35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Zjarri në spital/ Kaldajat nuk ndizen në mes të acarit sepse me fondet për ngrohjen do paguhen PPP-të…

Një zjarr i madh përfshiu Spitalin e Durrësit në orët e para të së shtunës. Pamjet e publikuara nga momenti i zjarrit ishin të dhimbshme. Pacientë që largohen me shpejtësi, mes tyre edhe fëmijë, për të shpëtuar jetën.

Për momentin dyshohet se zjarri është shkaktuar për shkak të një shkëndije prej ngarkesës në rrjet nga ngrohëset. Ditët e ftohta të janarit kanë bërë që njerëzit të sjellin vetë mjetet e ngrohjes në spital.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe nënkryetari i PD në Durrës, Ardian Muka. Ai shkruan në një postim në Facebook se, Ky është rezultati i reformës në shëndetësi: miliarda lekë për PPP e shëndetësisë, dhe spitale që nuk ndezin kaldajat në mes të acarit sepse nuk kanë fonde, sepse me fondet për ngrohjen do paguhen PPP-të,

Postimi i plotë

Spitali i Durrësit u dogj sepse pacientët ngrohen me ngrohësa të marrë nga shtëpitë e tyre, ngaqë spitali nuk ndez kaldajën për ngrohje gjatë gjithë ditës!! Ky është rezultati i reformës në shëndetësi: miliarda lekë për PPP e shëndetësisë, dhe spitale që nuk ndezin kaldajat në mes të acarit sepse nuk kanë fonde, sepse me fondet për ngrohjen do paguhen PPP-të, duke vënë jetët e pacientëve në rrezik serioz nga zjarri, me dëme miliarda lekëshe në strukturen e spitalit të saporikonstruktuar. E gëzofshim reformën shëndetësore!!.

Zjarri në Spitalin e Durrësit, frikë dhe panik tek pacientët…

Zbardhen detaje të reja për zjarrin që ra mesnatën e kaluar në Spitalin e Durrësit, duke shkaktuar panik të madh te pacientët. Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, tha për BË se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.

Sipas drejtoreshës Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim. “Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 qe kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë.

Evakuimi i të gjithë pacientëve u bë pasi u shkaktua një tym i madh që përfshiu katin e parë e deri në të katërt. Fillimisht kanë ndërhyrë rojet e spitalit, derisa kanë ardhur zjarrfikëset e Durrësit. Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha drejtoresha e Spitalit.

Prindërit kanë rrëmbyer në krah fëmijët e sëmurë dhe kanë dalë në mes të të ftohtit për t’i shpëtuar flakëvetë zjarrit.

Pamjet e e mëposhtme tregojnë dramën që përjetuan mbrëmjen e kaluar, të sëmurët në spitalin e Durrës, për shkak të zjarrit në mesantë që doli linjat elektrike.

Cila është fuqia persike?

Kapacitetet ushtarake të Iranit po shqyrtohen gjithnjë e më shumë, meqë mundësitë për një konflikt të madh me Shtetet e Bashkuara janë rritur, prejse këto të fundit kanë vrarë komandantin e forcës elitë të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.

Pra, ç’kapacitet kanë forcat e armatosura të Republikës Islamike?

Përgjigjja në këtë pyetje varet në masë të madhe nga synimet strategjike të Iranit.
Qëllim kryesor i Iranit është të thellojë ndikimin dhe të mbrojë interesat e tij në Lindjen e Mesme, ose, së paku, t’i pengojë kundërshtarët, si Arabia Saudite, që të kenë më shumë pushtet.

Për ta arritur këtë, Teherani ka bërë gjithçka të mundur për të frenuar dhe sulmuar kontingjentet e forcave amerikane, të vendosura në dhjetë vende të rajonit. Qëllimi i tij përfundimtar është dëbimi i tyre nga rajoni.

Por, për të ndjekur këtë synim, Irani me gjasë do të shmangë luftën e plotë, sepse ushtria e tij nuk mund të krahasohet me forcat e armatosura amerikane dhe me aleatët e Uashingtonit, të stacionuar në Lindjen e Mesme, thonë ekspertët.
Pa bomba bërthamore, por me shumë milici

Iranianët kanë program shumë të diskutueshëm bërthamor, por, tash për tash, nuk kanë kapacitet për të bërë armë.
“Ata kanë program me raketa balistike, por jo raketa me rreze të gjatë që mund t’i arrijnë Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Atlantic.

Sipas kësaj gazete, Teherani nuk ka ndonjë mik të madh në rajon: “Irani ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, por asnjë aleat të fortë, fuqi të madhe”.

Irani, i cili cilësohet si një nga vendet më të izoluara në botë, zbaton një strategji të luftërave të milicive ose kryen sulme asimetrike, duke shfrytëzuar dobësitë e forcave amerikane dhe atyre që udhëhiqen nga SHBA-ja.

Buxhet modest për ushtrinë
Buxheti i mbrojtjes i Iranit në vitin 2018, sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, ka qenë mbi 13 miliardë dollarë.

Por, Teherani qëndron larg kundërshtarëve rajonalë, si Arabia Saudite, e cila ka shpenzuar 70 miliardë dollarë, dhe Izraeli 18.5 miliardë.

Shtetet e Bashkuara, me një buxhet prej 700 miliardë dollarësh, nuk kanë rival.

Për më tepër, shpenzimet ushtarake të Iranit janë zvogëluar për 9.5 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin paraprak, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike, që ia kanë shkaktuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara – një strategji kjo që Uashingtoni i referohet si “presion maksimal”.

Megjithatë, establishmenti ushtarak i Iranit, sidomos Garda Revolucionare, nuk varet shumë nga buxheti i shtetit sa u përket fondeve, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive, me seli në Uashington.

“Establishmenti ushtarak kontrollon (një të pestën) e vlerës së tregut të kompanive, të listuara në Bursën e Teheranit, dhe zotëron mijëra kompani të tjera, që sjellin të ardhura për forcat e armatosura. Për më tepër, Garda Revolucionare kontrollon një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë nëntokësore të Iranit”, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive.

Më i madhi në Lindjen e Mesme
Sa i përket fuqisë së përgjithshme ushtarake, forcat e armatosura të Iranit renditen të 14-tat në botë në një listë prej 134 vendesh që është përpiluar në vitin 2019 nga Global Firepower dhe Business Insider.

Me rreth 523,000 forca në detyrë dhe 350,000 rezervë, Irani ka ushtrinë më të madhe aktive në Lindjen e Mesme.
Forcat aktive përbëhen nga 350,000 ushtarë të rregullt dhe së paku 150,000 pjesëtarë të Gardës Revolucionare, e cila ka pushtetin më të madh në ushtrinë iraniane.

Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, raporton drejtpërdrejt tek udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Ushtri brenda ushtrisë
Garda Revolucionare përbëhet nga pesë nëngrupe.

Një prej këtyre nëngrupeve, Forca Kuds, është udhëhequr me dekada nga Soleimani, derisa është vrarë në një sulm me dron nga SHBA-ja – një ngjarje kjo që i ka çuar Iranin dhe Shtetet e Bashkuara në situatën aktuale.

Forca Kuds është e ngarkuar me operacione jashtë shtetit, kryesisht në Lindjen e Mesme.
Vlerësimet për numrin e saktë të pjesëtarëve të saj ndryshojnë.

Por, Jack Watling, nga Instituti për Shërbime të Bashkuara Mbretërore, ka vlerësuar për NBC News se ajo numëron 17,000 deri në 21,000 anëtarë.

Një tjetër nëngrup i Gardës Revolucionare është milicia Basij, një forcë paraushtarake me 90,000 anëtarë, të mobilizuar për të zbatuar rendin.

Si shumë institucione të ndërlidhura në Iran, Basij është formuar fillimisht si forcë vullnetare, gjatë luftës Iran-Irak. Por, që atëherë, “është bërë një pjesë e ngulitur e shtetit”, shkruan Washington Post.

Nën komandën e Gardës Revolucionare veprojnë edhe 20,000 pjesëtarë të forcës detare, të vendosur kryesisht në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo Ngushticë, ku kalon mbi 20 për qind e tregtisë globale të naftës, është një rrugë e rëndësishme dhe ka qenë shpesh skenë e konfrontimeve midis anijeve iraniane dhe atyre me flamuj të huaj, në vitin 2019.

Edhe pse më e vogël në numër, Garda Revolucionare është më e fuqishme se ushtria e rregullt, për shkak të natyrës së degëzuar të shtetit iranian. Dhe, për këtë arsye, marrëdhëniet midis qeverisë dhe Gardës Revolucionare kanë qenë gjithmonë të tensionuara.

Tanket
Irani ka 1,634 tanke, duke u renditur i 18-ti në mesin e 137 vendeve. Ky numër mbështetet nga rreth 2,345 automjete të blinduara luftarake dhe 1,900 raketahedhës.

Tanket, megjithatë, janë modele të vjetra. Vetëm modeli i ri Karrar mund të krahasohet me disa tanke më të mira në botë.
Edhe pse Karrar duket shumë i ngjashëm me prodhimin e njohur rus, T-90, Irani i ka hedhur poshtë sugjerimet se ka bashkëpunuar me Rusinë në prodhimin e tij.

Marina
Marina iraniane është krahasimisht një forcë modeste, e cila nuk ka as transportues aeroplanësh, as shkatërrues.
Marina e Iranit posedon gjashtë luftanije, tri korveta, 34 nëndetëse dhe 88 anije patrullimi.
“Fluturuesit e shpejtë”

Me rreth 509 avionë luftarakë, Forca Ajrore e Iranit mbetet larg – si për nga sasia, ashtu edhe cilësia – kundërshtarëve rajonalë, si Arabia Saudite dhe Izraeli, që kanë 848, respektivisht 595 aeroplanë në flotat e tyre, raporton National Interests.

Pjesa më e madhe e forcave ajrore të Iranit daton në epokën e shahut ose është mbetje nga forca ajrore irakiane e diktatorit Saddam Hussein.

Forca irakiane i ka çuar shumë nga aeroplanët e saj në Iran gjatë Luftës së Gjirit Persik, më 1991, për të shmangur shkatërrimin e tyre nga forcat e drejtuara nga SHBA-ja.

Forca Ajrore e Iranit mban nofkën “Tizparvazan” (“fluturues të shpejtë”).
Pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – e cila i hoqi Iranit disa sanksione të ashpra ndërkombëtare – ky vend pati një mundësi të shkurtër për të përmirësuar forcën e tij ajrore.

Mirage 2000 i Francës ka qenë një opsion, por Teherani përfundimisht ka vendosur kundër tij, sepse ka qenë më familjar me aeroplanët e prodhuar në Amerikë dhe Rusi.

Irani po ashtu ka pasur shansin të blejë 30 avionë të sofistikuar Su-30 nga Rusia, por ka hequr dorë, raporton National Interests.
“Kjo ndoshta ka ndodhur sepse paraushtarakët e Gardës Revolucionare nuk janë pajtuar kurrë që ushtria e rregullt iraniane të bëhet shumë e fuqishme”, shkruan revista amerikane.

Raketat
Si pasojë e sanksioneve amerikane, që i kanë zvogëluar Iranit eksportet e naftës, importet e pajisjeve ushtarake në Iran kanë rënë ndjeshëm, viteve të fundit.

Importet e armëve në Iran kanë rënë në mënyrë drastike në vitin 2018 dhe importet e përgjithshme të vendit për ushtrinë e tij – nga viti 2009 deri më 2018 – kanë qenë vetëm 3.5 për qind e importeve të përgjithshme të Arabisë Saudite gjatë së njëjtës periudhë kohore.

Për këtë arsye, Teherani është dashur të mbështetet gjithnjë e më shumë në zhvillimin e teknologjive vendase për nevojat e tij ushtarake, përshirë importet e pajisjeve më të lira, që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina.

Irani po ashtu mbështetet në zhvillimin e raketave dhe thuhet se ka sistemin më të zhvilluar të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në rajon.

Përveç tjerave, Irani ka raketa Shahab 1, me rreze prej 300 kilometrash, gjë që e ka bërë Uashingtonin të instalojë sistemin e tij anti-raketor Patritot në disa vende fqinje të Iranit, për t’iu kundërvënë kërcënimeve të mundshme.

Teherani ka punuar edhe në zhvillimin e raketave interkontinentale, edhe pse programet e tilla janë pezulluar pasi Irani ka arritur marrëveshje me gjashtë fuqi botërore në vitin 2015, për të kufizuar programin e tij bërthamor.

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, më 2018, Irani ka nisur gradualisht t’i injorojë kufizimet e parapara me marrëveshje. Pas vrasjes së Soleimanit, ka thënë se ndalon së zbatuari marrëveshjen.

Ky zhvillim lë hapur mundësinë e Teheranit për të rinisur përpjekjet për zhvillimin e raketave ndërkontinentale.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, raketa Shahab 3, me një rreze prej 2,000 kilometrash, mund të godasë Izraelin.

Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike gjithashtu raporton se Irani ka 32 bateri të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-300.

Lufta kibernetike dhe me dronë

Irani ka dronë që ka përdorur në operacionet në Irak dhe kundër Izraelit. Besohet gjithashtu se një dron iranian është përdorur në shtator të vitit të kaluar, për të sulmuar objektet e naftës në Arabinë Saudite.

Garda Revolucionare krenohet gjithashtu me një njësi kibernetike që dihet se ka qenë përgjegjëse për disa sulme jashtë Iranit.
Pas vrasjes së Soleimanit, shumë kanë menduar se Irani mund të përgjigjet me sulme masive kibernetike kundër njësive amerikane dhe kjo frikë, sipas gazetës New York Times, vazhdon.

Strategjia
Shumë analistë kanë parashikuar se Irani nuk do të hyjë në konflikt të hapur me Shtetet e Bashkuara, për shkak të vrasjes së Soleimanit, porse do t’i shfrytëzojë burimet e tij për të kryer operacione asimetrike, në përpjekje për të dëmtuar forcat amerikane ose interesat amerikanë në Lindjen e Mesme.

Edhe pse tashmë është përgjigjur me sulm me raketa kundër dy bazave ushtarake në Irak, kërcënimi për sulme të nivelit më të ulët, duke përdorur strategji të tjera, vazhdon.

Në një konfrontim të tillë potencial, Teherani do të mbështetet në “tri këmbë”, shkruan Deutsche Welle.
Një këmbë është “mbrojtja para kufirit”, që do të thotë forca Kuds jashtë Iranit të sulmojë forcat amerikane.

Dy këmbët e tjera janë përdorimi i raketave me rreze të gjatë për të goditur caqe të tjera amerikane ose përpjekja për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe për të tronditur tregjet globale të naftës.

Në një konflikt që do të përfshinte aksione në Ngushticën e Hormuzit, Irani do të mund të llogariste në rezervat e katërta më të mëdha në botë të naftës, me më shumë se 150 miliardë fuçi.

Shqetësimi i Teheranit për një pushtim tokësor të territorit të tij është me gjasë i ulët, shkruan Guardian.

Trupat amerikane në rajon

Vlerësohet se mbi 50,000 trupa amerikane janë të vendosura në Lindjen e Mesme. Sipas Washington Post-it, kjo është një shpërndarje e përafërt:

Bahrejn: 7,000
Irak: 6,000
Jordani: 3,000
Kuvajt: 13,000
Oman: 600
Katar: 13,000
Arabi Saudite: 3,000
Siri: 800
Turqi: 2,500
Emirate të Bashkuara Arabe: 5,000

“Luftë e muzgut”
Një tjetër opsion i mundshëm është status quo-ja.
Historiani Davic Crist i ka cilësuar katër dekadat e marrëdhënieve SHBA-Iran, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, si “luftë e muzgut”.

Siç shkruan Atlantic, Irani ka ndjekur një plan të caktuar gjatë kësaj kohe: ai i ka kompensuar aftësitë e mangëta ushtarake, në krahasim me Shtetet e Bashkuara, duke i përfshirë milicitë në luftëra, dhe ka bërë përpjekje për t’i çuar përpara interesat iranianë, me kosto të ulët dhe me rrezik minimal.

Vrasja e Soleimanit nga forcat amerikane dhe përgjigjja ushtarake e Iranit janë konfrontimi i parë i hapur midis dy vendeve, prejse protestuesit iranianë kanë sulmuar ambasadën amerikane në Teheran, më 1979.
Edhe pse situata aktuale është shtensionuar për momentin, ajo ka ende rrezik që të bëhet më serioze.
Përgatiti: Valona Tela
“Europa e Lire”

Berisha shpjegon pse “kallam diplomatit” i ngeci në fyt emri i Krimesë

Ish-Kryeministri Berisha ka shpjeguar përmes një statusi të shkurtër në facebook arsyen se përse Rama nuk e ka përmendur emrin e Krimesë në Ukrainë.

Mesazhi i plotë i Berishës
Ky eshte dhe kushti per te patur tradhetari i kombit nje audience me Carin ne kurriz te Kosoves!

Miq, pyetjeve te perseritura te mediave nderkombetare se çfare do bente kryesuesi i radhes se OSBE per Krimene dhe a do ta ngrinte kete çeshtje me Carin Putin, Kallam Diplomati iu pergjigj duke poshteruar veten e tij.

Ai, duke mos guxuar te shqiperoje emrin e vendit, territor i Ukraines te pushtuar nga Rusia, pushtim te cilin nuk e ka denuar mbare bota, u pergjigj: Si kryesues i OSBE nuk dëshiroj të jem kaq i hapur. Unë jam këtu që të zgjidh probleme. I uroj fat vetes!”

Nderkohe parardhesi i tij, kryesuesi slloven e kishte vendosur ne axhende dhe kishte folur disa here per çeshtjen e Krimese.
Ky qendrim vetposhteeues i kryesuesit te radhes te OSBE sipas burimeve serioze diplomatike krijoi peshtirosje tek diplomatet e vendeve perendimore kryesore.

Por shkaku kryesor i mosguximit te shqiperimit te emrit Krime qendron ne friken e Kallam Diplomatit se mos cari Putin do ti anulloje takimin e tij, te cilin tradhetari i kombit, i rakorduar me padronin e tij Vuçiç do ta perdori kunder Kosoves.

Shkrimtari Kim Mehmeti për Ramën: Nuk i ka ‘dërrasat’ në rregull, ka probleme mendore

Shkrimtari Kim Mehmeti në emisioni “A Shoë” me Ardi Kastrën , në T7, ka thënë fjalë të ashpra për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, duke thënë se ka edhe probleme mendore.

Mehmeti ka thënë se Rama është përbuzës dhe nuk i ka të gjitha dërrasat në rregull.
“Nuk mundet që një kryeministër t’i ketë të gjitha dërrasat në rregull dhe të tallet me qytetarët publikisht, ai është një përbuzës”, është shprehur Mehmeti.

“Kryeministri i Shqipërisë është i lumtur përderisa ne merremi me të, sepse ai nuk dëshiron që ne të merremi me Shqipërinë”, ka thënë Mehmeti.

Ai nuk hezitoi të thotë se Rama ka probleme mendore.
“Ky njeri ka probleme mendore”, ka thënë Mehemeti në “A Shoë”
Mehmeti pyeti se si Shqipëria mund ta durojë një kryeministër të tillë.

“Si munden që një Shqipëri me profesorë dhe akademikë ta durojnë këtë kryeministër”, ka thënë Mehmeti.
Shkrimtari ceku edhe marrëveshjen për minishengenin dhe takimin e Ramës me Vuçiqit në Tiranë.

“Ai merret me Serbinë, ndërsa Serbia është e organizuar si Irani. Te kesh një kryeministër që këtë nuk e din, të meresh me një shtet që ndikohet nga kisha ortodokse sllave, dhe të pretendosh të bësh miqësi, ti domethënë je mbi mesataren naiv”, ka përfunduar Mehmeti.

Ambasada amerikane sqaron kur mbërrin në Tiranë Ambasadorja, Yuri Kim

Ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka bërë një ditë më parë betimin në Uashington.

Pas betimit edhe ambasada në Tiranë ka përshëndetur drejtuesen e re, ndërsa tani pritet ardhja e Kim në Tiranë. Sipas ambasadës, Yuri Kim pritet të mbërrijë në javët e ardhshme.

‘Yuri Kim u betua dje si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, gjatë një ceremonie zyrtare në Departamentin e Shtetit.

Presim me kënaqësi që t’i urojmë mirëseardhjen në Shqipëri në javët e ardhshme!’, shkruhet në faqen e ambasadës së SHBA në Tiranë.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

KARRIERA DIPLOMATIKE
Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Sherr me karrike kokës në garën për kreun e PS në Peqin, Balla ja mbath për ti shpëtuar dajakut

Ka degjeneruar në sherre e manipulime gara për kreun e PS thuajse në të gjithë vendin. Ndërsa në Shkodër dhe Durrës kandidatët janë tërhequr duke deklaruar se zgjedhjet janë farsë dhe të manipuluara, tjetër incident I rëndë ka ndodhur sot në Peqin.

Gara për Kryetarin e PS ka degjenruar në një sherr masiv me grushta, shkelma dhe karrike kokës, ndërsa i deleguari në këtë zonë, Balla ja ka mbathur për ti shpëtuar dajakut.

Degjenerojnë në akte dhune zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste në Peqin. Mësohet se kryetari i Njësisë Administrative Gjoçaj në Peqin, Bilal Hasa, është konfilktuar me disa persona në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Socialiste aty ku diten e sotme u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së.

Ende nuk dihen specifikisht shkaqet e këtij konflikti por burimet bëjnë me dije se ato kanë lidhje me procesin zgjedhor për kryesimin e PS në Peqin.

Kryetari i PS u zgjodh Madrid Sula ku ka qenë prezent edhe vetë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla. Konflikti mësohet se ka nisur pas ikjes së Ballës. Hasa është qëlluar me shkelma dhe sende të forta nga disa persona me mbiemrin Maçi të cilët dyshoheshin se njiheshin më herët mes tyre, por janë edhe kushërinj të parë me kryetarin e zgjedhur Madrid Sula.

Hasa ka refuzuar fillimisht të dëshmojë për policinë por pas bërjes së rastit publik është detyruar të japë versionin e tij mbi ngjarjen. Aktualisht i lënduari është duke marrë mjekim në spitalin e Elbasanit nga ku ka dhënë edhe dëshminë e tij për blutë.

Policia vijon hetimet për këtë rast ndërsa zyra e shtypit pranë deputetit Taulant Balla ka refuzuar të prononcohet për median pasi ngjarja sipas tyre ka ndodhur jo në ambientet e selisë së PS.

Koncension i ri për koncensionarin e kontrollit të automjeteve, çfarë fshihet pas vendimit të Ramës

Qeveria ka miratuar ndryshimet në nenin 234 të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2000 mbi “Për miratimin e rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Me ndryshimet e miratuara, parashikohet liberalizimi në tregun e kontrollit teknik të automjeteve, i cili në bazë të vendimit të vjetër kryhej vetëm nga kompania SGS Automotive Albania. Kjo e fundit mori konçensionin për kontrollin e automjeteve në vitin 2009 me një kontratë koncensionare 10-vjeçare. Më parë kontrolli teknik i automjeteve realizohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Pra me ndryshimet, ka një liberalizim në këtë treg, por në anën tjetër parashikohet një tjetër konçension, ai i mbikqyrjes së pikave që do të ofrojnë kontrollin teknik për automjetet.
“Mbikëqyrja do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.
Kërkesat e zbatueshme për personelin e punësuar nga subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit teknik duhet të mbulojnë këto fusha:

a) kompetencë teknike; b) paanshmëri; c) standarde kualifikimi dhe trajnimi
b) Subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit kryen detyrat e përcaktuara, si më poshtë vijon:
a) mbikëqyr qendrat e kontrollit; b) verifikon trajnimin dhe provimet e inspektorëve; c) auditon; ç) monitoron; d) vlerëson
vlefshmërinë e rezultateve të kontrolleve teknike; dh) i propozon ministrit tërheqjen ose pezullimin e licencave të qendrave kontrolluese dhe/ose të certifikatave të inspektorëve”, thuhet në nenin 234/1 që i shtohet vendimit të mëparshëm të Qeverisë.
Gjithashtu parashikohet që mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore mund t’u jepet me koncesion/partneritet publik privat palëve të treta, në përputhje me ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar “thuhet në rregulloren e re tashmë të hyrë në fuqi.

Vendimi në fjalë ka ardhur pasi kontrata me kompaninë SGS Automotive Albania, që kryente deri më tani e vetme kontrollin teknik të automjeteve u zgjat me 16 muaj.

SGS ka kontratën e saj deri në fund të 2020, dhe parashikohet që nëse në treg do të hyjnë kompani të reja atëherë SGS do të njoftohet 3 muaj përpara.

Vendimi parashikon që qendrat e reja të kontrollit teknik, që të licencohen nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse, duhet të ndërtohen mbi bazën e kombinimit të kritereve gjeografike dhe demografike.

Përfitimet financiare të SGS

Referuar të dhënave të publikuara në periudha të ndryshme, kompania SGS Automotive Albania, e cila prej 2009 mori koncensionin e kontrollit teknik të automjeteve, deri në vitin 2018 deklaronte rreth 6.3 mld lekë ose rreth 50 mln euro të ardhura.

Sipas të dhënave, fitim operativ i kompanisë ishte rreth 1.3 miliardë lekë dhe fitime neto pas taksave, 842 milionë lekësh. Referuar të dhënave të publikuara, në vitin 2018 rezulton se kompania ka pasur edhe nivelin më të lartë të fitimeve, rreth 27 %, ndërkohë që në 2017 ai rezultonte në rreth 23 %.

Mediat kanë raportuar se të dhënat nga bilanci zyrtar, tregojnë se për 2018-n, SGS Automotive Albania realizoi 1.6 milionë euro fitime neto, nga rreth 1.3 milionë që ishte shifra për vitin 2017.
Marrëveshja e koncesionit në vitin 2009 parashikonte detyrimin e kompanisë për të investuar 561 milionë lekë (afro 4.3 milionë euro).

Në shkëmbim të këtij investimi, Qeveria shqiptare i kalonte të drejtën të arkëtonte tarifën e kontrollit vjetor teknik të automjeteve, tarifë e cila deri në atë kohë ishte pjesë e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Referuar raportimeve, kompania zgjodhi të kryejë investimin prej 561 milionë lekësh që kishte detyrim kontraktor pjesërisht duke marrë hua nga kompania mëmë dhe pjesërisht përmes një injektimi kapitali në masën në 190 milionë lekë në vitin 2011 me financim nga kompania mëmë.

Përgjatë viteve, SGS Automotive Albania sh.p.k pagoi interesa për kredinë që mori nga kompania mëmë.

Shuma prej 190 mln lekë u likujdua në vitin 2018, kohë kur koncesionari SGS Albania arriti 192 milionë lekë fitime neto, duke rikthyer kapitalin e investuar prej 190 mln lekë 100 % te kompania.
/Boldnews.al

Edhe OSBE-në mund ta kryesojë një diktator!

Enver Bytyçi

Këto dy ditë kreu i OSBE-së nga Vjena komunikoi si lider i madh me formulat e një “udhëheqësi” që njeh dhe di gjithçka, madje me mesazhe, të cilat mund të shkojnë edhe te veshët e liderëve evropianë. Nga selia qendrore e OSBE-së kryeministri i Shqipërisë foli si lider evropian, megjithëse në qeverisjen e vendit të tij nuk ka dëshmuar asnjë vlerë evropiane. Kështu ai gjeti rastin e artë për ta shfrytëzuar organizatën më të fuqishme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të fshehur diktatorin klasik, që shkel e dhunon çdo ditë të drejtat e qytetarëve të vendit të tij.

Edi Rama zyrtarisht prej dhjetë ditësh kryeson OSBE-në. Si asnjë kryesues tjetër i mëparshëm i kësaj organizate, ai ka emëruar edhe një mëkëmbës të tij, Gent Cakën, të cilin e përdor si konen e tij politike. Në atë funksion Rama do të kujdeset për “monitorimin dhe zgjidhjen e konflikteve në vendet anëtare”, përfshirë dhe Ukrainën, ndërkohë që në vendin e tij ka ndezë flakët e të gjitha llojve të konfliktit të brendshëm.

Kryeministri i vendit tim në krye të OSBE-së mburret se do ndërmjetësojë konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që qëllimisht për të fshehur dështimin e qeverisjes së tij ka nxitur konfliktin më të egër politik të njohur ndonjëherë në vendin e tij?! Dëshiron të vendosë urat e komunikimit midis Moskës dhe Kievit, edhe pse ka ndërprerë çdo mundësi për dialog me opozitën dhe disa institucione, përfshirë presidentin, në vendin e tij?! Flet për marrëveshje e kompromise midis palëve ndërluftuese ose në konflikt e ndërkaq i ka mbyll derën çdo lloj marrëveshjeje dhe kompromisi me palët politike në Shqipëri.

Nga Vjena ai u shfaq si qengj i butë, me diskurs demokratik, me fjalë të ëmbla, me premtimin për promovimin e vlerave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Por në Shqipëri na shfaqet si demon, kërcënon këdo që i del përpara, përfshirë kolegët e tij politikanë të çdo krahu e sidomos ata të opozitës, gazetarët, të gjithë ata që mund të kundërshtojnë idetë e tij të çmendura dhe praktikat e tij antikombëtare e antihumane.

Edi Rama po e sheh kryesimin e OSBE-së si shans për të fshehur rolin e tij prej diktatori në Shqipëri. Dhe fatkeqësisht, si pa dashje, këtë rol ia mundësoi kundërshtari i tij, Ilir Meta, me mosdekretimin e Gent Cakajt në detyrën e shefit të diplomacisë shqiptare. Duke u marrë me “punët e mëdha” të Europës ai do të përpiqet që të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve jo vetëm nga dështimet e qeverisjes, por edhe nga kriza politike që ka shkaktuar vetë kryeministri i vendit me sjelljet e tij arrogante prej diktatori.

Tashme OSBE ka për herë të parë në krye të saj një diktator që kontrollon të gjitha pushtetet, ndërsa parimet e kësaj organizate flasin për balancë pushtetesh. Për herë të parë është në krye të saj një arrogant që në prag të marrjes së presidencës diktoi dhe imponoi një ligj kundër fjalës së lirë dhe medieve të lira, parime këto të cilat OSBE i mbron deri me sanksione kundër vendeve anëtare të saj. Për herë të parë OSBE drejtohet nga një kryeministër në rolin e ministrit të jashtëm, i cili me zë e me figurë është zënë mat në krime elektorale, ndërkohë që kjo organizatë është përgjegjëse për realizimin e demokracisë përmes zgjedhjeve të lira.

OSBE ka në krye të saj një politikan antihuman, i cili njerëzve në vuajtje e të sëmurë u hedh gaz lotsjellës natën në banesën e tyre, ndërkohë që ajo është themeluar me misionin e shenjtë të humanizmit njerëzor. OSBE është një organizatë e papajtueshme me oligarkinë dhe bashkëjetesën e politikës me krimin e organizuar, por nga 1 janari pranoi ta drejtojë një politikan, lidhjet e të cilit me oligarkët dhe bandat kriminale i ka natyrë të punës së tij drejtuese. OSBE është organizata që lufton arrogancën dhe kërkon qeverisjen e bazuar në shtetin e së drejtës, por në krye të saj ka sot një kryeministër që ua “sharron” këmbët prokurorëve dhe gjykatësve që guxojnë të çojnë para drejtësisë funksionarët e ministrat e tij të implikuar në krim!

OSBE…..?! Mund të renditen qindra fakte, me të cilat implikohet Edi Rama në kundërshti me parimet e saj! Ndaj dhe Vjena e kësaj organizate duhet të ndjehet e turpëruar me kryesuesin e saj, edhe pse kryeministër i një vendi që ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër evropian për mjekësinë politike, sociale dhe demokratike të kësaj organizate dikur prestigjioze!

Normalisht duhej të ndjehesha krenar që kryeministri i vendit tim kryeson një organizatë si OSBE! Por kompromisi me krenarinë dhe shtypjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri nga kryesuesi i saj është i pamundur! Më në fund ndodhi çudia e dy dekadave të shekullit XXI! Edhe organizatën e lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut në Vjenë do ta drejtojë e kryesojë një diktator!

Një vetë-viktimë serial si Edi Rama!

Nga Çim Peka

Nuk ke çfarë ti thuash; Edi Rama është një politikan ‘me fat’ të madh.

Për shembull; po të marrim zhvillimet e fundit pas të cilave u shndërrua në Vjenë nga ‘lider rajonal’ siç e tall plot lezet miku i tij Vuçiç, në ‘lider global’ siç e ysht me djallëzi Fuga dhe e kreh me idiotësi Balla, ky fat në derë i erdhi nga Ilir Meta.

Nëse ky i fundit do të kishte dekretuar për ministër të Jashtëm gjeniun qesharak Caka, sot në krye të OSB-së nuk do të ishte një ‘kaposh’ në majë të plehut, por një ‘pulë’ që kakaris kot më kot.

Tani ka shansin që të mendojë e punojë, për 1 miliard njerëzit që mbulon ombrella e OSBE. I duhet që të zgjidh çështjen e Ukrainës e Krimesë. Të përgatisë vizitën te Putin, por mbi të gjitha është historia e Iranit me SHBA. Ndaj mos ja zini në gojë ‘gjërat e vogla’ që po e çojnë vendin ku është kryeministër, në fund të humnerës.

Si ‘fat i madh’ i erdhi, edhe tërmeti katastrofik i Shtatorit të vitit të shkuar. Ai fat ishte në proporcion të drejtë me dhjetëra të vdekurit; mijëra shtëpi e pallate të hedhura përtokë, e dhjetëra mijëra të tjerëve fëmijë e pleq që prej 3 muajsh presin të dëshpëruar në këtë acar dimri, ndonjë zgjidhje nga qeveria që ai drejton. Ishte njëkohësisht në proporcion të zhdrejtë me shtetin e tij, vrima-vrima nga korrupsioni, i cili rezultoi se kishte vjedhur edhe ‘qenin’ e kërkim- shpëtimit!

Ndaj nuk e fshehu as një ditë kënaqësinë që i dha tërmeti i 26 Nëntorit, si një shans i ardhur nga qielli për të dalë 20 orë në ditë në TV, duke luajtur të gjithë rolet e mundshme të një komedie të zezë.
Por mbi të gjitha, atë të viktimës!

Vetë-viktimizimi është tentativa më e mirë për t’ju shmangur përgjegjësisë si krye-fajtor, ikjes nga llogaridhënia e ballafaqimit me të vërtetat. Bëji të tjerët që tu vijë keq për ty dhe ata, do të amnistojnë. Madje edhe do të ngushëllojnë e do të japin një shans të ri, siç thoshte edhe vetë gjithë ngazëllim, ato ditë që vërtitej nëpër gërmadha me kamerën nga pas.

Dhe Edi Rama, sa më hapur del e vërteta e asaj se çfarë i ka bërë këtij vendi dhe pasurive të luajtshme e të paluajtshme të tij në këto 7 vite, aq më mjeshtër bëhet në rolin e viktimës. E ka këtë aftësi; le të mos ja hamë hakun.

Në ditën e parë si kryetar i OSBE gjatë intervistave dhe fjalimit të tij përurues, ai përsëriste për Shqipërinë ku është kryeministër vetëm një fjali e cila pak a shumë kishte në thelb ‘frikën’, se ne mund të bëhemi viktima të Iranit totalitar i cili ka në shënjestër Shqipërinë demokratike të Edi Ramës!

Më i qetë po shfaqet Trump, sesa Edi Rama. Ka kaq ditë që po parapërgatit rolin e viktimës, por këtë herë në rang global. Duket sikur lutet që Irani të hedh ndonjë copë raketë këtej dhe ai të bëhet krye-lajm botëror.

Në fakt Irani hodhi disa duzina me raketa drejt bazave amerikane në Irak, por nuk vrau dot njeri. Kurse në ‘Iranin’ që na ka ngritur këtu Edi Rama prej 7 vitesh, vetëm në 10 ditët e fundit policia ka mbledhur gati çdo ditë kufomat që prodhon krimi, me të cilin ai është në ortakëri të hapur.

Çfarë mund ti bëjë Irani më shumë këtij vendi, se sa po i bën Edi Rama?!

Kësaj Shqipërie ku ekonomia u rrit gati 2 fish më pak, edhe se ajo e Kosovës; ku kryebashkiakët edhe pse i vendosi pa garë po i bien një nga një si gjethe të kalbura të krimit; vendit ku projekti i tij i kanabisimit 2015-2016 dhe shndërrimit në bazë logjistike ndërkombëtare të kokainës e heroinës, po korr me shumicë të vdekur nga atentatet mafioze?!

Shihni çfarë bën në këto kohë flirtimesh me Serbinë e Vuçiç dhe Rusinë. Hiqet si i persekutuar nga urrejtja që shpërtheu te shqiptarët e Kosovës e diasporës, (por edhe të Shqipërisë) për ato që ka katranosur me kufijtë e po vazhdon me ‘mini-shengenin’, kurse kur Erdogan kërcënoi hapur Ramush Hardinajn, nuk tha asnjë fjalë.

Kthejeni kokën pas dhe do të kujtoheni, se Edi Rama ka 22 vjet që e ndërton karrierën e tij mbi vetë-viktimizimin dhe keqardhjen që duhet të kenë shqiptarët për “hallet” e tij.

Që në fillim të viteve 90-të, edhe pse e braktisi lëvizjen e Dhjetori për t’ja mbathur në Greqi, nxitoi që të kthehej e të uzurponte lidershipin e Partisë Demokratike të sapo krijuar. Kur nuk ja doli i qaravitej Pashkos, Ngjelës e të tjerëve, sikur e persekutonte Berisha me ‘tropojanët’ e tij. Iku në Francë për ca ‘punë‘ që sot ca dëshmitarë po ja dekonspirojnë edhe publikisht dhe u kthye në kohët e trazuara të vitit 1997, të cilat i pa si një shans e fat të madh për ambicien e tij për pushtet. Hëngri një dru të fortë për të cilin nuk guxoi kurrë të thotë arsyen e vërtetë, por u kujdes që fotografia me dhëmbët e thyer dhe hundën e shtypur, të dilte në ballinë të gazetave.

U shfaq atëherë si viktimë e ‘shiksave të Berishës’, po ka 7 vjet në pushtet dhe nuk po i gjen dot autorë e drurit, që të marrin dënimin e merituar sepse ishte një rrahje që si vështirë se do ta harrojë, sa të jetë gjallë!

Pas një viti e riktheu Fatos Nano nga Parisi si ministër Kulture, por prapë nuk hoqi dorë nga roli i viktimës. Shkonte te Nano dhe i qahej se Ilir Meta dhe Pandeli Majko donin ta shkarkonin dhe ‘ta hiqnin qafe’ nga politika. Pastaj kur u bë kryetar bashkie dhe ju hap oreksi për ti marrë Nanos karrigen e kryetarit të PS-së shkonte këtë herë te Meta e Majko dhe bënte si viktimë e Nanos, i cili e akuzonte edhe si trafikant ikonash.

Është e njëjta periudhë kur te 21 dhjetori ku kishte shtëpinë atëherë, ndonjë gur llastiqesh me të cilat luajnë fëmijët e mbrapsht (apo ndonjë improvizim i vetë atij, sepse nuk u zbulua kurrë e vërteta), i theu xhamin e shtëpisë. Këtë herë nxori një krevat në korridor të shtëpisë dhe priste gazetarët duke ju thënë, se ishte viktimë e sulmeve të Berishës. Këto janë karamelet e doktor Berishës-psherëtinte. Gazetarët iknin të trishtuar nga halli që e kishte gjetur atë burrë të gjatë që rrinte i shtrirë e i mbuluar me një batanije si i ‘plagosur’ nga kërcitja e xhamit dhe vuuu kryetitulli në faqen e parë të ‘Shekullit’, e ndonjë gazete tjetër: Atentat Edi Ramës…

Sa herë që i duhet që të dalë nga ndonjë situatë e vështirë dhe të fitojë pikë në opinion, përdor vetë-viktimizimin duke mos kursyer as familjarët. Kështu bëri me sëmundjen e djalit kur ishte në opozitë dhe sërish me mikeshën e tij që vdiq nga tërmeti, për të cilën derdhi ‘lot’ live në TV.

Rëndësi ka që shqiptarët të ndjejnë keqardhje e ta lënë të vazhdojë me ambicien e tij për pushtet e pasuri, pa i kërkuar llogari. Për tipa të tillë shkenca e psikologjisë thotë se nuk kanë vlerë, as etika e as kodet morale.

Pikërisht kur duhet që të japë llogari, nis e përdor taktikën e “mohim-kundërsulmit’ e pastaj bën rolin e viktimës për të manipuluar publikun.

Është vërtetuar që nga koha e Frojdit dhe Fromit se ata që hiqen si viktima permanente janë në fakt dhunues psikologjikë, të cilët synojnë që ti bëjnë bisht përgjegjësisë dhe dënimit.

Ky individ është personi ‘më i zënë me punë në botë’, nëse bazohesh tek shfaqjet që jep në TV dhe fjalët që artikulon me mjeshtëri. Ndaj duhet tu vijë keq e t’ja qani hallin. E dëgjoni Edi Ramën çfarë i thotë popullit në takimet e tij ‘gju më gju’ në ERTV?; Eh ta dinit sa e rëndë është puna e kryeministrit!

Të gjitha ato që për njerëzit normal janë normale, në shfaqjet e psiko-individëve si Edi Rama marrin përmasa epike. Shqiptarët ftohen që ta admirojnë dhe njëkohësisht ta mëshirojnë e tu vijë keq për këtë person që është kaq shumë i zënë me punë të rënda e të rrezikshme (Dje tërmetin, pastaj me punët e liderit rajonal për mini-shengenin, sot me punët e liderit global të OSBE dhe rrezikun iranian) dhe që i bën të gjitha vetë. Që nuk ka as edhe një minutë kohë, për veten dhe familjen. Ndaj duhet jo vetëm të na vijë gjynah e ta lëmë të qetë, por edhe duhet që ta falenderojmë që rrezikon aq shumë.

Edi Rama është një auto-viktimë serial, të cilin shqiptarëve mund tua heq nga kurrizi dhe ekrani, vetëm një pskiatër. Ndoshta, edhe opozita.

Sepse ka fatin e madh që në krye të ketë një djalë të mirë, të sjellshëm dhe të edukuar në perëndim si Lulzim Basha, për të cilin Edi Rama kurrsesi nuk do të mund të guxonte të bënte as rolin, sikur është viktimë e tij!