40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Reagimi i Fredik Ndocit: Ne u rritëm me përralla me pric, jo me Ali Babën me 40 hajdutë

Nga Frederik NDOCI

Ne, në femijeri kaluam kohen me perralla me princ e ishim perkrahes me hirushen, e jo me Ali Baba me 40 hajdut. U rritem me mujin e halilin dhe jo me xhindin qe dilte nga llampa magjike. U rritem me 10 urdherat e Moizes dhe jo me Nastradinin u rritem me vuajtjet dhe vetflijimin e jezuit, dhe jo me lakmine per monellat qe fitoi Juda Makabe, u rritem me dhimbjen e Gjerg Elez Alise, dhe jo me guret qe gjuajn nje femer qe burri nuk e do me.

U rritem me sanrremo e canconisima, e jo me harem e banjo turke, u rritem me ciao estate e hit parade. E jo me raxh kapur e tallava. U rritem me vdekjen parakohe te Elvis Presleyt, te Luçio Batistit, dhe jo me atentatorin e papa vojtila Ali Allça. U rritem me serialet e Çelentanos e me telenovelat e David Coperfild. Dhe jo me ertugul e bidai.

U rritem me shurup petale trendafili dhe jo me redbull. Kenaqeshim me Pagarusha dhe jo me unikatil. Ne pelqenim lodrat me lufta, por jo te perdornim kalleshnikov kunder shokut te femijeris Mesonim instrumenta muzikor dhe jo si pritet qafa me thike.

Puthnim edhe ne fshehurazi por nuk i kercenonim te dashurat hiq femijen tim nga barku. Ne i deshem dhe u martuam me motra shokesh e miqsh, por nuk i nxorrem ata neper trotuare si tutor per sex. Ne ziheshim me prinderit qe nuk kishin lek per te na bler libra, dhe jo kurr ti vrisnim si ju per droge dhe i phone11.

Ne villnim kumbulla e qershi ne kopshtet e komshiut, por nuk i vume tritol kush kishte biçiklet mifa. Ne mesonim qe te lumturonin prinderit qe na e varen çelsin ne qaf, ne fillim te javes, dhe jo ti vrasim prinderit se nuk na e japin kodin e kasafortes. Ishim pasardhes te qerosit qe humbi Rozafen por kurr pjese e dy vellezerve tradhetar.

Na ngallnjeu Gjergj Kastrioti dhe vazhdojne te na zhgenjejn Hamza Kastriotet. Prandaj sot per her te par qava pasi ne çdo shkrim tjeter me gajas me satiren e cinizmin mjeshteror qe perdor, qava se jam i bindur se kemi patur te njejtat fate femijerie Edison Ypi

Nuk ka para, bie konsumi, inflacioni më i ulët në 19 vite

Ndryshimi vjetor i çmimeve në dhjetor ishte në nivelet minimale, atipike kjo për fundin e vitit. Tërmeti i 26 nëntorit dhe pasiguria që ngjalli tek qytetarët duket se u reflektua në një konsum të dobët.

Instituti i Statistikave bëri me dije se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2019 është 1,1 % shumë më poshtë se objektivi i Bankës së Shqipërisë në 3 për qind. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2019, krahasuar me Nëntor 2019, është 0,8 %.

Mesatarja e gjithë vitit 2019 ishte 1.4 për qind, më e ulëta nga viti 2000, kur inflacioni zbriti dhe në nivele negative për shkak të efektit nga eksodi i shtetasve të Kosovës (për shkak të luftës me Serbinë), që ndikoi në rritjen e prurjeve valutore dhe ndihmave. Më pas inflacioni u përshpejtua, duke kaluar dhe 4% në 2010-2011, për të rënë sërish në vitet e mëpasshme poshtë 3%.

Sipas INSTAT rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,95 pikë përqindje, pasuar nga grupi ‘Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’ me +0,07 pikë përqindje.

“Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.

Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shërbimi arsimor”, “Transport” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje secili” vlerëson INSTAT.

Krahasuar me muajin Dhjetor 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6 %, pasuar nga grupet “Argëtim e kulturë” me 2,2 %, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, “Shërbimi arsimor” dhe “Transporti” me 0,2 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,4 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %, “Komunikimi” me 0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 15,1 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,6 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,3 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 1,8 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 1,2 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2019, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rriten me 2,0 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,6 %, “Argëtim dhe kulturë”, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 0,2 % secili, ”Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,1 % secili. Ndërsa, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u ulën me 0,2 %.

Ndërron jetë në spital nga gripi 33-vjeçarja!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para dy ditësh në Durrës, ku një 33 vjeçare ka humbur jetën në spital.

Mësohet se viktima është identifikuar si Romina Myftiu, ndërsa ishte paraqitur në spital me grip dhe temperaturë të lartë.

Sipas dëshmive të familjarëve e reja është dërguar në spital në datën 7 janar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, e cila është shtruar në reanimacion pasi gjendja e saj ka qenë e rëndë.

Nuk dihen ende shkkaqet e vdekjes së të resë, ndërsa Spitali i Durrësit ka marrë monstrat e nevojshme të gjakut për të bërë analizat dhe për të hedhur dritë mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së saj.

Arteta zbulon si e bindi Xhakën të qëndrojë në Arsenal

Trajneri i ri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka bërë të ditur se ai kishte arritur ta bindë Granit Xhakën të mos largohet vetëm duke ia bërë të qartë se e kupton se si ndihet dhe duke i thënë se do ta mbështesë atë.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, kishte qenë shumë afër largimit nga Arsenali qysh në janar, shkaku i marrëdhënieve të tensionuara me tifozët e klubit londinez, transmeton Gazeta Express.

Xhaka ishte fishkëllyer nga një grup i madh i tifozëve në tribunat e stadiumin Emirates, kur po zëvendësohej gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palacen në tetor. Xhaka u ishte përgjigjur atyre, duke i sharë përderisa largohej nga fusha.

Incidenti bëri që ai ta humbë shiritin e kapitenit gjatë kohës sa trajner ishte Unai Emery, ndërsa mediat angleze kishin raportuar se mesfushori do të largohej nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit, veçanërisht pas ofertave të Hertha Berlinit për ta kthyer Xhakën në Bundesligë.

Megjithatë, 27-vjeçar është rigjallëruar në skuadrën e Arsenalit që nga ardhja e Artetas, duke arritur t’i bëjë disa paraqitje mbresëlënëse në mesfushë, përkrah Lucas Torreiras. Tani, trajneri Arteta ka zbuluar se si e arriti këtë ndryshim te Xhaka.

“Mesazhi im i parë për të ishte se unë dëshiroja ta kuptoja se si po ndihej ai dhe arsyen se pse ndihej në atë mënyrë”, sqaroi Arteta, kur u pyet se si arriti ta bindë Xhakën të qëndrojë në Arsenal.

“Unë dëshiroja që ai ta dëgjojë nga unë mendimin tim për të dhe i thashë se jam i gatshëm ta përkrah dhe se do ta shtyja edhe klubin ta bënte të njëjtën gjë. I thashë se do ta bëj këtë sepse mendoj se ai mund të jetë lojtar më të vërtetë i mirë për ne dhe se do ta shijonte futbollin teksa luan për mua”.

“Unë tentova ta bindë atë në këtë mënyrë. Mendova gjatë për këtë, por përgjigja e tij ishte menjëherë shumë pozitive dhe për këtë arsye mendoj se edhe ai e ndryshoi mendimin e tij”.

A u bë kjo foto ‘mollë sherri’ mes Harryt dhe Meghan me familjen mbretërore?

Një portret i familjes mbretërore që shënoi dekadën e re, mund të ketë qenë ‘shtysa’ e fundit për Princin Harry dhe Meghan Markle që të largohen nga ata.

Fotografia e Mbretëreshës, 93 vjeçe, përkrah Princit të Uellsit, Dukës së Kembrixhit dhe Princi gjashtëvjeçar George është realizuar në dhomën e fronit të Pallatit Buckingham më 18 Dhjetor, ndërsa Duka dhe Dukesha e Sussexit ishin larg në Kanada, shkruan DailyMail.

Korrespondenti mbretëror i ITV Chris Ship përshkroi se si portreti mund të jetë marrë keq nga Duka dhe Dukesha e Sussexit, pas një viti në të cilin vëllezërit dikur të pandashëm vazhduan të shkëputen, dhe Meghan pranoi se po luftonte me jetën si anëtare e familjes mbretërore.

Ai tha: ‘Portreti që Pallati Buckingham publikoi për të shënuar fillimin e dekadës. Ishte Mbretëresha dhe tre mbretërit e ardhshëm – dhe gjithashtu kishte një video të tyre duke treguar përgatitjet e Krishtëlindjes”.

“Unë nuk po them se ata përjashtuan Harryn dhe Meghan sepse ishte një fakt brutal që Harry nuk ishte kurrë pjesë e asaj linje të suksesit, por fillimi i një dekade u ndje sikur familja mbretërore po përqendrohej shumë në të ardhmen – “Mbretëreshën dhe tre trashëgimtarët e saj”, shton ai.

Fotografia ishte vetëm hera e dytë që është publikuar një portret i Madhështisë së saj dhe tre trashëgimtarëve të saj.

E para u publikua në prill 2016 për të shënuar 90-vjetorin e Mbretëreshës. Një imazh i ngjashëm i familjes mbretërore u paraqit gjatë fjalimit të Krishtëlindjes, së Mbretëreshës vitin e kaluar.

Weber: Minishengeni përçan edhe më shumë rajonin

Besnik VELIU

Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, thotë se nëse nuk do të arrihet integrim i Kosovës dhe Bosnjës në një iniciativë të tillë duke tejkaluar mosmarrëveshjet ekzistuese, atëherë ndasitë mes shteteve do të shkojnë duke u thelluar edhe më shumë.

Në një intervistë për Gazetën Express, Weber një iniciativë të tillë e sheh edhe si një përpjekje të Shqipërisë dhe Maqedonisë për të treguar një storie suksesi, pas dështimit për hapje të negociatave si pasojë e bllokadës franceze.

“Është shumë herët për ta gjykuar iniciativën, sepse po plotësohet me pak substancë dhe shumica e çështjeve janë lënë të hapura. Derisa iniciativa është lansuar përpara vendimit befasues të presidentit Macron për të bllokuar negociatat për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e qartë që pas një vendimi të tillë, këto dy vende të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë të madhe për një storie suksesi, gjë që është plotësisht e kuptueshme.

Nëse iniciativa do të sjellë rezultate të prekshme sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, që i bie do të ketë më shumë substancë, dhe do të shërbejë më pak si marifet i PR-it, atëherë kjo do të justifikonte një seri të re e të gjatë të iniciativave rajonale që duhet marrë parasysh.

Sa i përket heqjes së barrierave jotregtare që u folën në takimin e fundit në Tiranë, është diçka që mund të ishte bërë, dhe në fakt u kërkua prej kohësh në kuadër të CEFTA-s.

Në anën tjetër nëse iniciativa nuk arrin t’i integrojë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, duke tejkaluar mosmarrëveshjet ekzistuese (mosmarrëveshja e statusit Serbi-Kosovë, mosmarrëveshja e BiH-Serbisë dhe Malit të Zi për migracionin), ajo madje mund edhe t’i thellojë më tepër ndarjet rajonale, e jo t’i zvogëlojë ato”, ka thënë Weber për Gazetën Express i pyetur rreth asaj se kush mund të jenë iniciatorët e vërtetë të një projekti të tillë.

Weber në këtë intervistë ka thënë se projekti i “Mishengenit” ka lënë shumë pikëpyetje. Një ndër to, sipas tij, është edhe ajo se si mund të marrë pjesë Kosova si e barabartë në një projekt të tillë bazuar në rrjedhën e dialogut të Brukselit dhe faktit se asnjë prej mosmarrëveshjeve mes dy shteteve nuk ka pasur trajtim të qëndrueshëm për faktin se çështja e statustit ka mbetur ende e pazgjidhur.

Eksperti gjerman i DPC injorimin e Kosovës kundrejt një iniciative të tillë e lidh edhe me situatën politike në Prishtinë. Sipas tij, një projekt i tillë ka ardhur pikërisht në një kohë kur Kosova është në pritje të qeverisë së re, dhe nuk u ka lënë rrugë tjetër institucioneve përveç se ta refuzojnë.

Megjithatë, Weber thotë se do të ishte mirë që Kosova të merrte pjesë, të kërkonte sqarime për të gjitha çështjet dhe të testonte kështu se cili është qëllimi i vërtetë i një iniciative të tillë.

“Mënyra se si nisma e keqemëruar “mini-Shengeni”, doli në pah, duke i lënë të hapura shumicën e pyetjeve për thelbin e idesë – ndër to pyetjen më të rëndësishme nga këndvështrimi i Kosovës, pyetjen për atë se si Kosova mund të marrë pjesë si një partnere e barabartë krahas Serbisë, pavarësisht statusit të marrëdhënieve dypalëshe, të përkeqësuara nga episodi i shkëmbimit të territoreve dhe një historiku të dialogut të Brukselit që ka dëshmuar se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk mund të trajtohen në mënyrë të qëndrueshme pa e zgjidhur mosmarrëveshjen për statusin – ajo e goditi Kosovën në një periudhë kalimtare në pritje të formimit të qeverisë, që qartazi ia bëri të pamundur marrjen e një qasjeje të diferencuar.

Kështu, Prishtina e zgjodhi krejtësisht të kundërtën – mospjesëmarrjen. Sipas mendimit tim, ka mundur të jetë shumë më e përshtatshme për Kosovën, nëse Prishtina do të tregohej e hapur në mënyrë të përgjithshme ndaj pjesëmarrjes, por duke i shtruar të gjitha pyetjet e pasqaruara dhe duke i testuar kështu ujërat”, ka thënë analisti gjerman për Gazetën Express.

I pyetur nëse Edi Rama ka rënë në kurth apo e ka bërë me qëllim, kur ka pranuar që Novi Sadi të jetë qyteti ku do të ngjizej një ide e tillë, Weber ka thënë se nuk mund të spekulojë në këtë rrafsh, megjithatë shton se gjërat do të qartësoheshin nëse Kosova do të pranonte ftesën dhe më pas të shihej se çfarë do të ndodhte me pjesëmarrjen.

“Nuk do të spekuloja për motivet e kryeministrit Rama. Siç e thashë, do të ishte shumë më e qartë për Prishtinën të pranonte ftesën dhe më pas për të shikuar se çfarë do të ndodhte lidhur me udhëtimin për në Novi Sad”, ka potencuar Weber.

Të njëjtën përgjigje Weber e ka pasur kur është pyetur edhe për mundësinë që flamuri i Republikës së Kosovës të valvitej krahas të tjerëve në Serbi.

“Përgjigja e njëjtë, do të ishte interesante të shihej se çfarë do të ndodhte lidhur me pjesëmarrjen e barabartë pa kushte, përfshirë edhe çështjen e flamujve”, ka thënë ai.

Tutje eksperti gjerman insiston se Kosova do të duhet të testojë deklarimet e Ramës dhe Vucicit kur thonë se mund të marrë pjesë në një iniciativë të tillë si e barabartë.

“Siç e thashë, nëse presidenti Vucic dhe kryeminstri Rama insistojnë që Kosova mund të participojë si e barabartë, pa parakushte, Prishtina duhet të pranojë atë përkushtim dhe ta testojë”, ka theksuar Weber për Gazetën Express.

Weber thotë se iniciativa e minishengenit është në frymën e Procesit të Berlinit, ndërkohë përjashton mundësinë që Kosova të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse vendos të mos përfshihet në një projekt të tillë.

“Iniciativa e Minishengenin është qartazi në frymën e Procesit të Berlinit në mbështetje të bashkëpunimit rajonal, as më shumë e as më pak. BE-ja dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi mbështesin të gjitha iniciativat për bashkëpunim rajonal. Unë dyshoj që mospjesëmarrja mund të rezultojë me ndonjë ndëshkim”, ka përfunduar Bodo Weber për Gazetën Express.

Klopp-Mourinhos: Unë jam normali, jo…

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është duke u përgatitur për një tjetër përballje me të vetëquajturin “I veçanti”, Jose Mourinhon. Strategu gjerman e quajti veten “Normali” në konferencën për shtyp për këtë ndeshje.

Trajneri gjerman e ka dëshmuar se është shumë më i vlefshëm sesa cilido trajner i rëndomtë në botën e futbollit, duke arritur ta shndërrojë Liverpoolin në një skuadër sfiduese në Evropë dhe Angli.

Plani i Kloppit është që triumfeve në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube t’ia bashkëngjitë këtë sezon edhe triumfin në Premierligë – gjë që Liverpooli s’e ka bërë asnjëherë në histori të vet.

Kloppi do të tentojë ta shpallë Liverpool kampion të Anglisë për herë të parë që 30 vjet, kur Premierliga ende s’ishte krijuar si format i ri. Në rrugën drejt këtij qëllimi, Liverpooli këtë fundjavë do të përballet me Tottenhamin në Londër.

Kur u pyet për takimin e tij me Mourinhos, Klopp tha: “Normali po ndihet shumë mirë. Për fat të keq, nuk ka asgjë të veçantë te unë. E vetmja mënyrë se si unë e kuptoj këtë është se ti e bën punën tënde me pasion, e jep 100 përqindëshin tënd”.

“Duhet t’i përdorësh mirë edhe njerëzit e shkëlqyeshëm që i ke përreth vetes… stafin, lojtarët dhe shumë persona të tjerë. Të gjithë e bëjnë punën e tyre dhe fundi rezulton i mirë, por asgjë e veçantë s’ndodh. E gjitha është normale”.

Gjenetika apo stili i jetesës: Çfarë ndikon më shumë në mbipeshë?

Një studim i ri ka sugjeruar se gjenetika nuk është përcaktuesi kryesor kur bëhet fjalë për shanset që të shtoni peshë.

Për vite të tëra, amerikanët dhe shumë njerëz tjerë kanë besuar se ADN-ja e tyre e bën të pashmangshme për ta që të bëhen mbipeshë.

Por studimi i ri tregon se stili i përditshëm i jetesës – pra jo gjenetika – e luan rolin më të madh në këtë aspekt.

Pas analizimit të të dhënave të mijëra amerikanëve, hulumtuesit kanë zbuluar se stili i jetesës është parashikues më i mirë sesa gjenetika në atë se çfarë do të ndodh me indeksin e masës trupore (BMI-në) përgjatë viteve.

Sipas tyre, gjenetika qartazi se ka ndikim, por faktorët tjerë janë më të fortë.

Pesë mënyra për të forcuar trurin

Njerëzit gjithmonë janë përpjekur të kuptojnë se çfarë i bën të tillë si janë. Kërkimi për përgjigje është bërë nëpër shumë fusha (art, filozofi, religjion, shkencë) dhe ende zgjatet. Përgjigjet e mundshme ndryshohen varësisht nga qasja. Pasi që shkenca hulumton realitetin fizik, të kuptuarit shkencor të njeriut fillon me të kuptuarit e organit kompleks të rëndë vetëm 1.3 kg – trurit.

Keni harruar se ku i keni lënë çelësat sot në mëngjes? Apo keni harruar çadrën tuaj në zyrë para shiut të mbrëmjes. Mos u shqetësoni, kjo me siguri nuk është shenjë e sëmundjes së Alzheimerit – çdo kush nganjëherë di të bëhet harrestar

Derisa gjenerata “baby boom” arrin moshën e pensionimit, është në rritje frekuenca e sëmundjes së Alzheimerit dhe llojeve tjera të dementias të cilat ngadalë shkatërrojnë aftësinë e trurit për të krijuar kujtime të reja, për të kujtuar të vjetra dhe kryer detyra tjera mentale dhe fizike.

Shkencëtarët ende tentojnë të deshifrojnë shumë sekrete të trurit: se si truri ynë përpunon informatat, si funksionin kujtesa, se si plaket truri dhe se si zhvillohen sëmundjet si e Alzheimerit, që të mund të kuptojmë më mirë edhe mendjet tona dhe se si t’i mbajmë të shëndetshme.

Megjithatë edhe pse ende ka shumëçka për t’u mësuar për kokat tona, me hulumtimet e deritashme kemi ardhur deri te disa mënyra për mbajtjen në formë të organin tonë të të menduarit, tani edhe në pleqëri.

1. Hani ushqim për tru
Jeni çfarë hani, ose të paktën truri juaj është. Ushqimi i cili përbëhet nga i ashtuquajturi ushqim “junk” mund ta shndërrojë trurin tuaj në të njëjtën gjë, pasi që transyndyrat dhe yndyrat e ngopura, të pranishme shpesh në ushqimin e përpunuar mund të veprojnë negativisht në sinapsat në tru. Sinapsat lidhin neuronet në tru dhe janë të rëndësishme për mësim dhe kujtesë.

Nga ana tjetër, ushqimi i balancuar i pasur me acide yndyrore omega-3 që i gjejmë në salmon, arra dhe kivi mund të nxisin sinapsat dhe ndihmojnë në luftën kundër sëmundjeve mentale, depresionit dhe deri tek dementia.

2. Ushtrimet
Sipas disa hulumtimeve, ushtrimet e mira po ashtu mund të përmirësojnë kujtesën tuaj, do t’ju ndihmojnë të mendoni më qartë dhe reduktoni rrezikun nga zhvillimi i sëmundjeve kognitive.

Pasi që ushtrimet shkaktojnë stres të lehtë në trup, duke e marrë energjinë e çmuar të nevojshme nga ana e trurit ato nxisin lirimin e kimikateve që i quajmë faktorë të rritjes, të cilat i bëjnë neuronet e trurit më të forta dhe më të shëndetshme.

Ekspertët konsiderojnë që është optimale të ushtrohet gjysmë ore çdo të dytën ditë, Po ashtu, mos harroni zgjatjen: ajo mund të ndihmojë reduktimin e stresit i cili ndikon në qendrat e memories të trurit tuaj.

3. Ushtroni trurin
Ushtroni trurin me ndihmën e lojërave të mprehtësisë, fjalëkryqeve dhe lojërave të kujtesës.
Hulumtimet kanë treguar që përdorimi i mjeteve të tilla për ruajtjen e aktivitetit mental mund të reduktojë rrezikun nga zhvillimi i dementias me ndërtimin dhe mbajtjen e stimulimit rezervë në trurin tuaj. Madje edhe përcjellja e kampanjave politike mund të ofrojë nxitje për sistemet që kontrollojnë vëmendjen dhe mësimin.

4. Truqet e memories
Mbajtja e informatave të ruajtura në bankat e memories dhe mirëmbajtja e memories me moshën, po ashtu mund të jetë çështje e kontrollit të mendjes. Për shembull, besimi në aftësitë tuaja kognitive mund të ndikojë në atë se sa mirë funksionon kujtesa juaj, veçanërisht tek personat më të moshuar.

Disa persona më të moshuar kanë tendencë të fajësojnë moshën për lëshimet në kujtesë, por pavarësisht asaj a është ajo apo jo shkaku, ata kështu mund ta parandalojnë veten të përpiqen së përkujtuari. Parashikimet po ashtu mund të përmirësojnë kujtesën: nëse keni ide të mirë për informatat që duhet t’i kujtoni më vonë, me siguri do t’i kujtoni.

5. Pushoni
Gjumi ia jep trurit tuaj rastin për të riprodhuar përsëri kujtimet e ditës dhe t’i bashkojë për ruajtje afatgjate. Sipas një hulumtimi, truri mund të kryejë kontrollin shumë më shpejt kur flini se sa kur jeni të zgjuar, kështu që mësimi gjatë tërë natës tipik për shumicën e studentëve definitivisht nuk rekomandohet.

Gjumi i pasditëss prej 90 minutash mund të ndihmojë të forcohen kujtimet afatgjate, si ndodhitë ose shkathtësisë që tentoni t’i përvetësoni.

Sigurisht, asnjë nga këto udhëzime nuk mjafton vetvetiu. Disa studime kanë sugjeruar që zhvillimi i sëmundjes së Alzheimerit dhe llojeve tjera të dementias pjesërisht është i lidhur edhe me gjenetikën.

Një hulumtimi i tillë, i prezantuar në Alzheimer Association International Conference on Alzheimer’s Disease, ka sugjeruar që ekziston lidhja në mes nënës që zhvillon sëmundjen e Alzheimerit dhe shansit që fëmija i saj të jetë i prekur me atë sëmundje në moshë më të shtyrë. Sipas hulumtimit tjetër, ekzistimi i ndonjë formë te caktuar të proteinës është faktor i rrezikut për atë sëmundje.

Për momentin, askush nuk mund të parashikojë se kush do të zhvillojë dementian, derisa shkencëtarët punojnë në gjetjen e treguesve më të mirë të sëmundjes dhe ilaçeve, më e mira por edhe vetmja që mund të bëjmë është ta mbajmë trurin dhe trupin të shëndetshëm.

Shurup i përgatitur në shtëpi: Shëron kollën dhe largon sekrecionet nga mushkëritë

Shumë njerëz kanë kollë disa herë gjatë vitit, e bashkë me të edhe sekrecione. Trupi jonë mund të prodhojë rreth 1 deri në 1.5 litra sekrecione në ditë.

Kur jeni të shëndetshëm, mukoza zakonisht është e pastër dhe minimale. Sidoqoftë, kur kolliteni sasi të mëdha të sekrecioneve, kjo mund të jetë indikator i ndonjë infeksioni apo alergjie.

Prandaj, trakti respirator pezmatohet dhe shkakton koll të papërballueshëm.
Prandaj, është tejet e rëndësishme që kolla të trajtohet dhe sekrecionet të eliminohen në kohë. Për këtë, ne ju prezantojmë një shurup natyral i cili e trajton këtë sëmundje, ku përbërës kryesorë janë karotat.

Karotat janë burim i shkëlqyeshëm i vitaminës A, karotenit, hekurit, magnezit, kalciumit etj. Prandaj, janë të mahnitshme për trajtimin e kapsllëkut, pezmatimit të zorrëve, pastrimin e gjakut etj.

Përbërësit:
– Një apo dy kilogramë karota
– Tri deri në katër lugë mjaltë

Prini karotat dhe vendosni në ujë për t’u vluar. Vlojeni ujin derisa të zbuten karotat, pastaj kur uji i vluar të jetë ftohur, shtojini edhe mjaltin.

Shurupin mbajeni në dhomë të ftohtë dhe përdorni tri deri në katër lugë të këtij shurupi në ditë. Rezultatet do t’i vëreni brenda pak ditëve.