18.5 C
Tirana
E premte, 25 Prill, 2025

Qytetarja rrëfen tmerrin nga tërmeti: Fluturuam me gjithë krevat nga kati i shtatë në tokë!

Tërmeti i cili tronditi vendin tonë solli pasoja të mëdha. Yllka Osmani është njëra nga të mbijetuarat e tërmetit.  Në programin “Historia ime” ,Yllka ka treguar historinë prekëse se si arriti të shpëtonte.

Ajo dhe bashkëshorti i saj ndodheshin në katin e shtatë të ndërtesës. Kishin ndjerë dy lëkundjet e para, por lëkundja e tretë ishte shumë e fortë. Nuk kishin patur mundësi të dilnin dhe në një kohë shumë të shkurtër e panë veten në mes të rrënojave. Yllka tregon në TV Klan se arriti të dallonte bashkëshortin  e saj, i cili ishte në gjendje shumë të keqe.

Pas 10 minutash tmerri dhe dhimbjeje vijnë të afërmit e tyre dhe i nxjerin nga rrënojat. Yllka tregon se në katin e parë të ndërtesës ishte dhe djali i saj, por që fatmirësisht arriti të dilte jashtë banesës para se ajo të shembej përtokë.

Yllka: Falë Zotit jam gjallë!

Gazetarja: Ju jetonit në cilën zonë të Durrësit?

Yllka: Në plazh, në stacionin e hekurudhës.

Gazetarja: Godina sa katëshe?

Yllka: 7-katëshe.

Gazetarja: Jetoni me familjen?

Yllka: Bashkë me familjen. Bashkëshorti, djali dhe vajza. Djali jetonte në katin e parë atë natë, ndërsa vajza ishte në Tiranë.

Gazetarja: Në ato momente ishit vetëm me bashkëshortin në shtëpi?

Yllka: Po dhe djali ishte në të njëjtën banesë, po në katin e parë.

Gazetarja: Ndërkohë ju ishit në katin e shtatë?

Yllka: Ne në katin e shtatë dhe ra tërmeti i dytë që ishte më i fortë se i pari.

Gazetarja: E ndjetë tërmetin e pare?

Yllka: Po e ndjemë… Edhe u cuam, menduam se nuk do kishte më, por filloi i treti dhe nuk  na la kohë të bënim asgjë. Atje thamë Zot na ndihmo dhe kur  pamë që fluturuam me gjithë krevat…

Gazetarja: Çfarë ndodhi?

Yllka: Ra komplet ndërtesa në tokë, komplet u shkri, u bë pluhur i bardhë. Ne nuk e di kur e kemi parë veten aty, bashkëshorti që më thërriste Yllka ku je? Unë i thoja ti ku je se nuk shihej asgjë. Kur e shoh bashkëshortin të varur, kokë edhe këmbë dhe duar dhe i mbahej vetëm një pjesë e këmbës tek një pjesë solete.

Nuk  e di si i kam dhënë fuqi vetes dhe e kam tërhequr drejt vetes. Pastaj kemi ndenjur në rrënoja të sakatuar,vetëm rrënkonim. Pastaj dëgjuam zëra nga lagjja që panë se ndërtesa u shkri komplet dhe thoshin jeni gjallë, flisnin, a jeni gjallë, përmendnin emrat tanë dhe pastaj na nxorrën nga rrënojat. Pastaj pamë që nga kati i shtatë ishim në tokë.

Gazetarja: Ju keni rrëshqitur bashkë me krevatin ku ishit shtrirë?

Yllka: Po, por ajo ka ndodhur shpejt, në ato moment kam mbuluar kokën me jastëk që mos shikoja vdekjen me sy. Edhe madje poshtë kur rashë, jastëkun e kisha akoma mbas vetes sime.

Gazetarja: Bashkëshorti ka arritur të mbijetojë?

Yllka: Po, por është më rëndë është në Spitalin e Traumës, është jashtë rrezikut për jetën por ka dëmtime të rënda.

Gazetarja: Mund të themi që ky ka qenë moment më i vështirë në jetën tuaj?

Yllka: Më i vështiri në jetë ky është, pamë vdekjen me sy edhe Zoti na ktheu prapë. Kur pashë murin e dhomës që u nda dhe ne fluturuam, thashë kaq ishte..

Gazetarja: Sa keni ndjenjur në rrënoja?

Yllka: Shumë pak, diku 10-15 minuta.

Gazetarja: Djali juaj është mirë?

Yllka: Djali është mire. Fatmirësisht ai arriti të dilte se ishte në katin e parë./tvklan.al

“Asnjë qindarkë qeverisë”! Refreni qytetar që ngriti në këmbë kryeministrin hajdut!

Nga Red VARAKU

Ky tërmet do të mbetet gjatë në kujtesë si një nga tërmetet më shkatërrues që ka goditur ndonjëherë Shqipërinë, sepse ka shkaktuar një nga katastrofat më të mëdha humanitare në vendin tonë. Ndërkohë që sipas autoriteteteve në terren, dëmet mund të jenë disafish më shumë. Pamjet që shikojmë të shfaqen në ekran janë të frikshme dhe tejet demoralizuese.

Por, ky tërmet nuk do të mbahet mend vetëm për shkatërrimin e rëndë apo për paaftësinë totale të qeverisë për ta përballuar këtë situatë. Ai do të mbahet mend gjatë edhe si një ndër shfaqjet më të rralla të solidaritetit tonë kombëtar. Një solidaritet, që mund të krahasohet për nga mobilizimi shoqëror vetëm me solidaritetin gjatë luftës së Kosovës.

Të gjitha trojet ku ka shqiptarë janë shndërruar në qendra të mëdha humanitare, dhe në çdo lagje janë ngritur pika ku mblidhen ndihma për të goditurit nga kjo karatastrofë. Ndërkohë , rrjetet sociale janë kthyer në mjetin kryesor të mobilizimit qytetar, një rrjet që e ka nxjerrë shtetin pothuajse jashtë loje.

Por, një zhvillim jashtëzakonisht domethënës për këtë situatë është mosbesimi shumë i madh i shoqërisë tek kjo qeveri dhe refuzimi i prerë i tyre për të bashkëpunuar me qeverinë. Një fenomen që u vu re menjëherë pas tërmetit. Kjo për shkak të ballafaqimit me çoroditjen totale të strukturave shtetërore dhe mungesën e plotë të përgjegjshmërisë nga qeveria. Ky zhvillim dëshmoi, që qytetarët shqiptarë janë vetë shumë herë më përpara se sa vetë qeveria që i përfaqëson.

Thirrja njëzëri e shoqërisë dhe aktivistëve, që ndihmat të mos përfundojnë në duart e qeverisë, për shkak se kjo e fundit mund t’i vjedhë ato, ndodh për herë të parë në mjedisin tonë shoqëror dhe është pasgoditja më e fortë e tërmetit politik, që e detyroi kryeministrin të niste turin e gjezdisjes me dhjetëra kamera dhe fotografë me vete si dhe të derdhte lot para kamerave.

Kaq mosbesues janë qytetarët ndaj kësaj qeverie, sa vetë kryeministri është detyruar që t’i kërkojë qytetarëve, që t’ia dorëzojnë ndihmat e tyre agjensive shtetërore, madje ka shumë raste që nuk i ka lejuar këta qytetarë të shpërndajnë ndihma. Kjo për faktin e thjeshtë se ky organizim spontan zemrash, ky model njerëzor po e nxjerr fort në pah shëmtinë e kësaj qeverie.

Është pikërisht ky zhvillim, që e ka nxjerrë jashtë vetes kryeministrin, i cili me ç’duket nuk mund ta tolerojë një solidaritet të tillë, që në fakt e rinxjerr cullak atë dhe është tejet poshtërues për qeverinë.

Nervozizmi i holluar me lotë mallëngjimi, kërcënimi ndaj mediave , ironia ndaj vullnetarëve dhe sforcimi për protagonizëm në këtë situatë, në thelb nuk ka lidhje me interesin e kryeministrit për hallet e qytetarëve, sepse ai vetë ka lënë rrugëve mijëra familje, gra, pleq dhe fëmijë mbase edhe më shumë se sa kjo fatkeqësi.

Ajo është një përpjekje shëmtuar për të zhurmuar dhe mbytur këtë klithmë ulëritëse mosbesimi të shoqërisë, e cila ditët në vijim rrezikon të kthehet në një refren kundër qeverisë.

Refuzimi i qytetarëve për të bashkëpunuar me shtetin e tij KÇK, është një poshtërim therës dhe një zhvillim i jashtëzakonshëm për shoqërinë Shqiptare. Gjithësesi, çdo përpjekje e tij për ta asgjësuar këtë refren vetëm se e ka bërë atë të jehojë më shumë, sepse qytetarët tashmë e kanë të qartë fytyrën e saj të vërtetë.

Shembja e pallatit/ Qytetari: Shqetësimin tonë e kemi bërë publik, i kam çuar letër edhe Dakos…

Ndërhyrja e bizneseve në konstruksionin e pallateve, është një tjetër problem problem shqetësues që është ngritur nga banorët në ABC News. Gazetari Andi Qosja na sjell historinë e Isa Jodhjas, i cili ndjehet i rrezikuar dhe kërkon verifikim nga ekspertët për pallatin ku banon. Sipas tij bizneset poshtë pallatit kanë ndërhyrë duke hequr kollonat.

“Unë rrezikoj. Jetoj  në lagjen 17. Unë nuk jam specialist, por kam frikë se nuk di ç’kanë bërë brenda, kanë zënë dhe hapësirat. Unë nxorra fëmijën me barrelë se dy krahët e pallatit janë bllokuar. Në këto momente fëmijët kanë ikur në Berat, kurse unë jashtë, kam frikë se nuk di ç’ kanë bërë lokalet poshtë”.

Jodhja shprehet se për këtë problem i ka folur edhe presidentit Ilir Meta si dhe i ka çuar ketër ish kryebashkiakut Dako.

“Shqetësimin tonë e këmi bërë publik, se i kam çuar letër edhe Dakos. Ia thashë direkt Ilir Metës. Rrimë me frikë, të verifikohen a ka prishje apo jo, se ne i kemi pa letra. Banesa ka marrë një krisje të vogël. Komplet pallati në kat të parë janë bizneset, duke filluar nga unë e duke dalë në fund e deri te karburanti.

Të gjithë kishin ikur. Na u kujtua viti ‘91 kur ikën fëmijët në Itali dhe nuk kishte njeri në Durrës. Pse nuk janë bërë në kohë më përpara. Ju lutem shumë shikoni hapësirat jashtë dhe brenda. Asnjë njeri nuk ka ardhur për ta parë”. /abcnews.al

Durrësi një qytet fantazmë/ Basha për Al Jazeera: “Shumë analizë duhet bërë, në nivel shoqëror dhe ligjor”

Rrjeti i njohur, Al Jazeera në një reportazh nga Shqipëria, shkruan se, qyteti i Durrësit është braktisur nga banorët pas tërmetit që vrau dhjetëra persona.

“Paslëkundjet e vazhdueshme kanë terrorizuar qytetin me 200 mijë banorë, që është kthyer në një qytet fantazmë”, raporton Al Jazeera.

“Gjysma e qytetit është evakuuar tashmë. Njerëzit janë terrorizuar. Qindra janë shtruar në spital dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre”, thotë për Al Jazeera, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa viziton Durrësin.

Qeveria po inspekton ndërtesat, por ky proces do të zgjasë për javë të tëra.

Al Jazeera thotë se, përveç Durrësit, të prekura janë edhe godinat në Tiranë.

“Është e qartë se disa nga këto ndërtime ishin totalisht jashtë standardeve të sigurisë,” tha presidenti Ilir Meta për rrjetin Al Jazeera. Ai tha se duhet bërë një hetim.

Shumica e dëmeve në Durrës u bënë aty ku pritej më pak, në Rrugën Pavarësia, e mbushur me hotele të reja dhe luksoze dhe blloqe apartamentesh, raporton rrjeti gjigand.

Disa dukej se nuk kishin themele të përshtatshme. Hoteli Villa Verde u gjunjëzua në plazhin ku ishte ndërtuar, ndërsa u përkul përpara detit.

“Gjysma e ndërtimeve në Shqipëri janë relativisht të reja, 15, 20 apo maksimumi 25-vjeçare. Shumë prej tyre janë kritikuar për cilësinë e dobët të ndërtimeve. Shumë analizë duhet bërë, në nivel shoqëror dhe ligjor”, thotë Lulzim Basha.

Skandal! Nxirren në shitje ndihmat për të prekurit nga tërmeti

Ditën e djeshme ka pasur shumë akuza të ndryshme lidhur me çështjen  se janë duke u keqpërdorur ndihmat ushqimore, si dhe veshmbathjet e dërguara për persona në nevojë të cilët janë prekur nga tërmeti dhe banesat e tyre janë bërë të pabanueshme .

Kishte nga ata qytetarë të cilët deklaruan se gjërat ushqimore, veshmbathjet, si dhe batanijet e dërguara për bamirësi janë duke u shitur.

Gjithashtu, në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi për të cilën thuhet se veshmbathjet e dërguara për njerëzit në nevojë janë duke u shitur në një faqe në internet “Shes blej – Buy Sell items in Albania”, raporton ‘Bota Sot’.

Vodhën ndihmat për të prekurit nga tërmeti, arrestohen dy drejtues policie dhe 1 zjarrfikës

Tre shtetas, dy oficerë policie dhe 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, u arrestuan pasi kanë marrë ndihmat që ishin dhuruar për të prekurit nga tërmeti dhe i kanë çuar në banesat e tyre.

Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale, dallohet një oficer policie që ndihmat i çon në banesën e tij.

Policia bëri të ditur se SHÇBA arrestoi 2 punonjës policie, 1 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, si edhe procedoi penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit: A.Z., me detyre Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”;

E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë.

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit”, reagimi i ish-Presidentit

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka replikuar sot në distancë me ish-ministrin socialist Ethem Ruka, pasi ky i fundit ishte shprehur me indinjatë kundër tij pse Nishani e kishte konsideruar “idiot”, Kryeministrin Edi Rama dje.

Nishani iu kundërpërgjigj sot Rukës, duke argumentuar dhe deklaratën e tij të fortë dje, ku thoshte: “dikush t’i tregojë idiotit kryeministër, që kërcënon se do të mbyllë mediat, pasi na paska shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme!Qeveria nuk shpall dot Gjëndje të Jashtëzakonëshme!”

Reagimi i plotë i ish-Presidentit Nishani

Et’hem Ruka që mban dhe titullin “Profesor” qënka revoltuar e më është kundërvënë pse i kam thënë një njeriu të papërgjegjshëm deri në ekstrem “idiot”!

Ky profesor që merr përsipër të arsimojë rininë tonë nuk i bën përshtypje dhe i duket normale që kryeministri i një vendi del në publik e deklaron se “unë kam shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme dhe me këtë do mund të mbyll ekranet e median”.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri në vend të nxjerrë trupat e shqiptarëve nga rrënojat, i jep vetes kompetencat e sulltanit, që nuk Ia njeh asnjë ligj e as Kushtetuta e këtij vendi.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend të strehojë fëmijët dhe pleqtë që janë në mes të shiut e të ftohtit, del e shantazhon median që informon publikun.

Këtij profesori i duket normale që kryeministri, në vend t’u japë një supë të ngrohtë e një gotë çaj shqiptarëve që gdhihen jashtë, kërcënon mediat që denoncojnë vjedhjet edhe të batanijeve të nevojtarëve.

“Profesori” është prekur pse nuk solidarizohemi me palaçollëkun e kryeministrit dhe jo me hallet dhe të vërtetat e qytetarëve nën rrënoja.

Halli i profesorit është se mos na zbulohen paudhësitë dhe gënjeshtrat e kryeministrit dhe jo si të mbulohen shqiptarët nën qiellin e hapur. Për fat, duhet ta kuptojmë pse mafia vazhdon e mban të uzurpuar pushtetin.

Propaganda e shpifur që fshehu dhe injoroi dëmet e tërmetit të parë, i çoi në varr 49 shqiptarë të mirë. Dhe ne rrimë e gjykojmë ata të mjerët që shesin votën për një thes miell!

Albin Kurti flet nga Durrësi i rrënuar: Qeveritë tona duhet t’i përgjigjen krizës…

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti ndodhet në Durrës, aty ku ka shumë të prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Në një lidhje të drejpërdrejtë në ABC News ai deklaroi se në këtë krizë ushtria është mjeti më efikas për të përballuar këtë situatë dhe sipas tij, ushtritë tona po e përballojnë shkëlqyeshëm.

“Këtu në këtë krizë ushtria është mjeti më i mirë për efikasitet të lartë dhe organizim dhe ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë shkëqyeshëm  dhe në këtë fatkeqësi të rëndë për kombin në ballë kemi dy ushtritë, po na ngrohin zemrat që do arrijmë të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur”.

Kurti thekson se ajo që duhet menaxhuar nga të dy qeveritë ëhstë kriza pas tërmetit, e cila duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë.

“Dy qeveritë tona duhet të takohen dhe një temë të jetë kriza pas tërmetit, duket që rreziku mund të ketë rënë një çik, por jeta e rëndë e cila ka edhe elementë të një lloj mjerimi e varfërie edhe krize humanitare të njerëzve meqënëse nuk mund të kthehen në shtëpi është çorientuar duhet të marrë përgjigje nga të dy qeveritë tona.

Jemi dy shtete, por një komb dhe duhet ta dëshmojmë me aksionin solidar të popullit. Më pas duhet të organizohet dhe nivel më të lartë të duhur nuk ka më mirë sesa ushtria. Kazerma skenderbeu në Kosovë do të shërbejë si pikë për ndihmë që po u vjen qytetarë të Kosovë”.

Një ditë më parë Kurti ishte në Gjilan për t’u dhënë lamturmirën dy djemve që u gjetën nën rrënojat e hotelit në Durrës.

“Dje ishim në Gjilan ku u thamë lamtumirën dy djemve nga Kosova punëtorëve që gjetën vdekjen në gërmadhat e hoteli nga ky tërmet i tmerrshëm”, tha ai.

Dhimbje e lot në ceremoninë e lamtumirës për 10 anëtarët e dy familjeve në Thumanë

Dhjetë anëtarë të dy familjeve në Thumanë, Cara dhe Greku sot përcillen në banesën e fundit.

Në familjen Cara si pasojë e tërmetit humbën jetën 7 persona. Ditën e sotme do ti jepet lamtumira e fundit në Thumanë 6 prej tyre, ndërsa nusja e njërit prej viktimave do të prehet pranë familjes së saj në Korçë.

Ditën e tërmetit, Hasan Cara kishte ditëlindjen, ndërsa Almir Cara në shtator të vitit të ardhshëm pritet të bënte damsën me të fejuarën e tij, trupi i të cilës u dërgua në Korçë.

Qindra qytetarë i janë bashkuar ceremonive për dy familjet që zhvillohen pranë çadra të ngritur në këtë zonë.

Eksperti amerikan i tërmeteve: Cilat janë zonat me rrezikun më të madh

Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen, por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Në një intervistë që i dha nga San Franciskoja, Ilir Ikonomit, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja. Puna e kompanisë Temblor në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Profesor Stein, a ishte tërmeti në Shqipëri diçka që shkencëtarët e kishin parashikuar në një farë mënyre?
Profesor Ross Stein: Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë.

Zëri i Amerikës: Si do ta krahasonit tërmetin e tanishëm me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën?

Profesor Ross Stein: Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël. Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara.

Zëri i Amerikës: A ka Shqipëria një histori të pasur me tërmete?

Profesor Ross Stein: Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe ekzistojnë të dhëna për tërmete që datojnë nga viti 1000 i Erës Sonë, të cilët tregojnë se ky është një rajon ku, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Çfarë tregojnë rrudhat e terrenit apo vijat tektonike që përshkojnë këtë rajon?

Profesor Ross Stein: Më lejoni të kthhem pak prapa. Arësyeja që Shqipëria është kaq e bukur është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh nga që rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. i tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë.

Zëri i Amerikës: Besoj se këto janë shenja shumë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të sjellë e ardhmja për Shqipërinë, apo jo?

Profesor Ross Stein: E vërtetë. Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Pra, këto tërmete ndodhin përgjatë një rrudhe që vjen duke u ngritur me një gjatësi prej rreth 100 kilometrash. Kjo rrudhë fsheh linjën tektonike poshtë saj. Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë.

Zëri i Amerikës: Ju thoni “në një kuptim të gjerë”, por njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.

Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë ose të parashikojnë tërmetin tjetër. Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër. Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.

Zëri i Amerikës: Si i shpjegoni kaq shumë pasgoditje? A mund të pritet që ndonjëra nga këto pasgoditje të jetë aq e madhe sa të sjellë të njëjtën shkallë shkatërrimi?

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Nuk është e pazakontë që pas një tërmeti të madh të vijë një tjetër, siç ndodhi me tërmetin e Izmitit në 1999. Prandaj ne duhet t’i themi vetes: Edhe pse ndodhi ky tërmet, rreziku nuk është pakësuar. Në fakt rreziku është shtuar për një fare periudhe të rëndësishme kohe.

Zëri i Amerikës: Dhe natyrisht pyetja është se për çfarë periudhe kohe bëhet fjalë. Njerëzit duan të dinë. Pyetja tani për tani është nëse duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre apo të qëndrojnë jashtë dhe të presin deri sa të ndërtohen banesa më të mira.

Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe përgjigja varet nga cilësitë e ndërtesave, sa të forta janë ato. Përgjigja e shkurtër është: Sa më gjatë të qëndrosh jashtë një ndërtese të dobët, aq më mirë. Nuk mund të ketë një moment kur shkencëtarët të thonë: Në rregull, rreziku tani ka kaluar. Rreziku do kohë që të kalojë, kjo kohë mund të jetë një dekadë por mund të shkojë deri në 100 vjet. Këshilla ime është: Ajo që duhet të bëjnë njerëzit tani është të marrin specialistë për të inspektuar ndërtesat e tyre. Nëse cilësia e ndërtimit është e mirë, kthimi nëpër banesa është ndoshta gjëja më e sigurtë. Përndryshe, nëse ndërtesa është e dobësuar, duhet qëndruar jashtë sepse ekziston rreziku që ajo të shembet nga një pasgoditje.

“Më lini të vdes në krahët e vajzës”, fjalët e fundit të Diena Karanxhës

Media britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull Diena Karanxhës, 30-vjeçaja nga Durrësi e cila mbeti viktimë nga tërmeti bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe.

“Një nënë e goditur nga tërmeti në Shqipëri iu lut ekipeve të shpëtimit që ta linin të vdiste në krahët e së bijës, pasi vogëlushja u vra gjithashtu”, e nis kështu artikullin “Mirror”.

“Diena Mecaj Karanxha, 30 vjeç, thuhet se u gjet në rrënojat në qytetin e Durrësit në Shqipëri pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u rrëzua gjatë tërmetit të 26 nëntorit.

Diena u raportua se u gjet me trupin e vajzës së saj të vdekur Esiel, e cila kishte ndërruar jetë 12 orë më parë.
Ajo thuhet se u ishte lutur ekipeve të shpëtimit, duke thënë: “Mos më nxirrni jashtë, unë dua të vdes në krahët e vajzës time”.
Mediat lokale raportojnë se Diena vdiq nga një hemorragji gjatë rrugës për në spital.

Burri i saj, Dorian Karanxha vka ndërruar jetë nga një sulm në zemër në vitin 2015 dhe ajo i kishte kushtuar jetën e saj për të rritur vetëm vajzën e tyre.

Diena postoi foto të tij me titullin: “Dita e babait. Sa do të doja që të ishe këtu me Esielin tonë të dashur, të cilës i mungon kaq shumë”. “Shumë njerëz quhen” baba “por ti ishe nga të paktët që me të vërtetë meriton të quhesh baba. I mirë, i dashur, i ëmbël, ke pasur një zemër shumë të madhe. Unë do të të dua përgjithmonë”.

Sipas mediave lokale, të dy nëna dhe vajza do të varrosen në fustane nusërie”, është ky artikulli i plotë nga Mirror./abcnews.al