22.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Europa nuk i ka mbyllur dyert Shqipërisë, por korrupsionit

Nga Jorida TABAKU

Dje, BE ka miratuar një metodologji të re për procesin e hapjes së negociatave. Tanimë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë të qartë rrugën që duhet të ndjekin për të nisur bisedimet për hyrjen në BE. Shqiptarët rrugën për këtë proces e kanë të përshkruar qartë nga 9 kushtet e Bundestagut që do të pasohet më pas me një vëzhgim të imtësishëm nga ekspertët e BE-së dhe të vendeve anëtare mbi çdo bashkësi të reformave që do ndërmerren.

Natyrisht që ndonëse BE ka ndryshuar metodologjinë, në themel të saj kanë mbetur parimet themelore të integrimit; mbështetja e pamohueshme e BE-së se vendet e BP duhet të integrohet, besimi i patundur që ky integrim vjen si pasojë e meritës mbi çfarë është arritur, vazhdueshmëria e reformave pasi ato janë për qytetarët dhe jo fasadë. Mbi të gjitha, baza kryesore e integrimit mbeten demokracia institucionale, sundimi i ligjit dhe reformat ekonomike.

Rruga e përcaktuar nga metodologjia e re është një një dinamikë e mundshme për një qeveri që ka vullnetin për integrim. Diçka që i ka mungar realisht kësaj mazhorance që në ditën e parë të pushtetit. Rruga e integrimit për në BE është e mundimshme por jo e pamundur dhe shpresoj shumë që qeveria ta shohë këtë si një mundës dhe incentiv për të bërë më shumë dhe jo për të bërë më pak.

Më shumë konferenca ndërqeveritare ku bëhet raportim për plotësim kriteresh, më shumë dialog politik, më shumë vullnet politik dhe angazhim nga të dyja palët. Mundësi financiare për ato që performojnë më mirë, mundësi për të zhvilluar dhe ekonomikisht vendet që janë në këtë proces duke ndihmuar që të përmirësohen dhe treguesit ekonomike janë të gjithë tregues se ky proces do të jetë një proces reflektimi e përmirësimi dhe për vetë vendet.

Por ajo që është më e rëndësishme është kredibiliteti: ky është një proces kredibiliteti dhe angazhimi për reforma që zbatohen dhe jo reforma në letër, për ndryshime reale dhe jo për propagandë.

Europa nuk i ka mbyllur dyert e shqiptarëve, gjithmonë i ka ofruar mundësi. Por BE, sigurisht që kurrë nuk do t’i ketë dyert e hapura për krimin, korrupsionin, migracionin, kapjen e drejtësisë dhe për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!

KLSH: 2.9 miliardë euro humbje nga keqmenaxhimi i financave publike nga qeveria Rama

Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet, tenderat dhe dhënia me qira në 2 vitet e fundit i ka kushtuar taksapaguesve shqiptar një dëm ekonomiko-financiar prej 2.9 miliard euro.

Sipas Transparency Internacional, ngërçi politik dhe praktikat mashtruese e korruptive të nënpunësve të administratës janë shkaqet e gjendjes katastrofike.

Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet, tenderat dhe dhënia me qira të pasurisë shtetërore.

Dëmi në buxhetin e shtetit, 645 mld lekë ose 2,9 miliardë euro.

Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet, tenderat dhe shkeljet gjatë procedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 645 miliardë lekësh përgjatë dy viteve 2018-2019.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj në një intervistë për mediet, thotë se në sektorin publik dëmi total për dy vitet e fundit arrin në shumën 363 miliardë lekë. “Në total, për këtë periudhë të 2 viteve të fundit janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 363 miliardë lekë ose afërsisht 2,9 miliardë euro: Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 51.4 miliardë lekë; Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 311.6 miliardë lekë, nga të cilat mbi 60% në fushën e të ardhurave dhe pjesa e tjetër në atë të shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve”, tha Leskaj.

Ndërsa në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit i kalon 280 miliardë lekë, tha Leskaj. Ai e vë theksin në faktin se korrupsioni në radhët e administratës është rritur duke cënuar drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Ashtu siç vëren dhe Transparency International, në raportin e tij më të fundit, një nga shkaqet e rritjes së korrupsionit në vend, është dhe ngërçi politik në vend prej afër dy vite. Gjithashtu ai evidenton edhe vonesën e krijimit të strukturave të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH, si dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të inkriminuar në praktika mashtruese dhe korruptive.

“Veç sa më sipër, gjykoj se te përkeqësimi i indeksit të korrupsionit kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, të perceptuar në rritje nga qytetarët, si përqendrimi i pushtetit dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies; krijimi i barrierave oligopolistike në ekonomi; ngathtësia dhe paaftësia burokratike; niveli i lartë i papunësisë dhe përpjekje fiktive për ta zvogëluar atë nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës; niveli i përgjithshëm i çmimeve i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa niveli i pagave i krahasueshëm me vendet e pazhvilluara aziatike; potenciali ende i papërmbushur i shoqërisë civile etj”, theksoi Bujar Leskaj.

Sipas tij, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme ndërkombëtarët kanë theksuar nevojën për më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, reagimi i institucioneve ka qenë sipërfaqësor. “Kultura jonë në marrëdhënie me ligjin është një kulturë sloganesh, ku ligjet janë të mira në letër, por zbatimi i tyre reduktohet eksponencialisht, sa më lart të ngjitesh në piramidën shtetërore”, tha ai. Sipas një auditimi të kryer nga KLSH mbi zbatimin e “Strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”.

Leskaj thotë se auditimi gjeti se institucionet e përfshira në hartimin, implementimin dhe monitorimin e kësaj strategjie dhe planiit të saj të veprimit, nuk kanë zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një strategji të pazbatuar, të pa-monitoruar dhe rrjedhimisht të pa-raportuar për arritjet dhe mosarritjet. m“KLSH ka rekomanduar krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion, e cila të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për ri-hartimin, ri-zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një ligji të posaçëm”, shtoi Bujar Leskaj, kreu i KLSH-së.

KiE rrëzon 30 qershorin: Zgjedhjet nuk ishin demokratike dhe nuk i shërbejnë pluralizimit në vend

Delegacioni i nivelit të lartë të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, në përfundim të misionit të tij në Tiranë, ka arritur në përfundime që rrëzojnë gjithë procesin e votimeve të 30 qershorit. Drejtuesit e delegacionit të KiE, në qëndrimet finale që mbajtën pas njohjes me situatën në Shqipëri, me një gjuhë direkte, pranojnë se 30 qershori nuk garantoi zgjedhjet demokratike dhe nuk i shërbeu pluralizimit në vend.

Gunn-Marit Helgesen, Presidenti i Dhomës së Rajoneve të Kongresit thotë hapur se zgjedhjet nuk ishin demokratike. “Për fat të keq, zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”, deklaroi Gunn-Marit Helgesen.

Presidenti i Kongresit Anders Knape duket ju referuar 30 qershorit thotë se nuk ka shtet normal pa demokraci funksionale ne nivelin lokal, duke nënkuptuar se votimet një partiake nuk mund të quhen demokratike. “Nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e Shtetit pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal. Kongresi do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për konsolidimin e vetëqeverisjes territoriale me anë të krahasimit dhe bashkëpunimit të synuar. Forcimi i konsultimeve midis qeverisë qendrore dhe nivelit lokal dhe luftës kundër korrupsionit janë të një rëndësie të veçantë për Kongresin në këtë drejtim”, tha Kna.

Delegacioni i nivelit të lartë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës që vizitoi Shqipërinë, përbëhej nga Presidenti i Kongresit Anders KNAPE (Suedi), Presidenti i Dhomës së Rajoneve, Gunn-Marit HELGESEN (Norvegji) dhe Presidenti i Dhomës së Autoritetet Lokale, Xavier CADORET (Francë).

Drejtuesit e misionit takuan Presidentin e Republikës, Zëvendës Ministrin e Brendshëm, Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, etj. kryetari i Bashkisë së Tiranës, përfaqësues të trupit diplomatik ndërkombëtar, OJQ-të dhe shoqatat e vetëqeverisjes territoriale si dhe Avokati i Popullit. /TCH.

“Kolapsi në shëndetësi është kriminal”. Basha: Vjedhja më e madhe në shëndetësi bëhet me koncensionet. Nuk ka shëndetësi falas!

Pyetje: Ka një vit që po kërkoj ilaçin për të kryer një protezë, por ministria e shëndetësisë thotë se nuk ka. Kthejani shpresën vendit se morëm fund si vend!

Lulzim Basha: Kolapsi në shëndetësi është kriminal. Duhet ta dini se shqiptarët harxhojnë më shumë për shëndetin se sa qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por ka një cilësi shëndeti deri në dhjetë herë më pak. Pse? Sepse këto para vidhen dhe shpërdorohen. Vjedhja më e madhe bëhet me koncensionet dhe koncensionet, të ashtuquajturat koncensione, aferat më të tmerrshme korruptive të shëndetësisë siç janë: Sterizilimi, Check Up, Laboratorët dhe çdo koncension tjetër në Shqipëri janë thellësisht korruptive dhe duhet që një për një të merren nën lupë, të shqyrtohen, të anulohen dhe këto para ti kalojnë shërbimit shëndetësor. Edhe kjo nuk do të mjaftojë.

Do të na duhet një reformë e thellë e shëndetësisë shqiptare, e cila nis me një përpjekje për ti mbajtur këtu mjekët e infermierët. Duke rritur rrogat e tyre. Duke u dhënë dinjitetin dhe sigurinë që meritojnë, duke u dhënë kushtet për të punuar dhe duke iu kërkuar llogari pastaj deri më një për kujdesin që tregojnë ndaj pacientit. Shumë shpejt platforma jonë për shëndetësinë do të jetë e gatshme për tu shpalosur dhe për tu bërë pjesë e diskutimit, mendimeve, sygjerimeve, natyrisht edhe pikëpamjeve tuaja.

Pyetje: Shëndetësia falas që premtoi Rama, kur do të bëhet?

Lulzim Basha: Nuk ka shëndetësi falas. Nuk do të ketë shëndetësi falas. Në asnjë vend të botës nuk ka shëndetësi falas. Vendet që premtojnë shëndetësi falas, janë diktatura dhe vende ku parametrat e shëndetësisë janë të tmerrshëm, ku vdekshmëria foshnjore është më e larta.

Si mund të ketë diçka falas në këtë botë?! Gjithçka ka një kosto. Ajo që ka rëndësi, është që të kuptojmë që edhe shqiptarët, paguajnë shumë, por vetëm një pjesë e kësaj shkon tek shëndetësia. Një pjesë vidhet nga fondet shtetërore, një pjesë paguhet nën dorë, siç i themi ne ryshfet.

Një pjesë shkon për bileta avioni, shkon për shpenzime qëndrimi sepse nuk kanë mundësi ti kurojnë këtu dhe i çojnë jshtë shtetit. Një pjesë tjetër shkon në sektorin privat. Por shqiptarët paguajnë më shumë për frymë për shëndetin seç paguajnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Pra na duhet një reformë e sistemit që duhet të nisë me vetëdijësim: nuk ka gjë falas, çdo gjë e ka një kosto.

Që nga kontrolli tek mjeku i familjes, që nga operacioni më i thjeshtë e deri tek bypass-i, çdo gjë e ka një kosto. Të kostohet gjithçka, të financohet gjithçka në mënyrë transparente dhe duke garantuar konkurrencën. Këto janë parimet mbi të cilat do të ndërtojmë një sistem shëndetësor i cili si fillim do të jetë të paktën po aq efiçent sa në Maqedoninë e Veriut

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengë, çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

Zbardhen të tjera detaje për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, trupi i të cilit ende nuk është gjetur nga policia. Në dosjen e Prokurorisë deklarohet se rrëmbimi është bërë si presion për një sasi prej 260 kg kokainë që vëllai i viktimës, Astrit Prenga që jeton në Angli iu kishte marrë disa shtetasve shqiptarë.

Ndërkohë zbulohen edhe lëvizjet e 5 autorëve të dyshuar, ndaj të cilëve gjykata me gjyqtar Sokol Tonën ka vendosur arrest me burg.

Bajram Hajri, 64 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit-kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Leonard Hajri, 35 vjeç, i dushuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Olsi Turja, 36 vjeç, i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Elton Hajri, 32 vjeç, i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Festim Bexhdili, 30 vjeç, nga Kavaja i dyshuar për veprat penale “rrëmbim ose mbajtje peng e personit” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehje dhe asgjësim kufome”.

Sipas Prokurorisë, në datën 17 janar, rreth orës 11:50 në rrugën “London” në Kamëz, persona të paidentifikuar kanë rrëmbyer shtetasin Jan Prenga duke e futur në një automjet fuoristradë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe procedurale, si edhe informacioni i mbledhur ka rezultuar Prenga është marrë peng nga disa persona si mjet presioni për shkëmbimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë që vëllai i tij shtetasi Astrit Prenga i cili heton në Angli u kishte marrë disa shtetasve shqiptarë. Për këtë fakt këta të fundit kishin urdhëruar marrjen peng të Prengës në këmbim dhe kthimin e lëndës narkotike. Duke përcaktuar këtë motiv të rrëmbimit organi i akuzës pretendon se sasia e lëndës narkotike është 260 kg.

Në hetimet e këtij rrëmbimi Gjykata e Tiranës vendosi të kontrolloheshin tre banesa private të këtyre personave në Pjezë, Shijak, Durrës, disa hotele si edhe në kompleksin Golden në pronësi të familjes Hajri në Shijak.

Nga kontrollet janë sekuestruar, një armë zjarri pistoletë tip “Glock”, një krehër dhe 11 copë fishekë 9 mm; një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, një krehër me 15 fishekë 9 mm; 16 aparate celularë; 4 makina të markave të ndryshme, 4800 euro; 3 aparatë DVR regjistrimi të kamerave të sigurisë së këtyre objekteve.

Nga këto pamje filmike të administruara në formën e fotove zbulohet edhe rruga e ndjekur nga automjeti “Range Rover Evoque” me ngjyrë të bardhë me rrëmbyesit e pengut Jan Prenda. Automjeti ka pasur targën AA365VI dhe i përket shtetases K.R., kallëzuar nga kjo shtetase si i vjedhur në Komisariatin nr.6 më 26 nëntor.

Automjeti pasi hynë në kompleksin “Golden” në Shijak në orën 11:35, del nga pjesa e oborrit të kompleksit në mbrëmje në orën 20:38 dhe ikën në drejtim të Durrësit, ku u gjet më pas i djegur në fshatin Shkallnur.

Nga proces verbalet e këqyrjes së CD-ve si edhe pamjeve fotografike të nxjerra nga kamerat e vëzhgimit konstatohen se si jashtë kompleksit “Golden” por sidomos në ambientet e brendshme, në bodrum të akuzuarit kryejnë veprime aktive, si fshehje e armëve, duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut, duke ndihmuar fizikisht futjen e kufomës në automjetin tip “Furgon”; automjet në pronësi të Elton Hajrit si edhe transportimin në drejtim të daljes nga ambientet e kompleksit. Sipas pamjeve që disponon prokuroria, në furgon futen edhe vegla të tilla si kazma e lopata.

“Golden” administrohet nga Bajram Hajri, Leonard Hajri dhe Altin hajri. Ndërsa Olsi Turja merret me menaxhimin e kompleksit. Ky i fundit në filmime sipas prokurorisë shfaqet duke fshehur dhe fshirë gjurmët e gjakut.

Ndërsa për Festim Bexhdilin, i cili akuzuohet edhe për fshehjen dhe asgjësimin e kufomës, prokuroria thotë se në sjelljet e tij rreth ngjarjes, tek ai identifikohen dukshëm veprime aktive në transportimin e kufomës fillimisht në furgon dhe më pas dhe jashtë tij, por deri tani nuk është gjetur vendi ku është varrosur Jan Prenga./ bw

Katër ‘shpullat’ e Sekretarit amerikan të Shtetit për Edi Ramën

Nga Red VARAKU

Ishte e qartë që me vendimet e tij të papërgjegjshme Edi Rama po shkonte me shpejtësi drejt një kursi përplasjeje të pashmangshme me SHBA-të.

Vendimi për të mbështetur projektin e Moskës për ndarjen territoriale të Kosovës, vendimi për të bërë zgjedhje të paligjshme pa Opozitën, vendimi për krijimin e Jugosllavisë së re, vendimi për të bllokuar reformën në drejtësi nëpërmjet bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krijimit të njësisë Anti- KÇK, vendimi për bllokimin e reformës zgjedhore, ishin qartazi tregues se Edi Rama nuk po e kuptonte seriozitetin dhe gravitetin e çështjeve ku po përfshihej.

Me sa duket ishin pikërisht këto vendime, që e detyruan fillimisht Kancelaren Merkel dhe tani Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, të ftonte Ramën për një vizitë të paparalajmëruar në Washington.

Siç duket qartë edhe sipas deklaratës së zëdhënëses Morgan Ortagus, Pompeo ia ka bërë më shumë se të qartë qëndrimin e prerë amerikan në lidhje me katër çështje : integrimin europian, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe platformën 5 G.

Le t’i marrim me rradhë këto çështje për të argumentuar këtë qëndrim:
Së pari, integrimi europian për Shqipërinë mbetet prioritet i prioriteteve për SHBA. Kjo do të thotë që zbatimi i nëntë kushteve të Bundestagut, është një fakt i pakundërshtueshëm. Gjithashtu kjo do të thotë që ideja e Moskës për krijimin e Jugosllavisë së re,jo vetëm që është një ide e dënueshme, por është e dështuar në kuadrin e një iniciative që nuk përfshin të gjitha shtetet, veçanërisht Kosovën.

Së dyti, mbështetja e vendosur që SHBA rikonfirmoi për reformën në drejtësi, lidhet me përpjekjen e dështuar të Ramës nëpërmjet bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe një shpikje qesharake të quajtur Anti -KÇK për t’iu mbivendosur asaj dhe më pas asgjësuar produktin e saj. Sigurisht, kjo është dhe mbetet një shpullë e qartë vetëm për Ramën, sepse Partia Demokratike e ka përshëndetur krijimin e SPAK dhe po bën gjithçka që reforma në drejtësi të implementohet.

Së treti, për herë të parë kemi dhe një prononcim të niveleve kaq të larta të politikës amerikane në lidhje me reformën zgjedhore. Nuk duhet të harrojmë që reforma dhe implementimi i saj është një kusht i panegociueshëm i Bundestagut, që në thelb pranon krizën politike në Shqipëri dhe Washingtoni në lidhje me këtë çështje është në një frekuencë me Berlinin për formulën e zgjidhjes së saj.

Së katërti, qëndrimi i Sekretarit Pompeo për platformën kineze 5G, ishte gati poshtërues për kryeministrin shqiptar. Sepse ai e quajti Shqipërinë udhëheqës rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G, kur vetëm tre muaj më parë vetë Edi Rama kishte propaganduar platformën kineze 5G në faqen e tij zyrtare në facebook.

Për ata që vërtet nuk e kuptojnë dhe për ata që hiqen sikur nuk e kuptojnë , integrim në Perëndim do të thotë zgjidhje e krizës politike nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Kjo shpjegon në fakt edhe mungesën e entuziazmit në fytyrën e Edi Ramës për këtë takim, dhe përpjekjen e shëmtuar për të gënjyer në lidhje me temat e bisedës së këtij takimi.

Tashmë, pas këtij takimi nuk ka më asnjë dyshim, që integrimi i Shqipërisë në BE do të bëhet vetëm pas plotësimit të nëntë kushteve, ndërkohë zgjedhjet e parakohshme nën vendosmërinë që po demonstron Perëndimi, do t’i japin fund përfundimisht edhe tranzicionit të stërzgjatur politik shqiptar.

Noka: Rama nuk i lufton kriminelët sepse ka ndarë pushtetin me ta

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i ftuar në Syri TV ka komentuar të ashtuquajturin “Operacioni Forca e Ligjit”, të cilin e quajti një show propagandistik të Rilindjes.

Sipas ish deputetit demokrat, të luftojë Rilindja krimin, është njësoj si të luftojë veten.

“Nuk i lufton sepse ka ndarë pushtet me ta. Të rastësishëm janë këta deputetë, kryetarë bashkish? Ky ka qenë favori i Ramës.

Ka një ligj anti-mafia në Shqipëri. Referoju atij. Ermal Hoxha dhe persona të tjerë të kapur në Xibrakë duhej ti nënshtroheshin “sekustrimit të pasurisë”. Kush e dekonspiroi? Rilindja. Kush e mbrojti? Rilindja. Pse si i bëri paratë ai, duke kënduar e shoqja? E gjithë është një show për të pastruar fytyrën e tij të njollosur nga krimi dhe droga”, u shpreh ish-deputeti.

Pse jemi skeptik dhe e paragjykojmë?

“Nuk luftohet krimi me aksione, por me strategji konkrete. Këto janë histori aksionesh. Kush e ndaloi 7 vjet? Pse këta nuk u liruan kur ishte PD në pushtet. Nuk kishte as ligj anti-mafia, as KÇK, por të gjithë përfunduan para drejtësisë”, tha Noka.

Kurti i përgjigjet Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim.

Në fjalën e tij për Zërin e Amerikës, kryeministri ka theksuar se në lidhje me taksën ndaj mallrave serb do të diskutojë me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë për të parë aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.

“Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik.

Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.”, ka sqaruar Kurti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Kurti i është përgjigjur edhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj i cili përmes një letre i ka bërë thirrje që të mos e heqë taksën ndaj Serbisë.

“Unë qysh në fillim kam deklaruar që tarifat nuk janë në kuadër të vizionit të lëvizjes Vetëvendosje, edhe atëherë kur isha në opozitë. Këtë e kam përsëritur në fushatë, ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit i cili nuk e kuantifikon raportin me Serbinë, por paraqet një kualitet të ri për shtetin e Kosovës.

Në këtë kuptim, unë nuk kam preferuar që të themi se nëse kjo shishe ujë bën një euro kur vije nga Serbia është në rregull të vijë nëse bën dy euro, pra ne nuk kemi qenë brenda një logjike të kuantifikimit material, por të subjektivitetit, integritetit, dinjitetit dhe për mua reciprociteti nuk është vetëm tregtar, është edhe shtetëror.

Ta zëmë, maunet tona kur kanë kaluar në Serbi kanë pasur gjobitje për shkak se nuk janë pranuar lejet e vozitjes së shoferëve tanë, ose një vajzë ose djalë që ka mbaruar universitetin në Prishtinë, nuk mund të punësohet dot në Bujanoc, Preshevë apo Medvegjë e të tjera, certifikata e mallit tonë për shkak se shkruan Republika e Kosovës nuk pranohet në Serbi.

Nëse duam marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse duam normalizim, atëherë do të duhej të sillemi në mënyrë normale e kjo do të thotë ta respektojmë edhe tjetrin e jo vetëm ta dashurojmë vetveten. Prandaj mendoj që Serbia do të duhej që ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, sepse për një normalizim që e kërkojmë të gjithë, edhe ne edhe faktori ndërkombëtar, besoj që shumë më tepër duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova”, tha Kurti.

Ndër të tjera në intervistën e tij për VOA, Kurti ka deklaruar se i dërguari i Trump për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell i dha energji procesit të dialogut. Sipas kryeministrit të ri të Kosovës, marrëveshja mes dy vendeve mund të arrihet edhe brenda këtij viti, duke theksuar se nuk do të lejojë më tashmë të ketë një tjetër dështim.

“Është e mundshme, mirëpo unë nuk do të mund të parashikoja një gjë të tillë tani. Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë”, shprehet ndër të tjera Kurti.

“Fasada po vdes njerëz në QSUT”, Basha ngre alarmin: Kapaciteti i kirurgjisë është përgjysmuar…

Kryetari i PD, Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë teksa komentoi edhe Kirurgjinë e re në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, pohoi se ka pasur raste kur pacientët kanë ndërruar jetë, pasi sipas tij për të shkuar nga urgjenca në sallat e operacionit duhet më shumë kohë.

Gjatë një bashkëbisedimi live me qytetarët në ‘Facebook’ Basha tha se, tashmë fasada e QSUT po merr jetë njerëzish, ndërsa shtoi se nga një kapacitet prej 12 sallash operacioni, sot Kirurgjia ka 6 të tilla.

Pyetja: Hajde ne QSUT. Shikoni se çfarë bëhet tek Pediatria, nuk ka mjekë të na vizitojnë fëmijët…

Lulzim Basha: E di, kam qenë para disa kohësh, ndonëse pa kamera. Do të vij përsëri. E kam dëgjuar edhe javën e kaluar nga mjekët e QSUT se në çfarë gjendje katastrofike ndodhet jo vetëm Pediatria, por e gjithë QSUT-ja. Nuk ka gjë që e përmbledh më mirë konceptin e fasadës sesa ajo që u bë në QSUT.

Sapo u inaugurua Kirurgjia e re, nga 12 kemi 6 salla, nga 120 kemi 60 shtretër. Po ta shikosh nga kronikat televizive, po, fasada është e bukur, është e lyer bukur. Po të futesh brenda kemi gjysmën e kapacitetit që kishte e vjetra për t’u shërbyer pacientëve, për të mos u futur në detaje të tjera të tmerrshme që kam dëgjuar nga profesionistët sesi mënyra dhe koha e komunikimit nga një repart i urgjencës tek një repart tjetër është zgjatur në krahasim me çfarë ishte.

Pra, në qoftë se të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni, tani duhet të kalosh dy- tre ashensor. Pse?! Për hir të fasadës. Dhe kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve, të cilëve mund t’u shpëtohet jeta, në qoftë se thelbi do të kishte prevaluar mbi fasadën.

Jo, fasada në këtë rast, kontekstualisht, po vdes njerëz në QSUT. Do të vij shumë shpejt, edhe tek Pediatria, për të cilën për fat të keq kam marrë raportime, kam parë edhe raportime në media, kemi patur edhe njerëzit tanë në terren së fundmi për të parë sesa e tmerrshme është gjendja dhe për ta denoncuar atë. Dhe ju siguroj që do të jetë një nga prioritetet kryesore dhënia fund e kolapsit në shëndetësi.

Më jep një motiv të vij nga Italia dhe të votoj për ty?
Me PD ne do të rikthjejmë në Shqipëri trajektoren e rritjes ekonomike. Të ringjallim ekonominë është objektivi ynë.

Çfarë qendrimi keni sot pas katër vitesh për reformën territoriale, e bërë në mënyrë të njëanshme nga Rilindja? A është në axhendën tuaj rindarja territoriale?

Do ta shpegoj se ke kërkuar edhe takim në zyrë. Ajo që kemi thënë prej fillmit do ti qendrojmë. Reforma territoriale është dështim, nuk ka më demokraci, fondet nuk po shkojnë për më shumë investime, por po shkojnë për qoka. Kjo situatë duhet të ndryshojë, prioritet për ne është një reformë e re territoriale. Jo thjeshtë një hartë të re.

Më erdhi turp si u foli ajo punonjësja. A do të jepni mësim të universitet? Do kisha shumë dëshirë
Së pari unë do e vazhdoj turin tim dhe nuk ka askush dhe asgjë. Mua më vjen keq për atë zonjës se ishte e terrorizuar, e bëri me urdhër nga lart. 30 vjet pasi aty ra komunizmi pamë një gjendje të turpshme. Erdhi me urdhër nga lart, por kot e kanë mua s’më ndalin dot. Shpresoj që së shpejti të takohemi unë do e vazhdoj turin tim edhe në universitet. Sa i përket mësimdhënies shpresoj që në fillimtë bëj dicka, pastaj pse jo.

Basha: Amnisti për kamatëvonesat e energjisë elektrike për familjet në nevojë

Gjatë komunikimit me ndjekësit e tij në Facebook, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka bërë edhe një premtim për familjet në nevojë, ku ka premtuar amnisti për kamatëvonesat e energjisë elektrike.

Pyetje: Përshëndetje zoti Basha! A keni ndonjë plan PD të bëjë diçka në lidhje me borxhin që kanë qytetarët e OSHEE-së, se kam parasysh aktmarrëveshjet që paguajnë pjesa më vulnerabël e qytetarëve?

Lulzim Basha: Bëhet fjalë për një pagesë që varion 15-20 -30 mijë lekë në muaj dhe që siç thua, godet pjesën më të varfër, më të pamundur të shqiptarëve. Po patjetër që do të ketë zgjidhje për këtë dhe ua them unë sesi. Ka një shtresë vulnerabël që çfarëdo që të bëhet, sido që të funksionojë ekonomia, sado mirë që të funksionojë ekonomia nuk e ngre dot kokën mbi ujë.

Çfarë do të bëjmë, do t’i lëmë ashtu të mbyten?! Detyra e një kombi të civilizuar, një shoqërie të civilizuar që për një shtresë të shoqërisë, që për një sërë arsyesh; paaftësi fizike, moshë e thyer, fatkeqësi apo situata specifike, nënë me shumë fëmijë, etj, për këtë pjesë të shoqërisë t’i japim një dorë, t’i ndihmojmë.

Pjesë e kësaj ndihme do të jetë patjetër shqyrtimi i problemit që parashtron, për të cilën ekipi ynë ka propozuar që për familjet që janë nën minimumin jetik kjo kamatëvonesë të amnistohet masivisht për këto familje. Sepse në fund të fundit e kemi parë se si kjo shumë, që tamam është shumë gjaku që nxirret nga këto familje, po shkon jo për përmirësimin e parametrave të KESH-it apo OSHEE-së, por po shkon për luksin dhe hajdutërinë e zyrtarëve të korruptuar të OSHEE-së, të KESH-it dhe qeverisë.