25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Naftëtarët ultimatum qeverisë: Nëse nuk na ktheni përgjigje sot, do të futemi në grevë urie

Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë dalë edhe ditën e sotme në protestë ndërsa institucionet shtetërore kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë krizës së tyre financiare pasi prej 6 muajsh nuk kanë marrë pagat.

Ata janë vendosur përballë derës së uzinës, ndërsa njëri prej tyre ka folur për Fax News.

Ai tha se problemi me pagat dhe kushtet e punonjësve kanë nisur që kur uzina i privatizua, ndërsa ka kërkuar vëmendjen e ministrisë së Energjitikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit Edi Rama, në të kundërt nëse nuk ka reagim, që prej ditës së sotme tha ai, do të futen në grevë urie.

“Ndodhemi përpara portës së uzinës duke marrë shkas edhe nga dinamika e ngjarjeve që kanë ndodhur, ka 6 muaj që nuk marrim rrogat. Nuk ka asnjë reagim, ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin sa më shpejt të punës.

Jemi shkëputur nga puna prej pak ditësh, kemi kaluar me një pagë minimale për shkak të problemve të firmës, na kanë thënë se e gjithë pengesa është nga autoriteti i konkurencës dhe disa firma që po pengojnë procedurat. Ne jemi punëtorë, nuk na interesojnë takimet e drejtuesve, ne jemi në krizë financiare. Nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi apo zhvillimi nga pala e qeverisë apo firmës kontraktuese, siç po ndodh me punonjësit e nënstacionit elektrik në Poçem.

Në radhë të parë duhet të reagojë Ministria e Energjitikës, Ruçi dhe Edi Rama. Kaluan deri në 2 vjet që kjo firmë pret mërrëdhëniet me punëtorët. Ai punëtor që punon në Ballsh është kryefamiljar, e vetmja e ardhur financiare për familjet. Të gjithë jemi me arsim profesional që kemi mbaruar shkollën për të punuar këtu. Ne do të lëvizim të gjithë gurët.

Sot nëse nuk do të marrim përgjigje do të futemi në grevë urie. Përderisa nuk kemi marrë asnjë përgjigje, vendimi ekstrem i yni është greva e urisë. Shpresoj të marrim një zgjidhje të shpejtë për këtë komunitet që është më i rregullti në Shqipëri në lidhje me taksimet që i bëjnë shtetit, ndaj edhe shteti duhet të jetë i vëmendshëm ndaj tyre. Jemi një komunitet prej 35 mijë banorësh siç është Mallakastra që varemi nga kjo uzinë.

Konferenca e donatorëve/ BE nuk ka besim tek Rama për menaxhimin e fondeve për tërmetin

Gazetarja Erisa Zykaj, në një lidhje direkte për “Abc-ja e mëngjesit” ka dhënë detaje rreth Konferencës së Donatorëve që do të mbahet sot. Fillimisht gazetarja u ndal tek samiti joformal i liderve të Ballkanit me Presidentin e Këshillit Europian, që mbajt dje në Bruksel.
Siç tha Zykaj, dje ndodhi një situatë paradoksale për të cilën gazetarja pyeti edhe kryeministrin Rama pas përfundimit të samitit. Maqedonia, vendi për të cilin nuk ka asnjë lloj dyshimi, u prezantua në Bruksel me lajme të mira, por kjo nuk ndodhi me Shqipërinë.

“Dje jemi ndodhur në një situatë pothuajse paradoksale, imagjinoni një vend si Maqedonia, vendi për të cilin nuk kas asnjë lloj dyshimi dhe i ka përmbushur të gjithë kriteret, vjen dhe thotë se ne kemi një ditë të madhe për vendin se kemi plotësuar atë që kishte të bënte me Prokurorinë.

Dhe vendi si Shqipëria, që shumica e vendeve anëtare kanë dyshime, nuk prezanton asnjë lloj lajmi lidhur me reformat në vend. Për kryeministrin e rëndëisshme është që ai të marrë dhe të japë. Kjo është paradoksale”, tha ajo

Më tej Zykaj u ndal tek çështja e fondeve për pasojat e tërmetit, ku thekson se ka një lloj dyshimi nga KE për mënyrën e menaxhimit nga qeveria shqiptare.

“KE ende nuk caktuar një shumë të rëndësishme. Ne kemi 15 milionë euro dhe jam e habitur që KE nuk ka dhënë më shumë. Ndoshta sot do ketë ndonjë ndryshim. Këtu të krijohet përshtypja se ka një dyshim nga KE për menaxhimin e fondeve nga qeveria shqiptare.

Kur unë kam pyetur për menaxhimin dhe për dyshimin që mund të kenë, sepse dihet që Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë, më kanë thënë se nuk do jetë një çek i bardhë. Nuk është se ne do na e japim këtë shumë që ta përdorin si të duan. Do ketë një faturë dhe pastaj ajo do të paguhet. Nuk do jenë para që do jepen në mënyrë të drejpërdrejtë në duart e qeverisë”, tha gazetarja.

Banorët e Unazës së Re, në rrugë për t’u përballur me fadromat, reagimi i ish-deputetit

Banorët e Unazës së Re dolën që në orët e para të mëngjesit në rrugë për t’u përballur me fadromat që ishin paralajmëruar se do të mbërrinin për të prishur disa biznese dhe banesa në kuadër të projektit për vijimin e segmentit rrugor. Ndërsa ata ishin lajmëruar që të enjten e kaluar për lirimin e pronave deri mëngjesin e sotëm, inspektorët dhe mjetet e rënda nuk kanë mbërritur, ndërsa banorët janë shprehur se siç kanë qëndruar gjithë natën e kaluar në monitorim, kanë për të vijuar ende ta bëjnë, duke argumentuar se ‘ata vijnë kur s’e presin’.

Në protestën e tyre ka marrë pjesë edhe ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu i cili ripërmendi zotimet se Partia Demokratike do t’i qëndrojë kontratës që ka lidhur me banorët duke theksuar se me të ardhur në pushtet, do të bëjë kompensimin 100% të pronave.

Ai paralajmëroi mazhorancën dhe institucionet që kanë nën kompetencë këtë projekt, se do të përballen me përgjegjësitë ligjore për dhunën dhe terrorin që kanë ushtruar mbi banorët, përveç akuzave të tjera për afera korruptive.

“Banorët dua t’i siguroj se PD nuk tërhiqet në asnjë pikë në atë kontratë të nënshkruar me banorët e Unazës së Re, të cilët janë përballur çdo ditë deri me dhunën e policisë dhe të shtetit, që kanë marrë zvarrë zonjat dhe burrat e tyre në mënyrën me të shëmtuar. Nuk do të ndalojmë së kërkuari drejtësi për banorët e Unazës. Ata që do të vijnë tek këta që kanë paguar taksa për 30 vite, dua t’ju them se do të mbahet përgjegjësi. Qytetarët të jenë të qetë, këto fjalë do t’i themi edhe kur të jemi në pushtet dhe do të japim ndaj tyre atë që meritojnë”, tha Balliu.

Presidenti Ilir Meta pas pak në konferencë të jashtëzakonshme për…

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka njoftuar te mbaje një konferencë të jashtëzakonshme. Sipas nje njoftimi te dhene nga Presidenca, kreu i shtetit do te dale para mediave ne oren 11:30.

Deri tani nuk ka ende te dhena rreth qellimit te mbajtjes se kesaj konference, qe eshte cilesuar e jashtezakonshme.

Rama e pranon vetë, “Mini-Shengeni” i tij dhe i Vuçiç, nuk ka mbështetjen e BE-së

Në fjalën e mbajtur pas tryezës së organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në Bruksel, kryeministri Edi Rama i ka mëshuar sërish projektit të “Mini-Shengenit ballkanik”, por për herë të parë ai ka pranuar se për këtë nismë që ka nisur së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende nuk kanë dakordësinë e Bashkimit Europian.

Ai ka folur edhe për ngatërrestarë në rajon dhe në Europë, të cilët sipas tij po pengojnë projektin e ngjizur në Beograd, ku edhe ishte parashikuar që të firmosej në ditë e fundit të vitit të shkuar, por për arsye që ende nuk janë mësuar nuk ndodhi

“Unë jam i bindur që, më herët se vonë, BE, KE do ta mbështesin patjetër këtë vizion se s’ka si të ndodhë ndryshe derisa është një vizion që merr spunto nga 4 liritë e vetë Bashkimit Europian, por, sigurisht, që do të na duhet që të kemi pak durim, sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe në Europë, kudo,

kështu që, ndërkohë që BE, KiE, KE kanë shumë probleme të tjera dhe kanë shumë e shumë halle të tjera, kështu që derisa të kenë plotësisht fokus mbi këtë që ne duam të bëjmë, jam i bindur që gjithçka do të kthjellohet dhe pastaj jo vetëm që BE do ta mbështesë fuqimisht, por kam bindjen që vendet do vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe kapaciteteve për të jetësuar hapësirën europiane brenda perimetrit të Shengenit rajonal”, ka zbuluar ai për herë të parë skepticizmin e BE, KiE dhe KE për këtë projekt të shumëpërfolur.

Në deklaratat e mëparshme Rama ka thënë, se kjo nismë ka edhe miratimin e BE-së dhe SHBA-së, por deri më tani asnjë deklaratë serioze në mbështetje të të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” nuk ka dalë nga kancelaritë përkatëse.

Basha: Sot në opozitë e nesër në qeverisje, Kosova dhe aspirata e integrimit, misioni ynë i madh!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ururar 12-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Basha shkruan në mesazhin e tij se, “sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh”.

Urimi i kryetarit Basha

Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës!

Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit.

Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.

Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjeherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Gëzuar Kosovë!

A refuzoi vërtet Grennell të takohet me Kurtin? Zyra e Kryeministrit të Kosovës sqaron kë takoi

Zyra e Kryeministrit i ka mohuar raportimet se kryeministri i vendit, Albin Kurti është refuzuar nga ambasadori Richard Grenell, pasi ka kërkuar të takohet me të.

Arianit Beqiri nga Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti nuk ka kërkuar takim me ambasadorin Grenell me të cilin është takuar dy herë më herët.

“Kryeministri Kurti sot ka takuar Philip Reeker nga Departamenti i Shtetit dhe senatorin Ron Johnson. Ai nuk ka kërkuar takim me ambasadorin Grenell me të cilin është takuar dy herë më herët”, ka shkruar Beqiri në Facebook.

Sot gjatë ditës në media u raportua se kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kërkuar që të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo dhe ambasadorin Richard Grenell, por është refuzuar për shkak të deklaratave të tij lidhur me dy marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe insistimit për tarifa ose reciprocitet.

Cili ishte lajmi që u përgënjështrua?
Burime të Gazetës Express nga konferenca e mbajtur në Munich tregojnë për mënyrën se si dyert e Kurtit u mbyllën nga aleati kryesor i Kosovës. Pompeo dhe Grenell refuzuan ta takojnë. Për më tepër, burimet thanë se asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk do të takohet me Kurtin pa e hequr tarifën për mallrat serbe.

Albin Kurti realizoi dje një performacë të bukur në Aeroportin e Prishtinës, kur udhëtoi për Munich me “economy class” apo kur e la në Sllatinë eskortën policore që e shoqëronte.

Por, në Munich, duket se nuk i kanë ecur gjërat ashtu siç ka dëshiruar. Sidmos jo me dy amerikanët e fuqishëm që gjenden atje, Mike Pompeo, sekretar amerikan i shtetit, dhe Richard Grenell, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani.

Përderisa Kryeministri Kurti dhe Shefi i Diplomacisë Konjufca endeshin nëpër aeroporte, Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuqiç, u shfaqën në ceremoninë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të radhës, nën ndërmjetësimin e Ambasadorit Grenell.

Formalisht, nga Qeveria aty ishin dy shërbyes civilë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Dhe Albin Kurti duket se nuk dinte asgjë për këtë marrëveshje.

Ai heshti deri në mbrëmje, por në Konferencën e Sigurisë në Munich, ai i kundërshtoi ato, kurse publikisht këtë e bëri në mbrëmje përmes një postimi në Facebook dhe me gjuhë të kujdesshme, deri diku.

“Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë.

Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër, as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, u shpreh Kurti.

E kjo nuk u ka pëlqyer aspak amerikanëve.
Burime të larta të Gazetës Express nga Konferenca e Sigurisë në Munich thanë se qëndrimi prolongues i Kurtit për tarifën e tash edhe kundërshtimi i dy marrëveshjeve të arritura me Serbinë janë të papranueshme për Uashingtonin.

Si rrjedhojë, këtë pakënaqësi ata ia kanë bërë të qartë Kryeministrit Kosovar dje – menjëherë.
Sipas të njëjtave burime, Kurti ka kërkuar dje që të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompou, dhe ambasadorin Richard Grenell, por përgjigjja e tyre ka qenë e prerë.
“Jo. Kaq”, ka treguar burimi i Gazetës Express.

Sipas këtyre burimeve, me deklaratat e tij të fundit për dy marrëveshjet e arritura me Serbinë, me insistimin e tij për tarifa ose reciprocitet, Kryeministri Kurti është futur në një kurs të konfrontimit direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Askush nuk mund ta minojë procesin e dialogut”, thanë burimet e Gazetës Express.
Madje, sipas tyre, ambasadori Grenell dhe asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk do ta takojë Kurtin pa e hequr tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.

“Askush nga zyrtarët e lartë amerikanë nuk do ta takojnë Kurtin derisa ai ta heqë taksën. Kurti do të takohet me zyrtarë të rangut me të ultë”, ka thënë ky burim i gazetës.

Ndërkohë që Albin Kurti e kundërshtoi marrëveshjen e arritur me Serbinë, partnerja e tij në Qeveri, LDK-ja, e përshëndeti atë.

Madje, sot në Munich, zëvendësi i Kurtit, Avdullah Hoti, e takoi Ambasadorin Grenell, ndërkohë që i njëjti ka refuzuar dje që të takohet me Shefin e Hotit, Albin Kurtin.

“Sot takova Ambasadorin Grenell dhe zyrtarë te tjerë të ShBA-ve. Diskutuam për proceset e rëndësishme me të cilat duhet të merremi menjëherë si Qeveri e re”, tha Hoti përmes një postimi në Facebook.

“E sigurova se ne do te jemi partner i besueshëm në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tonë Serbine, me qëllimin final njohjen reciproke. E sigurova se Qeveria e re nuk do të ikë nga përgjegjësitë e saj ne këtë proces, dhe se jemi plotësisht të përkushtuar për të bërë progres”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë një dinamikë të jashtëzakonshme pasi që Presidenti Trump emëroi të dërguar të tij në këtë proces, ambasadorin Grenell. Deri më tash, janë arritur tri marrëveshje e duket se edhe të tjera janë në proces e sipër.

Albin Kurti nuk duket të jetë i përgatitur për një dinamikë të tillë në dialog. Kryeministri kishte thënë se fillimisht duhet të shqyrtohen marrëveshjet e arritura deri më tash e madje mbrëmë, në një intervistë për REL-in, tha se dialogu mund të nisë tek pasi që Serbia ta ketë qeverinë e re, pas zgjedhjeve të prillit.

Kurse, në një panel diskutimi, Kurti tha se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, nuk mund të ketë bisedime me harta e as nuk mund të ketë harta në tavolinë, kur andej sillen presidentët.

Pentagoni: Pekini përbën kërcënimin më të madh për Perëndimin, Rusia…

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha sot (të shtunën) se Kina kryeson listën e kundërshtarëve potencialë të Pentagonit. Duke folur në konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, zoti Esper tha se Pekini përbën kërcënimin më të madh për Perëndimin, ndjekur nga Rusia, nga ata që ai i quajti “si shtete pa parime” si Koreja e Veriut dhe Irani si dhe grupet ekstremiste.

“Në fakt, nën sundimin e Presidentit Xi, Partia Komuniste Kineze po shkon edhe më shpejt në drejtim të gabuar. Ka më shumë shtypje të brendshme, praktika ekonomike të paskrupullta, më të ashpra dhe më shqetësuese e një sjellje ushtarake më agresive”, tha të shtunën zoti Esper përpara një udhëheqësve botërorë dhe drejtuesve ushtarakë.

Paralajmërimeve të tij u bëri jehonë edhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili shënjestroi kompaninë kineze të teknologjisë “Huawei”.

“Huawei dhe kompani të tjera të teknologjisë të mbështetura nga kinezët janë “kuajt e trojës” për agjencitë kineze të zbulimit”, tha zoti Pompeo.

“Ne nuk mund të lejojmë që informacioni të kalojë përmes rrjeteve tek të cilat ne nuk kemi besim dhe që mund të përfundonin nën kontrollin e paligjshëm të Partisë Komuniste kineze. Është thjesht e papranueshme”, tha ai.

Aleati kryesor i SHBA-së, Britania njoftoi kohët e fundit se do të lejojë Huawei të ndërtojë pjesë të rrjetit të tij celular 5G, një vendim që ka zhgënjyer Uashingtonin.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo theksoi gjithashtu rolin botëror të SHBA-së dhe tha se idealet e vlerat e Perëndimit do të mbizotërojnë.

“Jam i lumtur të njoftoj se ajo që u quajt si vdekja e aleancës transatlantike është ekzagjeruar rëndë. Perëndimi po fiton dhe ne po fitojmë së bashku. Kombet e lira janë thjesht më të suksesshme se çdo model tjetër i provuar në historinë e civilizimit.

Qeveritë tona respektojnë të drejtat themelore të njeriut, ato nxisin mirëqënien ekonomike dhe na mbajnë të gjithëve të sigurt”, tha ai.
Fjalimi i zotit Pompeo ishte pjesërisht një përgjigje ndaj fjalimit që mbajti një ditë më parë Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën se po shkaktonin mosbesim botëror.

Në konferencën e Mynihut ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi. Ai tha se akuzat amerikane për “Huawei” ishin gënjeshtra.

“Shkaku kryesor i të gjitha këtyre problemeve është se SHBA nuk dëshiron të shohë zhvillimin e shpejtë dhe përtërirjen e Kinës dhe aq më pak dëshiron të pranojnë suksesin e një vendi socialist”, tha zoti ai.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohamed Javad Zarif foli gjithashtu në konferencë. Ai u pyet në lidhje me kundërpërgjigjen e Teheranit ndaj vrasjes në janar të gjeneralit të lartë Qassem Soleimani.

Zoti Zarif tha që vendi i tij ishte gati për bisedime. “Nuk ka të bëjë me hapjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, por për t’i sjellë Shtetet e Bashkuara përsëri në një tryezë bisedimesh që është aty tashmë”, tha ai.

Ekspertët dhe analistët që ndoqën konferencën theksuan se është e nevojshme që aftësitë e mbrojtjes perëndimore të përshtaten me kërcënimet moderne.

Fjalimi i Kurtit në Mynih që irritoi Ramën, Thaçin e Vuçiç: Shkëmbimi i territoreve dështoi, tani…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e Sigurisë që po mbahet në Munih të Gjermanisë, ka thënë se ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.

Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë por se duhet të jetë parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar

1) nuk ka marrëveshje pa dialog, 2) nuk ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave.
“Unë besoj se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian janë shumë të rëndësishme për njëra-tjetrën.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE-ja dhe ne kemi nevojë për ndihmën e BE-së në fushën e drejtësisë dhe krijimit të vendeve të punës. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është e rëndësisë së madhe për demokratizimin e vendit”.

“Ne besojmë se BE mund të na ndihmojë me eksperiencën e saj e posaçërisht Gjermania. Ne e konsiderojmë si ngjarje shumë fatkeqe deklarimin e presidentit Junker në vitin 2014, kur ai tha se nuk do të ketë zgjerim të BE-së sepse kjo solli tri rreziqe të mëdha.

Dy përpjekje puqesh: Njëri në Mal të Zi dhe tjetri në Maqedoni dhe gjithashtu projektin për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dështuan”.

“Ne i kemi pasur këto tri rreziqe për shkak të mungesës së vizionit për zgjerimin e BE-së. Unë e kuptoj se reformat janë të nevojshme, por ato janë të nevojshme edhe përbrenda BE-së. Unë besoj se Ballkani Perëndimor duhet t’i bashkohet BE-së në të njëjtën kohë, nuk ka mënyrë tjetër”.

Kurti ka shtuar se duhet të punohet në atë drejtim që gjashtë shtetet e Ballkanit t’i bashkohen BE-së në të njëjtën kohë.

“Kjo ideja e Mini-Shengenit nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë”.

“Njëjtë sikurse Plani Marshall, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një Mini-Marshall Plan për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar.

Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 1) s’ka marrëveshje pa dialog, 2) s’ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave”.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”.

Shkencëtari paralajmëron shifrën e frikshme nëse coronavirusi mbërrin në Britani

Një shkencëtar anglez i cili kryeson luftën kundër koronavirusit, ka bërë një deklaratë alarmante, duke pranuar se parashikimi i 400 mijë vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar, si pasojë e koronavirust “nuk është aspak një absurd”.

Profesori Neil Ferguson, nga Shkolla e Shëndetit Publik në Imperial College London, u shpreh se nuk parashikon dot me saktësi një numër të tillë vdekjesh, por ai paralajmëron se një gjë e tillë “është e mundur”.

Daily Mail raporton se kërkimet dhe studimet paraprake për këtë virus, tregojnë se deri 60% e popullsisë britanike mund të preket nga virusi i shfaqur fillimisht në Wuhan të Kinës.

Profesori Ferguson tha se “Sipas përllogaritjeve tona në këtë moment, ndoshta vetëm 1% e personave të infektuar mund të vdesin”.

Mediat britanike kanë zbuluar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po punon duke patur parasysh, se gjysma e popullësisë mund të infektohet nga virusi, i cili pritet të mbërrijë në çdo cep të Britanisë, brenda pak muajsh.

Deklaratat e Profesorit Ferguson, janë vërtet shqetësuese dhe është e qartë se jo vetëm Mbretëria e Bashkuar, por e gjithë Europa do të jetë mjaft e rrezikuar nga Koronavirusi në muajt në vijim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka shpallur koronavirusin dhe përhapjen e tij, një emergjencë globale.

OBSH e konsideron këtë virus mjaft shqetësues, duke e përshkruar përhapjen e tij si ” të paprecedentë”.

“Arsyeja kryesore nuk lidhet me atë që po ndodh në Kinë, por me çfarë po ndodh në vendet e tjera“, u shpreh shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Kjo do të thotë, se OBSH i frikësohet mungesës së kapacitetit për përballimin e virusit në vendet më pak të zhvilluar.

Në Shqipëri, autoritetet e kanë konsideruar probabilitetin e infektimit të popullatës mjaft të ulët, megjithatë, nëse virusi do të mbërrinte në vendin tonë, ekzistojnë pikëpyetje mbi kapacitetin e spitaleve tonë për të përballuar këtë emergjencë globale.

Ministria e Shëndetësisë, në përpjekje për të mos përhapur panik, ka deklaruar se rreziku është mjaft i ulët, por nëse do të shohim deklaratën e shkencëtarit britanik për situatën në Mbretërinë e Bashkuar, një vend mjaft i zhvilluar dhe me kapacitete të mëdha për ta luftuar dhe izoluar virusin, situata duket mjaft e zymtë.

“Probabiliteti i infeksionit për popullatën në Shqipëri konsiderohet shumë i ulët dhe deri më tani nuk ka patur asnjë rast me koronavirusin e ri të importuar në vendin tonë. Deri tani në Shqipëri janë testuar 6 raste për koronavirusin e ri, të cilat pas testimit kanë rezultuar negative. Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127 – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Këshillat që duhen ndjekur për t’u ruajtur nga ky virus:

Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.

Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.

Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).

Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).

Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.