28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

The Economist: Shqiptarët, të plakur dhe të varfër

Fenomeni i plakjes së popullsisë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në Shqipëri, nxitur nga emigracioni dhe rënia e lindshmërisë. Por për fat të keq, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit bëjnë pjesë në grupin e shteteve me popullsi të vjetër dhe të varfër njëkohësisht.

Sipas Economic Demography Matrix shtetet mund të ndahen sipas katër profileve demografike të dallueshme: vende me popullsi të re dhe të pasur, vende me popullsi të vjetër dhe të pasur; vende me popullsi të vjetër dhe të varfër; dhe vende me popullsi të re dhe të varfër.

Në grupimin e parë, të vendeve me popullsi të re dhe të pasur përfshihen vendet arabe, të cilët u pasuruan me shpejtësi në 50 vitet e fundit prej burimeve të naftës, ndryshe arit të zi.

Në grupimin e dytë, të vendeve me popullsi të pasur por të moshuar, përfshihen vendet e zhvilluara, Amerika e Veriut me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Amerikën e Jugut, vetëm Kili, pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Europian (kryesisht Perëndimore dhe Veriore), Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.

Në vendet me popullsi të re dhe të varfër, bëjnë pjesë kryesisht vendet e botës së tretë Meksika, Kolumbia dhe Venezuela, shumica dërrmuese e vendeve të Afrikës, vendet e lindjes së mesme, India.

Ndërsa në grupin ku bëjmë pjesë dhe ne, vende me popullsi të moshuar dhe të varfër, janë përfshirë pjesa më e madhe e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore, të cilat përveç varfërisë, po vuajnë edhe ndryshimet demografike.

Më shumë se 80% e PBB-së globale është e gjeneruar nga shtetet, popullsia e të cilëve po plaket shpejt. Mënyra si ndërtojnë ekonomitë, veçanërisht në drejtimin politik, do të jetë një faktor i rëndësishëm për të kuptuar trendët ekonomike dhe politike.

Azia Veri-Lindore është në krye të kurbës. Japonia ka popullsinë më të vjetër në botë me të ardhurat më të larta, ndërkohë Kina, një vend në zhvillim, është vendi i popullsisë më të madhe dhe të vjetër dhe popullsia e tij po plaket me shpejtësi.

Gjermania refuzon kërkesën për njohjen e patentave shqiptare

Gjermania e ka refuzuar kërkesën për dhënien e provimit të patentave në gjuhën shqipe. Edhe procesi i njohjes së patentave do të kërkojë kohë.
Këtë e mësoi Deutsche Welle nga dy ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë në Berlin, Beqë Cufaj dhe Artur Kuko.

Një vit më parë dy ambasadorët shqiptarë kishin parashtruar një kërkesë në Ministrinë gjermane të Infrastrukturës që provimi i lejeve të drejtimit të automjeteve të jepej edhe në shqip.

Kjo kërkesë tashmë është refuzuar, pasi, sipas ambasadorit shqiptar në Berlin, Artur Kuko, do të bënte që edhe shumë shtetas të tjerë të huaj të kërkonin ta jepnin provimin në gjuhën e tyre.

Shqipëria dhe Kosova e kanë shtruar tashmë prej vitit 2018, përkatësisht 2019, kërkesën për një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjetit.
Por deri tani procesi ka ecur shumë ngadalë. Për të dy shtetet pritet te nisë në shkurt faza e sondimit dhe e verifikimit të standardeve të nevojshme të sigurisë së qarkullimit rrugor në vend.

Proces i ndërlikuar
Për njohjen e patentave u fol edhe në takimin e së hënës mes kancelares Merkel dhe kryeministrit shqiptar, siç informoi Rama në një videomesazh dhe siç e konfirmuan për Deutsche Wellen diplomatë të pranishëm në takim.

Edhe ministri kosovar i punëve të jashtme Behxhet Pacolli i kishte kërkuar ndihmë homologut të tij gjerman, Heiko Maas, në takimin e tij zyrtar në Berlin, një vit më parë.
Maas tregoi atëherë mirëkuptim për këtë çështje, e cila, siç do të vërente ai – zakonisht nuk është objekt bisedash mes krerëve të diplomacisë dhe premtoi se do të interesohej te ministria përgjegjëse, Ministria e Qarkullimit dhe Infrastrukturës.

Vullneti i mirë politik është njëra gjë, por prapëseprapë, ekspertët mendojnë se procesi i njohjes nuk është thjesht një vendim politik. Ai ka një procedurë specifike në rastin e Gjermanisë.

Sepse përveç federatës, marrëveshja do të duhet të kalojë edhe në tryezën e Konferencës së Ministrave të Infrastrukturës së Landeve Federale. Siç i tha DW-së, Julian Lange, zëdhënësi i ministrisë së Landit të Zarës, i cili në vitet 2019/2020 është kryetar i radhës së Konferencës çështja nuk ka mbërritur ende në axhendën e tyre.

“Ka biseda në nivel ekspertësh, por ende nuk na ka mbërritur asnjë marrëveshje formale nga ana e Ministrisë Federale të Infrastrukturës.”

Kujtojmë se për Maqedoninë e Veriut që nga momenti kur Republika Federale hartoi marrëveshjen dhe ia parashtroi Konferencës së Ministrave dhe derisa marrëveshja u miratua me të vërtetë, kaluan pesë vjet.

Procesi i njohjes së patentave mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ose Kosovës dhe Gjermanisë ndodhet ende në hapat e para, dhe ka shumë të ngjarë që të përfundojë pas shumë vitesh.

Të shtëna me armë, një i plagosur

Një 48-vjeçar është plagosur me armë zjarri orët e para të mëngjesit në fshatin Kopaçëz të Delvinës. I lënduari Martin Doda është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori Kadri Nora, një i moshuar, është vënë në pranga për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, rreth orës 04:00, Kadri Nora ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin Martin Doda, 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja dyshihet se ndodhi për motive të dobëta.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar Kadri Nora, 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip Kallashnikov që ka kryer plagosjen.

Projekti për të mbushur Shqipërinë me afrikanë dhe aziatikë, bizneset po zëvendësojnë vendet e punës

Chandra Selli ka pak javë që ka lënë vendlindjen për të punuar si kamariere në Tiranë. Bashkëshorti i saj është zhvendosur në Itali, ndërsa pjesa tjetër e familjes vijon të jetojë në Sri Lanka.

“Kam pak që kam ardhur në Tiranë dhe më pëlqen vërtetë shumë. Njerëzit më flasin, më përshëndesin. Tani kam filluar punë si kamariere për pak kohë. Së shpejti do të punoj si sanitare në një familje. E lashë vendin tim sepse atje nuk munda do të gjej një punë, ndërkohë që kam edhe dy djem për të cilët duhet të kujdesem. Më pëlqen shumë këtu dhe besoj do të rri gjatë në vendin tuaj”, tha ajo për “Monitor Ekonomi”.

Njësoj si Chandra, në Tiranë sapo ka mbërritur edhe Stanley Akoma nga Nigeria i cili është në pritje të ditës së parë të punës në një kompani private security.

Chandra Selli Nga Sri lanka punon kamariere në Tiranë “Unë vij nga Nigeria, nga një vend i varfër ku vështirë të gjeja punë, ndërkohë që më duhet të kujdesem për familjen time. Në fillim emigrova në Turqi, por atje gjeja punë të përkohshme, 1 javore apo 1 mujore.

Këtu në Shqipëri komunikova me disa agjenci punësimi dhe arrita të mbyll një kontratë me një kompani sigurie. Do të punoj security për ta me një rrogë të kënaqshme. Tirana më pëlqen shumë, sidomos njerëzit që janë të sjellshëm me mua kudo ku shkoj”, thotë ai.

Emigracioni i lartë nuk përbën ndonjë të re për Shqipërinë. Profesionistët me eksperiencë në fusha të ndryshëme, i janë drejtuar Evropës për të punuar dhe kjo ka sjellë që kompanitë vendase, të kenë vështirësi në gjetjen e puntorëve, duke e kaluar në plan të dytë kualifikimin e tyre.

Ermal Jauri, drejtues i kompanisë së punësimit “Europe Agency”, pohon se “kërkesat e kompanive janë që në të ardhmen të zëvendësojnë personelin shqiptar me atë të huaj. Edhe pse në realitet kjo nuk është diçka e mirë, por në fakt është e vetmja zgjidhje që kanë kompanitë. Në momentin që flasim kemi kërkesë për 120 veta staf të huaj, që i kemi sot në zyrë gati për të filluar punë pas mbylljes së procedurave.

Kërkesat janë në të gjithë sektorët, por sektorët e shërbimit janë ato që kërkojnë më shumë në shifra. Kemi kompani prodhimi që kërkojnë krah pune dhe punonjës të pakualifikuar. Kemi kompani të cilat janë në fushën e teknologjisë dhe informacionit që kërkojnë programues, IT dhe kërkojnë në shifra të frikshme.

Nuk ka më rëndësi që stafi të jetë i kualifikuar sesa stafi, i cili ka qëndrueshmëri në punë. Shumë kompani janë të gatshme t’i trajnojnë vetë punonjësit e tyre vetëm me qëllim që të kenë një kontratë afatgjatë të parashikuar dhe të besueshme, që nëse do të marrin dikë në punë sot dhe do të investojnë në trajnimin e tij e ka të sigurt që për aq sa ka kontratën do ta ketë në punë”.

Sipas agjencive të punësimit çdo muaj hapen kontrata të reja me kompani, të cilat do të sjellin punëtorë nga Afrika dhe Azia. Sipas tyre, punonjësit që vijnë nga këto vende kanë kosto të ulët, nuk kanë shumë pritshmëri page kur vijnë dhe janë të gatshëm për çdo lloj pune. Për më tepër që janë më të shumtë në numër si aplikantë, sepse kane vështirësi të gjejnë punë në vendet e tyre të origjinës.

Vendet e punës të cilët po plotësohen nga punonjës nga Azia dhe Afrika janë në sektorin e shërbimit, si shitës, kamarier, banakier, security, dado femijësh, lavazh, shofer etj, në prodhim (servise makinash psh), apo dhe punonjës ndërtimi. Jauri thotë se kërkesë të larte ka për IT (programues).

Braktisjen masive të burimeve njerëzore e kanë ndjerë edhe ndërmarrjet fasone. Gjergji Gjika, kreu i dhomës së fasonëve pohon se “çdo ndërmarrjeje, nuk ka muaj që të mos i ikin 4 apo 5 punonjës të cilët nuk zëvendësohen. Dikur iknin, por gjendej dikush që t’i zëvendësonte, edhe punonjëse e pakualifikuar, por të paktën gjendej brenda muajit, ne tani nuk kemi më njerëz.

Në 2019 kemi pasur një shifër rreth 5% mesatarisht largime të personelit. Pra në një kompani me 100 punonjës, pothuajse në fund të vitit në mos përgjysmohet arrin në 60 punonjës, kjo është alarmante. Deri tani nuk kemi kontrata me kompani të huaja për punonjës të huaj, por nuk shmanget si alternativë përderisa shqiptarët po ikin jashtë, do pranojmë dhe të huajt këtu”.

Emigracioni i shqiptarëve, sidomos në disa qarqe të caktuara po bie si kambanë alarmi. Sipas një sondazhi të EPPC shqiptarët largohen nga vendet e punës pasi nuk ndihen të vlerësuar. Konkretisht 60% e të pyeturve thonë se ndihen të pakënaqur në vendin e tyre të punës. Arsye të tjera renditen paga, mungesa e motivimit, puna e pa paguar jashtë orarit dhe mundësia e ulët për të bërë karrierë. Këto arsye bëjnë që zgjidhja dhe mundësia për një jetesë më të mirë të kërkohen jashtë kufirit.

Arben Frroku do bëjë vetëm 18 vite burg

Gazeta më e madhe holandeze, Telegraaf shkruan se Arben Frroku, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e një shefi policie, do bëjë vetëm 18 vite burg në Amsterdam.

“Në vitin 2013, një shef policie 41-vjeçar u vra në Tiranë. Ai u qëllua nga një makinë me kallashnikov. Viktima nuk kishte asnjë shans dhe ndërroi jetë menjëherë. Kalimtarët njohën në automjet 50-vjeçarin Arben Frroku. Ai nuk është një personazh i panjohur në vendin e tij.

Në kohën e vrasjes, Frroku ishte president i klubit futbollistik Tërbuni. Shqiptari u lirua fillimisht nga gjykata në Tiranë. Sidoqoftë, një gjykatë më e lartë vendosi se Frroku ishte fajtor për vrasje, madje e shihte autorin si vrasësin.

Por në atë kohë, ‘zogu’ kishte fluturuar. Frroku ishte arratisur nga vendi teksa shqyrtoheshin çështjet. Shqiptari jetoi poshtë radarit për ca kohë, deri në vitin 2016 kur u kap në Schiphol me një pasaportë false”, shkruan gazeta.

Pasi ngeci në Holandë, Shqipëria bëri thirrje për ekstradimin e tij. Frroku ishte dënuar me burgim të përjetshëm, plus pesë vite për mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit.

Frroku megjithatë e dërgoi çështjen në gjykatë në Hagë. Ajo vendosi se ai nuk duhet të kthehet në Shqipëri pasi ky vend nuk ofron mundësinë e lirimit para kohe. Sipas gjykatës, kjo bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Këtu nisi një tjetër çështje. Një gjykatë në Amsterdam mori një vendim mbi dënimin e tij me burgim të përjetshëm në Shqipëri. Gjykata vendosi që Frroku të kalojë vetëm 18 vite në burg. Nga kjo do zbriten vitet në paraburgim.

Avokati Gerald Roethof thotë se gjykata kishte dy opsione, ose ta lironte, ose të merrej me thelbin e çështjes.

“Është e ndaluar që të kopjohen vendimet e gjykatave të huaja. Mbi të gjitha, nuk është rasti që Holanda të mbajë këtu të gjithë të dënuarit. Në këtë kontekst, nuk e kuptoj këtë vendim”, thotë ai.

Skandali/ Lirohet menjëherë pas arrestimit kreu i grupit që masakroi Jan Prengën

Gazetari Artan Hoxha në emisionin “Byro Politike” publikon pamjet ekskluzive të shtetasit Altin Hajri, i arrestuar nga grupi i gatshëm dhe forca operacionale të policisë së qarkut Durrës më datë 26 janar 2017.

Hajri i akuzuar si drejtuesi i grupit kriminal që rrëmbeu dhe më pas zhduku pa lënë gjurmë kufomën e Jan(Dod) Prengës më datë 17 janar 2020, për më shumë se një dekadë e gjysmë ka qenë një nga boss-et më të njohur të trafikut të heroinës afgane nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Gazetari i Abc News Artan Hoxha u shpreh se Hajri u shpall në kërkim ndërkombëtar pas një operacioni të policisë italiane më 28 tetor 2015 që synonte të shpërbënte të gjithe grupin Hajri dhe rrjetin e tij në Itali. Pavarësisht se u kap mbi një ton lëndë narkotike, heroinë, kanabis etj. Altin Hajri koka drejtuese e grupit nuk u arrestua.

Afro 8 muaj më vonë në rrethana të paqarta, më 6 maj 2016 emri i Hajrit u hoq nga lista e personave të kërkuar nga Interpoli.

Emri i tij është rregjistruar gjatë bisedave të pergjuara nga prokuroria për llogari të dosjes 339, si i implikuar bashkë me persona të tjerë të botës së krimit në zonën e Shijakut dhe të Durrësit të përfshirë në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Në video shfaqet momenti kur Hajri sapo ka shkuar me mjetin e tij, një Mercedes Benz luksoz pranë një lavazhi në zonën e Shijakut, dhe aty duken efektivët e policisë që e arrestojnë. Fillimisht Hajri reziston por më pas shtrihet përtokë nga policia, raporton abcneës.al.

Pavarsisht arrestimit vetëm disa orë me vone me ndërhyrje nga lart në rrethana të pasqaruara policia e Durresit është detyruar ta lërë të lirë… Ky është arrestimi i parë dhe i fundit i Altin Hajrit nga policia, edhe gjatë operacionit të fundit të Reneas në kompleksin “Gold” në Shijak ai i shpëtoi arrestimit. /abcnews.al

Ambasadorja amerikane kërkon drejtësi të pavarur, takimi

Ambasada Amerikanë ka publikuar detajet e takimit të kryediplomates së re të SHBA në Tiranë, Yuri Kim me kreun e organit të akuzës, Olsjan Çela.

Në njoftimin zyrtar Ambasada e SHBA bën të ditur se Kim e ka uruar Osljan Çelën për zgjedhjen në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, po ashtu ka premtuar ndihmë teknike për të ndihmuar Shqipërinë në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Ndërkaq në këtë njoftim theksuar se ambasadorja Kim ka nxitur prokurorët që të përmbushin premtimin për të realizuar një gjyqësor të pavarur dhe me drejtësi për të gjithë.

“Gjatë takimit të tyre të parë sot, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim e uroi Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela për zgjedhjen e tij së fundi në detyrën e re dhe premtoi ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thekson njoftimi i Ambasadës së SHBA.

RAI 3, tjetër bombë për Ramën, makina e ministrit tek trafiku i drogës, intervista…

RAI3 vazhdon kronikat kritike për Edi Ramën, duke u marrë sërish me çështjen e trafikut të drogës. Ata kanë vendosur të investojnë komisar Dritan Zaganin, pikërisht në ditën kur Policia e Shtetit e shpalli në listën e të shumëkërkuarve në vend.

“Ky është dokumenti që mban datën 21 mars 2017. Është një përgjigje zyrtare nga autoritetet zvicerane të njohjes së azilit politik për mua dhe familjen time,” thotë që në hyrje të reportazhit të RAI 3, Dritan Zagani.

Dritan Zagani ishte një zyrtar i policisë shqiptare që merrej veçanërisht me luftën kundër drogës, por që nga sot është një refugjat, i cili ka kërkuar azil politik në Zvicër sepse pranon që ka zbuluar korrupsionin midis politikës dhe narkotrafikantëve në Shqipëri, raporton RAI3.

“Duke bërë një hetim për një narkotrafikant në Vlorë, arrita të bija në gjurmë të një makine, një Audi të zi. Kontrollova targën dhe rastësisht pashë që pronar i kësaj makine ishte ministri im i kohës”, thotë Zagani

Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm u detyrua të jepte dorëheqjen për këtë rast që zbulonte se kushërinjtë e tij ishin njerëz të punëve të pista, kurse kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj u arrestuan në Katania ku po zhvillonin biznesin e tyre duke i shituar marijuanë Cosa Nostrës.

Ministri u dënua shtatorin e kaluar për abuzim me detyrën, e njëjta vepër penale e cila është kundërshtuar nga Zagani, i cili akuzohet në Shqipëri se ka i shitur informacione një oficeri italian, por që asnjëherë nuk është hapur një hetim.
“Unë nuk munda të hetoj bandën, por ishte banda ajo që ia arriti të më fuste mua në burg”, thotë më tej Zagani në reportazhin e RAI 3

E takojmë Zaganin në Zvicër, në një lokalitet të mbrojtur, ku të paktën 35 policë shqiptarë kanë mbërritur me histori të ngjashme për të kërkuar azil politik, në vitet e fundit, raporton RAI3.

“Unë nuk pretendoj të fitoj, unë pretendoj të kem drejtësinë time. Në fund të fundit, çdokush duhet të bëjë të tijën, unë kërkoj të bëj timen, të paktën deri në këtë pikë,” përfundon Zagani.

Katër kronikat e Rai3 kundër Edi Ramës
Në tetor të vitit 2013, kur Edi Rama sapo kishte ardhur në pushtet, televizioni Rai3 do i kushtonte një kronikë të posaçme. Televizioni i njohur si pranë të majtës, do intervistonte Ramën, që për herë të parë përdorin shprehjen se ‘italianët janë si shqiptarët, por me Versaçe’. Prej asaj kohe, Rai3 do publikonte deri më sot katër nga kronikat më të rënda për lidhjet e qeverisë me krimin dhe drogën.

E para ishte ajo e nëntorit 2017, kur Shqipëria ishte përmbysur nga kanabisi. Gazetari i Estovest erdhi në Shqipëri pasi kishte dalë në dritë historia e Habilajve dhe lidhjet e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në Shqipëri, gazetari dëshmon atë që thuhej kudo, që në vendin tonë kishte shpërthyer marijuana në çdo cep.

Kronika e dytë u bë në shkurt të vitit të shkuar. Qëllimi i saj ishte që të tregonte se si mafia e drogës po pastron paratë e krimit në Shqipëri. Edhe në këtë kronikë përmendet Saimir Tahiri, por edhe deklaratat e kreut të antimafias italiane, se mafia është investitori më i madh në ekonominë shqiptare.

Kronika e tretë ishte akoma më bombastike. Bëhej fjalë për një investigim në kuadër të programit ‘Narcotica’. Aty thuhej se një e treta e Shqipërisë është e mbushur me kanabis. Tonelata kanabis po vërshojnë drejt Italisë, vetëm në një goditje kemi kapur 9 ton, thotë një prokuror italian.

Por Shqipëria sjell edhe tonelata kokainë. Prokurori italian, Mandoi bën edhe deklaratën e fuqishme: Kemi bllokuar 14 ton kokainë që do vinte në Shqipëri me nëndetëse në Porto Palermo.

Pas kësaj kronike reagoi Edi Rama dhe vetë Sandër Lleshaj, duke i quajtur shpifje. Rama tha se ajo që u servir nuk ka lidhje me gazetarinë.

Kronika e katërt erdhi së fundmi, kur RAI3 publikoi një raport të rrjedhur nga policia italiane. Aty thuhet se kultivimi i kanabisit në Shqipëri është trefishuar. Kjo rritje prej 1200 përqind ka ardhur në vitin 2019, kur qeveria trumbeton si arritje ndalimin e prodhimit të drogës.

Pikërisht paratë e kanabisit kanë bërë që mafia shqiptare të forcohet shumë dhe të marrë rol dominues në Europë edhe në fushën e drogërave të tjera më të forta.
Edhe për këtë kronikë, Edi Rama tha se është turp gazetaresk. Ai nuk tha nëse do e padisë median italiane.

“Syri.net”

Plas edhe në Pallatin e Kongreseve, protestë anti-Rama me postera

Revolta ndjehet kudo. Eshte shtrirë jo vetëm në sport, por edhe në art.

Në Pallatin e Kongreseve ka nisur premiera e filmit “I love Tropoja” të Ermal Mamaqit, ku ndër të tjera ka një rol edhe kryeministri Edi Rama.

Por teksa të ftuarit hynin brenda për të parë filmin, një grup të rinjsh kanë hedhur disa fletushka në shenjë proteste kundër kryeministrit të Shqipërisë.

Në disa prej tyre shkruhet “Shqipëria digjet, Rama krihet”. Po kështu janë stampuar foto të familjeve të prekura nga tërmeti që jetojnë në cadër, si dhe të kryeministrit Rama me flokë të gjata sipas rolit të dajës në filmin ‘I love Tropoja’.

Paloka publikon videon: Shqiptarët flenë në kontenierë, rilindja i tall me platforma qesharake…

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka e ka cilësuar tallje me qytetarët platformat e rilindjes.

Me anë të një postimi në Facebook, Paloka shkruan se ndërkohë që shqiptarët prej 2 muajsh po flenë në çadra dhe kontenierë për shkak të tërmetit, rilindasit tallen duke folur për platforma qesharake.

Sipas tij tashmë gjithçka është e qartë se rilindja po përdor propagandën për të mbuluar papërgjegjshmëritë dhe dështimet.

Postimi i Palokës
Dy muaj pas tërmetit qytetarët ende jetojnë në tenda dhe kontenierë, ndërsa qeveria tallet duke folur për platforma qesharake, si të shumtat që kanë nisur dhe nuk i kanë bitisur.

Kush ka sy e veshë e kupton qartë se Rilindja përdor propaganden për të mbuluar papërgjegjshmërinë dhe paaftesinë për të menaxhuar situatën pas tërmetit. Për këto dhe më shumë: Rama ka dështuar!