dhe kunata, pasi ajo shkoi e para në vendin e ngjarjes…
Po janë marrë në pyetje të gjithë. Janë marrë mostrat e ushqimeve, të ujit të pijshëm.

Çfarë thotë kunata?
Ajo ka shkuar rreth orës 10 të paradites. Pasi ka parë se aty s’ka pasur lëvizje para, pasi vajza e saj ishte në klasë me Fajtonin, djalin që humbi jetën. Madje unë më parë e kam pasur në kujdestari, pasi kam qenë mësues para se të merrja detyrën e administratorit. Ndjej një dhimbje tepër të madhe, pasi unë i kam dhe njerëzit e mi familjen Tolaj.

Si ka mundësi të ketë ndodhur kjo ngjarje e rëndë?
Unë mendoj se ka ardhur nga ushqimi.

Është konstatuar që është gjetur një shishe…
Po është gjetur një shishe, por jo në dhomën ku ndërruan jetë personat. Është gjetur në një dhomë tjetër. Ne jetojmë në fshat, dhe kemi në shtëpi pesticide. Dikush i vë në vend, dikush jo.

A është e vërtetë që atë natë kanë ngrënë darkë tek kunata? Deri në 22:00 kanë qenë atje…
Po kanë qëndruar atje, por jo për darkë. Nuk kanë qenë të gjithë, vetëm djali dhe nëna, Rajmonda. Vajzat kanë qenë në shtëpi. Kanë qenë duke pjekur bukën tek soba e drurit. Dhe një nga bukët ishte sipër sobës në momentin që u gjetën.

Të gjithë në një dhomë u gjetën?
Po të gjithë. U gjetën në pozicione të ndryshme.

Ju si administratë çfarë masash keni marrë për ndihmë?
Sapo mora vesh lajmin, njoftova kryetarin e bashkisë, nënprefektin, dhe më pas kontaktova me prefektin. Kryetari i Bashkisë sapo e njoftova, u nis në vendin e ngjarjes. Atë ditë ka qëndruar rreth 5 orë në vendin e ngjarjes. Po ashtu ka ardhur dhe ditën tjetër në varrim. Të gjitha shpenzimet e varrimit i ka mbuluar bashkia e Bulqizës. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak do të propozohet që të kërkohet një ndihmë financiare për të zbutur sado pak dhimbjen e tyre.
/Balkanweb

Skandal! Qeveria i derdh 20 milionë euro inceneratorit të ortakut të Blushit, pa i dhënë nuk i leje mjedisore

Shoqërisë së Klodian Zotos, që do të ndërtojë inceneratorin e Sharrës, i është refuzuar pajisja me leje mjedisore nga nga shteti dhe çuditërisht, po asaj i janë derdhur në llogari 20 milionë euro nga shteti. Një denoncim i fortë i kësaj afere të dyshimtë korrupsioni në nivelet e larta të qeverisë është bërë sot me detaje, nga tre politikanë të opozitës, Lealba Pelinku, Abi Malltezi dhe Jorida Tabaku në Facebook. Së fundmi, portali CNA ka zbuluar se Zoto është ortak në një kompani me bashkëshorten e gazetarit Ben Blushi, noteren Eva Blushi.

INCENERATOR PA LEJE MJEDISORE, POR ME ARKËN PLOT

Shoqërisë “Integrated Energy BV” SPV, partnere private në partneritetin publik privat me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” (Inceneratori i Sharrës), përfituese deri më sot e 20 milionë eurove, i është refuzuar pajisja me lejen e mjedisit të tipit A për incenerimin e mbetjeve të rrezikshme dhe për landfillin e mbetjeve, D1.
Arsyet e refuzimit janë të shumta dhe japin një panoramë të seriozitetit të shoqërisë në fjalë, të cilës i është besuar incenerimi i mbetjeve të Tiranës, kundrejt një fature të rëndë për arkën e shtetit.

Ky i fundit duket si po ndeshet për herë të parë me projektin për të cilin e kualifikoi dhe lidhi kontratën e partneritetit publik privat, më saktë kontratën e financimit të partnerit privat Klodian Zoto dhe gjithë kush rri pas e anash tij.

Kështu, mungon raporti mbi gjendjen e mjedisit, i cili duhet hartuar dhe paraqitur pas përfundimit të punimeve të instalimit të impiantit të djegies së mbetjeve të rrezikshme.

Më e rëndësishmja është se vetë operatori pranon që objekti i incenerimit të këtyre mbetjeve ende nuk është instaluar e rrjedhimisht nuk disponon leje/ licenca/ autorizimet përkatëse. Por, nga ana tjetër operatori kërkon leje mjedisore për këtë objekt ende të painstaluar!

Operatori është ende i paqartë lidhur me llojin e mbetjeve që do të incenerojë: Të rrezikshme apo të parrezikshme? Nga njëra anë deklaron se mbetjet që do t’i nënshtrohen incenerimit janë jo të rrezikshme, nga ana tjetër lejen mjedisor e kërkon për instalim mbetjesh të rrezikshme!

I paqartë mbetet fati i filtrave që shërbejnë për kapjen e dioksinave që gjenerohen nga inceneratori. Kujtojmë këtu rëndësinë e realizimit të asgjësimit të tyre.

Dy janë versionet e dhëna nga vetë operatori aplikues: 1) Këto filtra futen përsëri në procesin e djegies më anë të incenerimit; 2) mbetjet e shtresave të filtrave dërgohen në lendfill. A e ka të qartë operatori se çfarë do të bëjë me këto filtra apo shtresat e mbetjeve të tyre?

Operatori duket të ketë paqartësi lidhur me mënyrën e gjenerimit të skorjeve si dhe pamundësinë që ekziston për të përdorur mbetjet e gjeneruara nga incenerimi i mbetjeve urbane për shtrimin e rrugëve, sikurse deklaron vetë operatori.

Impianti i trajtimit të ujit jo vetëm që ende nuk është ndërtuar, por vazhdon të jetë në fazë studimore.
Pavarësisht kësaj, operatori kërkon leje mjedisore për impiantin, i cili nuk mund të vendoset në funksionim pa u ndërtuar e gjithë infrastruktura e nevojshme për funksionimin e tij. Impianti i trajtimit të ujrave është i domosdoshëm për vënien në punë të impiantit të djegies.

Akoma më e gjatë lista e arsyeve për refuzim të lejes mjedisore për landfillin (D1): mungon plani i monitorimit dhe raportimit si dhe i gjendjes së mjedisit në përfundmim të punimeve; Operatori deklaron se landfilli ende nuk është ndërtuar; ka pasaktësi lidhur me mënyrën e gjenerimit të mbetjeve të deklaruara si skorje;

Mospërputhje të mënyrës së menaxhimit të mbetjeve që gjenerohen nga inceneratori dhe atyre që kërkohen të depozitohen në lendfill;

Trajtimi i mbetjeve të hirit (mbulim me material inert të trashë) nuk është në përputhje me rregullat që kanë lidhje me shmangien e ndotjes nga mbetjet e rrezikshme dhe ujërat e ndotura më përmbajtje të lëndëve të rrezikshme, emërtimet e kodeve të mbetjeve të pasakta; mungon deklarimi mbi të dhënat e shkarkimit të biogazit;

I papërcaktuar qartë tipi i lendfillit për të cilit kërkohet leja: landfilli do të jetë në funksion të mbetjeve të hirit që nuk dekompozohen dhe nuk kanë përbërje të mbetjeve organike?!

Transporti i hirit, landfillimi i mbetjeve të tij nuk është në përputhje me VKM nr. 452/2012 “Për lendfillet e mbetjeve”; operatori nuk ka dhënë informacion mbi metodat dhe proceset e depozitimit të mbetjeve të hirit dhe kodeve të mbetjeve që gjenerohen nga inceneratori i mbetjeve etj. etj. E, megjithatë, shteti vazhdon të jetë i rregullt me pagesat në favor të partnerit të tij privat, Klodian Zoto & Co.”

Presidenti paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar shpërndarjen e parlamentit. Mesazhin e ka dhënë nëpërmjet zëdhënësit të presidencës, Tedi Blushi.

Postimi i Tedi Blushit në Facebook

Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij.
Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij.

DO KETË DISA DEKRETE PËR SHPARTALLIMIN E GRUSHTIT TË SHTETIT.
BËNI DURIM!

DEKRETET DO T’I ZBATOJË POPULLI SHQIPTAR!

Deklarata e fortë e Vuçiç që zbulon tradhëtinë e Thaçit dhe Ramës: Do merrnim një pjesë të Kosovës, Haradinaj…

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas kthimit nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, në një prononcim për media kishte thënë se nga takimet që kishte pasur në Gjermani, kishte kuptuar që Ramush Haradinaj nuk e kishte vendosur taksën vetë dhe se dikush nga ndërkombëtarët ishte i përfshirë dhe po i qëndronte mbrapa, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë çështje kishte thënë se do të fliste më vonë dhe do të zbulonte detaje. E kur s’ka kaluar as një javë, Vuçiq ka filluar të jap detajet e para.

Në një intervistë për ‘Tv Happy’, ai ka aluduar në një shtet të fuqishëm evropian që sipas tij ka vendosur taksën me synimin për të larguar Serbinë nga dialogu në momentin kur arritja e një marrëveshje finale kompromisi ishte gati.

Siç ka shpjeguar ai si pjesë e kompromisit planifikohej që Serbia të merrte pjesën e Veriut të Kosovës dhe Anamoravën, megjithatë një gjë e tillë ishte pa mundësuar nga zhvillimet pas vendosjes së taksës.

“Amerikanë kanë kundërshtuar më zëshëm sesa Evropianët gjatë gjithë kohës. Është e pamundur që shqiptarët ta bëjnë një gjë të tillë pa mbështetjen e dikujt.

Sigurisht, shqiptarët kanë pasur mbështetjen e shumicës së fuqive evropiane, për ta larguar Serbinë nga dialogu, në mënyrë që Serbia të mos arrijë të kërkojë as Veriun e Kosovës, Anamoravën, apo ndonjë gjë tjetër. Pra për të quar poshtë ndonjë plan nga i cili Serbia do të merrte diçka”, ka thënë Vuçiq.

Ai thotë se fillimisht nuk e kishte kuptuar një gjë të tillë, por se tashmë di gjithçka.
“E kam kuptuar më vonë. Tashmë di gjithçka. Kush ua ka kërkuar, kush iu ka thënë. Sigurisht, një fuqi e rëndësishme nga jashtë”, ka potencuar Vuçiq.

Ndërkohë tashmë presidenti serb thotë se pas humbjes së një mundësie të tillë nuk do të marrë përgjegjësitë në rast se ndodhë ndonjë ‘katastrofë’ në të ardhmen

Deklarata skandaloze: Fondet jo vetëm për tërmetin, do zhvillojmë më tej koncesionet

Ministri Ahmetaj pohoi mbrëmë në emisionin “Opinion” se fondet e dhëna nga donatorët nuk do të shkojnë vetëm për dëmet e tërmetit, por do të përdoren nga qeveria edhe për projekte të tjera. “Fondet janë dhënë për projekte zhvillimi jo vetëm për dëmet e tërmetit” tha Ahmetaj. I pyetur nëse qeveria do të ndalojë koncesionet, Ahmetaj tha se projektet e koncesioneve do të zhvillohen më tej.

Optimizmi i tepërt i pasdites së djeshme në lidhje me konferencën e donatorëve, zgjati shumë pak. Dhe këtë optimizëm e theu vetë ministri i Rindërtimit në qeverinë e Edi Ramës, Arben Ahmetaj.

Duke folur në Opinion pas konferencës së donatorëve e organizuar për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, Arben Ahmetaj qartësoi dhe shifrat.

Sipas Ahmetajt, bëhet fjalë për vetëm 295 milionë euro të falura ose grante. Pjesa tjetër prej 885 milionë euro, janë kredi që i janë premtuar Shqipërisë nga shtete dhe institucione të tjera financiare.

Analisti Redi Shehu e ka analizuar këtë situatë me një postim të tijin në Facebook.

Ja çfarë shkruan Redi Shehu:
Sipas të dhënave zyrtare nga ministri Arben Ahmetaj, Shqipërisë në Konferencën e Donatoreve, i janë dhënë 295 milion euro në grante e dhurata, dhe 885 milion në kredi dhe projekte.

Pra 25.6% te 1.15 milardë eurove janë dhurata dhe 74.4% janë kredi. Duhen falënderuar sinqerisht të gjithë ata vende të cilët shfaqen solidaritetin me Shqipërinë si në formën e grantit ashtu edhe ne formën e huave.

Gjithashtu, duke iu referuar ministrit Ahmetaj, Franca ka dhënë vetëm 1 milion euro grant dhe 60 milionë kredi. Italia 5 milion grant dhe 60 milion kredi, duke rrezuar optimizmin e nxituar të mediave mbi çudite e Francës.

Është interesant fakti se vetëm Emiratet, Turqia dhe Katari kane dhënë 121 milionë dhurata nga 295 si total, pra 41% nga 100 shtete donatore. Ndërsa në fondin prej 885 milionë si kredi, vetëm Banka Islamike për Zhvillim ka dhene 365 milion, pra 41.2% të totalit të huave.

Këto shifra duhet të na kujtojnë miopinë dhe dashakeqësinë 30 vjeçare të disa qarqeve politiko-kulturore të Tiranes në lidhje me statusin tonë ne Konferencën Islamike.
Shifrat tregojnë se sa kundër interesave tona kanë punuar këto qarqe, dhe sa gabim e kishin.

“Ahmetaj është gjigand, ta shet aq bukur borxhin saqë e paguajmë me qejf…”

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar në rrjetet sociale Arben Ahmetajn, ministrin e Rindërtimit në Qeverinë Rama.

Manjani shkruan se, Ahmetaj ta shet aq bukur borxhin, saqë e paguajmë me qejf.

“Miku im Ben Ahmetaj është Ministri i Borxhit Publik.

Është gjigand, ta shet aq bukur borxhin saqë e paguajmë me qejf…”, shkruan Manjani në rrjet.
Mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, Ahmetaj foli mbi fondin prej 1.15 mld euro të siguruara nga Konferenca e Donatorëve.

“Ishte një mbështetje ndërkombëtare spektakolare me solidaritet me popullin shqiptar dhe me familjen që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre, ishte në një nivel të papërshkrueshëm. Tani, 400 milionë janë grante, që janë para që na i dhurojnë, nuk janë borxhe, pra janë donacione të drejtpërdrejtë.

Rreth 650 milionë janë kredi të buta, me një kosto shumë të ulët, si në aspektin e interesit nuk janë kredi tregtare. Disa i kanë nën 2 % interes, janë disa interesa gati-gati tek 1. Këto janë të asociuara më të gjithë dëmin që kemi pasur ne më 26 nëntor dhe po ta lexosh të gjithë raportin e BE dhe parimet, qoftë janë të raporti, qoftë u nënvizuan sot, shkojnë përtej thjesht rindërtimit shkojnë tek rimëkëmbja ekonomike”, tha Ahmetaj.

Thaçi dhe Rama u dakordësuan për t’i dhuruar Serbisë Kosovën lindore, denoncimi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tani po e thotë publikisht se ndryshe nga sa u paraqitej shqiptarëve, plani për ndarjen e Kosovës i leverdiste Beogradit. Ai deklaroi mbrëmjen e së hënës se Serbia e ka humbur rastin për të arritur kompromis me Prishtinën dhe se do të paguajë çmimin në të ardhmen.

Duke folur për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ai tha se e kuptoi që “serbët kurrë nuk do ta pranonin diçka që në fakt ishte shansi i tyre dhe për këtë, do të pendoheshin”.
“E kuptova porosinë e njerëzve, ishte një shans i shkëlqyeshëm për ne, por e humbëm atë”, tha Vuçic për TV Happy.

Kreu i shtetit serb shtoi se për këtë çështje do të bëhet edhe më të keq në të ardhmen, por mendon se ai vetë është i zhveshur nga përgjegjësitë.

“Unë do ta mbroj popullin serb, por mbajini mend fjalët e mia edhe për 20 vjet: kemi pasur një shans, por nuk kemi pasur vetëdije dhe mençuri të mjaftueshme”, tha ai.
Menjëherë pas këtij emisioni TV ka reaguar shkrimtari dhe gazetari Veton Surroi.

“Konfirmim i presidentit të Serbisë se ishte krejtësisht afër realizimi i ndarjes së Kosovës. Tash del se pos komunave të veriut ishin në lojë edhe ato të lindjes në Kosovë. Është sikur ta shohësh një triller që përshkruan çmontimin e një bombe”, shkroi ai në Facebookun e tij.

Në trojet shqiptare këtë plan të Vuçiçit e mbrojtën Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Presidenti kosovar u mundua ta shesë atë si një përpjekje për të bashkuar luginën e Preshevës me Kosovën, ndërsa kryeministri shqiptar deklaroi se mundësi të tilla mund të të vijnë njëherë në 100 vjet.

Ish-Presidenti: Të monitorohen rreptë donacionet, Qeveria mund t’i zhdukë!

Ish-Presidenti Bujar Nishani, aktualisht Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, ka kërkuar publikisht prej opozitës, medias, shoqërisë në tërësi, monitorim të rreptë të mbi 1 miliard eurove financime, që iu dhanë Shqipërisë për rindërtimin nga tërmeti.

“Qeveria shqiptare si njëra prej 3 qeverive më të korruptuara të botës, bashkë me ato të Laosit dhe Sierra Leones, rrezikon t’i zhdukë.

Miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë i ofruan shqiptarëve të dëmtuar nga tërmeti mbi 1 miliard euro. Tashmë kjo shumë është e mjaftueshme që çdo familje e dëmtuar të ketë një shtëpi të re dhe orenditë brenda saj.

Me këtë shumë parash, çdo pallat, shtëpi, dyqan e objekt tjetër i dëmtuar duhet shembur në tokë e ngritur i ri mbi rrënojat e të vjetrit”, shkruan Nishani.

Në vijim, ish-Presidenti thekson se shqiptarët e dëmtuar duhet të marrin tashmë ndihmën e madhe që miqtë ju dhanë për zëvendësimin e dëmeve që pësuan.

“Por, njëkohësisht rreziku i korrupsionit dhe vjedhjes së këtyre parave të shqiptarëve të dëmtuar është shumë i lartë.

Qeveria shqiptare si njëra prej 3 qeverive më të korruptuara të botës, bashkë me ato të Laosit dhe Sierra Leones, rrezikon t’i zhdukë në xhepat e hajdutëve këto para në vend të ndërtimit të shtëpive të reja e paisjeve për çdo familje të dëmtuar.

Ndaj është detyrë dhe përgjegjësi e madhe e opozitës, medias, shoqërisë në tërësi të monitorojë çdo ditë kalimin e parave të dhëna tek shqiptarët e dëmtuar dhe jo në xhepat e qeveritarëve të korruptuar”, thekson Nishani.

Bie propaganda e qeverisë, Franca na dha vetëm 1 milionë euro!

Të gjithëve na çuditi lajmi i dalë pasditen e djeshme se Franca i kishte dhënë Shqipërisë, 100 milionë euro ndihma.

Por duket se makina e propagandës ka punuar në mënyrën më të mirë gjatë konferencës së donatorëve. Të dhënat që dilnin vetëm nga zyra e Edi Ramës, bënë lëmsh shumë mediat dhe më shumë qytetarët.

E kjo duket fiks në rastin e Francës dhe atë të Italisë.

Fillimisht u tha se, Franca kishte dhënë 100 milionë euro ndihma dhe 60 milionë euro kredi.
Por optimizmi i madh i pasdites është fashitur në mbrëmje.

Ishte vetë Arben Ahmetaj i cili tha se Franca i ka falur Shqipërisë vetëm 1 milionë Euro dhe 60 milionë euro kredi. Duket se propaganda këtij 1 milionëshi i ka shtuar dje pasdite tre zero, duke e bërë 100 milionë.

Edhe shuma që Italia i ka falur Shqipërisë është shumë larg, asaj të bërë publike nga propaganda.

Sërish sipas asaj që tha mbrëmë Arben Ahmetaj në Opinion, Italia na ka dhënë 5 milionë euro grante dhe 60 milionë euro të tjera janë kredi.

Blushi dhe Vjollca “kumbarët” e aferës 15 milionë euro në Porto Palermo të Bllakos dhe Zotos së inceneratorëve

Një profil, tashmë i fshirë, në rrjetin Linked-In, mund të jetë çelësi për të zbuluar manovrat që kanë ndërmarrë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime, Alqi Bllako, me drejtuesit e lartë të televizionit Top Channel dhe Klodian Zotos të inceneratorëve.

Duket se është një seri operacionesh, ku ndërthuren interesa financiare dhe “ndere” personale mes personazhe qe menaxhojnë qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Në këtë “lojë” gjendet i përfshirë edhe emri i Taned Bllakos, vëllait të Alqi Bllakos së AKUM.

Djaloshi 27-vjeçar, Taned Bllako, duket se i ka ecur mbarë në fushën e biznesit. Ai është aksionerë në dy kompani, një farmaceutike dhe një për pajisje kompjuterike.

Por, sipas një të dhëne të regjistruar në motorin e kërkimit “Google”, Taned Bllako rezulton të jetë edhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së kafes “Lori Caffe”, në pronësi të familjes së Vjollca Hoxhës, pronare e Top Channel. Motori i kërkimit të referon në rrjetin “Linked-In”, por profili i Tanedit është i fshirë.

Megjithatë, edhe kjo e dhënë indirekte, duket se është e mjaftueshme për të kuptuar skemën dhe për të identifikuar plotësisht personazhet, të cilët, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo indirekte lidhen me interesat financiare që burojnë nga përpunimi i mbetjeve urbane.

Personazhet
Biznesmeni Klodian Zoto është në qendër të kësaj historie. Zoto, nëpërmjet “Integrated Energy”, përfiton koncensionet për ndërtimin e inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë, në kohën kur ish-bashkëpunëtori i tij në kompaninë “Hermes”, Arben Ahmetaj, ishte Ministër i Ekonomisë në qeverinë “Rama 1”.

Koncensionet e përpunimit të mbetjeve u shoqëruan me akuza të shumta publike, sidomos nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përballë akuzave në rritje, afera e inceneratorëve siguroi një avokat të fuqishëm mediatik, televizionin Top Channel, të drejtuar nga administratorja Vjollca Hoxha dhe drejtori i përgjithshëm, Ben Blushi.

Televizioni Top Channel u investua maksimalisht, nën petkun e interesit publik, për të nxitur mbylljen e landfillit të Porto Romanos dhe përcjelljen e mbeturinave të Durrësit drejt landfillit të Tiranës.

Qeveria e Edi Ramës, nëpërmjet një serie aktesh, vendosi që të investojnë 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të Durrësit dhe shndërrimin e tij në Eko-Park. Procedurat e tenderit iu ngarkuan Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve-AKUM-të drejtuar nga Alqi Bllako.

AKUM, nëpërmjet një tenderi tejet të dyshimtë, shpalli fitues bashkimin e operatorëve ‘De Mare”srl dhe “Victoria Invest International”.

Në një raportim të mëparshëm të “Boldnews.al”, u siguruan të dhëna, të cilat konfirmonin një bashkëpunim të vazhdueshëm mes “Energy Integrated” të Klodian Zotos dhe “De Mare” srl, kompani italiane, një prej dy fituesve të tenderit 15 milionë euro për mbylljen e Porto Romanos.

Pas dyshimeve të ngritura në një artikull të “Boldnews.al”, Prokuroria Speciale-SPAK-nisi hetimet për procedurat e tenderit. Nisja e hetimit penal aktivizoi mbrojtjen publike nga ana e Top Channel për “të mirat e mbylljes së Porto Romanos”.

Deri në këtë pikë, dukej se Top Channel, i drejtuar nga dyshja Vjollca Hoxha – Ben Blushi, po ndërmerrte një operacion “PR” (marrëdhënie me publikun) në favor të kompanive të përfshira në biznesin e landfilleve (“Energy Integrated” dhe “De Mare” srl).

Por, disa të dhëna, të dala në dritë së fundmi, krijojnë dyshime të forta se drejtuesit e Top Channel kanë interesa thuajse të drejtëpërdrejta në ecurinë e inceneratorëve. Një rol, në të gjithë këtë histori, duket se i është deleguar edhe drejtorit të AKUM-it, Alqi Bllako, nëpërmjet lidhjeve të tij familjare.

Skema
Pak ditë më parë, media zbuloi se Eva Blushi, bashkëshortja e drejtorit të përgjithshëm të Top Channel, Ben Blushi, ka krijuar një kompani në Bullgari, “EM Capital”, në bashkëpronësi me Klodian Zoton e inceneratorëve.

Në këtë kompani gjendet edhe një emër tjetër, Klodian (Mirel) Mërtiri, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e kompanisë ‘Hermes”, me Zoton dhe Arben Ahmetaj.
Pak kohë pas krijimit, “EM Capital” blen 51% të aksioneve të kompanisë “Valtelina”, e cila njihet me emrin tregtar “Lori Caffe”.

Kompania e kafes, e krijuar vite më parë nga Dritan Hoxha, bashkëshorti i ndjerë i Vjollca Hoxhës, prej dhjetorit 2019, drejtohet në shumicë nga “EM Capital”, pra, nga kompania e Klodian Zotos dhe Eva Blushit.

Nëpërmjet këtij transaksioni, Klodian Zoto hyn zyrtarisht në raporte financiare me Vjollca Hoxhën e Top Channel-it, e cila, gjithësesi, vijon të jetë administratore e “Lori Caffe”, pavarësisht se është në minorancë.

Kjo lidhje biznesi Vjollca Hoxha-Klodian Zoto-Ben Blushi (Eva Blushi) shpjegon aktivitetin e zgjeruar të Top Channel në mbrojtje të inceneratorëve.

Po, ku hyn Alqi Bllako, institucioni i të cilit zhvilloi tenderin e dyshimtë 15 milionë europër mbylljen e Porto Romanos, e në të cilin, një ndër fituesit, “De Mare” srl rezulton të jetë lidhje e fortë e Klodian Zotos?

Vëllai i Alqit, Taned Bllako, sipas profilit të fshirë në rrjetin “Linked-In”, rezulton të jetë një prej drejtuesve kryesorë të kompanisë “Lori Caffe”, e cila prej vitesh ka qenë në pronësi të Vjollca Hoxhës e fëmijëve të saj dhe së fundmi, edhe nën pronësinë e Klodian Zotos së inceneratorëve.

Nga kjo pikë, qarku duket se mbyllet- Klodian Zoto merr inceneratorët; bashkëpunëtori i tij, “De Mare”, nëpërmjet firmës së Alqi Bllakos, merr Porto Romanon; në lojë përfshijnë Top Channel-in, i cili merr përsipër fushatën publicitare; drejtuesit e Top Channel krijojnë aleancë biznesi me Klodian Zoton e inceneratorëve; ndërkohë që vëllai i Alqi Bllakos merr një post të rëndësishëm në kompaninë “Lori Caffe” të Vjollca Hoxhës së Top Channel-it.

Ju krijua një lëmsh i rrëmujshëm? Ky duket se ka qenë qëllimi-për organizatorët e “lëmshit”- skema të jetë sa më e pakuptueshme, mjafton që paratë të mbërrijnë aty ku duhet.