30.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Sherr masiv mes shoferëve në Tiranë, as policia nuk arrin t’i ndajë…

Një përleshje masive ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në zonën e Selitës në Tiranë.

Një aksident i lehtë mes një furgoni dhe një makinë është bërë pasojë e një sherri, mes drejtuesve të dy mjeteve dhe disa personave të tjerë.

Sipas dëshmisë së një qytetari për JOQ, personat që lëviznin me furgon donin të godisnin drejtuesin e makinës.

Përleshja ishte e madhe dhe në fillim kanë ndërhyrë vetëm dy efektivë policie. Sipas dëshmitarit edhe efektivët janë goditur nga personat që ishin në furgon.

Është dashur ndërhyrja e shumë forcave policie që situata të normalizohej.

Qytetari shkruan:
“Te ura e selites. Ishin godit dy makina, nje fugon me kta t zinjt me nje pasat. Dhe kta t zinjt po benin debat e donin t godisnin personin qe i kishte kapur pak fugonin.

Në momentin qe erdhi policia, po i ndante ata filluan t perlesheshin me policin.

Derisa u shtua nr i policeve dhe i kapen sepse n fillim ata e sulmuan picin dy prej tyre vun dor mbi policat”.

Koncesioni i check-up në SPAK. PD 7 akuza për Ilir Beqjen, Ogerta Manastirliun, Vilma Nushin dhe 10 të tjerë

Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kallëzimin penal për koncesionin e check up-it. Duke e konsideruar atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi. Ata ngarkohen me 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Kallzimi penal ka analizuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.

Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. “Sipas provave të administraura rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar”, thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike vihet në dukje, përmes provave, se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit. “Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”-thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, dhe se është provuar shkelje e barazisë në tëndera, si dhe cënimin e interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Skandali pornografik që tronditi Francën, shkaktari një aktor rus?

Ministrja e Shëndetësisë Agnès Buzyn është kandidatja e re e Macronit, që thuhet se po ringjall një fushatë politike që ndaloi papritur të premten. Fushata bëhej për zyrën prestigjioze të Kryetarit të Bashkisë së Parisit. “La République en Marche” (LREM) humbi me Benjamin Griveaux kandidatin: ai dha dorëheqjen për shkak të një video seksi. Një fatkeqësi politike për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në Francë për një muaj.

Video seksi në internet
Ish-politikani socialist Griveaux është një nga besnikët më të afërt të Macronit – i shërbeu atij në fushatën e zgjedhjeve presidenciale dhe më vonë si zëdhënës i qeverisë. Por kandidimi i tij ishte i diskutueshëm në parti. Matematikani eksentrik Cédric Villani, një politikan tjetër i LREM gjithashtu paraqiti pretendimet e tij për Bashkinë e Parisit. Në janar Villani më në fund u përjashtua nga partia për të përmirësuar shanset e Griveaux.


Pra, tani përplasja totale. Ekzistojnë versione të ndryshme për atë që ka ndodhur. E qartë është se në Twitter që nga e enjtja ka qarkulluar një video që tregon një burrë që masturbohet – besohet të jetë Griveaux. Politikani u ankua për një fushatë kundër tij dhe rrethit të tij në kanalin e lajmeve BFMTV të premten: “Për më shumë se një vit, familja ime dhe unë kemi qenë të ekspozuar ndaj deklaratave shpifëse, gënjeshtrave, thashethemeve, sulmeve anonime (…) dhe kërcënimeve me vdekje”. Politikani nuk e mohoi ekzistencën e videos komprometuese. Platforma e zbulimit Médiapart përmend gjithashtu mesazhe delikate në celular për një grua që besohet se nuk është gruaja e tij.

Shkaktari një aktor rus?

Pjotr Pavlenski, një artist i njohur rus, pretendon se ai i ka vënë në qarkullim të dhënat javën e kaluar përmes faqes së mbyllur të internetit Pornopolitique.com. Vitet e fundit, Pawlenski ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen me veprime spektakolare. Ndër të tjera, ai u ul lakuriq para Mausoleumit Lenin në Sheshin e Kuq në Moskë dhe kishte gozhduar organin e tij. Një herë tjetër ai e mbështolli veten me tela. Në protestë kundër udhëheqjes ruse, ai i vuri zjarrin edhe selisë së Shërbimit të Fshehtë të brendshëm, FSB.

Në Francë, ky refugjat nga Rusia shijon azil politik pothuajse saktësisht që nga koha kur Macroni mori detyrën, por ai njeh edhe burgun e Francës. Ai pati vënë zjarr në një degë të Banque de France në Paris.

Kritika e klasës politike
Në Francë ka një debat nëse botimi i pamjeve intime të një politikani duhet të konsiderohet një veprim politik artistik. Për çdo rast, Pawlenski pohon dimensionin politik të videos. Ai kritikon gjoja degjenerimin e politikës në vend.

Griveaux-së i kanë mbërritur deklarata solidariteti nga të gjitha partitë politike. Deri tani, jeta private e një politikani konsiderohej tabu në Francë, por me internetin kjo ka ndryshuar. Gazetarët, të cilët në të kaluarën ishin të informuar mirë për aferat e panumërta të politikanëve të rangut të lartë – dhe nuk flisin – tani e kanë humbur funksionin e tyre si bllokues të mendimit të botuar.

Griveaux tani konsiderohet politikani i parë në Francë që rrëzohet nga një aferë jashtëmartesore. Fakti që 42-vjeçari dërgon video seksi në internet, thuhet më tej në debatin në Francë, hedh një dritë të keqe ndaj të besuarit të Macronit.

Zgjedhje delikate
Për Presidentin, ndryshimi i stafit të Parisit vjen jo mbarë një muaj para zgjedhjeve lokale. Të qeverisësh kryeqytetin jo vetëm konsiderohet veçanërisht prestigjioze në Francë, por pikërisht në Paris LREM ka pasur edhe kuotat më të larta të mbështetjes në të kaluarën.

Por kandidatura gjithsesi nuk dukej e suksesshme, edhe para publikimit të videos. Në sondazhet e fundit, Griveaux u rendit i treti pas socialistes dhe mbajtëses së postit Anne Hidalgo dhe konservatores Rachida Dati – pa perspektivë për fitore.

dhe në qytetet e tjera të mëdha, ka një riforcim të partive tradicionale, me kuadro të sprovuar politike. Lëvizja e Macronit, e cila fillimisht tërhoqi shumë të porsaardhur në politikë, ka humbur qartë vrullin si parti në pushtet – dhe padyshim është e vështirë për t’u kontrolluar si parti. Në 16 nga 60 qytetet më të mëdha të Francës, kandidojnë disidentë të En Marche kundër kandidatëve zyrtarë të partisë. Për më tepër, daljet nga partia dhe kalimi të parti të tjera janë në rritje. Pasojat e protestave të jelekverdhëve dhe të reformës së pensioneve bëjnë pjesën tjetër. Për 58-vjeçaren Agnès Buzyn, sukses do të konsiderohet po të dalë me dinjitet në mars nga fushata. /DW

Naftëtarët në ditën e dytë të grevës së urisë, paralajmërojnë qeverinë! (Video)

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në grevë urie që prej mesditës së djeshme. Gazetarja e Abc Neës, Valbona Davidhi raporton live nga vendi ku janë ngujuar naftëtarët. Ajo shprehet se janë 10 naftëtarë në grevë urie, ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë protestën jashtë dyerve të rafinerisë së naftës në Ballsh. Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar prej ditësh për pagat e prapambetura, dhe pasi nuk gjetën zgjidhje vendosën të futen në grevë urie pa afat.

Para se të niste greva e urisë, naftëtarët takuan përfaqësues të kompanisë, por nuk kanë rënë dakord për pagat e prapambetura. Pra kompania nuk ka pranuar të paguajë pagat e prapamebtura të këtyre naftëtarëve.

Janë rreth 1000 mijë familje në Ballsh që sigurojnë të ardhurat nga puna në uzinën e naftës, të cilët janë në vështirësi ekonomike për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme në menaxhimin e rafinerisë.

Bankers nuk furnizon uzinën me naftë bruto
Gazetarja Valbona Davidhi që ka ndjekur nga afër këtë problematikë, tha se puna në rafineri ka ndalur në muajin tetor.

Naftëtarët janë 3 muaj të papaguar, por ndërkohë siguracionet për ta nuk janë derdhur nga kompania prej 18 muajsh.

“Është konfuzion për pagesat e sigurimeve se ndërkohë që ata mendonin se ishin duke u siguruar, rezultoi se nuk ishin derdhur sigurimet. Ndalesa e punës në uzinë ishte e paralajmëruar nga vetë administratotët e fundit që kishin dhënë sinjale se kishin mungesë të furnizimit me naftë bruto që është ekskluzivitet i Bankers. Ata u ankuan tek Autoriteti i Konkurencës, uzina u rivendos në punë, por më pas duket se problemi ishte për çmimin e naftës duke çuar sërish në mosfurnizimin e uzinës nga Bankers”, tha gazetarja e abcnews.al.

Kaos në Greqi, transporti publik paralizohet nga greva e sindikatave

Grevë e përgjithshme sot në Greqi. Paralizohet krejtësisht transporti publik në Athinë, linjat e trenit ndërsa anijet janë të bllokuara në porte. Protesta të shumta nga sindikatat e punëtorëve të sektorëve të ndryshëm, përfshi nëpunësit bashkiak dhe gazetarët, në Athinë, Selanik e qendra të mëdha të vendit.

Sindikatat reagojnë kundër reformave në skemat pensionale të projektligjit të ri për sigurimet shoqërore, të ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Janis Vruçis.

Përveç dispozitave të tjera, në projektligj parashikohet dhe përjashtim nga pensioni shtetëror nëse nuk plotëson 40 vite i ligjshëm në Greqi, duke zvogëluar shumën mujore për emigrantët shqiptarë dhe minoritarët, pavarësisht se plotësojnë kontributet e viteve të kërkuara të punës dhe moshën për pension.

Anija e koronavirusit/ SHBA thyen karantinën, nxjerr jashtë shtetasit amerikanë

YOKOHAMA, JAPAN - FEBRUARY 10: A member of the media wearing a face mask walks past the Diamond Princess cruise ship at Daikoku Pier where it is being resupplied and newly diagnosed coronavirus cases taken for treatment as it remains in quarantine after a number of the 3,700 people on board were diagnosed with coronavirus, on February 10, 2020 in Yokohama, Japan. 70 passengers are now confirmed to be infected with coronavirus as Japanese authorities continue treating people on board. The new cases bring the total number of confirmed infections to 96 in Japan, the largest number outside of China. (Photo by Carl Court/Getty Images)

Amerikanët ndërhynë duke marrë nga kroçiera Diamond Princess mbi 300 qytetarë amerikanë, duke thyer kështu karantinën e vendosur për shkak të koronavirusit. Anija është kthyer në një vatër infeksioni. Në total aty janë regjistruar 454 raste me koronavirus, numri më i lartë i rasteve jashtë Kinës.

Një zyrtar i lartë amerikan ka shpjeguar se përse ata u detyruan të ndërhyjnë duke thyer karantinën e vendosur mbi kroçieren e ankoruar në brigjet japoneze.

Anthony Fauci tha se karantina e vendosur në këtë anije kishte dështuar sipas tij, ideja për të mbajtur njerëzit në karantinë në anije nuk ishte diçka e arsyeshme. Edhe pse ishin në karantinë, virusi po shpërndahej frikshëm.

Çdo orë, pesë persona prekeshin nga sëmundja.
Pas amerikanëve pritet që edhe të tjera shtete të ndërhyjnë për të marrë personat me kombësinë e tyre, që ndodhen prej shumë ditësh në bordin e anijes.

Prej kohësh, kroçierat njihen si vatra infeksionesh. Por a janë këto akuza të vërteta? A shpërndahen viruset më lehtë në kroçiere?
Ka një rrezik të shtuar për sëmundje respiratore dhe gastrointenstinale në anije, thotë profesor Sanjaya Senanayake, një specialist sëmundjesh infektive nga Universiteti Kombëtar Australian.

“Në përgjithësi janë pasagjerë dhe ekuipazh nga vende të ndryshme të botës, që bëhen bashkë në mënyrë intime dhe intensive për një kohë të shkurtër,” shton ai.
“Të gjithë kanë nivele të ndryshme imuniteti dhe kështu krijohet terreni për shpërthim të infeksionit”.

Koronavirusi, që shpërndahet përmes pikave siç është mukoza dhe pështyma, mund të bëjë që njerëzit të infektohen pa kontakt të drejtpërdrejtë me mbajtësin.
“Nëse dikush teshtin në tavolinë dhe më pas dikush tjetër e prek atë menjëherë, kjo mund të sjellë infeksion”.

Sidoqoftë, Stewart Chiron, një ekspert i kroçiereve, thotë se realiteti në bordin e këtyre anijeve është i ndryshëm nga perceptimi. “Kështu, njerëzit mendojnë se kur merrni ushqimin, prisni në radhë dhe ka shumë ndërveprim dhe kontakt”.

Por Chiron, që ka qenë në bordin e mbi 250 kroçierave, thotë se kjo nuk është e vërtetë për kompanitë e mëdha. “Ka stacione të posaçme, nëse do vezë, shkon te stacioni i vezëve ku të pret një anëtar i ekuipazhit me doreza në dorë. Çështja është se rrallë pret në radhë dhe jo gjithkush e kalon ushqimin me dorë”.

Por nëse ndërveprimi i pasagjerëve është minimizuar, me ekuipazhin është tjetër histori. Në rastin e Diamond Princess, të paktën 10 anëtarë të ekuipazhit janë mes të prekurve. Ata jetojnë dhe punojnë ngjitur me njëri-tjetrin.

Por si kufizohen rreziqet?
Chiron thotë se kroçieret kanë rregullta të rrepta pastrimi dhe kontrolli.
Sëmundja më e përhapur në kroçiere është norovirusi, që sjell të vjella dhe transmetohet përmes ujit ose ushqimit të kontaminuar. Kroçierat kanë rregullore të rrepta për rastet me norovirus.

Por a po e vuan industria këtë problem?
Ajo sigurisht që do të marrë një goditje, por këto raste nuk do i ndalojnë njerëzit që të udhëtojnë me kroçiere, thotë Chiron. Sipas tij, njerëzit janë të shqetësuar, por jo aq sa mendohet. “Kudo tjetër përveçse zonës së Kinës, anijet janë plot”.

Urbani përplaset me makinën e policisë, tre gra të plagosura

Një autobus i linjës “Tirana e Re” në kryeqytet është përplasur me një mjet të Policisë Rrugore mëngjesin e sotëm.

Aksidenti është regjistruar rreth orës 07:25, në rrugën “Dritan Hoxha”.

Si pasojë e përplasjes dhe frenimit të menjëhershëm të autobusit kanë mbetur të dëmtuar tre pasagjere në autobus, F.D 53 vjeçe, S.GJ, 65 vjeçe dhe V.M 48 vjeçe.

Të aksidentuarat janë transportuar për në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

U kërcënuan me gjoba/ Kompanitë celulare, ulin çmimet e paketave mujore me 200 lekë

Të tre kompanitë celulare kanë ulur me 200 lekë paketat standarde duke iu rikthyer çmimeve, që kishin para vendimit të Autoritetit të Konkurrencës. të tre operatorët, Kompania Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom konfirmuan për Monitor se kanë reaguar menjëherë duke rikthyer çmimet e paketave.

Në këtë mënyrë të tre kompanitë celulare kanë zbatuar vendimin nr.680, datë 14.02.2020 të Komisionit të Konkurrencës “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare”.

Ky vendim u mor të premten, bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 9121/2003, referuar sjelljes së ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, pasi Konkurrenca vlerësoi rastin si urgjent, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4, që parashikon marrëveshjet e ndaluara, kartel.

Lidhur me këtë, Autoriteti vendosi që kompanitë të bëjnë ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.

Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore. Konkurrenca paralajmëroi se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003 dhe me gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore.

Këto masa kanë sjellë reagimin e menjëhershëm Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom që të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, germa b) të ligjit nr. 9121/2003 duke shmangur në këtë mënyrë gjobat ditore.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës me një tjetër vendim, nr.679, datë 14.02.2020 ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, që do të përfshijë periudhën nga 1 nëntori 2019 deri më 31 mars 2020.

Nga monitorimi i Monitor çmimet u rritën me 200 lekë sipas datave më 30 janar për Albtelekom, 5 shkurt për Telekom dhe 11 shkurt për Vodafone por që janë rikthyer sot 17 shkurt në vlerat që kishin para rritjes, pra janë ulur me 200 lekë.
Rritja e çmimeve të operatorëve u denoncua nga mediat dhe nga LSI.

Fotot e kreut të grupit që rrëmbeu Jan Prengën, 5 herë ka ndryshuar mbiemrin

Aktualisht në kërkim, Gentian Doçi konsiderohet nga policia shqiptare si koka e organizatës kriminale, e cila realizoi pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës në Kamëz në datën 17 janar të këtij viti.

I konsideruar si një eksponent i krimit të organizuar dhe në kërkim ndërkombëtar, pamjen dhe indentitetin e Gentian Doçit e njohin pak persona. Sot gazeta “Si” ka publikuar për herë të parë një fotografi të Doçit.

“Ai dyshohet të ketë ndryshuar së paku pesë mbiemra dhe së fundmi ka marrë mbiemrin Funoqi, që mendohet se është mbiemri i vajzërisë së mamasë së tij”, tha një ekspert i hetimit të krimit të organizuar.

“Besohet se Gentjan Doçi vazhdon të fshihet në Shqipëri, diku në zonën e Dukagjinit dhe mendohet që ai ka lidhje edhe me njerëz të policisë. Por kjo mbetet për t’u konfirmuar”, shtoi një tjetër burim i gazetës “Si”.

Dyshimet hidhen pas të dhënave operative që tregojnë se 38-vjeçari vazhdonte të jetonte i qetë në supervilën e tij në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, edhe pse “kokën” e tij e kërkonte edhe Italia.

Gentian Doçi mendohet të jetë një nga drejtuesit e një rrjeti trafiku droge, që ka influencë në vendet e Evropës. I quajtur si Grupi i Dukagjinit, emri i këtij rrjeti doli në skenë pas rrëmbimit të Jan Prengës. Ai shfaqet në datën 17 janar 2020, teksa konsumon kafe me bashkëshorten dhe ndërkohë në distancë, një person monitoron lëvizjet e tij.

Kryemadhi: 880 milionë euro janë kredi, do t’i paguajnë shqiptarët. Duhet monitorim…

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha sot se, konferenca e donatorëve tregoi se s’ka asnjë paragjykim ndaj shqiptarëve. Kryemadhi kërkoi nga qeveria që të tregojë përgjegjshmëri, ndërsa shtoi se për shtëpitë e shqiptarëve do të shkojnë 265 mln euro.

“Banesat e tyre duhet të ndërtohen sa më shpejt, në mënyrë që shqiptarët e prekur nga tërmeti dhe të mbetur pa shtëpi, të futen brenda pranverës së 2020”, tha Kryemadhi.

Sipas saj, diferenca me mbi 880 mln euro është në formën e borxhit që do t’i paguajnë shqiptarët.
Në këtë kuadër ajo propozoi një komision monitorimi për mënyrën se si do të përdoren këto fonde.

“SHBA deklaroi se do të themelojë një akademi transparence, gjë që tregon shumë qartë atë që është shumë e rëndësishme, që paratë nuk shkojnë atje ku kanë nevojë shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Sipas kryetares së LSI-së, kjo qeveri është e paaftë për të qeverisur vendin.

“Ne do jemi të gatshëm dhe vigjilentë për të ndjekur çdo projekt për rindërtimin e shtëpiave e shkollave e çerdheve, kisha e xhamie, që janë objekte në shërbim të qytetarëve dhe do ndjekim nëse kjo qeveri këto para që Europa ja dha shqiptarëve, do i përdorë për fluturime luksoze, zyra luksoze apo investimet e tyre të luksit të administratës.

Ndaj është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi të pavarur me ekspertë që do bëjnë monitorimin e të gjithë këtij projekti se ajo që është e rëndësishme është se besimi i shqiptarëve tek kjo qeverisje ka humbur.

Qeveria ka treguar se është e paaaftë për të qeverisur buxhetin për shqiptarëve, nuk ka krijuar vende pune, por ka mbyllur vende pune”, tha Kryemadhi.