27.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Takimi me Albin Kurtin, Basha publikon detajet: PD përherë në krah të Kosovës së shtrenjtë!

Lideri i opozitës, Lulzim Basha teksa publikon disa foto nga takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në selinë e PD shkruan se, “ne jemi si përherë krenarisht në krah të Kosovës tonë të shtrenjtë”.

Postimi i plotë i kryetarit Basha

Në një takim të ngrohtë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme politike dhe rajonale. Ngritëm gjithashtu edhe çështjen kritike, se si të ndalojmë largimin e dhimbshëm të kaq shumë të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova.

E sigurova kryeministrin Kurti se Qeveria e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe vëllezërit e motrat tona – qytetarët e Republikës së Kosovës – mund të vazhdojnë të mbështeten tek Partia Demokratike e Shqipërisë, sot si opozitë e fortë dhe e bashkuar, dhe nesër në drejtim të vendit, për t’i ofruar çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të Kosovës.

Ne jemi si përherë krenarisht në krah të Kosovës tonë të shtrenjtë!

Kosova në protesta kundër heqjes së taksës 100% ndaj Serbisë, Haradinaj paralajmëron

K
Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të cilën është biseduar për iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë me reciprocitet, si dhe për anulimin e projektit për autostradën e Dukagjinit.

Deputeti Gazmend Abrashi, ka thënë se AAK do t’i shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike për të mbrojtur taksën 100 për qind dhe projektin e Dukagjinit, duke shtuar që së shpejti do të nisin mbledhjen e nënshkrimeve për seancën e jashtëzakonshme.

“Tema e bisedës ka qenë iniciativa e Qeverisë së re Kurti për heqjen e taksës, dhe heqjen e projektit për auto-udhën e Dukagjinit dhe disa teme tjera që kanë të bëjnë me grupin parlamentar. Dhe kemi marrë një qëndrim që AAK do t’i shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike faktike me i argumentu, edhe me mbrojte tezën e taksës dhe projektin e Dukagjinit.

Ne mendojmë që kemi shumë argumente me besu dhe do të gjejmë metoda edhe publikisht edhe përmes organizmit të bizneseve, me jap argumente të sakta pse taksa duhet me qëndru dhe pse projekti i autostradës për Dukagjinin duhet me vazhdu me u implementu siç është paraparë projekti”, ka pohuar Abrashi për media, përcjell Telegrafi.

AAK ka thënë se masa e reciprocitetit është absurde dhe se Kosova nuk ka mjete të aplikojë atë, AAK nuk i ka përjashtuar as protestat.

Policia e Kosovës pranon skandalin për gazin lotsjellës kundër protestuesve të opozitës

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do ta padisë Alma Lamën pasi kjo e fundit ka thënë se Pacolli ka dërguar gaz lotsjellës në Shqipëri në vend të 1 milionë eurove që i kishte premtuar.

“Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por dërgoi 500 granata helmi, gazi lotsjellës”, kishte shkruar Lama në profilin e saj në “Facebook”.

Pacolli ka thënë se një deklaratë e tillë është shpifje dhe se për një gënjeshtër të tillë do të përballen në Gjykatë.

“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”, ka shkruar Pacolli si kundërpërgjigje për Alma Lamën.

Megjithatë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare lidhur me këtë çështje, ka konfirmuar se është huazuar gaz lotsjellës për policinë shqiptare gjatë vitit të kaluar dhe se një gjë e tillë është bërë me miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që atë kohë udhëhiqej nga Ekrem Mustafa, si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohej nga Behgjet Pacolli.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë, që është realizuar në vitin e kaluar.

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Nga Policia kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nga zyrat ligjore të institucioneve relevante.

“Në aspektin ligjor, paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës.

Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.

Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast, jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”./GazetaExpress/

Paçolli reagon ndaj granatave me gaz lotsjellës që u sollën në Shqipëri kundër protestuesve

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, ka paralajmëruar padi ndaj ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama.
Ai e ka bërë njoftimin në Facebook ku e quan Lamën gënjeshtare që do i duhet të përgjigjet në gjykatë për shpifjen ndaj tij.

‘Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë’, shkruan Pacolli.

Mbrëmë ish-ambasadorja Lama shkruante se Pacolli kishte premtuar se do jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por ka dërguar 500 granata helmi, gaz lotsjellës.
‘Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por, dërgoi 500 granata helmi, gaz lotsjellës’, ka shkruar Lama.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë, që është realizuar në vitin e kaluar.

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Nga Policia kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nga zyrat ligjore të institucioneve relevante.

“Në aspektin ligjor, paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës. Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.

Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast, jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.

Kumbulla që kushton 30 milionë euro!

Ëshë padyshim një nga zbulimet më të mëdha të kampionatit italian. Talenti i tij është i padiskutueshëm dhe kjo konfirmohet nga interesimi i klubeve më të mëdh të Europës. Në Itali patjetër, por në radhë për të marrë shërbimet e Marash Kumbullës janë gjigandët e futbollit anglez, gjerman dhe spanoll. Paraqitja në ndeshjen e fundit kundër Juventus, ka detyruar mediat përtej Adriatikut të kthehen të flasin sërish për mbrojtësin shqiptar.

Pasi e vlerësuan me notën 8 dhe i siguruan një vend në formacionin e javës, tashmë elozhet për futbollistin 20-vjeçar kanë kaluar në planin financiar. “Scout” të klubeve më të mëdhenj të Europës kanë mbushur tribunat e stadiumeve për ta ndjekur atë nga afër në ndeshjet e fundit, ndërsa ky interesim ka rritur ndjeshëm vlerën e kartonit të tij.

Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, Marash Kumbulla tani kushton jo më pak se 30 milion euro, ndërsa kjo shifër pritet të rritet akoma më shumë nëse mbrojtësi vazhdon të ruajë këto paraqitje deri në fund të sezonit. Duke qëndruar në atë që raporton e gazeta më e madhe sportive italiane, Inter dhe Napoli janë në një garë të fortë për të siguruar shërbimet e tij, ndërsa interes për të kanë shfaqur Liverpool, Manchester City, Chelsea, Borussia Dortmund dhe klubet e mëdhenj të La Liga.

Vdekja e një “gënjeshtari”, që u kthye në hero kombëtar

Pas vdekjes së mjekut kinez, i cili ishte i pari që tërhoqi vëmendjen për rrezikun e virusit të ri, partia tani lëvdon “profesionalitetin” e tij. Ndërsa fillimisht e pati damkosur atë si gënjeshtar.

“Po, e kuptova.” Ky ka qenë me sa duket deklarimi i fundit me shkrim i Li Wenliang. Nën numrin e dosjes WuGong 2020103 Li më 3 janar 2020 u thirr në rajonin e policisë Zhongnanlu në Wuhan.

Akuza kundër mjekut: Përhapje e të pavërtetave në rrjetet sociale. “Ju më 30 dhjetor 2019 në grupin WeChat të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Wuhan-it në vitin 2004 përkundër së vërtetës keni përhapur lajmin për gjoja shtatë raste SARS”, është shënuar në protokollin e marrjes në pyetje.

Li Wenliang lindi më 1986 në provincën veri-lindore Liaoning. Pas studimeve shtatë vjet në mjekësi në Wuhan dhe kualifikimit si mjek okulist në Xiamen, më 2014 ai nisi punën në spitalin qendror të Wuhan-it. Një stemë e kuqe në përparësen e tij të mjekut dëshmon për antarësinë e tij në Partinë Komuniste.

“Shtatë raste me SARS” në Wuhan
Më 30 dhjetor 2019 Li postoi mesazhin në grupin WeChat të studentëve të mjekësisë, ku janë 150 anëtarë: “Shtatë raste ne SARS në tregun Huanan për prodhimet e detit dhe frutat. Të gjithë pacientët janë izoluar në reanimacion.”

Dikush nga grupi e përhapi mesazhin si një screenshot në internetin kinez bashkë me emrin dhe funksionin e Li. Me këtë sipas fletëthirrjes për në polici ai kishte përmbushur veprën penale “trazim i paqes sociale”. Atë e pyetën, nëse do të heqë dorë në të ardhmen prej këtyre veprimeve dhe e kërcënuan me përndjekje penale.

I damkosur si gënjeshtar
Ai dhe shtatë mjekë të tjerë në fillim të janarit u paraqitën nga shtypi i drejtuar prej shtetit si “gënjeshtarë”. Të gjithë ata kishin përhapur njoftime të pasakta për rastet e sëmundjeve në mushkëri, me qëllim, të krijojnë trazira dhe panik në popull. Ky njoftim u dha edhe në lajmet kryesore të televizionit shtetëror CCTV.

Një javë më vonë Li u shtrua në spital për shkak të sëmundjes deri atëherë misterioze të mushkërive. Virusi u konstatua edhe tek disa kolegë si dhe tek prindërit e tij.

Në një intervistë të fundit me revistën kineze të financave „Caixin” më 30 janar, kur ai ishte i sëmurë, Li e ritheksoi pohimin e tij. “Unë nuk përhapa të pavërteta”, thotë ai, “vetëm desh t’u tërheq vëmendjen kolegëve të mi, por nuk desha të krijoj panik.”

Në postimin e tij ai kishte bashkangjitur edhe një protokoll laboratorik, sipas të cilit në rastet e konstatuara nga tregu Huanan bëhej fjalë për një virus të ngjashëm me SARS. “Në një shoqëri të shëndetshme nuk duhet të ketë vetëm një zë të vetëm”, tha Li për revistën „Caixin.”

Lëvdatë postum e partisë për “vëmendjen” e Li
Në të gdhirë të së premtes (07.02) Li ndërroi jetë. Ai ishte vetëm 34 vjeç. Organizata Botërore e Shëndetësisë shkruan në twitter: “Ne jemi jashtëzakonisht të trishtuar për vdekjen e Dr. Li Wenliang. Kontributi i tij në luftën kundër virusit duhet të vlerësohet.”

Pasi Li fillimisht u paraqit si përhapës të pavërtetash, tani pas vdekjes kthesa ishte 180 gradë: Gazeta nacionaliste “Global Times”vlerëson”profesionalitetin e Li dhe vëmendjen e tij në sfondin e një epidemie kërcënuese”. Komisioni kombëtar i vrojtimit (një autoritet ri ri për luftën kundër korrupsionit i themeluar nën presidentin Xi Jinping) ka „ndërmarrë një hetim të pavarur lidhur me të gjitha pyetjet që vijnë nga popullsia në kontekstin e doktor Li”.

Qytetarët në internet e konsdierojnë atë si një hero të guximshëm kombëtar, i cili nuk iu tremb udhëheqjes dhe tha të vërtetën. Disa në Weibo nën titullin #hashtag shkruajnë “ne duam lirinë e mendimit”. Por forume të tilla sërish janë mbyllur shpejt.

E djathta populiste, një tendencë europiane në forcim

Berndt RIEGERT

Eurodeputeti dhe kreu i partisë populiste të djathtë, AfD, Jörg Meuthen u shpreh i gëzuar për rezultatin e papritur në Tyringji këtë javë. Për herë të parë në një land gjerman u zgjodh një kryeministër me ndihmën e AfD-së.

Meuthen tha për gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”, se partia e tij AfD, kristiandemokratët e CDU-së dhe liberalët e FDP-së krijojnë një “rreth konservator-liberal”.

Ndërkohë politikani i zgjedhur i FPD-së në Tyringji si kryeministër, Thomas Kemmerich u dorëhoq nga posti, por për AfD-në mbetet suksesi i futjes në “kampin liberal-konservator”. Eurodeputeti i majtë, Martin Schirdewan e kritikoi ashpër bashkëpunimin kohëshkurtër mes CDU, FDP dhe AfD si “thyerje tabuje”.

Për populistët e djathtë në Europë, që paraqesin ndërkohë grupin parlamentar të katërt më të madh, Tyringjia paraqet një hap tjetër suksesi, një simptomë e një trendi të dukshëm prej vitesh në BE.

Në shumë vende populistët e djathtë janë pjesëmarrës në qeveri, krijojnë grupimin më të fortë parlamentar ose i kanë dobësuar ndjeshëm partitë tradicionale. Gjermania ishte deri të mërkurën një përjashtim.

Vetëm në muajt e fundit në Austri dhe Itali populistët e djathtë pësuan disa goditje. Tyringjia, megjithë dorëheqjen e Kemmerichs, duket se i jep më shumë besim AfD-së dhe grupit parlamentar populist “Identiteti dhe demokracia” (ID) në Parlamentin Europian.

Krahas AfD-së aty janë të përfaqësuar edhe Lega e radikalit të djathtë, Matteo Salvini, partia austriake FPÖ e shkundur me themel nga skandali i (i njohur si afera e Ibicës, shën red.) dhe “Asambleja Kombëtare” franceze e Marine Le Pen.

Të qenit djathtas në Austri është prej kohësh normale
Në Austri, FPÖ ka qenë e përfaqësuar disa herë në nivel qeveritar federal. Partia kristiandemokrate, ÖVP nën kreun e saj “fleksibël”, Sebastian Kurz është afruar me pozicionet e FPÖ-së dhe gati e përqafoi këtë parti. Në disa lande, po ashtu FPÖ ka qenë e përfaqësuar.

Madje edhe me socialdemokratët ka pasur në landin “Burgenland” një koalicion deri në skandalin e “Ibicës” vitin e kaluar. Vitin e kaluar, atëherë kreu i FPÖ-së, Strache donte t’i shiste shërbimet politike një gjoja vajze të një oligarku. Kjo u zbulua përmes një videoje të filmuar fshehurazi. Qeveria u rrëzua dhe FPÖ u largua nga qeveria.

Kreu i FPÖ-së në parlamentin austriak, Herbert Kickl i mbështeti të premten kolegët e partisë mike në Tyringji duke i quajtur zhvillimet në Tyringji si “përshtypje e një shtrembërimi total të demokracisë” që ofrojnë “të vetëemëruarit mbrojtës të gralit të shenjtë”. Kickl kishte parasysh këtu kritikën që iu bë CDU dhe FDP në Tyringji që zbutën vijën ndarëse me AfD.

Në Itali nuk ka drojë
Edhe në Itali kufijtë ndarës me kristiandemokratëve, konservatorëve dhe radikalëve të djathtë kanë rënë prej kohësh. Partia nacional-konservatore, “Forza” e Silvio Berlusconit punon hapur me populistët e djathtë të Legas dhe neonazistët e “Fratelli d’Italia”.

Të treja partitë duan në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë si aleancë e djathtë mbi kampin e majtë të populistëve të “5 Yjeve” e socialdemokratëve. Lega e Matteo Salvinit ka bashkëqeverisur në Romë. E Salvini vazhdon të jetë shumë popullor, edhe pse zgjedhjet rajonale në rajonin e Emilia Romagnas i humbi me distancë të vogël votash. “Thyerja e tabusë” ka ndodhur prej vitesh në Itali. Në Itali qytete, komuna e rajone të tëra qeverisen nga populistët e djathtë.

Populistët e djathtë të forcuar
Në Francë partia e Marine Le Pen, “Asambleja Kombëtare” pret që të fitojë ndjeshëm në zgjedhjet komunale në mars. Le Pen që e ktheu Frontin Nacional në “Asamble Kombëtare” ka kohë që ka hyrë thellë në kampin liberal-konservator. Partitë e dikurshme konservatore janë zvogëluar. Le Pen synon që nga bashkitë të ngjitet në pushtet në nivel kombëtar.

Në vitin 2022 ajo synon të jetë presidente e Francës e do të dalë kundër Emmanuel Macron në zgjedhje. Një zgjedhje si në Tyringji nuk do të shokonte askënd në Francë. Në Spanjë konservatorët dhe populistët e djathtë të Vox bashkëpunojnë në Andaluzi.

Sinn Fein dëbon nga froni partitë tradicionale në Irlandë

Sinn Fein leader Mary Lou McDonald celebrates with supporters after topping the poll in Dublin central at the RDS count centre in Dublin, Ireland, Sunday, Feb. 9, 2020. (AP Photo/Peter Morrison)

Numërimi i preferencave të para të votuesve ka nxjerrë që partia Sinn Fein, nën kryetaren e saj Mary Lou McDonald ka rezultate më të mira se çdo parti tjetër. Partia, e cila më parë konsiderohej krahu politik i organizatës ilegale IRA (Ushtria Republikane Irlandeze), nuk ka megjithatë gjasa të bëhet partia më e fortë në parlament.

Ajo nuk paraqiti një numër të mjaftueshëm kandidatësh për këtë. Ajo u befasua vetë nga suksesi i saj. Me sistemin e komplikuar zgjedhor në Irlandë, çdo votues ka vetëm një votë, por mund të zgjedhë edhe preferenca të shumta, që llogariten njëra pas tjetrës. Sipas numërimeve deri tani, Sinn Fein ka arritur 24.5 përqind të votave.

Partia e madhe opozitare e qendrës, Fianna Fail, ka fituar 22.2 përqind të votave, ndërsa partia liberale konservatore e kryeministrit Leo Varadkar, Fine Galaxy, ka fituar 20.9 përqind të votave.

Formimi i kabinetit në Dublin do të jetë i mundimshëm
Suksesi elektoral i Sinn Fein-it tashmë është krahasuar nga vëzhguesit me një uragan politik, që përfshiu Irlandën në fundjavë, i ngjashëm me uraganin e quajtur “Sabine” në Gjermani. Deri tani, që kur Irlanda u bë plotësisht e pavarur nga Britania e Madhe, politikat e vendit janë mbizotëruar nga Fine Gael dhe Fianna Fail. Tani po del në skenë një forcë e tretë serioze politike.

Formimi i qeverisë pritet të jetë i vështirë. Nëse, në kundërshtim me pritjet do të ndodhë një pjesëmarrje në qeveri e Sinn Fein-it, që më parë përçmohej, kërkesa për një referendum të afërt për ribashkimin irlandez në Dublin mund të bëhet linja zyrtare e qeverisë. Kjo do të ndikonte edhe në negociatat e Brukselit me Britaninë e Madhe për marrëdhëniet e ardhshme, pas përfundimit të periudhës së tranzicionit të Brexitit, në fund të vitit.

Dalja e Britanisë nga BE nuk luajti pothuajse asnjë rol në zgjedhje. Vetëm një përqind e votuesve thanë në një sondazh pas zgjedhjeve se Brexiti kishte qenë çështja më e rëndësishme. Për zgjedhësit më shumë të rëndësishme ishin çështjet e shëndetit, të strehimit dhe të pensioneve.

Ish-drejtori i Barcelonës: Messi mund të largohet dhe t’i bashkohet Ronaldos

Ish-drejtori në Barcelonë, Ariedo Braida, beson se largimi i Lionel Messit nga klubi katalonas nuk është i pamundur, përderisa sugjeron se argjentinasi mund edhe të luajë përkrah rivalit të tij më të madh, Cristiano Ronaldos.

Spekulimet për një largim të mundshëm të Messit nga Barcelona kanë filluar sërish dhe më së shumti është raportuar për një transferim potencial të gjashtë-herë fituesit të Topit të Artë në Manchester City, ku do të ribashkohej me Pep Guardiolën.

Edhe pse mediumet e mëdha botërore raportojnë se Messi është i zhgënjyer me projektin në Camp Nou, ai vetë s’ka thënë asgjë për një largim të mundshëm. Por, në kontratën e tij ekziston një klauzolë që ia lejon atij të largohet nga Barcelona pas çdo sezoni edhe pa pëlqimin e klubit, përkundër që kontrata është e vlefshme për një kohë më të gjatë.

Barcelona kishte shpresuar se do të arrinte marrëveshje për një rinovim të kontratës me yllin e skuadrës dhe t’i largonte të gjitha dyshimet lidhur me të ardhmen e argjentinasit. Megjithatë, një marrëveshje e tillë s’është arritur ende.

Ish-drejtori në Barcelonë, Braida, beson se Messi do ta kishte të vështirë të largohet nga Barcelona, mirëpo thotë se një largim i tillë s’do të ishte i pamundur. Ai më tutje shtoi se Messi mund të luajë bashkë me Ronaldon.

“Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm, ai ka qenë duke bërë punë shumë të mirë në Barcelonë. Ka qenë atje që kur ishte 13-vjeçar dhe jeton aty me familjen e tij”, ka thënë Braida, në një intervistë të dhënë për Radio anch’io sport.

“Do të jetë e vështirë për të të largohet, por jo e pamundur. A mund të luajë ai bashkë me Ronaldon? Ata të dy janë lojtarë aq të mirë që, me punë të mirë, do të mundë të luanim shumë mirë së bashku. Ata mund të luajnë bashkë”.

Messi dhe Ronaldo e kanë kaluar shumicën e karrierës së tyre në garë me njëri-tjetrin, mirëpo Braida s’e ka përjashtuar mundësinë që Messi dhe Ronaldo të bëhen më në fund edhe bashkëlojtarë, nëse ndonjë klub do të mundë ta përballojë financiarisht t’i ketë në skuadër dy futbollistët më të paguar në botë.

VOA: Pse nuk u shuajtën divergjencat mes Tiranës dhe Prishtinës në takimin, Rama-Kurti

Mes Tiranës dhe Prishtinës duket se mbeten të hapura divergjencat lidhur me të ashtuquajturin “mini Schengen” ballkanik, nismë e sponsorizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova deri më tani nuk i është bashkangjitur kësaj ideje, madje, pas takimit të radhës në Tiranë, pati kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare.

Takimi i sotëm në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës Albin Kurti, në vizitën e tij ë parë zyrtare jashtë vendit të tij, nuk ngjan t’i ketë sheshuar divergjencat. Biseda mes tyre zgjati mbi 30 minuta përtej parashikimit. Në përfundim të saj zoti Kurti, u përpoq të anashkalonte me diplomaci dallimet mes palëve për këtë çështje, duke evituar t’i përgjigjet pyetjes nëse Prishtina do të përfaqësohet në mbledhjen e radhës së kësaj nisme.

“Ishte një temë e trajtuar, por shkurtimisht, duke qenë se takimi ynë sot ishte më parë për “makro Shengenin” shqiptar se sa për “mini Schengenin” ballkanik”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Por zoti Rama nga ana e tij, bëri të qartë se nuk ka arsye për të mos e mbështetur këtë ide. “Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar përpara. Besoj se nuk ka “makro Schengen” shqiptar, pa “mini Schengenin” ballkanik. “Makro Schengeni” shqipar, është i lidhur ngushtësisht me Schengenin rajonal sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur, prej vitesh, për të patur një hapësirë të përbëshkët mes dy shteteve, për të patur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme” jo vetëm për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë”, deklaroi zoti Rama duke shtuar se “sot është vetëm në dorën tonë sepse këtë rezistencë unë e kam thyer dhe sot na takon të bëjmë më të mirën e të mos humbasim kohë, por t’a çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thotë dot se po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin”.

Të dy kryeministrat kanë rënë dakort ndërkohë, që të “ecim me një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat” dhe në fund të muajit mars të organizojnë dhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. “Dua që në këtë dekadë të tretë të shekulit 21, të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit, siç nuk ka qenë kurrë më parë mes dy vendeve”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Të dy vendet kanë firmosur deri më tani 77 marrëveshje bashkëpunimi, por një pjesë e tyre kanë mbetur në letër. Për këtë arsye të dy kryeministrat kanë rënë dakort që të ngrenë një komision të përbashkët ndërshtetëror “për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre e për t’ju drejtuar mbledhjes së qeverive si për arritjet ashtu dhe për nevojat për vendimarrje të tjera”, shpjegoi zoti Rama.