22.5 C
Tirana
E mërkurë, 21 Maj, 2025

Çdo shqiptar tashmë e ka të qartë fytyrën e vërtetë të këtij kryeministri…

Nga Red VARAKU

Me prezantimin e projektit të Jugosllavisë së re menjëherë pasi Perëndimi i kërkoi të largohej nga pushteti nëpërmjet bllokimit të integrimit dhe nëntë kushteve të Bundestagut, Rama synonte të realizonte dy objektiva.

Objektivi i parë ishte ta përdorte këtë projekt sovjetiko-kinez si kërcënim dhe shantazh për Perëndimin. Jugosllavia e re ishte padyshim një përpjekje e dështuar për të eksportuar krizën e brendshme shqiptare në të gjithë rajonin si një mesazh i qartë për Perëndimin, që ai nuk ishte një ‘kockë’ e lehtë për tu larguar. Që nëse ai largohej kjo do të sillte destabilizim jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë rajonit. Një gabim fatal i denjë për diktatorë, që e bëjnë vetëm njerëzit e verbuar nga pushteti dhe deliri.

Objektivi i dytë ishte që projekti të përdorej si një tymnajë për opinionin publik shqiptar, për të shmangur vëmendjen nga bllokimi i integrimit, nga deformimet e thella demokratike brenda vendit, nga nga reforma e deshtuar ne drejtesi, nga kapja e te gjitha pushteteve, nga korrupsioni, nga përgjimet, nga parlamenti ilegjitim, nga djegja e mandateve, nga zgjedhjet moniste dhe mbi të gjitha nga bllokimi i rotacionit demokratik.

I rrethuar nga idiotë atje në majën e delirit të pushtetit, atij as që i kishte shkuar ndër mend që ideja e jugosllavisë së re, do t’i përplasej kaq keq turinjve jo vetëm nga ndërkombëtarët, por nga vetë shqiptarët.

E vërteta është që ideja e jugosllavisë nuk shqetësoi askënd në Perëndim. Me sa duket ata e dinin që ky projekt nuk ishte shkak, por pasojë e deformimit të demokracisë në rajon. BE u mjaftua me një ose dy reagime në facebook ku kërkonte përfshirjen e Kosovës në projekt dhe shikonte si të papranueshme çdo iniciativë rajonale pa përfshirjen e Kosovës, ndërsa SHBA-të reaguan nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Berlin ku theksonin që çdo projekt pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ishte i papranueshëm. Reagim më ekplicit se kaq në diplomaci nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Gjithashtu, ky projekt jo vetëm nuk i zbehu, por i nxorri më në pah problemet e brendshme për vetë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë. Falë idiotësisë së vetë kryeministrit, çdo shqiptar tashmë e ka të qartë fytyrën e vërtetë të këtij kryeministri, i cili për pushtet është gati të bëjë aleancë edhe me armiqtë historikë të kombit shqiptar.

Fakti është, që ky kryeministër realisht nuk rrezikon askënd me këtë ide, përveç vetes, sepse është e qartë që patriotët shqiptarë nuk do ta lejojnë askënd të bëjë pazare me dinjitetin dhe të ardhmen e tyre. Nëpërmjet mekanizmit të presionit që ofron demokracia, ata do të largonin çdo kryeministër që përfshihet në aventura të tilla që nuk reflektojnë aspiratat e kombit shqiptar.

Por, Rama i ka asgjësuar këto mekanizma nëpërmjet kriminalizimit të shtetit dhe deformimit të votës, duke krijuar kësisoj premisa , të cilat mund të çojnë në destabilizimin e vendit dhe më tej në anarkinë e faktorit shqiptar në rajon, për shkak të mosrespektimit të vullnetit popullor.

Pikërisht ky fenomen që po paraqet vërtet rrezikshmëri të madhe për të ardhmen e Shqipërisë, deformimi i thellë i demokracisë, rreziku i eliminimit të saj po tentohet të ndalet shumë herë më shumë se sa një fantazmë sovjetike që realisht nuk mund të ekzistojë, nëse realisht do të funksiononte demokracia. Pra, funksionimi i demokracisë është dhe duhet të mbetet shqetêsimi i vërtetë.

Në fakt kjo është arsyeja se pse bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut vazhdojnë të mbeten dy kërkesat e panegociueshme të ndërkombëtarëve edhe pas hedhhes në tavolinë të projektit të Jugosllavisë së re.

Këto duhet të mbeten në fokusin e çdo shqiptari, sepse vetëm këto janë mesazhe të qarta nga SHBA dhe BE, që lidhen me problematikën e vërtetë që e shqetëson Perëndimin. Sepse, dihet që nëse në Shqipëri rikthehet funksionimi i demokracisë, bie menjëherë edhe ideja e Jugosllavisë, sepse është një ide që nuk gjen qoftë edhe një përqind mbështetje tek populli shqiptar.

Nëse Rama nuk largohet menjëherë si pasojë e dështimit dhe delegjitimimit të tij, jemi seriozisht të rrezikuar nga braktisja e Perëndimit dhe pikërisht kjo mund të ngjallë një valë destabilizimi të vërtetë brenda vendit.

Ky lloj destabilizimi pastaj mund të jetë vërtet i rrezikshëm, pasi është real dhe mbështetet tek frika se Perëndimi na ka braktisur dhe na ka lënë në dorë të një grupi të strukturuar kriminal.

Pra, rreziqet reale që i vijnë Shqipërisë në këto momente janë ato që i vijnë nga deformimet e brendshme të demokracisë dhe nga fenomene të tjera që nëse nuk zgjidhen shpejt e çojnë vendin detyrimisht drejt një përplasje të ashpër.

Ky deformim është ekplozivi që e bën Shqipërinë rrezik për shqiptarët dhe rajonin dhe pikërisht për këtë Perëndimi po mban një qëndrim të prerë pa ekuivoke; bllokim integrimi deri në realizimin e nëntë kushteve, që do të thotë zgjedhje të parakohshme me një reformë zgjedhore të dakortësuar në këmbim të integrimit.

Mjerim në Thumanë! Gruaja e paralizuar lëngon në barakë prej 3 muajsh

Fran Lleshi me gruan e paralizuar jetojnë në një barake, në kushte të mjerueshme që prej termetit të 21 shtatorit.

Gazetari Juxhin Mustafaraj dhe grupi i xhirimit të Abc News udhëtoi sot drejt Thumanës për të parë nga afër gjendjen e banorëve që kanë mbetur jashtë në ditët e ftohta të dimrit.

Në familjen e Fran Lleshit, në Thumanë mësojmë se burrë e grua kanë mbetur jashtë që prej termetit të parë, atij të 21 shtatorit. Që prej asaj kohe Fran Lleshi dhe gruaja e tij e paralizuar qendrojnë në barake, në kushte mesjetare.

“Shtepia u dëmtua në shtator, pastaj me këtë termetin e dytë (26 nentor) u shemb komplet…Akoma s’na kanë thënë asgjë…As bonus qiraje asnjë send në botë. Ne s’kemi ku shkojmë, vetëm me u mbyt në ujë…më keq nuk ka ku shkon. Gruan e kam të paralizuar…”, shprehet i brengosur Fran LLeshi.

Ai ka migruar nga zona e thellë e Fanit në Mirditë, drejt Thumanës për një jete më të mirë, por shtëpia që ndërtoi me mundim u shemb. Ata apelojnë që shteti ti ndihmojë për të rindërtuar banesën ku të fusin kokën./abcnews.al

Banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë ndodhen në një situatë tejet e vështirë. Në çadër me dy fëmijë të mitur Xhume Jangozi tregon se kushtet ku ata jetojnë janë mjaft të vështira, të ftohtët depërton brenda, ndërsa shton se ata presin më shumë nga shteti, që i ka harruar që prej 26 Nëntorit.

“Më keq s’ka, ftohtë, kena mbërdhi, me kalamajtë, kam dy djem me nuse, dhe me fëmijë. Era e fuqishme sa më s’ka, dolëm e rregullum njëçikë me gura dhe me beton. Kemi qenë në çadër që prej 27 Nëntorit, shpresa jonë e fundit është shteti, që të vëjë zemrën në dorë, shteti ishalla mendon dhe për na, se dhe na duhet të jetojmë”, shprehet Jangozi.

Pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor, rreth 10 mijë qytetarë jetojnë ende në çadra, të cilat janë të papërshtatshme për të përballuar këto temperatura disa gradë nën zero që po përballon vendi në dy ditët e fundit.

Ende nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e tyre nga çadrat, ndërsa gjithë sa kërkojnë është një strehë e sigurtë dhe e ngrohtë, të cilën mos t’ua rrezikojnë më era dhe tërmetet.

Asnjë provë, ja si gjyqtari Artan Gjermani ka falsifikuar faktet kundër Salianjit!

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Tiranës që e dënoi me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë në çështjen ‘Babale’, ish- deputeti Ervin Salianji, ka akuzuar gjyqtarin e çështjes Artan Gjermeni se ka falsifikuar faktet.
Salianji e cilëson politik vendimin e dhënë ndaj tij, teksa thotë se konkluzionet e vendimit të zbardhur janë të njëjta me ato të organit të akuzës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

Dje, në ditë pushimi, gjyqtari i partisë nëpërmjet zëdhënësve të rilindjes ka shpërndarë vendimin e gjykatës në të cilën siç e kemi thënë dhe siç e shihni nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt!

Vendimi i Gjermenit i shkruar nga partia, është vendim politik, fjalë për fjalë si pretenca që dha Rama pas publikimit të skandalit Xhafaj.

Njësoj si dënimet për agjitacion dhe propogandë, gjyqtari i partisë thotë që është dëmtuar reputacioni publik i një krimineli të dënuar dhe që sot po kryen dënimin në Itali apo dëmtimi i reputacionit politik të ish-ministrit të brendshëm ndërkohë që menjëherë pas denoncimit, Agron Xhafaj, shkoi për të vuajtur dënimin.

Vendimi i djeshëm nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë linjë logjike se si ka bashkëpunim mes personave që nuk njihen. Gjyqtari e pranon në vendim që ne nuk kemi njohje të mëparshme, pranon dhe që mes meje apo dhe gazetarit Olldashi, nuk ka komunikime dhe asnjë kontakt dhe asnjë njohje me dëshmitarin e sajuar Alizoti.

Arsyetimi i vendimit dhe dalja e tij pa ju njoftuar palëve dhe pa u hedhur ne sistem e bën të dyshimtë se si dhe kur është bërë zbardhja e vendimit, vendimi në pjesën hyrëse (22 flete) ka krejtësisht copy/paste konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është vetëm përsëritje. Për aq kohë sa procedura gjyqësore u bë me gjykim themeli dhe jo me gjykim të shkurtuar, gjykata duhet të kishte rrjedhën e saj të ngjarjeve e jo atë të prokurorisë.

Ne vendim nuk citohen në pjesën hyrëse të tij argumentet e mbrojtjes, apo dhe kur bëhet analiza nga gjykata e elementeve te figurës së veprës penale, serish nuk citohen pretendimet e mbrojtjes. Një vendim i strukturuar në këtë mënyrë, nuk jep mundësinë e analizimit të tij sipas procesit gjyqësor, por vetëm sipas këndvështrimit të akuzës që është përthithur edhe si këndvështrim i gjykatës.

Në vendim nuk citohet asnjë kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e rrëzuar me vendim të ndërmjetëm nga gjykata, ku të arsyetohet edhe shkaku i rrëzimit;

Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal. Gazetari Olldashi e ka dorëzuar materialin origjinal, por qëllimisht kur është ndarë dosja e trafikimit të narkotikëve, nga ajo e kallëzimit të rremë, materiali origjinal është lënë pjesë e dosjes së trafikimit. Në gjykim është kërkuar administrimi i kësaj prove, por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjyqtari, në mënyrë të qëllimshme: Sot po ju tregoj procesverbalin e dorëzimit të materialit bruto nga gazetari Olldashi (dokumenti). Ky material, materiali bruto është dërguar në Itali për ekspertizë, por më pas ky material nuk u dërgua tek ekspertët britanikë.

Tjetër fakt i falsifikuar është ai se në gjykim u provua dijenia e të pandehurve Salianji dhe Olldashi në lidhje me falsifikimin e materialit nga Veliu dhe Alizoti, ndërkohë që gjatë pyetjes në gjykatë vetë dëshmitari i sajuar Alizoti, pranoi që vetëm ai ka qënë në dijeni të këtij fakti deri në datë 01.06.2018,datë që ka bërë dhe denoncimin në polici (pasi ishte përpunuar nga policia). Ky falsifikim është bërë me qëllimin e vetëm për të konsideruar se vepra penale është konsumuar me dashje direkte, si e vetmja mënyrë për tu konsumuar kallëzimi i rremë;

Në vendimin e gjykatës përseritet disa herë se motivi për kallëzimin e rremë ka qenë cënimi i reputacionit publik te Geron (Agron) Xhafes. Po si mundet te konsiderohet “reputacion publik” ai i një të dënuari me vendim të formës së prerë të një gjykate të shtetit italian për trafikim lëndësh narkotike!?

Në vendim është falsifikuar fakti në lidhje me aktin e ekspertimit. Në vendim citohet se akti i ekspertimit e rrëzon mundësinë që zeri në audio-pergjim të mund të jetë ai i Geron Agron Xhafës, ndërkohë që vetë akti citon se zëri në audio përgjim është i ngjashëm me atë të Geron Agron Xhafës;

Në vendim citohet termi “kallëzim publik”, term ky i panjohur më parë sepse ato që njihen deri tani janë “denoncimi publik” dhe “kallëzimi penal”. Ne këtë rast ka vetëm denoncim publik, por gjyqtari me qëllim ka përdorur termin “kallëzim publik”.

Në vendim nuk gjendet asnjë përshkrim e aq më pak ndonjë arsyetim në lidhje me drejtuesit e policisë që janë përfshirë në krijimin dhe rekrutimin e dëshmitarit të rremë Alizoti, pavarësisht se rezultoi që të kishim konsumuar veprën penale të deklarimit të rremë, para prokurorit në rastin më të mirë.

Falsifikim i fakteve është edhe arsyetimi se në datën 24.10.2017 ka qenë e pamundur që të kenë qenë fizikisht, njëkohësisht Veliu, Olldashi dhe Xhafaj pasi nga tabulatet e plota, rezulton që në harkun kohor 12.45 deri 13.45 ata të kenë qenë në të njëjtën rreze në qytetin e Vlorës, siç konfirmohet edhe nga deklarimet e gazetarit Olldashi që ka sqaruar se audio përgjimi është realizuar rreth orës 13.30. Gjykata, po ashtu si prokuroria, pavarësisht se i ka administruar tabulatet të plota, zgjedh të citojë vetëm ato të pas orës 14.00, kur edhe këta persona janë larguar nga njëri-tjetri.

Falsifikim i fakteve është edhe citimi se njohja mes Veliut dhe Olldashit është kryer nga unë e për më tepër, ky ‘fakt’ (tel e datës 20.10.2017 nga Veliu tek unë) konsiderohet dhe momenti i fillimit të bashkëpunimit mes meje dhe të pandehurve të tjerë. Vetë tabulatet tregojnë se komunikimi ka nisur në datë 18.10.2017 me sms të dërguar nga Olldashi tek unë dhe ka vijuar dhe me date 19, çka tregon se iniciator në komunikim ka qenë Olldashi.

Falsifikim i fakteve është edhe konsiderimi si fakt i asaj se audio-përgjimi është realizuar në datat 14 ose 15 janar 2018, pasi vetë deklarimet e Alizotit që janë e vetmja bazë e këtij fakti, bien ndesh me tabulatet e telefonave të tij dhe të Veliut. Ata nuk kanë ardhur asnjëherë në Tirane në këto data e në vijim, për të sjellë stilolapsin e pretenduar.

Vendimi i Gjermenit bie ndesh me jurisprudencën e GjEDNj, pasi i jep prioritet privatësisë dhe reputacionit publik të një të dënuari me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh që ka vëllain Ministër te Brendshëm, në dëm të lirisë së shprehjes së një politikani të opozitës dhe një gazetari investigativ.

Banditët me apo pa mbështetje politike, në polici, prokurori, gjyqësor apo kudo janë, do të mbajnë përgjegjësi një më një, para ligjit dhe nuk do ketë prehër krimineli që do ti shpëtojë.

Shtyhet seanca për ish-deputetin e Ramës

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka shtyrë seancen paraprake për ish-deputetin e PS, Arben Ndoka dhe 12 persona të tjerë të akuzuar për tjetersim pronash në Lezhë. Hetimi ndaj tyre nisi në vitin 2016 ku Ndokajt dolën në përgjime me Avdylajt e Shijakut për trafik droge. Aty prokuroria konstatoi se edhe vepren penale të tjetersimit të pronave tek Rana e hedhun në Lezhë.

Gjykata Speciale e ka shtyrë seancen paraprake për më datë 9 Janar, pasi nuk ishin njoftuar gjithë personat e akuzuar.

Në dosjen e prokurorisë thuhet: “rezulton se në këtë aktivitet kriminal të tjetersimit të pronave në kundërshtim me ligjin janë përfshirë personat nën hetim, Gjevi Ndoka, Arben Ndoka, Zef Ndoka, Bledar Cara, Eraldo Smaçi, Bledi Ndokaj, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni, Emanuel Gjura, Zef Lazri, Paulin Simoni, Marjeta Perskura dhe persona të tjere bashkëpunëtorë që po hetohen në kuadër të procedimit penal 339, viti 2016”.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare të Lezhës. Veprat penale për të cilat akuzohen janë Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal si dhe kryerja e veprave penale nga grupi kriminal.

Më ka qëlluar në Tiranë të shoh një skenë që më tronditi…

Nga Artan Fuga

(Si do e kisha shkruar një raport ngjarjeje po të kisha qenë polic)

Shoqëria shqiptare herë pas here është tronditur nga krimi në familje, sikurse nga dhuna ndaj grave bashkëshorte prej burrave të tyre.

Shumë hipoteza janë dhënë për të gjetur shkaqet e këtij krimi sa të përbuzur aq edhe që shkakton drama.

Më ka qëlluar në Tiranë të shoh një skenë dhune familjare që më tronditi. Kisha kohë që mbaja në kokë hipotezën time lidhur me shkakun e vërtetë, jo pretekstet, e krimit dhe dhunës kundër gruas, por nuk e kisha verifikuar në ndonjë ndodhi e sipër.

Një zonjë disi e moshuar bërtiste dhe tentonte të godiste një grua të re pas fustanit të së cilës rrinte fshehur, në dramë e duke vuajtur, në prag të një qarje të madhe, kokëulur, një djalë i vogël rreth shtatë vjeç. Zonja e moshuar, shumë energjike, ulurinte, ishte prishur në fytyrë dhe përpiqej ta godiste gruan e re. «Kurvë e keqe ! » – i bërtiste dhe i vërsulej ta rrihte. « Mos ta shoh më surratin, qelbësirë ! »

Katër ose pesë policë me radio, të gjorët, përpiqeshin në mes të ndanin të dy gratë, ose më mirë ta mbronin gruan e re, nënën e djalit të ngratë, nga sulmet e zonjës të shëndoshë.

Ndala këmbët dhe po përpiqesha të kuptoja se çfarë po ndodhte. Cfarë e kishte revoltuar kaq shumë zonjën e moshuar ? Nuk kuptohej asgjë. Por nuk mund të largohesha andej pa kuptuar shkakun e atij sherri mes dy femrave.

Kur papritur në vendngjarje afohet një burrë i ri, i nxehur fort edhe ai, dhe me hov kërkonte të godiste gruan e re pas fustanit të së cilës fshihej fëmija i vogël.

U kuptua se çfarë po ndodhte. Ishte një skenë tipike dhune familjare.

Gruaja e moshuar e hoqi për një cast vëmendjen nga zonja e re që në fakt sillej qetë dhe me dinjitet dhe u hakërrua në drejtim të burrit që sapo erdhi:

“Edhe ti, ik, të bëj katërqind copash dhe nuk të lejoj më ta kesh grua këtë, kurrë nuk do të sjellësh më në shtëpi këtë rrospije.“

E kuptova që burri i ri ishte djali i gruas së moshuar dhe bashkëshorti i nuses së re pas fustanit të së cilës fshihej fëmija i trishtuar, viktima e pafajshme e këtij sherri.

Burri i ri u eksitua edhe më shumë nga këto fjalë dhe u vërsul ta godiste edhe më fort gruan e tij duke uluritur :
“Edhe mos guxo qelbësirë të kundërshtosh apo të shash nënën time, se ta marr shpirtin, a e morre vesh apo jo!”.
Mos kishin qenë katër policët aty do të ishte derdhur gjak ndofta.

Por, mendova : A ka mundësi shteti që pas cdo çifti t’i vendosë katër policë për të siguruar qetësinë bashkëshortore pra të ruajë rendin në familje? M’u kujtua Konfuci kur shkruante se kur një shteti i duhet të mbrojë marrëdhënien familjare me anë të forcës të ligjit, atëhere nuk është vetëm familja që ka marrë fund, është vetë shoqëria që ka prekur fundin e saj, është shteti që ndodhet në prag të degjenerimit.

Cfarë vura re në këtë skenë gati krimi, gati vrasjeje të amortizuar nga forcat e rendit?

Familja nuk dukej fare e varfër. Të veshur mirë, të qethur dhe krehur mirë. Të ushqyer shumë mirë. Një familje tipike e mesme shqiptare. Asnjë shenjë varfërie.

Cilat ishin karakteristika e kësaj skene dhune që besoj u ka shpëtuar policëve shpirt njeriu që vetëm këshillonin dhe hanin goditje sa nga zonja e moshuar sa nga i biri i saj?

E para, burri eksitohej dhe bëhej i dhunshëm në sytë e nënës, nën vështrimin e nënës. Ai vepronte në kushtet e spektaklit që dhuronte përpara nënës së tij. Dhuna e tij ishte e shtyrë nga të qënurit nën vëzhgimin e një autoriteti moral që priste nga ai të vinte “nderin” në vend. Dhuna në atë çast ishte një akt që kërkonte të vinte në veprim dhe të plotësonte vullnetin paraprak të nënës. Po të hiqej vështrimi i nënës, natyrshëm do të qetësohej edhe furia birësore e dhunës.

Nënë e bir ishin bërë njësh aq sa mendova një cast se ishte furia e incestit të fshehur mes tyre që me impulsin e vet vëzhgues po i transmetonte djalit forcën e errët të krimit ndaj gruas së vet.

Nëna ishte nxehur sepse mendonte hallin e të birit, i biri sulmonte sepse donte të plotësonte vullnetin e nënës dhe të tregohej i denjë në sytë e saj.

Së dyti, gruaja e re reagonte në vetëmbrojtje. Vetëmbrojtja e saj eksitonte edhe më shumë nënën që nga ana e asaj e cyste edhe më fort të birin, e kështu një rreth i tërë vicios, një shkakësi vetëqarkulluese e një dhune që sa vinte rritej.

A është vrasja dhe dhuna thjesht akt i një urrejtje?

Frojdi e ka zgjidhur prej kohe këtë problem. Jo, nuk mund të jetë dhuna ndaj femrës thjesht shenjë e urrejtjes së pastër.

E para sepse urrejtja është gjithmonë e ushqyer nga dashuria. Urrejtja pa dashurinë e fshehur kthehet thjesht në një neglizhencë, braktisje, indiferentizëm ndaj objektit njerëzor të urryer. Një qënie që vetëm urrehet hidhet tej në plehra, braktiset, harrohet, do që të rrish rehat prej saj. T’i ikësh, nuk i “ndyen duart me të”.

Dashuria, thoshte Frojdi, mijra përvoja kishte parë me sy, ka prirje në konjuktura të caktuara të transformohet në urrejtje atëhere kur personin e dashuruar kërkon ta nënshtrosh për ta dashur ashtu sikurse e përfytyron ti vetë atë dhe jo sikundër ai është në vetvete. Dashuria ndaj tjetrit pa kufij i merr atij lirinë dhe maksimumi i marrjes së lirisë është pikërisht dhuna ndaj tjetrit, asgjësimi i tjetrit.

Karakteristika e skenës të krimit të mundshëm ishte edhe fakti se burri po dhunonte edhe fëmijën e vet duke e traumatizuar atë. Ajo ishte pra njëkohësisht skenë dhune ndaj gruas, por edhe një shkatërrim i vetvetes. Tipike për tensionin mes dashurisë dhe urrejtjes që prodhon një sadizëm por edhe mazokizëm pra një shkatërrim të vetvetes në gjendjen e instiktit të pakontrolluar.

Arsyeja nuk funksiononte në ato çaste, burri nuk e kontrollonte më veten e tij, as nëna. Ishte një krim edhe kundër vetvetes.

Jo më kot më vajti ndërmend se një pjesë e krimeve ndaj femrave përfundojnë gjithnjë e më shumë dhe me tentativa vetëvrasjeje, jo më kot kërcënimi verbal bashkëshortor se “do të vras”, plotësohet edhe : “Pastaj do të vras edhe veten!”

Jo më kot pas vrasjes “trimat” kthehen në arësye dhe qajnë për atë që kanë bërë, por që nuk riparohet dot.

Pra, po t’i përmbledhim karakteristikat e skenës së krimit, ato janë dy më kryesoret dhe që shpjegojnë gjithçka.

E para, krimi në formën e një të vepruari skenik, para një spektaktori si autoritet moral që nxit për veprim. Dhuna e burrit ndaj gruas për t’i dhënë spektakël nënës së tij.

E dyta, veprimi nën formën e një sadomazokizmi, pra dhunë e shoqëruar me shkatërrim të vetvetes, në formën e një bashkimi me objektin e dhunës në një botë të përtejme, ku uni dhe tjetri, e mira dhe e keqja, nuk ekzistojnë të ndara, sepse të ndara, ato nuk ekzistojnë, si cdo kontradiktë, veçse si pjella të arsyes.

Atje ku arësyeja përgjumet nën veprimin e fortë të instiktit, pra të energjisë inçestuale, jeta dhe vdekja, uni dhe tjetri, krimi dhe dashuria, urrejtja dhe dashuria humbasin linjat ndarëse dhe bëhen njësh.

Mos arriftë njeriu në atë fazë sepse gjithka gjithkujt mund t’i humbë kontrolli i vetes. Nis ajo që quhet faza e çmendurisë që vjen prej të qenit në rol skenik, pra i vëzhguar nga një autoritet moral që vetëm me sy nxit drejt krimit.

Më duket se pjesa më e madhe e krimeve ndaj femrave bëhet në kushtet kur ekzistojnë spektatorë që vetëm me vëzhgimin e tyre dhe praninë e tyre nxehin gjakrat.

Burri vepron sigurisht nën pulsionin dashuri – urrejtje, gruan e do sikurse ai e mendon atë, pra pa fije kundërshtimi, porse gruaja si qenie me ndërgjegje ka lirinë e vet. Këtu burri luhatet. Në atë çast hyn faktori “spektator” që e shtyn drejt urrejtjes të potencuar sikurse thoshte Frojdi nga një dashuri e errët.

Nëna me autoritetin e vet moral i kërkon djalit ta dominojë gruan e vet, lidhja incestuale shpërthen dhe del jashtë kontrollit. I jati i burrit të dhunshëm, me heshtjen e tij shpeshherë provokative e bën të birin të ndjehet i detyruar të veprojë dhunshëm.

Ky i fundit duhet të ruajë “dinjitetin” e birit para syve të atit, para syve të motrave, vëllezërve, fisit, instikti i hordhisë dhe i tribusë shpërthen dhe kapërcen cdo barrierë dhe digë që u ka vendosur atyre arësyeja.

Kur kjo energji e hordhisë që kërkon unitet shpërthen plas urrejtja kriminale që potencohet edhe nga dashuria sepse e thamë një objekt që vetëm urrehet, nuk preket me dorë.

Nuk është pa gjë në këtë kuptim shprehja popullore : të rreh ai që të do! Urrejtja patologjike ushqehet nga një dashuri patologjike e kuptuar si identifikim i objektit të dashuruar me vetveten, shoqërohet me heqjen e cdo lirie qenies së dashur për të qenë tjetri, si subjekt i pavarur.

Ka që dashurojnë në mënyre të sëmurë tjetrin.

Por, ka edhe dashuri të sëmurë herëpashere të nënave për bijtë e tyre dhe të bijve për nënat, çka bën që ta pësojnë bashkëshortet apo partneret e ardhshme.

Por, ka edhe dashuri të sëmurë herëpahere të etërve për vajzat e tyre apo të vajzave për etërit, çka e pësojnë si presion psikologjik bashkëshortët apo burrat e ardhshëm. E këta të fundit reagojnë dhunshëm ndaj bashkëshorteve të tyre nën vështrimin e “spektatorëve” që i konsiderojnë edhe armiq.

Vrasja e femrës nga burri apo edhe vetëm dhuna është një akt kriminal komunikativ. Ajo kryhet si formë akti skenik, pra para syrit të një grupi spektatorësh që e nxisin patologjinë e pasionit të tij dhe në castin final e bëjnë kriminelin të humbasë mendjen.

Çdo spektakolarizim i konfliktit familjar, pra kthim i tij në një shfaqje para syve të nënës, vëllait, sidomos motrave, edhe vëllëzërve, që as ata nuk janë aq të pafajshëm, të fisit, të vjehrrës, të vjehrrit, të mediave, të shokëve, miqve, nxit dhunën.

Parë kështu burri kriminel është toga e pushkatimit, xhelati, atentatori, ekzekutuesi psikologjik i krimit, kurse porositësi i krimit, shtyrësi në krim, brohoritësit e krimit, nxitësit janë një sërë aktorësh të tjerë familjarë, shoqërorë, mediatikë që me vëzhgimin e tyre, me ahet dhe uhet e tyre, me mimikën dhe sjelljen e tyre, me fjalet e shkëputura vrastare, e nxisin aktorin në skenë të kryejë aktin e vërtetë kriminal.

Romakët bënin kështu me gladiatorët. A nuk kërkojnë politikanët të veprojnë nën efektin e turmave në miting në akte politike spektakël?

Burri kujton se vret në skenë, sepse vret për spektatorin, shpesh potencuar nga një dashuri patologjike dhe po në skenë hakmerret ndaj krimit të bërë, pra hakmerret ndaj spektatorve të dashur që e duartrokasin në fshehtësinë e tyre malinje, duke dëmtuar vetveten.

Ndëshkimi ndaj vetvetes është hakmarrja e tij ndaj spektatorit duke i dëmtuar edhe ata. “Mbani tani fëmijët e mi! Futeni në dhé tani edhe djalin tuaj që ju e vratë duke më shtyrë të vras Doruntinën time! Të poshtër! “
Çfarë duhet bërë?

Hiqni spektatorin hipokrit dhe vrastar që të bjerë intensiteti i dhunës së burrit ndaj gruas!

Kujdes në qendrimin e opinionit spektator ndaj fatit të familjes bërthamë.

Larg duart nga familja e çiftit, prej nënës, atit, vjehrrit, vjehrrës, vëllait, motrës, kunatit, fisit, xhajës, dajës.

Kujdes sidomos me vështrimin! Padashur syri nxit dhunë.

Qeveria vendos t’i nxjerrë nga hotelet, banorët e Durrësit: Nuk na kanë dhënë asnjë lek, s’kemi ku shkojmë

Banorët e Durrësit të mbetur pa strehë nga tërmeti vazhdojnë të jenë konfuzë mbi strehimin e tyre. Prej më shumë se një muaji, ata qëndrojnë në hotele, por me ardhjen e vitit të ri duhet të kalojnë në banesa me qira, duke përfituar nga bonusi që u jep Bashkia.

“Deri tani nuk na kanë dhënë asnjë lek. Na kanë thënë, rrini sa të doni, ne nuk ju largojmë”, thotë një qytetare.

Shqetësimin e kësaj zonje e kanë edhe qindra të tjerë. Të paqartë për rrugën që do të ndiqet duken edhe menaxherët e hotelit. Ata tregojnë se askush nuk ka pranuar të largohet, ndonëse sipas Bashkisë kanë përfituar bonuesin e qirasë.

“Ne na ka ardhur një listë nga Bashkia e Durrësit, e cila specifikon se të gjithë ata banorë që kanë qenë me qira duhet të lirojnë hotelin. Realisht, ne ja kemi kaluar si informacion, por deri tani janë të gjithë të akomoduar këtu dhe ne vazhdojmë shërbimin si në ditën e parë që ata kanë ardhur”, shprehet Eridon Buzi, menaxher i hotelit.

Qytetarët e Durrësit janë të shqetësuar edhe ngarritja e çmimit të qirave në qytet, gjë që ua vështirëson më shumë mbulimin e shpenzimeve përmes shumës që ofron Bashkia.

“Unë e kam mbyllur në datën 31 bonusin e qirasë dhe nuk e di si do të funksionojë. Do të dalë apo jo dhe sa do të dalë”, shprehet një qytetare.

“Mua më ka dalë bonusi, por nuk kam gjetur shtëpi”, thotë një tjetër qytetare.

Autoritetet kishin njoftuar fillimisht se spostimi nga hotelet në banesa me qira duhej të niste që prej 3 janarit, por kjo u shtypa afat./a2cnn

Trump kërcënon Irakun me sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Iraku, përderisa nuk shpaguhen për një bazë ajrore të ndërtuar atje.
Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj rezolutës së miratuar nga parlamenti irakian, i cili i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5 mijë e 200 trupat amerikane që ndodhen aty.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në avionin presidencial të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ajrore “jashtëzakonisht të shtrenjte” që kushton miliarda dollarë.

“Ne nuk largohemi derisa ata nuk paguajnë”, tha ai duke kërcënuar me sanksione “çfarë nuk i kanë parë kurrë më parë”, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të largohen “miqësisht” nga Iraku.

Shtetet e Bashkuara përdorin 12 objekte të ndryshme ushtarake gjithandej Irakut. Presidenti Trump nuk e saktësoi se për cilën bazë po fliste. Parlamenti irakian kërkoi largimin e trupave amerikane, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron në aeroportin e Bagdadit, që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani.

Shumica shiite në parlament votoi për rezolutën nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë atje”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera” nga vendimi i Irakut dhe po presin sqarimin e ligjshmërisë së vendimit. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Irakut të ndryshojë qëndrimin e tij.

“Ne besojmë se është në interesin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Irakut që të vazhdojnë të luftojnë ISIS-in bashkërisht. Kjo administratë mbetet e përkushtuar për një Irak sovran, të qëndrueshëm dhe të përparuar”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku, ranë dakord për rikthimin e trupave amerikane në Irak katër vite më parë për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Kjo ndodhi pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane që kishin ndërhyrë në vitin 2003 për rrëzimin e diktatorit irakian Saddam Hussein.

Rezolutat e parlamentit irakian nuk janë detyruese. Por, kryeministri në detyrë Adel Abdul Mehdi, i kishte kërkuar parlamentit më herët që të merrte masa urgjente dhe t’i jepte fund pranisë së trupave të huaja sa më parë që është e mundur.

Por, ai tha se çdo vendim rreth trupave amerikane duhet të ketë parasysh që interesat kombëtare dhe siguria e Irakut nuk do të dëmtohen. Riyad Muhammad Ali Al Masoudi, anëtar i parlamentit Irakian, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës se “nuk duam të krijojmë një boshllëk politik ose të sigurisë në këtë drejtim.

Ajo që ne duam me të vërtetë, është të ruajmë sovranitetin e Irakut dhe të ardhmen politike të vendit. Ne shpresojmë se kjo marrëveshje do të shërbejë në interes të Irakut dhe nuk do të përdoret kundër Irakut”.

Ndërkohë, udhëheqësi i Hezbollahut pro-iranian në Liban, Sheiku Hassan Nasrallah, mbajti një fjalim të zjarrtë para përkrahësve të tij në Bejrut, duke i kërkuar parlamentit Irakian “të dëbojë Shtetet e Bashkuara”, ndërsa nguli këmbë për hakmarrje pas vrasjes se Soleimanit.

Nuk ndalet Veliaj, pas taksës për banesën rrit taksën e…

Pas taksës së pronës, që nga 100 u rrit mesatarisht në 350 lekë/muaj, banorët kryeqytetas do t’i nënshtrohen një tjetër detyrimi shtesë.

Bëhet fjalë për tarifën e pastrimit, e cila do t’i nënshtrohet një indeksimi të lehtë (siç thuhet në propozimin e bërë nga bashkia). Kjo do të ndodhë në harkun kohor të dy viteve të ardhshme, por nuk përjashtohet mundësia që propozimi të shkojë në Këshill Bashkiak mbledhjen e ardhshme, duke qenë se flitet për “mbushje arke” pikërisht në kohën kur të ardhurat nevojiten më shumë se asnjëherë më parë.

Ky lajm, që me siguri nuk do të pritet mirë nga kryeqytetasit, ka marrë miratimin në parim të këshilltarëve bashkiakë, si një ndryshim në buxhetin afatmesëm 2020- 2022. Kjo argumentohet me diferencën e madhe midis kostos që paguan bashkia për pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve dhe të ardhurave të arkëtuara nga qytetarët për mbulimin e këtij shërbimi, shkruan Panorama.

Veç kësaj, edhe hyrja në fuqi e kontratës së inceneratorit në bazë të PPPsë nga qeveria që po zbatohet nga Bashkia e Tiranës ka imponuar një ndryshim në tarifë. Nga ana tjetër, një lajm i mirë vjen për biznesin e vogël. Ekonomistët e bashkisë kanë menduar ta ulin atë, me qëllim për t’ua lehtësuar barrën e detyrimeve që kanë këta të fundit.

“Për periudhën 2020-2022 janë propozuar ndryshime në tarifën e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, në masën e një indeksimi të arsyeshëm për të mbuluar deri në një masë të caktuar kostot e dyfishuara të ofrimit të shërbimit, si dhe një ndryshim në taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore për të ekuilibruar ngarkesën fiskale të biznesit të vogël me xhiro 0- 2 milionë lekë”, citohet në projektbuxhetin e miratuar në fund të muajit të shkuar.

Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, Bashkia e Tiranës ka parashikuar të arkëtojë në 2020-ën 1 miliard lekë më tepër nga tarifa e pastrimit (nga 2.070.000.000 lekë në 2019, 2.175.320.000 lekë/vit) dhe 50 milionë lekë më pak për taksën e infrastrukturës arsimore, minus ky i ardhur nga subjektet tregtare (860.000.000 në vitin 2019 në 813.571.000 këtë vit).

Të gjitha taksat e tarifat e tjera mbeten të pandryshuara, së paku edhe për dy vitet e ardhshme. Në total, bashkia ka parashikuar të mbledhë 20,325,227,959 lekë, po aq sa ç’parashikon të shpenzojë. Në dy vitet që pasojnë, shifrat janë më të ulëta.

Kryebashkiaku i Lushnjes kthehet në punë, asnjë fjalë për ngjarjen e rëndë në zyrë, akuzon median…

Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u kthye në punë një javë pas atentatit. Pavarësisht se u mundua të shfaqej i qetë, Tushe nuk e komentoi për asnjë moment marrëdhënien e tij me ish-vartësin Gëzim Saraçi, që i hodhi granatën.

Ai nuk komentoi as arsyet që e shtynë këtë të fundit të ndërmerrte atë veprim.

Tushe u shpreh se më shumë se plagët fizike, e kanë lënduar ato që janë shkruajtur në media lidhur me këtë ngjarje të rëndë, e megjithatë tha se, do të linte drejtësinë që të fliste në emrin e tij.

“Po patjetër që ndodhem në punë sot, kalova plagë të lehta, dëmtime të lehta, plagë më të rënda janë ato që shkruhen dhe thuhen në media.

Drejtësia do të vendosë të thotë fjalën e saj për atë që ka ndodhur. Unë u falenderoj për telefonatën, por do të jetë drejtësia që do të vendosë lidhur me të gjithë këtë. Nuk kam pasur kontakte me ish-shoferin tim prej shumë kohësh.

Ju lutem, siç iu thashë dhe pak më parë do të jetë drejtësia ajo që do të flasë për të gjitha, ju falenderoj dhe ju uroj një vit të mbarë”, mbylli komunikimin Tushe, pa një sqarim publik.

Atentati ndaj Tushes ndodhi të martën e 31 dhjetorit, në zyrën e tij, ku mbeti e plagosur më rëndë dhe sekretarja e kryebashkiakut Erisa Qalliu.

Pas ngjarjes ka pasur akuza, veçanërisht nga ana e opozitës, se Saraçi dhe Tushe kanë qenë të implikuar në pazare droge, dhe kjo ka bërë që mes tyre konflikti të degjenerojë në një veprim të tillë.

Ekzekutohet një biznesmen në Tropojë

Pronari i një lokali dhe pike karburanti në Tropojë, Guxim Gjyriqi, 47 vjeç, është vrarë me armë zjarri para lokalit të tij që ndodhet në rrugën e spitalit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme.
Nuk dihen ende rrethanat e vrasjes, as autorët, ndërsa policia nuk ka dhënë ende detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Burime bëjnë me dije se policia ka ngritur disa pika kontrolli për zbulimin dhe kapjen e autorëve, po deri tani nuk ka asnjë të shoqëruar.

Pritet të verifikohen kamerat e sigurisë që mund të ndodhen në zonë si dhe dëshmitarë të mundshëm.

Njoftimi zyrtar i policies

Më datë 05.01.2020, në orën 23:32, në afërsi të karburantit të tij, në lagjen “Partizani”, është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, shtetasi G.Gj., 47 vjeç, banues në qytetin e Tropojës.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, shërbimet e DVP Kukës, dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Gjendet makina e djegur e autorëve
Është gjetur makina e djegur e autorit të dyshuar të vrasjes së Guxim Gjuriqit, ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Partizani në Tropojë.

Burime bëjnë me dije se makina e djegur e tipit “Ford”, e cila ka qenë pa targa, është gjetur në fshatin Golaj të Hasit.

Gjuriqi, i cili kishte në pronësi të tij një lokal dhe një pikë karburanti në Tropojë u ekzekutua me armë mbrëmjen e djeshme në ambientet e biznesit të tij, nga autorë që mbeten ende të paidentifikuar nga ana e policisë.

Policia ka ngritur disa pika kontrolli për zbulimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Gjyriqit, po deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar.

Pritet të verifikohen kamerat e sigurisë që mund të ndodhen në zonë si dhe dëshmitarë të mundshëm.

Sipas dëshmive të para nga ana e banorëve në zonë, Gjyriqi njihej si një person i qetë dhe nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.

Ai ka qenë baba i dy djemve, dhe jeta e tij ishte e përqendruar kryesisht në dy bizneset e tij modeste, me të cilët siguronte dhe jetesën dhe të ardhurat e familjes.