30.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Grenell kundër edhe reciprocitetit të Kurtit për Serbinë

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

“Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.
Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të iportuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.
Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”.

Zotimi i Kurtit për heqjen e taksës – e cila është bërë shkak i bllokimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë – ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.

Kjo ka bërë që Grenell t’i drejtohet Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës – subjektit më të madh opozitar – javën e kaluar, duke i thënë se “taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet” dhe se Kurti “ka të drejtë në këtë drejtim”.

Durrësi tronditet nga lufta e bandave, një i plagosur

Tronditet qyteti i Durrësit nga të shtënat me armë zjarri. Sipas informacioneve paraprake, një person është plagosur. Identiteti i tij ende nuk bëhet me dije.

Mësohet se i plagosuri, ka marrë një plumb në këmbë. Burime për mediat bëjnë me dije se i plagosuri ka mbërritur në Spitalin e Durrësit ku po merr ndihmë mjekësore.

Bashkëshorti i gjyqtares që gjykonte Shullazin tregon si u kërcënua me pistoletë në gojë: Ke dy fëmijët…

Gjykata e Tiranës ka rikthyer edhe njëherë për rihetim çështjen për gjyqtaren Saida Dollanin, e cila pretendon se është kërcënuar. Nga ana tjetër Prokuroria kërkon që dosja të gjykohet, por togat e zeza kërkojnë hetime më të thelluara, pasi sipas tyre ka mungesë provash.

Gjyqtarja Dollani, ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen ‘Shullazi’, por është larguar pas kërcënimeve të marra. Nuk është kërcënuar vetëm gjyqtarja, por dhe familjarë të saj. Kërcënimi është zbuluar nga vendimi i gjykatës, ku është publikuar dhe dëshmia e bashkëshortit të Dollanit. Dosja.al ka siguruar vendimin e gjykatës dhe dëshminë e bashkëshortit të Dollanit, i cili ka treguar kërcënimin që ka marrë nga disa persona.

“Isha në lokalin e lagjes bashkë me një mikun tim. Një moment dola të pija një cigare të dera e jashtme. Aty pranë kaloi bashkëshortja ime me një shoqen e saj dhe vajzën.

Pak minuta më pas, në të djathtën time erdhi një djalë i rri, rreth 20-22 vjeç, i cili ishte veshur me bluzë ngjyrë si në të zezë, pantallona të errëta dhe atlete të bardha.

Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë dhe vuri këmbën e majtë pas këmbës sime të djathtë. Më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë. Mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’.

Në këtë moment ndërhyri shoku im, i cili e kapi nga pas personin. Ai u largua nga pjesa e djathtë e rrugës, ku e mori një automjet i bardhë, që drejtohej nga një person me mjekër.

Kërcënimi në drejtimin tim ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda”, ka qenë kjo dëshmia e bashkëshortit të Dollanit.

Kërcënimi i bashkëshortit të gjykatëses vuri në lëvizje policinë dhe menjëherë për rastin nisën hetimet në atë kohë. Por edhe pse ka një dëshmi konkrete çështja gjykata ka kërkuar hetime më të thella. Gjykata konstatoi se ka mangësi në hetimin e rastit dhe për këtë i la detyra konkrete prokurores së çështjes.

Juristi i njohur: Nuk ka vend në Europë ku policia të marrë kompetencat e gjykatës

Juristi i njohur, Genc Gjokutaj duke folur për paketën anti-KÇK, u shpreh se nuk jemi në situatë emergjente.

I ftuar në Ora News, ai u shpreh se janë marrë persona të penalizuar dhe prona që janë sekuestruar më parë.

“Akti normativ ka fuqinë e ligjit, duhet të vijë në përputhje me kushtetutën. Duhet të plotësojë dy kushte që të dalë, në rastet e emergjencës. Del në kohë fatkeqësish natyrore, akti normative kur situata nuk pret kohëzgjatjen e daljes së ligjit. Në rastin konkret duhet që qeveria ti vlerësojë këto norma. Fjalën e fundit e ka gjykata kushtetuese, por duke qenë se nuk kemi një gjykatë kushtetuese për momentin.

Nuk kemi situatë emergjente deri tani. Janë marrë me persona të penalizuara dhe prona të sekuestruara. Krimi i organizuar ka synime, nuk është kap ça të kapësh”, u shpreh juristi.

Gjokutaj shtoi se është hetimi ai që e zëvendëson këtë akt normativ. Sipas tij nuk ka vend në Evropë ku policia merr kompetencat e gjykatës.

“Hetimi e zëvendëson aktin normativ. Nuk ka vend në Evropë ku policia të marrë kompetencat e gjykatës. Ministri i brendshëm bëhet superpolic. Nuk mundet që të anashkalohet kodi i procedurës penale. Gjykatat do ti rrëzojë këto, sepse është një ligj në kundërshtim me kushtetutën”, shtoi Gjokutaj.

Problem mungesa e gjykatës kushtetuese. Prokurori bën sekuestro, por kjo rrjedh nga një hetim i mirëfilltë. Ky rast është targetim, policia bën targetim.

“Urgjenca e QSUT një tmerr pa fund”. Vokshi denoncon situatën e rëndë!

Albana Vokshi denoncon situatën e rëndë Urgjencën e QSUT. “Miliona Euro cdo muaj që shkojnë PPP për oligarkë e klientë të Qeverisë, por asnjë shërbim për qytetarët”, shkruan Vokshi.

Reagimi i plotë
Për këdo që ka një hall me një të sëmurë këto ditë, #urgjenca e #QSUT është shndërruar në një tmerr pa fund.

Qindra pacientë që presin me orë e orë të tëra pa marrë asnjë shërbim mjekësor; që ulërasin nga dhimbjet e bërtasin duke kërkuar shërbim. Një shtrat është kthyer në një dëshirë të paarritshme.

Nuk ka as karrike për pacientët që përfundojnë ulur në shesh.

Injeksionet dhe analizat e gjakut në rastin më të mirë bëhen në karrike, duke rënkuar nga dhimbjet që nuk kurohen.

Miliona Euro cdo muaj që shkojnë PPP për oligarkë e klientë të Qeverisë, por asnjë shërbim për qytetarët.

Kjo eshte shendetesia #falas e Edi Ramës!

Tarifa e ujit u rrit, Ujësjellësat rritën kostot dhe…

Të dhënat paraprake të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se vitin e kaluar, mbulimi i kostove operative të ujësjellësave shënoi përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2018, pavarësisht se ujësjellësit kryesore të vendit kanë përfituar rritje drastike të tarifave.

Enti Rregullator i Ujit dorëzoi raportin e vet vjetor në Kuvendin e Shqipërisë këtë javë, ku bëhet e ditur se performanca e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve ka pësuar një përkeqësim të fortë gjatë vitit të kaluar, ndërsa reduktimi i humbjeve apo norma e arkëtimit kanë mbetur të pandryshuara. Sipas entit, treguesi i mbulimit të kostove operative dhe të mirëmbajtjes, një tregues kyç për të matur se sa me eficencë shpenzohen të ardhurat e sektorit, ra nga 119% në vitin 2018 në 108% më 2019.

“…vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M. Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara,” shkruan ERU në raportin e vet të publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

ERU është një institucion që mbikëqyr sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve që drejtohet nga një komision, anëtarët e të cilit emërohen nga Këshilli i Ministrave.

Enti ka shkaktuar kontroversialitet në aktivitetin publik gjatë viteve të fundit, për shkak të pranimit me argumente të dobëta ekonomike, të rritjes së ndjeshme të tarifave të furnizimit me ujë pa u kushtëzuar kjo me ndonjë kërkesë specifike në drejtim të rritjes së cilësisë së furnizimit.

Të dhënat e raportit, sipas Entit reflektojnë gjendjen e muajit shtator 2019 ndërsa janë ekstrapoluar për të vlerësuar gjendjen e tyre të pritshme deri në fund të vitit që lamë pas.

Sipas analizës së entit, shpenzimet e sektorit janë rritur me afro 18% dhe arritën në 12.7 miliardë lekë ose afro 100 milionë euro gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që të ardhurat u rritën me 6% në 10.4 miliardë lekë, afro 86 milionë euro.

Paga shtesë dhe zinxhir borxhesh
Të gjitha zërat e shpenzimeve të sektorit pësuan rritje të fortë gjatë vitit të kaluar, por rritja më e madhe u vërejt te kostot e punës dhe te fatura e energjisë elektrike. Kështu, ujësjellësat shpenzuan 4.2 miliardë lekë për paga ose 14% më shumë, ndërsa fatura e energjisë elektrike i kushtoi 2.6 miliardë lekë ose 12% më shumë.

Ujësjellësit njihen tashmë si ndërmarrje publike që kanë sakaq staf me tepri, por kjo nuk i pengoi këto kompani të shtonin edhe 245 persona të tjerë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të ERRU.

Rritja e kostos së energjisë elektrike duket se është shoqëruar edhe me mospagesa ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas OSHEE, “sektori jobuxhetor” ku përfshihen ujësjellësit, kanë akumuluar gjatë viteve të fundit miliarda lekë borxhe ndaj kësaj kompanie.

Rritja e kostos së punës me 14% gjatë vitit të kaluar nuk reflekton rritjen e përgjithshme të pagave në vend dhe as nuk korrespondon me ndonjë rritje të ndjeshme të cilësisë së furnizimit. Sipas ERRU, afro 22% e popullsisë vijon të mbetet jashtë rrjetit të ujësjellësave ndërsa gati gjysma e familjeve nuk kanë akses te rrjeti i kanalizimeve të ujërave të përdorura, gjë që do të thotë se i bëjnë derdhjet ku të munden.

Rritja e ndjeshme e shpenzimeve operative të sektorit vjen në një kohë kur çmimi i furnizimit me ujë në Tiranë, u rrit me 44% duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, ndërsa në Durrës u rrit me 15%. Këto janë edhe dy ujësjellësit kryesorë ne vend./Reporter.al

Pafuqia e Edi Ramës për të ndryshuar fatin e tij

Nga Red VARAKU

Nuk besoj se Edi Rama e ka dashur këtë fat, por ai është i pafuqishëm ta kundërshtojë atë. Ai tashmë ka hyrë në histori si kryeministri më i dështuar dhe i korruptuar i pluralizmit dhe kryeministri me bilancin më të dobët të qeverisjes këto 30 vjet.

Nga pikëpamja ekonomike ai ka administruar një buxhet gati sa dyfishi i Berishës, ka marrë borxhe sa të gjitha qeveritë bashkë këto 30 vjet, por asnjë qindarkë nuk ka përfunduar në shërbim të qytetarëve. Arsimi, shëndetësia, shërbimi policor si dhe shërbimet e tjera publike jo vetëm nuk janë përmirësuar, por janë përkeqësuar si asnjëherë tjetër.

Sipas një analize të thjeshtë, të taksave që ka mbledhur dhe borxheve të marra, dhe mënyrës se si janë administruar, ai ia ka dalë të shkatërrojë klimën e biznesit dhe të rendisë Shqipërinë në listën e vendeve më të korruptuara në botë, ndërsa veten si kryeministrin më të dështuar të këtyre 30 viteve.

Nga pikëpamja politike ai e ka dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme bazën dhe kohezionin e brendshëm të PS-së. Ai arriti ta shkatërrojë Partinë Socialiste duke asgjësuar procesin politik në parti dhe duke ia lënë në dorë administrimin e partisë grupeve kriminale, të cilët emërojnë dhe pushojnë cilindo që nuk i përgjigjet interesave të tyre.

PS sot është kthyer në një grupacion të lodhur dhe të demoralizuar nga imoraliteti politik, ku mbizotëron një klimë frike dhe terrori dhe ku askush nuk guxon të kundërshtojë apo të nxjerrë zë.

Gjithashtu ai arriti ta përçajë thellësisht të majtën si askush tjetër më parë. Partia Socialiste sot është më e vetme se kurrë dhe ka në koalicion disa emra fantazmë që nuk përfaqësojnë asgjë dhe askënd.

Ai nuk po bën asgjë për ta bashkuar të majtën dhe këtë sigurisht nuk e bën pa qëllim. Qëllimi është pastrimi i saj nga elementë që nesër mund ta rrezikojnë planin e tij për të sjellë eunukun Veliaj në krye të PS-së, në mënyrë që të vazhdojë ta drejtojë PS-në edhe pasi të largohet.

Nga pikëpamja e përpjekjeve për asgjësimin e Opozitës, për të cilën pati investuar miliona euro, plus favore të tjera, ai ka dështuar plotësisht . Çdo përpjekje e tij dhe çdo diversion me mercenarët e tij brenda dhe jashtë PD-së, jo vetëm nuk e ka dëmtuar Opozitën , por e ka forcuar atë.

Përpjekjet e tij për ta përçarë atë në fakt e kanë pastruar atë nga një establishment i korruptuar brenda saj, të cilët ishin kthyer në kancerin që shkaktoi dhe humbjen e PD në zgjedhjet e viti 2013.

Në këto kushte ai po e fut Partinë Socialiste në një kontrast të thellë politik me Opozitën . Ai po lë pas vetes si trashëgimi jo vetëm një shterpësi politike, por edhe një shkretinë ekonomike.
Gjithsesi, në kuadrin e luftës politike

nuk mund ta lëmë pa asnjë meritë. Ky njeri ka meritën që e nxorri cullak shëmtinë dhe perversitetin e rilindjes në sytë e shqiptarëve.

Opozita do ta kishte shumë të vështirë të bindte shqiptarët , nëse nuk do të kishte përballë një dordolec politik si ky.

Skandali, Thaçi i dhuroi Ramës gazin lotsjellës për të helmuar shqiptarët në protestat e opozitës, dokumenti!

Gazeta Insajderi ka zbuluar se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri. Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Përdorimi i tepruar i gazit lotsjellës kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri kishte ngritur shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha. Qeveria e Edi Ramës asnjëherë nuk e ka thënë të vërtetën se ku e kishte marrë gazin lotsjellës, të cilin e përdori për të shtypur protestën e opozitës. Kishte pohuar se kjo sasi gazi ishte blerë në kohën e Sali Berishës, pas protestave të 21 janarit të vitit 2011.

Por, Gazeta Insajderi ka zbuluar të vërtetën se si Qeveria e Edi Ramës e mori në mënyrë të dyshimtë këtë gaz lotsjellës nga Policia e Kosovës. Kjo është bërë nëpërmjet një marrëveshje të dyshimtë të nënshkruar mes Rashit Qalajt, drejtorit të Policisë së Kosovës dhe Ard Veliut, drejtorit të Policisë së Shqipërisë.

Marrëveshja e dyshimtë për 500 granata me gaz lotsjellës
Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Implementimi i tij duhet të bëhej nga drejtori Qalaj, njeri i lidhur dhe i dëgjueshëm i PDK-së së themeluar nga Thaçi.

Po ashtu, pjesë formale e implentimit do të duhej të ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme. Atëkohë, këtë post e mbante Ekrem Mustafa, i cilësuar nga kritikët e opozitarët si ministër analfabet dhe i padijshëm. Insajderi ka siguruar letrën që Mustafa ia kishte dërguar shefit të tij, Behgjet Pacollit. Duhej formalisht edhe “vula” e Pacollit për marrëveshje ndërkombëtare.

Si i gënjeu shqiptarët ministri Sandër Lleshaj?
Sandër Lleshaj, ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, ka gënjyer publikisht kur ka folur për gazin lotsjellës që është hedhur kundër protestuesve të opozitës, gjatë vitit 2019. Ai ishte pyetur nga deputeti Lefter Maliqi në një mbledhje të komisionit për siguri, të mbajtur më 11 nëntor të vitit të kaluar.

“… për sa i përket gazit lotsjellës në konceptin buxhetor ne e kemi gjetur nuk e kemi blerë. Atë e hedh policia. Jam dakort me ju që është hedhur shumë, por ama janë shmangur plumbat”, kishte thënë Lleshaj.

Fakti që vetë ministri i Punëve të Brendshëm i Shqipërisë e pranon se kanë hedhur shumë gaz lotsjellës, ligjërisht e bënë përgjegjës edhe shtetin e Kosovës. Kjo përbën shkelje të rregullave ligjore. Në cilësinë e blerësit, Policia e Kosovës mban përgjegjësi ligjore se si do ta shfrytëzojë gazin lotsjellës si përdorues i fundit i tij, pa pasur të drejtën e huazimit.

Në këtë rast, huazuesi i gazit lotsjellës Policia e Shqipërisë, është e paditur për përdorimin e dhunshëm të kësaj sasie. Një kallëzim penal kundër Sandër Lleshajt, ministrit të Punëve të Brendshme dhe disa punonjësve të Policisë së Shtetit është ngritur nga ish-krye bashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Lleshaj dhe vartësit e tij akuzohen nga Ademi për “shpërdorim detyre”.Padia është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Bashkia e Shkodrës kërkon edhe “pezullim të ushtrimit të detyrës publike” për personat e kallëzuar penalisht.

“Në cilësinë e Kryetares së e bashkisë Shkodër së bashku me qytetarët e Shkodrës po bënim manifestim paqësor , në mbrojte të të drejtave dhe lirive themelore Kushtetuese, mbrojtjen e drejtës së votës, e cila është parimi kryesor në zbatim të Kushtetutës. Manifestimi ishte paqësor dhe konform dispozitave ligjore në fuqi”.

“Bashkia e Shkodrës, në kallëzimin penal për ministrin e brendshëm dhe punonjës të Policisë së Shtetit thotë se “siç tregojnë edhe pamjet filmike, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë sulmuar me gaz edhe protestues të cilit ishin në kushte të pamundura shëndetësore, apo persona që po u vinin atyre në ndihmë. Kjo metodë kriminale, është shkelje flagrante e ligjit, që vë në rrezik serioz jetën e qytetarëve dhe personave që ishin duke i ndihmuar ato”, thuhet në kallëzimin penal kundër Lleshajt.
/Insajderi.com

Rrihet kryebashkiaku i Ramës

Ish-Kryeministri Sali Berisha shkruan në një postim në Facebook se, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja është dhunuar nga banda e dhenorit të Qazim Sejdinit, ish-kreut të Bashkisë Elbasan. Denoncimi ka ardhur në adresë të Berishës nga një qytetar i Elbasanit.

“Rrifet dhe bëhet peshk ne dru narkokreu monist i bashkisë të Elbasanit”, shkruan Berisha.

Postimi i plotë

Rrifet dhe behet peshk ne dru narkokreu monist i bashkise te Elbasanit!
Lexoni denoncimin e qyretarit dixhital. sb

Pershendetje doctor Berisha po te percjell nje lajme nga Elbasani jone i bukur kryetarin e bashkis Gledjan llatja e ka ber peshke ne dru para nje jave nga vet bandad e bashkise sepse nuk eshtë bindur urdhrave te dhendrit te Qazim Sejdinit.

Te lutem anonim se jane shum te rrezikshem per ne qe jetojme ne Elbasan..te pershendes…

Këshilltari socialist fshehu dy dënime, KQZ merr në shqyrtim kërkesën për heqjen e mandatit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim ditën e mërkurë kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit të anëtarit socialist të Këshillit Bashkiak, Mirush Dema.

Ky i fundit nga nga verifikimet e sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka rezultuar se ka fshehur dy dënime në Zvicër. Në vitin 2014, këshilltari aktual socialist në Kamëz, i ka ofruar për t’i shitur 4 qese heroinë një polici, i cili ishte i infiltruar.

Kurthin ai e ka kuptuar në fund. Për këtë ngjarje është dënuar, dënim i cili u konvertua në gjobë.

Këshilltari socialist rezulton se ka ndryshuar mbiemrin pas martese, nga Troci në Dema, por nuk i ka shpëtuar të kaluarës edhe pse në momentin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit, deklaroi vetëm një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe dëbim në Suedi, duke fshehur dënimin për heroinë dhe dhunim banese.

‘Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e mërkurë, më datë 12.02.2020, ora 13:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

Shqyrtimi i projekt-vendimit

1. Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Mirush Osman Dema (Troci), anëtar i këshillit të Bashkisë Kamëz, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.