13.5 C
Tirana
E premte, 25 Prill, 2025

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit”, reagimi i ish-Presidentit

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka replikuar sot në distancë me ish-ministrin socialist Ethem Ruka, pasi ky i fundit ishte shprehur me indinjatë kundër tij pse Nishani e kishte konsideruar “idiot”, Kryeministrin Edi Rama dje.

Nishani iu kundërpërgjigj sot Rukës, duke argumentuar dhe deklaratën e tij të fortë dje, ku thoshte: “dikush t’i tregojë idiotit kryeministër, që kërcënon se do të mbyllë mediat, pasi na paska shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme!Qeveria nuk shpall dot Gjëndje të Jashtëzakonëshme!”

Reagimi i plotë i ish-Presidentit Nishani

Et’hem Ruka që mban dhe titullin “Profesor” qënka revoltuar e më është kundërvënë pse i kam thënë një njeriu të papërgjegjshëm deri në ekstrem “idiot”!

Ky profesor që merr përsipër të arsimojë rininë tonë nuk i bën përshtypje dhe i duket normale që kryeministri i një vendi del në publik e deklaron se “unë kam shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme dhe me këtë do mund të mbyll ekranet e median”.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri në vend të nxjerrë trupat e shqiptarëve nga rrënojat, i jep vetes kompetencat e sulltanit, që nuk Ia njeh asnjë ligj e as Kushtetuta e këtij vendi.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend të strehojë fëmijët dhe pleqtë që janë në mes të shiut e të ftohtit, del e shantazhon median që informon publikun.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend t’u japë një supë të ngrohtë e një gotë çaj shqiptarëve që gdhihen jashtë, kërcënon mediat që denoncojnë vjedhjet edhe të batanijeve të nevojtarëve.

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit dhe jo me hallet dhe të vërtetat e qytetarëve nën rrënoja.

Halli i profesorit është se mos na zbulohen paudhësitë dhe gënjeshtrat e kryeministrit dhe jo si të mbulohen shqiptarët nën qiellin e hapur. Për fat, duhet ta kuptojmë pse mafia vazhdon e mban të uzurpuar pushtetin.

Propaganda e shpifur që fshehu dhe injoroi dëmet e tërmetit të parë, i çoi në varr 49 shqiptarë të mirë. Dhe ne rrimë e gjykojmë ata të mjerët që shesin votën për një thes miell!

Albin Kurti flet nga Durrësi i rrënuar: Qeveritë tona duhet t’i përgjigjen krizës…

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti ndodhet në Durrës, aty ku ka shumë të prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Në një lidhje të drejpërdrejtë në ABC News ai deklaroi se në këtë krizë ushtria është mjeti më efikas për të përballuar këtë situatë dhe sipas tij, ushtritë tona po e përballojnë shkëlqyeshëm.

“Këtu në këtë krizë ushtria është mjeti më i mirë për efikasitet të lartë dhe organizim dhe ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë shkëqyeshëm  dhe në këtë fatkeqësi të rëndë për kombin në ballë kemi dy ushtritë, po na ngrohin zemrat që do arrijmë të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur”.

Kurti thekson se ajo që duhet menaxhuar nga të dy qeveritë ëhstë kriza pas tërmetit, e cila duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë.

“Dy qeveritë tona duhet të takohen dhe një temë të jetë kriza pas tërmetit, duket që rreziku mund të ketë rënë një çik, por jeta e rëndë e cila ka edhe elementë të një lloj mjerimi e varfërie edhe krize humanitare të njerëzve meqënëse nuk mund të kthehen në shtëpi është çorientuar duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë tona.

Jemi dy shtete, por një komb dhe duhet ta dëshmojmë me aksionin solidar të popullit. Më pas duhet të organizohet dhe nivel më të lartë të duhur nuk ka më mirë sesa ushtria. Kazerma skenderbeu në Kosovë do të shërbejë si pikë për ndihmë që po u vjen qytetarë të Kosovë”.

Një ditë më parë Kurti ishte në Gjilan për t’u dhënë lamturmirën dy djemve që u gjetën nën rrënojat e hotelit në Durrës.

“Dje ishim në Gjilan ku u thamë lamtumirën dy djemve nga Kosova punëtorëve që gjetën vdekjen në gërmadhat e hoteli nga ky tërmet i tmerrshëm”, tha ai.

Dhimbje e lot në ceremoninë e lamtumirës për 10 anëtarët e dy familjeve në Thumanë

Dhjetë anëtarë të dy familjeve në Thumanë, Cara dhe Greku sot përcillen në banesën e fundit.

Në familjen Cara si pasojë e tërmetit humbën jetën 7 persona. Ditën e sotme do ti jepet lamtumira e fundit në Thumanë 6 prej tyre, ndërsa nusja e njërit prej viktimave do të prehet pranë familjes së saj në Korçë.

Ditën e tërmetit, Hasan Cara kishte ditëlindjen, ndërsa Almir Cara në shtator të vitit të ardhshëm pritet të bënte damsën me të fejuarën e tij, trupi i të cilës u dërgua në Korçë.

Qindra qytetarë i janë bashkuar ceremonive për dy familjet që zhvillohen pranë çadra të ngritur në këtë zonë.

Eksperti amerikan i tërmeteve: Cilat janë zonat me rrezikun më të madh

Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen, por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Në një intervistë që i dha nga San Franciskoja, Ilir Ikonomit, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja. Puna e kompanisë Temblor në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Profesor Stein, a ishte tërmeti në Shqipëri diçka që shkencëtarët e kishin parashikuar në një farë mënyre?
Profesor Ross Stein: Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë.

Zëri i Amerikës: Si do ta krahasonit tërmetin e tanishëm me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën?

Profesor Ross Stein: Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël. Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara.

Zëri i Amerikës: A ka Shqipëria një histori të pasur me tërmete?

Profesor Ross Stein: Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe ekzistojnë të dhëna për tërmete që datojnë nga viti 1000 i Erës Sonë, të cilët tregojnë se ky është një rajon ku, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Çfarë tregojnë rrudhat e terrenit apo vijat tektonike që përshkojnë këtë rajon?

Profesor Ross Stein: Më lejoni të kthhem pak prapa. Arësyeja që Shqipëria është kaq e bukur është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh nga që rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. i tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë.

Zëri i Amerikës: Besoj se këto janë shenja shumë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të sjellë e ardhmja për Shqipërinë, apo jo?

Profesor Ross Stein: E vërtetë. Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Pra, këto tërmete ndodhin përgjatë një rrudhe që vjen duke u ngritur me një gjatësi prej rreth 100 kilometrash. Kjo rrudhë fsheh linjën tektonike poshtë saj. Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë.

Zëri i Amerikës: Ju thoni “në një kuptim të gjerë”, por njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.

Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë ose të parashikojnë tërmetin tjetër. Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër. Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.

Zëri i Amerikës: Si i shpjegoni kaq shumë pasgoditje? A mund të pritet që ndonjëra nga këto pasgoditje të jetë aq e madhe sa të sjellë të njëjtën shkallë shkatërrimi?

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Nuk është e pazakontë që pas një tërmeti të madh të vijë një tjetër, siç ndodhi me tërmetin e Izmitit në 1999. Prandaj ne duhet t’i themi vetes: Edhe pse ndodhi ky tërmet, rreziku nuk është pakësuar. Në fakt rreziku është shtuar për një fare periudhe të rëndësishme kohe.

Zëri i Amerikës: Dhe natyrisht pyetja është se për çfarë periudhe kohe bëhet fjalë. Njerëzit duan të dinë. Pyetja tani për tani është nëse duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre apo të qëndrojnë jashtë dhe të presin deri sa të ndërtohen banesa më të mira.

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe përgjigja varet nga cilësitë e ndërtesave, sa të forta janë ato. Përgjigja e shkurtër është: Sa më gjatë të qëndrosh jashtë një ndërtese të dobët, aq më mirë. Nuk mund të ketë një moment kur shkencëtarët të thonë: Në rregull, rreziku tani ka kaluar. Rreziku do kohë që të kalojë, kjo kohë mund të jetë një dekadë por mund të shkojë deri në 100 vjet. Këshilla ime është: Ajo që duhet të bëjnë njerëzit tani është të marrin specialistë për të inspektuar ndërtesat e tyre. Nëse cilësia e ndërtimit është e mirë, kthimi nëpër banesa është ndoshta gjëja më e sigurtë. Përndryshe, nëse ndërtesa është e dobësuar, duhet qëndruar jashtë sepse ekziston rreziku që ajo të shembet nga një pasgoditje.

“Më lini të vdes në krahët e vajzës”, fjalët e fundit të Diena Karanxhës

Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.

“Një nënë e goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu artikullin “Mirror”.

“Diena Mecaj Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel, e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë.
Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës time”.
Mediat lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.

Burri i saj, Dorian Karanxha vka ndërruar jetë nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.

Diena postoi foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”. “Shumë njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë do të të dua përgjithmonë”.

Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror./abcnews.al

Rama nis terrorin ndaj mediave në ditët e tragjedisë, arreston administratorin e “Jeta Osht Qef”

Edhë në ditë të vështira si këto të pas tregjedisë së tërmetit 25 Nëntorit, Rama po i shfrytëzon për të goditur mediat online që janë 24 orë në shërbim të qytetarëve me informacione mbi situatën.

Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka bërë me dije se janë arrestuar dy persona pasi kanë lejuar përhapjen e lajmeve të rreme. Kemi të bëjmë me një veprim terrorist të policisë, që ka nisur tahsmë të arrestojë gazetarë dhe të mbyllë portale që janë në armiqësi të hapur me Ramën.

Të arrestuar janë administratë të Jeta Osht Qef, Ereland Dalliu dhe Gentian Çengeli.

Deklaratë e turpshme e Policisë së Pushtetit Kriminal

Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese.

Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf.

Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.

Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019 ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës.

Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut e frikës tek qytetarët

Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët.

Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve.

Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar.

Faleminderit!
Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi

Rrëfimi i dhimbshëm i babait që humbi vajzën: Ishte në gjumë, nuk u zgjua ndoshta nga lodhja e punës

Aderina Kabili ishte vetëm 21-vjeçe. Ajo punonte në fasoneri dhe çdo ditë në orën 05:30 të mëngjesit nisej për në punë.

E reja nga Thumana shkoi për të fjetur mbrëmjen e së hënës, pa e ditur se të nesërmen në mëngjes nuk do të zgjohej më.
Në moshën më të bukur dhe me një të ardhme përpara, Aderina u shua tragjikisht nga tërmeti i së martës.

Ajo ishte në gjumë. Babai i saj, Haxhi Kabili kishte shkuar ta zgjonte përpara lëkundjeve vdekjeprurëse të orës 03:54 minuta, por Aderina, ndoshta e lodhur nga një ditë më parë, nuk u zgjua.

Në një rrëfim të dhënë për tvklan, vetëm pak përpara se trupi i saj i pajetë të gjendej poshtë rrënojave, babai i saj 52-vjeçar tregoi se kur kishte hapur derën ku flinte e bija, gjithçka kishte përfunduar.

Haxhi Kabili arriti të shpëtonte bashkëshorten dhe një fëmijë të fqinjëve, por jo vajzën e tij. Vetëm pak çaste pas tërmetit ai kërkonte i dëshpëruar për të bijën, ashtu sikurse edhe një ditë më pas, por këtë herë i dorëzuar me faktin se e bija nuk jetonte më.

Trupi i Aderinës u gjet orët e vona të së mërkurës nga gërmadhat e pallatit 5 katësh, ndërsa këtë të enjte në orën 14:00 ajo u përcoll për në banesën e fundit.

Kjo vajzë e re e plot jetë u shua së bashku me dhjetëra të tjerë, nga lëkundjet tragjike të 26 Nëntorit.

Solidariteti/ 63% e Kosovës, gati të hapin banesat e tyre për familje nga Shqipëria

Tërmeti në Shqipëri që shkaktoi viktima e shumë dëme materiale ka reflektuar lidhje të forta mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Institucione, biznese dhe qytetarë të Republikës së Kosovës kanë ofruar ndihma materiale, financiare dhe vendstrehim për familjet nga Shqipëria. Andaj, për të matur gatishmërinë e qytetarëve për të ofruar ndihmë, Pyper ka realizuar një sondazh në të cilin kanë marrë pjesë 1089 pjesëmarrës anembanë Kosovës.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë një gatishmëri mjaft të lartë të kosovarëve për t’i ndihmuar familjet në Shqipëri duke qenë të gatshëm të ofrojnë ndihma shtesë siç janë ndihmat materiale, mjetet financiare, gatishmëria për të ofruar vendstrehim dhe për të shkuar në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre.

Vlen të ceket se prej të gjithë pjesëmarrësve, 35.66% e tyre kanë ofruar ndihma materiale për shtetasit e Shqipërisë, pra veshmbathje, produkte ushqimore etj., ndërkaq 33.46% kanë pohuar se përkundër se ende nuk kanë ofruar ndihma materiale, planifikojnë të ofrojnë ndihma në të ardhmen.

Po ashtu, përveç ndihmave materiale, 22.87% e pjesëmarrësve kanë deklaruar se deri më tani kanë ofruar mjete financiare për familjet në Shqipëri. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se 34.44% e pjesëmarrësve që deri më tani nuk kanë ofruar ndihma financiare janë deklaruar të gatshëm të ofrojnë ndihmë financiare.

Po ashtu vlen të përmendet se 12.21% e pjesëmarrësve kanë qenë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre prej të cilëve 6.98% synojnë të shkojnë përsëri në Shqipëri. Ndërkaq shumë prej pjesëmarrësve që nuk kanë qenë ende në Shqipëri për të ofruar ndihmë planifikojnë të shkojnë së shpejti (43.53%).

Përpos ndihmave financiare dhe materiale, deri më tani vetëm 5.51% e pjesëmarrësve janë duke strehuar ndokënd nga Shqipëria, ndërsa 62.9% janë shprehur të gatshëm të strehojnë në shtëpitë e tyre ndonjë familje nga Shqipëria.

Mesazhi prekës i Dua Lipës: Ky 28 Nëntor…

Artistja e mirënjohur shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, ka bërë një shkrim të ndier për situatën e vështirë në Shqipëri.

Ajo publikoi në Instagram një fotografi nga klipi i saj “IDGAF”, ku shfaqet në dy pozicione, e veshur në njërin me blu dhe tjetrin me të kuqe, që simbolizojnë ngjyrat e flamujve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në përshkrimin e fotografisë, këngëtarja ka shkruar se ka nisur një iniciativë në bashkëpunim me brendin “Bond”, që udhëhiqet nga dy vëllezër shqiptarë, ku do t’i ndihmojë në distribuimin dhe shitjen e materialeve për bluza, fitimet e të cilave do të shkojnë tërësisht për Shqipërinë.

Nga shkrimi i saj, arrijmë të kuptojmë edhe se ajo dhe familaj e saj kanë dhuruar gjithashtu donacione personalisht, pa dëshirën për t’i bërë publike në detaje.

Ky 28 nëntor, Dita jonë e Flamurit Kombëtar, na gjen në mes të dhimbjes për jetët e humbura të tërmetit shkatërrues në Shqipëri dhe duke qenë krenarë për solidaritetin që vëllezërit dhe motrat tanë në Kosovë dhe në të gjithë botën po tregojnë për këtë tragjedi .

Si gjithmonë të gjithë jemi të bashkuar dhe të gjithë jemi duke kërkuar mënyrat më të mira për të ndihmuar familjet e prekura, fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre, prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre dhe miqtë që kërkojnë të gjejnë njëri-tjetrin dhe të jenë atje për të dashurit e tyre.

Çdo moment i humbur duket si një moment tepër vonë në ndërgjegjësimin në mbarë botën për këtë tragjedi, dhe kjo është arsyeja pse unë nuk mund të pres më.

Përveç donacioneve personale të mija dhe familjes sime, unë bashkohem me miqtë e mi Kushtrim dhe Arben nga @bond.nyc për të krijuar materiale që do të shiten në të gjithë botën dhe 100% të të ardhurave do të shkojnë drejt familjeve të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Të gjitha të ardhurat do të shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë zyrtare të siguruara nga Qeveria e Shqipërisë me të cilët kemi qenë në kontakt përmes miqve tanë në Prishtinë.

Ne kemi dëshmuar që jemi të fortë dhe në momentet si kjo ne bashkohemi si një komb i vëllezërve dhe motrave të BASHKUAR.
Lutuni për Shqipërinë dhe për jetët e humbura. Bashkohuni me mënyrën më të mirë për të ndihmuar kauzën ose të bëni vetë gjërat tuaja. Koha është gjithnjë e duhur.”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram.