30.5 C
Tirana
E premte, 13 Qershor, 2025

Detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Elbasan, kush është personi që ndiqte policia

Detaje të reja nga ngjarja në Krastë të Elbasanit ku pas ndjekjes nga policia, 5 makina përfunduan të aksidentuara dhe 5 persona mbetën të plagosur. BalkanWeb raporton se personazhi që ka ngritur më këmbë policinë e Elbasanit është shtetasi Aldiron Shehu, i cili është arrestuar.

Ky person udhëtonte me një makinë tip “Volksëagen Passat” me targa greke nga Korça. Aty nuk i është bindur policisë për të ndaluar dhe ka vijuar rrugën drejt Pogradecit. Po ashtu edhe në Pogradec e Librazhd nuk i ka qëndruar postblloqeve.

Pasi është njoftuar Policia e Elbasanit, ajo ka ngritur një postbllok për të ndaluar të dyshuarin. Ky i fundit nuk i ka qëndruar as postbllokut dhe ka përplasur një mjet të forcave “Shqiponja”. Më pas për shkak të lëvizjes, mjeti i Shehut ka dalë në krahun tjetër të rrugës dhe ka përplasur dhe 2 mjete të tjera.

Gjatë kësaj kohe policia ka qëlluar në ajër për të paralajmëruar Shehun, i cili u vu në pranga. Ai rezulton me precedentë penal pasi të njëjtin episod e ka kryer edhe gjatë vitit 2018.

Show i Ramës me KÇK-në/ Kompleksi “Golden” u sekuestrua nga Prokuroria në 2015 (Dokumenti)

Kompleksi “Golden” në Xhafzotaj, referuar QKB-së në pronësi të Altin Hajrit, në kërkim si i dyshuar në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, rezulton se është vënë nën sekuestro vite më parë nga autoritet ligjzbatuese.

Ndërkohë që Policia pompon aksionin për sekuestrimin, duke e përdorur për propagandë, zbulohet se sekuestro e biznesit është bërë që në vitin 2015.

“BoldNews” publikon urdhrin për sekuestrimin e objektit, të firmosur nga zv/drejtuesi i Prokurores së Krimeve të Rënda të asaj kohe, Besim Hadarmataj dhe të miratuar më pas nga Gjykata.

Sipas shkresës, që mban datën 27 Tetor 2015, çështja i është kaluar për ta ndjekur prokurorit Anton Martini. Kërkesa e prokurorisë dërguar gjykatës vjen në kuadër të hetimeve të një letër-porosie nga Prokuroria Antimafia e Venecias në Itali.

Shtet ku Altin Hajri dhe pjesëtarë të tjerë të një që merrej me trafik ndërkombëtar droge, u shpallën në kërkim. Grupi, që sipas hetuesve italianë, drejtohej nga ai dhe i vëllai Emiljan Hajri.

“Në Tetor, Prokuroria për Krime të Rënda, në kuadër të letër-porosisë së autoriteteve italiane, sekuestron kompleksin tregtar ‘Golden’, me sipërfaqe 10 mijë m2, si edhe disa pasuri të tjera të paluajtshme, me sipërfaqe totale rreth 500 m2, në emër të vëllezërve Altin dhe Emirjan Hajri, të akuzuar si drejtues të një rrjeti trafiku lëndësh narkotike”, thuhej në një njoftim të Prokurorisë asokohe, ku informonte lidhur me bilancin mbi aktivitetin e 6-mujorit të dytë të vitit 2015 në luftën kundër krimit financiar. /BN/

Luftë në Elbasan, plagoset oficeri i policisë dhe 4 persona

Një oficer policie është plagosur rëndë gjatë përplasjes me armë mëngjesin e sotëm në Elbasan teksa forcat e rendit i ishin vënë në ndjekje një makine që nuk u ndaloi.

Sipas burimeve, polici i plagosur rëndë quhet Eugen Abdurrazaku. Ndërkohëm, mësohet se gjatë përplasjes me armë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë.

Disa persona të plagosur, mes tyre një efektiv policie, kanë mbetur nga një aksident i ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në aksin Elbasan-Librazhd. Në aksident janë të përfshirë tre automjete, mes tyre një auto-shkollë.

Njëkohësisht, është raportuar se ka pasur të shtëna. Ka dyshime se makina e batuar, ka qenë në ndjekje nga policia dhe për shkak të një manovre të gabuar dhe shpejtësisë tej normave të lejuara, ka shkaktuar më tej aksidentin.

Dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk i është përgjigjur një postblloku të policisë në hyrje të Elbasanit për të ndaluar dhe për këtë shkak është vënë në ndjeke nga policia.

Dyshohet që një tjetër automjet të ketë qenë i përfshirë, por që është larguar. Mjeti në fjalë dyshohet se ka plagosur efektivin e policisë. Prokurori Ritvan Sukaj, bashkë me një grup hetimor, ndodhen në vendngjarje.

Ende nuk ka një konfirmim nga policia për dinamikën e ngjarjes.

Të plagosur
1. Eugen Abdurrazaku, efektivi i policisë.
2. Diana Plaka.
3. Durim Plaka (burrë e grua).
4. Albert Cani, instruktor autoshkolle.
5. Adriana Mukja.

Partia Demokratike organizon marshimin “E duam jetën, e duam veten”

Partia Demokratike organizon sot një marshim për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit. Në Ditën Botërore Kundër Tumoreve, PD i bashkohet nismës së Unionit Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit, e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Marshimi nis në orën 10.00 tek Piramida dhe përfundon tek Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Rrugën e Kavajës.

Me sloganin “E duam jetën, e duam veten”, përmes këtij marshimi, PD ka si qëllim të ngrejë zërin për të shpëtuar mijëra jetë njerëzish, duke i vetëdijësuar dhe edukuar ata që të bëjnë kontrollet e duhura, si dhe duke i kërkuar qeverisë të bëjë investimet e duhura për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Pas sëmundjeve karduivaskukare, kanceri është sëmundja e dytë që shkakton më shumë vdekje në Shqipëri. Janë mbi 7 mijë raste të reja në vit me një ritëm dramatik rritjeje prej 12% në vit, ndërsa 50% e pacienteve u drejtohen spitaleve ne stade te avancuara të sëmundjes.

Edhe OSBE padit Ramën në “Venecia”

OSBE-ja ka dërguar paketën anti-shpifje pas Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias. Këtë fakt e ka pohuar përmes një statusi në Twitter, Përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, Harlem Désir.

“Dërgova në Komisionin e Venecias projektligjet për Median Audiovizuale dhe Komunikimet Elektronike, pasi Parlamenti shtyu votimin javën e kaluar. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë përmirësime të mëtejshme para një votimi të ri të Parlamentit”, -ka bërë të ditur ai.

Parlamenti në Tiranë shtyu për 2 muaj shqyrtimin e një dekreti të Presidentit Meta për të ridiskutuar ndryshimet në projekt-ligjin mbi mediat audio-vizive, pasi të shprehet për të Komisioni i Venecias.

Ndryshimet në këtë ligj janë pjesë e amendamenteve të së ashtu-quajturës paketa anti-shpifje aq shumë të kundërshtuar nga organizatat e vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve si përpjekje për censurë, sipas tyre, por sipas qeverisë, një përpjekje për të frenuar lajmet e rreme. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Komisioni i Venecias pranoi kërkesën e tyre për t’u shprehur mbi ligjin e mediave audio-vizive në fund të marsit.

Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile protestuan kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”, duke deklaruar se qeveria po ngre institucione censure dhe po mundohet të godasë fjalën e lirë. Por socialistët pohuan se po mundohen të rregullojnë tregun e mediave online dhe të shmangin lajmet e rreme.

Organizatat shqiptare të shtypit thonë se po kërkojnë standarte europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, të cilat qeveria po i shkel me ligjet e sotme duke sjellë censurë dhe autocensurë, ndaj zgjidhja e këtij konflikti të shtypit me qeverinë është rrëzimi i ligjeve ntë ashtuquajtura për anti-shpifjen dhe vetërregullimi i komunitetit të medias.

Emigrimi masiv, Dokle shpërthen kundër Ramës: Tradhëtarët na lanë pa atdhe

Prej rreth 3 vitesh është tërhequr nga politika pas një periudhë 27-vjeçare si deputet i Kuvendit të Shqipërisë por edhe në funksione të tjera drejtuese dhe të rëndësishme në Partinë Socialiste

Namik Dokle zgjodhi të mos ishte më pjesë active e politikës shqiptare në vitin 2017, kohë kur përkonte edhe me zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa shumica e bashkive ishin fituar nga e majta, por që nga ana tjetër debate politik ishte zhvendosur tek kriminaliteti në politikë dhe në postet drejtese të shtetit, përfshirë parlamentin, drejtoritë, bashkitë etj.

Dokle njihet si një nga senatorët e PS-së i cili nuk është lakuar në karrerën e tij politike për ndonjë çështje që përbën precedent apo shkelje të normave që do të cënonin integritetin e tij.

Ish-deputeti socialist Namik Dokle përcjell një mesazh përmes vargjeve të At Gjergj Fishtës mbi të cilat shkruan “Britma e Gjergj Fishtës:

O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtaret na lanë pa Atdhe,
E Ti rri e gjuan me rrufe/ Lisat n’për male kot…
O Perendi, a ndjeve?
Tradhëtaret na lanë pa Atdhe,
E Ti rri e gjuan me rrufe
Lisat n’për male kot…

Në fakt duket sikur ish-deputeti i nxitur nga emigrimi masiv, përmes këtij mesazhi ka një akuzë ndaj qeverise dhe Rames qe ka 7 vite në qeveri, ndonëse nuk e përmend direkt me emër.

Ministrja e Jashtme flet për kalendarin dhe kushtin e ri të Francës për Negociatat

Franca sinjalizoi të hënën se po mbështet një plan të ri për të reformuar mënyrën se si Bashkimi Europian do të drejtojë negociatat me anëtarët e mundshëm, duke hapur potencialisht rrugën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të filluar bisedimet.

Por ministrja franceze e për Cështjet Europiane, Amelie de Montchalin tha që, Bashkimi Europian si një e tërë do të duhet të miratojë me shpejtësi planin e reformës të zhvilluar nga Komisioni Europian nëse Tirana dhe Shkupi do të merrnin dritën e gjelbër muajin tjetër. Franca sinjalizon mbështetje për planin e ri të zgjerimit të BE-së.

Çështja nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga çështjet më të diskutueshme midis qeverive të Bashkimit Europian gjatë viteve të fundit.

Gjermania dhe Franca, dy vendet më të fuqishme të BE-së, kanë qenë në anët e kundërta të debatit, me kancelaren Angela Merkel duke folur në favor të fillimit të bisedimeve ndërsa Presidenti Francez Emmanuel Macron i ka bllokuar ato.

De Montchalin u tha gazetarëve në Bruksel se ajo pati “takim shumë të mirë” me Komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi në planin e tij për një “metodologji të re të zgjerimit”, që do të zbulohej të mërkurën.

“Ka gjëra që Franca kërkon prej vitesh dhe ne mund të shohim se Komisioni ka qenë në gjendje të punojë në një mënyrë mjaft konkrete në këtë temë”, tha de Montchalin.

Kjo është qeveria e re e Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn.

Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.
Vetëvendosje do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Drejtësisë, të Financave, të Ekonomisë, të Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane.

Haki Abazi– Zëvendëskryeministër i dytë
Glauk Konjufca– Ministria e Punëve të Jashtme

Albulena Haxhiu– Ministria e Drejtësisë
Besnik Bislimi– Ministria e Financave

Rozeta Hajdari– Ministria e Ekonomisë
Arben Vitia– Ministria e Shëndetësisë

Blerim Reka– Ministria e Integrimeve Evropiane
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes, Arsimit, Kulturës dhe të Bujqësisë.

Emrat e LDK-së për postet qeveritare janë:
Avdullah Hoti – Zv. kryeministër i parë
Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme
Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit
Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë
Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal.

2 mijë euro për të kaluar nga Shqipëria në Itali, emigrantët rrëfejnë tmerrin që përjetuan…

Nga 2 mijë euro për person, që të dilnin të sigurt në brigjet italiane, iu paguan trafikantëve emigrantët klandestinë irakenë, iranianë e nga Kurdistani, të cilët u shpëtuan nga mbytja të shtunën e javës së shkuar.

Ata kishin ardhur në Shqipëri në rrugë tokësore, me synimin që të shkonim fillimisht në Itali, e më pas te të afërmit në perëndim. Klandestinët kanë rrëfyer ngjarjen për oficerët e policisë gjyqësore në Kavajë dhe kanë treguar se si u kontaktuan nga trafikantët, teksa kishin kohë që qëndronin në qendrën e pritjes në Tiranë.

“Në qendrën e pritjes në Tiranë jemi kontaktuar me persona, të cilët na premtuan se kundrejt shumës prej 2 mijë euro për person do të na nisnin të sigurt në Itali. Kemi udhëtuar të gjithë së bashku natën. Na kanë sjellë nga Tirana në Spille të Kavajës. Aty na thanë se duhet të hipnim në një skaf, qe do të na çonte në Itali. Fati ynë i keq që pasi ishim nisur me skaf mjeti u ça dhe ne rrezikuam të gjithë të mbyteshim. Por skafisti lajmëroi autoritetet dhe ata erdhën e na shpëtuan”, kanë treguar ata.

Ndaj klandestinëve ka nisur hetimi për grup të strukturuar kriminal për trafikim të qenieve njerëzore. Ndërsa, skafisiti vlonjat i ndaluar nga policia, Roland Cenko, i cili pritet të dalë për masë sigurie si i vetmi i arrestuar deri tani nuk i ka ndihmuar hetuesit. Ai ka folur pak, duke thënë vetëm se thjesht i ka ndihmuar klandestinët për t’i nxjerrë në Itali.

Policia ka faktuar se skafi u transportua me një mjet nga qyteti i Lushnjës në grykëderdhjen e Semanit dhe ka qenë një prej të kontraktuarve si i punësuar nga grupi i organizuar i nisjes së klandestinëve. 5 gra, 12 burra e 1 fëmijë u shpëtuan nga mbytja në një operacion të zhvilluar nga Guardia di Financa dhe Roja Bregdetare shqiptare në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pasi për shkak të një defekti skafisti dha alarmin 18 milje larg nga Kepi i Selitës.