37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ndahet nga jeta intelektuali i mirënjohur, PD Shkodër i shpreh ngushëllimet familjes së Prof. Lukës

Intelektuali i mirënjohur shkodran, David Luka është ndarë nga jeta një ditë më parë. Lajmin e ka bërë të ditur Radio Vatikani, ku Luka ka qenë bashkëpunëtor prej vitesh.

David Luka, nje personalitet i arsimit shqiptar për shumë vite si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër rreth viteve 80 pasi për shumë vite ka punuar si i dëbuar nga regjimi si punëtorë në Mamurras.

Kryeredaktori i parë i gazettes “Shkodra”, gazeta e parë opozitare në vitin 1991 pas gazetës “RD”. Drejtor i Radio Shkodrës për disa vite pas vitit 1992, më pas Pedagog i gjuhës shqipe me titull Profesor Doktor në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës.

Prof. Luka ka një kontribut të vyer në shkencën e gjuhësisë dhe autor i një sërë veprash në këtë fushë.

Partia Demokratike dega Shkodër i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Prof. Lukës.

Edhe Redaksia në gjuhën shqipe e Radio Vatikanit dhe e gjithë familja shumëkombëshe e Radio Vatikanit – Vatican News, ka shprehur ngushëllimet për familjen Luka.

Të gjithë anëtarët e redaksisë shqipe dhe të familjes së madhe të Radio Vatikanit – Vatikan News, bashkohen në lutje drejtuar Zotit me kolegen Ana Luka dhe familjen e saj, për ndarjen nga kjo jetë të vëllai të dashur Prof. Dr. David Luka, i cila ndërroi jetë sot në Shkodër, i rrethuar nga djali, motra dhe familjarët e dashur. Dha shpirt në ora 15.00 në krahët e motrës, Anës.

Duke kërkuar nga Krishti Gjallë ngushëllimin e krishterë, Anës dhe familjarëve në zi, u sigurojmë afërsinë tonë shpirtërore e vëllazërore, e të bashkuar në lutje i kërkojmë Zotit të jetës ta pranojë vëllain e dashur Davidin në gëzimin dhe paqen e bashkimit të amshuar me Të.

Prof. Dr. David Luka, gjuhëtar e pedagog i Universitetit të Shkodrës, qe një burrë, vëlla, babë i mirë e bujar. Qe dashurues e studiues i shquar i gjuhës shqipe. Të shumta shkrimet e vepra kushtuar gjuhësisë Tërë jetën ia kushtoi e dhuroi Zotit, familjes e kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë gjuhës së ambël e të fjalëve shqipe, la pas djalin dhe shumë nipa.

Prof. Dr. David Luka i lindun me 15. 05. 1935, kreu shkollën pedagogjike n? Shkodër e ma pas Universitetin e Tiranës, dega gjuh?-letërsi. Shërbeu si mësues nga Tepelena, në Kukës e së fundi në Shkodër si drejtor i Radio Shkodrës e mandej si pedagog pranë Institutit Pedagogjik të Shkodrës, me titullin Doktor Profesor. La pas ma se 17 vepra e qindra shkrime, kryesisht në fushën e gramatikës historike.

Funerali i Prof. Dr. David Lukës mbahet sot më 14 janar në ora 15.00 në Shkodër. I përjetshëm kjoftë kujtimi yt, o i lumtuni dhe i paharruemi vëlla David!

Raporti i OKB për shpopullimin e Shqipërisë, reagon Meta: Ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të Organizata e Kombeve të Bashkuara. OKB në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka rishikuar në ulje me 30-40% pritshmëritë se sa persona do të mbeten në një vend deri në vitin 2100.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shprehet se ky është “rreziku i vërtetë rus” që i kanoset vendit dhe bën thirrje për dialog politik mes palëve.

“Kambanat e alarmit po bien! Stop shpopullimit të Shqipërisë! Ky është ‘rreziku i vërtetë rus’ që i kanoset vendit! Kjo është sfida më madhore që kërkon urgjent dialog, zgjidhje, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët!

9 kushtet e Bundestagut janë harta e rrugës së Shqipërisë europiane! Koha është tani! Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë”, shkruan kreu i shtetit.

Kreu i shtetit ka qenë koherent në deklaratat e tij lidhur me largimin e shqiptarëve nga Atdheu, duke shprehur shqetësim herë pas here.

Preç Zogaj për vrasjen në Paskuqan: “Gruaja kishte bërë denoncim, e ka vrarë policia”

Mbrëmjen e sotme në “Opinion”, mbi diskutimin për dy vrasjet që tronditën vendin ditët e para të janarit, analisti Preç Zogaj, është shprehur se dënimi i autorëve duhet të jepet me rreptësinë më të madhe.

Duke folur mbi krimin e rëndë të ndodhur në Paskuqan ku kunati vrau kunatën e tij, në banesë, Preçi tha se vrasësit e grave duhet të ndëshkohen rëndë, ndërsa shkoi më tej kur tha se nëse një gruaje i jepet urdhri i mbrojtjes, asaj duhet t’i jepet edhe një armë për t’u vetëmbrojtur si dhe t’i ofrohen kurse për qitje.

“Nëse kjo ka bërë denoncim dhe s’ka asnjë reagim, këtë e ka vrarë policia. Nëse policia i ka marrë kështu si sa për të kaluar radhën, se kështu lindin tragjeditë… unë nuk e di si zbatohet urdhri për mbrojtjen, por nuk mund të lihet kështu, se ka njerëz parahistorik, atëherë unë them që kujt ‘i jepet mbrojtja, duhet t’i jepet edhe arma gruas, edhe kurs për të bërë qitje, që të vetëmbrohet. Po si do ta zgjidhësh? Me edukim? ”, u shpreh Preçi.

Blendi Fevziu: Nëse kunati do ta dinte që kishte pistoletë mbi tavolinë, mund të mos i shkonte…

Preç Zogaj: Nuk po them të lejohet armëmbajtja pa lejë, unë po them që bashkë me urdhrin e mbrojtjes, t’i thuhet gruas urdhëro dhe armën, të bëhet edhe një kurs, se si do ta zgjidhësh? Do presim të edukohen?!

Mira Kazhani: Ajo zgjidhet duke mos u dhënë amnisti burrave vrasës…

Denada Toçe: T’i mbrojnë këto gra duke i futur nëpër qendra…

Preç Zogaj: Nuk po them që policia nuk mund të ndjekë sa maniakë ka këtu, se një budalla kthen nja dy gota dhe thotë po shkoj ta vras, duhet të jemi realistë.

Blendi Fevziu: Dhe Ministri i Brendshëm tha që s’mund të çoj polic në çdo krevat bashkëshortor, se ai e vret në krevat atë. Po rastet kur burri e vret gruan në shtëpi? Se kjo lidhet me mendësinë që burri gruas i bën ç’të dojë…

Preç Zogaj: Po ta dijë që ka armë, nuk shkon…

Alibeaj tregon provat për dy prej kryebashkiakëve të Ramës…

I ftuar me Enkel Demin në emisionin ABC-ja e mëngjesit, ishte ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe juristi Enkelejd Alibeaj, i cili foli në lidhje me verifikimet që PD po bën për të gjithë kryebashkiakët në vend.

Sipas Alibeajt, indiciet se këta persona janë të inkriminuar, vijnë nga publiku, ku më pas kalon në filtra të tjerë verifikimesh.

Po ashtu Alibeaj tha se kryebashkiaku i Mallakastrës, përpara 1 muaji e gjysmë, ka shkuar vetë në Greqi për të tërhequr dosjen penale.

Në lidhje me kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Alibeaj tha se ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj po mban dosjen e tij në sirtar për të vonuar procesin.

Pjesë nga biseda në studio

Enkelejd Alibeaj: Ne kemi nisur realisht verifikimet për të 60 kryebashkiakët, nga verifikimet e para, rezulton deri më tani të jenë rreth 15 që kemi dyshime të arsyeshme se janë të inkriminuar.

Enkel Demi: Cilët janë?

Enkelejd Alibeaj: Ata që kanë dalë tashmë. Çdo aksion politik i yni është dhe bazohet në verifikime të hollësishme. Por ne këto të dhëna që kemi do të duhet ti analizojmë më hollësisht me legjislacionin vendas. Indiciet shenjat e para vijnë nga publiku. Ne në mënyrë zyrtare e fillojmë verifikimin për të 60 bashkitë, për të gjithë të zgjedhurit.

Verifikimet bëhen në mënyrë private, zyrtare por edhe në mënyrë diplomatike, me aq sa kemi mundësi. Pastaj bëhet dhe aksioni ligjor në përfundim.

Në rastin e Vaut të Dejës, dokumentacioni i marrë nga ana jonë është autentik, por megjithatë do të duhet të verifikohet në rrugë zyrtare, i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme. Po çfarë ka ndodhur? Që Prokuroria e Përgjithshme të marrë dokumentacionin në Itali, zyrtarisht dokumentacioni kalon nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë shqiptare, dhe asaj italiane.

Por çfarë ka bërë Ministrja shqiptare e drejtësisë Etilda Gjonaj? Këto dokumentacione i mban në sirtar prej 1 muaj e gjysmë e deri më tani, kjo përbën shkelje ligjore penale, e them këtë pasi ky proces duhet të kishte përfunduar tashmë. Në rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, nuk ndodh asnjëherë që të mos dijë gjë.

Ai e di, për këtë mund të them se 1 muaj e gjysmë më parë ka shkuar vetë në Greqi, për të tërhequr dosjen penale, por po të flasim me terma ligjor, nëse rezulton se je i dënuar, qoftë edhe në mungesë, dhe nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit, shkarkohesh nga detyra. Mos dijenia mund të përdoret në një situatë tjetër./abcnews.al

Motra e Drita Saliajt paralajmëron vetëgjyqësi: Ku po shkon ky shtet?…

Motra e Drita Saliajt, Dallëndyshe Kajo mohoi kategorikisht që motra e saj të jetë marrë me drogë. Sipas hetimeve, dy prej autorëve rrëfyen se krimi ka ndodhur pas një konflikti pazare droge. Por motra e Drita Saliajt, Dallëndyshe Kajo tha në një lidhje telefonike për “FaxNews” se diçka e tillë nuk është e vërtetë.

“Si nuk ju vjen turp gazetarëve që kanë qenë në atë shtëpi dhe e kanë parë motrën time. Motra ime sështë marrë me hashash, motrën time e njeh gjithë fshati. Të lutem mos më flisni për hashash mua, t’u vijë turp atyre që e hapën këtë pistë. Çfarë kërkuan ata te shtëpia e motrës time. Ata e bëjnë për të lehtësuar veten tyre. Drogën mos ma përmend më mua, se e di unë që nuk ka patur, ta jap unë me 100%”, deklaroi ajo.

Dallëndyshe Kajo kërkoi drejtësi ose në rast të kundërt, ajo u shpreh se fëmijët e Dritës do të marrin hak vetë.

“Na futët fëmijët në hasmëri, çfarë është ky shtet. Po nuk u pushkatuan, po nuk u varën, do të hakmerren fëmijët. Janë tensionuar fëmijët moj. Të lutem shteti të marrë masa. Si moj ta masakrojë, ta përdhunojë edhe qenka fëmijë. Moj ku po shkon ky shtet? I madhi ka kaluar në depresion, se mos na gjen gjë fëmijët. Të lutem duam drejtësi. Të lutem”, tha motra e Drita Saliajt, Dallëndyshe Kajo.

VIDEO/Pamje apokaliptike në Kinë, hapet gropë në rrugë dhe “gëlltit” autobusin

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur pasi një gropë e madhe “gëlltiti” një autobus dhe disa këmbësore në Kinën qendrore. Incidenti ndodhi të hënën në mbrëmje jashtë një spitali në Xining, kryeqyteti i provincës Qinghai.

Pamjet treguan një shpërthim menjëherë pasi autobusi dhe kalimtarët ranë brenda. Pamjet nga incidenti i fundit tregojnë momentin kur njerëzit janë duke pritur në një stacion autobusi, ndërsa toka nën autobus fillon të shpërthejë brenda.

Sipas mediave shtetërore, vrima kishte një diametër prej 10m. Është e paqartë se sa persona ishin brenda autobusit në kohën e incidentit. Këto gropa gjigante që hapen papritur në Kinë janë një fenomen i njohur si “sinchole” dhe kanë marrë jetë njerëzish.

Në vitin 2018, katër persona u vranë pasi një gropë u hap në një trotuar në qytetin Dazhou, në Kinën jug-perëndimore. Në vitin 2013, një incident i ngjashëm vrau pesë vetë në një zonë industriale në qytetin jugor të Shenzhen.

Ky fenomen lidhet shpesh me ndërtimin dhe zhvillimin e shpejtë në vend.

Qeverisë i duhen pare që të paguajë rrogat…

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e ka parë me shqetësim, serinë e vrasjeve që kanë shenjuar thuajse çdo ditë të këtij viti që sapo ka hyrë.

Manjani vëren se në një kohë kur rendi publik është cenuar rëndë, qeveria në mënyrën më absurde, hedh vështrimin në drejtime të tjera ku kryefjala është “paraja”. “Ja që edhe vrasjet e kanë një çmim” shkruan Manjani me sarkazëm. Shënimi i plotë në vijim:

“Vrasja është krimi më dominues sot. Për larje hesapesh apo nga trutë e shpërlarë, ska më rëndësi! Vrasja është krimi dominant me të cilin ka filluar ky vit.

Gruaja, nëna, babai, kushëriri, partneri apo rivali vriten si pa gjë të keq. Pushka, thika, sopata e tashmë edhe snaiperi janë mjetet e zakonshme. Rendi publik i kërcënuar rëndë. Siguria publike tepër e dobët. Por çfarë thotë qeveria për këtë gjë?!

1. Kryeministri thotë se do bëjë një paketë për KÇK dhe për pastrimin e pareve. Punë paresh me një fjalë.

2. Ministri i Brendshëm do të bëjë një paketë gjobash për drejtuesit e mjeteve!! A thua se këto që janë në fuqi nuk mjaftojnë. Edhe ky punë paresh…

Kjo quhet devijim nga problemi dhe mosmarrje përgjegjësish qeverisëse! Njëkohësisht, gjuha shkon gjithnjë aty ku dhemb dhëmbi, te paret. Qeverisë i duhen pare të paguajë rrogat. Ja pra që edhe vrasjet e kanë një çmim!”

Alarmi i frikshëm nga OKB: Deri në vitin 2100 Shqipëria mund ngelet me 512 mijë banorë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka rishikuar në ulje me 30-40% pritshmëritë se sa persona do të mbeten në një vend deri në vitin 2100.

Zhvlerësimi i ndjeshëm ka ardhur brenda një viti (2019 kundrejt 2018) dhe është nxitur si nga rënia e normës së lindshmërive, ashtu dhe nga trendi i lartë i emigracionit.
Në parashikimet e publikuara në vitin 2018, sipas variantit të lartë të parashikimit (me normë të lartë fertiliteti), popullsia e vendit në vitin 2100 pritej të mbetej në rreth 2.8 milionë persona, në një rënie të lehtë nga niveli aktual prej 2.87 milionë banorësh. Por, vetëm një vit më pas, në 2019-n, pritshmëria është ulur ndjeshëm edhe për variantin optimist.

Në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, ose 31% më pak se parashikimi i një viti më parë.
Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë, nga 1.6 milionë banorë që ishte parashikimi në vitin 2018 për këtë skenar, me një ulje prej rreth 34%.

Rishikimi më i lartë është bërë për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në bazë të së cilin, në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë. Më parë, pritshmëria ishte për 860 mijë banorë, pra parashikimi është ulur me 40%.

Arsyet
Rënia e lindshmërisë (fertiliteti-norma bruto e lindjeve) dhe rifillimi i ciklit të emigracionit pritet që të tkurrin popullsinë në dekadat në vijim.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se gratë që jetojnë në Shqipëri vit pas viti po heqin dorë nga mëmësia, duke reduktuar në mënyrë drastike numrin e bebeve të sjella në jetë. Në vitin 2018 ky fenomen u theksua edhe më shumë kur numri mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua shënoi rekord historik. Indeksi i fertilitetit ishte vetëm 1.37 fëmijë për një grua nga 1.48 fëmijë më 2017 dhe nga 1.73 fëmijë për grua që ishte ky indeks në vitin 2014, sipas të dhënave të INSTAT.

Rënia me shpejtësi e numrit të lindjeve e ka çuar Shqipërinë nën normën e zëvendësimit e cila përllogaritet 2.1 fëmijë për grua. Gjithashtu Shqipëria e ka normën e lindshmërisë shumë poshtë indeksit global të fertilitetit i cili në vitin 2017 ishte 2.4 fëmijë për grua sipas të dhënave të Bankës Botërore. Gratë shqiptare lindin gati 50 për qind më pak fëmijë se mesatarja globale.

Nga janari 2014 deri në janar të 2018 popullsia e Shqipërisë është zvogëluar mesatarisht me 0,16 % në vit. Si pasojë e këtyre zhvillimeve raportet e varësisë janë rritur për moshat e vjetra dhe janë ulur për ato të rejat. Raportet e varësisë llogariten duke krahasuar numrin e personave (të rinjtë 0-14 vjeç dhe/ose të moshuarit 65+ vjeç) me popullsinë në moshë pune.

Ndërsa nga viti 2015, Shqipëria po përjeton një rritje të re të fenomenit të emigracionit. Vetëm aplikimet për azil, në pesë vitet e fundit kanë arritur në rreth 200 mijë, sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, ndërsa ka dhe shumë të tjerë që ikin me kontrata pune, ose që thjesht largohen e nuk kthehen më.

Largimi i popullsisë po bëhet problem për sipërmarrjet, të cilat ankohen se nuk po gjejnë fuqi punëtore të specializuar. Në një sondazh të fundit, Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” gjeti se rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019.

Rënia e popullsisë, sidomos largimi i popullsisë në moshë pune pritet të japë efekte të rënda në të ardhmen, si në skemën e pensioneve, me krijimin e një shtrese të brishtë pa kujdesin e duhur, ashtu dhe në rënien e produktivitetit të sipërmarrjeve, me efekt në tendencën e pagave, investimeve të tyre e taksave që paguajnë, me pasoja afatgjata në ngadalësimin e ekonomisë së vendit.

“Spiegel”: Shqipëria ka nevojë vetë për OSBE-në. Vendi është gllabëruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar

Shqipëria si kryesuese e OSBE mori të hënën ‘shuplakën’ e parë nga vetë ky organizëm. Përfaqësuesi i OSBE për Median, Harlem Desir reagoi pasi presidenti Ilir Meta ktheu mbrapsht ligjet për antishpifjen.

Ai tha se është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjeseve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar.

Për ironi, Desir këtë herë reagoi me një deklaratë zyrtare, jo si atëherë kur u duk se mbështeti Edi Ramën për nismat ligjore me disa postime personale në rrjetet sociale.

Ky reagim tregon qartë atë që e kanë thënë vazhdimisht ekspertët, se Shqipëria jo vetëm nuk mund të drejtojë OSBE-në, por ka nevojë për të në këto kohë kur demokracia është cënuar ndjeshëm.

Revista më e madhe europiane, Spiegel, e thekson diçka të tillë në një artikull. Shkrimi tregon se si shtetet e vogla po marrin drejtimin e organizatave të mëdha. Kështu, Kroacia do drejtojë presidencën e BE, Estonia do bëhet pjesë e Këshillit të Sigurisë së OKB si anëtare jo e përhershme, kurse Shqipëria do drejtojë OSBE-në.

“Shqipëria merr përsipër OSBE-në- por ka nevojë vetë për të”, shkruan revista.

Detyrat e OSBE janë vëzhgimi i zgjedhjeve, kujdesi për lirinë e medias dhe mbrojtja e minoriteteve.

“Kryeministri Edi Rama i Partisë Socialiste aktualisht po qeveris pa një opozitë parlamentare, sepse Partia Demokratike e krahut të djathtë po bojkoton parlamentin. Zgjedhjet lokale në qershor u mbajtën po ashtu pa opozitën, e cila akuzon PS-në për manipulim. Politika e vendit është gllabëruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, shkruan revista.

Shqipëria e fundit në Europë për inovacion, bizneset nuk kanë forcë punëtore të arsimuar

Prej vitit 2013 deri në vitin 2019, periudha ndërmjet dy anketave të mëdha për studimin e ndërmarrjeve në Shqipëri të realizuara nga Banka Botërore, vihet re se cilësia e forcës së punës është kthyer në një shqetësim madhor për bizneset.

Në vitin 2013 kur u krye anketa e parafundit cilësia arsimore e forcës së punës u rendit e fundit ndër 10 problematikat kryesore që ishin shqetësuese në aktivitetin e sipërmarrjeve në Shqipëri.

Në vitin 2019 cilësia arsimore e forcës së punës u rendit në vendin e tretë ndër dhjetë shqetësimet e klimës së biznesit në vendin tonë.

Teksa zhvillimet teknologjike pos sjellin risi nga dita në ditë, bizneset shqiptare që ende e kanë të bazuar aktivitetin tyre në krahun e lirë të punës po shohin vështirësi në integrimin e vlerave globale të ekonomisë së tregut.

Teksa bizneset në Europë janë gjithnjë e më të orientuara nga teknologjia dhe inovacioni, Shqipëria shihet të jetë e fundit në këtë proces.

Produktiviteti i ulët në ekonomi po mban nën presion fitimet nga pagat të punonjësve. Nga ana tjetër kjo situatë frenon drejtimet arsimore për të ardhmen. Për pasojë vendet e punës me vlerë të shtuar janë të limituara.

Oferta për punë drejtohet aktualisht nga sektori fason dhe sektori shërbimeve që ofrojnë paga minimale. Kjo oferte nuk stimulon cilësinë arsimore. Për bizneset që duan të drejtojnë aktivitetin e tyre drejt inovacionit cilësia arsimore forcës së punës është një problem i madh.

Cilësia e forcës në punë në bizneset shqiptare në harkun kohor të gjashtë viteve i ka ngjitur 7 shkallë për keq. Përqindja e lartë e taksave, gjithashtu është kthyer në shqetësim madhor gjatë vitit 2019, ndryshe nga viti 2013.

Gjashtë vite më parë, përqindja e lartë e taksave renditej e gjashta ndër 10 problematikat kryesore të biznesit, por në vitin 2019 përqindja e lartë e taksave shihet të jetë shqetësimi kryesor i biznesit. Në vendet e Rajonit të Europës Qendrore përqindja e lartë e taksave ishte më pak shqetësim.

Bizneset dhe institucionet që merren me zhvillimet demografike në vend hapin paralajmërime të errëta për forcën e punës. Krahas mungesës së aftësive, emigrimi i lartë dhe plakja e popullsisë do të sjellë mangësi edhe për krah pune pas vitit 2020.