26.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

‘Kakistokracia’: Kur më të paaftët marrin pushtetin

Nga Kostas Vourlias

Me termin kakistokraci (nga greqishtja) nënkuptojmë atë sistem politik në të cilin më të këqijtë dhe më të paaftët arrijnë të ushtrojnë pushtetin. Ky koncept përmendet për herë të parë në shekullin XVII dhe bëhet i njohur falë shkrimtarit britanik Thomas Peacock në vitin 1829.

Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për politikanë me mangësi ose me përgatitje të pamjaftueshme, por për individë tërësisht të paaftë, me dështime të rënda personale dhe profesionale, të zhveshur nga çdo ndjenjë empatie apo përgjegjësie.

Zbatimi i një sistemi të tillë nuk është i lehtë, kërkon kushte specifike politike dhe ekonomike, si dhe një shoqëri të gatshme të pajtohet me të.

Megjithatë, procesi i instalimit të kakistokracisë ndjek gjithmonë disa hapa të qartë.

Fillimisht, për të kapur pushtetin nevojitet një “ide e madhe”, ose më saktë, një “gënjeshtër e madhe”. Sa më madhështore të jetë kjo gënjeshtër, aq më shumë ndjekës do të tërheqë, dhe aq më e vështirë do të jetë për kundërshtarët ta rrëzojnë.

Më pas, duhet të përzgjedhësh bashkëpunëtorët: ministra, sekretarë, këshilltarë.

Këtu kërkohet kujdes i veçantë, duhet të zgjedhësh më të këqijtë. Jo vetëm që kjo nuk është e lehtë, por kërkon individë me cilësi të caktuara; të jenë besnikë pa kushte, nëse është e mundur të vijnë nga rrethi familjar apo shoqëror, të jenë të bezdisshëm, të papëlqyeshëm për publikun dhe me probleme serioze në personalitetin e tyre. Sa më të papërshtatshëm të jenë, aq më i thellë do të jetë ndikimi i tyre në shoqëri. E dobishme është edhe përfshirja e ish-funksionarëve të kampeve kundërshtare politike, të jenë ambiciozë të zhgënjyer, dështakë politikë, oportunistë, të etur për pushtet dhe lavdi publike. Do të të duhet edhe një aleat i fortë nga radhët e opozitës, dikush ndryshe nga ty në çdo aspekt. Mos u shqetëso – me kohën ai do të bëhet edhe më i keq se ti vetë.

Kurrë mos bëj krahasime me “të tjerët” – vetëm sa do të humbasësh. Zgjidh bashkëpunëtorët me vendosmëri, imponoji dhe mbështeti. Mos kërko kurrë falje për zgjedhjet e tua. Mjafton të eliminosh nga diskursi publik nocione si meritokracia, vlerësimi dhe përkushtimi, dhe gjithçka do të ecë sipas planit. Nëse arrin të diskreditosh dhe shembësh edhe koncepte si familja, feja apo kombi, misioni bëhet edhe më i lehtë.

Për mbijetesën e kakistokracisë, është thelbësore përkrahja e botës intelektuale, artistike dhe e mediave – tradicionale dhe sociale. Me stimuj të duhur, shumica e këtyre do të shërbejnë me përkushtim. Disa madje do ta bëjnë edhe pa shpërblim.

Një tjetër shtyllë është sistemi arsimor. Ai duhet të jetë i dobët, me pritshmëri minimale, i dizajnuar për të shuar çdo dallim mes “të mirit, të keqit dhe të shkëlqyerit”. Në këtë mënyrë, pabarazitë intelektuale bëhen të padukshme dhe, rrjedhimisht, të parëndësishme.

Mos ki frikë nga dështimi. Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë do të të përqafojë – jo vetëm për të ndëshkuar të mëparshmit, por sepse ndihen më rehat në një realitet të zymtë, të djegur e në shpërbërje. Ushqeji vazhdimisht me rrëfime të reja, nxis polarizimin dhe përplasjet – me këdo, për gjithçka.

Kakistokracia nuk ka nevojë për kohezion shoqëror. Mjafton të sigurosh aleancën dhe miratimin e një të pestës së popullsisë – kjo përqindje nuk ndryshon kurrë. Prej andej e tutje, mbijetesa në pushtet kërkon vetëm një strategji: rrënim i plotë, shkatërrim i institucioneve, varfëri ekonomike, rritje e kriminalitetit, përhapje e frikës dhe pasigurisë.

Raporti i Bankës Botërore: 20% e popullsisë shqiptare në varfëri më 2025

Varfëria parashikohet të ulet me 1.1 pikë përqindje këtë vit, por sërish 20% e popullsisë së vendit do të jetë e prekur nga ky fenomen parashikon Banka Botërore në përmbledhjen e fundit që publikoi për Shqipërinë.

Pas një rritjeje në vitin 2020, varfëria vlerësohet të ketë rifilluar tendencën rënëse, e nxitur nga rikuperimi pas pandemisë.

Varfëria e matur sipas të ardhurave (6.85 dollarë PPP në ditë) ra nga 41.6% në vitin 2016 në 32.2% në vitin 2019.

Pas rritjes në 33.1% në vitin 2020 për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, varfëria vlerësohet të ketë rënë në 22.5% në vitin 2023, prej rritjes PBB-së për frymë, dhe pritet të ulet edhe më tej me 1.5 pikë përqindje në vitin 2024 dhe 1.1 % më 2025, analizon Banka.

Megjithëse pabarazia ka shënuar rënie, ajo mbetet në nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor pas Malit të Zi (36.9).

Gjithashtu Shqipëria ka një hendek të lartë në krahasim me standardin global të mirëqenies 25 USD në ditë për person. Të ardhurat e vendit tonë duhet të rriten së paku me tre për të arritur këtë standard.

Norma e punësimit arriti mesatarisht në 68.6% në vitin 2024, me rritje prej 2 pikë % të punësimit të meshkujve, ndërsa për femrat pati një rënie të lehtë prej 0.3 pikësh përqindje.

Papunësia zbriti në 9.4%, por papunësia tek të rinjtë (mosha 15–29 vjeç) mbeti e lartë në 18.9%. Paga mesatare u rrit me 9.8% gjatë vitit 2024, me rritje në të gjitha sektorët ekonomikë.

Banka vë në dukje se, Shqipëria zotëron një potencial të pashfrytëzuar kapitali njerëzor që mund të nxisë rritjen dhe zhvillimin, por vendi përballet me sfida si emigracioni, pasiviteti ekonomik dhe mosshfrytëzimi i plotë i burimeve ekzistuese.

Rritja e përfshirjes së individëve të arsimuar në tregun e punës, përmes përmirësimit të kushteve të punësimit dhe krijimit të vendeve cilësore të punës, do të sillte jo vetëm përfitime ekonomike të menjëhershme përmes produktivitetit më të lartë, por edhe kthim maksimal nga investimet që janë bërë në arsim.

Banka sugjeron se nxitja e pjesëmarrjes ekonomike të grave është thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt statusit të vendit me të ardhura të larta.

Vetëm mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të sillte një rritje të konsiderueshme prej 12% të PBB-së për frymë në afatgjatë.

Çlirimi i potencialit të grave përmes arsimit dhe përfshirjes në tregun e punës është faktor i domosdoshëm për ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe për ta çuar drejt mirëqenies, sugjeron BB./ Monitor

Pas Greqisë edhe Gjermania ashpërson ligjet! Qeveria do kufizojë bashkimet familjare, a preken edhe shqiptarët?

Pas Greqisë e cila ka përgatitur një projektligj që do të përfshijë dënime më të ashpra për azilkërkuesit, edhe Gjermania ka prezantuar një projekt për të vendosur kufizime ndaj bashkimeve familjare për disa migrantë dhe për të ashpërsuar rregullat për marrjen e shtetësisë.

Ashpërsimi i politikave të migracionit është premtim kyç i kancelarit të ri konservator, Friedrich Merzh, gjatë fushatës për zgjedhjet e shkurtit dhe Qeveria e tij menjëherë ka vendosur kontrolle në kufijtë e Gjermanisë pasi ai mori detyrën e kancelarit më herët gjatë këtij muaji.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, u tha gazetarëve të mërkurën se masat e reja janë të rëndësishme për uljen e migrimit të parregullt.

Pezullimi i bashkimeve familjare do të zgjasë të paktën dy vjet dhe do të prekë personat që nuk kanë status të plotë të refugjatit.

Dobrindt tha se ky vendim do të ndihmojë në “lehtësimin” e punës së këshillave lokalë, që janë të caktuar për të ofruar ndihmë dhe integrim të personave të sapoardhur në këtë shtet.

Chelsea fiton trofeun e Conference League

Chelsea ka fituar përballë Real Betis në ndeshjen e vlefshme për finalen e UEFA Conference League. Sfida e zhvilluar në Poloni, përfundoi me rezultatin 1-4 në favor të “Bluve të Londrës”.

Në fakt, ishte Betis skuadra që kaloi e para në avantazh. Goli i Ezzalzouli krijoi “frikë” te londinezët. Megjithatë, këta të fundit përmbysën gjithçka me Enzo Fernandez, Nicolas Jackson, Jadon Sancho dhe Moises Caicedo.

Kështu, Chelsea shpallet kampion në UEFA Conference League. Pasi siguroi pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, “Blutë e Londrës” fitojnë një trofe prestigjioz për të mbyllur mjaft mirë këtë edicion futbollistik

Fuqia e trurit, sekreti qëndron tek vitaminat

Shëndeti i mendjes bazohet ndjeshëm në një regjim të pasur ushqimor me produkte që stimulojnë çdo qelizë të tij.

Më poshtë do të gjeni një listë nga AgroWeb.org, të 7 vitaminave më të mira që fuqizojnë trurin, përmirësojnë kujtesën dhe performancën mendore.

7 Vitamina Të Mira Për Trurin

Vitamina A

Të gjithë i njohim vlerat e vitaminës A për shëndetin.

Por kjo vitaminë është thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të trurit.

Vitamina A zgjeron aftësitë e mendjes dhe të sistemit nervor.

Ajo përmirëson ndërlidhjen mes zonës së kujtesës dhe mësimit dhe zonës së qelizave.

Kjo vitaminë shërben si antioksidant, një mjet i fuqishëm kundër radikaleve të lira.

Burimet më të mira të vitaminës A janë spinaqi, pjeshka, mëlçia dhe kajsitë.

Acidi Folik
Është një nga format e vitaminës B9 dhe mban nën kontroll qelizat e trurit.

Acidi folik forcon kujtesën afat shkurtër dhe vigjilencën dhe largon amullinë në veprime dhe letargjinë.

Disa prej burimeve ushqimore më të pasura me acid folik janë barishtet, thjerrëzat, fasulet dhe bishtajoret.

Vitamina B6
Është një nga vitaminat e kompleksit B e dobishme për një kujtesë të fortë.

Disa nga burimet më të mira të kësaj vitamine janë pjepri, mishi, drithërat e pasuruar dhe fasulet.

Vitamina B12
Kjo vitaminë është jetësore për shëndetin e qelizave nervore. Ajo mban të paprekur mielinën e cila mbulon fibrat nervorë dhe lëshon impulse elektrike në tru.

Në këtë mënyrë, kjo vitaminë parandalon sëmundjet e trurit.

Vitamina B12 parandalon depresionin dhe luhatjet e humorit dhe rrit vigjilencën.

Ajo parandalon humbjen e kujtesës.

Disa nga burimet më të mira të kësaj vitamin janë peshku, mishi i shpendëve dhe i viçit.

Ju mund të përdorni edhe suplementë të vitaminës B12 në farmaci.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se spirulina është shumë e pasur me vitaminë B12.

Vitamina C
Radikalet e lira janë një rrezik madhor i qelizave të trurit.

Mënyra më e mirë për të parandaluar dëmin e këtyre radikaleve është marrja e antioksidantëve.

Vitamina C e luan këtë rol shkëlqyeshëm dhe siguron shëndetin jo vetëm të trurit por edhe të sistemit imunitar dhe zemrës.

Burime të mira të vitaminës C janë agrumet dhe bishtajoret.

Vitamina D
Ndihmon shëndetin e qelizave të trurit dhe mirëmbajtjen e tyre.

Burime të mira të vitaminës D janë shpendët, mishi i viçit, mëlçia, djathi, peshku, etj.

Vegjetarianët mund të konsumojnë kërpudha që përmbajnë vitaminën D2, një formë e vitaminës D.

Drita e diellit është gjithashtu një burim i mirë i kësaj vitamine.

Vitamina E
Kjo vitaminë mbron qelizat e trurit dhe nervave nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira.

Ajo ndalon ose vonon progresin e sëmundjes së ALzheimerit tek të moshuarit.

Patatja e ëmbël, barishtet, drithërat dhe arrorët janë burime shumë të mira të kësaj vitamine./AgroWeb.org

SHBA fshin nga lista e sanksioneve dy persona nga Ballkani, u heq ‘non gratën’, por… pas vdekjes

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA (OFAC) ka bërë përditësime në Listën e Personave të Sanksionuar, duke hequr disa individë dhe subjekte të mëparshëm nga lista e sanksioneve.

Sipas njoftimit të fundit, janë fshirë nga lista e non gratave Milan Milutinovic, ish-President i Republikës Serbe dhe person i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në Ish-Jugosllavi (ICTY). I lindur më 19 dhjetor 1942 në Beograd, Serbi.

Milan Milutinovic ka vdekur me 2 korrik 2023.

Personi tjetër të cilit i është hequr non grata është Bogdan Subotic – i lindur më 25 prill 1941 në Bosanska Gradiska, Bosnjë-Hercegovinë. Edhe ky ka ndërruar jetë në vitin 2022.

Kontrabandë cigaresh/ Doganierë dhe biznesmenë, SPAK ekzekuton 36 masa sigurie

SPAK ka ndërmarrë një operacion për ekzekutimin e 36 masash sigurie për të dyshuar për kontrabandë.

Nga burimet mediatike mësohet se 15 prej tyre janë masa “arrest në burg”, ndërsa të tjerat masa më të buta.

Në këtë aksion, SPAK ka goditur një skemë kontrabande cigaresh ku të përfshirë janë zyrtarë doganorë, biznesmenë dhe shtetas të huaj.

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal për kontrabandë cigaresh, 36 persona nën hetim

Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20, viti 2023* për një skemë të sofistikuar kontrabande të cigareve, ku janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si edhe punonjës të strukturave doganore.

Personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së. Konkretisht, subjekti tregtar (Fabrika e Cigareve “A.T”) i përfshirë ka aplikuar dhe është pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), nga autoritet doganore, me qëllim përjashtimin nga taksat dhe detyrimet doganore si në import të lëndës së parë ashtu dhe në eksport. Subjekti punon me regjim “fason”, duke prodhuar paketa cigare, për të cilat ka markë të regjistruar dhe eskluzivitet, për llogari të firmës porositëse me seli jashtë territorit të Shqipërisë.

Nga hetimet ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar, përcakton destinacionin i cili rezulton inekzistent. Grupi i struktuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore. Këto janë të konsiderueshme, nisur nga fakti se janë mall akcize dhe nuk janë përmbushur detyrimet ligjore për eksport, ashtu sikurse është pasqyruar jo realisht në dokumentacionin doganor.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky grup i strukturuar kriminal me një veprimtari të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, për qëllim fitimi ekonomik,  ka  sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e 366.034.451,000 lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10.000.000 Euro.

Kjo veprimtari është realizuar përmes legjitimimit të kontrabandës nga struktura të caktuara të doganës në shkelje të ligjit duke mos shoqëruar ngarkesat me strukturat e antikontrabandës deri në dalje nga territori i Shqipërisë si dhe çlirim eksporti fiktiv në sistemin “Asycuda World” sikur kjo sasi cigaresh ka dalë nga vendi ynë në doganën dalëse të përcaktuar në deklaratën doganore. Gjithashtu prodhimi i paketave të cigareve pa pullë fiskale, nuk ka mundësuar vjeljen e detyrimeve doganore nga vendi ku janë destinuar për tu shitur, veprimtari kjo në kundërshtim me Ligjin e akcizës.

Për sa më sipër, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar ka depozituar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit për shtetasit e dyshuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr. 48 datë 27.05.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim; I.J, (pronar i fabrikës), D.J (administrator i fabrikës), S.D (shtetas i Maqedonisë së Veriut),  L.Q (shtetas kosovar si dhe me shtetësi të Mbretërisë së Bashkuar), Z.S (shtetas serb) dhe M.B (shtetas serb), të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 172, pika 3 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim N. G i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 172 pika 3 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim punonjës të doganave I.H, K.G, I.C, A.T, M.N,  G.T, G.S, E.SH dhe  I.K, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 175 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim M.D (punonjëse e doganave), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 175 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim (punonjës të doganave); E.H, Y.K, B.R, I.Ç, I.M, A.S, Y.S, L.Ç, I.Z, F.Z, G.D, N.S, L.M, D.P,  B.Z, A.N, V.G, SH.L dhe L.D, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, i parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal.
Ndërkohë masa e sigurisë ”Arrest me burg” është ekzekutuar për 5 nga 15 shtetasit në hetim, ndërsa masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” është ekzekutuar për 15 nga 20 shtetasit nën hetim.

Prokuroria e Posaçme falënderon autoritetet britanike të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA), ato kosovare, greke dhe qipriote për bashkëpunimin në hetimin e këtij procedimi penal, veçanërisht në ekzekutimin e shpejtë të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike.

Kur dhe si kalbet pushteti?

Nga Edmond Arizaj/ shteg.org

E kemi kollaj ta matim kohën që i duhet ujit të mbushur në burimin më të pastër për t’u qelbur; nga 3-7 ditë. Por si të matim kohën e njeriut që “qelbet” në pushtet? Nuk janë më shumë se 3-6 muaj, koha e “qelbjes” në pushtet në një vend me mungesë kontrolli dhe llogaridhënie. Pra brenda 100 ditëve të para dhe maksimumi në 200 ditë pushtet, nisin të ndihen më pak të ndikuar nga mendimi i të tjerëve, mësohen me privilegjet dhe i quajnë të merituara e të padorëzueshme, humbasin empatinë që e tregonin pa hesap më parë. “Paradoksi i pushtetit” i Dacher Keltner, ku njerëzit e mirë që ngjiten, nisin e ndryshojnë, e shpjegon jo keq. Shumë liderë, apo drejtues të lartë institucionesh, vijnë me premtime të mëdha e të bujshme, por brenda pak ditësh, javësh, e ndonjëherë në raste “të mira” muajsh, nisin shenjat e arrogancës, autokracisë, kapjes së institucionit dhe moslëshimit deri në zbythje nga një më lartë.

Si të kalb pushteti?
Maksimumi, maksimumi, brenda 6 muajsh, nëse nuk ka kontroll serioz institucional, dhe transparencë, nisin erërat e rënda të nepotizmit, interesave personale, interesave ekonomike, zhvendosjes nga parimet, arroganca dhe mendjemadhësia. Natyrshëm era nuk ndihet shpejt sepse parfumi propagandistik ushqehet po aq fort sa korrupsioni moral e material. Nëse thjesht e mendon, simptomat e kalbëzimit politik janë kaq të dukshme ngado të kthehesh: Vetëmburrja kthehet në sistem shtetëror, kritika përbuzet, institucionet kapen me “të besuar”, fjala publike shumëzohet me 0, promovohet servilizmi dhe çdinjitetëzimi për karierrë. Mos më thoni që nuk keni takuar të paktën një herë në jetën tuaj, një injorant në kultimin e parë të fjalës që pas gjashtë muajsh në pozitë, ju flet juve si zbuluesi i teorisë së relativitetit … të pushtetit. Dhe ju, jeni detyruar ta dëgjoni! Ja kjo është qelbja!

Kur qelbet fare?
Pra kur dekompozohet, që as e nuhat dot? Kur fillon të besojë se “ai” është shteti, se pa “atë” gjithçka do marrë fund si në kohën e dinosaurëve, se ikja e tij do të jetë njësoj me kataklizëm dhe s’ka Noe ta shpëtojë. Është ajo koha kur pushtetari nuk ka më turp pse nuk i shërben njerëzve, por përkundrazi është i vetkënaqur si sundues, si gjithçkabërës si do vetë pa pyetur njeri, ose thjesht duke iu servilosur “komandantit” sipas rastit. Ky është dekompozimi total që nuk është më i rrezikshëm për ata, por përkundrazi vendin. Ndryshimi i fytyrës nga shërbyes i popullit, në pashanë e popullit, do pak muaj; ndryshimi i pasojave që lënë këta spahinj, kajmekamë e pashallarë.

A është populli dashnor i diktaturës?
Zgjedhjet e fundit, ku fare pak nuk u rreshtuan pas njërit, apo tjetrit “diktator” prej 26 apo 34 vjetësh, nuk tregojnë këtë. Më shumë tregojnë pasiguri, lodhje, e dëshirë për “qetësi”, pavrësisht se ajo është shtypje. Për liri nuk bëhet fjalë, sepse pavarësisht se tingëllon bukur, është e lodhshme, jo duhet të mbash qëndrime, jo parime, jo duhet të flasësh, jo duhet ndonjë sakrificë e vogël, jo përgjegjësi, jo zhgënjime pas zhgënjimesh nga njerëzit e nga pritshmëritë. E lëmë lirinë mënjanë, sepse ne teorikisht nuk e kemi pasur ndonjëherë.

Si lidhet “i qelburi” me qytetarin?
Krejt thjeshtë, madje krejt lirë. Parimet, idetë, janë hedhur diku në ndonjë kosh, çfarë mbizotëron është: “a fitoj gjë unë, a më jep gjë”. Jo shumë, një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike, një tender, një shuk me euro, një legalizim, një premtim, një projekt…dhe ja ku “i qelburi” i djeshëm edhe në gojën tënde, sot bëhet “burrë i mirë” që të ndihmon. Ky është korrupsioni moral, shumë i frikshëm se ai financiar, sepse ky moleps gjithë popullsinë, jo vetëm pushtetin, dhe pastaj popullsia ndihet në detyrim ndaj pushtetit.

Kemi lindur servilë dhe të pazë?!
Nuk besoj. Nuk besoj se një popull lind i tillë. Por mund të edukohet si i tillë. Breza të tërë që për shekuj janë mësuar ta ngrenë kokën lartë të dëgjojnë se ç’thotë udhëheqësi, dhe ta ndjekin edhe në humnerë, apo të ulin kokën e të skuqin duart nga duartrokitjet kur udhëheqësit u flasin, apo të presin poshtë ballkonit të udhëheqësit mos u hedh një copë ushqim, nuk e përcjellin perceptimin e lirisë si të drejtë, por si rrezik. Le t’i shtojmë pak kësaj edhe sjelljen “kombëtariste” e rajonale të shpëtimtarit të madh dhe klonëve të tij shpërndarë kudo, që përsërisin deri në mërzi se “ay” është mbrojtësi i kombit, “ay” bëri mrekullira, “ay” vendosi rregull e bëri shtet, e njerëzit të trembur se mos kush e di ndodh ndonjë hata, mblidhen mes tyre duke pëshpëritur “të paktën ka rregull, se mbani mend si ishte dikur”. Ky është dorëzimi i lirisë. Por ashtu siç populli mësohet me diktaturë e diktatorë realë, apo kopje, të vegjël a të mëdhenj, po ashtu mund të mësohet edhe të mos i pranojë më. Duke nisur nga klonët në periferi. Do kohë, do guxim, do vetëdije, do dhe ndonjë vrimë të vogël në murin e frikës, për të hyrë sadopak dritë.

Kosova në krizë parlamentare, BE-ja kërkon formimin e Qeverisë së re

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, duke theksuar nevojën për një partner qeveritar me të cilin BE-ja të mund të bashkëpunojë për proceset integruese.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për një partner të qëndrueshëm në qeveri për të punuar dhe diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës,” u shpreh Orav gjatë një tryeze diskutimi të organizuar të mërkurën nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL, me fokus në integrimin e Kosovës në BE.

Orav theksoi se procesi i heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka filluar dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin me autoritetet vendore. Ai shtoi se angazhimi i ndërsjellë është i domosdoshëm për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

Megjithatë, ambasadori i BE-së në Kosovë rikujtoi se një nga çështjet kyçe që mbetet për t’u adresuar është themeli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e konsideroi si pjesë të obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit.

“Është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të zbatohen pa vonesa”, u shpreh ai.

Berisha vijon “non grata”, SHBA mbështesin Shqipërinë/ Lapardhaja: Në 2021 Lulzim Basha u urua me emër

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka reaguar një ditë më parë në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, duke uruar popullin shqiptar. Ambasada shkruan se presin të vazhdojnë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë.

Gazetari Namir Lapardhaja në një intervistë në “Ora News” u shpreh se palët kanë interesin e tyre për ta lexuar atë mesazh.

“Së pari reagimi i SHBA-së është një lajm i mirë për Shqipërinë, dhe pozitiv për vetë Rajonin. Kjo dhe për faktin se ne jemi nën fokusin e SHBA-ve pavarësisht politikës së ditës amerikane.

Së dyti s’është hera e parë që SHBA reagon për zgjedhjet në Shqipëri, nëse do të shikojmë mënyrën e reagimit në vitin 2021 me reagimin e djeshëm kuptohet se nuk ëhstë ai i mëparshmi.

Në 2021-n uronin drejtpërdrejtë fituesin e zgjedhjeve Edi Ramën, por edhe kreun e opozitës së atëhershme, Lulzim Bashën me emër.

Ndërsa në 2025-n kemi një meszh konciz, të përmbledhur dhe të thukët, se pse ka ndodhur kjo këtë nuk mund ta them unë. Por e qartë është diçka, kanë përshëndetur vendimin e popullit shqiptar dhe shprehin gadishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen, një bashkëpunim që nënkupton me qeverinë shqiptare.

Nga ana tjetër, duke mos përmendur opozitën dhe Sali Berishën, mesa duket kanë dashur të mos e mbështesin qëndrimin e opozitës lidhur me zgjedhjet.

Dhe të mos harrojmë se pavarësisht lotimit të tij në SHBA, z. Berisha vijon të jetë person “non-grata””, u shpreh Lapardhaja.