21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Zbardhet telefonata: Urdhëri për rrëmbimin e Jan Prengës u dha nga…

Polica zgjeron hartën e kërkimeve për të gjetur trupin e pajetë të Jan Prengës. bëhet e ditur se, po kërkohet edhe në lumin Erzen pasi dyshohet që mund të jetë hedhur në ujë ose mund të jetë gruposur diku afër lumit.

49-vjeçari u mor peng më datë 17 janar në rrugën “London” në Kamzë. Pas futjes në makinë ai është rrahur, dhe goditur, ku si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resortin “Golden”, në Shijak, aty ku do mbahej peng.

RENEA ka zhvilluar sot një operacion në Shkodër, ku janë shoqëruar dy persona të familjes Doçi të dyshuar si të përfshirë në pengmarrjen e Prengës.

Ndërkohë më herët Policia ka arrestuar tre vëllezërit Hajri, Bajram Hajri, Elton Hajri dhe Leonard Hajri pronarë të resortit Golden në Shijak, ku Jak Prenga u mor peng dhe u dhunua derisa gjeti vdekje, ndërsa kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë skenën. Bashkë me ta u arrestua Olsi Turja dhe Festim Bezhdili. Ndërkaq, një nga personat e shpallur në kërkim është edhe një biznesmen me mbiemrin Doçi.

Sipas hetimeve, 49-vjeçari nuk kishte lidhje të drejpërdrejtë me autorët, por shkak ka qenë konflikti i vëllait të tij në Angli për një ngarkesë lëndë narkotike. Madje nga përgjimet e policisë rezulton sëe i vëllai ka komunikuar me familjarët, ku u kërkon të mos kenë kontakte me policinë dhe se Jani është mirë.

Po ashtu burime nga grupi hetimor që po merren me zbardhjen e ngjarjes së rrëmbimit, familjarët e viktimës kanë dërguar më herët një pajtues gjaqesh në Shkodër.

Kjo është bërë për të folur me familjen Doçi që të lirohej Jan Prenga dhe duke dhënë siguri se do kthehej kokaina e grabitur. Në përgjime rezulton se G.Doçi ka folur me Astrit Prengën ku e ka kërcënuar në lidhje me të vëllain.

Sipas burimeve, i gjithë rrjeti i trafikut drejtohet nga burgu i Ekuadorit aty ku është i ndaluar që prej vitit 2014 personi nga Vlora me inicialet D.R.

Në bazë të përgjimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje, ka dalë edhe telefonata nga burgu i Ekuadorit. Duhet theksuar fakti që D.R është përgjuar gjatë gjithë kohës dhe është zbardhur edhe planifikimi i rrëmbimit. Mësohet se D.R është personi kyç për rrëmbinin e 49-vjeçarit Prenga në Kamëz.

Nuk ndalen maskat! Grabitet kasaforta me 4 mijë euro

Kasaforta me rreth 4 mijë euro në një banesë në Lushnje është grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Burimet nga policia konfirmuan ngjarjen për gazetaren e Panorama se, autorët kanë hyrë në banesë nga dritarja, duke i thyer xhamat.

Banesa e vendosur në lagjen “Gafur Muço” në Lushnjë, mësohet se është në pronësi të shtetasit L. Dervishi.

Policia ka marrë në pyetje të zotin e shtëpisë. Ky i fundit ka deklaruar se në kasafortë kishte kursimet e shtëpise, një shumë rreth 4 000 euro.

“Asnjë masë në ndihmë të biznesit”, Basha: Ka nisur dimri ekonomik, falimentimi i bizneseve 25% më i lartë!

• “Asnjë masë në ndihmë të biznesit”, Pasojat e tërmetit, Basha: Ka nisur dimri ekonomik, falimentimi i bizneseve 25% më i lartë

PJESË NGA TAKIMI I KRYETARIT BASHA ME BIZNESET NË DURRËS.

Tërmeti ka patur ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, tek rënia e konsumit. Dhe në radhë të dytë tek indikatorët që po shohim dhe se si po ndikon tek ekonomia e Durrësit dhe tek zonat e tjera të goditura, dhe padyshim si e përcjell këtë në Tiranë.
Për një gjë tjetër më vjen keq, që dy muaj më parë, pas bisedës tonë të parë ne bëmë një plan me pesë pika duke marrë përvojën italiane. Dhe i kërkuam qeverisë të merrte pesë masa të thjeshta:

1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.

2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.

4. Përjashtimin nga TVSH për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Këtu me thënë të drejtën mund të kishim futur edhe shpenzimet të paktën për periudhën e emergjencës një mujore edhe shpenzimet e telefonisë celulare. E bëjnë turqit. Veçanërisht në atë periudhë sa hapesh me reklama e me kaq dhurova unë, e kaq dhurove ti; këtë kërkesë në fakt duhet t’ia kisha shtruar që në fillim kompanive të telekomunikacionit që për zonën e goditur të kishin bërë komunikimin falas për ata numra që janë regjistruar në atë zonë sepse edhe diçka praktika. Shumica prej tyre janë me pagesë, dhe ato ditë të para sa të shkonin të paguanin atë 10 mijë lekësh për të rimbush kartën e telefonit t’ua jepte këtë lehtësi.

Natyrisht këto që i kemi nxjerrë si pika i kemi nxjerrë bazuar në përvojat më të mira europiane edhe mbi ato që dëgjova nga ju kur u takova për herë të parë. Por në fakt ky nuk mund të jetë një veprim spontan. Kjo duhet të jetë një praktikë e qeverisë.

Menjëherë sapo nxora këto pesë pika, dëgjova nga ana e qeverisë që tha “Disa nga pikat që ka nxjerrë Lulzim Basha janë në hartim e sipër”. Se çfarë ka ndodhur pas “hartimit e sipër”, unë nuk e di. Ndoshta unë jam i painformuar. Por kjo nuk ka gjasa, sepse kryetari i opozitës është njeriu i dytë më i informuar në Shqipëri, pas të parit të qeverisë.

Por nëse jam i pa informuar dhe situata këtu është ndryshe nga sa me thonë informacionet dhe burimet e mia, ma thoni. Por sipas informacioneve dhe burimeve të mia situata është njësoj dhe në disa aspekte, shumë më keq.

Kanë filluar efektet e para të asaj që e kam quajtur dimri ekonomik. Më thonë që afro 25% më shumë është rritur falimentimi i biznesit të vogël. Ndërkohë që kostoja që ka përcjellë tërmeti dhe pasojat e tërmetit edhe tek biznesi jo i vogël dhe biznesi madh dhe biznesi prodhues në tërësi, tani po fillon të ndihet kafshimi i kësaj kostoje dhe po fillon të përkthehet në disa raste edhe në largim njerëzish nga puna. Sepse është edhe një nga zërat e para që biznesi redukton kur nuk është në gjendje të përgjigjet financiarisht.

Kjo natyrisht është një situatë katastrofike.

E para arsye përse doja t’ju takoja dua të di situatën tuaj reale. Dua të përsëris dhe te sensibilizoj sa të mundem, se nuk ka përse të jetë kështu. Nuk jemi me duart përpjete së nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë formulë që dhamë para dy muajsh e kemi edhe sot. Nuk mundet që të jemi edhe në emergjencë dhe të sillemi sikur jemi në luks. Edhe të jesh në emergjence dhe ta zgjasësh deri në mars dhe ndërkohë që vazhdon pagesa fiktive, të bëj edhe ndonjë fitim.

O je në emergjencë dhe gjithçka mobilizohet si në emergjencë. E para që mobilizohet në emergjencë është financa. Ligji i emergjencave është bërë që ti japë Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë lehtësira në mënyrat se si të disponojë buxhetin; që të mos ketë të njëjta procedura të alokimit të fondeve; që të mos ketë të njëjta procedura të tenderimit. Për këtë është bërë ligji i emergjencës se nuk ka gjë tjetër.

Mirë që struktura e emergjencës u pa që nuk ekzistonte, por të paktën kaluan dy muaj, si nuk është marrë asnjë masë. Dhe se kam me asnjërin prej jush personalisht, edhe pse secili prej jush e ka hall personal, ka hall familjar dhe qindra familjeve që ushqehen me biznesin. Këtu kemi të bëjmë me interes qytetar dhe kombëtar.

Kemi të bëjmë me interes publik. Nuk ka më kohë, në një mënyrë apo tjetër duhet ti’ japim zgjidhje. Edhe në qoftë se qeveria aktuale nuk është e gatshme, kemi një arsye më shumë për të bërë çfarë është e mundur për t’i dhënë zgjidhje.

Reagon Vokshi: Fitoi fjala e lirë! Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg!

Ish-deputeteja Albana Vokshi ka reaguar pas vendimit të Rilindjes për të mos e diskutuar në seancë plenare ligjin antishpifje. “Fitoi fjala e lirë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg”, shkruan Vokshi në një postim në faqen e saj në Facebook.

“Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba”, shkruan ajo.

Postimi i plotë

Fitoi fjala e lirë
Edi Rama u betua për javë me rradhë që do të votojë në parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja.

Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe.

Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba.

Pushteti i Edi Ramës po shkërrmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes.

#MosMaPrekFjalën

Basha në Shkozet: Dy muaj pas tërmetit, banorët po paguajnë faturën e dështimit dhe të propagandës së Ramës

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha u takua në Shkozet me banorë të braktisur nga shteti, të cilët nuk kanë marrë bonusin e qerasë prej 2 muajsh. Banorët thanë të revoltuar se pallati i tyre është shumë i dëmtuar, por bashkia, pa bërë vlerësim me ekspertizë, u ka thënë të futen brenda.

Për kryetari e opozitës, kjo situatë pasigurie tek njerëzit 2 muaj pas tërmetit, është fatura e dështimit dhe e propagandës së qeverisë.

“Nuk ka asnjë ndryshim, ka dy muaj. As vlerësim të dëmeve, dhe as faturën e dëmeve. Kemi vetëm llafe dhe vetëm propagandë. Jam shumë i shqetësuar, sepse kjo po fillon të futet në dismensionin e tretë të krizës. E para shëndeti i të sëmurëve, të moshuarve dhe të fëmijëve, e dyta gjendja e biznesi për të cilën dua të njihem realisht se çfarë po ndodh dhe impaktin që ka në ekonominë e Durrësit dhe e treta, ndërkohë që fillon viti buxhetor, lëvrohen 150 milionë dolarë për oligarkët, ndërsa për njerëzit presin konferencën e donatorëve për të dhënë bonuset e qerasë dhe për të dëmshpërblyer shtëpitë”, tha Basha.

Rama tërhiqet nga “paketa antishpifje”, pas presionit ndërkombëtar!

Rama tërhiqet nga miratimi i ‘paketës antishpifje’ pas reagimeve të shumta nga komuniteti ndërkombëtar.

Në kohën kur Këshilli i Europës mori vendim për ta çuar çështjen te Komisioni i Venecias, mazhoranca ka gjetur edhe justifikimin. Ata thonë se do të tërhiqen derisa ‘Venecia’ të japë një opinion.

Lëvizja e Këshillit të Europës ishte e paprecedent, kur papritur vendosën që ta dërgojnë vetë paketën ligjore në Komisionin e Venecias.

Mesazhi i ashpër për Ramën: Mos vijo me ligjet e turpshme të censurës

Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë duket e vendosur të rrëzojë dekretin e presidentit Ilir Meta kundër dy ligjeve kontroverse të miratuara dhjetorin e kaluar, duke injoruar organizatat vendëse dhe ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian. Pak orë para votimit, organizatat më të mëdha ndërkombëtare të të drejtave përsëritën edhe një herë thirrjen për reflektim.

Disa nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes përsëritën thirrjet drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të tij socialistë të mos shtyjnë përpara një paketë kontroverse ligjes të prezantuara nga Rama si “paketë antishpifje” por të vlerësuara nga kritikët si ligje censure të medias. Në një seri mesazhesh në rrjetet sociale, Article 19, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit përdorën gjuhë të ashpër kundër ligjeve, të cilat, socialistët thonë se kanë vendosur t’i votojnë sot përfundimisht.

Ricardo Gutiérrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, organizata që përfaqëson dhjetëramijëra profesionistë të medias në kontinent, i konsideroi ligjet “të turpshme”.
“Sapo raportuam në Komisionin Europian mbi kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes në Shqipëri,” shkroi ai në Twitter. “Mesazhi ynë për Kryeministrin Edu Rama: Mos vijo përpara me këto ligje të turpshme cenzure në parlament sot. Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”.

Gutiérrez shkoi më tutje duke i bërë thirrje Komisionit Europian “të ndalojë negociatat për anëtarësim me një qeveri që po dhunon standardet ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes”.

Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ECPMF mbështeti deklaratën e mëparshme të eurodeputetit David Lega i cili tha se miratimi i projektligjeve përbën një rrezik të madh për shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Article 19, një organizatë tjetër për mbrojtjen e lirisë së shprehjes shtoi: “Ne nxisim kryeministrin Edi Rama të ndalojë përpjekjet për “paketën antishpifje” deri sa Komisioni i Venecias të ketë publikuar opinionin e tyre mbi ndryshimet e propozuara në ligjet e medias.”

Komisioni i Venecias njoftoi javën e kaluar se ka marrë një kërkesë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të dhënë një opinion mbi këto projektligje.

Përkundër të gjitha kritikave, deputetët socialistë janë shprehur të vendosur të mbyllin veshët dhe të vijojnë me projektligjet./BIRN

Dy super skafe erdhën nga Greqia për të marrë drogë në Vlorë, njëri i iku policisë

Zbardhen të tjera detaje për mjetin lundrues i cili u gjet mëngjesin e sotëm i braktisur nga policia në zonën e plazhit të vjetër në Vlorës.

Lidhur me ngjarjen ka dhënë detajet edhe Policia e Shtetit. Sipas Policisë ky operacion ka vijuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Delta Forcë dhe Guardia di Finanza, roja bregdetare, si dhe nën koordinimin orientues të QNO Durrës, duke mbajtur kontakte edhe me avionin e Frontex-it që kryente ndjekjen nga ajri, me qëllim bllokimin e mjetit dhe kapjen e bordit që drejtonte gomonen.

Gjatë ndjekjes, një mjet lundrues është kthyer përsëri në ujërat greke, ndërsa mjeti tjetër lundrues tip gomone me 3 motorë të llojit “Yamaha”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përfituar nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës është braktisur nga ekuipazhi, pranë vendit të quajtur “Plazhi i Vjetër” Vlorë.

Marash Kumbulla e refuzon Napolin për Interin

Ylli i Shqipërisë dhe Hellas Veronës, Marash Kumbulla, e ka refuzuar ofertën e Napolit, sepse dëshiron t’i bashkohet Interit, sipas gazetës së madhe italiane, La Gazzetta dello Sport.

Qendërmbrojtësi shqiptar ka lënë mbresa deri tani këtë sezon në fanellën e Veronës, prandaj klubet e mëdha italiane kanë shprehur interesim serioz për të.

Napoli ka qenë në bisedime me Veronën tash e disa javë dhe si rezultat ka arritur marrëveshje për Kumbullën.

Klubi napolitan është pajtuar t’i paguajë 20 milionë euro plus bonuse shtesë për 19-vjeçarin.

Megjithatë, sipas gazetës së përditshme italiane, mbrojtësi shqiptar e ka refuzuar ofertën e Napolit.

Mësohet se Kumbulla dëshiron t’i bashkohet Interit.

Betonizimi i Durresit nga Dako kushtoi 433 milionë euro në 13 vite

Nëse kalon sot në qytetin e Durrësit, është lehtësisht e konstatueshme që dëmet më të larta nga tërmeti i 26 nëntorit i kanë ndërtesat e reja e të larta, mbi 10 kate, ndërsa pallatet e ndërtuara në kohën e socializimit, mesatarisht me 5 kate kanë rezistuar. Janë miliona euro investime dhe para të shpenzuara nga qytetarët për të blerë apartamentin për të cilin kanë punuar një jetë, që u shkërmoqën në pak sekonda.

Vlera e banesave të ligjshme të ndërtuara në prefekturën e Durrësit nga viti 2005 në vitin 2018 arrin vlerën e 54,3 miliardë lekëve ose rreth 433 milionë eurove sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo vlerë i përket një sipërfaqe ndërtimi prej 1,6 milionë metrash katror e shpërndarë në rreth 1152 objekte shumica objekte të larta, pallate.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor kosto mesatare ndërtimit për këto 14 vite llogaritet 32,539 lekë ose 264 euro për metër katror në prefekturën e Durrësit. Kosto e banesave është raportuar nga ndërtuesit në momentin që kanë aplikuar për leje pranë bashkive përkatëse dhe është e njëjtë me atë të Entit të Banesave.

Në të gjithë Shqipërinë për periudhën 2015-2018 është dhëne leje ndërtimi për një sipërfaqe 18,316,000 metër katror me një vlerë të përafërt ndërtimi 531 miliardë lekë ose 4,3 miliardë euro. Mesatare e kostos së ndërtimit në shkallë republike për 14 vitet e fundit përllogaritet 235 euro për metër katror, vlerë kjo me e ulët se kosto e mesatare në Tiranë dhe në Durrës.

Për shkak të tërmetit të fortë të 26 nëntorit në Durrës, qeveria ka pezulluar lejet e reja të ndërtimit në banesat rezidenciale në Durrës, Tiranë dhe Kurbin, teksa grupet eksperteve po përllogarisin koston e dëmeve në të shkaktuara në objekte.

Sipas të dhënave nga Komiteti i Rindërtimit deri në fund të javës së shkuar 316 pallate dhe 4075 banesa private ishin dëmtuara rëndë po kalojnë në proces ekspertimi të thelluar që nënkupton ndërtimin nga e para më së paku të 70% prej tyre.

Qeveria ka përllogaritur një kosto dëmesh të përafërt me 1 miliardë euro, 80 për qind e së cilës pritet të financohet nga konferenca e donatorëve që do të mbahet me 17 shkurt në Bruksel.

Fatura e dëmeve do të përfshijë kërkesa për mikrozonimin sizmik, përshtatjen e standardeve shqiptare me eurokodet, forcimin e institucioneve që të ngrihen për mbrojtjen civile dhe ekspertizë të vazhdueshme për fondin e vjetër të banesave etj.

Vanessa Bryant flet për herë të parë pas vdekjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj, Gianna

Ish-ylli i NBA, Kobe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, vdiqën tragjikisht të dielën në mëngjes në bjeshkët e Los Angeles, së bashku me shtatë persona të tjerë. Kobe ishte i martuar prej vitesh me Vanessan, me të cilën kishte katër vajza: Natalia, 17, Gianna, 13, Bianka, 3-vjeçe dhe vajzën e vogël Capri 17 muajshe.

Duke qenë se ishte një humbje e madhe për yllin e Lakers, reagimet ishin të shumta nga të gjitha personalitetet e njohura, derisa së fundmi vjen edhe reagimi i bashkëshortes së tij. “Vajzat e mia dhe unë deshëm të falënderojmë miliona njerëz që treguan mbështetje dhe dashuri gjatë kësaj kohe të tmerrshme.

Faleminderit për të gjithë lutjet e juaja. Ne me të vërtetë kishim nevojë. Ne me të vërtetë jemi të shkatërruar për humbjen e papritur të bashkëshortit tim, Kobe – babait të mrekullueshëm të vajzave të mia, dhe të vajzës time, Gianna, një vajzë e dashur e mrekullueshme, dhe shumë e mirë për motrat e saj Natalia, Bianka dhe Capri”.

“Ne jemi gjithashtu të shkatërruar edhe për familjet e tjera që humbën të dashurit e tyre të dielën dhe ne ndajmë mërzinë me ta gjithashtu. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen tonë tani. Ne ndihemi mirë pasi Kobe dhe Gigi e di se sa shumë i duam. Ne ishim shumë të bekuar që ata ishin në jetën tonë. Do doja që të ishin me neve përgjithmonë. Ishin bekimet tona që u larguan prej neve shumë shpejt”.

“Nuk jam e sigurt se çfarë do ndodh me neve në vazhdim, dhe është e pamundur të imagjinojmë jetën pa ta. Por, ne zgjohemi çdo ditë duke u përpjekur të vazhdojmë të presim sepse Kobe, dhe vajza jonë e vogël, Gigi, po shkëlqejnë mbi ne për të na ndezur rrugën. Faleminderit që ndatë dhimbjen, mërzinë me neve.

Ne kërkojmë që të na jepni respektin dhe privatësinë që do të na duhet për të lundruar në këtë realitet të ri. Faleminderit shumë për lutjet e juaja dhe për dashurinë ndaj Kobe, Gigi, Natalia, Bianka, Capri dhe mua”, ka shkruar ndër të tjerash ajo.

Ndërkaq, legjenda e NBA dhe Vanesa u martuan në prill të vitit 2001 kur ai ishte 22-vjeç dhe ajo vetëm 18-vjeçe.