17.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Lul Berisha i kthen përgjigje Ramës…

Operacioni Forca e Ligjit ditën e sotme u ka nisur formularin për deklarimin e pasurinë, Lulzim Berishës, ish-kreu i bandës së Durrësit dhe Ardian Çapjas në Elbasan.

Në një konferencë për mediat, përfaqësuesja e OFL deklaroi se për 48 orë këta persona duhet të justifikojnë pasurinë në të kundërt do të sekuestrohet.

Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i avokatit të Lulzim Berishës. Detar Hysi, avokati i Lulëzim Berishës sqaroi se nuk u është dhënë asnjë lloj dokumenti për të bërë deklarimin e pasurisë dhe mbi të gjitha pasuritë e klientit të tij janë hetuar dhe i janë kthyer me vendim gjykate që në vitin 2007.

“Prej ditës që ka dalë nga burgu, Lulzim Berisha ka në posedim të tij, një bar kafe me qera, të pajisur me numër NIPT-i dhe kryen rregullisht pagesat e taksave, si edhe një autobot që shpërndan naftën për anijet, gjithashtu konform ligjit.” u shpreh Hysi për ‘BalkanWeb‘ ndërsa theksoi se prej ditës që ka fituar lirinë me kusht, Lulzim Berisha mban kontakte të rregullta me shërbimin e provës.

Rashica, shqiptari me vlerën më të madhe në treg

Ylli kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica, është vlerësuar nga Transfermarkt si lojtari me vlerën më të madhe nga lojtarët e Kosovës, Shqipërisë, si dhe lojtarët e Kombëtareve të tjera që kanë prejardhje shqiptare.

Që prej vitit 2015 kur doli nga Kosova në Evropë për të luajtur futboll, vlera e Milot Rashicës në treg është rritur vazhdimisht, falë formës së mirë që ai ka shfaqur me ekipin kombëtar të Kosovës dhe me klubet e tij – fillimisht Vitesse e tani Bremeni.

Paraqitjet e mira të Rashicës bëjnë që ai të ketë ngjallur interesim të madh nga disa klube të mëdha evropiane. Megjithatë, askush s’do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e kosovarit, për të cilët janë në garë disa klube dhe që vlerësohet me 31.5 milionë euro.

Shifra prej 31.5 milionë eurove bën që Rashica të jetë lojtari me origjinë shqiptare më i vlefshëm për momentin në futboll, duke lënë prapa vetes edhe lojtarë të njohur në Evropë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Thomas Strakosha.

Granit Xhaka, që luan si mesfushor për Arsenalin dhe për Kombëtaren e Zvicrës, vlerësohet me 27 milionë euro dhe vlera e tij ka rënë së fundi, veçanërisht pasi e humbi vendin në skuadër në fund të periudhës së Unai Emeryt si trajner në Emirates.

Vlerë më të vogël se Rashica ka edhe Shaqiri në treg. Ky i fundit, përkundër që vitin e kaluar fitoi medalje të artë të Ligës së Kampionëve dhe këtë vit triumfoi në Kupën e Botës për Klube me Liverpoolin, vlerësohet me 19.8 milionë euro për shkak të minutave të paktë të lojës.

Në anën tjetër, vlerë mjaft të madhe në treg ka edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë dhe Lazios, Thomas Strakosha, i cili vlerësohet me 22.5 milionë euro dhe vlera e tij, ashtu si ajo e Rashicës, është duke u rritur.

Si të zgjidhni laptopin ideal?

Procesi i blerjes së laptoptit nuk është aspak i lehtë. Nga madhësia e laptopit, fuqia e procesorit apo hapësira e memories, i gjithë procesi duket tejet lodhës, dhe për shumë kë i paqartë. Të nevojitet një laptop i thjeshtë por funksional, apo një me performancë më të mirë për punë apo video-lojëra? Apo dëshiron një laptop të lirë?

Për të gjitha këto, këshillat e renditura më poshtë mund t’ju ndihmojnë:

Madhësia
Nëse të nevojitet një laptop të cilin e bart me lehtësi, atëherë të duhet një me monitor më të vogël, pasi që këta laptop janë të dizajnuar të jenë të lehtë dhe të hollë. Në këtë rast, rekomandojmë që të përzgjidhni një laptop me monitor 11-13 inç, sepse peshojnë 1.3kg ose më pak.

Ekrani
Nëse keni probleme me kokë dhembje apo shikim, atëherë keni nevojë për një ekran që është i rehatshëm për tu parë. Nëse e shfrytëzoni laptopin tuaj për punë dhe keni nevojë të shihni shumë gjëra në ekran në të njëjtën kohë, atëherë ju nevojitet një laptop me rezolucion minimal 1920×1080 pixel (full HD). Në këtë mënyrë mund të shmangni lëvizjet poshtë-lartë me maus për të parë gjithçka.

Forma dhe çmimi i laptopit
Një laptop me madhësi të ekranit 13-15 inç, do të mjaftojë. Ndërkohë, nëse dëshironi të keni laptop që bartet lehtë, atëherë kërkoni laptopët që reklamohen si ‘ultrabooks’, pasi që peshojnë 1.3kg ose më pak. Në treg mund të gjeni edhe laptop 2-në-1, të cilët shumë lehtë konvertohen edhe në tablet, pasi që ju rrotullohet ekrani, dhe zakonisht janë më të shtrenjtë. Por, nëse jeni ngushtë me buxhet dhe ju nevojitet një laptop që kushton më lirë, atëherë kërkoni modelet ‘Chromebooks’.

Procesori (CPU)
Procesori (CPU) ndryshe i njohur si truri i laptopit, është njëra nga pjesët më të rëndësishme. Pavarësisht se a jeni duke e shtypur një buton, apo duke e hapur një dokument, procesori është pjesa që e ekzekuton atë komandë. Për gjëra të thjeshta si shëtitja në ueb-faqe, dërgimi i e-mailave, ju rekomandojmë një procesor dy-bërthamësh (dual-core). Ndërkohë, nëse punoni me video apo foto dizajn, ose ju pëlqejnë video-lojërat, atëherë ju nevojitet një laptop me procesor shumë shtresor (multi-core), si Intel Core i7 CPU. Thjesht, sa më shumë shtresor procesori, aq më e mirë performanca e laptopit.

RAM memoria
RAM memoria është e rëndësishme, sepse ju lejon të punoni me më shumë informata në të njëjtën kohë. Por, sa RAM memorie ju nevojitet? 4GB RAM memorie është e mjaftueshme nëse dëshironi të shëtisni në uebfaqe, dërgoni e=maila, të shikoni video në YouTube, etj. Por, nëse jeni dizajner grafik, apo gamer, atëherë ju rekomandojmë 8GB RAM.

Kashahu në PPE: Një individ dhe modeli i tij i dështuar qeverisës nuk mund ta largojë Shqipërinë nga Europa

Sekretari per Mardhëniet Ndërkombëtare Arben Kashahu, përfaqëson PD në PPE.

Kashahu është shprehur në mbledhjen e PPE se, një individ dhe modeli i tij i dështuar qeverisës nuk mund ta largojë Shqipërinë nga Europa!

Postimi i Kashahut në Facebook

Duke përfaqësuar PD në familjen e madhe politike PPE. Ndava me përfaqësuësit e partive simotra të vendeve europiane qëndrimin e PD se, rruga europiane e Shqipërisë është trajektorja e shpresës për vendin tonë, pavarësisht krizës aktuale.

Një individ dhe modeli i tij i dështuar qeverisës nuk mund të pengojë këetë trajektore. Europa është vokacioni dhe destinacioni i shqipëtarëve.

Film-gallata “I love Tropoja”, Rama dhe direktivat e Leninit…

Nga LuÇiano BOÇI

I LOVE SHQIPËRIA

Film-gallata “I love Tropoja” ka ndezur një varg polemikash artistike për vlerat dhe mesazhet që transmeton, për shkak të shumë simbolikave, konteksteve dhe interpretimeve, të amplifikuara sidomos midis të tjerave, për rolin e dajës-gangster nga Kryeministri.

Momentet e humorit ndërthuren me momentet e cinizmit dhe kufijtë e artit, propagandës, komedisë, talljes së nivelit të tavolinave, qëllimeve me aromë dufi e politikës së nënkuptuar, ngatërrohen keqazi.

Përtej komercializmit banal dhe artit urban, i ashtuquajturi film, do mbahet mend sidomos për shërbesën kryeministrore.

Marrja përsipër e Ramës e një roli të tillë në një skenar të shkruar enkas për këtë funksion, nuk është aspak e rastit.

Që në nisjet e tij kandiduese politike, Rama ka zbatuar mirë direktivat e Leninit për hir të formimit e të vazhdimësisë politike, për ta shdërruar artin në një armë efikase të propagandës.

Mos harrojmë se kur merrte mandatin e dytë, Rama u mjaftua të ndërfutej krah doktor Florit në këngën e famshme të West Side Family, “(I love)Tirona” e të zvargte pa asnjë art, fjalët: “Zhurmë, shumë zhurmë sa zhurmë”, për të arritur qëllim e tij të fitimit të imazhit në publik.

Kënga me tekstin argëtues dhe me art, bëri deri diku që simptomat e çmendurisë së betonit dhe sëpatave, t’u dukeshin tironsve si një normalitet, si një gjë e zakonshme, brenda mbretërisë së kaosit që Rama vetë sapo kishte nisur ta krijonte. Ajo me shpeshtësinë propaganduese të shfaqes, ndikoi jo pak në rehabilitimin e figurës së Kryetarit të Bashkisë, veçanërisht midis brezit të ri që ndikohet shumë nga trendi i kohës.

Një konvencion të tillë ai e përdori dhe gjatë viteve të keqqeverisjes së tij. Tani në një arenë akoma më të gjërë.

Ai kërkonte të impresiononte me termin “artist” opinionet e kancelarive, përpos atyre kombëtare.

Por dështimi nuk vonoi të vinte kësaj rradhe, falë mediokritetit artistik.

E pas këtyre daljeve në ekspozita-gallata me vizatime halucinante, të cilat nuk prodhuan gjë përveç pak gajreti ndërkombëtar për Kryeministrin, Rama iu kthye tani aktrimit. Kësaj here si komedian pa ndryshuar aspak qëllimin.

Kështu të paktën duket për publikun. Qëllimi kryesor, krahas të tjerave në këtë film-gallatë që ka Rama, është shitja në opinion e figurës së një kryeministri-bandit, si diçka normale. Madje as normale, por akoma më shumë, diçka për të qeshur. Që ai, jo vetëm të dyshohet se është i inkriminuar, por dhe nëse është të pranohet si diçka që duhet të ndodhë, si meritë, si trend i kohës, si evoluim politiko-artistik, nga publiku i gjërë.

Shpesh ai është përpjekur jo pa sukses që pikën e dobët të tij ta shndërrojë në pikën më të fortë, nëpërmjet mijëra marifetesh, simbolesh të mbrapshta dhe propagandës së shfrenuar.

Por nxitimi këtu e kapërceu arsyen.

Dalja e tij si “dajë” me flokë të gjata, kinse si personazh, nuk e shpëton atë të jetë “heroi” negativ, i një realiteti të cilin e ka ndërtuar vetë përgjatë këtyre shtatë viteve dhe të cilin kërkon me zor ta përcjellë si fiction.

Sado të përpiqet ai e të qesharakëzojë imazhin real të tij si i kryeministër i lidhur me krimin, humori që prodhon është i hidhur.

Madje efekti është i kundërt nga ai që ai po kërkon të instalojë. Identifikimi i identikitit të tij si profil i akuzuar me lidhje mafioze, bëhet më i plotë në sytë e publikut me “dajën” dhe gallatën e filmit.

Të gjithë, pavarësisht dozave të humorit momental, ngarkohen me doza neverie dhe pse jo pak fajësie që kanë në drejtim të vendit një karakter të tillë.

Rama aty nuk është në fakt në aktrim, aty është tek vetëvetja. Një kryeministër i impostuar në habitatin e vet ku ndjehet mire, ku pamja i rri mirë me shpirtin, ku fjalët i përputhen bindshëm me idetë e ku veprimet harmonizohen me qëllimet.

Më saktë ky është Rama i vërtetë, daja i krimit, i vendosur në një situatë të stisur skenike humori.
Aktrimi këtu s’ka vend e as vlerë. Aktrimin Rama e bën kund tjetër.

E bën në atë që mund të konsiderohet si telenonela shtatëvjeçare “I love Shqipëria” e qeverisjes së tij. Prodhim i kinostudios “Rilindja e re”.

Këtu po që aktron. Këtu Rama, luan kryeministrin, ndërkohë që është realisht Daja i krimit.

Nën petkun e këtij roli shtatëvjeçar, del para njerëzve e bën si i mirë, si i dhimbsur, ndërkohë që Daja i urren tmerrësisht njerëzit, i zhvat, i përqesh.

Del para kamerave dhe i veshur shik si kryeministër flet, mashtron, se këtë ia kushtëzon Daja brenda qënies së tij.

Pastaj negocion në emër të kombit, por instikti i Dajës e çon tek thika pas shpine.

Kryeministrin e aktron mirë, kur thotë e bën sikur do luftojë krimin. Një kryeministër nuk mund të vrasë Dajën që është brenda tij.

Prandaj e gjithë shfaqa që ai jep para publikit është trillim, fiction. I gjithë shteti që ai vizaton është një falsitet prej letre.

Ditën ai është Kryeministri në rol. Flet për rend, ligj, reforma, të mirën, lumturinë. Nxjerr gjuhën, bën kollutumba, zgërdhihet, zvargon fjalët. Në darkë është daja në aksion. Shan e përshan vartësit dhe ushtarët. Ulet e ndan tepsitë e plaçkën e interesave me krimin.

Thur intriga, përplasje, eleminime kundërshtarësh. Përcakton të fortët e territoreve. Bën llogari votash politike e dille përtej kufirit, të pista.

Urdhëron policët, prokurorët, gjyqtarët, pi verë të kuqe dhe vazhdon me të njëjtat huqe.

“I love Shqipëria” ndërkohë ka shikueshmërinë më të lartë në ekranet me popullore e kombëtare të blera, duke konkuruar dukshëm telenovelat turke dhe në kanalin e vetë dajës ERTV.

Ndërkohë njerëzit me zor po presin fundin, fund në të cilin personazhi kryesor Kryeministri që është Daja i krimit të “I love Tropoja” të diskretitohet dhe të bjerë nga froni.

Por pritja për rënie nuk mjafton. Duhet rrëzim.

Daja i krimit i “I love Tropoja” nuk mund të vazhdojë më të jetë Kryeminstri, sepse përtej telenovelës së tij shtatëvjeçare “I love Shqipëria”, njerëzit e duan vërtetë këtë vend, e duan Shqipërinë.

“Shef, jemi pa bukë! Çfarë janë këto poshtërsira që bëjnë këta qelbësirat”?

Punëtorët e uzinës së naftës në Ballsh kanë vazhduar edhe sot protestat e tyre.

Të mbledhur përpara uzinës ata shprehen se nuk lejojnë që mallin e tyre ta mbajnë hajdutët.

Një prej punëtorëve u shpreh se kërkojnë pagat e prapambetura dhe të fillojë puna në uzinë sa me shpejt.

“Po vdesim për bukë”, u shprehen banorët.

“Jemi në dijeni të problemit. Banorët të vijnë te Komisariati Mallakastër do të vazhdojnë procedurat ligjore me kallëzim ndaj kompanisë për të drejtat”, u shpreh Polici.

Ndërsa një prej banorëve iu drejtua: Shef jemi pa bukë, Punonjësi i policisë theksoi se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore.

Mes banorëve, punonjësit të policisë dhe sipërmarrësit të rafinerisë pati debate për kërkesat e tyre. Banorët theksuan se nuk lejojnë që mallin e tyre ta mbajnë hajdutët. “Çfarë janë këto poshtërsira që bëjnë këta qelbësirat”, shprehen të revoltuar banorët./abcnews.al

Princi i Arabisë Saudite insiston të blejë Manchester Unitedit, ja shuma marramendëse që ofron

Prindi i Arabisë Saudite, Mohammad Bin Salman, nuk do të dorëzohet në tentimin për ta blerë Manchester Unitedin për 3.5 miliardë funte, përkundër që së fundi është spekuluar për blerjen e Newcastle Unitedit.

Mohammad Bin Salman mund ta blejë Newcastle Unitedin për vetëm 340 milionë funte, pasi që pronari i shumëkritikuar Mike Ashley është i gatshëm të dëgjojë oferta sepse dëshiron të largohet nga klubi.

Por, përkundër kësaj, e përditshmja britanike Daily Mirror raporton se Bin Salman ende dëshiron që ta blejë Manchester Unitedin e jo Newcastle Unitedin, përkundër që për Djajtë e Kuq do të duhej të shpenzonte dukshëm më shumë para.

Bin Salman është kritikuar për përfshirjen e tij në sportin global përmes investimeve të mëdha, pasi që kjo shihet si mënyrë e tij dhe familjes së tij për të tentuar t’i lënë nën hije shkeljet e të drejtave të njeriut që ndodhin në Arabi nën qeverisjen e tyre.

Megjithatë, tifozët e të dyja klubeve angleze janë shprehur të gatshëm t’i mirëpresin investimet e familjes arabe, pasi që besojnë se kjo do të ndikonte në përmirësimin e situatës aktuale në klubet e tyre.

Në një sondazh të The Sun me tifozët e Manchester Unitedit, 91 për qind e të anketuarve thanë se Bin Salman do të ishte më i mirëpritur në klub sesa familja Glazer, që aktualisht e ka pronësinë e Djajve të Kuq dhe të cilët nuk duan ta shesin klubin.

Cilado skuadër që blihet nga Bin Salman mund ta presë transferimin e shumë yjeve të futbollit, pasi që familja mbretërore i ka në dispozicion 1 trilion funte për t’i shpenzuar si fond për investime.

Veshje, mobilie, dyshekë, çfarë dhe sa importojmë nga Kina, partneri i tretë tregtar

Tregtia me Kinën zuri 6,9 për qind të volumit tregtar gjatë vitit 2019, duke u zgjeruar në raport me një vit më parë me 0.7 për qind. Tregtia dominohet nga importet, të cilat vitin e kaluar ishin 9.6 herë më të larta se eksportet.

Sipas të dhënave të INSTAT tregtia me Kinën gjatë vitit të kaluar u zgjerua kryesisht në drejtim të importeve, të cilat shënuan një vlerë prej 59,7 miliardë lekësh (458,4 mln euro) me një rritje me 11 për qind në raport me vitin 2018. Importet nga Kina janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit pas një rënieje me 2.6% në vitin 2017. Kina është partneri i tretë i vendit sa u përket importeve, pas Italisë e Turqisë, me 7.4% të totalit, .

Sipas të dhënave të INSTAT importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri të cilat përbejnë rreth 40 për qind të totalit me një vlerë mbi 23 miliardë lekë.

Artikujt të gizës dhe çelikut përbejnë edhe grupin e tretë më të importuar në vend nga Kina me një vlerë prej 4,1 miliardë lekësh gjatë vitit 2019, me rritje 70% në raport me një vit më parë.
Veshjet janë grupi i katërt dhe i pestë mallrave më të importuara nga Kina për tregun shqiptar me një vlerë prej 5,2 miliardë lekësh me një rritje 17 për qind krahasuar me vitin 2018.

Importet e plastikës nga Kina u përllogaritën me një vlerë 2,1 miliardë lekë ose me një rritje vjetore me rreth 13.4% me 2019 dhe importi i mobiljeve kineze shënoi 2,3 miliardë lekë me një rritje mbi 8% në raport me vitin 2018.

Peshë të konsiderueshme në importe zënë dhe Mobileritë, krevatët, dyshekët, llampat dhe pajisjet e ndriçimit etj

Eksportet Shqiptare në Kinë arritën një vlerë prej 6,2 miliardë lekësh gjatë vitit 2019 me një rritje vjetore vetëm 1 për qind. Madje në raport me vitin 2017 eksportet “Made in Albania” në Kinë shënuar rënie me 26%.

Eksportet shqiptare në Kinë dominohen nga Kromi. Eksporti i xeheroreve zuri shënoi 5,9 miliardë lekë në vitin 2019, duke zënë 95 për qind të totalit të eksporteve me Kinën. Edhe në vitin e kaluar eksporti i kromit është dominues në mallrat që Shqipëria shet në Kinë.

Tregtia me Kinën e thelloi me tej deficitin tregtar në vitin 2019, si pasojë e rritjes së importeve me ritme dyshifrore. Deficiti shënoi një vlerë prej 53,5 miliardë lekësh duke u zgjeruar me 11 për qind në raport me vitin 2018.

Gatë vitit 2019 rritjen më të madhe e kanë shënuar importet nga Turqia (+14,0%),Kina (+11,0%) dhe Greqia (+4,3%).Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë:Italia (-6,3%),Gjermania (-6,2%) dhe Rusia (-8,2%).

Gjatë vitit 2019 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 63,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,4%), Greqia (7,5%), Kina (7,4%) dhe Turqia (7,2%).

Kush është Rita Augestad Knudsen? Bashkëshortja e kryeministrit Kurti, për të cilën dihet pak

Kuvendi i Kosovës ka votuar më 3 shkurt 2020 Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tashmë është zyrtarisht kryeministri i ri i vendit.

Kryeministri aktual i Kosovës është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës, gjersa ka qenë pjesë aktive e politikës kosovare që nga vitet e para-luftës.

Duke preferuar të qëndrojë gjithnjë i hapur vetëm për jetën profesionale, pak është ditur gjithmonë për jetën private të tij.

Albin Kurti është i martuar që prej vitit 2014 me Rita Augestad Knudsen. Ceremonia e kurorëzimit të tyre ishte zhvilluar në sallën e Komunës së Prishtinës. Çifti janë prindër të një vajze.

Teksa të rralla kanë qenë paraqitjet e tij me bashkëshorten, interesim të madh te qytetarët dhe përkrahësit e tij ka zgjuar bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen, për të cilën dihet pak.
Ajo tani më gëzon epitetin e gruas kryeministrore – në atë që njihet si “Proti Kyria”, një term ky që shtypi i referohet bashkëshortes së kryeministrit të një vendi.

Por kush është Rita Augestad Knudsen?
Rita Augestad Knudsen është norvegjeze, me profesion një Studiuese e Lartë në NUPI (Norwegian Institute of International Affairs) dhe pjesë e Grupit Kërkimor për Siguri dhe Mbrojtje, dhe ajo punon veçanërisht kundër-terrorizmin dhe anti-radikalizimin, transmeton Telegrafi.

Ajo është drejtoreshë menaxhuese e Konsorciumit për Kërkime mbi Terrorizmin dhe Krimin Ndërkombëtar, dhe e lidhur me C-REX (Qendra për Kërkime mbi Ekstremizmin në Universitetin e Oslos, në Norvegji).

Specializimi kryesor i Ritës është mbi terrorizmin, ekstremizmin dhe vlerësimin e rrezikut të lidhur me radikalizmin, konceptin e ‘radikalizmit’, kundër-terrorizmin në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe historinë e vetëvendosjes në politikën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, përveç Ballkanit e sidomos të Kosovës.

Publikimet e saj përfshijnë analizat e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë për sanksionet dhe ndërtimin ndërkombëtar të shtetit, dhe doktorata e saj në histori ndërkombëtare/histori intelektuale nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencës Politike në Londër ishte mbi “vetëvendosjen” dhe lirinë në ligjërimin ndërkombëtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se me bashkëshorten e tij, Ritën, flet në gjuhën angleze, teksa vajza e tyre zotëron tri gjuhë: atë shqipe, angleze dhe norvegjeze.
Familja Kurti ndajnë një jetë mes dy shteteve, Kosovës dhe Norvegjisë.

Basha me Presidentin e PE: PD po bën gjithçka që hapja e negociatave me BE të bëhet realitet sa më parë

Basha publikon takimin me Presidentin e PE, David Sassoli: Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithçka që hapja e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.

I lumtur të takoja mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli dhe të merrja prej tij konfirmimin se, personalisht dhe institucionalisht, do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe e vazhdueshme për rrugën europiane të Shqipërisë dhe përparimin demokratik të vendit tonë.

I konfirmova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.

Bashkimi Europian dhe respektimi i vlerave europiane është e ardhmja e vetme e Shqipërisë, pavarësisht krizës që vendi po kalon!

Mirënjohje Presidentit Sassoli dhe Parlamentit Europian për mesazhin shpresëdhënës se populli shqiptar ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Europës.