28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Gjykata pushon çështjen, Eduart Halimi: Ishte sajesë, prokuroria bëri gjueti shtrigash

Eduard Halimi në cilësinë e avokatit të Partisë Demokratike, e ka cilësuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës për pushimin e çështjes për falsifikim ndaj tre zyrtarëve të PD-së, si vendimin e duhur të një drejtësie të duhur.

Halimi tha ndër të tjera se të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria ishin të mbështetura mbi spekulimet, ndaj edhe u rrëzuan. Mes të tjerash Halimi tha se tashmë ‘gjuetia e shtrigave’ u rrëzua.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte një vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërciprisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale.

Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërciprisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për tu përshendetur.

Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, u shpreh Halimi.

KLSH zbardh mashtrimin e qeverisë me kasat fiskale

Kasat fiskale nuk kanë dhënë rezultat në luftën kundër informalitetit dhe në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Ky është përfundimi i nxjerë nga një auditim i realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për efektivitetin e kasave fiskale për periudhën 2010-2018.

Ndër të tjera ky institucion ngre një sërë pikpyetjesh edhe në lidhje me zbatimin e proçesit të fiskalizimit i cili pritet të nisë në shtator të këtij viti. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, miratimi i ligjit për fiskalizimin është i vonuar, në një kohë që po has kundërshtim edhe nga grupet e interesit.

Ekonomia shqiptare nuk ka përfituar nga vendosja e kasave fiskale. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizur një auditim për efektivitetin e kasave fiskale dhe ka dalë në përfundimin se kjo nismë nuk ka ulur informalitetin i cili rezulton se është në nivelin 50 %.

Madje në raport theksohet se ka rënë ndjeshëm pesha e të ardhurave nga TVSh, që mblidhet nga tatimet. Sipas KLSH-së në vitin 2009, tatimet mblidhnin 30% të TVSH-së totale, ndërsa për periudhën 2010-2018, pesha mesatare e TVSH-së së mbledhur nga tatimet ishte vetëm 24%.

Kjo situatë duket se është ndikuar edhe nga efektiviteti i administratës tatimore e cila edhe pse ka realizuar fushata të shumta e madje ka penalizuar bizneset kjo nuk ka ndikuar në uljen e evazionit tatimor.

Vendosja e kasave fiskale ishte një kosto shtesë për bizneset të cilat tashmë do të ndryshojnë përsëri mënyrën e deklarimit.

Klsh thekson se në total janë shpenzuar 46.5 milionë euro për vendosjen e 155 mijë kasave fiskale ku pjesa më e madhe është vendosur për bizneset e vogla. Ndërkohë pesimist ky institucion tregohet, edhe në lidhje me nismën e re të qeverisë, për vendosjen e sistemit të fiskalizimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se miratimi jo në kohë i ndryshimeve ligjore dhe akteve nënligjore, vështirëson realizimin e kërkesave të projektit, rrit kostot për biznesin dhe e cilëson të vështirë zbatimin e këtij projekti sidomos në zonat rurale.

Qëllimi i sistemit të ri të fiskalizimit, synon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike, do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Filmi “Joker” rekord nominimesh në Oscar

Akademia e Arteve dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara ka bërë të ditura nominimet e filmave në 24 kategori për çmimet Oscar, për të nderuar përkushtimin e bërë në fushën e filmit më 2019.

Filmi Joker është nominuar në 11 kategori, duke përfshirë atë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe për tetë çmime tjera.
Tre filmat tjerë: The Irishman, 1917 dhe Once Upon a Time… in Hollywood, kanë secili nga 10 nominime.

Në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar projektet: Ford v. Ferrari, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women, Marriage Story, 1917, Once Upon a Time … in Hollywood dhe Parasite.

Në kategorinë e aktorit më të mirë janë nominuar: Antonio Banderas, për rolin e tij në filmin, Pain and Glory, Leonardo DiCaprio, për rolin në filmin, Once Upon a Time … in Hollywood, më pas Adam Driver në filmin, Marriage Story, Jonathan Pryce, në filmin, The Two Popes, dhe Joaquin Phoenix për rolin që ka në filmin, Joker.

Për rolin e aktores më të mirë, në garë për të fituar Oscar janë: Kathy Bates për rolin në filmin, Richard Jewell, Laura Dern në Marriage Story, Scarlett Johansson në filmin, Jojo Rabbit, Florence Pugh për rolin që ka në filmin, Little Women, dhe Margot Robbie, për rolin e saj në filmin, Bombshell.

Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë janë filmat: Corpus Christi, Honeyland, Les Miserables, Pain and Glory dhe Parasite.

Edhe këtë vit, sikurse në të kaluarin, çmimet do të ndahen nga aktorët, pasi nuk do të ketë nikoqir.

Ceremonia e 92-të e ndarjes së këtyre çmimeve do të mbahet më 9 shkurt në Llos Angjelles në Teatrin Dolby. Kanali televiziv, ABC do ta transmetojë këtë ngjarje, e cila vitin e kaluar është ndjekur nga 29.6 milionë persona.

Samsung prezanton tastierën e padukshme për telefonat inteligjentë

Me ndihmën e inteligjencës artificiale, gishtat do të gjurmohen gjatë shtypjes në një tastierë të padukshme.

Samsung ka zhvilluar një tastierë për smartphone që në të vërtetë nuk ekziston. Me ndihmën e inteligjencës artificiale, programi SelfieType gjurmon lëvizjet e gishtërinjve dhe i përkthen ato me fjalë, transmeton Telegrafi. Prototipi aktualisht po prezantohet në CES në Las Vegas.

Tastiera virtuale përdoret përmes kamerës selfie në smartphone . Prandaj, nuk kërkohet asnjë pajisje shtesë.

Një video demonstruese tregon se si lëvizja e duarve analizohet dhe interpretohet.
Një tastierë shfaqet në smartphone ose tabletë, të cilat mund ta përdorni për t’u orientuar. Projekti është ende në një fazë të hershme kërkimore.

Shifra alarmante, 61% e ndërmarrjeve raportojnë se punonjësit i kanë ikur në emigracion

Rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019. Shifra u dha nga Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania”, i cili zhvilloi një studim mbi performancën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në vendin tonë, për periudhën Janar – Shtator 2019m ku u intervistuan 500 ndërmarrje në sektorët e shrbimee, prodhim, agropërpunum, shitje shumicë e pakicë, ICT, artizanat.

Largimi i popullatës dhe mungesa e theksuar e stafi ishte gjithashtu një ndër problematikat kryesore me të cilat janë hapsur bizneset.

Në parashikimin për volumin e prodhimit/ kontratave për vitin 2020, 69 % e bizneseve janë shprehur se do të ketë rritje, ndërsa 31% e tyre e shikojnë situatën e njëjtë.

Në pyetjen lidhur me aktivitetin e prodhimit krahasuar me një vit më parë, 59 % e të intervistuarve janë shprehur së kanë pasur rritje të prodhimit.

25 % e të interesuarve, janë shprehur se kanë pasur probleme administrative si: Burokraci në shërbime; Mos kthim përgjigje brenda afatit; Rimbursimi i TVSH; Aftësi të dobëta në përgjigjet zyrtare nga Administrata.

Pyetjes se çfarë ndryshimesh do të kërkonit të reflektohen në paketën fiskale 2020, 18.3% e bizneseve i janë përgjigjur se kërkojnë ulje të taksave, 10.2% të tatim fitimit.

Sipërmarrësit u pyetën mbi problematikat kryesore të hasura gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre. Problemet kryesore që rezultojnë janë si më poshtë:
-Kontrolle të tepërta nga shteti me objektiv për të gjetur gabime dhe vendosur gjoba
-Konkurrencë e pandershme, çmimet, infrastruktura

-Kualifikimi i punojsësve kërkon kohë të gjatë dhe ka kosto të lartë financiare
-Mungesa e fondeve për zhvillimin e teknologjisë në industritë përpunuese / prodhuese
-Largim i popullatës, mungesë të theksuar stafi¬

-Nivel i ulët i edukimit të tregut.

“Po paguajmë qeranë me borxhe”, banorët e Durrësit denoncojnë tek Basha mungesën e bonusit

• “Po paguajmë qeranë me borxhe”, banorët e Durrësit denoncojnë tek Basha mungesën e bonusit për shtëpitë me qera. Dështimi i qeverisë pas tërmetit, banorët hyjnë në shtëpitë e dëmtuara.

Një muaj e gjysëm pas tërmetit, banorë të Durrësit i thanë kryetarit të opozitës Lulzim Basha se nuk kanë marrë akoma bonusin e qerasë.

“Po e paguajmë vetë dhe kemi hyrë në borxhe”- u shpreh një banor i zonës së plazhit, ku zoti Basha takoi me dhjetëra banorë të pallatave të dëmtuara, që dëshmojnë të njëjtën gjë. Paguam nga 45 mijë lekë për dokumenta tek noteri, hapëm numrin e llogarisë në bankë, siç e kërkuan dhe akoma nuk ka kaluar asnjë lek”- thotë një kryefamiljar tjetër.

Duke vënë në dukje dështimin e qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit, kreu i opozitës theksoi se situata është në përkeqësim, pavarësisht se qeveria mori sërish kohë për të vepruar si në kushte emergjence.

“Këta e zgjatën gjendjen e jashtëzakonshme, por asgjë nuk po bëjnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve.”- u shpreh zoti Basha.

Të njëjtën situatë pohuan shumë prej punëtoreve të një fasonerie që vizitoi në zonën e Durrësit. As ato nuk e kanë marrë ende bonusin e qerasë nga Bashkia e Durrësit, gjë që ua ka rënduar edhe më shumë jetën.

“Nuk të shikojnë me sy, nuk të hapin dyert për asnjë gjë. Të përcjellin duke gënjyer. Ku të vemi të përplasemi, sepse nuk dimë ku të përplasemi.”- u shpreh e revoltuar një nga punëtoret e fasonerisë.

Përveç mungesës së bonusit së qerasë, kryetari Basha u njoh me një realitet të rrezikshëm për shumë familje, të cilat janë kthyer në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, pas braktisjes nga qeveria dhe bashkia.

“Kemi dalë dhe kemi hyrë prapë, në shtëpi, sepse nuk na ka ardhur njeri të na shikojë shtëpinë ku jetojmë ose të na japë një ndihmë. “- i tha zotit Basha një nga kryefamiljarët që banonte në zonën e plazhit.

Gjatë bashkëbisedimit me pronar dhe punonjës të fasonerisë, zoti Basha u njoh dhe me faktin se shteti ka qënë inegzistent në këto momente të vështira për ta.

Bizneset nuk kanë patur asnjë mbështetje nga shteti për dëmet e shkaktuara ndërkohe që duhet të paguajnë taksat e rritura dhe fuqia blerëse është në nivelet minimale.

Mosmarrja e masave të menjëhershme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

Një qeveri e ardhur nga vota e krimit nuk mund të ketë prioritet tjetër veç krimit, duke braktisur qytetarët siç ka ndodhur dhe në Durrës e zona të tjera.

“Unë jam këtu për t’ju thënë se ka një zgjidhje, ka një alternative, të cilën do ta vendosni ju me votë.
Ndryshimin e keni ju në dorë. Ulja për biznesin e taksës nga 15% në 9%, ulja me 30% e çmimi të energjisë, ulja me 500 lekë për çdo litër karburant. Të gjitha këto para, të cilat biznesi sot ia paguan shtetit në formën e taksave, ne do t’ia lëmë biznesit dhe do të vendosim me ligj për rrogën minimale 300 Euro.

Edhe biznesi fiton më shumë, edhe punëmarrësi fiton më shumë dhe situata sociale rregullohet. Ky është propozimi ynë. Doni të bëhet ligj? Vota e vendos. Dy gjëra mos harroni, që vendi i ka mundësitë, nuk ka përse të jetë kështu situata dhe që këto mundësi të kthehen në realitet e keni ju në dorë me votë.”- tha zoti Basha.

Gjatë qëndrimit në Durrës, kreu i opozitës vizitoi edhe një biznes të prodhimit të bulmetit, ku shpjegoi se në planin e Partisë Demokratike ndihma për bizneset me bazë prodhimet bujqësore dhe blegtorale është prioritet, duke i mbrojtur njëkohësisht edhe nga prodhimet e pakontrolluara të importit.

Kryebashkiaku i dënuar me burg, Balla “lan duart”: Përgjegjësi personale e tij

Gjatë një komunikimi me median ditën e sotme kreu i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla, u shpreh në lidhje me dekretin e kthyer nga presidenti Meta në kuvend për paketën antishpifje, për kreun e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë por edhe në lidhje me akuzat që ka bërë së fundmi Partia Demokratike, ndaj kryebashkiakut të Mallkastrës Qerim Ismailaj.

Balla tha se Partia Socialiste nuk ka asnjë përgjegjësi për çështjet individuale të gjithsecilit.
“Partia socialiste ka një vendim politik që nuk ka asnjë përgjegjësi politike për përgjegjësitë individuale të gjithësecilit në PS, në këtë rast ka përgjegjësi personale. Në çdo rast hetimin dhe në lidhje me akuzat është detyrë e prokurorsë së përgjithshme”, tha Balla.

Sipas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, Ismailaj është dënuar nga gjykata greke, dënim të cilin nuk e ka shënuar në formularin e dekriminalizimit.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin për Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj dhe ka nisur verifikimin për figurën e tij.

Marinela Ziu publikon shifrat e vjedhjes apokaliptike të korrupsionit me tenderat publikë!

Prej shtatë vjetësh, Partia Demokratike monitoron dhe analizon çdo tender dhe qindarkë publike, për t’ju vërtetuar shqiptarëve me prova, fakte dhe dokumentacion zyrtar, si dhe sa vidhen nga kjo qeveri.

Shifrat e të cilave, vetëm nga prokurimet publike, pa përfshirë koncesionet, kontratat e klasifikuara, ankandet, qiratë e tokave shtetërore, investimet strategjike, apo çdo kontratë tjetër publike, përbëjnë vjedhje apokaliptike.

Vetëm para pak ditësh, z. Basha, pas një takimi me investitorë italianë, denoncoi koeficientin e vjedhjes dhe korrupsionit me tenderat, që sipas ekspertëve italianë ka arritur në 80%. Pra, për të njëjtin shërbim të tenderuar në Itali ku taksapaguesit paguajnë 200 mijë euro, në Shqipëri, ne paguajmë 1 milion euro pra plot 5-fishin e vlerës reale.

Duke pasur pasasysh “parimin” e mësipërm, ku vjedhja shkon deri në 80%, për shërbimet e tenderuara në vitin 2019, taksapaguesit shqiptarë do të paguanin 129 milion euro dhe jo 646 milion euro, pra falë vjedhjes dhe korrupsionit në çdo hallkë të qeverisjes, ne kemi paguar plot 517 milion euro më shumë vetëm në vitin 2019.

Le të analizojmë faktet edhe më në detaje…

Pas denoncimeve të përditshme të Partisë Demokratike, për daljen jashtë kontrollit të procedurave me negociim pa shpallje, si procedura pa garë dhe në shkelje të ligjit, pavarësisht se pati një rënie të tyre në vitin 2019, sërisht konkurrenca fiktive, pa transaparencë, me kritere dhe fitues të paracaktuar dhe mungesë të garës reale, mbeten sërisht problematikë e jashtëzakonshme.

Mungesa e garës në prokurimet publike është evidentuar edhe nga raportet e përvitshme të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit 30% e tenderave në vitin 2018, ishin pa garë apo edhe raporteve të GjykatësEuropiane tëAuditit, e cila theksonse deri në vitin 2018, 1 në 3 tenderaështë pa garë.

Pas analizës së detajuar tëtë dhënave zyrtare të procedurave të prokurimit të zhvilluara në vitin 2019, situataështë akoma edhe mëproblematike, kjo pasi, në procedura me apo pa shpallje, në 38,5% ose 1 në 2 tendera, ka një operator në garë ose ka garë fiktive, ku disa operatorë hyjnë në tender me ofertë 0 dhe vetëm fituesi të cilit i është taksur tenderi është ofertues, pra procedura pa garë.

Në funksion të mirëpërdorimit të fondeve publike, Ligji “Për Prokurimin Publik”, ka parashikuar si kriter për të kualifikuar një operator fitues, ofertën me të ulët.

Por çfarë ndodh në praktikë?

Pavarësisht se, në çdo tender pranohet nga vetë institucioni si kriter për të kualifikuar një operator fitues “oferta më e ulet”, fiton, oferta më e lartë, në disa raste edhe me miliarda diferencë me ofertën më të ulët.

Në këtë aspekt, në vetëm 1,526 ose 26,6% të procedurave total të zhvilluara në vitin 2019, nqs do të zbatohej Ligji “Për Prokurimin Publik” dhe do të kualifikohej fitues oferta më e ulët, buxhetit të shtetit do ti kursehej plot 38,5 milion euro ose 6% e vlerës total të prokuruar, e cila përbën një rritje me 1,5% krahasuar me vitin 2018.

Nga ana tjetër, nga 5,721 procedura të zhvilluara në vitin 2019, në 2,665 ose 46,5% të procedurave, vlera e fondit limit është thuaj se e njëjta vlerë me vlerën e kontratës.

Ndërkohë që vendi është zhytur në varfëri ekstreme, dhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit janë ende katastrofike për qytetarët, qeveria jo vetëm që nuk kontrollon shpenëzimet e saj të luksit por krahasuar me vitin 2018 kemi një rritje me 31,4 milion euro për mobilime luksoze zyrash, rikonstruksione godinash, bileta udhëtimi, automjete, karburant, pajisje etj, duke shënuar shifrën e frikshme të plot 226 milion eurove shpërdorim vetëm në vitin 2019, dhe plot 1 miliard euro nga dita e parë e marrjes së pushtetit nga “Rilindja”.

Kjo qeveri erdhi dhe mbahet në pushtet nga një grusht i vogël njerëzisht, të cilët vetëm nga tenderat,që i quajnë edhe si “gjera të vogla”, pa përfshirë koncesione, kontrata të klasifikuara, ankande, qira tokash shtetërore, investime strategjike, apo çdo kontratë tjetër publike, vetëm në vitin 2019, kanë përfituar 45,2 milion euro ose 7% të vlerës total të prokuruar në vitin 2019.

Duke ju referuar fakteve të mësipërme, është e qartë se qytetarët nuk janë prioritet i kësaj qeverie dhe se varfëria ekstreme që ka kapluar çdo familje shqiptare, është rrjedhojë e drejtpërdrejtëinstitucionit të vetëm funksional në vend, KÇK (Kap Ça’t Kapësh), drejtues i së cilës është vetë Kryeministri…

Av. Marinela Ziu
Departamenti i Antikorrupsionit, Aksesit në Shërbime dhe Transaparencës në qeverisje
Partia Demokratike e Shqipërisë

Ambasadorja e re amerikane i përgjigjet Iranit

Yuri Kim ka bërë betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, raportoi Zëri i Amerikës. Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të 2019.

Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

“Jemi vendi i shqiponjave”
Gjatë fjalës së saj, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri tha se vendi i saj do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë, ndërsa kishte dhe një përgjigje mbi etiketimet e bëra nga lideri i Iranit, Ali Khamenei.

“Jam e nderuar që presidenti i SHBA, më ka dërguar si përfaqësuese të SHBA në Republikën e Shqipërisë. Pak vende mike dhe aleate kanë pranuar paralajmërime dhe shqetësimet e SHBA për luftë. Pak aleatë kanë qenë besnikë, por pak partnerë janë gati të mbështesin SHBA.

Nuk mund të jetë e mundur, që dy kombe si SHBA dhe Shqipëria të kenë zgjedhur të jenë kombe djallëzore. Ne jemi gjithashtu vendi i shqiponjave. Jemi krenarë, të fortë dhe të pavarura dhe do të luftojmë për këto vlera.

Si ambasadore do të siguroj që SHBA dhe Shqipëria të ecin përpara. Ne do të bashkëpunojmë dhe do të sigurojmë që të gjitha mundësitë të fitojnë në fund“, tha znj.Yuri Kim.

PS paralajmëroi rrëzimin e dekretit të Presidentit për ligjin e censurës, reagon Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi nga radhët e PS u paralajmërua rrëzimi i dekretit të tij, me atë të cilit riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin e pagëzuar “anti-shpifje” nga qeveria.
Meta shprehet se është koha për të reflektuar, ndërsa fton “të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur ‘anti-shpifje’”.

Reagimi

“Të dashur qytetarë,

Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.

Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur ‘anti-shpifje’”.