32.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Zgjedhjet e parakohshme të lira e të ndershme janë rruga e vetme për të ndalur krizën politike në vend

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, iu përgjigj gazetarëve për çështjet kryesore të takimit dhe aktualitetit politik. Zoti Basha bëri të ditur se kriza politike dhe integrimi europian i vendit ishin në fokus të takimit me ambasadorin Soreca, me të cilin kanë diskutuar gjerësisht edhe për reformën zgjedhore.

Në përgjigje të gazetarëve, zoti Basha theksoi se objektivi kryesor i opozitës për zgjedhjet e parakohshme mbetet kryesor dhe i pandryshueshëm.

“Gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të bëhen sa më shpejt dhe shqiptarëve t’u rikthehet mundësia të zgjedhin me votë institucionet e tyre, duke filluar me parlamentin, me bashkitë e vendit. Kjo është rruga e vetme për të ndalur krizën politike, për të ndalur gremisjen e vendit. Për t’u dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverisjen e tyre, një qeverisje që t’u shërbejë dhe t’u ofrojë më shumë mundësi ekonomike, punësimi, që të rinjtë të rrinë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu e jo të largohen.

Gjithçka që po shohim sot në këtë vend, bjerrja e shpresës, kriza ekonomike, është produkt i krizës politike, të cilës, në fakt, emrin ia ka vënë vetë i pari qeverisë. Kriza politike është krijuar pikërisht nga mentaliteti i KÇK-së. Sepse KÇK-ja në Shqipëri është qeveria, është kryeministri dhe veglat e tij në pushtet”, tha kreu i opozitës, i cilu u pyet gjithashtu, nëse PD pranon zhvillimin e zgjedhjeve vendore pa zgjedhje parlamentare të parakohshme?

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet vendore kushtetuese nuk janë çështje dëshire. Ju e patë raportin e ODIHR, ju e shikoni situatën në bashkitë e vendit, i shikoni kryebashkiakët me rekorde kriminale, falimentimin total të pushtetit vendor, dorëzimin total të shtetit para krimit, para padrejtësisë, papunësisë, krizën ekonomike?!

Pra, nuk është lista e dëshirave të Lulzim Bashës apo të Partisë Demokratike. Është thirrja e çdo shqiptari që ta nxjerrim vendin nga kjo krizë, që të bëhemi bashkë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Dhe kjo kalon vetëm duke i dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverinë, parlamentin dhe kryebashkiakët që duan ata të zgjedhin, në një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Kjo është beteja. Pa u zgjidhur kjo, vendi nuk do të bëjë dot përpara.

Ndaj gjithë fokusi ynë është që edhe procesin e integrimit europian të vendit, edhe procesin e zgjidhjes së krizës politike, ashtu siç i ka parashikuar Bundestagu gjerman, t’i kalojmë mes Reformës zgjedhore dhe zbatimit të kësaj reforme zgjedhore, që do të thotë: Zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh zoti Basha.

Basha u tha gazetarëve se, Partia Demokratike dhe opozita po bëjnë gjithçka që reforma zgjedhore të përmbyllet brenda 15 Marsit.

“Ne po bëjmë çdo përpjekje dhe, nga ana jonë, nuk do të ketë asnjë pengesë, përkundrazi ka një angazhim total që reforma të përfundojë me 15 mars. Sigurisht, nuk varet vetëm nga ne. Një pjesë po kaq të rëndësishme, madje më të rëndësishme, ka dhe pala tjetër e cila sot ka edhe pushtetin”, tha Basha.

Duke vënë dukje se reforma administrative është e dështuar dhe se ka prodhuar më shumë korrupsion e më pak shërbime për qytetarët, kreu i opozitës theksoi se, “ka ardhur koha që si pjesë e zgjidhjes së plotë të krizës, të rishikohet edhe reforma administrative dhe decentralizimi i pushtetit vendor”.

Klinsman jep dorëheqjen vetëm 10 javë pasi u emërua trajner

Jurgen Klinsmann ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të përkohshëm të Hertha Berlin, vetëm 10 javë pasi u emërua në këtë post.

Ish-ylli i Tottenham, Inter dhe Bayern Munich u emërua trajner i përkohshëm i Herthas në nëntor me kohëzgjatje deri në fund të sezonit.

Hertha i fitoi vetëm tri prej nëntë ndeshjeve nën udhëheqjen e Klinsmannit dhe renditet e 14-ta në Bundesligë.

Por ish-trajneri i Gjermanisë thotë se nuk mund ta përmbushë potencialin e tij pa e pasur besimin e drejtuesve të klubit.

“Ne ishim në rrugë të mirë në një kohë relativisht të shkurtër dhe falë përkrahjes nga shumë njerëz, tani jemi gjashtë pikë larg zonës së rënies nga liga, përkundër ndeshjeve të vështira”, shkroi Klinsmann në Facebook.

“Jam shumë i bindur se Hertha do ta arrijë qëllimin për të mbetur në ligë. Si trajner, megjithatë, unë kam nevojë gjithashtu edhe për besimin e atyre të përfshirë në këtë detyrë, e cila ende nuk është kryer. Unë nuk mund ta shfrytëzoj potencialin tim si trajner dhe si pasojë nuk mund t’i përmbush përgjegjësitë e mia, nëse kjo nuk m’u garantohet”, theksoi ai.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim 600 mijë euro për km rrugë, Rama 5 milionë euro për km

Ish-deputeti i PD, Agron Shehaj ka bërë një ballafaqim të qartë të fakteve sot se si fryhen kostot e rrugëve nga qeveria e Edi Ramës, një tejfryrje prej miliona eurosh për kilometër, për të cilat ai shpreh bindjen se përfundojnë në xhepat e klientëve të Ramës dhe oligarkëve që ai mbështetet.

Shehaj ka ballafaquar faktet se sa kushton një rrugë e ndërtuar nga BERZH në Shqipëri dhe sa kushton një rrugë e ndërtuar nga qeveria, për të qënë thjeshtësisht konkret në denoncimin e tij.

Denoncimi i plotë i Shehajt

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të bëjë rrugën Vlorë -Orikum me një kosto prej rreth 600.000 euro për km, ndërkohë që Edi Rama do bëjë me PPP vazhdimin e rrugës, Orikum-Dukat, me një kosto prej 5 milionë euro për km.

EBRD ka miratuar një hua për Shqipërinë për rehabilitimin e tre segmenteve rrugore kombëtare me gjatësi totale 70,7 km me kosto totale rreth 45 milionë euro, pra me rreth 600 mijë euro për km dhe me standarde europiane.

Pjesë e projektit është edhe rehabilitimi i rrugës Vlorë-Orikum 10.6 km e gjatë.

Vazhdimin e kësaj rruge Orikum-Dukat Prej 14 km Edi Rama e ka dhënë për ta bërë me koncesion për 70 mln euro, pra me një kosto prej 5 milionë euro për km.

Nëse edhe tenderi i rrugës Orikum-Dukat do ishte bërë nga EBRD dhe jo nga Rama, rruga do të kushtonte vetëm 8 milionë e 400 mijë euro dhe jo 70 milionë euro.

Secili mund ta mendojë vetë se ku shkojnë diferenca prej pothuajse 62 milionë euro. Përgjigja më e mundshme është: në xhepat e Edi Ramës dhe oligarkëve që Rama u ka dhënë koncensionin.
Korrupsioni në Shqipëri nuk bëhet nga zyrtarë dhe pushtetarë të rangut të dytë. Këto raste flagrante vjedhjeje tregojnë qartazi që vetë Rama është i korruptuar.

Nëpërmjet plaçkitjes së Shqipërisë nga një grup njerëzish, pushtetarë dhe oligarkë po pasurohen në kurriz të shumicës së varfër.

Ndëshkimi i të korruptuarve është i vetmi shans që kemi për ti rikthyer shqiptarëve shpresën për një të ardhme më të mirë.

Llesh kimiku e pranon: “Gazin që helmoi protestuesit e morëm në Kosovë”

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë përgjigjies në Kuvend, ka dhënë sqarime për investigimin e publikuar nga gazeta “Insajderi” se Shqipëria mori gaz nga Kosova për protestuesit e opozitës me urdhër të presidentit Hashim Thaçi.

“Kam dëgjuar spekulime, jo po ka ardhur nga Kosova. Po kemi marrë një sasi gazi nga Kosova në muajin qershor, por është aty dhe s’është përdorur. Gazi është përdorur nga rezervat që kemi patur që nga qeveria më e mëparshme”, tha Lleshaj në Kuvend.

Gazeta Insajderi zbulon dy ditë më parë një dokument sipas të cilit nga policia e Kosovës u huazuan 500 granata me gaz lotsjellës. Kjo sasi prej 500 granata me gaz ishte “dhuratë” e Hashim Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

Gazetari nga Kosova dhe drejtori ekzekutiv i Insajder, Parim Olluri në një lidhje me skype me gazetaren Beti Njuma në studion e lajmeve te Televizionit Ora sqaroi se marrëveshja është nënshkruar nga dy drejtorët e Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Për shkak të ligjit, Kosova e ka të ndaluar që t’i japë armë jo vetëm Shqipërisë, por asnjë vendi tjetër.

Rama vazhdon të tallet me banorët e prekur nga tërmeti: Bëni durim…

Rama u kërkoi edhe sot durim qytetarëve që humbën banesat e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit, por nuk dha asnjë datë se kur do të nisë ndërtimi i banesave, premtuar prej tij. “Njerëzit kërkojnë të dinë se kur do të kthehen në shtëpi. Duam të bëjmë një proces rindërtimi ku gjithçka të jetë sipas standardeve dhe kushteve optimale për ato kategori ndërtesash që janë pjesë e procesit. Është e nevojshme të bëhet pak durim. Më vjen keq që në raste të caktuara kam parë dezinformim”.

Rama deklaroi se, tashmë procesi i rindërtimit është në një fazë të re pasi tashmë janë zonat e përcaktuara për t’u zhvilluar dhe modelet e banesave individuale.

Kreu i qeverisë u shpreh se në ditët e ardhshme do të hapet procedura e garës ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që do të ofrojnë ndihmën e tyre për zhvillimin e këtij projekti.

“Kemi përfundimisht zonat e përcaktuara të zhvillimit. Një pjesë e madhe e planeve dhe ndër to kemi planet e avancuara të Laçit, Thumanës, Shijakut që janë tre zonat ku rindërtimi do të nisë më shpejt sesa në zonat e tjera. Kemi modelet e konfirmuara të banesave individuale sipas tipologjive.

Jemi gati që ditët e ardhshme të dalim në procedurën e garës së hapur ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që do të ofrojnë suportin për shtëpitë individuale. Kemi të dhënat lidhur me institucionet arsimore dhe shëndetësore që të fillojmë dhe lidhur me to procedurën e garës që të fillojë dhe aty rindërtimi”, u shpreh Rama.

Basha: Gjithë beteja jonë është që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorin e BE, Luigi Soreca u shpreh se, beteja e opozitës dhe e të gjithëve është e rëndësishme zhvillimi i zgjehdjeve të parakohshme.

Basha ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat ka theksuar se gjithçka që po ndodh në vend është produkt i vetë qeverisë me në krye Edi Ramën.

“E gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të bëhen sa më shpejt që shqiptarët të zgjedhin me votë të lirë përfaqësuesit e kuvendit të bashkive është e vetmja zgjidhje për daljen nga kriza politike, për të ndalur gremisjen e vendit për të zgjedhur qeverisjen e tyre që të krijojë më shumë mundësi për punës.

Gjithçka që po shohim në këtë vend, bjerrja e shpresës, kriza ekonomike është produkt i krizës politike. Kriza politike është krijuar pikërisht nga mentaliteti i KÇK. KÇK është qeveria, kryeministri dhe veglat e tij në pushtet. Zgjedhje parlamentare në një ditë me ato qëndrore nuk janë dëshire por domosdoshmëri, është thirrja e çdo shqiptari për të nxjerrë vendin nga kriza kjo është beteja”, tha Basha.

Gjithahstu Basha theksoi se, opozita është e angazhuar për tryezën zgjedhore, dhe po bën çdo përpjekje që reforma zgjedhore të përfundojë me 15 mars por një pjesë të rëndësishme ka dhe pala tjetër që ka sot pushtetin.

Basha tha se, opozita është e gatshme që të japë të gjithë kontributin e saj që Reforma të përfundojë sa më parë, në mënyrë që vendit të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme.

Ish-deputeti: Pse zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka qenë këtë të mërkurë te ABC-ja e Mëngjesit ku ka folur në lidhje me domosdoshmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në vendin tonë.

Salianji në fjalën e tij është shprehur se nuk mund të presim zjedhje nga Edi Rama dhe nga Taulant Balla se ato patjetër nuk duan që të ndodhë një gjë e tillë, por që zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri dhe do të zhvillohen kjo është e pashmangshme.

Ish-deputeti ka theksuar se zhvillimi i zgjedhjeve nuk është i rëndësishëm për sjelljen e opozitës në pushtet por është domosdoshmëri për shkak të krizës në të cilën ndodhet vendi.

“Ka nevoje per zgjedhje të parakohshme ato nuk bëhen për të sjelle një opozite ne pushtet, por në vend ne kemi një krizë politike, kemi një krizë ekonomike, sociale dhe gjithashtu kemi marrëdhenie të shkrumbuar me presidentin kemi dhe prioritetin që është integrimi për në BE.

Vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe qeveria që do të zgjedhin qytetarët do të bëjnë të mundur mbështetjen e qytetarëve dhe të gjithë partive të tjera. Në politike nuk ka asnjëherë të folur me siguri, deri më tani jemi provuar ne si të vertetë. Ju e mbani mend që Rama dhe numri dy i PS thonin se ne dhjetor do të kishin reformë zgjedhore, por që nuk e arritën dot këtë fakt pasi është e rëndësishme që pjesë do të ishte një tryezë politike”, tha Salianji.

Ndër të tjera ai ka theksuar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme nuk ka lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi pasi tashmë në një mënyrë apo tjetër janë krijuar institucionet e reja të drejtësisë pavarsisht mënyrës së si funksionojnë.

“Nuk ka më asnjë lidhje për të kuptuar ka apo jo zgjedhje të parakohshme në lidhje me zbatimin e Reformës në Drejtesi pasi organet e reja të krijuara secili e ka iden se si janë formuar. Me Edi Ramën nuk ka për të pasur ndonjëherë shtet të së drejtës dhe zbatim të ligjit dhe këtë tashmë e kemi parë të gjithë prej 7 vitesh, prandaj zgjedhje të parakohshme ka dhe do të ketë në vitin 2020”, është shprehur ish-deputeti.

41 aplikime për të qenë ambasador i BE në Tiranë, më shumë se kudo tjetër, dhe Rama që i pyet, pse?

Rama ka nxjerrë një detaj për të ilustrruar se sa është rritur interesi i diplomatëve të huaj për të punuar në Tiranë gjatë viteve të fundit. Ky interes, sipas tij, është më i madh se në shumë vende të tjera europiane sidomos gjatë viteve të fundit.

Po përse për këta diplomatë Shqipëria po konsiderohet si toka e premtuar? Sipas Ramës arsyeja është se këtu është “shumë bukur”, kur në të vërtetë qytetarët mendojnë krejt ndryshe nga Rama.

Ajo që Rama konstaton është e vërtetë në lidhje me kthimin e këtij vendi gjatë viteve të fundit në “tokën e premtuar” të diplomatëve, por ajo që ai harron të thotë është se ky vend u kthye po ashtu në tokën e mallkuar të shqiptarëve prej nga kanë marrë arratinë duke kërkuar azil në vendet e BE më shumë se gjysëm milionë shqiptarë.

Rama ka mbajtur një fjalë përshëndetëse sot në aktivitetin e organizuar për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Shefi i maxhorancës e nisi duke treguar një bisedë me ish-shefen e diplomacisë europiane se si për vendin e ambasadorit të BE në Tiranë aplikuan 40 kandidatë dhe theksoi se është një qytet ku gjithmonë duan të kthehen.

“Nuk e mbaj mend saktësisht vitin por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha ‘çfarë ndodh me Shqipërinë’? S’e kuptova pyetjen, tha ‘kemi disa vende për ambasadorë dhe kemi hapur aplikimet.

Për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime, për vendin në Tiranë janë 41 aplikantë. Çfarë është ai vend, pse duan të vijnë në Tiranë’?

‘Përveç kësaj’ tha, ‘ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë ose që janë në pozicione të mëdha në ambasada nëpër botë që kanë qenë në Tiranë dhe duan të kthehen në Tiranë’.

I thashë kush janë, më tha ‘nuk mund ta them dot’. Mora vesh që njëri ishte sekretar i parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës. I çova e-mail dhe e pyeta a është e vërtetë që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Dhe më shkroi, ‘po e vërtetë është, po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin’.

Kurti për takimin me Ramën: Jemi ende larg…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizita e parë e tij si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës nuk ishte politikë e jashtme.

Kurti u shpreh se as Republika e Kosovës, por as ajo e Shqipërisë nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën “në syzet e diplomacisë”.

“Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për pritjen dhe diskutimin që patën, duke shtuar se pritet bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe arsimit mes dy vendeve.

“E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë”, shkruan ndër të tjera Kurti.

Kryeministri i Kosovës, tha se janë dakorduar për ecurinë e 77 marrëveshjeve mes vendeve, duke konfirmuar po ashtu se një takim mes dy Qeverive do të mbahet gjatë muajit mars në Shkodër.

“U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë”, shprehet Kurti.

Ai falënderoi të gjithë ata që e pritën gjatë kësaj vizitë në Shqipëri, duke shtuar se ende janë larg arritjeve që populli do të dëshironte.

“Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë.

Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri. Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri.

Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, përfundon Kurti.