29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Fjalimi i Trump para Kongresit: Socializmi shkatërron kombet, por liria bashkon shpirtërat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti fjalimin tradicional për gjendjen e vendit në një klimë të tensionuar në Uashington, një ditë para votimit në Senat për sharkimin ose jo të tij. Por Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme se kurrë dhe u përqendrua tek sukseset e administratës së tij. Megjithatë për çështjet ku republikanët dhe demokratët janë në skaje të kundërta, qëndrimet e tij nuk ofruan një emërues të përbashkët.

Dy vështrime të ndryshme për ekonominë
Presidenti Donald Trump e hapi fjalimin me një mesazh optimist:
“Tregu i vendeve të punës është rritur, varfëria po fundoset, krimi po bie, besimi po rikthehet dhe vendi ynë po lulëzon dhe po gëzon respekt të madh përsëri! Armiqtë e Amerikës janë në arrati, mirëqenia e Amerikës është në rritje dhe e ardhmja e Amerikës është e shkëlqyer”, tha ai, para se të deklaronte se gjendja e vendit është “më e fuqishme se kurrë”.

Ndërsa republikanët brohorisnin “katër vjet të tjerë”, një kujtesë se të dyja palët e kanë kthyer vështrimin nga zgjedhjet e nëntorit, Presidenti Trump foli për një papunësi të ulët rekord, veçanërisht mes afrikano-amerikanëve, grave dhe veteranëve.

“Unë i mbaj premtimet. Vetëm në tre vjet, e kemi asgjësuar mentalitetin se Amerika është në rënie dhe e kemi hedhur poshtë tkurrjen e fatit të Amerikës. Po ecim përpara me një ritëm që ishte i paimagjinueshëm vetëm pak kohë më parë dhe nuk do të kthehemi më kurrë mbrapsht”, tha ai.

Por disa nga pretendimet e Presidentit Trump si për shembull se Shtetet e Bashkuara janë bërë prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit natyror dhe se sektori i prodhimit është rritur nën administratën e tij, u hodhën poshtë nga kontrolli i fakteve kryer nga agjencia e lajmeve AP.
Dhe përgjigjia e demokratëve u përqendrua pikërisht tek ekonomia.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer që foli në emër të partisë së saj tha se “punëtorët amerikanë po vuajnë”.

“Miliona vetë mezi po ia dalin ose nuk kanë para që të mbarojnë muajin, pasi paguajnë për transportin, borxhet studentore dhe ilaçet. Kështuqë kur presidenti thotë që ekonomia është e fortë, pyetja ime është: e fortë për kë?”, tha ajo.

Zoti Trump foli gjithashtu për politikat e tij tregëtare, të cilat tha ai po e forcojnë Amerikën.
“Para disa ditësh ne nënshkruam një marrëveshje të re të pashembullt me Kinën që do t’i mbrojë punëtorët tanë, pronën tonë intelektuale, do të sjellë miliarda dollarë në thesarin tonë dhe do të hapë tregje të reja për produkte të prodhuara pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Presidenti tha se administrata e tij ka investuar 2.2 trilionë dollarë në ushtri, përfshirë krijimin e degës së re të quajtur Forca Hapësinore, si edhe se aleatët e NATO-s po paguajnë tani pjesën që u takon për mbrojtje.

Politika e jashtme
Një nga momentet kur të dyja palët duartrokitën ishte kur zoti Trump prezantoi udhëheqësin venezualian të opozitës Juan Guaido që ishte në galerinë e të ftuarve, duke e quajtur udhëheqësin legjitim të vendit.

Duke folur për Lindjen e Mesme, zoti Trump tha se 100 për qind kalifatit të Shtetit Islamik është shkatërruar, duke përmendur vrasjen e udhëheqësit të grupit, Abu Bakar al-Baghdadi dhe kryegjeneralit iranuan Qassem Soleimani.

“Mesazhi ynë ndaj terroristëve është i qartë: nuk do t’i shpëtoni kurrë drejtësisë amerikane. Nëse sulmoni qytetarët tanë, e paguani me jetën tuaj”, tha ai.

Por një raport i fundit i zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes dhe zbulimit thotë se operacioni që vrau al al-Baghdadin në Siri, tetorin e kaluar, pothuajse nuk e ka frenuar fare grupin.
Agjencia e Zbulimit e Departamentit të Mbrojtjes analizon se struktura e komandës dhe strukturës e organizatës si edhe shumë nga rrjetet e saj klandestine mbeten të paprekura.

Presidenti tha se është në dorën e regjimit iranian që të heqë dorë ose jo nga synimi për të prodhuar armë bërthamore dhe për të ndalur përhapjen e terrorit, duke i ofruar ndihmë për të mëkëmbur ekonominë nëse bashkëpunon.

Procesi i shkarkimit, i papërmendur por i pranishëm
Është e pamundur ta shkëpusësh fjalimin e presidentit Trump nga momenti kur ai u mbajt, një ditë para se të votohet nëse do të shkarkohet ose jo dhe në një vit zgjedhjesh.

Është praktikisht e sigurt që senatorët do ta lirojnë Presidentin nga akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë pasi partia e tij republikane ka shumicën në Senat, ndërkohë që për shkarkimin e një presidenti kërkohet një shumicë prej dy të tretat e votave.

Presidenti nuk e përmendi procesin e shkarkimit dhe ndoshta vetëm një fjali, mund të interpretohet sikur i referohej atij. “Të vetmet fitore që kanë rëndësi në Uashington, janë ato që japin rezultate për popullin amerikan”, tha zoti Trump.

Por tensioni ishte i dukshëm me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi – udhëheqësja më e lartë demokrate që drejtoi procesin e shkarkimit – ulur pas tij. Të dy kundërshtarët politikë nuk ishin takuar prej muajsh.

Në fillim Presidenti Trump i dha kopjen e fjalimit zonjës Pelosi, por nuk ia dha dorën, ndërsa ajo zgjaste të sajën. Zonja Pelosi vetëm pak sekonda më pas, prezantoi Presidentin pa përdorur shprehjen tradicionale “është një nder dhe kënaqësi e veçantë të prezantoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara” dhe në fund të fjalimit, ajo grisi kopjen e saj ndërsa presidenti ishte në podium.

Bill Sweeney, profesor në Universitetin Amerikan tha se ishte fjalimi më partiak që kishte dëgjuar ndonjëherë.

“Veprimet e tij, fakti që nuk i dha dorën zonjës Pelosi. Prezantimi që i bëri kryetarja Pelosi, duke mos thënë disa nga fjalët që janë taditë dhe pastaj kur shihje republikanët brohorisnin në çdo moment dhe demokratët rrinin ulur. Nuk ishte fjalim për gjendjen e vendit. Ishte fjalim për rizgjedhje”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Me një sy nga zgjedhjet e nëntorit
Për çështjet ku të dyja palët janë më të polarizuara, qëndrimet e zotit Trump, binin pa mëdyshje në qendër të pozicioneve republikane.

Kështu ishte për shembull çështja e imigracionit.
Presidenti Trump akuzoi “politikanët” radikalë, që u japin strehë të sigurt “të huajve të paligjshëm kriminelë”.

“Nëse hyni ilegalisht, do të dëboheni menjëherë”, tha ai.
Ai tha se duhet të reformohet sistemi i imigracionit, në favor të një sistemi merite.
Ai premtoi gjithashtu se do ta mbrojë gjithmonë Amendamentit e Dytë për të drejtën e armëmbajtjes që ai thotë se është nën sulm.

Dhe në galerinë e të ftuarve ishte personaliteti konservator i medias, Rush Limbaugh, i cili sapo ka njoftuar se është me kancer dhe të cilin zoti Trump e nderoi me medaljen e lirisë. Zoti Limbaugh shihet nga liberalët dhe demokratët si dikush që ngjall gjuhën e urrejtjes.
“Mendoj se mesazhi i tij ishte efektiv për bazën e tij. Por baza nuk është shumica e popullit amerikan”, tha profesor Sweeney.

Sondazhi i fundit i organizatës Gallup tregon se baza republikane është në masë dërrmuese me zotin Trump dhe se madje procesi i shkarkimit mund t’ia ketë forcuar pozitat. Rezultatet që dolën të martën tregojnë se 94 për qind e republikanëve e miratojnë punën e tij, 6 për qind më shumë sesa një muaj më parë.

Dhe megjithëse shkalla e miratimit në nivel kombëtar, 49 për qind e bën Presidentin Trump të parin që nuk e ka arritur kurrë 50 për qindshin, kjo shifër është tre për qind më e lartë sesa mbështetja e ish-Presidentit Barack Obama në të njëjtën periudhë të presidencës. Shifra e mëparshme më e lartë për zotin Trump ishte 46 për qind në prill të vitit të kaluar.

“Gjendja e kombit është më mirë se kurrë më parë,” tha Presidenti Trump duke shtuar:

“Sapo mora postin, vendosa që urgjentisht që ringjallë ekonominë amerikane, ndryshova numrin rekord të ligjeve, që vrasin vendet e punës, kam futur numrin rekord dhe historik të lehtësimeve tatimore dhe kam luftuar për marrëveshje reciproke dhe të ndershme mbi ekonominë.”

Marrëveshjet e reja me Kanadanë dhe Meksikën si dhe faza e parë e marrëveshjes me Kinën për ruajtjen e vendeve të punës, tha Presidenti Trump, do ti sjellë miliarda dollarë Sekretariatit amerikan për financa dhe do të hap tregje të reja të mëdha për produktet amerikane.

Presidenti amerikan tha se administrata e tij ka investuar 2.200 miliardë dollarë në forcat e armatosura, duke përfshirë edhe degën e re të ushtrisë – Forcat hapësinore, ndërsa aleatët amerikan janë duke plotësuar detyrimet e tyre financiare ndaj NATO-s.

Papunësia është në shkallën më të ulët në 50 vitet e fundit, tha Presidenti Trump duke shtuar se dukshëm janë rritur përqindjet e të punësuarve afroamerikanë, latinoamerikanë, aziataikoamerikanë, gra, veteranë dhe persona me nevoja të veçanta.

Pasi dy administratat e kaluara kanë mbyllur 60 mijë fabrika, gjatë kohës së kësaj administrate janë hapur 12 mijë fabrika, tha Presidenti i SHBA në fjalimin e tij drejtuar kombit.

“Për tetë vite të administratës së kaluar, më shumë se 300 mijë njerëz të aftë kanë humbur vendet e tyre të punës, Vetëm për 3 vite të administratës time, 3.5 milionë njerëz janë punësuar,” theksoi Presidenti Trump.

Presidenti i 45-të amerikan premtoi se do të luftoj për arsimin më të mirë për amerikanët e rinj dhe që prindërit nuk do të detyrohen ti çojnë fëmijët e tyre në shkollat shtetërore. Nxënësit, tha ai, janë rob të shkollave shtetërore që po shkatërrohen. Duke lavdëruar mundësinë e përzgjedhjes së shkollave, Presidenti kërkoi nga Kongresi që të miratoj propozimin ligjor, i cili jep lehtësi tatimore grupimeve që ofrojnë shkollimin për shkolla private.

“Ndërtimi i shoqërisë gjithëpërfshirëse është kur të kujdeseni që çdo amerikan i ri të merr arsimim të shkëlqyeshëm dhe mundësi që ta realizoj ‘ëndrrën amerikan’,” tha Presidenti Trump duke bërë të ditur gjithashtu se ka firmosur Ligjin i cili mundëson që shpenzimet e shërimit të bëhen transparente:

”Jeta e mirë për familjet amerikane kërkon dhe kujdes shëndetësor më cilësor dhe më modern në botë. Para se ta merrja postin, primet e sigurimit shëndetësor janë dyfishuar gjatë periudhës pesëvjeçare. Unë kamë gjetur alternativa të arsyeshme, dhe do të jenë më të lira për 60 për qind si dhe më të mira. Gjithmonë do të mbrojmë pacientët që kanë sëmundje serioze dhe para se ata të sigurohen.”

Më shumë se 130 anëtarë të Kongresit kanë firmosur propozimin përmes të cilit imigrantët do të kenë të drejtën në kujdesin shëndetësor në llogari të taksapaguesve, tha Presidenti dhe i bëri thirrje amerikanëve që të mbrojnë njerëzit e sëmurë amerikanë dhe personat e moshuar dhe të mos lejojnë kujdesin shëndetësor shtetërore për imigrantë ilegal.

“132 anëtarë të Kongresit në këtë hapësirë ka propozuar ligjin përmes të cilit socialistët do të merrnin sistemin tonë shëndetësor duke shkatërruar në këtë mënyrë sistemin privat shëndetësor të 180 milionë amerikanëve. Juve që po shikoni këtë fjalim në shtëpi, dua t’iu them qartë: Kurrë nuk do të lejojmë që socializmi ta shkatërroj shëndetësinë amerikane!”

Presidenti Trump tha se është i lumtur që ka firmosur ligjin i cili do ti mundësoj të punësuarve në administratën shtetërore që të shfrytëzojnë pushimin e lindjes ndërsa shtoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur amerikanët nga koronavirusi. Me superlativa foli për vazhdimin e financimit të ilaçeve për fëmijët me kancer ndërsa shpreson se deri në fund të kësaj dekade do të zhduk SIDA-n nga SHBA.

Me këtë rast Presidenti Trump i bëri thirrje përfaqësesve të Kongresit që të ndalojnë abortin në javët e fundit të shtatzënisë.

Presidenti i SHBA foli dhe për përpjekjet e jashtëzakonshme të administratës së tij që të siguroj kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë strehim për amerikanët që respektojnë ligjin, jo për emigrantët ilegal kriminel. Nëse futen në mënyre ilegale, do të largoheni menjëherë,” ishte mesazhi i qartë I Presidentit amerikan.

Administrata mbron sigurinë kombëtare dhe lufton kundër terrorizmit islamik radikal, tha Presidenti Trump ndërsa kujtoi se ka propozuar Planin paqësor për Lindjen e Mesme, se themeluesi dhe lideri i ISIS, Al-Bagdadi është i vdekur, si dhe ai iranian, siç e quajti, kasap mizor, Qasem Suleimani.

“Mesazhi jonë për terroristët është i qartë: nuk do ti shpëtoni drejtësisë amerikane. Nëse sulmoni qytetarët tanë, do ta paguani me jetë.”

Presidenti i SHBA foli dhe për formimin e Forcave hapësinore ndërsa kërkoi nga Kongresi që të mbështesin iniciativën që mashkulli dhe femra e parë që do të shkelin në Hënë të jenë amerikanë, që do të jetë dhe hapi fillestar për përpjekjet tona që flamuri i parë në Hënë të jetë ai amerikanë.

Momenti që shkaktoi brohoritje nga pjesëtarët e të dyja palëve ishte kur Presidenti i SHBA, Donald Trump, prezantoi mysafirin e tij në sallë, liderin opozitar venezuelian, Huan Guaid, të cilin e quajti president legjitim të Venezuelës ndërsa e luti që t’u thotë qytetarëve të vendit të tij se kanë mbështetjen e Amerikës në luftën për liri, me mesazhin:

“Socializmi shkatërron kombet, por liria bashkon shpirtërat!”

Me përfundimin e fjalimit të tij, kryesuesja e Kongresit, Nancy Pelosi grisi fjalimin e Presidentit Trump, veprim për të cilin mediat amerikane e komentuan me fjalët e tij të fundit kundër socializmit që acaruan këtë komuniste amerikane.

Sot, ndonëse pritet që Senati të vendos nëse Presidenti i SHBA, Donald Trump, duhet të shkarkohet, komunistët e amerikanë e kishin të qartë para se ta iniconin në Kongres se Presidenti Trump do të shpallet i pafajshëm përkundër spektaklit që ofruan demokratët për elektoratin e tyre, në prag të zgjedhjeve presidenciale. Ndryshe, demokratët akuzuan Presidentin e SHBA, Donlad Trump, për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, me dyshimin se ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të hetimeve për rivalin e tij politik, Joe Biden. Ky teatër me keqpërdorimin e demokracisë amerikane sot pritet të marr fund në Senat.

Basha: Rruga jonë është t’i dëgjojmë të gjithë

Kryetari i PD, Basha ka reaguar në lidhje me lajmet e fundit të trilluara nga propaganda e pushtetit për refuzimin që ju bë për të dëgjuar zërin e studentëve. Basha thotë se rruga e tij është ajo e dëgjimit të popullit shqiptar.

Postimi I Bashës
Ngjarjet e 24 orëve të kaluara janë një pamje e qartë e realitetit me të cilin përballet Shqipëria.

Mbrëmë ishim të ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij kombi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona. Kjo është rruga jonë. Rruga e të dëgjuarit, e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.

Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart.
Në fakt kjo është rruga tjetër, ajo e frikësimit dhe intimidimit.

Si shërbyes publik, nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike.

Unë u bëj thirrje atyre që merren me kërcënime dhe frikësime, të rishqyrtojnë taktikat e tyre. Populli shqiptar do të dëgjohet!

Ligji antiKÇK nuk zbatohet për miqtë trafikantë droge të Olsi Ramës. Pasuria e Ermal Hoxhës nuk verifikohet nga policët e Ramës

• Ligji antiKÇK nuk zbatohet për miqtë dhe bashkëpunëtorët trafikantë droge të Olsi Ramës. Pasuria e Ermal Hoxhës, i dënuar për ngritjen e laboratorit të parë të kokainës në Shqipëri, nuk verifikohet nga policët e Ramës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, FLAMUR NOKA

Edi Rama është i pafuqishëm për të luftuar krimin e organizuar, sepse ai është vetë krimi i organizuar. Me pasuritë e trafikantëve të drogës, Edi Rama ka lidhur pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm të tij dhe të familjes së tij.

Në vend të show-t qesharak dhe turizmit policor nga një qytet në tjetrin, e ashtuquajtura Forca e Ligjit mund të bënte shumë punë në Tiranë me trafikantët e drogës në miqësi dhe në biznes me vëllanë e kryeministrit.

Pasuritë e Ermal Hoxhës, bashkëpunëtorit të Olsi Ramës për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, nuk duhet të mbeten të paprekshme.

Financieri i grupit të strukturuar kriminal, që, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, ngriti laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, nuk duhet të ketë mbrojtjen e Olsi Ramës nga ligji i Edi Ramës.

Fatkeqësisht, rastet si ky i Ermal Hoxhës, Saimir Tahirit apo Taulant Ballës me mikun e tij trafikant droge, që merr tendera publikë tregojnë sesa thellë e ka kriminalizuar Edi Rama politikën dhe vendimmarrjen.

Fatmirësisht, shqiptarët janë vetëdijësuar se ligji në duart e Edi Ramës është vetëm një mjet që i shërben pushtetit të tij dhe jo interesit publik.

Në çdo sondazh online, ku qytetarët votojnë të lirë, tregon mosbesimin e thellë të shqiptarëve tek kjo qeveri dhe tek ky kryeministër.

Shqiptarët e dinë se nuk ka asnjë shans që Edi Rama të luftojë krimin e organizuar, pasi ai është produkti politik i parave të pista të krimit të organizuar.

Gjatë gjithë karrierës se tij politike, Edi Rama ka siguruar vota dhe para prej krimit të organizuar, duke u dhënë trafikantëve të drogës leje ndërtimi, koncesione, tendera dhe pasuri publike.

Për të luftuar krimin e organizuar, Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja propagandistike, që nuk zbatohen kurrë për miqtë, familjarët dhe klientët e kryeministrit. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i krimit të organizuar.

Partia Demokratike është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi treguar se vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, dy armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve.

Mediu në SHBA: Po punojmë me aleatët amerikanë…

Siguria e Rrjetit 5 G në Ballkan dhe përballja me rrezikun e ndërhyrjes kineze dhe ruse në këtë treg, ishte tema e forumit të organizuar në ShBA, ku mori pjesë dhe zoti Fatmir Mediu, në cilësinë e bashkëkryetarit të këtij Forumi për Sigurinë.

Ndërtimi me shpejtësi i rrjeteve 5 G nga Kina, tendenca për të dominuar në këtë treg, si dhe ndërhyrjet për të shpërndarë teknologjinë kineze edhe në vendet e Ballkanit, janë kthyer në një shqetësim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mundësia e aksesit nga ana e kinezevë në shkëmbimin e informacioneve, kryesisht ushtarake mes vendeve anëtarë të NATO-s, është një rrezik real për interesat e vende të Ballkanit, u shprehën gjatë këti takimi përfaqësues të Kongresit Amerikan.

Gjatë këtij takimi zoti Mediu, i cili edhe më herët në takimet që zhvilluar në vendet e rajonit, si Kosovë, Mal i Zi, etj, është shprehur mbi këtë rrezik potencial, theksoi se Shqipëria është duke punuar në bashkërendim me aletatët e saj amerikanë, në forcimin e kapaciteteve dhe teknologjisë 5 G.

“Eshtë lançuar kohët e fundit e ideja e rrjetit 5 G edhe në Shqipëri dhe për fatin e mirë ne jemi në një marrëdhënie të avancuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është vendi i tretë që po nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me SHBA, bazuar mbi Protokollin e Pragës dhe besoj që është një lëvizje në drejtimin e duhur. Dhe në këtë pikëpamje kompanitë mobile që operojnë në Shqipëri janë të lidhura në këtë pozicion, që ka të bëjë më sigurinë 5 G, shmangien e investimeve që cënojnë sigurinë dhe interesat tona kombëtare, sidomos patneritet tonë në NATO”, u shpreh zoti Mediu gjatë fjalës së tij në këtë Forum Sigurie.

Mbi 1 miliard dollarë investime parashikon projektligji që kanë propozuar një grup senatorësh amerikanë në përshpejtimin e ndërtimit të rrjeteve 5 G dhe avancimin e kësaj teknologjie, në mënyrë që të përdoret në fushat më jetike të shoqërisë, qoftë në banka, spitale, hoteleri, telefona privatë, por edhe në shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara.

Coronavirus: Shkencëtarët në kërkim të përgjigjeve

Çfarë është coronavirus?
Coronavirus është një familje virusesh të zakonshme, të quajtur kështu prej pikave në sipërfaqen e tyre që formojnë një lloj kurore. Mund të shkaktojnë sëmundje që shkojnë nga i ftohti i zakonshëm në sindroma respiratore më të rënda si MERS-i (sindromi respirator i Lindjes së Mesme) dhe SARS-i (sindromi respiratori akut i rëndë). Në vitin 2003 SARS-i infektoi më shumë se 8000 njerëz, prej të cilëve 774 vdiqën. Epidemia aktuale, e shpërthyer në Wuhan, një qytet kinez me 11 milion banorë në Provincën Hubei, është shkaktuar nga një coronavirus deri më tani i panjohur, i quajtur 2019-nCoV.

Cilët janë simptomat e virusit të ri?
Mbi të gjitha the dhe kollë dhe, në disa raste, vështirësi respiratore. Simptomat duket se manifestohen midis 2 ditëve dhe 2 javëve pasi personi i është ekspozuar virusit. Një hulumtim, i botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, ka analizuar të dhënat lidhur me 41 pacientët e parë të shtruar në spital. Me moshë mesatare 49 vjeç, ¾ qenë meshkuj dhe më pak se 1/3 paraqisnin një patologji tjetër: diabet, hipertension apo sëmundje të tjera kardivaskulare. Të gjithë kishin pulmonit dhe, përveç njërit, ethe. Në ndryshim nga SARS-i, 41 pacientët e parë nuk paraqisnin simptoma lidhur me rrugët e sipërme ajrore, si hundë që rrjedh, djegie fyti, teshtitje. Vetë një pacient kishte diarre.

Si diagnostikohet dhe trajtohet?
Autoritetet shëndetësore kineze e kanë rikrijuar virusin në laborator, kanë sekuenciaur genomën e tij dhe kanë ndarë sekuencën me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Virusi është rikrijuar edhe nga një grup kërkuesish australianë, që e ka vënë në dispozicion të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OMS). Nuk ekzistojnë antiviralë specifikë për infeksionin, vetëm trajtime simptomatike apo antivirale zakonisht të përdorura për infeksione të tjera. Aktualisht nuk ekziston vaksinë, por shkencëtarët e kanë identifikuar virusin me shpejtësi dhe kanë krijuar një test diagnostikues në më pak se një muaj. Përparimet e teknologjisë ka mundësi që të lejojnl testimin e një vaksine kundër 2019-nCoV brenda 3 muajsh. Megjithatë kalimi nga testimet në prodhim masiv kërkon shumë kohë.

Si transmetohet?
Coronavirusi i Wuhan ka shumë mundësi të transmetohet nëpërmjet kollës dhe teshtitjes, ashtu si gripi. Por nuk përjashtohet infektimi nga persona tashmë të infektuar pa simptoma apo gjatë periudhës së inkubacionit. Shkencëtarët po kërkojnë të kuptojnë shkallën e transmetimit të virusit. Një studim i dytë i “The Lancet”, i bërë me një familje, sugjeron se virusi ka kaluar nga një prind i sëmurl tek 6 të tjerë; vetëm 2 kishin pasur kontakte me pacientin fillestar. Ka qenë konfirmimi i parë i transmetimit të virusit nga njeriu tek njeriu.

Nga vjen virusi?
OMS-ja po punon akoma për ta individualizuar origjinën e virusit. Shumë prej rasteve të para të konfirmuara (por jo të gjitha) kishin të bënin me njerëz që në muajin dhjetor kishin qenë në një treg të Wuhan që shet edhe kafshë të gjalla. Një analizë gjenetike e kohëve të fundit sugjeron se coronavirusi i ri ngjan me një virus që godet lakuriqët e natës dhe gjarpërinjtë. Sipas Kristian Andersen, biology i institutit kërkimor SCRIPPS, që ka analizuar sekuencat e 2019-nCoV, infektimi parë mund të ketë ndodhur javë apo muaj më parë dhe virusi duket se ka ardhur në treg në një moment të dytë.

Ku është përhapur virusi deri më tani?
Prej 6095 rasteve të konfirmuara (të dhëna të azhornuara më 30 janar), më shumë se 98% gjendet në Kinë, sidomos në Wuhan, por edhe në Pekin, Shanghai e Guangdong. Prej 76 të infektuarve në botë – midis Tajlandës, Japonisë, Koresë së Jugut, Tajvanit, Shteteve të Bashkuara, Singaporit, Vietnamit, Australisë, Malajzisë, Francës, Nepalit, Kamboxhias, Kanadasë, Gjermaniës, Sri Lankas, Emirateve të Bashkuara, Finlandës – thuajse të gjithë vinin nga Wuhan apo nga qytete të tjera kineze. Raste transmetimi nga njeriu në njeri të ndodhura jashtë Kinës janë regjistruar në Vietnam, Japoni e Gjermani.

Sa infektues është virusi?
Akoma nuk është e qartë. Dihet që transmetohet nga njeriu në njeri. Autoritetet kineze kanë paraqitur prova rastesh të gjeneratës së katërt në Wuhan dhe infeksione të gjeneratës së dytë jashtë qytetit. Llogaritjet paraprake mbi numrin mesatar të infektimeve që çdo person i infektuar mund të shkaktojë, i njohur si R0, tregojnë se janë nga 1.4 në 2.5 për persona të infektuar. Gripi sezonal zakonisht ka një R0 prej rreth 1.3.

Sa është vdekjeprurës?
Deri më tani 133 të vdekur janë lidhur me virusin, gjë që sugjeron një përqindje vdekshmërie prej rreth 3%. Krahasuar, gripi normal ka një koeficent vdekshmërie prej rreth 0.14% (rreth 1 person në 1000). Koeficenti i vdekshmërisë së SARS-it është në rreth 11%, ajo e MERS-it në rreth 30%. Çdo vit në botë gripi normal sezonal godet miliona njerëz. Midis 3 dhe 5 milionëve kanë komplikacione dhe midis 250000 dhe 500000 vdesin.

A ka rrezik për një epidemi globale?
OMS-ja ka deklaruar se rreziku epidemik është shumë lartë në Kinë dhe i lartë në nivel rajonal. Është i lartë edhe në nivel global. Nëse numri i rasteve jashtë Kinës do të rritej, atëhere OMS mund të shpallë emergjencë shëndetësore ndërkombëtare.

Si frenohet epidemia?
Qeveria kineze ka marrë masa të paprecedent për t’i frenuar infektimet: ka zgjatur pushimet e Vitit të Ri kinez, ka mbyllur Bursën dhe shkollat deri në një urdhër të dytë. Zonat më të goditura nga virusi janë vënë në gjendje karantine: janë pezulluar transporti publik dhe trafiku privat. Masat prekin më shumë se 50 milion njerëz në 17 qytete. Hong Kongu ka ndërprerë lidhjet hekurudhore me Kinën kontinentale. Kompanitë ajrore “British Airways” dhe “Lufthansa” kanë pezulluar të gjitha fluturimet me Kinën. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Australia dhe Japonia kanë organizuar fluturime speciale për të riatdhesuar shtetasit e tyre.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Intervista e Abidal që zemëroi Messin

Reagimi i Lionel Messit ndaj Eric Abidalit ka shkaktuar një kaos te Barcelona, pasi që kjo zënkë është mes kapitenit të skuadrës dhe ish-futbollistit e drejtorit sportiv të klubit katalonas.

Argjentinasi Lionel Messi ishte provokuar nga Eric Abidali, i cili kishte sugjeruar se lojtarëve ishin pjesë e arsyeve për shkarkimin e Valverdes. Messi reagoi ashpër, duke thënë se drejtuesit duhet t’i marrin përgjegjësitë për punën e tyre.

“Unë i shikova ndeshjet dhe nuk i shikova rezultatet. Por, i shikova se si po luheshin ndeshjet, taktikat dhe punën e lojtarëve të cilët nuk luanin shumë. I shikoja këto detaje”, ka thënë Abidal.
“Shumë lojtarë ishin të pakënaqur ose nuk po punonin mjaftueshëm dhe kishte një problem me komunikimin e brendshëm. Trajneri kishte marrëdhënie të mirë me lojtarët në zhveshtore, por, si ish-lojtar, ka disa gjëra që unë mund t’i nuhas”.

“Ia tregova klubit mendimin tim dhe atyre u takoi ta merrnin vendimin”.

Valverde u shkarkua në gjysmë të janarit, edhe pse Abidali e sqaroi se shkarkimi i tij kishte qenë në proces e sipër për rreth një muaj.

“Ishte një vendim i klubit, por ne veçse e kishim parë se problemi ishte i brendshëm. Nuk është kurrë e lehtë të marrësh vendime të tilla, por pas El Clasicos më 18 dhjetor, ne filluam t’i specifikonim disa gjëra lidhur me largimin e tij”, sqaroi Abidali.

Quique Setien është tani trajner i Barcelonës dhe Abidali është i kënaqur që katalonasit e kanë gjetur një person të përshtatshëm për këtë post.

“Ai e ka ADN-në që nevojitet. Ai e kupton rëndësinë e të punuarit me detajet e vogla dhe lojtarët të cilët nuk po luajnë ndihen pjesë e grupit. Komunikimi duhet të jetë i rrjedhshëm dhe kjo e bën skuadrën më të bashkuar dhe më të mirë”, përfundoi Abidali.

Por Messit duket se nuk i kanë pëlqyer komentet e Abidalit, pasi argjentinasi i ka bërë thirrje ish-bashkëlojtarit të vet të flasë me emra ose të mos bëjë fare komente për skuadrën.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi.

Barcelona në krizë pas zënkës së Messit me zyrtarin e klubit

Barcelona është duke e përjetuar krizën më të keqe ndër vite. Rezultatet e këqija në fushë, të kombinuara me shkarkimin e Ernesto Valverdes dhe disa faktorëve të tjerë, e kanë futur klubin në një periudhë të errët, që u bë e qartë për publikun të martën kundër Lionel Messi e konfrontoi Eric Abidal në rrjete sociale.

Sekretari teknik i Barcelonës, Eric Abidal, kishte folur për disa media lokale për të sqaruar gjithçka që kishte ndodhur në klub gjatë këtij afati kalimtar të janarit, por deklarata e tij për lojtarët provokoi përgjigje nga Messi, shkruan Marca.

Francezi i kishte ndarë mendimet e tij për mediumin spanjoll Sport për nivelin e intensitetit të stërvitjeve. Ai tha se disa lojtarë ishin të pakënaqur dhe nuk kishin punuar mjaftueshëm, duke i fajësuar ata për shkarkimin e Valverdes. Kjo nuk i pëlqeu Messit, i cili reagoi në rrjete sociale.

Messi reagoi shpejt dhe ai u tregua me më temperament sesa zakonisht, gjë që sipas Marcas vjen shkaku i rezultateve të dobëta në fushën e lojës.

Zemërimi i argjentinasit është i qartë edhe në fushën e lojës dhe gjatë stërvitjeve. Ai ishte i qartë në përgjigjen e tij dhe i tha Abidalit të shqetësohet për detyrat e veta dhe se drejtuesit e klubit duhet të nisen nga vetja kur përballen me probleme në klub.

Nga përvoja, Messi e di se kur dikush e bën ndonjë koment për zhveshtoren në Barcelonës, e gjitha vëmendja kalon te ai. Ai beson se nëse ka një person që s’ishte fajtor për shkarkimin e Valverdes, atëherë ai ishte ai person.

Barcelona tani gjendet në një situatë ku askush nuk i beson askujt dhe tensionet në klub janë në një nivel të lartë. Josep Maria Bartomeu nuk i beson Abidalit për gjithçka që ndodhi në janar, veçanërisht pas dështimit të transferimit të një sulmuesi apo emërimit të Xavi Hernandezit në pozitën e trajnerit.

Edhe vetë lojtarët janë paksa në mëri me bordin drejtues pasi që ata kishin qenë të afër me Valverden, para se ky i fundit të shkarkohet. Edhe në zhveshtore ka ndarje, pasi që lojtarë si Sergio Busquets, Ivan Rakitic dhe Arturo Vidal ishin të lumtur me shkarkimin e Valverdes.

Tani, atmosfera në Barcelonë është pothuajse toksike dhe fakti që asnjëri nga kapitenët nuk mori pjesë në konferencën për shtyp ku Victor Tomas e lajmëroi pensionimin e reflektoi këtë. Barcelona ka probleme të mëdha dhe ato nuk duket se do të zgjidhen së shpejti.

Rruga pa sinjalistikë, makina bie në Gjanicë, humb jetën shoferi

Një aksident i rëndë u shënua Mallakastër. Makina ka dalë nga rruga në aksin Fier-Ballsh tek kthesa e Visokes dhe ka përfunduar në lumin e Gjanicës. Nga të dhënat e para dyshohet se një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër të ketë shpëtuar.

Forcat e policisë kanë arritur të nxjerrin trupin e viktimës Gramoz Isufaj nga ujërat e turbullta të lumit.

“Rruga ka kthesa të shumta dhe mungon siguria në rrugë, si sinjalistika apo barrierat. Mbetet për tu konfirmuar shkaku, por paraprakisht mendohet se është shpejtësia e lartë. Në këtë moment ka stuhi të forta ere dhe shiu”, thanë burimet nga vendi i ngjarjes.

985 milonë euro dëmet nga tërmeti/ Paloka: Pas orientimit të ‘bablokut’ u shpall shifra që ju duhet për të futur në xhep…

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka reaguar pas shpalljes së shifrës së dëmeve të tërmetit nga ministry Çuçi. Paloka shkruan në një postim në Facebook se, problemi është se këta nuk janë specialistët që duhej të benin ekspertizën dhe vleresimin real, keta janë “specialistët” që sipas orientimit të “bablokut” kanë shpallur shifrën që ju duhet për të futur në xhep…

Postimi i plotë i Palokës

Kush kishte dyshime ne gjenialitetin e gjithanshem te kryeministrit tone sot duhet te jete bindur se e ka patur gabim…

Rama deklaroi pa u bere ende vleresimi i demeve te termetit prej specialisteve se demi shkonte ne rreth 1 miliard dollare. U mblodhen “specialistet” dhe sot shpallen se demi qenka 985 milion dollare…problemi eshte se keta nuk jane specialistet qe duhej te benin ekspertizen dhe vleresimin real, keta jane “specialistet” qe sipas orientimit te “bablokut” kane shpallur shifren qe ju duhet per te futur ne xhep…

Vettingu/ Komandanti i Gardës nuk justifikon pasurinë, me klinikë dhe probleme në…

Ditën e sotme ka dalë përpara komisionit të vettingut në polici, komandanti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, për të cilin janë konstatuar disa probleme në deklarimin e pasurisë së Sakos dhe në pastërtinë morale të figurës.

Sipas KJV, komandanti i Gardës ka shlyer një kredi prej 3 milionë lekësh në 3 vite pa argumentuar burimin e të ardhurave.

Ai rezulton se ka probleme në investimet në një klinikë dentare në pronësi të tij, që rezulton me vlerë më të lartë sesa është deklaruar. Gjithashtu KVJ ka konstatuar se janë deklaruar 2 milionë lekë më pak në fitimet e klinikës për periudhën 2017-2018.

Automjeti ‘Toyota’ i Gramoz Sakos sipas deklaratave të tij është shitur 15 mijë euro por KVJ dyshon se kjo është një shifër fiktive pasi ai e ka blerë atë 450 mijë lekë.

Subjekti në kundërshtim me ligjin rezulton se ka qenë pronar i një bar kafe.

Në pastërtinë e figurës Gramoz Sako rezulton me probleme pasi ka punësuar dhe favorizuar mbesën si juriste në Gardën e Republikës.

Për sa i përket formimit profesional ai është pa probleme.

Para komisionit do të dalë dhe Gledis Nano, Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit, në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Gjatë javës pritet që në vetting të kalojnë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Artan Shkëmbi Drejtor i Drejtorisë Hetimore Qendrore, në Departamentin për Policinë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.