18.5 C
Tirana
E premte, 23 Maj, 2025

Prangat e tërmetit/Emrat e policëve të arrestuar në Durrës për ndërtimet pa leje

Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimet e ndodhura gjatë mbrëmjes se kaluar nga SHÇBA në Durrës.

Mbi personat e ndaluar rëndon akuza për shpëdorim detyre dhe korrupsion, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Nga prokuroria mësohet se SHÇBA ka disa javë që po hetonte në Durrës.

Ja emrat e disa prej të arrestuarve:
Besnik Domi, Shef i Rendit, Shijak.
Sami Xhafa, Shefi i Stacionit të Policisë, Manzë
Ermal Petova, OPGJ, Manzë

Nikollë Marku, OPGj, Manzë
Agim Osmani, Ndihmës Specialist Policie, Durrës.
Gani Dama, Polic patrulle (në kërkim)

Haxhi Sherra, Ndihmës Specialist i Komisariatit,
Shijak
Petrit Neziri, Ndihmës Specialist Policia, Manzë

Ndriçim Shika, Ndihmës Specialist, Policia, Shijak
Gjergji Gerco, Sekretar Njësisë Administrative,
Sukth.

Jul Kacadej, Specialist IMT, Shijak
Marjus Shahini, Kryeinspektor IMT, Shijak
Adem Lika , Ndërtues.

Njoftimi i plotë i policisë:
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizoi me sukses operacionin e koduar ‘ABUZUESIT’, në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ për një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues.

Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e subjekteve të këtij procedimi, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim’.

Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve dyshohet se është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme.

Veprimet dhe mos-veprimet e tyre konsistojnë në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore etj.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.

Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara dhe administruara gjatë hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me vendimin e datës 9 janar 2020, caktoi masat e sigurimit personal, të cilat u ekzekutuan në orët e mbrëmjes nga SHÇBA dhe Policia e Shtetit:
– ‘Arrest në burg’ për Komisar B.D., me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar S.Xh., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar E.P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar N.M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor A.O., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor D.D., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor G.D., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, person i shpallur në kërkim;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor H.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor P.N., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për Inspektor N.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Gj.G., me detyrë Sekretar i Njësisë Administrative Sukth, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin J.K., me detyrë specialist në IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin M.Sh., me detyrë Kryeinspektor i IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin D.K. posedues dhe zhvillues i objektit të ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasit P.M., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Gj.Z., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin A.L., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimi pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;

– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Q.D., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtim pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;

– ‘Pezullim nga detyra’ për shtetasin A.N., me detyrë specialist i Armatimit në DVP Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari. Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Prokurorë dhe hetues të Drejtorisë së Hetimit të SHÇBA

Krim makabër në Paskuqan, kunati vret kunatën me shkop druri, dëshmia e tmerrshme e nënës së viktimës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në Paskuqan, ku pas një konflikti kunati ka qëlluar për vdekje kunatën e tij.

Eredet Çapoku (në foto) ka goditur me sende të forta kunatën e tij, 30-vjeçaren Enkeleda Çapoku, duke e lenë këtë të fundit të vdekur në vend.

Policia bën me dije se Eredet Çapoku e ka qëlluar me shkop druri kunatën e tij dhe Enkeleda Çapoku ka ndërruar jetë prej plagëve. Viktima e ka denoncuar para 6 muajsh në komisariatin e Kamzës pikërisht të kunatin, Eredet Çapokun dhe policia i ka komunikuar këtij të fundit të qëndrojë larg Enkeleda Çapokut.

Autori ishte një person problematik në zonën e Paskuqanit dhe njihej si përdorues i alkoolit. Ai ishte përfshirë shpesh në zënka me persona të ndryshëm.

Kanë qenë të afërmit të cilët kanë njoftuar policinë për vrasjen dhe i kanë treguar detajet. Fill pas kësaj Policia ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes Eredet Çapokun.

Nëna e viktimës ka rrëfyer detaje tronditëse nga krimi monstruoz. ‘Erdhi shqeu deren, Enkeleda bërtita, erdhi Erdeti na vrau’.

“Burrin e kishte në burg. Unë flija këtu të goca, se shtëpinë time e kam në kat të parë, dhe flija këtu me gocat, se ajo e kishte vajzën 18 vjeç e nuk e lija vetëm.

Ky maskarai herë pas herë dilte i bënte presion. Se pati ndejtë një kohë këtu te ne, pastaj goca e nxori me qera ke një shoqja e vet. Ajo e mbajti një vit, pastaj e nxori se nuk paguante qeranë, u mor me drogë me pisllëqe, punë e tij.

Pastaj filloi t’i dalë gocës përpara në rrugë, dilte filmonte kudo ku shkonte goca në kafe me shoqet.

Mbrëmë ka qenë duke pirë nëpër lokalet e Paskuqanit, a drogë ka pirë, ku di unë, vetëm kur erdhi, ka shqyer derën, ma futi mua në levë dhe rashë pa ndjenja, pastaj i ra me levë edhe gocës, dhe më pas i preu gocës damarët, e preu me thikë te hunda deri te faqja”, tha ajo.

Rritja e akcizës shkakton rritjen e çmimeve për cigaret, mishin, frutat dhe perimet

Çmimet e paketave të cigareve u rriten me 10 lekë në fillim të janarit. Burimet nga tregu i furnizimit me shumicë pohuan se, shkak u bë rritja e akcizës me 5 lekë në fillim të këtij viti e parashikuar në kalendarin e akcizës që në paketën fiskale të vitit 2017.

Përllogaritja e TVSH-së mbi rritjen 5 lekë e kanë rritur çmimin fundor të një pakete me 10 lekë. Në paketën fiskale të vitit 2017 qeveria miratoi një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021.

Sipas këtij kalendari akciza në vitin 2020 arriti në 6250 lekë për 1000 copë cigare nga 6000 lekë që ishte vitin e kaluar. Sipas kalendarit që tashmë është në fuqi vitin që vjen akciza për 1000 copë cigare shkon në 6500 lekë.

Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.

Mirëpo në rastin e Shqipërisë rritja e akcizës shoqërohet me rritje të kontrabandës, siç edhe ka ndodhur që kur kjo politike e taksave me rritje ka nisur të aplikohet.

Ministria e Financave ka sqaruar se me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.

Rriten edhe çmimet e frutave e perimeve
Viti i ri 2020 nisi me rritje çmimesh për një sërë artikujsh, duke devijuar nga tradita e krijuar në këtë periudhe kur çmimet rriten gjatë muajit dhjetor. Në ditët e parë të janarit furnitorët e shumicës kanë përditësuar çmimet me rritje për të gjithë nënproduktet e mishit të përpunuar, cigareve dhe frutave dhe perimeve.

Teksa çmimet më të larta të cigareve dhe sallamerisë po vijnë për shkak të taksave më të larta dhe rritjes së kostove nga importi, çmimet e frutave dhe perimeve po rriten për shkak të mungesës së prodhimit vendas.

Në ditët e para të janarit çmimet e mandarinave u dyfishuan nga 70 lekë në 13 lekë për kilogram. Tregtarët e lidhen këtë ndryshim me përfundimin e prodhimin vendas, teksa pohuan se tashmë në shumicën e artikujve të frutave dhe perimeve furnizimet vijnë nga importi, kryesisht Greqia dhe Italia.

Statistika e frikshme, në Vlore dhe Gjirokastër ka ikur mbi 50% e popullsisë

Popullsia e qarqeve të vendit është përgjysmuar në raport me regjistrat e gjendjes civile. Për shembull në Gjirokastër në vitin 2018 banonte vetëm 41.1 për qind e popullsisë së regjistruar në gjendjen civile, sipas INSTAT.

Në qarkun e Vlorës banon vetëm 49 e popullsisë së regjistruar, gjithashtu qarqet e Beratit, Lezhës dhe Fierit kanë midis 50-60 për qind të popullsisë që ende banon në këto qarqe në raport me atë të regjistruar.

Tirana, Kukësi dhe Dibra ka përqindjet më të larta të popullsisë banuese në raport me regjistrat. Në rastin e Kukësit dhe Dibrës emigracioni dhe lëvizjet e brendshme kanë zhvendosur më shumë se gjysmën e popullsisë së viteve 1990, por banorët e këtyre zonave kanë transferuar gjendjen civile në zonat e reja, ku janë shpërngulur kryesisht në Tiranë dhe Durrës.

Sipas një analize të INSTAT, reduktimi i popullsisë së qarqeve në raport me regjistrat ka ardhur për arsye të emigracionit dhe migrimit të brendshëm. Gjirokastra dhe Vlora duket se kanë pësuar reduktim të popullsisë së regjistruar më shumë për shkak të emigracionit.

Nga grafiku i mëposhtëm vihet re se popullsia banuese e të gjitha qarqeve të vendit është në mënyrë domethënëse më e vogël se popullsia e regjistruar në regjistrat e gjendjes civile.
Diferenca ndërmjet këtyre dy popullsive na paraqet numrin e mundshëm të personave në diasporë të secilit prej qarqeve.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se qarku i Gjirokastrës dhe ai i Vlorës janë dy qarqet e vetme ku popullsia banuese është më pak se gjysma e popullsisë së regjistruar, përkatësisht me 41,1 % dhe 49,0 %. Nga ana tjetër për qarqet e tjera ky raport luhatet nga 54,4 % në Berat në79,3 % në Tiranë.

Qarku i vetëm ku migrimi ndërkombëtar neto ka vlerë pozitive është ai i Vlorës. Kjo do të thotë se gjatë vitit 2018, popullsia e qarkut të Vlorës është rritur me rreth 23 banorë për çdo 10.000 banorë si rezultat i migrimit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, dy qarqet e vetme për të cilat numri i emigrantëve të brendshëm neto gjatë vitit 2018 ka qene pozitiv, janë ato të Tiranës dhe Durrësit.

Yuri Kim betohet si Ambasadore e SHBA në Shqipëri: Do të zgjidh ngërçin politik

Yuri Kim bëri të enjten betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

KARRIERA DIPLOMATIKE

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Nga thirrjet e dëshpëruara për azil te mungesa e avokatit dhe e përkthyesit, Harun Çelik u dëbua me forcë pas një ndalese në Ambasadën turke

Dëshmitarë okularë dhe avokatët mbrojtës rindërtojnë operacionin e dëbimit të mësuesit gylenist nga Shqipëria mes thirrjeve të dëshpëruara për azil dhe në mungesë të avokatit dhe përkthyesit, ndërkohë që Policia e Shtetit mbrohet me faktin se ai nuk kishte dorëzuar asnjë kërkese formale për azil.

Më 1 janar, pas gati pesë orësh pritje në të ftohtë për lirimin e mësuesit Harun Çelik nga burgu 302 në Tiranë, një duzinë personash- shumica turq që jetojnë në Shqipëri, u bënë dëshmitarë të një operacioni të errët të Policisë së Shtetit, pa mundur të pengojnë dëbimin e tij si “pako postare” drejt Turqisë.

Në vend të lirimit, 42 vjeçari Çelik u ngjit në një fuoristradë policie në burgun 302 për t’u dërguar fillimisht në Ambasadën turke në Tiranë, më pas në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit dhe në fund në aeroportin “Nënë Tereza” si pasagjer i detyruar i fluturimit të orës 20:55 të “Air Albania”; një prej kompanive simbol të bashkëpunimit mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe asaj të Presidentit Rexhep Taip Erdogan.

E gjithë skena zgjati më pak se katër orë në një ditë feste dhe pushimi në Tiranë, duke lënë pas një mori pikëpyetjesh mbi ligjshmërinë e dëbimit, motivet dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Shqipëria. “Është rrëmbim personi,” i tha BIRN një dëshmitar turk i dëbimit të Çelik në një nga kafenetë e Tiranës, ku u takuam në praninë e një përkthyesi.

Ndjekës i të gjitha lëvizjeve të Çelik nga burgu deri në aeroport, ai e përshkruan skenën përballë Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Laprakë si momentin e parë kur e kuptuan se çfarë po ndodhte, duke i bërë thirrje Harun Çelik që të kërkonte azil dhe avokat.

“Ai filloi të bërtiste azil-azil dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Dy policë e kapën nga krahët dhe e kthyen sërish brenda në polici. Kur e morën kështu, i ranë këpucët në tokë,” shtoi dëshmitari me duart që i dridheshin. Ende i frikësuar, ai kërkoi që të mos përdorej asnjë detaj që mund ta identifikonte.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave me dëshmitarë okularë dhe avokatët mbrojtës tregojnë se Policia shqiptare e dëboi forcërisht Harun Çelik dhe bëri një vesh shurdh ndaj thirrjeve të tij të dëshpëruara për azil, pasi e kishte shoqëruar më parë brenda ambasadës turke në Tiranë.

BIRN mësoi gjithashtu se në orët e tij të fundit në Shqipëri, Çelik iu mohua e drejta e avokatit dhe përkthyesit dhe firmosi dokumente në mungesë të tyre. Mbrojtësit e Çelik, Elton Hyseni dhe Alban Bengasi si dhe simpatizantë të lëvizjes Gylen në Tiranë akuzojnë policinë se ka kryer deportim të paligjshëm dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Por drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i hodhi poshtë akuzat në një bisedë telefonike me BIRN, duke e cilësuar deportimin një procedurë rutinë për ata që kapeshin me dokumente false.

“Nuk ka pasur asnjë kërkesë formale për azil dhe ai i firmosi vetë formularët për t’u kthyer në Turqi,” tha Veliu, pa i dhënë përgjigje pyetjes nëse Çelik ishte asistuar me përkthyes dhe avokat gjatë firmosjes së formularëve.

Veliu pranoi gjithashtu se para deportimit, policia e shoqëroi Çelik në ambasadën turke në Tiranë për ta pajisur me leje kalimi, ndërsa shtoi se nuk ishte punë e tij që të verifikonte nëse personit i cënohej jeta apo kishte rrezik në vendin ku po dërgohej. I pyetur nga BIRN nëse ishte konsideruar kërkesa verbale për azil në momentet e fundit, Veliu u përgjigj “kjo nuk është një lojë ngriva-shkriva”.

“Në rajon për një firmë”
Këpucët e Harun Çelik, të mbetura në oborrin e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Laprakë mbrëmjen e 1 janarit 2020, pasi Policia e largoi me forcë në brendësi të godinës. Foto e realizuar nga dëshmitarët e ngjarjes.

Harun Çelik, baba i katër fëmijëve me profesion mësues u ndalua më 8 korrik 2019 në aeroportin e Rinasit bashkë me shtetasin tjetër turk, Selami Simsek, në përpjekje për të udhëtuar në Kanada përmes një vize false. 42-vjeçari, i cili besohet se është pjesë e lëvizjes së frymëzuar nga kleriku Fetullah Gylen, ishte larguar nga Turqia përpara grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 dhe kishte qëndruar në Kazakistan bashkë me familjen.

Çelik u dënua me 13 muaj burg për “përdorim të dokumenteve të falsifikuara” dhe në përfitim të gjykimit të shkurtuar, qëndroi 5 muaj e gjysmë në burgun 302 në Tiranë.

Sipas një urdhri të firmosur nga prokurori, Çelik duhej të lirohej më 1 janar 2020, në orën 11:30. Si i ikur nga Kazakistani, pa asnjë lidhje të mëparshme në Shqipëri, Çelik mendohej se nuk do të kishte askënd që ta priste jashtë qelive të burgut në ditën e parë të vitit.

Megjithatë, tre simpatizantë të lëvizjes “Hizmet”, që ishin vënë në lëvizje nga e motra e mësuesit u ngulën para dyerve të burgut 302 paraditen e 1 janarit. Dëshmitari, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se e kishte ndjekur çështjen e tij përmes avokatëve gjatë gjithë kohës. “Nuk e kam njohur më përpara. Pasi u arrestua në Shqipëri, motra e z.Çelik më gjeti përmes të njohurve të përbashkët,” tha ai.

Në mesin e dhjetorit ai kishte mësuar nga avokatët se Çelik do të lirohej më 31 dhjetor, por ishte shtyrë për në datën 1. Mëngjesin e asaj dite, prokuroria kreu procedurat përfundimtare dhe lëshoi një urdhër për lirimin e tij në orën 11.30.

Dëshmitari thotë se ndërsa prisnin para derës së burgut dhe Çelik nuk po dilte prej saj, u interesuan te roja të mësonin çfarë po ndodhte. “Pasi pritëm 1 orë, 2 orë, folëm me rojen, por nuk na tha gjë.

Më pas doli një zotëri 50-55 vjeç, drejtues i burgut. Na tha që do të dalë, por personi që ka në dorëzim sendet personale ishte në Shkodër, pasi ishte ditë pushimi dhe do prisnin sa të vinte që të merrte në dorëzim sendet personale,” tregoi ai.

Dy orë të tjera kaluan pa asnjë lajm, derisa një drejtues i burgut doli sërish për t’u konfirmuar se Çelik do të lirohej, por më parë duhej të shkonte në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit për të nënshkruar “disa letra”.

“Pak më vonë doli një xhip i policisë. Shkojmë të shohim dhe Harun ishte brenda bashkë me drejtorin e policisë kufitare,” thotë dëshmitari, edhe pse nuk është e qartë se cili ishte drejtuesi i Policisë që e shoqëroi Çelik.

Dëshmitari thotë se ai që ata e identifikuan si “drejtor të policisë” u kishte thënë nga brenda xhamit të makinës se “do e çonin në rajon për të hedhur një firmë”. Kontakti me drejtuesin e policisë së kufirit dhe pretendimi i tij për firmën i kishte bërë të dyshonin. Megjithatë, këmbanat e alarmit u ndezën plotësisht kur roja i burgut u tha se në të vërtetë, Çelik po shoqërohej në ambasadën e Turqisë në Tiranë.

Nga biseda me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u kuptua se “firma” ishte pranimi për t’u kthyer në Turqi. “Ka firmosur vetë,” tha Veliu në një bisedë telefonike me BIRN, duke e konsideruar këtë miratim të deportimit nga Çelik.

Por avokati i Çelik, Elton Hyseni i konsideron të dyshimta veprimet e policisë dhe denoncon faktin se një përfaqësues i zyrës së tij avokatore nuk ishte lejuar të takohej me klientin në kohën që po kryheshin procedurat.

Hyseni i tha BIRN se ata kishin kërkuar dokumentet mbi të cilat ishte bërë deportimi, por tha se deri së fundmi “ishin në errësirë”. Hyseni po ashtu tha se kishin kërkuar edhe hyrje-daljet nga burgu për të parë kush kishte bërë shoqërimin dhe po ashtu edhe pamjet e sigurisë, por ende nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

Roli i Ambasadës turke
Njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës turke në Tiranë për ditët e pushimit zyrtar. Për Zyrën Konsullore të Ambasadës turke në Tiranë, ku lëshohen pasaportat e përkohshme apo lejet e kalimit, 1 janari ishte një ditë pushimi.

Në faqen zyrtare të Ambasadës gjendet ende njoftimi për mbylljen e zyrave në datat 1, 2 dhe 3 janar 2020, me rastin e pushimeve zyrtare. Megjithatë, dyert e ambasadës turke janë hapur enkas pas orës 17:00 të pasdites, për të mikpritur furoristradën e Policisë shqiptare brenda së cilës ndodhej Harun Çelik. Ky fakt tradhton pretendimet për padijeni të drejtuesve më të lartë të policisë për fatin që priste Harun Çelik në Turqi.

Drejtori i Policisë, Ardi Veliu i tha BIRN se Çelik ishte dërguar në ambasadë për të marrë “leje kalimin”, një dokument që i duhej për ta hipur në avion. “Ai u pajis me leje kalimi nga amabasada turke në Tiranë. Pa leje kalimi, nuk e pranonte personeli i avionit,” tha Veliu.

Ndryshe nga itinerari i makinës së policisë që shoqëronte Çelik, shtetasit turq u nisën nga burgu 302 në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Dëshmitari i tha BIRN se kishin njoftuar të tjerë persona dhe para zyrave të policisë u bënë rreth 15 veta, përfshi një përfaqësues të zyrës ligjore që kishte mbrojtur Çelik.

Kur mbërritën në Laprakë mësuan se Çelik nuk ndodhej aty. “Atje kishte shumë qetësi”, tregoi dëshmitari. “Filluam të shqetësoheshim. U ulëm në një kafe përballë policisë, pastaj erdhi e njëjta makinë që e kishte marrë te burgu. Çelik ishte brenda. Ishte shoferi, drejtori, ndërsa mbrapa nuk e pamë nëse kishte njeri tjetër, sepse makina kishte xhama të zinj,” thotë ai.

Nga kronologjia e ngjarjeve rezulton se vizita në Ambasadë ishte bërë para firmosjes së formularëve në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, duke dhënë përshtypjen se Çelik do të deportohej, pavarësisht nëse firmoste apo jo formularët që iu vunë përpara nga policia.

Dëshmitari thotë se pasi kishin parë makinën, ata nuk kishin pasur mundësi të flisnin me Çelik. Ai ishte shoqëruar në brendësi të zyrave të policisë.

“Hynë brenda dhe nuk e dimë çfarë po ndodhte”, tha ai. Avokati Hyseni i tha BIRN se përfaqësuesi ligjor i dërguar prej tij në vend kishte kërkuar të merrte kontakt me Çelik, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Pak kohë pasi ishte futur në zyrat e policisë, Çelik u shoqërua jashtë dhe oficerët e drejtuan atë për ta hipur sërish në makinë, por kjo përpjekje dështoi pas thirrjeve për azil.

Avokati Hyseni konfirmoi momentin e kundërshtimit të Harun Çelik për t’u futur në makinën e policisë dhe thirrjet e tij për azil në oborrin e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, të treguara nga kolegu i tij avokat dhe përkthyesi, që ishin gjithashtu dëshmitarë. Hyseni tha se përkthyesi kishte qenë personi që kishte bërtitur për të kërkuar azil.

Drejtori i Policisë, Ardi Veliu i tha BIRN se nuk kishte dijeni nëse në këtë proces ishte përdorur forcë. Pas protestës së shkurtër te zyrat e Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit, filluan të mbërrinin forca të tjera policie me makina dhe me motorë. “Disa policë na kërkuan me mirësjellje të largoheshim.

Na thanë: “Ikni tani, nuk ka më asgjë, hajdeni nesër në 8.30 të mëngjesit,” kujton dëshmitari, ndërsa shton se ishin detyruar të largoheshin. Dyshimet ishin bërë të forta dhe parandjenja u thoshte se të nesërmen Harun Çelik nuk do ishte më aty dhe se tashmë bileta e udhëtimit ishte prerë.

“Kishim dëgjuar për raste të tilla të ngjashme në vende të tjera dhe vendosëm të shkonim në aeroport”, thotë dëshmitari. Gjatë rrugës me makinë për në Rinas, makina e policisë – e njëjta që kishte shoqëruar Çelik nga burgu në zyrat e policisë i parakaloi.

“Ishte me eskortë dhe me shpejtësi, 120 kilometra në orë ndoshta,” shton dëshmitari. Edhe ata nxituan për të mbërritur në Rinas. Pamje filmike të një trasmetimi live në Twitter i ka filmuar ata teksa vrapojnë pas makinës së policisë dhe i kërkojnë Çelik të bëjë sikur “i bie të fikët”, me shpresën se kjo do të ndalonte deportimin.

Megjithatë, të gjitha përpjekjet rezultuan të dështuara. Dëshmitari i tha BIRN se Harun Çelik, i shoqëruar nga policë u fut fillimisht nga hyrja normale e pasagjerëve. Por e kthyen mbrapsht dhe e futën në një portë tjetër ngjitur me hyrjen VIP. “Kur arritëm e dëgjuam të bërtiste “Azil”, tregon ai. Ata qëndruan aty derisa avioni i linjës së Stambollit u ngrit në ajër.

Debati për azilin
Mediat turke raportuan se Harun Çelik u arrestua menjëherë sapo zbriti në aeroportin e Stambollit si një anëtar i FETO-s, inicialet me të cilat njihet në Turqi lëvizja Gylen. Mbi të rëndojnë tashmë akuzat e të qenit anëtar i një organizate terroriste, i financimit të terrorizmit dhe spiunazhit ndërkombëtar kundër shtetit turk –akuza të zakonshme këto për qindra mijëra persona në Turqi, të cilët konsiderohen nga qeveria e Erdogan si mbështetës të lëvizjes Gylen.

Shqipëria ka qenë vazhdimisht nën presion nga Turqia për të dëbuar simpatizantët e Gylen, një lëvizje e shtrirë në të gjithë botën e ndjekësve të predikuesit islamik Fetullah Gylen, i cili aktualisht jeton në SHBA. Qeveria shqiptare ka refuzuar më parë kërkesën për mbylljen e shkollave të themeluara nga lëvizja Gylen, por pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, kryeministri Rama ndryshoi retorikë dhe e cilësoi organizatën Gylen të “rrezikshme”.

Në tetor 2018, presioni i qeverisë turke, e cila më herët ia kishte dalë të merrte 6 mësues nga Kosova fqinje, u rrit. Megjithatë deri në dëbimin e Çelik, nuk kishte ndonjë shenjë se Shqipëria do të pranonte kërkesat e Turqisë. Dëbimi i Harun Çelik kompromenton kredencialet perëndimore të Shqipërisë dhe e vendos vendin përballë pikëpyetjeve të sikletshme mbi rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e konventave ndërkombëtare.

Megjithatë, Policia e Shtetit mbrohet me faktin se nuk ka marrë asnjë kërkesë për azil, as nga Harun Çelik dhe as nga avokatët e tij. “Kishte të drejtë për 6 muaj të kërkonte azilin. Nuk e ka kërkuar në asnjë formë, nuk ka asnjë shkresë, as nga ai, as nga avokatët,” tha Ardi Veliu për BIRN.

Avokatët e Çelik, Alban Begasi dhe Elton Hyseni pranuan mungesën e një kërkese formale, por u ankuan se autoritetet nuk u kishin dhënë atyre asnjë mundësi. Megjithatë, ata i konsiderojnë kërkesat verbale të Harun Çelik para policisë si të mjaftueshme për t’u marrë parasysh.

“Procedura për azilin është konfidenciale dhe ne na është thënë nga autoritetet se aplikimi mund të bëhej vetëm personalisht nga Çelik, pasi ai të lirohej nga burgu,” tha avokati Hyseni.

Veliu e kundërshtoi pretendimin e avokatëve dhe tha se procedurat e përcaktuara nga ligji e detyronin të huajin që hynte në Shqipëri me dokumente të falsifikuara të aplikonte për azil menjëherë pasi kishte hyrë në Shqipëri dhe të deklaronte se po përdorte dokumente false.

Por në përkufizimet e tij, ligji 121/2014 “Për azilin” shpjegon se kërkesa mund të bëhet në çdo moment dhe në çdo lloj forme. “Kërkesë për azil” është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohe përpara autoriteteve kompetente në pikat e kalimit kufitar apo brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili kërkon mbrojtje ndërkombëtare, sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar,” thuhet në pjesën e parë të ligjit.

Qëndrime kontradiktore ka edhe për faktin nëse Harun Çelik mundej ose jo të përfitonte azil politik në Shqipëri pas dënimit të tij për “përdorimin e dokumenteve false”. Zv. ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila mbulon çështjet e azilit në Ministri mbrojti procedurat e Policisë së Shtetit si në përputhje me konventat për të drejtat e njeriut.

Në një bisedë telefonike me BIRN, Voda pretendoi që ndonëse nuk e njeh rastin, ligji për azilin i akualifikonte personat e dënuar për vepra penale për të cilat parashikohej dënim deri në 5 vjet që ta përfitojnë atë.

Në të kundërt, ligji “për Azilin në Republikën e Shqipërisë” nuk i mbështet pretendimet e Vodës. Ndërsa falsifikimi nuk përfshihet në krimet ndaluese, neni 6 i ligjit përcakton se përjashtohen vetëm ata që dënoheshin për krime për të cilat parashikohej dënim mbi 7 vjet./BIRN

17 policë në pranga në Durrës, akuzohen për…

Një aksion i madh i SHÇBA-së në Durrës ka bërë të mundur arrestimin e 17 policëve.

Prokuroria ka lëshuar 17 urdhër-arreste. Mësohet se policët akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Policët akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

Ata akuzohen se nuk kanë marrë masa për denoncimet e ardhura për ndërtimet pa leje dhe se janë përfshirë në raste korruptive, duke mos goditur paligjshmërinë. Urdhër-arrestet janë lëshuar, pas konstatimeve për ndërtimet pa leje në bregdet, të zbuluara pas tërmetit të 26 nëntorit.

FNSH po punon për shoqërimin e tyre. Pritet qe SHÇBA të dalë me deklaratë për mediat për detajet e operacionit.

Historia e dhimbshme e një të riu, bashkëshortja e ndan nga fëmijët për…

Historia e dhimbshme e 30-vjeaçrit nga Kruja, Ermir Keqi, u trajtua sot në studion e emisionit me “Zemër të Hapur”, në Neës24.

Në vitin 2017, Ermiri së bashku me nusen, nisen në drejtim të shtetit francez për të kërkuar azil, si një mundësi më e mirë për familjen. Ai është babai i tre fëmijëve, por të voglin nuk e ka njohur, sepse është detyruar të kthehet para se të lindte.

Bashkëshortja, për të përfituar letrat franceze, i kërkon burrit që të gënjejë në polici për dhunë ndaj saj, por Ermiri nuk pranon, sepse në raste të tilla, shteti francez të detyron që të bësh burg, ose të kthehesh në Shqipëri.

Në këto kushte, Ermiri zgjedh të kthehet në vendlindje, duke lënë pas tre fëmijët. Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur”, bashkëshorti Ermir Keqi së bashku me tezen, Mrike Lasku, rrëfyen këtë histori të dhimbshme. Bashkëshortja përdor burrin për letra, më pas e largon nga fëmijët.

Që nga viti 2017 dhe deri më tani, Ermiri ka shkëputur çdo kontakt me fëmijët, pasi gruaja i bllokon rrugët e komunikimit.

Ata rrëfyen gjithashtu se nëna e fëmijëve ka probleme mendore dhe fëmijët nuk janë te sigurt më të. Babai 30 vjeçar i bën apel shtetit që ta ndihmojë për t’i kthyer fëmijët pranë tij që të kujdeset për ta. Për më shumë ndiqni historinë….!

Rrëfimet
Tezja e Ermir Keqit: Ermiri eshte djale shume i mire, eshte sjelle gjithmone mire me femijet dhe gruan. Probleme keta kane patur qe ketu, ajo e rrihte vajzen e madhe.

Ermir Keqi: jam martuar ne 2010 dhe deri ne 2017 kemi qene bashkë me gruan në Francë. Nga 2010 deri ne 2012 kemi qene aq te lumtur sa sdi cte them. Jemi njohur me shkuesi dhe pas 3 muajsh njohje vendosëm të ishim bashkë. Ne 2012 une rashë në burg dhe aty filluan sherret dhe debatet. më kanë thënë shumë veta që gruaja kur unë isha në burg u lidh me një tjetër. Unë nuk i besova personit që më tha se gruaja ime kishte një të dashur.

I kërkova atij personi të mos ruante nusen time dhe të na linte rehat. Nuses nuk ia thashë kurrë këtë bisedë. Atëherë i thoja “ku e ke telefonin?” mbante 2 telefona njërin e fshihte tjetrin e nxirrte. E kam pyetur nëse kishte telefon tjetër ajo betohej që jo. unë e zbulova, por nuk doja të futeshim në konflikt. Ajo nuk fliste në syrin tim po shkonte disa metra larg dhe fliste me atë person. Mesazhet i ka kapur edhe tezja edhe djali i tezes.

Tezja: edhe mua më binin numra të panjohur dhe se dija kush ia jepte numrin tim atyre. Më thoshin: “na e ka dhënë një njeri që ti shkon shumë mirë”, edhe vajza i thoshte “o ba kur ti ishe në burg babit i jepte një xhaxh lekë, ia mbushte plot”. Vajza është 9 vjeç, është e vogël.

Ermir Keqi: Unë ia kam gjetur telefonin në çorap. Këtë ma ka sjellë motra më tha. E kalova si muhabet nuk i thashë gjë, i kërkova që telefonin ta vendoste në tavolinë jo në corap. vjehrra ime e bënte këtë gjë, e mësoi që të bënte nje skenar në Francë sikur e kisha dhunuar unë. Unë se kam dhunuar asnjëherë. Vëllai i saj na mori në telefon, me të kam shkuar shumë mirë. Hajde këtej tha, në Francë.

Kur arritëm në Francë kërkuam azil. Familja e gruas nuk më ndihmoi fare. kur na erdhi përgjigja e parë negativ kërkuam azil përsëri. Na refuzuan të dyja herët, por ajo nuk donte të kthehej. Do ta diskutoj me nënën time tha ajo. erdhi me mua dhe firmosi. Vëllai i tha “pse firmose, ju do rrini këtu, ju kam marrë unë dhe s’keni për të ikur në Shqipëri pa të thënë unë”.

Unë vendosa të ikja, por doja të merrja fëmijët. Ajo më tha “unë s’do kthehem kurrë”. Shkoi në polici më pas dhe ka deklaruar që burri e kishte dhunuar. Ata e kanë sqaruar të mos e bënte atë skenar dhe policia franceze e dinte që unë nuk e kisha dhunuar.

Ermiri: Ajo nuk më kontakton mua sepse familjarët nuk e lejojnë, as nëna dhe as vëllai i saj se lejojnë. Kam bërë një video është bërë kur i ka thënë e ëma që të bënte denoncim sikur burri e rrihte. Fëmijët e mi janë të stresuar. Më parë s’kisha ku të shkoja të denoncoja që ajo dhunonte fëmijët. unë atë vetë se kam dhunuar kurrë, ajo më ka kërcënuar, ka qenë e sëmurë ajo por me doktor se kemi vërtetuar se kam çuar dot. /BW

Tërhiqet edhe kandidati për Kryetar të PS në Durrës, denoncon si po manipulohen zgjedhjet

Përmes një letre publike, kandidati i për kreun e PS në Durrës, Ardit Kërtusha njofton tërheqjen nga gara. Në letër, ku shkruan me tone të ashpra kritike për procesit që protet të zhvillohet ditën e shtunë, Kërtusha thotë se nuk zbatohet statuti i Partisë, më saktë parimi, një anëtar një votë.

“Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit. Fushata ime në kryefjalë të saj kishte perfaqësimin e të gjithë socialistëve durrsakë dhe kush më mirë se një anëtar një vote mund ta mundesojë këtë perfaqesim?

Lobuam shumë që ta bënim të mundur por e kotë”, shkruan Kërtusha në letrën e tij, ndërsa njofton se zgjedh të mos kandidojë në këto zgjedhje të cilat i quan një farsë të turpshme politike.

Letra e plotë
Të nderuar qytetarë të Durrësit anëtarë të partisë socialiste, simpantizantë dhe mbështetës!

Duke ju falenderuar për mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe dhe për mesazhet e shumta tuaja motivuese, jam i dëtyruar t’ju informoj për klimën e zgjedhjeve brenda Deges së Partisë Socilaliste Durrës, ku mbizotëron vullneti për të ndërhyrë me cdo kusht në këtë proçes kaq të rëndësishëm për partinë tonë dhe jo vëtëm.

Problemi fillon që në kryefjalë të këtyre zgjedhjeve ku nuk zbatohet statuti i Partisë, më saktë parimi (një anëtar një votë) kur edhe në rastet hipotetikë kur nuk zbatohet ky parim mënyra e zevendësimit ka qenë zgjedhja me asamble.

Por na doli që as kjo metodë nuk do të apikohët në zgjedhjet tek ne pasi drejtuesit e tanishëm politikë në Durrës brenda natës hartuan një metodë të re dhe normalisht i vendosën edhe nje emer. Më thanë Ardit do te votohesh nga Asambleja e zgjeruar. U habita dhe menjëherë kërkova të më vihej në dispozicion kjo listë.

Por më kot. Pas shumë komunikimeve të mia me drejtuesit politikë ketu m’u vendosën në dispozicion disa lista gjysmake pa asnjë të dhënë me anëtarë të huazuar nga partitë e tjera që lidhjen e vetme me partinë tonë kanë vendet e punës qe u jane dhenë si favore personale këtyre individëve.

M’u dhanë elektronikisht 5 lloj listash pasi zyrat e selisë janë bosh inekzistente dhe sikur të mos mjaftojë kjo listat m’i dhanë më date 8 janar duke më komunikuar që zgjedhjet do mbahen më datë 11 janar.

Shtroj një pyetje: Si mundet një person normal të takojë 600 persona për 3 ditë kalendarike dhe jo vetëm t’u paraqes programin, por edhe t’i bindë të më votojnë. Është krejtësisht e pamundur.

Asambleja përbëhet nga 300 anëtarë (të dhëna të marra nga PS Durrës) se dhe kjo e fundit nuk i ka as vete të sakta ndërsa shpikja e tyre na bëri një listë me 600 vetë, të cilet janë futur aty vetëm për një votë, madje në shumicen e rasteve ato vetë nuk janë të informuar që janë votues.

Pra që të mos zgjatem: Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit. Fushata ime në kryefjalë të saj kishte perfaqësimin e të gjithë socialistëve durrsakë dhe kush më mirë se një anëtar një vote mund ta mundesojë këtë perfaqesim? Lobuam shumë që ta bënim të mundur por e kotë.

Sot ndodhemi përballë këtij fakti, ku kryetarin e PS Durrës do duhet ta votojnë njerëz jashtë strukturave tona. Duke demostruar edhe një herë se si e kanë kandadisur Partine Socialiste në Durrës.

I ndodhur në këto kushte unë zgjedh për te mos kandiduar ditën e shtunë pasi kandidimi im do të ishte në të keq të Partisë Socialiste duke zhvilluar një garë të paracaktuar, ndaj zgjedh që kontributin tim ta jap brenda Partisë Socialiste duke qenë një zë brenda saj dhe jo një fraksion siç kanë qejfin ta etiketojnë rrëmbyesit e kësaj partie.

Me bindje të plotë ju them që nuk do të bëhem pjesë e kësaj farse të turpshme politike. Duke ju falënderuar të gjithëve uroj një vit të mbarë dhe kthimin sa më shpejt në identitet të Partisë Socialiste.