24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Merkel: Nuk ka marrëveshje para majit për çeljen e negociatave

Në një konferencë shtypi (16.01) me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Angela Merkel tha ndër të tjera se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kancelarja gjermane u shpreh pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e vetingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ajo ndër të tjera.

Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane. Merkel tha se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.

Vëzhgues në Berlin llogarisin se nuk do të ketë marrëveshje para samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb, pra, në maj të këtij viti. Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, kishte dhënë sinjale zhbllokimi të qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç (7.01.2020). Plenkoviç e përmendi në Berlin takimin e tij me Macronin, por nuk dha detaje.

Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së. Plenkoviç ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në panairin e produkteve ushqimore, Java e Gjelbër, në edicionin e sivjetshëm të të cilit, Kroacia është vend partner./DW/

Mediat: Padia e Ramës ndaj Haradinajt shkakton zemërim në Kosovë e gëzim në Serbi

Ideja e shkëmbimit të territoreve ka përplasur edhe një herë kryeministrin e Kosovës në detyrë Ramush Haradinajn me homologun e tij në Shqipëri, Edi Ramën. Kryeministri i Shqipërisë të mërkurën paditi Haradinajn për shpifjet që ka bërë ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike ku ka folur për shkëmbime territoresh.

Ky veprim i Ramës ka shkaktuar kundërshtime në Kosovë e në Shqipëri, por gëzim e hare në Serbi, shkruan gazeta “Zëri”.

Të mërkurën, teksa Kosova po shënonte 21-vjetorin e masakrës makabre që forcat policore serbe kishin kryer në Kosovë, në të cilën u vranë 45 shqiptarë civilë, Kosova pranoi një goditje nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Rama në po këtë ditë dorëzoi një kërkesë-padi kundër homologut të tij në Kosovë, Ramush Haradinajt. Përmes kësaj padie ai pretendon se Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij nëpërmjet deklaratave publike, ku ka folur për shkëmbime territoresh.

Një veprim i tillë i Ramës ka shkaktuar reagime në Kosovë e në Shqipëri ku e dënuan ashpër këtë hap, ndërsa në Serbi i janë gëzuar këtij fakti.

Duke folur për këtë padi kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën në mbrëmje deklaroi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në bazë të raportimeve në medie ka deponuar padi kundër tij në gjykatë.

Grabitja/ Maskat dhunojnë dhe i presin flokët të zonjës së shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Librazhd, ku persona të paidentifikuar kanë ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të një familjeje brenda banesës së tyre.

Burimet bëjnë me dije se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.30 në fshatin Marinaj, Njësia administrative Librazhd Qendër, ku disa persona të maskuar kanë hyrë me forcë në banesën e shetasit F. G dhe kanë keqtrajtuar familjarët.

Sipas burimeve, maskat kanë dhunuar të zonjën e shtëpisë, Jetmira Gega, të cilës dyshohet se i kanë prerë edhe flokët.

Bëhet e ditur se, bashkëshorti nuk ishte në shtëpi në momentin që maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj familjarëve.

Policia tha se, po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë me një tentativë për grabitje, apo autorët kanë pasur konflikte të mëparshme me këtë familje.

Ngjarja

Detaje tronditëse kanë dalë në pah nga grabitja e ndodhur në fshatin Marinaj të Librazhdit mbrëmjen e djeshme.

Sipas burimeve të Fax Web, persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e familjes Gega dhe kanë dhunuar familjarët. Mësohet se pre e dhunës ka rënë e zonja e shtëpisë, Jetmira Gega, e cila është edhe shtatzënë.

Ajo ka qenë në shtëpi bashkë me dy fëmijët e saj në momentin që maskat kanë mësyrë brenda. Burimet bëjnë me dije se personat e maskuar kanë dhunuar dhe i kanë prerë flokët Jetmira Gegës. Bashkëshorti i saj nuk ishte në banesë në momentin e ngjarjes, pasi punon roje në një HEC.

Jetmira Gega fillimisht ka njoftuar kryeplakun e fshatit për ngjarjen, ndërsa në banesë janë paraqitur edhe forcat e policisë.

Gega është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i është marrë edhe dëshmia. “Ishin dy burra, ishin të gjatë, mbanin maska. Njëri prej tyre kishte edhe pistoletë”, mësohet të ketë thënë Jetmira Gega.

Shpërthen Paskal Milo: Si mund të dalin deputetë që janë idiotë

“Si mund të dalin deputetë që janë idiotë, e di çdo me thënë idiotë? Që s’dinë të lidhin dy fjalë në parlament dy vjet…”

Paskal Milo ka shpërthyer në akuza në drejtim të disa prej parlamentarëve të rinj në kuvend si dhe në veçanti drejt sistemit aktual zgjedhor.

I ftuar në emisionin Opinion, Milo tha se sistemi aktua zgjedhor ka prodhuar idiotë që s’dinë të lidhin dy fjalë.

Milo: Për mua sistemi më i mirë ishte mazhoritar i korrektuar. Bashkohem me idenë se asnjë sistem nuk është i keq por zbatohet keq. Çdo vend zbaton një sistem që i përshtatet. Në 2008 ne bëmë një sistem të deformuar dhe këto janë pasojat që ka sjellë ai sistem.

Në rast se nuk ç’bëhet 2008 nuk ka stabilitet politik në Shqipëri sepse nuk ke zhdukur vatrën e krizës.

Mazhoritari është më burrëror më i ndershëm, del para popullit të peshon populli. Si mund të dalin deputetë që janë idiotë, e di çdo me thënë idiotë? Që s’dinë të lidhin dy fjalë në parlament dy vjet.

Blendi Fevziu: Të lutem mos fyej idiotët.

Paskal Milo: Ai idioti mua më mund me dollarë.

Kosova injoron Ramën: Padinë ndaj Haradinajt mund ta shqyrtojmë në vitin 2023

Padia për shpifje e Kryeministrit Rama ndaj Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj mund të mbes 3 vite pa u shqyrtuar nëse trajtohet sikur lëndët e tjera. Kështu besojnë analistët e çështjeve juridike të cilët vlerësojnë se Rama po e përdorë padinë për përmirësim të imazhit të tij në Kosovë.

Padia për shpifje e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj Kryeministrit të Kosovës Ramush Haaradinaj e dorëzuar të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës mund të mbes pa u shqyrtuar deri në 2023.

Kështu pohon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Nëse zbatohet praktika e deritanishme dhe nuk privilegjohet lënda e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, atëherë beteja ligjore mes dy kryeministrave do të trajtohet në vitin 2023”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ehat Miftaraj.

Miftaraj i cili ka parë edhe padinë 30 faqëshe tha se përkundër fakteve të prezantuara deklarimet të cilave ju referohet Rama duhen parë si deklarime politike e jo private.

“Këto deklarime politike Haradinaj nuk i ka bërë në cilësinë e personit privat, por i ka bërë si person zyrtar, pra si kryeministër i Kosovës”, shtoi më tej Miftaraj, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq Arton Demhasaj nga “Çohu” vlerësoi se është për keqardhje që ekziston një padi e tillë mes dy kryeministrave shqiptarë.

Shtoi se një padi e tillë nga Rama mund të ketë qëllim përmirësimin e imazhit të tij në Kosovë.
“Kjo padi i jep kohë Edi Ramës të përmirësoj imazhin ose është një tendencë për të përmirësuar imazhin e tij dhe njëkohësisht politikisht për të qenë më korrekt pasi që mund të thotë “Unë kam dorëzuar padinë për ato që thënë Haradinaj dhe nuk deklarohem për këtë çështje por pres vendimin e gjykatës”, deklaroi Arton Demhasaj.

Dëshmitë e paraqitura nga Rama në padinë për shpifje lidhen me deklarimet e 3 muajve të fundit të kryemninistrit në Detyrë për idenë e shkëmbimit të territoreve.

Ndriçim Xhepa rrëfen takimin e fundit me Xhevdet Ferrin në spital

Aktori Ndriçim Xhepa ka folur për Neës 24 për ndarjen nga jeta të kolegut të tij Xhevdet Feri. Ai tha se 59-vjeçari vuante nga një sëmundje pulmonare në mushkëri. Xhepa tha se një ditë më parë i kishte bërë një vizitë në spital dhe se nuk mund ta besonte se ai iku menjëherë. Xhepa thotë se është i pikëlluar pasi rrugëtimin si aktorë e kanë pasur së bashku pasi përkojnë të së njëjtës kohë.

“Nuk është se nuk i kam ditur gjërat që në pranverë. Por besoj se mund të jem personi i fundit nga njerëzit e artit që e kam parë mbrëmë. Unë kur mora njoftimin jo më larg se dje në drekë që nuk ishte mirë. Isha dje deri në 9 në spital. Bënë një tolerancë mjekët, një mjek reanimator. Ndoshta bëra mirë, ndoshta keq pasi e pashë në gjendje të keqe. Mjeku tha që kishte shpresa shumë të vogla.

Më shpjeguan gjithçka, me frymëmarrje të drejtuar. As 24 orë nuk janë mbushur kur e kam parë. Fola sot me të shoqen pasi kishim një dëshirë që Sanatoriumi të bënte një përpjekje, por fundi është siç po bisedojmë dhe s’më erdhi në mendje që do vinte kaq shpejt, brenda 24 orëve.

Ishim shumë miq bashkë, jemi ata aktorë që përkojmë si kohë dhe si moshë. Jemi aktorët e fillimit të punës në teatër, dhe në kinema. Xhoda kontribuoi në shumë filma, është 2-3 vjet më i ri se unë. Kam punuar shumë më tepër me të sesa të tjerët. Kemi qenë tek filmat “Vendimi”, “Dasma e Sakos”, “Delegacioni”, “Treni niset në 7 pa pesë”.

Kemi shkuar bashkë në Përmet kur xhiruam filmin e fundit. Kemi bashkëpunuar edhe tek Universiteti pasi ka qenë dekan i Arteve ndërsa unë isha pedagog i jashtëm. Në 96’ kemi qenë bashkë deputetë në parlament, pavarësisht kohës së keqe kur përkoi dhe pse ishte parlament cilësor.

Në fillimit të dhjetorit jemi takuar, por gjendja spitalore e tij ka qenë shumë pak ditë para vitit të ri. Ky 2-javëshi i fundit ka qenë në spital. Unë kam pasur disa lëvizje, por jemi takuar, e kisha pranë Xhevdetin bashkë me Viktorin. Nuk e di, por nga ana profesionale këta mjekët, mjeku i brendshëm ishte i mrekullueshëm po më thoshte se ishte një nga dy rastet e rralla kur sëmundja godet pulmonet.

Ishte shumë kurajoz, me të vërtetë me bagazh, djalë me shije dhe i lexuar. Jo më kot ka qenë në 3-4 raste si drejtues në art. Me filmin, me teatrin kishte gamë të gjerë, zonë të gjerë mentale, tepër të gjerë. Kur e kam uruar në verë që u bë gjysh e shijoi dhe e mori këtë lumturi nga e bija. Kemi punuar bashkë, kemi jetuar bashkë dhe ka qenë një kënaqësi” – tha Xhepa.

Alarm i kuq në Tiranë…

Prej ditësh, në rrjetet sociale, njerëzit po postojnë të dhënat e aplikacioneve që tregojnë se ndotja në Tiranë është në nivele të pashëndetshme. Një mesazh të tillë e ka postuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, Tirana është kthyer ndër qytetet më të ndotura në planet.

“Tiranën Lal plehu e shndërroi në qytetin ndër më të ndoturit e planetit! Shikoni foton dhe lexoni mesazhin e qytetarit dixhital.

Mirëmbrëma doktor!

Tirana po ia kalon edhe Indisë për nga ndotja e ajrit. Betonizimi në bashkinë e Tiranës dhe fabrikat po kontribuojnë tepër në këtë ndotje”, shkruan Berisha.

Tirana renditej një prej qyteteve më të ndotura në botë, në Indeksin e Ndotjes 2019. Hartuar nga Numbeo, Indeksi i Ndotjes rendit qytete nga e gjithë bota, bazuar në perceptimin e ndotjes që kanë qytetarët për to. Rolin më të madh në përllogaritjen e ndotjes së një qyteti e zë ndotja e ajrit dhe e ujit.

Mes 294 qyteteve, ku i pari renditet qyteti më i ndotur dhe i fundit qyteti më i pastër, Tirana renditet në vend të 38-të. Ndërsa në Evropë, vetëm një qytet është më i ndotur se Tirana, Tetova e Maqedonisë, e cila renditet e dyta në gjithë botën, pas qytetit Akra në Gana.

Krahasuar me një vit më parë, Tiranë u ngjit në renditje me 16 vende, ç’ka do të thotë se ndotja në qytet është përkeqësuar.

Tirana konsiderohet më e ndotur se qytete të mëdha e të mbipopulluar si Bangalore në Indi, Shangai në Kinë, Aleksandria në Egjipt.

Publikohet dokumenti: Edhe Drejtori i Kërkimit Shkencor në Akademinë e Sigurisë, ish-oficer i Sigurimit

Xhavit Shala, sot Drejtor i Kërkimit Shkencor në Akademinë e Sigurisë, ka qenë oficer i përkushtuar operativ i ish Sigurimit të shtetit. Denoncimin e ka bërë ish-kreu i Institutit të të Përndjekurve Komunistë, Agron Tufa.

Denoncimi i Agron Tufës

Xhavit Shala, sot Drejtor i Kërkimit Shkencor në Akademinë e Sigurisë, ka qenë oficer i përkushtuar operativ i ish Sigurimit të shtetit. Shumë i partishëm. I ashpër me “armikun e klasës” edhe pas viteve ’90. Edhe sot Xhaviti udhëhiqet me po ato metoda: riaktivizon bp-të e tij të dikurshëm për të realizuar njëlloj “kombinime”, apo “vijë sjelljeje” kundër armiqve të pushtetit të Ramës. Pra, i ndërsen qentë e tij edhe sot. Kur ISKK dërgoi kërkesën institucionale për t’u informuar në bazë të ligjit mbi praninë e ish oficerëve të Sigurimit në institucione, Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë nuk pranuan ta dorëzonin shokun Xhavit.

Ja një skicë e shpejtë e këtij profili ish-sigurimsi me post të lartë:

E nisi në shkollën e mesme bujqësore me emrin domethënës “Ylli i kuq” Golem. Për një vit, kreu stazhin (periudha para se të shkoje në shkollën e lartë) në kooperativën bujqësore Synej Kavajë. Në vitet 1981-1984 ndjek Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, profili Sigurimi. Në vitet 1984-1988 ishte punëtor operativ i Sigurimit në disa lagje të Elbasanit.

Në Degën e Punëve të Brendshme Elbasan, Xhaviti u pranua kandidat partie. Për t’u thelluar e për t’u bërë një çekist i mirë, iu dha për konspekt libri “Enveri ynë” i shokut Ramis. Në vitet 1988-1990 vijoi detyrën si operativ në zonën e Dumresë, pikërisht aty ku aktiviteti i “armikut” (të internuar) ishte i mprehtë. Në fund të vitit 1990 u transferua në degën e të huajve në DPB Elbasan, dhe në fillim të vitit 1991 u emërua oficer drejtimi në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë.

Sipas nenit 38 të ligjit 12/2018 datë 5.3.2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe punëtorët e tij (oficerët) duhet të largohen nga Policia. Po bëhen disa kohë dhe Xhavitt Shala drejtor në Policinë e Shtetit nuk është larguar.

Për të manovruar, Xhavit Shala ka hapur gjyq për “verifikim fakti” për një vendimmarrje të komisionit të mëparshëm “Mezini” (i cili nuk ekziston dhe as ngjall apo vdes një fakt të njohur), çështja 10237/2019 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në gjyq, Xhaviti ka hedhur Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, ku ka sistemuar me punë bashkëshorten që të ruajë dosjet që ka bërë vetë (!!!). pavarësisht kjo përbën konflikt të fortë interesi, në Shqipëri nuk i ndjek njeri këto gjëra, mjafton të jesh shërbëtor i pushtetit.

Fakti i qenies apo jo të Xhavit oficer është i njohur, nuk ke çfarë t’i vërtetosh. Xhaviti kërkon nga gjykata që të shprehet ajo në vend të komisionit “Bezhani”, duke thënë që Xhaviti nuk ka qenë oficer Sigurimi, në mënyrë që ky të dalë në pension rehat dhe ligji mos zbatohet.

Paradokset dhe oksymoronet e Rilindjes vazhdojnë, duke përfituar nga miopia dhe mefshtësia edhe e pushtetit të demokratëve para Rilindjes!

Reagime në Kosovë pas padisë ndaj Haradinajt: Rama sjellje prej një diktatori

Të mërkurën, kryeministri Rama ushtroi padi me pretendimet se kryeministri në largim Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit të shkaktuar. Në padinë të bërë publike nga emisioni “Betimi për Drejtësi” thuhet se deklaratat janë bërë në kuadër të debateve rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që, në parim, siç thuhet në padi, do të duhet të rezultojë në një marrëveshje reciprokisht të detyrueshme për të dyja palët dhe njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve.

Publicisti dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi thotë për Zërin e Amerikës se padia është për keqardhje dhe është në vazhdën e përshkallëzimit të moskuptimeve si dhe hapje e një teme të panevojshme.

Milazim Krasniqi

“Tema e tillë krijon në radhë të parë vet dëshpërim te shqiptarët por edhe çdo konflikt ndërmjet Kosovës e Shqipërisë rrezikon dobësimin frymës Atlantike dhe evropiane dhe mund të inkurajoj qarqet pan-sllaviste ruse që të penetrojnë më shumë në rajon, në këto hapësira prandaj po them se e shoh si një arrogancë, si një egoizëm pothuajse pervers i cili nuk i ka hije një kryeministri të shtetit shqiptar”,tha ai.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, thotë se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të dyanëshme, njëra që lidhet me bashkëpunimin e qytetarëve dhe tjera politike dhe institucionale që aktualisht po ndikon në uljen e ndikimit shqiptar në rajon.

“Me atë që dje pamë, padinë që e ushtroi kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama kundër (Ramush) Haradinajt është kulmi i një hipokrizie politike. Diçka të tillë kurrë nuk kanë parë as vendet ballkanike në mes veti që të padisin kryeministrat, ani pse ka pasur kontekste vazhdimisht në mes tyre, e leje më që të dal me një padi për tradhti. Kjo është edhe ajo që në kohën kur dje u shënua masakra e Reçakut, një masakër që pastaj i parapriu ndërhyrjes të NATO-s, u shënua nga e gjithë bota, u shënua edhe nga aleatët, ndërkohë që Shqipëria jo vetëm që nuk e shënon por kryeministri i saj i bën padi kryeministrit në detyrë Haradinaj, i cili përkundër qeverisjes së tij e cila nuk mund të quhet e kënaqshme, megjithatë ka treguar një stabilitet së paku në disa kundërvënie të disa kërkesave të Serbisë”, tha ai.

Zoti Buxhovi thotë se Tirana zyrtare kohëve të fundit është afruar me Beogradin zyrtar duke anashkaluar problemet me të cilat përballet Kosova kundrejt Serbisë. Ai thotë se kjo sjellje e Tiranës zyrtare mund të ketë pasoja

Jusuf Buxhovi

“Megjithatë uroj që politika e Kosovës të mos sillet aq papërgjegjshëm siç po sillet ajo e Tiranës, por edhe ajo e Tiranës mund të thuhet se gjatë këtyre 10 apo 15 vjetëve të fundit krahas kësaj sjellje që mund të quhet edhe vandale që është pasqyruar dje me këtë padinë që i bëri zotit Haradinaj, ajo në të njëjtën kohë ka pasur edhe lëvizje të dëmshme përgjithësi për politikën shqiptare në Ballkan. Edhe ajo çka është më e rëndësishme për shembull te (Edi) Rama është sjellja prej një diktatori në raport me demokracinë atje. Ne e dimë që në dy vjetët e fundit se Shqipëria po përjeton një rilindje të një diktature të shteti një partiak, ky model do të thotë është ai që mund të jetë shumë i dëmshëm dhe të ndikoj që edhe autokratët e ardhshëm në Kosovë por edhe axhamitë tjerë me të cilët politika e Kosovës është me plot e për plot ta marrin si model atë të Shqipërisë dhe t’i trimëroj në një farë mënyre sjelljet e tilla. Prandaj në këtë aspekt mendoj se sjellja e papërgjegjshme e Tiranës është një akt anti-historik”,tha zoti Buxhovi.

Ndërsa, publicist Milazim Krasniqi thotë se padia e kryeministrit Edi Rama është rrjedhojë e përpjekjes për të mbuluar projektin e mini-shengenit ballkanik.

“Pra, padia është në këtë kuptim dhe ai e ka kuptuar sipas të gjitha gjasave që Kosova nuk mund të tërhiqet për kapistalli ashtu siç ai e ka menduar në marrëveshjen me (Aleksandër) Vuçiçin dhe tash përpiqet ta zhvendosë temën te një kontest gjyqësor, por mbetet shija e hidhur e një aventurizmi që ka provokuar Edi Rama me këtë lojë me Vuçiçin dhe jam i bindur që asnjë qeveri e Kosovës nuk do të jetë e gatshme që të pranojë këtë skemë e cila thash që e faktorizon Serbinë që është vrima e zezë gjeo-startegjike në zemër të atlantizmit”, tha zoti Krasniqi.

Marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave u përkeqësuan përgjatë vitit 2019 dhe se polemikat në distancë ndërmjet tyre janë përsëritur disa here.