15.5 C
Tirana
E mërkurë, 21 Maj, 2025

A është vrapi i dëmshëm për nyjet?

Qoftë nëse jeni duke ushtruar për një garë vrapimi apo thjesht e bëni për të mirëmbajtur formën e trupit, frika se kjo do të ketë ndikim të keq në nyej, është frikë mjaftë e zakonshme.

Dhimbja e nyejve është ndër problemet më të zakonshme të plakjes – mbi 25 për qind e meshkujve priren të zhvillojnë artritin – dhe, nga frika se po e shpejtojnë këtë proces, ata heqin dorë nga ushtrimet e tyre.

Sidoqoftë, Lawrence Berkeley National Laboratory ka zbuluar se personat që vrapojnë kanë më pak rrezik të zhvillojnë dhimbje në nyej sesa ata që nuk janë aktivë fizikisht. Kjo do të thotë se mund t’i vraponi disa maratona në vit pa brenga.

Hulumtuesit tregojnë se rrezikun më të madh për problemet në nyej e paraqet mbipesha, dhe studiuesit për këtë kanë zbuluar një ndërlidhje mes zvogëlimit të dhimbjeve dhe kalorive që digjen gjatë ushtrimeve.

Dr. Frederik Fuchs rekomandon që të vraponi lehtë, të bëni zgjatje dhe të vraponi në park, e jo në shirit vrapues (treadmill).

Veç kësaj, ai rekomandon të merrni sasinë e rekomandueshme të vitaminës D, pasi që dielli i rregullon nivelet e kalciumit dhe fosfatit – thelbësore për shëndetin e eshtrave – përderisa mungesa e tyre shpinë në osteoporozë.

Mos e injoroni kurrë humbjen e peshës, mund të jetë sëmundje e rëndë

Simptomat e kancerit të mushkërive mund të jenë të vështira për t’u vërejtur në fazat e hershme. Por shenjat e njohura të këtij kanceri përfshijnë kollitjen dhe dhimbjen në gjoks.

Megjithatë, përveç këtyre dyjave, ekspertët bëjnë thirrje që asnjëherë të mos e injoroni edhe humbjen e pashpjegueshme të peshës, pasi që është një nga simptomat kryesore.

Kanceri i mushkërive është një nga llojet më të zakonshme të kancerit në botë, ndërkaq kryesisht i prek njerëzit mbi 40 vjet.

Përveç humbjes së pashpjegueshme të peshës dhe kollit të vazhdueshëm, ekspertët shëndetësorë tregojnë se simptomat e kancerit në mushkëri përfshijnë edhe kollin me gjak, problemet me frymëmarrje dhe dhimbjet në gjoks.

Në fakt, nëse rregullisht keni infeksione në gjoks dhe ndiheni të lodhur, ju jeni më të rrezikuar nga ky lloj i kancerit.

Doktorët thonë se nëse e keni pasur ndonjërën nga simptomat e lartcekura për më gjatë se tri javë, urgjentisht duhet të konsultoheni me doktorin.

Vlen të ceket se vetëm në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen 44,500 njerëz me kancer në mushkëri brenda vitit.

Presidenti Trump i shkruan Haradinajt!

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka pranuar letër urim për festat e fundvitit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me ShBA’në është speciale dhe e përhershme.

“Kjo marrëdhënie e fuqishme dëshmohet edhe me këto urime por edhe më lidhjet që kemi krijuar tash e sa kohë, e për të cilat ne jemi përherë mirënjohës”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj poashtu ka thënë se Kosova qëndron e palëkundur në koalicionin global të udhëhequr nga Amerika.

Gara hapësinore për eksplorimin e Marsit dhe planet për 2020

Gara e parë për hapësirën, vuri përballë njera tjetërës Shtetet e Bashkuara dhe atë që njihej atëhere si Bashkimi Sovjetik, se kush do të bënte udhëtimin e parë në hapësirë. Gara Hapësinore e Shekullit 21 është një përpjekje globale për të dërguar njeriun në Mars.

Zërit të Amerikës i hedh një vështrim planeve të agjencive hapësinore për të hulumtuar Planetin e Kuq në vitin 2020. Gjysmë shekulli pas uljes në Hënë, banorët e tokës po planifikojnë rrugën e re në Garën Moderne të Hapësirës.

“Ne kemi në plan të bëjmë eksplorimin e parë të Marsit rreth vitit 2020”, thotë Wu Yanhua nga Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë.

Agjencitë hapësinore në vitin 2020 planifikojnë të dërgojnë robotë eksperimentalë që duhet të udhëtojnë rreth një çerek miliardë kilometra në hapësirë për të studiuar Marsin përpara udhëtimit me njerëz në bord.

NASA po planifikon një mision në korrik për të studiuar një shtrat lumi në Mars, që dikur kishte ujë, në kërkim të shenjave të jetës në formë mikrobesh të lashta të fosilizuara, përpara se të sjellin gurët në Tokë në vitet 2030.

Planet e Kinës për vitin 2020 janë dërgimi i një sonde në Mars dhe një sonde tjetër në orbitën e Marsit.

“Plani ynë është të përfundojmë fluturimin rreth Marsit, uljen e një sonde dhe eksplorimin në një udhëtim, ashtu siç bëmë me misionin tonë në Hënë”, thotë Wu Yanhua nga Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë.

Kjo zonë testimi pranë Pekinit simulon uljen e një sonde në Mars, ku forca e gravitetit është sa një e treta e asaj në Tokë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe ajo ruse Roscosmos, kanë bashkuar forcat për një mision të quajtur ExoMars. Roboti i tyre është pajisur me një mjet shpimi për të studiuar thellësitë e Marsit. Ekipi është në garë për të qënë gati për inspektimin përfundimtar në prill.

“Nëse do ta kalojmë me sukses inspektimin, atëherë do të marrim autorizimin për të dërguar sondën në Baikonur (Kazakistan) për një nisje brenda periudhës 26 korrik dhe 11 gusht.

Nëse nuk e arrijmë këtë afat, atëherë misioni ynë mund të shtyhet për më shumë se dy vjet. Mund ta imagjinoni se sa të mobilizuar jemi për të zgjidhur problemet e fundit, me të cilat po përballemi”, tha Francois Spoto, anëtar i Misionit ExoMars nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Një ulje e suksesshme në 2021 do të ishte e para për Agjencinë Evropiane të Hapësirës, pas një dështimi në vitin 2016.

Emiratet e Bashkuara Arabe synojnë të dërgojë sondën e parë në korrik. E quajtur Misioni i Shpresës, ajo do të jetë sonda e parë arabe dhe islamike që do të arrinte në orbitën e Marsit.

“Ajo do të studiojë atmosferën e poshtme, të mesme dhe të sipërme të Marsit, dhe do të përpiqet të kuptojë se si rrjedhin gazrat nga Marsi”, thotë Sheikha Al Maskari nga Agjencia Hapësinore e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në sipërfaqen e Marsit aktualisht ndodhen dy sonda funksionuese dhe gjashtë satelitë. Deri më tani, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë arritur të zbarkojnë me sukses në Mars dhe po operojnë një sondë që ndodhet atje.

A po largohet Ballkani nga BE-ja?

Viti 2019 nuk ishte një vit i mbarë për njerëzit në periferinë e Bashkimit Europian, në Europën Juglindore. Ndryshe nga sa premtoi, BE në samitin e tetorit nuk dha dritën jeshile për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa në një analizë për gjendjen në Ballkan me fillimin e këtij viti. Franca dhe vende të tjera dolën kundër tyre.

Rreziku i thyerjes së besimit
Në Serbi dhe Malin e Zi, dy vende që i kanë çelur ndërkohë negociatat, janë forcuar tendencat autoritare të forcave qeverisëse. Presioni ndaj intelektualëve dhe mediave kritike është rritur.

Gjendja në Shqipëri nuk është më e mirë, një vend ky jo shembull demokracie, shkruan dpa. Në nëntor Shqipëria u trondit nga një tërmet i rëndë me dhjetëra viktima. Por „Jo-ja” e bisedimeve të anëtarësimit ishte shumë e rëndë. Në Maqedoni kjo solli zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 12 Prill.

Në rajonin e Ballkanit mosçelja e negociatave shihet si thyerje e besimit, si shprehje kërcënuese e „lodhjes nga zgjerimi” në vendet bazë të BE. Në një kohë që BE kishte vendosur në samitin e saj në Selanik në vitin 2003, se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë perspektivën e anëtarësimit.

Por deri më tani, kësaj ia ka dalë vetëm Kroacia, që u anëtarësua në vitin 2013. Për vendet e tjera të Ballkanit perspektiva po sfumohet në horizont, shkruan dpa, madje ato rrezikojnë ta humbasin atë, por a po rrezikon edhe vetë BE humbjen e Ballkanit?

Tentativat ruse, kineze dhe turke
Alternativa të tjera, si Rusia, Kina apo Turqia janë në pritje. „BE ka lënë një vakuum, të cilin Rusia e mbush me dëshirë”, thekson Sonja Biserko, që drejton në Beograd Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. „Kina vjen nga ana tjetër me shumë para, që ofrohen në formë të kredive, pa standarde dhe pa kritere.”

Kurse Moska i jep mbështetje sidomos Serbisë, që nuk do ta pranojë humbjen e Kosovës. Dihet, se Moska bllokon me veton e saj pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kurse në Bosnje-Hercegovinë, Rusia mbështet burrin e fortë të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik, shkruan dpa.

Në këtë vend të shkatërruar nga lufta në vitet 1992-1995, Dodik paralizon zhvillimet me qëndrimet e tij separatiste. Pa harruar Malin e Zi, ku në tetor 2016, një puç i organizuar nga agjentë rusë, por i dështuar, do të duhej të pengonte anëtarësimin e vendit në NATO.

Qëllimi i Rusisë, thekson dpa, është që të krijojë në Ballkan një „brez të vendeve neutrale nga ana ushtarake”, ka thënë ambasadori rus në Shkup, siç duket edhe nga dokumente të brendshme të Ministrisë së Jashtme në Shkup nga viti 2017. Por Moska nuk mundi ta ndalë anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Serbia e përjashton anëtarësimin pas bombardimeve të vitit 1999. Në Bosnje, Dodik përpiqet të pengojë çdo afrim me aleancën veriore-atlantike.

Kina nga ana e saj me strategjinë e „Rrugës së Re të Mëndafshit” ndjek interesa ekonomike me konceptin e saj ndërkontinental. Ballkani ka rolin e një zone tranziti në këtë kontekst. Pekini ka arritur të marrë shumicën e aksioneve në portin e Pireut, dhe po modernizon hekurudhën mes Beogradit dhe Budapestit.

Projektet financohen me kredi jo edhe aq të lira nga bankat shtetërore kineze. Firmat kineze i marrin në dorë ato, shpesh edhe me punëtorë „të importuar” nga Kina. Bilanci i krijimit të vlerës për këto vende kredimarrëse është i dobët. Mali i Zi rrezikon për shkak të një autostrade të financuar nga Kina të futet në borxhe të rrezikshme.

Edhe Turqia me presidentin e saj autokrat, Recep Tayyip Erdogan kërkon afrimin me aktorët e politikës myslimane, por jo vetëm me ta. Partia, SDA që kontrollon kryesisht pjesën boshnjake-myslimane e nderon Erdoganin si fatsjellës. Por edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka marrëdhënie të mira me Erdoganin. Interesat e Erdoganit janë kryesisht ekonomike: një treg për mallrat turke. Nga ana tjetër ai kërkon të rrisë edhe influencën gjeopolitike.
Vërtet po e bëjnë për vete Ballkanin Rusia, Kina dhe Turqia?
„Sigurisht entuziazmi në rajon për BE po ftohet dukshëm”, thotë Florian Bieber, Profesor në Institutin e Europës Juglindore në universitetin e Gracit. „Por duhet thënë edhe tjetra, se aktorë të jashtëm si Rusia e Kina nuk kanë shumë për të ofruar. Elitat shpesh të korruptuara dhe autoritare të Ballkanit do t’i pranonin projektet e tyre me dëshirë, jo vetëm që të pasurohen me to. „Por po të shikosh investimet e tyre, krahasuar me ato të BE atëherë ato nuk e kanë atë rëndësi”, thekson politologu, Florian Bieber për dpa.
Bieber përmend edhe një faktor tjetër për të theksuar rëndësinë e BE. Mjafton të pyesësh të rinjtë në Ballkan, se ku do donin të jetonin, thotë ai. „Ata nuk do të përmendin Pekinin, Stambollin apo Shën Peterburgun, por Berlinin ose Vjenën.”

Gazetari jep alarmin: Shullazi drejt lirimit nga burgu!

Emiljano Shullazi rrezikon të dalë nga burgu. Alarmin e dha gazetari Flamur Vezaj, i cili në një postim në “Facebook”, bëri ca përllogaritje të thjeshta që të çojnë tek ky përfundim: Lirimi i Shullazit.

Sipas Vezajt, e gjitha qëndron në dorën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili nuk ka vendosur akoma një gjyqtar për dosjen e Shullazit.

Për të, kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami është vendosur në krye të organit me qëllimin për të liruar kriminelët.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, i kryesuar nga kryetarja Naureda Llagami e njohur ndryshe edhe si përfaqësuesja e besuar e Lali Erit po vazhdon të zbatojë me përpikmëri detyrat e Rilindjes! Kjo për faktin se një nga kriteret kryesore për emërimin e saj në këtë post ishte të ndihmojë me të gjitha mundësitë të fortët, kriminelët, që kanë ndihmuar e ndihmojnë Rilindjen!

E kjo ndihmë konsiston në faktin se për gati 14 muaj ky Këshill nuk po bën asgjë për të zgjidhur problemin e gjykimit të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij në Gjykatën e Apelit dikur për Krime të Rënda e tashmë në atë të Posaçmen!

Këshilli duke mos komanduar në kohë gjyqtare për gjykimin e kësaj dosjeje, rrezikon lirimin para kohe të Emiljano Shullazit, i cili duke shfrytëzuar afatet procedurale të ligjit, rrezikon të dalë nga burgu dhe pastaj institucionet të alarmohen, të nisin verifikimet e hetimet, por gjithmonë pasi i forti të dalë në ish-bllok për kafe!”, tha Flamur Vezaj.

Ai apeloi që Këshilli i Lartë Gjyqësor të veprojë në mënyrë urgjente dhe të mos vijojë në rrugën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Reagimi i plotë i gazetarit Flamur Vezaj

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i kryesuar nga kryetarja Naureda Llagami e njohur ndryshe edhe si përfaqësuesja e besuar e Lali Erit po vazhdon të zbatojë me përpikmëri detyrat e Rilindjes! Kjo për faktin se një nga kriteret kryesore për emërimin e saj në këtë post ishte të ndihmojë me të gjitha mundësitë të fortët, kriminelët, që kanë ndihmuar e ndihmojnë Rilindjen!

E kjo ndihmë konsiston në faktin se për gati 14 muaj ky Këshill nuk po bën asgjë për të zgjidhur problemin e gjykimit të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij në Gjykatën e Apelit dikur për Krime të Rënda e tashmë në atë të Posaçmen!

Këshilli duke mos komanduar në kohë gjyqtare për gjykimin e kësaj dosjeje, rrezikon lirimin para kohe të Emiljano Shullazit, i cili duke shfrytëzuar afatet procedurale të ligjit, rrezikon të dalë nga burgu dhe pastaj institucionet të alarmohen, të nisin verifikimet e hetimet, por gjithmonë pasi i forti të dalë në ish-bllok për kafe! Por duke parë trendin e fundit të lirimit të shumë kriminelëve, nuk habitem, se e gjithë kjo katrahurë po ndodh si pasojë e kolapsit të sistemit gjyqësor në emër të reformës në drejtësi!

Pra, Emiljano Shullazi është dënuar më 13 nëntor 2018 nga Gjykata e Shkallës së Parë me 14 vite burg, por ky vendim nuk është i formës së prerë çka Shullazi e banda e tij vazhdojnë të përfitojnë nga qëndrimi në paraburgim!

Pra, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë Shullazi, është arrestuar më 17 prill të 2016 (plot 3 vjet e 8 muaj në paraburgim) çka nëse ai dënohet në formën e prerë gjatë këtij muaji me të njëjtën masë dënimi të dhënë në shkallën e parë, direkt atij i numërohet sikur ka vuajtur afërsisht 7 vite burg me gjithë faljet tre mujorshe për sjellje të mirë (1 vit paraburgim numërohet 1 vit e 6 muaj burg) kjo për shkak të zvarritjes së gjyqit me modelin e “invalidit” Dritan Dajti!

Nga këto llogaritje, Shullazit i mbetet më pas të bëjë vetëm 7 vite të tjera burg, nëse nuk aplikohet modeli i Luzim Berishës për lirimin e parakohshëm nga burgu, që me shumë mundësi të njëjtin përfitim do të ketë edhe Shullazi!

Pra KLGJ-ja e cila u ngrit për të rregulluar sistemin e gjyqësorit po vazhdon me të njëjtën skemë si KLD-ja e dikurshme, që ishte e pafuqishme për të zgjidhur zvarritjet e proceseve gjyqësore apo për të penguar gjyqtarët e papërgjegjshëm që lironin e po lirojnë nga burgu para afatit kriminelë të ndryshëm dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore!

E për të evituar këto lirime, KLGJ-ja e kryesuar nga përfaqësuesja e Lali Erit duhet të veprojë në mënyrë urgjente, se ndryshe i bie që po vazhdon në të njëjtën rrugë të KLD-së së dikurshme vetëm me emër të ri KLGJ! #në_pritje_të_vendimit_të_radhës#

Çdo shqiptar tashmë e ka të qartë fytyrën e vërtetë të këtij kryeministri…

Nga Red VARAKU

Me prezantimin e projektit të Jugosllavisë së re menjëherë pasi Perëndimi i kërkoi të largohej nga pushteti nëpërmjet bllokimit të integrimit dhe nëntë kushteve të Bundestagut, Rama synonte të realizonte dy objektiva.

Objektivi i parë ishte ta përdorte këtë projekt sovjetiko-kinez si kërcënim dhe shantazh për Perëndimin. Jugosllavia e re ishte padyshim një përpjekje e dështuar për të eksportuar krizën e brendshme shqiptare në të gjithë rajonin si një mesazh i qartë për Perëndimin, që ai nuk ishte një ‘kockë’ e lehtë për tu larguar. Që nëse ai largohej kjo do të sillte destabilizim jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë rajonit. Një gabim fatal i denjë për diktatorë, që e bëjnë vetëm njerëzit e verbuar nga pushteti dhe deliri.

Objektivi i dytë ishte që projekti të përdorej si një tymnajë për opinionin publik shqiptar, për të shmangur vëmendjen nga bllokimi i integrimit, nga deformimet e thella demokratike brenda vendit, nga nga reforma e deshtuar ne drejtesi, nga kapja e te gjitha pushteteve, nga korrupsioni, nga përgjimet, nga parlamenti ilegjitim, nga djegja e mandateve, nga zgjedhjet moniste dhe mbi të gjitha nga bllokimi i rotacionit demokratik.

I rrethuar nga idiotë atje në majën e delirit të pushtetit, atij as që i kishte shkuar ndër mend që ideja e jugosllavisë së re, do t’i përplasej kaq keq turinjve jo vetëm nga ndërkombëtarët, por nga vetë shqiptarët.

E vërteta është që ideja e jugosllavisë nuk shqetësoi askënd në Perëndim. Me sa duket ata e dinin që ky projekt nuk ishte shkak, por pasojë e deformimit të demokracisë në rajon. BE u mjaftua me një ose dy reagime në facebook ku kërkonte përfshirjen e Kosovës në projekt dhe shikonte si të papranueshme çdo iniciativë rajonale pa përfshirjen e Kosovës, ndërsa SHBA-të reaguan nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Berlin ku theksonin që çdo projekt pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ishte i papranueshëm. Reagim më ekplicit se kaq në diplomaci nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Gjithashtu, ky projekt jo vetëm nuk i zbehu, por i nxorri më në pah problemet e brendshme për vetë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë. Falë idiotësisë së vetë kryeministrit, çdo shqiptar tashmë e ka të qartë fytyrën e vërtetë të këtij kryeministri, i cili për pushtet është gati të bëjë aleancë edhe me armiqtë historikë të kombit shqiptar.

Fakti është, që ky kryeministër realisht nuk rrezikon askënd me këtë ide, përveç vetes, sepse është e qartë që patriotët shqiptarë nuk do ta lejojnë askënd të bëjë pazare me dinjitetin dhe të ardhmen e tyre. Nëpërmjet mekanizmit të presionit që ofron demokracia, ata do të largonin çdo kryeministër që përfshihet në aventura të tilla që nuk reflektojnë aspiratat e kombit shqiptar.

Por, Rama i ka asgjësuar këto mekanizma nëpërmjet kriminalizimit të shtetit dhe deformimit të votës, duke krijuar kësisoj premisa , të cilat mund të çojnë në destabilizimin e vendit dhe më tej në anarkinë e faktorit shqiptar në rajon, për shkak të mosrespektimit të vullnetit popullor.

Pikërisht ky fenomen që po paraqet vërtet rrezikshmëri të madhe për të ardhmen e Shqipërisë, deformimi i thellë i demokracisë, rreziku i eliminimit të saj po tentohet të ndalet shumë herë më shumë se sa një fantazmë sovjetike që realisht nuk mund të ekzistojë, nëse realisht do të funksiononte demokracia. Pra, funksionimi i demokracisë është dhe duhet të mbetet shqetêsimi i vërtetë.

Në fakt kjo është arsyeja se pse bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut vazhdojnë të mbeten dy kërkesat e panegociueshme të ndërkombëtarëve edhe pas hedhhes në tavolinë të projektit të Jugosllavisë së re.

Këto duhet të mbeten në fokusin e çdo shqiptari, sepse vetëm këto janë mesazhe të qarta nga SHBA dhe BE, që lidhen me problematikën e vërtetë që e shqetëson Perëndimin. Sepse, dihet që nëse në Shqipëri rikthehet funksionimi i demokracisë, bie menjëherë edhe ideja e Jugosllavisë, sepse është një ide që nuk gjen qoftë edhe një përqind mbështetje tek populli shqiptar.

Nëse Rama nuk largohet menjëherë si pasojë e dështimit dhe delegjitimimit të tij, jemi seriozisht të rrezikuar nga braktisja e Perëndimit dhe pikërisht kjo mund të ngjallë një valë destabilizimi të vërtetë brenda vendit.

Ky lloj destabilizimi pastaj mund të jetë vërtet i rrezikshëm, pasi është real dhe mbështetet tek frika se Perëndimi na ka braktisur dhe na ka lënë në dorë të një grupi të strukturuar kriminal.

Pra, rreziqet reale që i vijnë Shqipërisë në këto momente janë ato që i vijnë nga deformimet e brendshme të demokracisë dhe nga fenomene të tjera që nëse nuk zgjidhen shpejt e çojnë vendin detyrimisht drejt një përplasje të ashpër.

Ky deformim është ekplozivi që e bën Shqipërinë rrezik për shqiptarët dhe rajonin dhe pikërisht për këtë Perëndimi po mban një qëndrim të prerë pa ekuivoke; bllokim integrimi deri në realizimin e nëntë kushteve, që do të thotë zgjedhje të parakohshme me një reformë zgjedhore të dakortësuar në këmbim të integrimit.

Mjerim në Thumanë! Gruaja e paralizuar lëngon në barakë prej 3 muajsh

Fran Lleshi me gruan e paralizuar jetojnë në një barake, në kushte të mjerueshme që prej termetit të 21 shtatorit.

Gazetari Juxhin Mustafaraj dhe grupi i xhirimit të Abc News udhëtoi sot drejt Thumanës për të parë nga afër gjendjen e banorëve që kanë mbetur jashtë në ditët e ftohta të dimrit.

Në familjen e Fran Lleshit, në Thumanë mësojmë se burrë e grua kanë mbetur jashtë që prej termetit të parë, atij të 21 shtatorit. Që prej asaj kohe Fran Lleshi dhe gruaja e tij e paralizuar qendrojnë në barake, në kushte mesjetare.

“Shtepia u dëmtua në shtator, pastaj me këtë termetin e dytë (26 nentor) u shemb komplet…Akoma s’na kanë thënë asgjë…As bonus qiraje asnjë send në botë. Ne s’kemi ku shkojmë, vetëm me u mbyt në ujë…më keq nuk ka ku shkon. Gruan e kam të paralizuar…”, shprehet i brengosur Fran LLeshi.

Ai ka migruar nga zona e thellë e Fanit në Mirditë, drejt Thumanës për një jete më të mirë, por shtëpia që ndërtoi me mundim u shemb. Ata apelojnë që shteti ti ndihmojë për të rindërtuar banesën ku të fusin kokën./abcnews.al

Banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë ndodhen në një situatë tejet e vështirë. Në çadër me dy fëmijë të mitur Xhume Jangozi tregon se kushtet ku ata jetojnë janë mjaft të vështira, të ftohtët depërton brenda, ndërsa shton se ata presin më shumë nga shteti, që i ka harruar që prej 26 Nëntorit.

“Më keq s’ka, ftohtë, kena mbërdhi, me kalamajtë, kam dy djem me nuse, dhe me fëmijë. Era e fuqishme sa më s’ka, dolëm e rregullum njëçikë me gura dhe me beton. Kemi qenë në çadër që prej 27 Nëntorit, shpresa jonë e fundit është shteti, që të vëjë zemrën në dorë, shteti ishalla mendon dhe për na, se dhe na duhet të jetojmë”, shprehet Jangozi.

Pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor, rreth 10 mijë qytetarë jetojnë ende në çadra, të cilat janë të papërshtatshme për të përballuar këto temperatura disa gradë nën zero që po përballon vendi në dy ditët e fundit.

Ende nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e tyre nga çadrat, ndërsa gjithë sa kërkojnë është një strehë e sigurtë dhe e ngrohtë, të cilën mos t’ua rrezikojnë më era dhe tërmetet.

Asnjë provë, ja si gjyqtari Artan Gjermani ka falsifikuar faktet kundër Salianjit!

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Tiranës që e dënoi me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë në çështjen ‘Babale’, ish- deputeti Ervin Salianji, ka akuzuar gjyqtarin e çështjes Artan Gjermeni se ka falsifikuar faktet.
Salianji e cilëson politik vendimin e dhënë ndaj tij, teksa thotë se konkluzionet e vendimit të zbardhur janë të njëjta me ato të organit të akuzës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

Dje, në ditë pushimi, gjyqtari i partisë nëpërmjet zëdhënësve të rilindjes ka shpërndarë vendimin e gjykatës në të cilën siç e kemi thënë dhe siç e shihni nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt!

Vendimi i Gjermenit i shkruar nga partia, është vendim politik, fjalë për fjalë si pretenca që dha Rama pas publikimit të skandalit Xhafaj.

Njësoj si dënimet për agjitacion dhe propogandë, gjyqtari i partisë thotë që është dëmtuar reputacioni publik i një krimineli të dënuar dhe që sot po kryen dënimin në Itali apo dëmtimi i reputacionit politik të ish-ministrit të brendshëm ndërkohë që menjëherë pas denoncimit, Agron Xhafaj, shkoi për të vuajtur dënimin.

Vendimi i djeshëm nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë linjë logjike se si ka bashkëpunim mes personave që nuk njihen. Gjyqtari e pranon në vendim që ne nuk kemi njohje të mëparshme, pranon dhe që mes meje apo dhe gazetarit Olldashi, nuk ka komunikime dhe asnjë kontakt dhe asnjë njohje me dëshmitarin e sajuar Alizoti.

Arsyetimi i vendimit dhe dalja e tij pa ju njoftuar palëve dhe pa u hedhur ne sistem e bën të dyshimtë se si dhe kur është bërë zbardhja e vendimit, vendimi në pjesën hyrëse (22 flete) ka krejtësisht copy/paste konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është vetëm përsëritje. Për aq kohë sa procedura gjyqësore u bë me gjykim themeli dhe jo me gjykim të shkurtuar, gjykata duhet të kishte rrjedhën e saj të ngjarjeve e jo atë të prokurorisë.

Ne vendim nuk citohen në pjesën hyrëse të tij argumentet e mbrojtjes, apo dhe kur bëhet analiza nga gjykata e elementeve te figurës së veprës penale, serish nuk citohen pretendimet e mbrojtjes. Një vendim i strukturuar në këtë mënyrë, nuk jep mundësinë e analizimit të tij sipas procesit gjyqësor, por vetëm sipas këndvështrimit të akuzës që është përthithur edhe si këndvështrim i gjykatës.

Në vendim nuk citohet asnjë kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e rrëzuar me vendim të ndërmjetëm nga gjykata, ku të arsyetohet edhe shkaku i rrëzimit;

Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal. Gazetari Olldashi e ka dorëzuar materialin origjinal, por qëllimisht kur është ndarë dosja e trafikimit të narkotikëve, nga ajo e kallëzimit të rremë, materiali origjinal është lënë pjesë e dosjes së trafikimit. Në gjykim është kërkuar administrimi i kësaj prove, por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjyqtari, në mënyrë të qëllimshme: Sot po ju tregoj procesverbalin e dorëzimit të materialit bruto nga gazetari Olldashi (dokumenti). Ky material, materiali bruto është dërguar në Itali për ekspertizë, por më pas ky material nuk u dërgua tek ekspertët britanikë.

Tjetër fakt i falsifikuar është ai se në gjykim u provua dijenia e të pandehurve Salianji dhe Olldashi në lidhje me falsifikimin e materialit nga Veliu dhe Alizoti, ndërkohë që gjatë pyetjes në gjykatë vetë dëshmitari i sajuar Alizoti, pranoi që vetëm ai ka qënë në dijeni të këtij fakti deri në datë 01.06.2018,datë që ka bërë dhe denoncimin në polici (pasi ishte përpunuar nga policia). Ky falsifikim është bërë me qëllimin e vetëm për të konsideruar se vepra penale është konsumuar me dashje direkte, si e vetmja mënyrë për tu konsumuar kallëzimi i rremë;

Në vendimin e gjykatës përseritet disa herë se motivi për kallëzimin e rremë ka qenë cënimi i reputacionit publik te Geron (Agron) Xhafes. Po si mundet te konsiderohet “reputacion publik” ai i një të dënuari me vendim të formës së prerë të një gjykate të shtetit italian për trafikim lëndësh narkotike!?

Në vendim është falsifikuar fakti në lidhje me aktin e ekspertimit. Në vendim citohet se akti i ekspertimit e rrëzon mundësinë që zeri në audio-pergjim të mund të jetë ai i Geron Agron Xhafës, ndërkohë që vetë akti citon se zëri në audio përgjim është i ngjashëm me atë të Geron Agron Xhafës;

Në vendim citohet termi “kallëzim publik”, term ky i panjohur më parë sepse ato që njihen deri tani janë “denoncimi publik” dhe “kallëzimi penal”. Ne këtë rast ka vetëm denoncim publik, por gjyqtari me qëllim ka përdorur termin “kallëzim publik”.

Në vendim nuk gjendet asnjë përshkrim e aq më pak ndonjë arsyetim në lidhje me drejtuesit e policisë që janë përfshirë në krijimin dhe rekrutimin e dëshmitarit të rremë Alizoti, pavarësisht se rezultoi që të kishim konsumuar veprën penale të deklarimit të rremë, para prokurorit në rastin më të mirë.

Falsifikim i fakteve është edhe arsyetimi se në datën 24.10.2017 ka qenë e pamundur që të kenë qenë fizikisht, njëkohësisht Veliu, Olldashi dhe Xhafaj pasi nga tabulatet e plota, rezulton që në harkun kohor 12.45 deri 13.45 ata të kenë qenë në të njëjtën rreze në qytetin e Vlorës, siç konfirmohet edhe nga deklarimet e gazetarit Olldashi që ka sqaruar se audio përgjimi është realizuar rreth orës 13.30. Gjykata, po ashtu si prokuroria, pavarësisht se i ka administruar tabulatet të plota, zgjedh të citojë vetëm ato të pas orës 14.00, kur edhe këta persona janë larguar nga njëri-tjetri.

Falsifikim i fakteve është edhe citimi se njohja mes Veliut dhe Olldashit është kryer nga unë e për më tepër, ky ‘fakt’ (tel e datës 20.10.2017 nga Veliu tek unë) konsiderohet dhe momenti i fillimit të bashkëpunimit mes meje dhe të pandehurve të tjerë. Vetë tabulatet tregojnë se komunikimi ka nisur në datë 18.10.2017 me sms të dërguar nga Olldashi tek unë dhe ka vijuar dhe me date 19, çka tregon se iniciator në komunikim ka qenë Olldashi.

Falsifikim i fakteve është edhe konsiderimi si fakt i asaj se audio-përgjimi është realizuar në datat 14 ose 15 janar 2018, pasi vetë deklarimet e Alizotit që janë e vetmja bazë e këtij fakti, bien ndesh me tabulatet e telefonave të tij dhe të Veliut. Ata nuk kanë ardhur asnjëherë në Tirane në këto data e në vijim, për të sjellë stilolapsin e pretenduar.

Vendimi i Gjermenit bie ndesh me jurisprudencën e GjEDNj, pasi i jep prioritet privatësisë dhe reputacionit publik të një të dënuari me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh që ka vëllain Ministër te Brendshëm, në dëm të lirisë së shprehjes së një politikani të opozitës dhe një gazetari investigativ.

Banditët me apo pa mbështetje politike, në polici, prokurori, gjyqësor apo kudo janë, do të mbajnë përgjegjësi një më një, para ligjit dhe nuk do ketë prehër krimineli që do ti shpëtojë.

Shtyhet seanca për ish-deputetin e Ramës

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka shtyrë seancen paraprake për ish-deputetin e PS, Arben Ndoka dhe 12 persona të tjerë të akuzuar për tjetersim pronash në Lezhë. Hetimi ndaj tyre nisi në vitin 2016 ku Ndokajt dolën në përgjime me Avdylajt e Shijakut për trafik droge. Aty prokuroria konstatoi se edhe vepren penale të tjetersimit të pronave tek Rana e hedhun në Lezhë.

Gjykata Speciale e ka shtyrë seancen paraprake për më datë 9 Janar, pasi nuk ishin njoftuar gjithë personat e akuzuar.

Në dosjen e prokurorisë thuhet: “rezulton se në këtë aktivitet kriminal të tjetersimit të pronave në kundërshtim me ligjin janë përfshirë personat nën hetim, Gjevi Ndoka, Arben Ndoka, Zef Ndoka, Bledar Cara, Eraldo Smaçi, Bledi Ndokaj, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni, Emanuel Gjura, Zef Lazri, Paulin Simoni, Marjeta Perskura dhe persona të tjere bashkëpunëtorë që po hetohen në kuadër të procedimit penal 339, viti 2016”.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare të Lezhës. Veprat penale për të cilat akuzohen janë Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal si dhe kryerja e veprave penale nga grupi kriminal.