9.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Basha: Mirënjohje protestuesve që po strehojnë 120 të dëmtuar nga tërmeti

120 banorë të mbetur nga tërmeti pa shtëpi dhe asgjë tjetër, janë pritur nga banorët e Unazës së Re në Tiranë dhe po strehohen falas në një godinë të afruar prej tyre dhe po trajtohen me ushqime dhe ilaçe.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka hyrë dhomë më dhomë për t’i takuar dhe dëgjuar problemet e tyre.

Basha foli me një familje nga Mamurrasi që ishte strehuar vetë e tetë në Tiranë.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA

Dua të falenderoj nga zemra Flamurin dhe familjen e tij që ka vënë në dispozicion prej ditës së parë këtë ndërtesë. Dua të falenderoj Aleancën për Teatrin që ka kontribuar prej orëve të para me ndihmat që janë mbledhur për të goditurit nga tërmeti. Dua të falenderoj të gjithë banorët e “Unazës së Re” që po punojnë si vullnetarë, duke ndihmuar nga mëngjesi deri në darkë dhjetëra familje të strehuara kryesisht nga zonat e goditura nga tërmeti.

Falenderoj mjekët që, në mënyrë vullnetare, po kontribuojnë për shëndetin e shume prej tyre që janë të sëmurë kryesisht për shkak të qëndrimit në çadra në ditët e ftohta dhe në orët e para të fatkeqësisë dhe po kështu dua të falënderoj nga zemra këdo që ka mbështetur me kontribute, me ushqim, me orendi.

Dua të theksoj se ky është një kontribut i gjithi vullnetar.

Falënderoj të rinjtë e FRPD-së dhe strukturat tona të degës 6 dhe 7, të cilët po bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar. Falënderimi kryesor i takon këtyre njerëzve me zemër të madhe.

Këtu po qëndrojnë afër rrënojave të një tërmeti tjetër, të një tërmeti të shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni dhe është domethënëse.

Nuk është e rastisshme që këta njerëz që e kanë vuajtur jo një ditë, siç e vuajtën familjet e goditura apo gjithë shqiptarët, por ditë për ditë traumën e fatkeqësisë, këta janë të parët që hapën zemrat, hapën shtëpitë e tyre, dhanë gjithçka po ndihmojnë të parët, për t’u qenë pranë njerëzve që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë.

Kam një mesazh për këdo që ka mundësi të ndihmojë.

Këtu ka nevojë për ushqime, pajisje, tavolina, karrike, ka shumë fëmijë që po trajtohen vullnetarisht nga psikologë dhe studente të psikologjisë, të cilat i falënderoj.

Shumëkush ka ardhur, kanë kontribuar financiarisht, por ka ende shumë nevojë për ndihmë materiale.

Ka akoma mundësi për të strehuar edhe disa familje të tjera, por ndërkohë mundësitë për të kontribuar me ushqime dhe orendi janë të pakta.

Ne do të bëjmë ç’është e mundur si opozitë për të furnizuar këtë qendër dhe qendra të tjera përmes kontributeve vullnetare, tona dhe të mbështetësve tanë.

I bëj thirrje kujtdo që mund të kontribuojë, të kontribuojë në këtë qendër që ndohet këtu në zonën e “Unazës së Re”. Dua të falënderoj ata që kanë hapur dyert dhe zemrat dhe kanë treguar se shqiptarët në raste të tilla fatkeqësie dinë të jenë një familje e madhe me një zemër shumë të madhe.

Dhe ky është një shembull prekës dhe emocionues i kësaj zemre të madhe të shqiptarëve në vështirësi, për njëri tjetrin.

Faleminderit !

 

Basha takon banorët e dëmtuar nga tërmeti në Durrës që janë strehuar tek Astiri

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vizituar 120 banorët e dëmtuar nga tërmeti në Durrës, që janë strehuar nga banorët e Unazës së Re në Tiranë tek Astiri. Basha ka përshëndetur të parët, dy fëmijë të vegjël që shihnin filma vizatimorë dhe i thanë “Peshkaqeni po dashurohet me sirenën…”.

Situata u përcoll me gaz dhe tregoi se fëmijët po i riktheheshin normalitetit falë kushteve që iu ishin afruar me buraji nga familjet që vetë rrezikohen të dëbohen nga zona.

Pak më tej Basha ka folur me një zonjë të moshuar, që ishte shtrirë në krevat dhe e falenderoi për të gjithë mbështetjen që i kishte dhënë, me një mendje të kthjellët:

“Ne kemi ndërtuar këtë vend, kam punuar në Kombinat që 15 vjeçe; ne kemi punuar fushave e arave me punë vullnetare. Ndaj punoni mirë dhe kujdesuni, që rinia të mos ikë nga ky vend, të mos largohet”.

Më tej Basha takoi një familje dibrane me fëmijë të vegjël, që ishte harruar nga bashkia dhe për ta nuk ishte treguar asnjë kujdes. Basha foli me ta.

Shpërthen në lot kur tregon momentet tragjike të nipit nën rrënoja: Fjala e fundit që tha…

Rrëfime tronditëse vijojnë të vijnë nga Thumana, aty ku prej mëngjesit të 26 nëntorit ka pllakosur dhimbja, trishtimi dhe zia, ndërsa e gjithë zona ndodhet nën rrënoja.

Mes lotësh, xhaxhai i Klement Çupit, të riut që përloti me mijëra zemra në mbarë botën, pasi luftoi me vdekjen mbi 16 orë nën rrënoja dhe nuk fund mbylli sytë përgjithmonë, tregon çastet e fundit me nipin.

Në një intervistë për gazetarin e “News24” xhaxhai rrëfen në lot si i vdiq nipi para syve, ndërsa shton se një gjë të tillë nuk do ta harrojë kurrë.

INTERVISTA

Çfarë keni humbur?

Tre pjesëtarë të vëllait, vëllanë, kunatën dhe nipin.

Kur e morët vesh lajmin?
Në 4, 4:10 të mëngjesit, mora në telefon vëllain Hamzain, më tha nuk kemi gjë në Tiranë. Kur i bija telefonit në Thumanë, vëllait Hajredinit, nuk e hapte telefonin asnjë. Atëherë u nisa direkt, njëkohësisht i thashë edhe vëllait Hamzait, që diçka në Thumanë ka ndodhur. Ai e konfirmoi se pallati i vëllait është shembur totalisht.

Nisemi poshtë, rreth orës 06:30 mbërrijmë në Thumanë, çfarë të shihni atje, ishte një skëterrë e vërtetë. Tentuam t’i shihnim të gjithë, nuk na la policia, duke përjashtuar vetëm Aleksin, që e gjetëm të gjallë dhe që e nxorën shpejt nga gërmadhat.

Kur shkuam në anën tjetër të pallatit pamë djalin tjetër, Kelmentin, që bërtiste “ndihmë, ndihmë”, por që nuk arritëm dot ta shpëtonim. Bëmë të pamundurën, edhe ekipet nga Kosova, ato greket bënë ç’mos, por ishte e pamundur. Vetëm pjesën e Klementit nuk do ta harroj kurrë, ai bërtiste “xhaxhi më shpëto”.

Do bëj të pamundurën i thashë, do të të shpëtojmë. Përpjekjet ishin deri në orët e vona të darkës, madje kërkoi edhe cigare. Qendrat shëndetësore bënë të pamundurën, i bënë gjilpëra e serume. Gjatë darkës kërkoi edhe batanije, se kishte ftohtë. Një doktor grek na tha të mos mërzitemi, se do ta nxirrni shumë shpejt të gjallë. U bë e pamundur, nuk arritëm dot, fjala e fundit që tha “vdiqa”, kaq ishte amaneti i fundit.

Ata kanë 20 që rrinë në Thumanë, ky pati ardhur ka dy ditë nga Anglia për një gëzim familjar, për fejesën e vëllait, Aleksit. Kishte mbi 15 vite në Angli, kishte ardhur vetëm dy ditë më parë. BW

Televizioni gjerman: Ndërtimet ishin më të larta nga sa duhen lejuar. Rindërtimi do kushtojë 1 miliardë euro…

Televizioni publik gjerman, ARD, raporton se procesi i rindërtimit pas tërmetit do jetë një sfidë e shtrenjtë për Shqipërinë.

‘Shifra zyrtare nuk ka akoma, por rindërtimi në zonat e prekura nga tërmeti do jetë një sfidë e madhe jo vetëm njerëzore dhe teknike, por edhe e shtrenjtë,’ raporton ARD.

‘Dhe me Shqipërinë është goditur një vend i varfër. Ekspertët atje thonë se rindërtimi mund të kushtojë deri në 1 miliard euro. Shumë njerëz dhe kompani në Shqipëri dhe jashtë kanë dhuruar para. Deri tani janë mbledhur 15 milionë euro.

Një komision i posaçëm do bëjë vlerësimin dhe kanalizimin transparent të këtyre parave për shkak se korrupsioni është problem i madh në Shqipëri’.

ARD raporton se qeveria shqiptare shpreson te mbajtja e një konference donatorësh.

Në kronikë thuhet se qeveria shqiptare po shpreson te ekspertët e huaj për vlerësimin e dëmeve.

‘Kjo për shkak se në Shqipëri mbizotëron një mungesë e theksuar ekspertësh dhe force punë të specializuar’.

Rrjeti gjerman ka vizituar edhe dy familje të dëmtuara që thonë se qeveria nuk është dukur fare.

Kurse sa i përket Durrësit, ARD thekson se duket se ndërtimet ishin më të larta nga sa duhen lejuar.

Tenderi i çmendur i Veliajt ditën e tërmetit, 300 mijë euro për një studim mbi pemët

Vetëm pak orë pas tërmetit tragjik, saktësisht në orën 12 të datës 26 Nëntor 2019, Bashkia e Tiranës vendosi të hapë tenderin për hartimin e një studimi për mbarështimin e pemëve, me vlerë totale ë0 milionë lekë të vjetra-mbi 300 mijë euro.

Tirana është një prej qendrave urbane më të goditura nga lëkundjet sizmike të të Martës së javës së kaluar. Deri më, grupet e emergjencës kanë përllogaritur se në kryeqytet janë rreth 2000 ndërtesa të dëmtuara, nga të cilat 410 shtëpi private të pabanueshme. Gjithashtu, po sipas të dhënave paraprake, janë dëmtuar rreth 200 pallate, nga të cilat 4 të pabanueshme.

Këto dëmtime të rënda kanë nevojë për fonde të mëdha, me qëllim rikthimin e normalitetit në kryeqytet.
Por, në Bashkinë e Tiranës, duket se, krahas “vizitave” në ndërtesat e dëmtuara, ka edhe disa prioritete të tjera, siç janë tenderat multi-milionësh pa vlerë për momentin.

Në Buletinin e Prokurimeve të datës 2 Dhjetor 2019, është publikuar njoftimi, në të cilin Bashkia e Tiranës shpall tenderin për “Hartimin e planeve të mbarështimit të fondit pyjor dhe kullosor për ekonominë pyjore “Pezë, “Shesh”, “Krrabë-Gurrë”.

Ky tender është hapur në datën 26 nëntor 2019, ora 12.00 dhe të interesuarit mund të dorëzojnë dokumentacionin deri në datën 26 dhjetor 2019, ora 12.00. Fondi limit për këtë tender është 30.399.170 lekë pa tvsh ose rreth 36 milionë lekë të reja (bashkë me TVSH).

Sipas dokumentave të tenderit, subjekti që do të shpallet fitues për hartimin e Planit të Mbarështimit të pyjeve dhe kullotave ka si detyra kryesore:

– Grumbullimi dhe shqyrtimi i literaturës për të vlerësuar gjendjen aktuale të burimeve pyjore/kullosore në ekonominë pyjore.
– Përshkrimi i përgjithshëm në terren i parcelave e n/parcelaveve, verifikimi i kufijve, përcaktimi definitiv në terren duke shënjuar me bojë vaji kufijtë e tyre, hedhja e ndryshimeve në hartë dhe llogaritja e sipërfaqeve përkatëse.

– Vlerësimi i sipërfaqes dhe volumit të pyjeve sipas formave të ndryshme të qeverisjes:
– Trungishte
– Cungishte
– Shkurre

– Vlerësimi kullotave/livadhe, përfshirë kapacitetin prodhues të tyre si dhe atë mbajtës e disa aspekte të tjera, të cilat, në ditët e nevojës emergjente për fonde pas tërmetit tragjik, duken si “shpenzime luksi”/Boldnews

Berisha tregon aferën e Veliut me qentë e tërmetit: Nuhasnin vetëm pula…

Ish-Kryeministri Berisha ka bërë publike një pjesë të aferës me qentë të qeverisë si dhe detaje nga takimet e Veliut në Itali me Stefano Noferi.

Postimi i Berishës

Miq, me 27 nentor njesite tona te kerkim/shpetimit kishin vetem duart dhe lopatat. Takspaguesit tane paguajne 1 milione euro buxhet per shkollen e pregatitjes se qenve por Ardi Veliu vendosi te porosiste ne Itali tek “miku” i tij Stefano Noferi, 9 qene me nuhatje te specializuar. Veliu beri dhe nje udhetim ne Itali tek shtepia e Noferit ku pi kafen e pazarit.

Noferi dergoi 4 qente e pare por ata perveç pulave nuk nuhasnin gje tjeter. Kjo eshte arsyeja pse diten e tragjedise ekipi yne i shpim-kerkimit nuk kishte qene qe me nuhatjen molekulare te zbulonte njerezit nen rrenoja.

Vetem qeni hero i njesise se Republikes se Kosoves qe erdhi i pari zbuloi dhe shpetoi kater persona qe luftonin me vdekjen nen rrenoja! sb

Rama i injoroi, Meta në Kosovë për të dekoruar ushtrinë për ndihmën

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë qëndrimit të tij ai do të shkojë për ngushëllime tek familja Abazi që humbi dy anëtarët e saj nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Meta do të dekoroj njësitet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, për ndihmën e dhënë pas tërmetit.

Poashtu kreu i shtetit shqiptar do të nderoj edhe njësitë tjera nga institucionet si KEK-u, Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës.

Ceremonia e ndarjes së dekoratave fillon nga ora 11:00 në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë ka injoruar FSK-në pasi ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan Shqipërinë pas tërmetit.

Skandali
Ministrja e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhacka, ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontribut për popullin shqiptar pas tërmetit në Durrës.

Por, Xhacka ka zgjedhur të injorojë ndihmën e shtetit të Kosovës duke mos e përmendur e as publikuar ndonjë fotografi të ushtrisë apo policisë së Kosovës.

Xhacka nuk ka përmendur e as nuk ka vendosur ndonjë fotografi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe popullit kosovar që dhanë kontributin e tyre.

Por, në postimin e saj nuk ka harruar të publikojë fotografi të njësiteve speciale të Turqisë, Rumanisë, Italisë dhe Francës.
Ajo falënderoi 250 specialistët nga vendet fqinje, mike e partnere. Por nuk u “kujtua” që të vendoste të paktën një fotografi të FSK’së apo Policisë së Kosovës karshi njësiteve tjera speciale.

Ministrja në fund tha se një komb i tërë u është mirënjohës!
Por pas këtij postimi ku nuk u pa fare Kosova e as FSK-ja apo Policia, polici i Kosovës ka bërë një koment tek ai.

Dëshmia rrënqethëse, tregon telefonatën e fundit me djalin 7-vjeçar, më tha…

Ishte sezoni i ullinjve, koha kur 43-vjeçari Servet Vata merrte rrugën për Greqi. Punonte edhe në Thumanë, por paratë që fitonte ishin të pamjaftueshme për të mbajtur familjen e tij.

Një muaj më parë ai u nis sërish drejt Greqisë me shpresën se kur të kthehej në Thumanë do të festonte bashkë me nusen dhe 2 djemtë e tij vitin e ri. Por fati ishte shkruar ndryshe, 26 nëntori e ndau Servetin përgjithmonë nga djali 7-vjecar dhe nëna e tij e moshuar, e cila vdiq ndërsa kishte mbrojtur me trup nipin e saj, djalin tjetër të Servetit.

“Punova ca ditë, një muaj e ca dhe dëgjova këtë që ndodhi. në mëngjes u ngrita për punë dhe kur mori në telefon kështu ka ndodhur tragjedia, është shembur pallati.

Mora në telefon të gjithë robt, më dilnin numrat e fikur të gjithë veç numri i nënës më doli një linjë, nuk përgjigjej njeri bjeri, bjeri dhe pastaj u përgjigjën nga morgu, e kishin çuar atje. Këtu punoj, 10 mijë lekë çfarë do bëj. Nuk kam ndenjur pa punë por nuk del asgjë. Nuk është e mjaftueshme.

Edhe pleqtë kanë punuar, më kanë ndihmuar i kam ndihmuar, kemi ndihmuar njeri-tjetrin për me rrit ata fëmijë që prindërit e mi linin kokën për ata fëmijë. Nëna e ka shpëtuar djalin e madh, e ka mbrojtur, e ka dhënë jetën. Edhe unë të isha, të ikja unë veç fëmija të shpëtonte”, thotë babai që ka humbur të birin dhe nënën.

43-vjecari kujton mes lotësh telefonatën e fundit me djalin 7 vjecar, të cilin e kishte marrë malli dhe kërkonte të atin afër vetes.
“Në orën 11 të darkës kam folur me ta, fola me nusen e me të gjithë. Me djalin fola, e puthja me anë të kamerës. Ishte mërzitur shumë.

Nuk shkëputej nga unë, mërzitej shumë i thosha dhe një muaj e do vijë babi. Ai priste me padurim, thoshte është shumë një muaj. Kjo që ndodhi është shumë tragjike.

Nuk e meritonin të vdisnin kështu. Shtëpitë ishin të vjetra. Dhe në korrik ishte e tmerrshme. Një muaj fjetën njerëzit jashtë. ishte verë, tani që i kapi i ftohti hajt të futemi brenda e të dalë ku të dalë”, thotë mes lotësh Serveti.

Banesa e Servet Vatës sot janë dyert e spitalit, aty ku qëndron ditë e natë pranë nuses dhe djalit të madh. Serveti fajëson veten se natën duke u gdhirë 26 nëntori nuk ishte pranë familjes së tij.

“Shtëpia ime është spitali që kur kam ardhur nga Greqia. Natën ikja në Thumanë deri në 1 të natës kur bëheshin punimet, që ishin duke kërkuar për viktimat. Pastaj vija këtu tek spitali, në mëngjes ikja prapë. Në Lezhë, ku të shkoj.

Nuk kanë ku të më çojnë se kam të sëmurët këtu. Që me datë 26 në karrige. Fajtor që nuk kam qenë tek shtëpia. Do i mbaja afër. O do dilnim nga banesa krejt ose do rrija në shtëpinë time. Nuk do shkoja në banesën e askujt. Këta kanë qenë në kat të parë.

Kanë dalë në 3 të natës kur ka rënë tërmeti i parë dhe kanë shkuar jashtë. Çuni i madh është trembur, ka pasur shumë frikë nga tërmeti, i dilte gjumi shpesh dhe në gjumë u dridhte, ka pasur shumë frikë. Këta kanë dalë jashtë, ka qenë shumë ftohtë iu ka thënë komshia hajdeni këtu në kat të parë dhe në qoftë se bie tërmet e kemi më afër, dalim më shpejt.

Kur ka rënë tërmet ato kanë qenë aty, nuk e di se si. Janë turrur nëna, nusja dhe dy kalamajtë me dalë nga dera e ballkonit. Çuni i vogël ka ikur, ka shkuar nga korridori. Nëna ka mbajtur çunin e madh, çuni i vogël ka ikur, ka shkuar nga korridori që nuk kishte shpresa. Ato kanë qenë në të dalë, nuk u ka rënë gjithë pallati sipër”, tregoi babai.

“BW”

Debati i plotë/ Drejtori i Ubranistikës: Ndërtesa është e rrezikshme! Lleshaj: “Stooop, mendohu mirë kur flet me mua”…

Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj duket se kanë lënë nervat në një takim që pati pak minuta më parë me qytetarët në lagjen “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës. Banorët të frikësuar nuk futeshin në shtëpitë e tyre sepse e shihnin pallatin të dëmtuar, ndërkohë që edhe nga Bashkia Lezhë ishin njoftuar se kishte rrezik.

Pavarësisht dëmeve të dukshme, Lleshaj ju tha qytetarëve se pallati është i banueshëm dhe se nuk ju cenohet siguria e jetës. Por këtë pretendim të ministrit e hodhi poshtë Drejtori i Ubranistikës në Lezhë, Nik Leka. Ky i fundit i tregoi Lleshajt sesi pas inspektimeve të kryera e kishin cilësuar pallatin të pabanueshëm sepse përbën rrezik për jetën e qytetarëve.

Në këtë moment ministri i Brendshëm “shpërtheu” ndaj Drejtorit të Urbanistikës. Sipas tij, ai po përhap panik kot tek banorët sepse pallati nuk përbën rrezik. Madje, Lleshaj e kërcënoi Lekën duke i kërkuar të ketë kujdes kur flet.

Debati i plotë

Qytetarja: Ku të rrimë këtu ne? Si more të rrimë

Qytetarja: Mos më thuj boll, mos më thuj boll…

Sandër Lleshaj: Marie… Kush ta ka fut frikën kot, kush ta ka thënë?

Qytetarja: Kam traun e çam në shpin teme. Si ta lemë ore?

Qytetari: Na thonë për shtëpinë që është e banueshme.

Qytetarja: Nuk banohet në këtë pallat.

Qytetari: Zoti ministër, na lër të flasim pak o Marie. Ky është përgjegjësi i urbanistikës.

Drejtori i Urbanistikës: Përshëndetje. Jam Drejtori i Urbanistikës. Kemi verifikuar pallatin. Në katën e 3 të banimit në të 4 anët trarët janë të çarë. Kemi sjellë një grup tjetër. Për të verifikuar na duhet ekspertizë më e specializume.

Sandër Lleshaj: Dëgjo, ti je shefi i Urbanistikës dhe duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik.

Drejtori i Urbanistikës: Po nuk e kam thënë unë këtë.

Sandër Lleshaj: Kush e ka thënë?

Drejtori i Urbanistikës: Kryetari.

Sandër Lleshaj: Po kryetari ça është? Ça është?

Drejtori i Urbanistikës: Në gjykimin tonë ishte shumë e rrezikshme.

Sandër Lleshaj: Përhapni kot panik tek njerëzit. Shihni një xham të thyer atje dhe bëni budallallëqe kot.

Drejtori i Urbanistikës: Është situatë shumë e rrezikshme. Situata nuk është e mirë sepse e kemi verifiku…

Sandër Lleshaj: Stooooop! Kini kujdes! Në qoftë se i thoni vetes inxhinierë, mendohu mirë kur flet.

Drejtori i Urbanistikës: Ndërtesa është e rrezikshme.

Qytetari: Kanë ardh dhe e kanë nxjerrë shtëpinë time të pabanueshme. I kam ba gati gjërat në makinë me i çue në një shpi tjetër. Ky më thotë është e banueshme. Zotni thotë kjo është as. Ça është ky? Ministër i Brendshëm? Të ma japë me shkrim mue e të më kthej familjen në shpi se specialistët ma kanë qit të pabanueshme shpin e vajzës.