21.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Reagimi i fortë ndaj Lleshajt: As Assadi nuk “pushtoi” xhamitë për sulme ndaj opozitës (Foto)

Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu, përmes një postimi në rrjetet sociale, i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, lidhur me reagimin e policisë ndaj protestave opozitare në 2019-ën.

Shehu shkruan se ajo që ka ndodhur në Tiranë, kur policia dhunoi edhe xhamitë, duke i përdorur si plasdarme policore kundër opozitës, nuk ka ndodhur as në Siri me regjimin e Assad.

“Po dhunimi i Xhamisë së Re duke e kthyer në një plasdarme policore e sulmesh ndaj qytetarëve, me urdhër e leje të kujt u bë, në bazë të cilës së drejte??!!

Kjo është një pyetje për ministrin Lleshaj, që mu kujtua duke dëgjuar “justifikimet” e tij këto ditë për çfarë ndodhi gjatë protestave të opozitës:

1-Mbi origjinën e gazit të përdorur barbarisht kundër popullsisë, kur në fakt aty kemi të bëjmë edhe me dëmtim të marrëdhenieve Kosovë-Shqipëri, shkelje të të drejtës ndërkombëtare për transferimin e të tilla lëndëve, etj.

2-Apo akuzat e tij ndaj opozitës si përgjegjëse të dëmtimit të qytetarëve, se ajo paska vendosur gra e femijë në krye të protestave, gjë qe e kishte “frenuar” policinë në reagimin e saj!!!

Pra ishte programuar të reagohej me fort pranon ai, veçse të barazohej me Asadin e gazit në Siri!!

Por nuk e di nëse Asadi arriti deri sa të “pushtojë” dhe Xhamitë, që do të ishte një ngjarje e pashembëllt edhe për ato vende diktatoriale, por që ndodhi te ne”, shkruan Shehu.

Albin Kurti përgënjeshtron Vuçiç: Nuk pati takim, ja ç’ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është takuar me Vuçiçin. “Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiq tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiç) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiç tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se ka luftuar për interesat e Serbisë.

Ai tha se nuk guxon të nxjerrë detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”. Vuçiç tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”.

Ai tha se i njeh mirë “politikanët nga Prishtina”, madje “edhe atë që ka qenë i panjohur për të”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës. Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiçit në të njëjtën tryezë.

Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh. Për të, kjo ka qenë edhe paraqitja e parë në skenën ndërkombëtare në rolin e kryeministrit.

Të premten në Mynih, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, morën pjesën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, e cila u arrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kjo marrëveshje më pas u kontestua nga Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ajo është nënshkruar nga persona të paautorizuar. /Radio Europa e Lirë

Plas grushti në Postën e Vlorës, drejtori dhunon vartësin e tij dhe lihet i lirë nga policia

Drejtori i Postës së Vlorës, Vullnet Bilbilaj ka dhunuar fizikisht në zyrë vartësin e tij, i cili ka pësuar dëme dhe është dërguar në spital për mjekim.

Bëhet e ditur se, policia ka mbërritur menjëherë në vendgjarje dhe nuk ka ndaluar drejtorin, por vetëm ka dërguar në spital vartësin e tij që ka marrë plagë.

Drejtori e ka fshehur ngjarjen duke urdhëruar punonjësit që të mos e hapin gojën. Kjo ngjarje e rëndë ka krijuar panik te punonjësit, por askusgh nuk guxon të flasë. Ngjarja megjithëse është mbajtur e fshehtë, është e filmuar nga kamerat e sigurisë.

Drejtori iPostës është edhe sekretar organizativ i PS Vlorë dhe njeriu më i besuar i kryetarit të PS, Anduel Tahiraj. Përë këtë arsye është marrë urdhër që ngajrja të mos publikohet.

Posta e Vlorës ka kohë që po degradon dhe lidhja e fortë Kryetar-Sekretar ka bërë që çdo gjë të bëhet monopol në këtë drejtori.

Hidhet në erë me tritol një dyqan në Lezhë

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer gjatë natës në fshatin Gocaj të Lezhës. Lënda eksplozive është vendosur në derën e një dyqani në pronësi të shtetasit Arben Malotaj duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.

Pas ngjarjes, në dëshminë e parë që kanë dhënë familjarët, pretendojnë se nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk i dinë arsyet e vendosjes së lëndës eksplozive në biznesin e tyre.

“Në një dyqan ushqimor të shtetasit A.M., 49 vjeç, banues në Gocaj, Lezhë dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.

Dyqani ku ndodhi shpërthimi ndodhet pranë banesës së 49-vjeçarit. Fqinjë bëjnë me dije se familjarët nuk ishin në banesë kur ndodhi shpërthimi, pasi po festonin një ditëlindje.

Denoncimi me prova: Drejtori i Arsimit anëtar i komisionit të votimit dhe deklaron votën për PS (Foto)

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se, arsimi është politizuar deri në palcë dhe Rilindja ka shkelur edhe ligjet dhe udhëzimet e miratuara prej saj, përsa i takon emërimeve në sistemin arsimor.

Mehmeti ka publikuar në rrjet rastin e drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore në Gramsh, i cili është zgjedhur pa konkurs dhe se ai ka qenë komisioner i PS-së në zgjedhje dhe është votues i saj.

Postimi i plotë

Ja nje tjeter rast i politizimit deri ne palce te arsmit, permes emerimeve partiake, pa konkurs dhe ne kundershtim me kriteret e vendosura nga ligji dhe udhezimet e vete Rilindjes.

Eduart Bezati drejtor i ZVA Gramsh, emeruar nga ministrja e arsimit, Besa Shahini ne me pak dy vjet me pare. Anetar i Komisioneve te votimit dhe voton hapur per PS.

Sigurisht qe Lindita, Besa dhe mbi te gjitha Kryeministri, duhet te na thone se ku perfundoi premtimi per depolitizinin e arsimit dhe zgjedhjes se njerezve profesionist me integritet dhe apolitik?

75 vjetori i kryengritjes anti-komuniste të Kelmendit, Basha: Mbrojtje me çfarëdo çmimi i lirisë dhe dinjitetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjet kujton 75 vjetorin e Kryengritjes së Kelmendit, në të cilën malësorët u ndeshën ballasi me forcat e diktaturës komuniste, të cilat kishin marrë urdhër të nënshtronin me vrasje dhe terror të gjitha zonat e Shqipërisë.

Basha shkruan në mesazhin e tij se, edhe sot ndokush mund të përkundë të njëjtat ëndrra për likuidimin e çfarëdolloj opozite, por këto ëndrra mbeten iluzione, sa kohë kombi ka dhënë prova legjendare të dinjtetit dhe të dashurisë për larine.

Mesazhi i kryetarit Basha

75 vjet më parë, malësorët e Kelmendit u ndeshën ballasi me forcat e diktaturës komuniste, të cilat kishin marrë urdhër të nënshtronin me vrasje dhe terror të gjitha zonat e Shqipërisë. Kryengritja e Kelmendit, nga të parat më të mëdha në të gjithë Europë e saporënë nën thundrën e komunizmit, jehoi mesazhin se shqiptarët nuk e pranonin diktaturën dhe nuk do ta pushonin luftën kundër saj.

Malësorët e Kelmendit udhëhiqeshin nga legjenda Prek Cali, emri i të cilit për gjysëm shekulli ishte sinonim në të gjitha trojet shqiptare me qëndresën kundër çdo pushtuesi që herë pas here kishte ardhur në Malësi me trupa ushtarake, por ishte larguar prej andej me turp.

Dhuna e ushtruar nga skuadronet e vdekjes së diktaturës ishte e pashoqe. Pasi kishin arrestuar qindra banorë në rrethinat e Shkodrës, klika që kishte marrë pushtetin në Tiranë kishte shpallur operacion spastrimi për të gjitha zonat e veriut, një aksion dhune thellësisht antikombëtar.

Kundër këtyre skuadroneve u ngritën malësorët me prijës Prek Calin. Kryengritja e Kelmendit u shtyp me terror stalinist. Nga popullsia civile u vranë 44 veta, ndërkohë që në gjyqin e marsit, regjimi mori vendimin e pushkatimit të prijësit 70 vjeçar Prek Cali, të bashkëmoshatarit të tij Ded Lulash Smaili, si dhe të 7 malësorëve të tjerë.

75 vjet më vonë, kjo faqe legjendare e rezistencës shqiptare kundër diktaturës, stigmatizohet nga historiografia fallsifikatore e regjimit, ngjarja fshihet nga librat e shkollës dhe dëshmitë e prijësit Prek Cali, me gjithë kullën e tij, rrafshohen, në një përpjekje të mjerë për të zhbërë atë që dot s’zhbëhet, kryengritjen e Kelmendit, që i jep dinjitet dhe lavdi të gjithë Shqipërisë.

Këto përpjekje janë tregues të panikut të pasardhësve të skuadroneve të vdekjes, që erdhën në Kelmend me misionin antikombëtar të spastrimit të territorit nga elementët opozitarë.

Edhe sot ndokush mund të përkundë të njëjtat ëndrra për likuidimin e çfarëdolloj opozite, në mënyrë që banda që ka zaptuar shtetin të mund të lavdërohet se mund të bëjë ç’të dojë në kurriz të vendit dhe shqiptarëve pasi s’i jep llogari askujt.

Por këto ëndrra mbeten iluzione, sa kohë kombi ka dhënë prova legjendare të dinjitetit dhe të dashurisë për lirinë, siç është Kryengritja e Kelmendit.

Ne demokratët dhe të gjithë qytetarët e lirë dhe të ndershëm, do t’i kujtojmë përjetë me nderim Prek Calin dhe kelmendasit e tjerë patriotë, kalorës të lirisë e të atdheut, si mbrojtës të vlerave për të cilat qëndrojmë dhe që i kemi në themel të identitetit tonë.

Misioni i shenjtë i mbrojtjes me çdo kusht dhe me çfarëdo çmimi i lirisë dhe dinjitetit, na bashkon sot nën hijen e rëndë të shkabës dykrenare dhe bijve të saj, martirë të lirisë kombëtare.

Botuesi i dytë më i madh në SHBA shpall falimentin: Tani, transformim dixhital

McClatchy, botuesi i dytë grupi i dytë më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara, depozitoi të enjten kërkesën për falimentim, në shenjën e fundit të krizës në sektorin e medies.

Kompania tha se do të vazhdojë të nxjerrë 30 gazeta lokale, përfshirë Miami Herald dhe Kansas City Star, ndërsa përpiqet të eliminojë një pjesë të mirë të borxheve dhe të përqendrohet tek “transformimi digjital”.

Një plan riorganizimi përfshirë në kërkesën për mbrojtje nga falimentimi, parashikon kalimin e pronësisë të rrjetit të gazetave tek grupi privat i kapitalit “Chatham Asset Management”.

Deklarimi i falimentimit synon eliminimin e një pjese të borxhit masiv të grupit McClatchy.
“McClatchy vazhdon të mbetet një kompani e fuqishme me një angazhim të qëndrueshëm ndaj gazetarisë së pavarur, ndër pesë breza të familjes time”, tha kreu i bordit, Kevin McClatchy.

“Ky ristrukturim është një hap i nevojshëm dhe pozitiv përpara për biznesin”, shtoi ai.
Kjo lëvizje vjen në klimën e thellimit të krizës në industrinë e gazetave, ndërsa shumica e kompanive që kanë breza që janë në biznes, po hasin vështirësi të mbijetojnë me zhvendosjen tek media digjitale dhe me kalimin e të ardhurave nga reklamat tek platformat teknologjike.

Gannett, botuesi më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara ra dakord vitin e kaluar të bashkohej me rivalin GateHouse, në një marrëveshje që synonte përballimin e sfidave në këtë sektor.

Disa ish- gazeta të përditshme prestigjioze janë përballur me falimentimin dhe vlera e disa të tjerave ka rënë ndjeshëm.
Rreth 2 mijë gazeta amerikane, shumica të përjavshme janë zhdukur gjatë dekadës së kaluar ashtu si edhe rreth gjysma e vendeve të punës në gazeta, sipas disa studimeve.

Dan Kennedy, një profesor gazetarie në Universitetin Northeastern, tha se vështirësitë e McClatchy-t janë në vazhdën e “asaj që kemi parë me pronësinë e rrjeteve të korporatave”, duke hyrë thellë e më thellë në borxhe, gjë që i ka penguar të investojnë në teknologjitë e së ardhmes./voa.

Udhëtimi i parë i Kurtit si Kryeministër drejt Munihut jo në biznes klas, qytetari poston foton

Kurti e Konjufca kanë udhëtuar sot për në Mynih ku po mbahet Konferenca e Sig urisë.Për herë të parë, Kurti ka udhëtuar për herë të parë me aeroplan në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, shkruan lajmi.net.Bashkë me të ishte edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

E si për rastësi, në aeroplan ka qëlluar një person me emrin Hashim, si të presidentit të vendit me të cilin Kurti ka një armiqësi politike.Është vetë personi me emrin Hashim Fazliu i cili e ka postuar fotografinë në Facebook me një përshkrim interesant.

Sot në Munih të Gjermanisë, përfaqësuesit kosovarë dhe serbë kanë nënshkruar dy marrëveshje, për linjën hekurudhore dhe autostradën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se marrëveshjet janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë.

Më tej ka shtuar se këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje.

“Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka thënë Kurti.

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, ka theksuar ai.

Kurti në aspektin ekonomik e ka cilësuar të arsyeshme linjën hekurudhore për Leshak sesa atë për Merdarë.

“Për më tepër, nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdishme sesa ajo për Merdar”, ka thënë më tej.

Në fund Kurti është shprehur se, “në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”.

Vuçiç nis fushatën elektorale: Takimi me Kurtin ishte i ashpër

Pas takimit të mbajtur për Ballkanin Perëndimor, ku po merrte pjesë edhe Albin Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar mediave duke thënë se ka qenë një takim i ashpër, por që sipas tij, ai ka mbrojtur popullin serb.

Në orët e para të pasdites në Munih të Gjermanisë prapa dyerve të mbyllura është mbajtur takimi për Ballkanin Perëndimor, ku ka marrë pjesë presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës, transmeton Telegrafi.

Takimi është mbajtur sipas rregullave të “Chetnam House”, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk mund të shprehin ato që është thënë brenda, por sipas mediave serbe, Vuçiq ka thënë se ishte një “takim i ashpër”.

“Kam luftuar për interesa të Serbisë dhe kam mbrojtur popullin serb, kjo është puna ime”, ka thënë Vuçiq.
Edhe pse sipas tij është mirë që ky takim është mbajtur, ai tha se do të ketë shumë probleme me të cilat do të ballafaqohet. Gjithashtu pretendon se disa zyrtarë nga Prishtina, sipas tij janë të papërgjegjshëm.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se pret të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Beogradin gjatë këtij viti, ku tha se disa në Prishtinë thirren në SHBA, derisa tjerët në Gjermaninë.

Duke qenë se Serbia zhvillon zgjedhjet në Mars, duket se Vuçiç ka nisur fushatën elektorale duke shfrytëzuar takimet me përfaqësuesit e Kosovës dhe kjo mund të jetë një problem jo i vogël për negociatat.

Hakmarrja e sigurimsave, shkarkohet Prokurori që dënoi “Byronë Politike” për genocid

Nebil Çika
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Adnand Xhelili.

KPK shpalli dje vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili i cili nuk u paraqit në seancë. Trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, vendosi shkarkimin e Xhelilit.

Adnand Xhelili në cilësinë e prokurorit te Tiranës, në vitin 1995 ngriti akuza qe çuan në dënimin për gjenocid të “Byrosë politike” dhe shumë autorëve të tjerë të krimeve të komunizmit.

Xhelili i cili vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë ishte paralajmëruar me parë nga individë të prekur prej akuzave të tij për gjenocid ndaj drejtuesve të lartë të diktuarës në 1995 se do të shkarkohej .

Ndërkohë që ka shkarkuar prokurorin që dënoi autorët e krimeve të komunizmit, KPK nuk ka shkarkuar asnjë gjyqtar ose prokuror autor të krimeve të komunizmit duke u mundësuar atyre jo vetëm të mbeten në sistem por edhe të kapin institucionet drejtuese të drejtësisë shqiptare.

Përtej arsyetimit zyrtar të KPK, ne vlerësojmë se shkarkimi i Z.Xhelili ishte për motive të qarta politike, një akt hakmarrje për dënimin e Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës e të tjerë drejtues të diktaturës komuniste dhe drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, krimin e gjenocidit ndaj popullit shqiptar.

Autori, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë