32.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Basha flet pas takimit me ambasadoren e SHBA: Do të ketë zhvillime të reja dhe…

Një ditë e ngjeshur plot me takime kjo e martë për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Pasi zhvilloi një takim me kryetarin e PE-së David Sassoli dhe më pas me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale në Komisionin Euuropian, lideri i PD-së po pret ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Diplomatja është pritur në hyrje të selisë nga vet Basha, ndërsa ky është takimi i parë prezantues mes tyre.

Pas takimit Basha u shfaq optimisti dhe tha se të gjitha takimet e sotme po bëhen për t’i dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe zhvillimi. Ai paralajmëroi se dita nuk ka mbaruar dhe se do të ketë plot zhvillime dhe lajme duke mos bërë të qartë se çfarë do të bëhet konkretisht.

”Ju siguroj që dita e sotme është e zhvillimit politik dhe çfarë ajo do të vijë do jetë plot me lajme dhe zhvillime. Çdo gjë që po bëhet është t’i jepet shqiptarëve një rrugë shprese dhe zhvillimi.
Të gjitha takimet që bëhet sot po bëhen për të mirën e shqiptarëve dhe do vijoj t’ju informoj më vonë.”- tha Basha.

Reagimi i Bashës

Kënaqësi e veçantë të mirëpres Znj. Yuri Kim, Ambasadoren e SHBA, aleatit dhe partnerit tonë strategjik.
E urova Ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA.

Ndava me të pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrdhënieve të shkëlyqera mes dy vendeve tona.

Tahiri lobon në SHBA me kompaninë e njeriut të shpallur “non grata” nga Pompeo

Alan Blaine Stone themelues dhe ish-CEO i kompanisë amerikane të mbrojtjes Circinus Defense LLC, në të cilën ka qenë partner me mbledhësin e fondeve Elliott Broidy, ish-Zëvendës President i Komitetit të Inaugurimit të mandatit të Presidentit të SHBA Donald Trump dhe ish-zëvendëskryefinancier i Partisë Republikane, themeloi në vitin 2018 kompaninë e tij të konsulencës mbi sigurinë dhe inteligjencën Stone Strategic Solutions (SIII).

Në tetor 2018 Stone krijoi dhe një degë të saj në Bukuresht të Rumanisë. Gjithashtu Alan Blaine Stone e ka të rregjistruar rezidencën e tij në Bukuresht, por si vendbanim kryesor e ka të deklaruar në shtetin Virxhinia në SHBA.

Nga të dhënat e publikuara, rezulton se Stone Strategic Solutions (SIII) ka qenë e kontraktuar edhe nga ish-Kryetari i PSD të Rumanisë, njëkohësisht ish-Kryetar i Parlamentit Liviu Dragnea. Falë ndëmjetësimit apo “ftesës” së Elliot Broidy, ish-lideri socialdemokrat rumun u shfaq në Janar 2017 në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit Donal Trump si dhe në disa fotografi pranë Presidentit Trump në Hotelin Trump International në Uashington.

Por megjithë përpjekjet e Stone Strategic Solutions, Liviu Dragnea u dënua me vendim të formës së prerë me 3.5 vite burg më 27 Maj 2019 dhe më 5 Shtator 2019 Sekretari Amerikan i Shtetit Maikëll Pompeo e shpalli Liviu Dragnean dhe familjarët e tij të papranueshëm për të hyrë në SHBA, për shkak të përfshirjes në korrupsion të nivelit të lartë.

Eunews.al

Notat e Albinit në shkollë

Njeriu që tani do të udhëheq me qeverinë e vendit dikur ishte ndër nxënësit më të preferuar për mësuesit e tij. Më poshtë mund t’i lexoni rrëfimet e disa ish-mësuesve të Albin Kurtit të cilët duke kujtuar kohën sa ishte ai nxënës dhe si ishte në atë kohë mendojnë se ai është njeri i duhur për të udhëhequr me ekzekutivin.

Por ka edhe diçka që nuk u ka pëlqyer te Kurti.
Qemajl Kastrati që i mësoi Kurtit lëndën e fizikës është i bindur se djaloshi që kurrë nuk i erdhi në mësim i papërgatitur do të dijë të udhëheq me vendin.

‘Shumë i mirë dhe i dëgjueshëm. Ka qenë shumë i respektueshëm, i drejtë dhe i sinqertë me të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit”, tha ai për Klan Kosovën. Kastrati nuk i gjen asnjë të metë Kurtit si fillorist në sjellje dhe në mësime megjithatë i jep një kritikë si politikan.

Dhunën në Kuvendin e Kosovës thotë se kurrë nuk ia arsyetoi dhe as nuk ia fali.
Megjithatë arsimtari i pensionuar thotë se ish-nxënësi nuk do ta zhgënjejë si lider i Kosovës.
Këtë besim e kanë edhe në shkollën “Naim Frashëri” ku lideri i Vetëvendosjes para 39 vjetësh regjistroi klasën e parë.

Në këtë shkollë thonë se ai ende përmendet.
“Unë i kam pyet disa mësimdhënës që i kanë dhënë mësim dhe sa herë që ka gara ata thonë se si ‘Albini nuk do të ketë më nxënës”, tha Drita Qorolli, drejtoreshë e shkollës ‘Naim Frashëri”.

Në ditarët e viteve sa Kurti ishte nxënës shihen sukseset shembullore dhe notat 5. Aty është një koment në ditar në gjuhën angleze i bërë nga mësuesja e lëndës së asaj kohe.

Aty ajo shkruan se ‘Albini është nxënësi më i zellshëm që ka takuar ndonjëherë”.
Vetë Kurti e kishte shprehur disa herë dashurinë e tij për shkollën e sidomos për mësuesen e parë Nafije Devën e cila nuk jeton më.

Tirana drejt “tokës së premtuar” serbe të drogës dhe armëve

Shaban Murati

Duke qenë se ditirambet e Tiranës zyrtare për bllokun e ri ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia po tejkalojnë patetizmin e udhëheqjes së dikurshme komuniste të Shqipërisë për Jugosllavinë në vitet 1944-1948, dhe po e paraqesin sot Serbinë si “toka e premtuar” për kombin shqiptar në vend të Brukselit apo Jeruzalemit, është rritur kureshtja për të mësuar më shumë për këtë “tokë të premtuar”, që befas e ka zbuluar së fundmi qeveria e Shqipërisë.

Në këtë drejtim vjen në ndihmë portali i njohur rus “eadaily.ru”, i cili në datën 26 janar sjell deklaratat e bashkëpunëtorit të Institutit të Kërkimeve Europiane në Beograd dhe profesor i jashtëm në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme Ruse, Stevan Gajiç.

Ja deklarata e tij: “Udhëheqja serbe hyri në vitin e ri e ngarkuar me dy afera të bujshme, të cilat hedhin hije mbi veprimtarinë e saj. Një nga këto afera është “Jovanica”, sipas emrit të plantacionit, ku u zbuluan sipërfaqet më të mëdha në Europë të mbjella me marihuanë.

Plantacioni ka marrë subvencione nga shteti dhe ky fakt ka ngritur shumë pikëpyetje. Afera e dytë është e lidhur me shitjen e armëve të fabrikës serbe “Krushik” palëve të treta, të cilët ua rishitën terroristëve në Libi dhe në Jemen”.

Dy aferat e mësipërme të drogës dhe të trafikut të armëve janë interesante për faktin se në të dyja dalin të implikuar emra të lartë të qeverisë dhe të shtetit serb. Në mediat serbe të këtyre ditëve janë bërë akuza direkte për implikimin e ministrit të brendshëm Nebojsha Stefanoviç dhe babait të tij, si dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe vëllait të tij Andrej,etj.

Të dy skandalet shpërthyen në dy muajt e fundit të vitit 2019 dhe me vështirësi arritën të dalin në dritë në ato pak media, që nuk kontrollohen ende nga qeverisja autokratike e presidentit Vuçiç.
Portali “balcanicaucaso.org” bënte të ditur në 28 tetor 2019 se falë një artikulli të botuar në revistën serbe “NIN” opinioni publik serb mësoi se ishte arrestuar një ekspert serb, A. Obradoviç, për nxjerrjen e disa dokumenteve, që tregonin se babai i ministrit të brendshëm Nebojsha Stefanoviç ishte i implikuar në aferat e trafikimit të armëve, duke i shkaktuar dëme kompanisë shtetërore të armëve “Krushik”.

Në 15 shtator portali “Arms Watch” kishte botuar dokumente, që tregonin se kompania “GIM” e babait të ministrit të brendshëm kishte blerë armë me çmime favorizuese në kompaninë shtetërore “Krushik”.

Media e mirënjohur investigative ballkanike “BIRN” në 2 dhjetor 2019 shkruante se dokumente të brendshme tregojnë që “Krushik” i ka shitur kompanisë“GIM” miliona dollarë armatime me çmime çuditërisht të ulta. Reporteri i “BIRN”, Aleksander Gjorgjeviç e quajti aferën “Krushik” si “prova më e qartë edhe më e fuqishme e korrupsionit në krye të qeverisë”.

Portali “thealtworld.com” shkruante në 21 nëntor 2019 se skandali me armët serbe të trafikuara në zonat e luftës shpërtheu pasi “Arms Watch” publikoi investigimin për armët e terroristëve të ISIS-it në Jemen.

Dokumentet e publikuara zbuluan që armët e prodhuara nga “Krushik” dhe të shitura në Arabinë Saudite përfunduan në duart e terroristëve të Shtetit Islamik në Jemen. Eksperti serb Obradoviç deklaroi në media se presidenti Vuçiç dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë kanë qenë të informuar paraprakisht për biznesin e dyshimtë të kompanisë “Krushik”.

Nuk është rastësi që qeveria serbe, në vend të niste hetimin për trafikun e paligjshëm të armëve serbe, që përfundojnë te terroristët në zonat e luftërave, urdhëroi arrestimin e personit, që u akuzua për nxjerrjen në shtyp të dokumenteve komprometuese të kompanisë shtetërore të armëve “Krushik”.

Trafiku i armëve serbe drejt zonave të luftërave lokale, ku është e ndaluar tregtia e armëve dhe të cilat ndodhen nën embargon e OKB, është një nga bizneset tradicionale të qeverive dhe të shërbimeve sekrete serbe.

Është një trafik i organizuar mbi baza nepotike të udhëheqësve serbë dhe i drejtuar nga shërbimi sekret serb,trafik nga i cili drejtuesit e shtetit dhe të qeverisë nxjerrin fitime kolosale.
Jo rastësisht trafikun e drejtonte babai i ministrit të brendshëm, ministër i cili është një nga njerëzit më të besuar e më të afërt të presidentit Vuçiç.

Kaq flagrante ishte linja e drejtimit nepotik, sa që babai i ministrit të brendshëm, që ka kompani private të tregtisë së armëve, ishte në vitin 2019 pjesëmarrës zyrtar në delegacionet zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që shkonin në shtetet e tjera për të blerë armë.

I njëjtë është implikimi i qeverisë dhe i shtetit serb në fermën e plantacioneve të drogës në kompaninë e madhe bujqësore “Jovanica”, e cila merrte subvencione kolosale nga qeveria serbe. Policia, që sekuestroi mbi katër tonelata mariuhanë, zbuloi se 12hektarë ishin mbjellë me marihuanë, një sipërfaqe që u vlerësua si më e madhja në Europë.

Zëvendëspresidenti i Partisë Popullore Serbe, Miroslav Aleksiç, deklaroi në 28 nëntor 2019 lidhur me skandalin e “Jovanicës” se “ky është një biznes i madh i shtetit”, dhe bëri të ditur nga burimet policore se njeriu i parë, që mori në telefon menexheri i arrestuar i fermës së mariuhanës, ishte vëllai i presidentit serb Vuçiç.

Parlamentari Aleksiç deklaroi në media se Nebojsha Stefanoviç, ministri i brendshëm, ishte një vizitor i shpeshtë në fermën “Jovanica”.

Dy aferat skandaloze të drogës dhe të kontrabandës së armëve, ku janë përfshirë emrat më të lartë të qeverisë dhe të shtetit serb, paraqesin interes për publikun shqiptar, i cili ka të drejtë të dijë se çfarë përfaqëson qeveria e Serbisë, për të cilën qeveria e Shqipërisë po i thotë se do ta çojë kombin shqiptar në “tokën e premtuar” serbe të paqes e të bollëkut.

Publiku shqiptar është i etur të dijë, sepse është interesant që mediat e Shqipërisë, të cilat nuk lenë vrimë pa u futur për të publikuar lajmet demaskuese serbe për Kosovën si “shtet i drogës”, kanë mbajtur një heshtje të sponsorizuar masive për aferat skandaloze të drogës dhe të trafiqeve, ku është përfshirë qeveria serbe.

Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti që këto skandale serbe plasën në kohën kur presidenti i Serbisë nisi organizimin e samiteve hot-dog të tre shteteve të Ballkanit Perëndimor për formimin e bllokut të ri ekonomiko-politik të drejtuar nga Serbia.

Opinioni publik shqiptar ka të drejtë të dijë se çfarë lloj qeverie është kjo e Beogradit, që ka marrë për dore disa shtete të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë në një bashkësi të re, të udhëhequr nga Serbia.

Qeveria shqiptare dhe mediat shqiptare nuk kanë folur kurrë për trafiqet e drogës dhe të armëve, që bën shteti serb dhe mafia serbe. Dikush në Beograd dhe në Tiranë ka qenë i interesuar që të paraqitej Serbia si shtet i virgjër, që krijon kontrast me imazhin negativ dhe kriminal të Kosovës, imazh që e ka ngritur Serbia gjatë 20 viteve, me aparatin e saj kolosal ndërkombëtar propagandistik dhe diplomatik.

Ndaj skandalet e drogës dhe të trafikut të armëve, ku është përzierë qeveria dhe shteti serb, paraqesin interes sidomos tani që Serbia ka dalë me projektin e bllokut ballkaniko-perëndimor, dhe opinioni shqiptar duhet ta dijë se kush dhe përse do të na çojë në “tokën e premtuar” serbe.
Madje, që idiotizmi zyrtar i Shqipërisë të thyejë një rekord, Tirana zyrtare ka shpikur gjetjen e re se tani Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në projektin e Serbisë, dhe jo më në BE, siç ka qenë reklamuar deri tani.

Trafiqet e drogës dhe të kontrabandës së armëve përbëjnë një nga profilet kryesore të portretit të sotëm të Serbisë. Serbia e drogës dhe e trafiqeve shpiku projektin e bllokut të ri apo të aleancës së re ballkaniko-perëndimore, të cilën vetë presidenti Vuçiç me të drejtën e autorit e ka përkufizuar si “Jugosllavia e re, plus Shqipërinë”.

Mjerimi i tellallëve të vegjël shqiptarë të projektit serb është se bëjnë sikur nuk e shohin që mbreti serb është lakuriq në ambiciet e tij hegjemoniste ballkanike. Është vërtet e dhimbshme kur dëgjon se si Tirana zyrtare i bën reklamë projektit serb më shumë se Beogradi zyrtar.

Nuk është hera e parë që drejtuesit e Shqipërisë bëjnë rolin e rajait, që përulet para kësulës së agait.

Skandalet e drogës dhe të kontrabandës së armëve, ku është përfshirë qeveria serbe, janë këmbanë e re për të zgjuar shqetësimet në BE dhe në NATO lidhur me rolin negativ dhe destabilizues të Serbisë në rajon dhe efektet negative të projekteve antieuropiane të të ashtuquajturës “zonë e përbashkët ekonomike e Ballkanit Perëndimor”.

Serbia me plantacionet më të mëdha të drogës në Europë, të financuara nga qeveria, dhe me kontrabandën shtetërore të armëve për organizatat terroriste, duhet të bëhet çështje dite për diplomacinë europiane dhe atlantike.

BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia pat furnizuar me raketa dhe me këshilltarë ushtarakë regjimin e Sadam Hyseinit në Irak. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia pat dërguar armë dhe qindra mercenarë për të mbrojtur regjimin e kolonel Ghadafit në Libi.

BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia ka dërguar armë dhe qindra mercenarë në mbrojtje të regjimit të Asadit në Siri. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia ka dërguar armë dhe dhjetëra mercenarë, që luftojnë në mbështetje të forcave separatiste proruse në Ukrainën Lindore.

BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se armët serbe po shkojnë në duart e ISIS-it, Al-Kaedës dhe organizatave të tjera terroriste në Libi, Jemen, Siri, Irak, etj. BE dhe NATO nuk duhet të harrojnë se Serbia është shteti, që mori pjesë në përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi në tetor 2016 dhe në Maqedoninë e Veriut në prill 2017.

Kjo është “toka e premtuar” serbe, për të cilën Tirana zyrtare po u bie daulleve se drejt saj do ta shpjerë dhe do ta bëjë popullin shqiptar të lumtur. Është kënga e sirenave të tredhura shqiptare…

Eksponenti i krimit të organizuar ka edhe polici private të licensuar

Lulzim Berisha, i njohur edhe si kreu i bandës së Durrësit, që pas lirimit në vitin 2016 e hodhi pas të shkuarën e tij kriminale, duke iu futur me pasion botës së biznesit.

Lul Berisha, i liruar më dhjetor 2016, pas një dënimi prej 25 vitesh burg, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit në Durrës, që i fali jo pak por 6 vite e 22 ditë burg, e sot ai është subjekti i paketës Anti-KÇK, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë, Berisha duhet të japë sqarime për pasurinë e tij.

Këto sqarime duhet të bindin SPAK, e më pas, do vendoset nëse ai do të ketë më mundësi ta ruajë pasurinë e tij.

Por cila është pasuria e Lulzim Berisha?
Që pasi u lirua nga burgu, Lulzim Berisha iu fut biznesit dhe sipërmarrjeve të mëdha, si tregu i naftës, apo edhe një bar kafe në qytetin e Durrës. Ndërkohë që burime të pavarura, i sugjeruan Dosja.al, se Lulzim Berisha qëndron pas ngritjes së një policie private në Durrës, “One Security”.

Por le të ndalemi tek bizneset e deklaruara…
Aktualisht, Lulzim Berisha është pronari i parë kompanisë “Rajan 2007”, që ka në fokus tregtimin e naftës dhe furnizimin me karburant të anijeve në portin e Durrësit, një biznes i artë ky në këtë qytet.

Më 19 shkurt 2019, kompania është regjistruar në QKB, me tri aksionerë, ku kryesori është Lul Berisha, që zotëron 40%të aksioneve.

Dy aksionerët e tjerë, janë motra e Lulzim Berishës, Luljeta, e cila është edhe administratore, dhe Enkelejda Shoshi, një tjetër njohje e besuar e Lul Berishës.

Policia Private që dyshohet se është pronë e Lul Berishës është shoqëria “One Security, ku themelues janë Luljeta Berisha, motra e Lulzim Berishës dhe Armand Zela, një biznesmen nga Kavaja, që administron kompanitë për tregtimin e paisjeve elektronike “AZ-TECH” dhe “BÇ”.

Ajo që është e habitshme është fakti se kur u themelua, kjo kompani është krijuar me një capital prej 350 mijë lekë të vjetra, e një muaj më pas, të dy ortakët e shesin “One Security” tek Aurela Zela, një e afërme e Armand Zelës, e cila nuk ka as eksperiencë në fushën e sigurisë dhe policimit privat. Ajo e bleu “One Security”, për 35 mijë euro, por paratë, sërish si për çudi nuk janë hedhur tek dyshja Berisha-Zela.

Ndërkohë që Berisha posedon në emrin e tij një bar kafe, që siç shihet në ekstraktin e QKR është aksioner i vetëm.

Por kush është Lulzim Berisha, emri që frikësoi Durrësin në vitet e vështira të 1997?
Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua më 2016. Më janar të 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi tre dënime përjetë të anëtarëve të bandës së Durrësit dhe la në fuqi vetëm burgun përjetë të Indrit Dokles.

Në 6 dhjetor të 2016, plot 10 vite pas arrestimit të tij në Maqedoni ish-kreu i Bandës së Durrësit fitoi lirinë. Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Berisha prej kohësh qëndronte pranë spitalit të burgut në Durrës ku ishte nën kujdesin e mjekëve pas disa problemeve shëndetësore, ndërsa mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998.

29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, mbi bandën e Durrësit rëndon akuza e dy vrasjeve të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor

1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998. Ai që mbeti i plagosur një vit më parë, Marsel Sotiri, më u ekzekutua në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000
Prokuroria akuzon bandën për një tjetër vrasje. Këtë herë për atentatin ndaj Dritan Dishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.

14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas është ekzekutuar shtetasi Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Lul Berishës, Saliu u vra 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005
9 muaj më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle, i cili akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tanimë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e Ilir Kolgjinit, mik i Lul Berishës.

Vrasja ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

6 prill 2006
Data e mësipërme do të shënontë goditjen e një prej bandave më të rrezikshme në vend në Tetovë. Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.

16 anëtarët e ish-Bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë i vetmi që s’ka mundur t’i shpëtojë burgimit për jetë ishte Indrit Dokle.

Njëri prej anëtarëve të bandës, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

Osmani pasi hoqi fotografinë e Thaçit: E njoh ligjin, Rugova është ai që më inspiron

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas vizitës në repartin e Neonatologjisë ka komentuar para mediave se pse e ka hequr nga zyra fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, raporton Gazeta Express.

Osmani ka thënë se ka arsye për këtë, e që sipas ligjit shton se fotografia e presidentit është në Kuvend. Kryeparlamentarja ka deklaruar se do të mbajë në zyrë një person që e inspiron.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njohë ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e presidentit është në Kuvend. Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.

Në shoqërimin e drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovcit, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar stafin e kësaj klinike për punën.

“I falënderoj doktorët për punën e jashtëzakonshme qe e bëjnë. Si kryetare e Kuvendit vizitën time të parë e kamë nisë me simbolikë aty ku fillon jeta. Dhe e tyra të tregojë që ne si Kuvend i Republikës së Kosovës do ta bëjmë të pamundurën që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ky shtet do të bëhet kur ne e vendosim si prioritet jetën e foshnjave’, ka deklaruar Osmani.

Ndërkohë, drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci ka falënderuar Osmanin për vizitën.
‘Ishte kënaqësi sot qe ta kemi në vizitë kryetaren e Kuvendit. Ajo ka ardhë aty ku fillon jeta. I falënderohem përzemërsisht’, ka thënë ai.

Kemi arritur fundin e degradimit kolektiv

Kim Mehmeti

Ka vite që shqiptaria jeton nga një e keqe deri te grindja e radhës ndërpartiake, me çka u plakëm duke pritur të arrijë e mira e premtuar nga drejtuesit tanë partiak. Kaluan pra dekada qysh se kalendari ynë kombëtar shënon vetëm dështime, gjë që nuk i bënë të ndjehen keq burrështetasit e ‘Shqipërive’ tona, por që i çon të rinjtë tanë ta braktisin vendlindjen.

Ka kohë që ‘Shqipëritë’ tona janë vende ku të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur, e skamnorët për herë e më të varfër, ku të keqen e djeshme e mbulon e keqja më e madhe që ndodh sot dhe ku plakemi duke pritur të ndodh mrekullia e të shpëtojmë nga kjo rrugaçëri partiake.

Pra, ka kohë që shoqëritë shqiptare janë shndërruar në varreza masive të ëndrrave e shpresave se edhe ne do bëhemi popull ‘institucional’, popull që do ketë derë ku të trokasë për t’i zgjidhur hallet individuale e kolektive, popull fatin e të cilit do e përcaktojnë burrështetas më ndryshe se këta hajdutët e kriminelët e sotëm, shtetar që ndërtojnë, e nuk prishin shtet.

Ka vite që mes nesh shtohet numri i atyre që edhe të djeshmen komuniste e rikujtojnë me nostalgji, që e sotmja e turbullt i bënë të harrojnë se dje ishin më të varfër se sot, se asokohe komunistët e ‘vrisnin’ Zotin e njeriun në ne. Pra, ka vite që shtohet numri i atyre që gabimisht besojnë se më mirë ishte dje kur të burgoste Xhaxhi se sa sot kur të përbuzin ‘hajdutokratët’, se me lehtë përballej varfëria e djeshme komuniste se plaçkitja e sotme demokratike dhe se, në të djeshmen socialiste kishte më pakë liri, por më shumë bujari e dinjitet se sa sot kur vullnetarisht u jemi përulur atyre që na vjedhin e nënçmojnë.

Po pra, ka vite që në heshtje sodisim si shoqëritë shqiptare u bënë ara ku më lehtë mbinë fara e çmendurisë dhe e urrejtjes ndërpartiake, se ajo e urtësisë dhe e njerëzores. Me çka u përçamë e u copëtuam si kurrë më parë, edhe atë thuajse vetëm që më lehtë të na sundojnë injorantët tanë ‘mendjehapur’ që sa nuk na kanë bindur se hajdutëria e krimi janë vlera demokratike.

U bënë thuajse tri dekada qëkur ne presim të vijë dita kur do dalim nga baltovina e grindjeve politike, dita kur do çrrënjoset ‘rrugaçëria’ partiake. Dhe në ndërkohë duke mos kërkuar ilaç për sëmundjen kolektive nga e cila vuajmë – harresën – dhe duke mos ia rikujtuar vetvetes se popuj të suksesshëm janë ato që me fanatizëm i ruajnë vlerat kolektive që e bëjnë të dallueshëm nga të tjerët, por edhe të njëjtë me gjithë popujt e civilizuar.

Kaluan dekada që ne jetojmë nga një dështim në tjetrin, por pa pasur forcë të pranojmë se politikanët tanë injorantë e të papërgjegjshëm nuk janë fajtorët e vetëm pse kalendari ynë kolektiv është përplot dështime, se rrënues të së ardhmes sonë janë edhe alamet ‘intelektualët’ e ‘pavarur’, që ndjehen të privilegjuar kur në darka i fton ‘mbreti’ partiak, ‘mbreti’ të cilit po ia hoqe emblemën partiake dhe kollaren, nga ai mbetet vetëm rrënja katrore e një zeroje të madhe, zero e shumëzuar me paturpësinë dhe papërgjegjësinë e tij.

Ku ta dish, tani kur thuajse e kemi arritur fundin e degradimit kolektiv, ndoshta ka ardhur koha kur ndaj drejtuesve tanë xhepmbushur e kokëbosh duhet të sillemi si ndaj armës së zbrazur – t’i mbajmë sa më larg fëmijëve tanë, duke ua ndaluar me ligj marrjen me politikë. Edhe atë jo pse thuhet se pushkën e zbrazur e mbush djalli, por pse ata janë djalli vet.

Pra, ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur ne duhet ta pranojmë se jemi viktimë edhe e disa qarqeve perëndimore, të cilat i mbështetën burrështetasit shqiptarë që me gënjeshtra dhe dhunë e mbanin nën kontroll shqiptarinë e pakënaqur, qarqe perëndimore që kishin nevojë për burrështetas të dëgjueshëm ndaj tyre e arrogantë ndaj popullit të vet.

Po, ne vazhdojmë të plakemi duke shpresuar e duke pritur, për shembull, se dikush do na shpëtojë e çlirojë nga ‘Rilindësit’ e Piktorit, nga ata që kanë nga tre katër emra, nga më shumë fe, por thuajse aspak shqiptari. Nga ata që nuk kanë qenë të përgjegjshëm ndaj identitetit personal, që kanë shitur dhe kanë fshehur emrin e qumështit të nënës, e nga të cilët ne presim të mbrojnë atë që mbase aspak nuk e ndjejnë si të veten, atë që as shitet as blihet: identitetin dhe interesin kombëtar!

Mbappe nuk pranon t’i kërkojë falje trajnerit të PSG, zbulohet plani i Realit…

Trajneri gjerman Thomas Tuchel e grumbulloi skuadrën e Paris Saint-Germainit për ta qartësuar situatën pas zënkës së fundjavës me Kylian Mbappen, por ky i fundit s’pranoi t’i kërkojë falje trajnerit.

Përkundër që ky sezon ka qenë shembullor për Paris Saint-Germainin në fushën e lojës – PSG-ja është në krye të tabelës së Ligue 1 dhe ka kaluar në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve – situata në Parc des Princes nuk ka qenë e qetë.

Pas probleme të shkaktuara nga Neymari në skuadër, tani problematiku është bërë Kylian Mbappe, i cili i reagoi me zemërim trajnerit Thomas Tuchel, pasi ky i fundit e zëvendësoi atë në ndeshjen e së shtunës në Ligue 1 kundër Montpellier.

Trajnerit gjerman tani i janë grumbulluar disa probleme, pasi që Edinson Cavani është i zemëruar që s’iu lejua transferimi në Atletico Madrid, përderisa Neymari u lëndua para ndeshjes kundër Nantes, pas festimeve të tij për ditëlindje që morën shumë vëmendje.

Trajneri i pranoi këto probleme në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes kundër Nantes dhe tregoi se e kishte mbajtur një takim me skuadër për ta qartësuar situatën, në mënyrë që të mos u ndihmojë mediave të shtohen spekulimet.

Gjatë takimin, Kylian Mbappe nuk i kërkoi falje trajnerit gjerman, mirëpo e pranoi se reagoi më ashpër sesa ishte dashur dhe shtoi se reagimi i tij s’ishte kundër Edinson Cavanit ose Mauro Icardit, që po prisnin për të hyrë në ndeshje.

Në anën tjetër, drejtori sportiv Leonardo nuk dëshiroi ta komentojë më tutje këtë çështje, pasi që vlerësoi se situatat e tilla janë normale në klubet e mëdha, pasi që secili lojtar dëshiron të luajë sa më shumë.

Zbulohet plani i Real Madridit për Kylian Mbappe
Bordi drejtues i Real Madridit ka vendosur për një strategji, me të cilën shpresojnë se ta sgiurojnë transferimin e Kylian Mbappes nga Paris Saint-Germaini në verën e vitit 2021.

Florentino Perez e ka bërë një plan të detajuar, i cili, nëse ka sukses, do ta sjellë Kylian Mbappen në Real Madrid gjatë verës së vitit 2021. Ardhja potenciale e 21-vjeçarit nga PSG-ja në Bernabeu është spekuluar që një kohë të gjatë, mirëpo drejtuesit e Los Blancos nuk duan të dorëzohen as tani.

Mbappes do t’i mbetet vetëm edhe një vit në kontratën e tij këtë verë dhe PSG-ja do të duhet ta shesë atë këtë verë nëse duan të përfitojnë para nga shitja e tij, ose ta lënë të largohet falas në verën e vitit 2022, kur i skadon kontrata.

Detyra e parë e Real Madridit do të jetë të sigurohet se është në kontakt jo të drejtpërdrejtë me rrethin e afërt të futbollistit, për ta bindur këtë të fundit të mos e rinovojë kontratën me PSG-në.

Nëse Mbappen nënshkruan kontratë të re në Parc des Princes, transferimi i tij do të bëhej financiarisht i pamundur për madrilenët. Mirëpo, nëse ai nuk nënshkruan, Real Madridi do të ketë mundësi ta nënshkruajë lojtarin.

Kjo është një strategji e ngjashme me atë që Real Madridi e kishte përdorur për t’i siguruar shërbimet e Eden Hazardit, i cili në fund u transferuar për rreth 100 milionë euro.

Në favorin e Real Madridit shkon edhe zënka e fundit e Mbappes me trajnerin Thomas Tuchel, e cila ndodhi gjatë fitores të së shtunës në Ligue 1 kundër Montpellier shkaku se francezit s’i pëlqeu vendimi i trajnerit për ta zëvendësuar.

Paloka-Ramës: “Justifikoje edhe këtë…” (Foto)

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ironizoi përmes një postimi në rrjet paketën anti-KÇK, e cila ka hyrë në fuqi dhe prej ditës së djeshme, ka nisur zbatimi. Sot Operacioni Forca e Ligjit tha se personat që janë subjekt i anti-KÇK kanë në dispozicion 48 orë kohë për të provuar se pasuritë e tyre janë të ligjshme.

Ndërkohë Paloka në një postim shkruan se “brenda 48 orëve të gjithë kriminelët duhet të vertëtojnë si i kanë bërë pasuritë e tyre ndryshe…”, ndërsa postoi foton e mëposhtme ku shfaqet Kryeministri Rama duke i mbajtur një fjalim efektivëve të OFL-së dhe vila e tij në Surrel.

Tërmeti, qeveria, media

Hamit TAKA

Biografi shqiptar në kontinentin e largët, Qerim Panariti, shkruan në kujtimet e tij : “Në një rast e pyeta imzot Fan Nolin, se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë?” M’u përgjigj me katër fjalë : Më ka zënë shqipja! Pastaj shtoi : “Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brëndshmë, ka nevojë për njerëz idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë ! Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë !”

Me të drejtë shtrohet pyetja: A e ka zënë “Shqipja” klasën tonë politike, mediat, opinionistët …?
Të merr të qarët prej mjerimit intelektual, ligjërimit publik e sidomos prej “veprës e punëve” të tyre plot hosanara. Shëmbëlli më demaskues ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019. Një ditë takova një prind, që nuk e dërgoi fëmijën në shkollë ditën e parë të mësimit pas tërmetit. I thashë: Gabim bëre që nuk e le djalin të vente në shkollë.

Do të ndihej më mirë me shokët e klasës, se sa në shtëpi. Ai m’u përgjigj: “Në kohën tonë bëhej shkollë, ju tani më shumë talleni”.

E bëra këtë hyrje për një paralelizëm midis bisedave të inxhinierëve e specialistëve të ndërtimit dhe qeverisësve qëndrorë e lokalë, administratorëve dhe pasanikëve tanë të rinj gjatë ditëve të para pas tërmetit të 26 nëntorit.
Inxhinjerët e specialistët flisnin me fakte dhe të dhëna konkrete për shkaqet e dëmtimeve në banesa e godinat e institucioneve, për cilësinë e dobët të ndërtimeve dhe për procedurat që duhet të ndiqeshin gjatë ndërtimit të tyre.
Qeveritarët dhe politikanët bënin e bëjnë politikë bajate, propagandë mashtruese dhe show mediatike.
Mediat bënin lojën e ndeshjeve të shitura në futbooll.

Më bëri përshtypje ato ditë specialistja Luljeta Bozo, e cila ka folur gjatë para kamerave në terren dhe në studiot televizive, me pasion, qartësi të frikshme e saktësi matematike për moshën e saj të thyer, sa që duhet të ketë bërë efekt tek të rinjtë shkollarë, për të vazhduar inxhinierinë e ndërtimit apo edhe te profesionistë të tjerë për ta vazhduar si degë të dytë.

Natyrisht unë akuzoj veten dhe më vinte turp që nuk e kam njohur dhe nuk e kam dëgjuar më parë këtë specialiste kompetente, e pasionuar pas profesionit të saj të nderuar dhe po aq i dobishëm për shoqërinë njerëzore.
Mjafton sot të hapësh internetin e të njohësh këdo që ka lënë sado pak gjurmë në jetën e tij dhe jo me zonjën Luljeta, e cila ka botuar rreth 40 libra, ka fituar çmime nga universitete të huaja prestigjioze(si ai Cambridge). Po më e çuditshmja dhe që i vë diçiturën e vëmendjes së qeverive tona në vlerësim të intelektualëve ekspertë, ishte largimi i saj nga puna si pedagoge prej dekanit(apo rektorit) të UPT, për të cilin nuk gjëndet në Google qoftë edhe një botim të vetin.
Nuk kam patur informacion për zonjën e nderuar, Luljetën, se prej vitesh jemi mësuar që në televizionet tona opinionistët të bëjnë analistin politik, analistin sportiv, inxhinierin, kuzhinierin, kamarierin, gjithologun.

Në portalet e gazetat tona lexojmë për Zogun e Tiranës, për promovimin e librit të Anxhela Martinit, për librin me receta të ushqimit të Arbanës, ku një pjatë kushton 2000 lekë të reja. Kam lexuar për telefonin 7000$ te Kujtim Gjuzit, dhuratat që i bëri Blendi vajzës për ditëlindje, për brekët e Noizyt apo se çfarë hëngri Mamaqi për drekë, por jo për inxhinieren Luljeta Bozo..
Jo më larg se zonja Luljeta dilte një biznesmen injorant dhe shpjegonte, duke bërtitur, se çfarë është kapitalizmi dhe se si ai donte të bëhej një oligark si Mane. Dhe, për ta mbyllur, në fund, vinte në dukj se Kastrati ishte Kastrioti modern…
Por, pa dashur të lëndoj askënd, që humbi jetë njerëzish apo banesa të bëra me djersën e ballit, unë gjej edhe një të mirë tek tërmetet natyrore. Eshtë një nga momentet kur shqiptarët bëhen një me shpirt e zemër(jo grusht rreth partisë), për të mbështetur, për t’u dhënë kurajo e për t’i ndihmuar të lënduarit e dëmtuarit nga fatkeqësitë natyrore.

Pra, shfaqet një solidaritet njerëzor, i cili ekziston në thellësitë e qënies së shqiptarit dhe e mban të topitur dhuna shtetërore, e cila ngjizet nga politika e mbrapshtë e një pakice mashtruese dhe mizore. Tërmeti, me sa shikohet, bën efektin e një Deus Ex Machina, për t’u vendosur shenjën pushtetarëve e pasanikëve se të gjithë jeni të vdekshëm dhe se të gjithë dridheni, mos më shumë se varfanjakët para Zotit.

Tërmetet janë dukuri natyrore dhe ndodhin në shumë vende, që fatkeqësisht ndodhen në zonëm intensive të tërmeteve dhe njeriu është ende i pafuqishëm para tyre.

Por ka një veçori te ne shqiptarët. Ne tërmetet i pëjetojmë dhe i kemi të përditshëm. A s’është tërmet kur lëpirësi partiak të zë vendin e punës? Tërmet është edhe kur të shfrytëzojnë në punë çdo ditë, pa orar, pa kontrata të mirëfillta, pa të drejtën për të ngritur zërin, se ndryshe e humbet edhe atë kafshatë që ke; tërmet është edhe kur përballesh me punonjës të administratës publike injorantë, fodullë, gangster, prepotentë e dallkaukë; tërmet është edhe kur brohoritësi dhe kërcënuesi partiak të afron nëpër fushata kulaçin dhe kërbaçin(nje thes miell apo 100 Euro për votën); tërmet është edhe kur përballesh me mësues e pedagogë të paaftë, nëpunës servilë e deputetë injorantë.

Bota të dridhet nën këmbë kur merr vesh që shoku i ngushtë është nisur me kamion për në Angli, kur shikon që vendin e lulishtes në lagjen tënde e ka zënë një gradaçielë, kur vendin e shtetit social e ka zënë bamirësi Elvis Naçi, kur një shtet me rreth tre milionë njerëz nuk ka një qen të vetëm për kërkim-shpëtim të të mbuluarve nga gërmadhat e ndërtuar jashtë kritereve të ndërtimit etj, etj…

E njëjtë është edhe me ushtarët e zjaarrfikësit tanë të keqpaguar , të cilët ndihen aq të pafuqishëm teksa heqin mbetje me duar sikur të ishin duke pastruar bregdetin.

Tërmet është kur ushtria ende e paformuar mirë e Kosovës mobilizohet shpejt, është më e pajisur dhe e përgatitur se ushtria jonë. Dhe përsëri tërmet do të jetë, kur, jo më larg se verën që vjen, atyre që sot i quajmë vëllezër, do t’u dyfishojmë çmimet e hoteleve dhe shërbimeve. Nuk janë tërmetë si ato të 26 nëntorit, ama, edhe këta vrasin ngadalë e çdo ditë pa kuptuar.