26.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Raporti 2019 për ujësjellësit, janë rritur tarifat për të punësuar militantët

Prej të paktën dy vitesh ka një theks të vazhdueshëm për një reformë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve duke tentuar për t’i bërë ndërmarrjet që janë “një gropë e zezë” në buxhet më të qëndrueshme financiarisht.

Por pavarësisht se në aplikimet e tyre për rritje të tarifave ujësjellësit kanë artikuluar investime e përmirësime të treguesve, raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit (ERRU) tregon se rritja e tarifave është përkthyer pak apo aspak në tregues realë të përmirësuar. Në shumicën e elementëve të marrë në analizë ujësjellësit nuk kanë bërë asnjë përparim domethënës ndërkohë që lidhur me mbulimin e kostove që është edhe kryefjalë e reformës ka pasur përkeqësim në vitin 2019 në raport me vitin 2018.

Nga analiza e treguesve kryesorë të performancës sipas ERRU vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M. Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara. Kjo tregon se në sektor janë rritur kostot për O&M, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur në nivele pothuajse të njëjta.

Sipas ERRU tërmeti i nëntorit ka dhënë ndikim tek arkëtimet e dy ujësjellësve Durrës dhe Vorë të cilët kanë qenë në ulje në raport me një vit më parë. Norma e arkëtimit korrent si tregues gjatë vitit 2019 ishte 79 për qind në të njëjtin nivel të vitit 2018. “Gjatë vitit 2019 ky tregues mbetet në nivelin e vitit 2018, pra 79 %. Ndër shoqëritë me nivele mjaft të ulta të këtij treguesi (nën 60%) janë UK Kukës, UK Divjakë, UK Kavajë, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Pustec, UK Roskovec, UK Elbasan. Shoqëritë UK Durrës dhe UK Vorë e justifikojnë uljen e këtij treguesi për shkak të tërmetit të fuqishëm të muajit nëntor” vlerëson raporti.

Edhe uji pa të arhdura si tregues për vitin 2019 ka mbetur njëlloj si në vitin 2018. Sipas ERRU raportohen në total rreth 24,350 lidhje të reja dhe një rritje e volumit të faturimit me rreth 668 mijë m3 ujë/vit.

“Rritja e volumit të ujit të faturuar duhet të ishte më e konsiderueshme, por në rritjen minimalë të saj ka influencuar instalimi i 50 mijë matëseve të cilat ulin konsumin mesatar, mesatarisht për familje me 4 persona nga 18 m3/muaj që presupozon faturimi aforfe, në rreth 12m3 në muaj për familje në faturimin me matje.

Shoqëritë me performancë të dobët të këtij treguesi (mbi nivelin 70% UPA) paraqiten UK Berat Kuçovë, Cërrik, Durrës Fier dhe Vlorë. Për përmirësimin e UPA reforma në sektor po zbaton plane veprimi për lidhjet e paligjshme, pajisjen 100% të konsumatorëve me matësa, si dhe instalimin e matësave në burim” thekson raporti.

Ujësjellësit sipas Entit vazhdojnë të shërbejnë si institucione për punësime partiake diçka e vënë re edhe në vitin 2019. Eficenca e stafit që mat edhe këtë aspekt tregon se në vitin e kaluar përmirësimi ka qenë i papërfillshëm.

“’Efiçenca e Stafit’ është 5.31 punonjës për 1000 lidhje UK me një përmirësim të pa përfillshem prej 0.04%. Gjatë vitit 2019 numri i lidhjeve të ujit është rritur me rreth 24,349 lidhje dhe ai i kanalizimeve me rreth 31,582 lidhje, por nuk ka patur efekt pozitiv në përmirësimin e këtij treguesi sepse gjatë vitit 2019 në total stafi i shoqërive UK në sektor është rritur me 254 punonjës.

Në shumë shoqëri ky tregues është artificialisht i lartë për shkak të plotësimit të detyrimit ligjor të garantimit të sigurisë së veprave të ujësjellësit me personel roje. Gjithsesi shoqëritë UK janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është evidente sidomos në vitet zgjedhore siç ishte viti 2019.

ERRU ka forcuar kërkesat që Shoqëritë të justifikojnë secilin pozicion të stafit të saj dhe me përshkrimin përkatës të punës” thuhet në raport.

Lidhur me kohëzgjatjen e furnizimit me ujë raporti vlerëson se ajo është përmirësuar nga 12.7 orë në 24 që ishte në 2018 në 13.2 orë që ishte në 2019. Por edhe vetë Enti për këtë tregues shprehet se ai duhet marrë me rezervë pasi ai vlerësohet apriori dhe jo në vlerësime të hollësishme sipas zonave shpërndarëse të shërbimit.

Vjosa Osmani heq foton e Thaçit nga zyra, e zëvendëson me Rugovën

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në ditën e parë të punës si kryetare e Kuvendit e ka hequr nga zyra e saj fotografinë e presidentit, Hashim Thaçi.

Në atë vend, Osmani e ka vendosur fotografinë e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Kjo është vërejtur në vizitën e parë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Osmani pasi mori detyrën ka deklaruar se në angazhimin politik ka pasur vetëm një referencë, ish-presidentin Rugova.

10 ushqime të përditshme që përmirësojnë sistemin imunitar

Pavarësisht nëse dëshironi të mbani gripin larg, apo të shmangni një të ftohur, ajo për çfarë keni nevojë është një sistem i fortë imunitar. Por larja e duarve nuk është mënyra e vetme për të qëndruar të shëndetshëm.

Në mënyrë që të jeni sa më të shëndetshëm, shtoni këto ushqime që përmirësojnë sistemin tuaj imunitar në dietën tuaj ushqimore:

Kosi
Probiotikët, apo kulturat e gjalla aktive që gjenden në kos, janë bakterie të shëndetshme që i mbajnë zorrët dhe traktin tretës të paprekshëm nga bakteriet që shkaktojnë sëmundje.

Tërshëra dhe elbi
Këto drithëra përmbajnë beta – glukan, një lloj fibre me aftësi antimikrobiale dhe antioksidante. Ky përbërës përmirëson imunitetin, shpejton shërimin e plagëve dhe mund të ndihmojë antibiotikët që të funksionojnë më mirë.

Hudhra
Hudhra përmban përbërësin aktiv allicinën, e cila lufton infeksionet dhe bakteriet.

Ushqime deti
Seleniumi, që gjendet me shumicë në midhje, karavidhe, gaforre etj., ndihmon qelizat e bardha të gjakut në prodhimin e citokinave, proteina që ndihmojnë në largimin e viruseve të gripit nga trupi.

Supë pule
Gjatë gatimit të pulës, lirohet një amino acid i quajtur cisteinë, që bllokon lëvizjen e qelizave inflamatore, grumbullimi në tubat bronkialë i të cilave shkakton ftohjen. Gjithashtu, lëngu i kripur i supës e mban mukusin të hollë, me të njëjtin efekt si ilaçet e kollës.

Çaj
Si çaji i zi dhe ai jeshil kanë një përbërje të lartë të një amino acidi të quajtur L-theanine, që lufton viruset.

Patatet e ëmbla
Në mënyrë që të keni një lëkurë të fuqishme dhe të shëndetshme ju keni nevojë për vitaminë A. Vitamina A luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e indit lidhës, një përbërës kyç i lëkurës. Një nga mënyrat më të mira për të marrë vitaminë A është nga ushqimet që përmbajnë beta – karoten si patatet e ëmbla, karrotat, kungujt etj.

Lakra jeshile
Edhe lakrat jeshile janë një burim i mirë i vitaminës A.

Vezët
Vitamina D është shumë e rëndësishme për kockat, meqë ndihmon në përthithjen e kalciumit në mënyrën e duhur, por gjithashtu është shumë e rëndësishme edhe për sistemin imunitar. Qelizat imunitare kanë receptorë të vitaminës D që janë të rëndësishme për rregullimin e mekanizmave të mbrojtjes natyrale të trupit. Burime të mira të vitaminës D janë vezët, peshku, qumështi i përpunuar etj.

Kërpudhat
Kërpudhat rrisin prodhimin dhe aktivitetin e qelizave të bardha të gjakut, duke i bërë ato më agresive. Kjo është diçka e mirë nëse prekesh nga një infeksion. Kërpudhat janë gjithashtu një burim i mirë për vitaminën D.

“30 qershori cënoi rëndë edhe demokracinë vendore”, Meta me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në takim delegacionin e nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili po zhvillon një mision fakt-mbledhës në Shqipëri.

Presidenti Meta falenderoi për zhvillimin e këtij misioni, dhe vlerësoi veçanërisht faktin që Shqipëria vizitohet nga niveli më i lartë i përfaqësimit të Kongresit me Presidentin z.Anders Knape, me Presidentët e dy Dhomave, të Autoriteteve Lokale, z.Xavier Cadoret, dhe të Rajoneve znj.Gunn Marit Helgesen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm z.Andreas Kiefer.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Kongresit si garant i parimeve të Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, dhe angazhimin e tij për monitorimin serioz të situatës në Shqipëri.

Presidenti Meta theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë sui generis përfaqësimi, dhe në çeikulibër të plotë të mekanzimave të kontrollit dhe balancës.

“Votimet njëpartiake të 30 qershorit nuk i dhanë zgjidhje krizës, por cënuan rëndë edhe demokracinë vendore, duke e zhytur më shumë vendin në rrugën e paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit”, vuri në dukje Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit u ndal edhe në disa ligje të miratuara nga Kuvendi, të cilat cënojnë autonominë vendore dhe disa parime bazë të Kartës Europiane, të cilat pritet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, ende jo-funksionale.

Kushtet e Bundestagut, vuri në dukje Presidenti Meta, janë pasqyra më e qartë e problemeve serioze me të cilat përballet vendi, por edhe harta më e sigurtë për rrugën europiane që duhet të ndjekë pa vonesë Shqipëria.

Presidenti theksoi se është jetike për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë që kësaj situate t’i jepet një zgjidhje tërësore, duke i kthyer legjitimitetin e munguar institucioneve përmes votës së lirë të qytetarëve.

Kush është i riu që ngriti në këmbë policinë e Elbasanit

Aldrion Shehu nga Gjirokastra ka ngritur në këmbë sot policinë. Ikja e tij nga postblloku në Korçë dhe ndjekja për disa orë, ka bërë që dhjetëra forca policie të vendosen në ndjekje të tij.

5 persona, mes të cilëve dhe një oficer policie mbetën të plagosur në tentativë për ta ndaluar të riun gjirokastrit.

Informacionet në lidhje me këtë ngjarje vazhdojnë të jenë kontradiktore. Dëshmitarët kanë bërë të ditur se ka pasur të shtëna me armë, ndërsa policia e mohon.

Ndjekja ka përfunduar në Krastë të Elbasanit, ku u plagosën 5 persona, mes të cilëve dhe punonjësi i policisë Eugent Abdurraza.

Nga ana tjetër burime kanë thënë se, policia ka patur një sinjalizim për një atentat dhe është vënë në ndjekje të dy automjeteve që nga Librazhdi.

Në Krastë të Elbasanit, blutë kanë tentuar të ndalojnë dy makina. Mësohet ndaj mjetit tip Passat janë hedhur zinxhirë me gozhda për ta ndaluar. Ndërsa automjeti tjetër ka arritur të largohet.

Burimet thanë se efektivi i Shqiponjave ka tentuar ti bëjë post-bllok autorit por ky i fundit e ka përplasur, duke i shkaktuar plagë të shumta.

Punonjësi i policisë është sjellë për mjekim të specializuar në Tiranë, pasi ka fraktura të shumta.

Njoftimi zyrtar i policisë së Elbasanit për këtë ngjarje

Më datë 04.02.2020, rreth orës 09:00, Salla e Drejtimit Korçë, ka njoftuar Sallën e Drejtimit të DVP Elbasan se mjeti tip Pasat i zi me targa Greke IEH 3922, nuk i ka ndaluar shërbimeve të policisë Korçë dhe Pogradec dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.

Menjëherë në Librazhd është ngritur pikë kontrolli e përforcuar , por drejtuesi i mjeti sa ka parë policinë ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur në rrugë sipas procedurës për pikë kontrolli dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe ka vijuar me shpejtësi të madhe në drejtim të Elbasanit.

Shërbimet e Policisë së Librazhdit janë vënë në ndjekje të mjetit deri në Elbasan duke mbajtur komunikim me shërbimet policisë në Elbasan.

Focat Shqiponja , ato të Patrullave të Përgjithshme dhe të Qarkullimit Rrugor, në hyrje të qytetit Elbasan në aksin rrugor Librazhd -Elbasan, kanë ngritur pikë kontrolli duke kontrolluar rrugën.

Drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet duke goditur makinën e policisë dhe dy mjete të tjera.

Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën një punonjës policie dhe 4 shtetas.

Drejtuesi i mjetit shtetasi A. Sh, 27 vjec , banues në Gjirokastër është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme.
Ky drejtues mjeti edhe në vitin 2018 , ka kryer të njëjtat veprime duke mos ju bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar.

Nga kontrolli i mjetit nuk u gjetën armë apo lëndë narkotike por vetëm disa targa automjetesh.
Theksojmë se nuk ka patur asnjë të shtënë me armë zjarri gjatë ndalimit të automjetit.

E ardhmja e Britanisë pas largimit nga BE

Bisedimet zyrtare ende nuk kanë filluar mbi marrëdhëniet e tyre në të ardhmen – por tensionet po shtohen mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, pas largimit zyrtar të Britanisë të premten. Brukseli thotë se Britania do të duhet të angazhohet për ruajtjen e standarteve të BE-së në mënyrë që të marrë një marrëveshje të tregtisë së lirë, por Londra ka këmbëngulur se nuk do ta bëjë këtë gjë. Siç raporton Henry Ridgwell, bisedimet zyrtare nuk do të fillojnë për të paktën një muaj tjetër, duke lënë pak kohë të çmuar për të negociuar një marrëveshje të re.

Në një ditë të kthjellët, Shkëmbinjtë e Bardhë të Doverit mund t’i shikosh që nga Franca. Gjeografia nuk ka ndryshuar. Por në shumë kuptime, distanca midis Britanisë dhe fqinjëve të saj kontinentalë u zgjerua të premten brenda natës. Britania tani është jashtë Bashkimit Evropian, por pas tre vjet e gjysmë kaosi politik, shumë britanikë duket se janë të lodhur nga Brexit.

“Nuk do të gënjej. Nuk doja largimin. Kam votuar që të qëndronim, por ne jemi aty ku jemi. Thjesht shpresoj të mos ketë pasoja shkatërrimtare”, thotë Lindsey Wheeler, punonjëse banke.
Imazhet e një ore që numëronte minutat deri në momentin e Brexit-it shfaqeshin mbi shkëmbinjtë Dover natën e së premtes – dhe gjithashtu mbi rezidencën e Kryeministrit Boris Johnson, në adresën 10 Downing Street. Përkrahësit e Brexit-it organizuan festime në Londrën qendrore.

“Ne duhet të festojmë faktin që, të çliruar nga kufizimet e Bashkimit Evropian, edhe një herë do të jemi në gjendje të gjejmë vendin tonë në botë “, tha Nigel Farage, drejtues i Partisë Brexit.

Gjetja e këtij vendi mund të mos jetë aq e thjeshtë. Britania tani është në një periudhë tranzicioni dhe i ka dhënë vetëm 11 muaj për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Evropën. Kjo do të marrë fund në dhjetor – kur afrohet një Brexit i ri shumë më i ashpër.

“Shumë njerëz besojnë se për Brexit-in janë bërë tre vjet e gjysmë debate, dhe se gjithçka është bërë pra e qartë. Nuk është fare e tillë. Në fakt, dimensionet aktuale të marrëdhënies së re midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së sapo po fillojnë”, thotë Charles Ries, Nënkryetari Ndërkombëtar i “RAND Corporation”.

Treguesit e hershëm sugjerojnë se Evropa do të kërkojë qasje në ujërat britanike të peshkimit, si dhe garanci se Britania nuk do të ulë standardet e punës dhe mjedisit të BE-së, në këmbim të qasjes në tregun e bashkuar të BE-së. Britania ka përjashtuar një përafrim të tillë të ngushtë.

“Ne nuk do të kemi një përafrim të ngushtë me BE-në, një përafrim legjislativ me rregullat e tyre. Por, ne do të dëshirojmë bashkëpunimin dhe presim që BE-ja të përmbushë angazhimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë në stilin e Kanadasë”, thotë Dominic Raab, Sekretari i Jashtëm britanik.

Por, kjo linjë e ashpër po e vendos vetë Britaninë nën një presion gjithnjë e më të madh – me Skocinë që kërkon një votim për pavarësinë, në mënyrë që të mund të përpiqet të ri-anëtarësohet në BE.

Dhe në të gjithë Britaninë, ndasitë e shkaktuara nga Brexit nuk do të shërohen lehtësisht.
Shkëmbinjtë e bardhë të Doverit janë bërë një kanavacë për mesazhe pro dhe anti-BE – që i shfaqen kontinentit evropian. Tensionet tashmë po ndërtohen me atë që duket se do të jetë një vit i stuhishëm përpara.

Edi Rama e mbron ish-ministrin që kanabizoi vendin sepse ai e ka në dorë me gjithçka di për të…

• Edi Rama duhet ta lejojë policinë të shënjestrojë pasurinë e Saimir Tahirit. Ai e mbron ish-ministrin që kanabizoi vendin sepse ai e ka në dorë me gjithçka di për të. I ashtuquajturi ligj anti-KÇK, është një akt tjetër propagande për të mashtruar ata dhe ndërkombëtarët

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR ÇESHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA

Edi Rama nuk ka ndërmend të luftojë krimin e organizuar, pasi ai është vetë krimi i organizuar.

Ai është trafikanti që mbolli Shqipërinë me kanabis dhe nuk u kap kurrë nga policia, është i dënuari që drejton trafikun nga burgu dhe merr tendera e koncesione nga qeveria e Ramës, është krimineli që blen vota dhe kërcënon votues për Edi Ramën pa u ndëshkuar nga ligji.

Pas Edmond Begos, mikut trafikant të Taulant Ballës, Saimir Tahiri është shembulli tjetër i dashtimit të Edi Ramës dhe i standardeve të dyfishta që përdor ai.

Në vend që të bëjë qesharake policinë e Shtetit me operacione të sajuara keq, Edi Rama duhet ta lejojë policinë e tij të vendosë në shënjestër pasurinë e Saimir Tahirit.

Ish ministri i tij i brendshëm, i cili ka hyrë në histori për kanabizimin e Shqipërisë, është një nga subjektet ideale të ligjit propagandistik të Edi Ramës.

Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge nga drejtësia, bën një jetë luksoze me rrogë shteti, hap biznese të reja, madje i sfidon të gjithë duke paguar 20 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sondazhet tregojnë se shqiptarët nuk i besojnë Edi Ramës dhe e dinë se i ashtuquajturi ligj anti-KÇK, është një akt tjetër propagande për të mashtruar ata dhe ndërkombëtarët, të cilët i kërkojnë qeverisë luftë reale ndaj krimit të organizuar për të nisur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edi Rama nuk ka ndërmend të luftojë krimin e organizuar, pasi ai nuk e lejoi policinë të sekuestrojë pasurinë e trafikantit të drogës Edmond Bego, mik i kriminelit të rrezikshëm Aldo Bare dhe mik i numrit 2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Njësoj ka për të vepruar edhe me Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng megjithçka di për lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar.

Edi Rama ka ndërmend të bëjë vetëm shoë me një grup policësh, të keqpërdorur dhe të tradhëtuar në këto 6 vjet prej paktit të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin e organizuar.

“Arrestojnë njerëz që shesin kokoshka dhe”…

Aktivisti Ergys Mërtiri paketën “Anti KÇK” e vlerësuar antikushtetuese. Sipas tij qeveria me këtë ligj pranon që në këto 6 vite nuk e ka luftuar krimin. I ftuar në studion e “ABC News”, Mërtiri theksoi se kjo paketë mund të përdoret si kërcënim për zgjedhjet.

“Rama në thelb punon me popagandë. Paketa mund të vlejë si kërcënim që Rama kërkon ti fusë në anën e tij në zgjedhje. Ne të sekuestrojmë pasurinë nëse nuk paguan gjobën përkatëse. Ligji KÇK mund të sekuestrojë pasurinë pa asnjë mandat gjykate. Është një ligj antikushtetues, ekspozon çdo biznes jemi të pambrojtur tashmë edhe me ligj”, tha Mërtiri.

Faktori ndërkombëtar
Mërtiri: Në rastin e këtij ligji ka pasur reagime jo në nivelin e duhur. Ambasada Amerikane ishte më e luhatur. Është një lloj lodhje e ndërkombëtarëve për tu marrë me çdo gjë, ndaj duket se qëndrojnë indiferent. Me këtë ligj, Rama pranon që në këto 6 vite nuk ka luftuar krimin. Policia ka qenë me e akuzuar se çdo institucion tjetër për rrjedhje informacioni.

Vetë qeveria nisi të bëjë Vetting ndaj policisë. Duhet theksuar se krimi po bashkëpunon me politikën. Ne arrestojmë njerëz që shesin kokoshka në rrugë. Nëse policia bën si duhet detyrën Prokurori nuk mund të mbyllë sytë lehtë. Në një shtet ku ka Kushtetutë dhe ndarje pushtetesh të thuash se po e bëj unë rolin e gjykatës, këtu ke minuar rolin e shtetit”, tha më tej Mërtiri./abcnews.al

Plani i Kurtit për bisedimet me Serbinë, do të rishikohen edhe marrëveshjet e mëparshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, votuan dje formimin e qeverisë e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo u arrit falë marrëveshjes për bashkëqeverisje që të dielën arritën ta nënshkruajnë LVV dhe LDK.

Në programin e përbashkët qeverisës thuhet se: “Qeveria e re do të udhëheqë me përkushtimin e mbrojtjes së interesit kombëtar, shtetëror e shoqëror, në mbrojtje të sovranitetit e integritetit të Republikës së Kosovës”.

Në këtë program nuk mungon edhe çështja e dialogut me Serbinë, e cila konsiderohet si një nga temat më “pikante” në skenë politike, duke pasur parasysh se është thënë shumë herë që brenda këtij viti të përmbyllet procesi i negociatave me Serbinë, shkruan Telegrafi.

Partnerët e koalicionit janë pajtuar që procesi i dialogut të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

“Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga Kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues. Dialogu zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstitutiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve”, thuhet në marrëveshjen për bashkëqeverisje të LVV-LDK.

Më tej në këtë marrëveshje thuhet se në Kuvendin e Kosovës për dialog duhet të miratohet një rezolutë/platformë me 2/3 e votave, e cila do të përfshijë parimet në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, LVV-LDK kanë paraparë që temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

“Temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial, sovranitetin e vendit, rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit, karakterin unitar apo krijimin e pushtetit të tretë për vendbanime me popullsi serbe. Kryeministri raporton në Kuvend në baza të rregullta për procesin e dialogut”, thuhet në marrëveshjen për programin qeverisës.

Më tej në marrëveshje thuhet se do të bëhet një rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani, për të parë nivelin e zbatimit të tyre nga ana e Serbisë dhe në bashkëpunim me BE-në do të ngritën këto çështje në tavolinën e dialogut.

‘Anti-KÇK’, një shpresë e lindur e vdekur

Nga Red VARAKU

‘Në kohë ekstreme, ka nevojë për masa ekstreme’-deklaron kryeministri.

Për herë të parë, ai vetë pranon se situata e krimit në vend është ekstreme dhe vendi ka nevojë urgjente për rikthim në normalitet dhe rimarrjen në kontroll të territorit.

Me këtë deklaratë vetë kryeministri pranon që shteti ka dështuar dhe është i pafuqishëm në luftën kundër krimit dhe vendi është totalisht nën kontrollin e bandave dhe pothuajse nuk kontrollon më asnjë cm katror.

Të gjitha qytetet e Shqipërisë janë kthyer në arena të përgjakshme të grupeve kriminale rivale që luftojnë për territor dhe pushtet.

Ato janë tashmë të famshme në çdo cep të Shqipërisë për aktivitetin dhe brutalitetin e tyre.
Banda që janë politikisht të identifikuara dhe provuara si të lidhura me të majtën në pushtet, për të cilën mbledhin vota.

Policia, për shkak të lidhjes së politikës me krimin, e ka të pamundur të bëjë detyrën e saj si parandalimi i ngjarjeve kriminale ose asgjësimi i bandave të tilla.

Si pasojë, ajo është kthyer thjesht në konstatuese dhe arkivuese të ngjarjeve kriminale. Ajo thjesht mbledh kufomat e kësaj babëzie për gjak.

Edhe kur ka ndodhur ndonjë goditje e këtyre grupeve, goditjet kanë qenë politikisht selektive.
Ato kanë synuar dobësimin e njërës palë ose forcimin e palës tjetër, duke e përkeqësuar më shumë situatën në terren.

Vrasjet, pengmarrjet dhe atentatet kriminale tepër të sofistikuara janë alarmuese, sepse dëshmojnë qartazi fuqizimin e jashtëzakonshëm të këtyre grupeve.

Të gjitha përpjekjet e kryeministrit për ta mbajtur krimin nën kontroll kanë dështuar me sukses, ashtu siç do të dështojë edhe shpikja e tij e fundit e pagëzuar si anti-KÇK.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Kjo është pasojë e padiskutueshme e një pushteti që qëndron në këmbë me votat e vjedhura me anë të këtyre bandave.

Këto janë përbindëshat që lindin nga përdhunimi që krimi i bën shtetit.

Ndaj, kryeministri ka të drejtë kur thotë që për këtë duhen masa dhe ndërhyrje ekstreme. Por, këto masa dhe ndërhyrje kërkojnë një vullnet të qartë dhe të fortë politik. Ato nuk mund të ndërmerren kurrsesi nga frymëzuesi dhe arkitekti i tyre.

Pra, nëse e ka vërtet seriozisht luftën ndaj krimit dhe rikthimin e vendit në normalitet, ai duhet të ndërmarrë vetëm një masë dhe ndërhyrje ekstreme.

Ajo është dorëheqja e menjëhershme e tij.