13.5 C
Tirana
E premte, 30 Maj, 2025

“Marcelo më ka paralajmëruar: Këtu një ditë je Pele, ditën tjetër nuk luan”

Vinicius është i vetëdijshëm se për të luajtur në Madrid, duhet të jetë i qetë dhe gjithmonë të japë maksimumin.

Vinicius Junior nuk po gjenë minutat e duhura me Zinedine Zidanen në stol, madje para tij po luan edhe Rodrygo, 18-vjeçari Brazilian.

Sido që të jetë, Vini është paralajmëruar nga Marcelo për gjithcka dhe për këtë, është i qetë.

“Unë jam i qetë, gjithmonë do të punoj. Jam ky që jam cfarëdo që ndodh, i qeshur”, u shpreh Vini.

“Marcelo tashmë më ka paralajmëruar; këtu një ditë je Pele, ditën tjetër nuk luan, qëndron në stol”.

Ankesa e Vidal për shpërblimet, reagon Barça…

Drejtuesit e Barcelonës janë të bindur se personi përgjegjës për konfliktin e krijuar nga ankesa për mospagim të paraqitur nga Vidal dhe i refuzuar nga komisioni i përbashkët AFE-LFP, nuk është lojtari por agjenti i tij, Fernando Felicevich.

Një lëvizje kjo, sipas të gjitha gjasave, për të provokuar “divorcin” e Arturo Vidalit me klubin katalan në këtë merkato dimërore.

Duhet theksuar që Komisioni i Përbashkët AFE-Liga, pasi ka analizuar faktet, nuk ka pranuar kërkesën prej 2.4 milionë eurosh nga Arturo Vidal si shpërblime nga sezoni i kaluar. Mesfushori kilian ka mundësinë të shkojë në gjykatat e zakonshme.

Barcelona ka qenë gjithmonë e qetë për këtë rast, që kur u zbulua nga mediet. Barça argumentoi se Vidal nuk kishte arritur 45 minuta në 60% të lojërave të luajtura, por 51.66%. Ankimin e konsideron një manovër e qartë për të shtyrë largimin e tij, pasi menaxheri i futbollistit synon të përfitojë një shumë të majme parash si komision nga shitja e tij e mundshme tek Interi.

Barcelona pohoi se nuk i detyrohet qoftë një euro kilianit dhe se pretendimet e tij janë rezultat i një keqinterpretimi të klauzolave të shumta që ekzistojnë në kontratën që ai nënshkroi me klubin gjatës verës së vitit 2018.

Media britanike: Pse u bë “një sy qorr” për…

Daily Mail i rikthehet vrasjes së bujshme të Flamur Beqirit në Londër në vigjiljen e krishtlindjes përpara familjes së tij, me një artikull i cili titullohet “ A e ka mbyllur Britania njërin sy përpara këndit të lojrave të një gangsteri në pragun e derës së familjes mbretërore?”.

Lordi shqiptar i drogës, thotë e përditshmja britanike u vra vetëm pak metra larg shkollës së princit George dhe princeshës Charlotte. Goditja e 36 vjecarit u krye me efikasitet të pamëshirshëm, vazhdon shkrimi, tamam si në një nga ato ekzekutimet që shihen nëpër filmat e Hollivudit.

Beqiri, që e përshkruante veten si producent muzikor, po ecte me të shoqen dhe djalin e vogël pranë shtëpisë së tij luksoze në njërën prej lagjeve më të lakmuara të Londrës, Battersea, kur atentatori i armatosur u shfaq papritur duke qëlluar mbi të pesë herë: një pjesë e plumbave e goditën në kurriz, por agresori nuk u mjaftua me kaq: si për tu siguruar plotësisht, u afrua, dhe e goditi edhe me një plumb në kokë.

Beqiri mbeti i shtrirë në një pellg gjaku, ndërsa e shoqja, Debora Krasniqi, thërriste për ndihmë. Emigranti me origjinë shqiptare vetëm përpara një dekade ishte përmendur si njëri prej njerëzve më të kërkuar në Suedi, vendi ku praktikisht qe rritur, e ku rezultoi të kishte qenë kreu i një bande ndërkombëtare të trafikut të marijuanës.

Ai u arratis për dy vjet, por në fund u vetëdorëzua në policinë suedeze, ku pas një ndalimi të shkurtër dhe disa lojërave të çuditshme ligjore, akuzat për trafik droge u rrëzuan, dhe në fund, u padit vetëm për ca shkelje më të vogla, cka e lejoi t`ia hidhte paq vetëm me një dënim të pezulluar dhe një gjobë.

Sipas disa burimeve të cituara nga Dailymail, Beqiri dhe bashkëpunëtorët e tij iu rikthyen tregtisë së tyre kriminale, por u gjend në mesin e një grupi të bandave rivale. Situata u përshkallëzua dhe një prej miqve të tij u vra.

Kur ndodhi kjo, Beqiri ishte zhvendosur tashmë në Londër. Ai u bë që në 2015-tën rezident në kryeqytetin britanik, por edhe këtu kishte vazhduar të merrte kërcënime me vdekje. 36 vjeçari ishte një djalë simpatik e shumë elegant, dhe kishte qasje ne rrethe të larta shoqërore.

Por përse e lejoi ministria e brendshme, shkruan gazeta, këtë person me precedent penalë, që njihej për lidhjet me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, të shpërngulej në Mbretërinë e Bashkuar?

Nga mendonin autoritetet që vinin paratë e tij, me të cilat financonte një jetesë tejet luksoze, vazhdon artikulli, dhe përse u lejuan ai, dhe bashkëpunëtorët e tij që të krijonin një rrjet biznesesh të errëta në Angli, përmes të cilave lëviznin sasi gjigante parash.

“Dorëzohet” edhe Mourinho: Eriksen mund të largohet që në janar

Christian Eriksen mund të largohet që në janar nga Tottenhami.

Nuk është thjesht një indicie gazetareske, siç ka ndodhur në vazhdimësi gjatë muajve të fundit, por një pohim i trajnerit të “Spurs”-ave, Jose Mourinho.

Portugezi, në një konferencë për shtyp dy ditë para përplasjes me Middlesbrough nq FA Cup, deklaroi:

“Sot, Eriksen ka tre opsione: mund të gjejë marrëveshjen me një klub për fundin të sezonit, të largohet në janar ose të qëndrojë.”

Pra edhe vetë Mourinho e ka të qartë që nuk mund ta mbaje me zor danezin, pavarësisht se i kanë ofruar rinovimin e kontratës me një pagë “faraonike”. Shitja në janar është një mundësi, edhe pse jo idealja, për të mos e humbur në verë me parametër zero. Në këtë rast, klubet që interesohen për shërbimet e tij, do ta “rrëmbenin” për një shifër rreth 20 milionë euro, shumë më pak se vlera e tij.

Real Madridi, PSG, Juventusi dhe Interi janë vënë në garë për të bindur futbollistin. Në janar apo në fund të sezonit, ankandi për Eriksenin tashmë është hapur.

Haradinaj: S’e kuptoj përse Edi Rama është nervoz ose…

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj tha në një intervistë për SYRI TV se nuk e kupton pse Edi Rama bëhet nervoz dhe fyen.

“Tani është vështirë me hy në thelb të asaj se përse kryeministri Edi Rama është nervoz ose përdor një fjalor edhe fyes ndoshta, po është me rëndësi me shpjegu se Kosova ka një politikë bilaterale me Serbinë, pra konteksti është mosnjohja, dhe ne e kemi një ofertë për Serbinë për njohje, në kundërvlerë të saj edhe heqjen e taksës. Ideja e Mini-Shengenit, pra qarkullimi i lirë i mallrave pa pengesa do të nënkuptonte edhe heqjen e taksës”, tha Haradinaj.

Më tej ai lëshoi një ‘thumb’, kur tha se, AAK do të kalojë në opozitë, pasi i ka dhënë demokracisë një ndihmë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka fituesi i zgjedhjeve, pra Vetëvendosja. Ne i kemi dhënë të gjitha përkrahjen demokracisë me shpalljen e zgjedhjeve, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta, tani varemi nga fituesi i zgjedhjeve, a do ta gjejnë formulën për të krijuar qeverinë. Jemi parti politike opozitare si AAK, do ushtrojmë funksionet tona opozitare. Nuk flasim për numra, flasim për kauzë. Nuk e kemi kauzë pjesëmarrjen në qeverinë ‘Kurti’”, tha Haradinaj.

Ai tha se, nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, ka përfituar Shqipëria e cila ka rritur eksportet me Kosovën. Haradinaj tha se, duhet hequr taksa e Rrugës së Kombit.

Avokati i Popullit padi ndaj Ardian Dvoranit, ja çfarë shkeljesh janë denoncuar

Pas presidencës edhe Avokati i Popullit ka paditur kreun e Këshillit të Emërimeve në KED Ardian Dvorani, pasi kundërshton mënyrën sesi ka vepruar institucioni që ai drejton për listat e vakancave për në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Në ditën e fundit të vitit 2019, në 31 Dhjetor, Gjykata Administrative e Apelit ka regjistruar padinë e Avokatit të Popullit, kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Objekti i padisë është shfuqizimi i neneve të caktuar në disa vendime të KED-së, që lidhen me procedurat e shqyrtimit, diskutimit dhe dërgimit të listave drejt institucioneve të emërtesës për vendet vakante në Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykata Administrative e Apelit njofton se e ka regjistruar çështjen dhe shorti për shqyrtimin e saj ka përzgjedhur gjyqtaren Enkelejda Softa (Metaliaj).

Momenti më i rëndësishëm në padinë e Avokatit të Popullit është kërkesa për shfuqizimin e pikës 80 të Vendimit nr.5 datë 2.04.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykaten Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Rradhë të gjata në Muriqan, qytetarët: Tmerr dhe torturë për të kaluar kufirin (Foto)

Edhe në doganën e Muriqanit qytetarët qëndrojnë në radhë për të kaluar kufirin. Qindra qytetarë po lenë vendin pas festive dhe po kthehen në vendet e punës jashtë shtetit por po përballen me radhë të gjata në pikat kufitare,.

Në doganën e Muriqanit qytetarët shprehen se po qëndrojnë në radhë më shumë se dy orë në të ftohtin e acartë.

“Kemi dy orë në radhë në makinë. Tmerr dhe torturë. Fëmijët e vegjël nuk po e durojnë më të ftohtin. Nuk është marra asnjë masë për të shtuar sportelet që të mos ketë radhë. Askush nuk na jep përgj9gje pse është krijuar kjo situatë”, shprehet një grua.

Edhe në pikat e tjera kufitarë vijon fluksi dhe radhët e gjata.

Ndarja nga jeta e ish-deputetit të PD, Basha: Ali Gripshi, një luftëtar i paepur për drejtësi shoqërore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllimet familjes pas ndarjes së papritur nga jeta të Ali Gripshit, ish-deputet dhe aktivist i degës së Peqinit. Basha shkruan në një postim në Facebook se, Ali Gripshi ishte shembulli i qytetarit të angazhuar që për dekada me radhë u shndërrua në frymëzim për dije e respektimin e të drejtave të njeriut.
Postimi i Bashës

Mbrëmë u nda nga jeta Ali Gripshi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe një prej aktivistëve kryesorë të degës së Partisë Demokratike të Peqinit.

Një luftëtar i paepur për drejtësi shoqërore, Ali Gripshi ishte shembulli i qytetarit të angazhuar që për dekada me radhë u shndërrua në frymëzim për dije e respektimin e të drejtave të njeriut.

Breza të tërë të qytetarisë së Peqinit u rritën me pedagogjinë e Ali Gripshit, me iluminizmin dhe atdhedashurinë që ai përçonte edhe në kohën e diktaturës, kur varfëria synonte tjetërsimin e njeriut dhe shndërrimin e tij në një skllav të regjimit.

Pas rrëzimit të diktaturës Ali Gripshi u rreshtua në vendin që meritonte dhe që i takonte. Me themelimin e Partisë Demokratike në Tiranë, ai ishte i pari në Peqin që mori teserën e PD, ishte drejtues i grupit nismëtar që krijoi degën e PD në Peqin dhe u zgjodh kryetari i parë i saj në Janar të 1991, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të parë Kombëtar të PDSH.

Me kontributin e Gripshit, forcat demokratike regjistruan një fitore të thellë në Peqin, duke e rreshtuar atë plot meritë ndër bastionet e PD-së. Si një kurorëzim normal i këtij angazhimi shoqëror, erdhi edhe zgjedhja e Ali Gripshit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 1996.

Qytetarët e Peqinit kujtojnë përpjekjet e gjithanshme të Ali Gripshit për zhvillimin e zonës, jo vetëm në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Arsimore, por kryesisht në funksionet e një prijësi, e një kryeplaku të vërtetë, i cili diti të kontribuonte që në qytet të mos rikthehej padrejtësia, e çfarëdo forme qoftë ajo.

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur për thuajse 3 dekada në radhët e saj Ali Gripshin dhe ka gëzuar kontributin e pashoq të mësues Gripshit, Nderit të qytetit të Peqinit.

Mendimet dhe lutjet e mija janë me 3 vajzat e Aliut dhe të gjithë të afërmit dhe miqtë e Aliut. Me humbjen e tij të parakohshme, ato humbën babanë e tyre të shtrenjtë, familja njeriun e saj më të dashur dhe PD aktivistin e pashoq.

Përpjekja për një shoqëri më të drejtë, për një Peqin të arsimuar e një Shqipëri të zhvilluar është një detyrim për Partinë Demokratike, por edhe një homazh për kontributin 30 vjeçar të Ali Gripshit në radhët e saj.

U prehtë në paqen e përjetshme.

I paharrueshëm qoftë kujtimi i tij!

Pas miellit, qumështi nga Serbia pushton tregjet shqiptare!

Ka mjaftuar vetëm klima e pozitive e bashkëpunimit Serbi -Shqipëri që artikujt serb të qumështit, miellit, etj., të “pushtojnë” tregjet shqiptare. Pas importit të miellit me çmim të lirë dy vite më parë, këtë vit kanë vërshuar në tregjet shqiptare 4,6 tonë qumësht bruto nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare.

Prodhuesit bëjnë thirrje se qeveria shqiptare paralelisht me bisedimet për lehtësimin e tregtisë duhet të mendojë të bëjë ekonominë e saj më konkurruese.

Në sfond të bisedimeve për “Minshengin” ballkanik vendi ynë ka nisur të vuajë pasojat në fushën e tregtisë, dhe pse kushtet e lehtësimit tregtar ende nuk kanë ndodhur. Pas vërshimit të miellit serb me çmim të lirë që çoi gati në faliment fabrikat e miellit në Shqipëri më 2017-ën, një kërcënim tjetër ka nisur këtë vit. Tonelata me qumësht të pasterizuar po importohen nga Serbia dhe shtete të tjera fqinjë për llogari të fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit në vend. Arsyeja se pse fabrikat shqiptare po importojnë qumështin e papërpunuar nga Rajoni lidhet me çmimin e lirë, sidomos në Serbi, pasi atje subvencionohet i gjithë procesi i prodhimit blegtoral.

Gjatë nëntëmujorit 2019, importet e qumështit të papërpunuar arritën në 13 mijë tonë sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo sasi është sa 9 për qind e prodhimit të qumështit, që u grumbullua vitin e kaluar nga fermat shqiptare. Mbi 40 për qind e kësaj sasie u importua nga Serbia.

Më herët, administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.

Ndërsa bizneset prodhuese në vend janë alarmuar nga konkurrenca, që po vjen nga Rajoni, pak ditë më parë në Tiranë u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet Kryeministrave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për krijimin e një zonë “Minishengen” në themel të së cilës do të jetë lehtësimi i tregtisë, duke hequr barrierat doganore për mallrat e shërbime.

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçic në konferencën përmbyllëse pas takimit të Tiranës tha se, kishin diskutuar se si të zhvillojmë tregtinë, të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe gjithashtu edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve. Gjithashtu Kryeministri Rama tha se vendet janë angazhuar ndër të tjera të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Takimet e tre kryeministrave nuk po zhvillohen nën koordinimin e axhendës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është edhe institucioni koordinues i nismës së Berlinit për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por zonja Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e këtij institucioni, pohoi se mbështet çdo propozim nga vendet e Ballkanit Perëndimor që është konform axhendës rajonale për integrim në BE.

Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë tha se nuk ishte i qartë për qëllimin e takimeve në kuadër të Mini Shengenit. Ai tha se çdo nismë që vjen jashtë kornizës së iniciativës së Berlinit është demagogji dhe nuk i shërben integrimit të vërtetë të Rajonit. Por, para se të negociohet për lehtësim të tregtisë dhe tarifave, qeveria shqiptare duhet të jetë e qartë për të mbrojtur prodhimet e saj sidomos në sektorin e agropërpunimit.

Jaka tha se aktualisht Serbia e subvencionin tërësisht ciklin e prodhimit në bujqësi dhe agropërpunim, teksa kujtoi se qeveria ka akorduar vetëm 4 milionë euro subvencione në bujqësi këtë vit. Të njëjtin shqetësim ka edhe Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Prodhuesve, i cili thotë se Serbia i nxit bizneset e veta në strukturën e kostove dhe kjo është një arsye se pse qumështi serb, p.sh është më i liri në rajon. Ai shton se aktualisht qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Shkodra thotë se ekonomia shqiptare dhe bizneset janë shumë të pastrukturara nga brenda, ndërsa ata janë shumë më përpara dhe kjo na bën ne humbës, në rast të një hapjeje të mëtejshme të tregtisë.

Zonja Bregu thotë se lehtësimi i tregtisë është një tjetër çështje e rëndësishme e Zonës Ekonomike Rajonale. 43% e eksportuesve e konsiderojnë administrimin doganor dhe procedurat e tregtisë si një barrierë të moderuar ose të madhe. Shpeshherë kamionët presin midis 7 dhe 48 orë në kufij si pasojë e procedurave doganore. Kostoja administrative për eksportet në 6 vendet e Ballkanit perëndimor varion nga 65 dollarë amerikanë në Shqipëri deri në 232 dollarë amerikanë në Kosovë.

Pas miellit vërshon qumështi më çmim të lirë nga Serbia

Nga janari në shtator u importuan nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare 4,6 tonë qumësht i pasterizuar, duke zënë 38 për qind të totalit të importeve të qumështit me një vlerë mbi 2 milionë euro. Importues ishin fabrikat më të mëdha në vend, që e përdorën këtë produkt si lëndë të parë.

Produktet e Qumështit përbëjnë edhe kategorinë më sasinë më të lartë të importit në grupin e produkteve bulmetore, me një vlerë totale prej 6.1 milionë eurosh. Peshën kryesore e zë importi i nga Serbia me 38%, nga Italia me 30%, nga Bosnja 11% dhe Maqedonia e Veriut 9.7%.

Çmimet e Qumështit nga vendet e Rajonit Janë shumë më të ulëta krahasimisht me koston e përpunimit të qumështit në vend, duke bërë që industria e përpunimit të qumështit të kërkojë lëndën e parë nga Rajoni, duke ushtruar një konkurrence të fortë për fermerët vendas.

Në vitin 2018 prodhimi i qumështit arriti në 138 mijë tonë, ndërsa këtë vit importet e qumështit ishin 13 mijë tonë deri në shtator ose mbi 8 për qind e totalit.

Sipas të dhënave nga doganat, të përpunuara nga Monitor, qumështi nga Serbia kishte vlerën më të lirë në raport me 15 vende të tjera, nga ku importohet ky produkt. Një kilogram qumësht u faturua me 47 lekë për kilogram, e ndjekur nga Kosova me 57,6 lekë për kilogram, Bosnja me 61 lekë për kilogram, Maqedonia me 62 lekë për kilogram.

Çmimin më të lartë e kishte qumështi i importuar nga Belgjika me 291 lekë për kilogram, Britania me 203 lekë për kilogram, Bullgaria me 178 lekë për kilogram. Importet më çmim ë lartë ishin në sasi të vogla.

Burimet nga tregu pohuan se importet e qumështit nga Serbia kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit. /MONITOR

Ndahet nga jeta në moshën 50-vjeçare ish-deputeti i PD

Ish-deputeti i PD, Ali Gripshi u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Gripshi ndërroi jetë të premten pasdite duke mos arritur t’ia dilte ndaj sëmundjes së rëndë.

Gripshi ka qenë nga deputetët më aktivë të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit në vitet e para të Demokracisë.

Gripshi ka qenë në periudha të ndryshme një nga drejtuesit kryesor në institucionet lokale dhe deri para disa kohësh ka mbajtur edhe postin e sekretarit të degës së PD për Peqinin.

Ai mbante edhe titullin ‘Qytetar Nderi’ i Peqinit.