29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

RAI 3: Qeveria shqiptare po i lë të lirë krerët e narkotrafikut

Udhëtimi i RAI 3 në Shqipëri me reportazhin në katër pjesë të titulluar “Kufiri Evropës” është mbyllur me kronikën e fundit të transmetuar një natë më parë 2 shkurt 2020, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19.00.

Në fokus është vënë trafiku i kokainës dhe roli i krimit të organizuar shqiptar, që në aleancë me mafian kalabreze Ndrangheta, janë bërë protagonistë të transportit të saj nga Kolumbia në Europë.

Në mikrofonin e RAI 3 ish-Drejtori i Policisë shqiptare, Ahmet Prençi thotë se ky trafik është rritur pasi nuk ka pasur një vullnet politik për ta luftuar.

“Sipas një analize të Drejtorisë së Doganave shqiptare, thotë gazetari italian Vlaterio Kataldi, trafiku i bananeve në Shqipëri më 2018 është rritur me 62% dhe vendet kryesore të importimit janë Kolumbia e Ekuadori.

Lajm ky që duket se zbulon një sekret që të gjithë e dinë, se shpesh në ngarkesën me banane udhëtojnë dhe ngarkesa me kokainë. Ngarkesa e fundit ishte 137 kilogramë e kapur në një anije që nga Kolumbia mbërriti në Greqi duke kaluar përmes Shqipërisë. E me këtë metodë klanet shqiptare transportojnë kokainë në të gjithë Europën si dhe kjo ngarkesë e kapur në Gjermani.”

Gazetari italian ka intervistuar Prokurorin e Antimafias Italiane Nicola Gratteri, i cili thotë ” se kemi hetuar shqiptarë në biznes me Ndranghetan për trafikun e kokainës. Kemi identifikuar shqiptarë në Kolumbi në krah me Ndranghetan.”

Në Kolumbi ka ndërmjetës shqiptarë që hyjnë në marrëveshje me narkos e organizojnë trafikun e kokainës drejt Europës. E konfirmojnë dhe hetimet e drejtësisë ekuadoriane dhe 3 vrasjet e kryera gjatë 3 viteve të fundit në Guayaquil, një nga portet kryesore me dalje në oqean. 3 shqiptarë u ekzekutuan në vitet 2016-2018.

“E ky fakt që konfirmon nivelin e lartë që ka arritur në trafikun e drogës mafia shqiptare”, thotë për median italiane ish-Drejtori i Policisë Shqiptare, Ahmet Prençi.
“Edhe kolumbianët e kanë nisur duke kultivuar kanabis, thotë ai, por pa mbështetjen e politikës që mbyll një sy, nuk mund të kalohen sasi kaq të mëdha droge.”

“Problemi sipas ish Drejtorit të Policisë Shqiptare, është se nuk ka vullnet politik për të luftuar narkotrafikun. Nga 2013 janë kapur vetëm trafikantë të vegjël. Krerët e narkotrafikut shqiptar nuk janë kapur kurrë. E është evidente se ka dika që nuk funksionon në Shqipëri”.

Vdekja e Andon Mëhillajt në burg, zbardhen detaje të reja

Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e Andon Mëhillajt, anëtar i grupit të Julian Sinanajt, i cili u gjet i pajetë në qelitë e burgut të Peqinit në rrethana ende të paqarta.

Burime bëjnë me dije se kishte dy ditë që kishte qenë keq nga ana shëndetësore dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore. Por, burgu i Peqinit nuk ka doktor. Ata nuk e kanë çuar në një spital jashtë burgut pasi duhen procedura dhe kishin marrë frikë së fundmi nga rasti i Dritan Dajtit.
Mbrëmjen e djeshme të gjithë të burgosurit kanë protestuar duke goditur fort dyert e burgut.

Ndërkohë familjarët e Mëhillajt kanë ngritur dyshime se mund ta kenë helmuar. Pritet ekspertiza për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij.

Andon Mëhillaj vuante prej kohësh nga depresioni, madje merrte edhe disa ilaçe për këtë arsye.
Andon Mëhillaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për një serë veprash penale.

Në 2014 ai u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqë, pas të cilës fshihen disa vrasje dhe jo vetëm.

Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit. Po ashtu pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për “Akte terroriste” dhe “Financim të terrorizmit”.

I çmenduri, çmendi vendin, alarmi, po ikin edhe njerëzit e shtresës së mesme dhe të lartë

Sektori i shitjeve me pakicë vijoi të ishte në një garë të fortë për klientë në vitin 2019, duke parë një ‘ashpërsim’ krahasuar me vitin paraprak. Fituesit ishin padyshim qendrat tregtare, kundrejt dyqaneve të vogla, të cilat panë edhe një ndryshim stoku në fund 2018 dhe fillim 2019.

Dallimi vijon të mbetet ndërthurja e konceptit të shitjes me argëtimin. Rritja e numrit të qendrave tregtare ka ashpërsuar luftën mes tyre. Në “kërkim” të blerësve, ato zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurruese.

Dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar ulje të herëpashershme. Jo pak prej tyre nisën mbylljen gjatë 2018, vijuan edhe në 2019, edhe nën efektin e futjes në TVSH për bizneset e vogla.

Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në Tiranë ka aktualisht 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) ndodhet në zonën perëndimore të qytetit. Toptani Shopping Center ndodhet në zëmër të kryeqytetit, pozicioni i së cilës lakmohet nga kalimtarët dhe turistët. Qendra tjetër tregtare, City Park, mbylli shumë dyqane të saj në vitin 2019, ndërsa marketon hapjen e supermarketit Big Market si asetin kryesor për momentin.

Ndryshimi në stokun e hapësirës së shitjeve me pakicë është shtimi me 14,000 m², pas rikonstruksionit të Qendra QTU, duke arritur një total prej 41,000 m². Në total, stoku arriti në 216,000 m².

Por, konsumi po vuan pasojat e emigrimit, dhe muajt e fundit dhe të tërmetit.
Menaxherja ekzekutive e Colliers Albania, Stela Dhami, thotë për “Monitor” se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin.

Ndërsa përfaqësues të sektorit të retail shtojnë se mallrat e luksit do të pësojnë ndikimin më të madh gjatë këtij viti për shkak të fatkeqësisë së tërmetit dhe më pak produktet ushqimore. Julian Mane, zv. President i grupit Balfin thotë për Monitor se, shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë t’i ndjejnë në muajt në vazhdim .

“Emigrimi po jepe efekte në konsum”
Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers Albania

Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në 2019?
Sektori i shitjeve me pakicë vazhdon të ketë një performancë të qëndrueshme si në vitet e tjera, megjithatë duhet theksuar se vihet re një ulje e numrit të konsumatorëve për shkak të emigrimit të lartë jashtë Shqipërisë këto vitet e fundit të individëve që i përkasin shtresës së mesme e të lartë, e cila është edhe shtresa kryesore që nxit konsumin. Qendrat tregtare në vend vijojnë që të konkurrojnë njëra tjetrën duke sjellë pranë konsumatorit shqiptar marka të qëndrueshme edhe të reja, të cilat mbulojnë kërkesat e tyre çmim/cilësi.

Mbeten me interes edhe zhvillimet gjatë festave të fund vitit ku qendrat tregtare luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen e ofertës së vërtetë për konsumatorët. Vihet re që kompanitë e shitjes me pakicë ndërkombëtare aplikojnë të njëjtat fushata të uljeve ndërkombëtare njësoj si në të gjitha vendet e tjera të botës, që nxit hyrjen e konsumatorit në këto qendra.

Si ka vijuar të jetë qiraja e dyqaneve të tregtisë me pakicë, kryesisht në qendrat tregtare?
Qiraja ka vijuar që të qëndrojë në nivele të ngjashme me ato të vitit të kaluar duke pasur parasysh se niveli i stokut të mirëfilltë të qendrave tregtare nuk ka ndryshuar. Qiradhënia në këto qendra vazhdon rregullisht dhe disa prej tyre janë të dhëna me qira 100%. Mbetet në interesin e qendrave tregtare që në të ardhmen të ndryshojnë edhe miksin e qiramarrësve e të sjellin marka të mirëfillta ndërkombëtare të cilat të kenë mundësinë të rrisin cilësinë e produkteve që tregtohen në këto qendra.

Po hoteleria çfarë zhvillimi mendohet të ketë në vitin 2020? Në 2019 dëshmuam disa hapje të reja
2019 ishte një vit interesant për hotelerinë sepse solli ardhjen e disa grupeve hoteliere në Shqipëri të interesuar për të zhvilluar biznesin e tyre në tregun e fundit me pak të zhvilluar të Mesdheut.

Këto marka kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me investitorë vendas në projekte hotelerie që do të ndihmojnë në rritjen e një stoku serioz të hotelerisë, i cili bashkë me një mirë menaxhim të këtyre strukturave do të ndihmonte për rritjen e qëndrueshme të turizmit në vendin tonë. Riviera mbetet interesante në planin afat mesëm dhe afatgjatë sepse aktualisht mungon një aeroport në Jug, i cili do ta lehtësonte shumë këtë sektor dhe përben dhe një prej kërkesave kryesore nga markat hoteliere.

Tërmeti i trishtë i 26 Nëntorit fatkeqësisht nuk do ta lërë pa pasoja edhe këtë sektor sepse shumica e markave pikërisht shprehin interes për korridorin Tiranë-Durrës. Tirana pritet që të vazhdojë të ketë interes po me ritme rritjeje më të ulëta, ndërsa Durrësi do të kërkojë edhe një ekspertizë edhe më të theksuar nga niveli i markave përsa i përket investitorëve, llojit të terrenit ku do të ndërtohet objekti etj.

Cilët janë zhvillimet e pritshme për 2020?
Sektori i zyrave do të ketë rritje në stok në 2020, pritet lëvizje nga ana e qiramarrësve në këto godina të reja, por shpresojmë që do të hyjnë në treg me politika koherente me tregun e çmimeve të cilat sipas analizave rajonale të Colliers International, mbeten nder me të lartat për m2 në gjithë rajonin e Ballkanit.

Në sektorin e qendrave tregtare nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor sepse edhe niveli i ri i stokut komercial që do të hyjë në treg do të jetë në godina multi funksionale i vendosur në disa kate, me disa përdorime dhe jo qendra të mirëfillta tregtare. Këto hapësira priten që të jenë në shitje dhe jo me qira. Menaxhimi i tyre do të jetë individual dhe jo i përbashkët siç është në rastin e qendrave tregtare.

A mendohet se sektori i retail do të preket nga tragjedia e tërmetit?
Sektori i shitjeve me pakice në qendrat tregtare nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim nga tërmeti. Megjithatë sektori i cili po ndjen një ndikim të menjëhershëm në qytete si Tirana dhe Durrësi është ai rezidencial, ku vihet re një rritje kërkesash për hyrje në kate më të ulëta në godina rezidenciale shumë kateshe. Po ashtu vihet re edhe një shtesë kërkese për kërkesa trojesh në periferi të Tiranës ku çdo blerës mund të ketë mundësinë që të zhvillojë projektin e tij rezidencial.

“Mallrat e luksit do të ndjejnë pasojat e tërmetit gjatë këtij viti”
Flet Julian Mane, zv.president i grupit Balfin

Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në 2019? Cilët sektorë panë rritje? A vijon veshjet dhe elektronika të kryesojnë në shitje?
Shitjet gjatë vitit 2019 kanë mbajtur përgjithësisht të njëjtin ritëm si gjatë 2018. Sigurisht që ecuria ndryshon nga industria dhe disa sektorë si ai ushqimor kanë pasur rritje të ndjeshme si nga dyqanet aktuale ashtu dhe prej ekspansionit.

Përsa i përket sektorit të veshmbathjeve, strategjia e grupit Balfin është që të fokusohet kryesisht tek qendrat tregtare dhe në Tiranë pasi në rrethe për shkak të fuqisë blerëse dhe informalitetit të lartë është e vështirë për në që të operojmë me sukses.
Elektronika ndërkohë ka rritje të ndjeshme në numrin e artikujve të shitur por duke qenë se çmimi mesatar i televizorëve ka rënë ndjeshëm, rritja në sasi nuk përkon me rritjen në vlerë.

Cilët ishin vështirësitë kryesore të sektorit këtë vit?
Si dhe vitet e kaluara pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë mbetet informaliteti i cili vazhdon të jetë në nivele të larta dhe pak bëhet për ta luftuar. Nga ana tjetër situata politike e tensionuar gjatë gjysmës së parë të vitit ka pasur një ndikim negativ në shitje deri në muajin Qershor. Gjysma e dytë e vitit ka pasur ritëm të mirë në shitje deri në fund të Nëntorit kur fatkeqësisht ndodhi edhe tërmeti.

A mendoni se tragjedia e tërmetit mund të ketë ndikim në frenimin e blerjeve?
Sigurisht që fatkeqësitë natyrore të përmasave të tilla nuk mund të kalojnë pa pasur efekt negativ në ekonomi. Shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë ti ndjejnë në muajt në vazhdim. Përgjithësisht në raste të tilla rënien më të madhe e pësojnë mallrat e luksit apo të shtrenjtë dhe disi më pak produktet ushqimore.

Por këto janë faktorë të cilët nuk i parashikon dot dhe e rëndësishme për biznesin në këto momente është që të ndihmojnë sadopak në zbutjen e pasojave për të prekurit dhe të shikojnë përpara me optimizëm.

Si pritet viti 2020? Çfarë planesh investimi keni? Po marka të reja a do të hynë në Shqipëri?
Për vitin 2020 në parashikojmë që 6 mujorin e parë do të vazhdojnë të ndihen efektet negative të tërmetit në ekonomi dhe shpresojmë që në 6 mujorin e dytë trendi të jetë pozitiv për shumë nga sektorët ku në operojmë.

Qendrat tregtare TEG dhe QTU kanë rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve dhe ky trend pritet të vazhdojë.
Grupi Balfin po shqyrton mundësinë dhe të zgjerimit të këtyre qendrave duke qenë se kërkesa e bizneseve për të qenë të pranishme aty po shtohet.

Jumbo hapi në muajin Gusht 2019 dyqanin e saj të parë në Malin e Zi dhe do të vazhdojë ekspansionin në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovine dhe Kosovë.

Neptun do të vazhdojë zgjerimin në Shqipëri në konceptin “franchise” dhe po shikon mundësitë e hapjes në rajon në shtete si Bosnje Hercegovina dhe Kroacia, pasi në shtetet ku operojmë aktualisht si Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë, ka një pozicion mjaft dominant në treg dhe mundësitë e rritjes janë të pakta.

Spar nga ana tjetër do të fokusohet kryesisht në hapjen e dyqaneve me sipërfaqe nga 1000-3000 m2 dhe jo shumë në dyqane të vogla.

“Monitor”

Zëri i Amerikës: Rama padit kundërshtarët politikë dhe…

Në Shqipëri prej disa kohësh vijon debati për paketën antishpifje, që është pritur me mjaft kritika edhe pse qeveria është tërhequr disa herë për ndryshime. Ndërkohë një valë masive padish për shpifje janë depozituar në gjykatë për drejtuesit më të lartë të opozitës nga kryeministri Edi Rama dhe disa zyrtarë e ligjvënës të shumicës.

Avokatët që mbrojnë opozitën në këto gjyqe thonë se nuk po mbahet parasysh praktika e gjykatës europianë për të dreejtat e njeriut, sipas së cilës politikanët gëzojnë më pak mbrojtje se qytetarët. Ish-kryeministri Berisha që është opozitari më i paditur, thotë se pasardhësi i tij po i ndërmerr këto nisma në një kohë kur gjykatësit janë nën presionin e Vettingut.

Vetë Zoti Rama është shprehur i vendosur për të vijuar paditë në gjykatë për kundërshtarët e tij politikë, me qëllim që ata të faktojnë akuzat ndaj tij.

Në Shqipëri ka një debat të fortë për paketën antishpfije të qeverisë e kritikuar nga komuniteti gazetarëve dhe institucionet ndërkombëtare, por dhe një valë masive padish për shpfije dhe shkaktim dëmi në gjykatë. Gjate dy viteve të fundit afro 35 padi, me këtë objekt janë depozituar kryesisht nga Kryeministri Edi Rama dhe disa eksponentë të mazhorancës ndaj përfaqësuesve të opozitës, mes tyre 2 padi ndaj një gazetari dhe një ndaj një aktvisiteje të shoqërise civile.

Ndërsa opozita demokrate nuk ka preferuar t’i zgjidhë me padi pretendimet e saj për shpifje ndaj shumicës qeverisëse. Avokati Ledio Braho, që po ndjek disa çështje të përfaqësuesve të opozitës, e sheh të papreçedentë numrin e padive në nivel kaq të lartë politik.

“Në gjykatë për herë të parë depozitohen padi dhe nisin proçese gjyqësore mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës apo kryeministrit dhe ish kryeministrit, apo mes kryeminstrit dhe deputetëve. Lufta politike ka kaluar nga parlamenti në dyert e gjykatës.

Vetë Berisha kur ishte kryeministër, nuk ka iniciuar asnjë proçes gjyqësor. Kanë qenë fëmijët e Sali Berishës që kanë ngritur padi. Ata nuk kanë pse tregojnë një tolerancë në nivelin që tregon kryeministri, sepse janë persona privatë. Dhe tani duhet të kemi parasysh se ka plot akuza të pabazuara ndaj kryetarit të PD Lulzim Basha, por asnjëherë ai nuk ka iniciuar asnjë proçes gjyqësor, padi për shpifje për mazhorancën”,tha Ledio Braho, avokat i disa çështjeve të opozitës në Gjykatë.

Qeveria demokrate 8 vjet më parë dekriminalizoi shpifjen dhe fyerjen. kryeministri i atëhershëm Sali Berisha është aktualisht opozitari më i paditur nga pasardhësi i tij Edi Rama, për shkaktim dëmi për shkak të postimeve të tij në fb.

“Edi Rama vetë, ka fantazuar dhe inskenuar sharjet dhe shpifjet më të ndyra nuk është paditur. Ka paditur ai, por jo unë. Ka të tjerë që kanë ndërtuar vila duke shpif cdo ditë për Sali Berishën, por ata nuk kanë marrë ndonjëherë padi nga Sali Berisha, cilido, politikan gazetar apo qytetar. Unë besoj, se rregulli i artë në çdo rast është përgënjeshtrimi.

Në rast se nuk pranon të përgënjeshtrosh, atëherë duhet të dish, se mund të përballesh me ligjin”,u shpreh Sali Berisha, ish kryeministër.

Së fundi Kryeministri Edi Rama ka paditur edhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për shpifje. Në qëndrimet e tij publike . Z. Haradinaj e cilësoi paturpësi këtë padi, dhe përsëriti akuzat se Z.Rama ka mbështetur ndarjen e Kosovës. Në një reagim publik shefi e qeverisë së Tiranës tha se padia ishte vetmja mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e tij nga këto akuza.

Ish- kryeminsitri Berisha e lidh numirn e lartë të padive të kryeministri Rama në gjykatë gjatë dy viteve të fundit, me presionin që ushtron shefi i qeverisë ndaj gjykatësve, siç thotë ai, në një kohë kur ata presin t’i nënshtrohen proçesit të Vettingut.

“Edi Rama ka zgjedh tani të bëjë paditë, që ka fut në dorë drejtësinë dhe i urdhëron të japin vendimet siç do ai. Nuk ka asnjë shpifje në qëndrimet e mija. Por natyrisht unë nuk çensuroj, kurrë akuza që bëhen nga qytetarët e thjeshtë. I kam publikuar dhe do vazhdoj t’i publikoj”,vijoi Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë.

Vetë Zoti Rama kur mbrojti në parlament në fund të dhjetorit të vitit të kaluar paketën antishpifje, u shfaq krejt i vendosur për të vijuar paditë për shpfije dhe shkaktim dëmi.

“Unë me këta do vazhdoj në Gjykatë. Janë bërë deri tani 60 çështje, mund të shkojnë dhe 600, edhe 6000, varet se sa do rri këtu, por unë këtyre nuk u ndahem. Këta, ose do vijnë të provojnë në Gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu, ose këta do të dënohen në Gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve”.

Avokati Dorjan Matlija thotë se ka një praktikë në Gjykatën Europiane europiane të të drejtave të njëriut, aplikuar në disa çështje, sipas së cilës politikanët gëzojnë më pak mbrojtje se zyrtarët dhe qytetarët e thjeshtë ndaj akuzave për shpifje dhe fyerjeve. Në këtë praktikë thuhet se sa i përket figurave publike, Gjykata ka konstatuar në mënyrë të vazhdueshme që kur individët privatë bëhen pjesë e sferës publike ata vendosen të hapur për debatin publik dhe prandaj duhet të tregojnë një shkallë më të gjerë të tolerancës ndaj kritikës. Në rastet që përfshijnë shpifjen ndaj politikanëve, për shembull, themeli i arsyetimit të Gjykatës gjithmonë qëndron në konstatimin se kufijtë e kritikës së pranueshme janë më të gjera në lidhje me politikanët. ZotiMatlija thotë se gjykatat po e favorizojnë kryeminstrin Edi rama duke e cilësuar atë zyrtar, pra me mbrojtje më të lartë se politikanët.

“Në fakt Z. Rama nuk ështe vetëm kryeministër. Ai ka disa cilësi. Është dhe kryetar i një prej partive më të mëdha në vend. Dhe sigurisht në këto raste, kur një person gëzon disa cilësi, cilësia më e rëndësishme për gjykatën, që duhet të merret në konsideratë, është fakti që ai është, jo politikan por politikani më me influencë në Shqipëri”,tha Dorian Matlija avokat.

E ndërsa dhjetra gjyqe janë në proçes, disa të tjera në shkallën e parë kanë përfunduar dhe përfaqësues të opozitës, si Lulzim Basha Sali Berisha, Jorida Tabaku Albana Vokshi etj kanë humbur. Avokati Ledio Braho thotë se gjykatat kanë mbajtur qëndrime me dy standarde dhe sjell dy shembuj kur zyrtarët e lartë dhe politikanët në akuzat e tyre kanë përdour informacione të prejardhura, duke ju referuar mediave.

“Në rastin e një padie para dy vitesh mes Erjon Velisë dhe Bujar Nishanit kur ishte President, Z. Nishani ishte paditës dhe Z. Veliaj ishte i paditur. Ajo me të cilën u mbrojt Erjon Veliaj, ishte fakti se ishte një informacion i prejardhur, i marrë nga mediat. Gjykata e rrëzoi padinë e Bujar Nishanit, pikërisht me këtë pretendim.

Ndërkohë në një rast tjetër se fundi, ku paditës ishte Erjon Veliaj dhe e paditur ishte ish deputetja e PD Albana Vokshi, ne u mbrojtëm me të njëjtin argument që të gjitha informacionet ishin marrë nga media, gjykata detyroi Albana Vokshin që të përgënjeshtrojë deklaratat dhe tha se duhej t’i kishte konfirmuar informacionet. Pra nuk u mbajt i njëjti standard”, u shpreh Ledio Braho avokat.

Drejtorja e institutit për demokraci media dhe kulturë Jonila Godole e sheh këtë fluks të lartë të proçeseve gjyqësore ndaj opozitës si përpjekje të qeverisë për të kufizuar hapësirën e lirisë së shprehjes.

“Në rastin e Shqipërisë, si një nga vendet ku demokracia nuk merret seriozisht, dhe ku gjykatat janë në atë gjendje që janë për momentin pa e mbyllur proçesin e Vettingut, çdo ndërhyrje e tillë në mendimin e lirë, tek faqet e facebook-ut, tek rrjetet sociale, na çon drejt autoritarizmit”,u shpreh Jonila Godole, drejtore e Institutit per Demokraci Media dhe Kulturë.

Zëri i Amerikës ju drejtua avokates që mbron kryeministrin Edi Rama në një pjesë të konsiderueshme të gjyqeve me përfaqësues të opozitës, Enkelejda Muçaj, por edhe zyrës së shtypit të kryeministrit Edi Rama për një qëndrim mbi nivelin e lartë të padive të tij ndaj kundërshtarëve politik, por nuk mori përgjigje.

Si do të ndahet qeveria në Kosovë, Konjufca jep nesër dorëheqjen

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë bashkë qeverinë e re të vendit.

Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe ajo e cila e zuri vendin e dytë, pritet që nesër, e diel, të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.

Më herët, sot, Gazeta Express ka raportuar se është hapur rruga për marrëveshje mes VV’së dhe LDK’së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.

Express po ashtu ka raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.

Raportimin e ka konfirmuar anëtari i VV’së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.

Gazeta Express, ndërkaq, ka mësuar nga burimet e saj detaje të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.
Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV’së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.

LDK’ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.

Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.
Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK’në për formimin e qeverisë.

Vendimi i çmendur Rama-Çuçi për të pastruar mishin 40 vjeçarë nga frigoriferët e Brazilit

Mund të konsiderohet si një vendim i çmendur i nxitur nga milionat e eurove që marrin si ryshfet Rama dhe Çuçi nga importuesit e mishit. Nga javët e ardhshme mishi nga Brazili do të importohet pa kontroll.

Ndërsa në kohën e qeverisë së PD importi i mishit nga Brazili duhet të ishte çertifikuar me standardet e BE, tanimë do të pranohet pa asnjë lloj kontrolli. Kjo nënkupton se mund të hani edhe mish që qëndron në frigoroferët e Brazilit prej 40 vitesh.

Shqipëria rrezikon seriozisht infeksionin nga Salmonela në mish teksa është hequr kontrolli i detyruar i mishit nga Brazili i vendosur me urdhër ministri në 2017, pavarësisht se rastet e infeksionit të zbuluar janë rritur rreth 20 herë.

Në Prill 2017, Ministri i Bujqësisë i asokohe, në reflektim të informacioneve të ardhura nga Ministria e Puneve të Jashtme mbi situatën alarmante të prezencës së Salmonellës në mishin e prodhuar nga stabilimentet e Brazilit, nxorri Urdhërin Nr. 131 “Për kontrollin e ngarkesave të produkteve me origjinë shtazore të importuara nga Brazili, në Pikat e Inspektimit Kufitar” me anë të të cilit sanksiononte marrje mostre nga çdo ngarkesë mishi të importuar nga Brazili për kontroll laboratorik.

Gjatë vitit 2017 importuesit kanë sjellë 236 ngarkesa në portin e Durrësit në të cilat AKU ka marrë mostra për çdo ngarkesë për analizim nga ISUV dhe vetëm 1 prej mostrave ka rezultuar me prezence mikrobike Salmonellë dhe janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjatë vitit 2018 AKU ka kontrolluar 441 ngarkesat e ardhura me mish dhe ka marrë mostrat përkatëse për analizim nga ISUV nga të cilat 8 prej tyre kanë rezultuar me prezence mikrobike Salmonelle dhe janë kthyer në vendin e origjinës.

Gjatë vitit 2019 AKU ka kontrolluar 273 ngarkesat e ardhura me mish dhe ka marrë mostrat përkatëse për analizim nga ISUV nga të cilat 19 prej tyre dhe janë kthyer në vendin e origjinës.

Shifrat e mësipërme tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një situatë alarmante (gjatë 2 viteve të fundit, incidenca e prezencës së Salmonellës në mishin e importuar nga Brazili është 4-fishuar), për të cilën çdo person normal do të arrinte në përfundimin se kontrollet mbi produktet nga importi duhen perforcuar për të ruajtur tregun shqiptar nga ndotja me produkte ushqimor të pasigurta.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi ka firmosur një urdhër të ri (Urdhëri nr. 31 i datës 22.01.2020) me te cilin modifikon Urdhërin nr. 131 të 2017 duke hequr detyrimin ligjor për kontroll/marrje mostre nga çdo ngarkesë mishi nga Brazili dhe e lë në dorë të inspektorit të Pikës së Inspektimit Kufitar të marrë mostër të rastësishme sipas një planit vjetor marrje mostrash në Pikën e inspektimit kufitar.

Praktikisht, Ministri i Ushqimit Çuçi me këtë urdhër ul nivelin e kontrrolit në kufirin shqiptar dhe hap portat duke lejuar që në tregun shqiptar të hyjë çdo lloj pisllëku nga importi.

Me heqjen (në rastin më të mirë reduktimin e frikshëm) të kontrollit të mostrës për mishin e importuar nga Brazili, Ministri Çuci (Urdhëri nr. 31 date 22.01.2020) redukton ndjeshëm efektivitetin e sistemit të sigurisë ushqimore duke krijuar premisa për pasoja skandaloze për shëndetin e konsumatorit, kjo për arsye se: numri i mostrave që do të merren në PIK për produktet e mishit nga Brazili është shumë më i vogël në krahasim me numrin e ngarkesave që importohen (rreth 4 here me pak).

Marrja e mostrës (në cilën ngarkesë apo të cilit subjekt) lihet në gjykimin e inspektorit gjë që lë shumë për të dëshiruar për aftësitë dhe etikën profesionale të tyre si edhe lidhjet që kanë me subjektet importues, pra i gjithë procesi do jetë fiktiv dhe lehtësisht i manipulueshëm.

Zjarr i madh në Xhafzotaj, situatë alarmante nga shpërthimet…

Një servis makinash në Xhafzotaj është përfshirë nga flakët. Shkaqet e këtij zjarri të madh ende nuk dihen.

Pesë zjarrëfikëse në vendin e ngjarjes. Mësohet se situata është seriozë dhe ka sjellë vështirësi për zjarrëfikësit. Ka shpërthime të vazhdueshme. Mësohet se nga zjarri po shpërthejne sebratorët e makinave.

Kërkohen përforcime nga Tirana. Situata paraqitet alarmante.

Rama fuqizon kreun e Policisë me kompetenca gjykate: Urdhra dëbimi dhe…

Qeveria fuqizoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe një strukturë speciale të quajtur Operacioni i Forcës së Ligjit me kompetenca të prokurorisë dhe gjykatës, duke e konsideruar këtë “një ndërhyrje emergjente” për ashpërsimin e luftës kundër kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe një sërë veprash të tjera penale në vend.

Paketa ligjore e miratuar si Akt Normativ të premten është prezantuar nga kryeministri Edi Rama me titullin populist ‘AntiKÇK’. Të shtunën, ajo u botua në një cep të faqes së Kryeministrisë si dhe në Fletoren Zyrtare, duke marrë fuqinë e ligjit. [Kliko për të lexuar ligjin]

Akti Normativ përban 39 nene dhe do të ketë fuqi të përkohshme deri më 31 dhjetor 2019. Objekt i tij do të jenë personat e dënuar me vendim të formës së prerë brenda ose jashtë Shqipërisë si dhe personat nën hetim për vepra penale që lidhen me organizatat ose grupet e strukturuara kriminale, terrorizmin si dhe 27 krime të tjera të rënda, përfshirë vrasjet, vjedhjet me dhunë si dhe shkatërrimin e pronës.

Paketa ligjore është e ndërtuar mbi dy shtylla kryesore; ndërmarrjen e masave kufizuese personale ndaj personave të dënuar ose nën hetim si dhe masat e karakterit pasuror. Këta të fundit mundet gjithashtu të penalizohen dyfish, si nga ligji i qeverisë ashtu edhe nga Kodi Penal apo Paketa Antimafia.

Ligji nuk prek në asnjë rresht gjyqtarët dhe prokurorët, ndonëse kryeministri Edi Rama e ndërtoi narrativën për emergjencën e kësaj ndërhyrjeje me dëmet e shkaktuara nga njerëzit e drejtësisë, të cilët i ironizoi si “banda Kap Ç’a të Kapësh”.

Një numër organizatash të shoqërisë civile paralajmëruan të premten rrezikun e shkeljes së Kushtetutës përmes këtij akti si dhe denoncuan miratimin e tij pa konsultim publik dhe përtej rrethanave të një gjendjeje të jashtëzakonshme.
“Duke e konsideruar si paketë të një rëndësie të veçantë që mund të cenojë respektimin e të drejtave të shtetasve, organizatat e mësipërme bëjnë thirrje që diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithëpërfshirës dhe në respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” deklaruan organizatat.

Aktet Normative janë një hapësirë në Kushtetutën e Shqipërisë, që i jepin mundësi qeverisë që në kushtet e një emergjence civile, të miratojë një vendim me fuqinë e ligjit, i cili hyn në fuqi menjëherë, por i nënshtrohet procedurës parlamentare më vonë. Në pushtet prej 7 vitesh, qeveria nuk e ka shpjeguar ende se cila është emergjenca që justifikon përdorimin e këtij mjeti kushtetues.

Masat e kufizimeve personale
Sipas aktit normativ të qeverisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe një strukturë speciale e quajtur Operacioni Forca e Ligjit, OFL do të kenë fuqinë që të vendosin një sërë masash kufizuese ndaj personave të dënuar apo të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar dhe në krime të tjera të rënda.

Struktura e emërtuar “Operacioni Forca e Ligjit” do të drejtohet nga kreu i Departamentit të Policisë Kriminale, post i cili mbahet aktualisht nga Tonin Vocaj.

OFL ka të drejtën që t’i kërkojë Prokurorisë së Posaçme, SPAK një sërë masash kufizuese ndaj personave të dënuar ose të dyshuar; të tilla si kufizimin e perimetrit të lëvizjes, dëbimin deri në një vit nga një zonë e caktuar administrative, bllokimin e pasaportës ose të daljes jashtë vendit për një periudhë 1 vjeçare.

Gjithashtu, subjektet mund të urdhërohen të mos largohen nga banesa ose t’u deklarojnë autoriteteve të policisë oraret dhe vendet ku mund të gjenden çdo ditë.

Sipas ligjit, masa të tilla ekstreme mund të ndërmerren në mungesë të një vendimi gjykate edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit “në rastet e nevojës dhe urgjencës”.

Në këto raste, ligji parashikon që masat parandaluese t’i komunikohen prokurorit jo më vonë se 24 orë, ndërsa ky i fundit ka afat deri në 72 orë për t’ia paraqitur gjykatës.

Ligji përsërit shpesh edhe mundësinë e ngatërrimit të personit.

“Kur del qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e parashikuara në nenin 5 të këtij akti normative, prokurori me vendim të motivuar urdhëron heqjen e masës parandaluese,” thuhet aty.

Masat personale të karakterit parandalues nuk shuhen në rastet kur subjektet po procedohen sipas Kodit të Procedurës apo legjislacionit penal. Sipas ligjit të qeverisë, në rastet kur një individ është duke vuajtur një masë të sigurimit personal si p.sh burgu apo arresti shtëpiak, masa parandaluese mbetet e pezulluar dhe aktivizohet pas përfundimit të masës së parë.

Masat e sekuestrove
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive me burim kriminal konsiderohet si një ndër mënyrat më efikase në luftën kundër krimit të organizuar. Në drejtim të aseteve kriminale, Shqipëria aplikon prej vitesh ligjin Antimafia.

Megjithatë, ligji i qeverisë ngarkon “Operacionin Forca e Ligjit” që të verifikojë pasuritë e personave të dënuar me vendim të formës së prerë ose personave nën hetim për krim të organizuar dhe krime të rënda dhe brenda 48 orëve, t’u kërkojë atyre ose familjarëve të tyre që të vetëdeklarojnë burimin e pasurive të dyshuara.

Në kushte normale, kreu i Policisë së Shtetit i referon rastet tek prokurori dhe i kërkon këtij të fundit të kërkojë një masë sekuestroje në gjykatë. Por njësoj si në rastet e masave personale, ligji parashikon që kreu i Policisë së Shtetit të kryejë vetë sekuestrime në rastet e nevojës dhe urgjencës dhe kur ka dyshime të arsyeshme.

Urdhri i sekuestros së pasurisë, i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i komunikohet menjëherë subjektit dhe brenda 72 orëve prokurorit. Pasi ka informuar subjektin, kreu i Policisë merr masa për ekzekutimin e urdhrit përmes kalimit të pronës në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara.

Ligji i jep të drejtë prokurorit që të heqë masën e sekuestros në rastet kur ai e dikton të nevojshme ose kur del qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e ligjit dhe në fund çështja i shkon gjykatës.

Megjithatë, ligji i qeverisë nuk parashikon problemet apo penalitetet që mund të shkaktojë ngatërrimi i personave.

Përgjatë një viti të funksionimit të ligjit, qeveria parashikon përjashtimin e subjekteve të mësipërme nga e drejta për të përfituar leje apo licensa, koncesione apo tendera publikë. Nga diskutimet e mëparshme është kufizuar gjithashtu e drejta e stukturave të policisë për të kryer përgjime pa urdhër prokurori apo vendim gjykate.

Ligji lë megjithatë një shteg hapur në rastet kur dyshohet se një subjekt po planifikon, organizon apo po merr pjesë në kryerjen e një krimi. Në këto raste, drejtueri i OFL-së mund t’u kërkojë operatorëve të telefonisë celulare apo atyre që ofrojnë shërbime interneti që të identifikojnë në kohë reale një subjekt ose numrin e tij të telefonit ose komunikimet në internet, duke informuar më pas Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe prokurorin.

Veprat penale që preken nga Akti Normativ
Neni 77; Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër

Neni 78; Vrasje me paramendim

Neni 78/a; Vrasje për gjakmarrje

Neni 79; Vrasje në rrethana të tjera cilësuese

Neni 79/a; Vrasja e funksionarëve publikë

Neni 79/b; vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

Neni 79/c; Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Neni 109; rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit

Neni 109/b; shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

Neni 110/a; Trafikimi i personave të rritur

Neni 114; Shfrytëzimi i prostitucionit

Neni 117; Pornografia

Neni 128/ b; Trafikimi i të miturve

Neni 134; Vjedhje me pasoja të rënda
Neni 136; Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

Neni 138/a; Trafikimi i veprave të artit

Neni 139; Vjedhje me dhunë

Neni 140; Vjedhje me armë

Neni 141; Vjedhje me pasojë vdekjen

Neni 151; Shkatërrimi i pronës me zjarr

Neni 152; Shkatërrimi i pronës me eksploziv

Neni 278/a; Trafikimi i armëve dhe municioneve

Neni 282/a; Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioactive
Neni 283; Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Neni 283/a; Trafikimi i narkotikëve

Neni 284; Kultivimi i bimëve narkotike

Neni 284/a; Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
/Aleksandra Bogdani -BIRN

Këto janë bimët mjekësore më të mira, i bëjnë magji gjithë organizmit

Aktiviteti i trurit është unik tek çdo individ dhe mund të krahasohet me gjurmët e tij të gishtave. Kur njeriu zgjohet nga gjumi, truri i tij arrin të prodhojë mjaftueshëm elektricitet sa të ndezë një llampë të vogël.

Truri është organi me përmbajten më të madhe yndyrore që arrin deri në 60 %. Kjo është arsyeja përse një regjim ushqimor i pasur me acide yndyrore siç janë omega-3 dhe omega- 6, është thelbësor për shëndetin e trurit.

Përveç acideve yndyrore, truri ka nevoja të mëdha të cilat plotësohen edhe nëpërmjet barishteve dhe erëzave.

Trëndafili i egër- Kokrrat e Trëndafilit të Egër janë nga bimët medicinale me efektet më të fuqishme në organizmin e njeriut. Trëndafili i egër është një nga elementët që duhen përdorur në mekanizmat mbrojtës të trupit. Mund ta përdorni si çaj duke shtypur 4-5 kokrra trëndafili të egër e t’i zieni më pas në një gotë ujë.

Sherebela- Sherebela është një bimë mjekësore shumë e mirë për kujtesën. Studimet më të fundit mjekësore kanë konfirmuar se sherebela është e rëndësishme për shëndetin e njerëzve që vuajnë nga Alzheimeri. Sherebelën mund ta konsumoni në formën e çajit, duke zjerë në një filxhan çaji ujë 7-8 gjethe të freskëta sherebele ose 2 lugë çaji gjethe të thata. Nëse preferoni mund ta ëmbëlsoni me mjaltë.

Bari i Bletës- Sipas të dhënave të AgroWeb.org, bari i bletës është një barishte shumë e mirë për përmirësimin e funksionit dhe aftësive të trurit. Ai rekomandohet edhe kundër ankthit dhe pagjumësisë.

Kanella- Kjo erëz e superfuqishme përmban shumë antioksidantë. Ajo lufton inflamacionin dhe e bën njeriun më të vëmendshëm dhe vigjilent. Thjesht aroma e kanellës ka aftësi të përmirësojë funksionet e trurit.Ajo konsiderohet si një element i mirë në trajtimet kundër sklerozës. Mund ta përdorni në çaj.

Piperi – Zi- Piperi i zi përmban piperinë, një substancë natyrale që përmirëson funksionin e trurit dhe zbut simptomat e depresionit.

Majdanozi Dhe Trumza- Këto barishte përmbajnë apigeninë, e cila është shumë e rëndësishme për formimin e neuroneve. Sipas studimeve të cilave u referohet AgroWeb.org, rekomandohet përfshirja e tyre si çaj në trajtimet kundër depresionit dhe Alzheimerit.

Rozmarina- Aroma e rozmarinës i jep shtysë pozitive trurit me një nuhatje të vetme. Acidi karnosik që është përbërësi aktiv i rozmarinës e mbron trurin nga radikalet e lira dhe nga ishemia.

259 viktima nga Coronavirusi, mjekët japin alarmin…

Koronavirusi mund të pësojë mutacione e të bëhet edhe më vdekjeprurës ndërsa vazhdon të përhapet, thonë ekspertë të virologjisë.

Paralajmërimi i tyre pasi numri i vdekjeve nga shpërthimi epikdemik mbërriti në 259 dhe ai i përgjithshëm i rasteve të prekura mbërriti në 12 mijë.

Autoritetet në Kinë dhe gjetkë aktualisht po punojnë shumë për të frenuar përhapjen e virusit. Ndër grupet që po tentojnë krijimin e një vaksine në kohë rekord është dhe Laboratori Australian i Shëndetit të Kafshëve në Organizata Kërkimore Shkencore dhe Industriale e Commonëealth (CSIRO), agjensia qeveritare australiane përgjegjëse për kërkimin shkencor.

Duke folur për një gazetë australiane, Profesori Trevor Drew, i cili është drejtor i laboratorit, tha se shpërthimi duhet të konsiderohet si një “re” e patogjenëve shumë të ngjashëm më shumë sesa një virus, të cilën një popullsi me densitet të lartë si ajo e Kinës mund ta lejojë fare mirë që të evoluojë.

Shtetet e Bashkuara shpallën emergjencën e shëndetit publik dhe vendosën ti ndalojnë hyrjen çdo qytetari të huaj qe e ka vizituar kinën gjatë dy javëve të fundit. Amerikanët që po evakuohen nga province e Hubeit, do të qëndrojnë dy javë në karantinë, një masë e ngjashme kjo me atë të marrë për shtetasit britanikë.

Spanja, India dhe Filipinet konfirmuan gjithashtu rastet e tyre të para, duke iu bashkuar një liste një rritje vendesh që përfshin mes te tjerash Australinë, Kanadanë, Finlandën, Gjermaninë, Hong Kongun, Japoninë, Nepalin, Singaporin, Korenë e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas një raporti të BBC, infeksioni është i vështirë për tu diktuar dhe ndaluar sepse vlerësohet se vetëm një në pesë raste do të rezultojë në “simptoma të rënda” që do të thotë se njerëzit mund ta përhapin infeksionin pa pasur simptoma ose pa e ditur se janë të infektuar.

Simptomat e një të ftohti apo gripi dhe koronavirusit janë të njëjta, por faktorët e rrezikut janë në se lidhen me vizitë në provincën Hubei të Kinës ose të kenë patur kontakte të ngushta me ata që kanë qenë atje.