18.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Maj, 2025

Humbi nënën dhe vëllanë, kërkon ndëshkimin e punonjësve që e deklaruan pallatin të sigurt

Bujar Cuka dhe Egi Cuka, babë e bijë, humbën gjysmën e familjes së tyre, Fatmira Cuka dhe Sardi Cuka, nënë e bir vdiqën nën rrënojat e njërit prej pallateve në Thumanë.

Bujari dhe Egi fajësojnë institucionet shtetërore. Në një intervistë për Klan Kosovën, ata pohuan se pas tërmetit të 21 shtatorit 2019, përfaqësues të institucioneve shtetërore u thanë se banesa e tyre ishte e sigurt.

Egi kërkon ndëshkimin e funksionarëve që e shpallën pallatin e banueshëm:

“Unë këtë gjë dua ta çoj deri në fund. Këtë padrejtësi unë dua ta çoj deri në fund që ato persona që kanë qenë aty dhe kanë thënë që pallati ka qenë i banueshëm duhet të ndëshkohen.”

Revoltën ata e nxjerrin tek zyrtarët qeveritarë që i kontaktuan ata pas tërmetit për t’u afruar ndihmë. Është reagim i ashpër ndaj punonjësve që mund të mos kenë asnjë lidhje dhe përgjegjësi me tragjedinë e tyre, por është reagim njerëzor.

Ndërsa vajza refuzon të takojë punonjësin, babai i saj e akuzon:

“Pse duhet të vish ti këtu. Ti e di që shtëpia ime ka qenë e pabanueshme që në atë kohë. Pse më vjen këtu ti mua.”

Incidenti kaloi pasi inati i momentit ja la vendin arsyes, por kërkesa e tyre për drejtësi nuk do largohet.

Të gjitha kostot e tërmetit janë të përballueshme me përjashtim të keqqeverisjes

Pasi Shqipëria varrosi viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, sfida bëhet serioze sa i përket ndihmës së menjëhershme për familjet e dëmtuara si dhe për financimin e rindërtimit të banesave të humbura. Këto janë disa mjete që Shqipëria ka në dispozicion për të financuar rindërtimin.

Shqipëria varrosi të dielën një pjesë të 50 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit dhe i dha fund zyrtarisht operacionit për kërkimin e të mbijetuarve nën rrënoja. Në këtë pikë, sfidat kryesore janë ndihma e menjëhershme për familjet e pastreha dhe hartimi i planeve pak më afatgjata për rindërtim.

Shqipëria, njësoj si çdo vend sovran, ka një numër opsionesh në dispozicion mbi mënyrën se si mund të përballojë kostot e menjëhershme për ndihmën e familjeve të pastreha si dhe koston më afatgjatë për rindërtimin e pallateve dhe banesave të shembura. Deri më tani, qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditur se çfarë ka në mendje të bëjë, me përjashtim të hapjes së llogarive bankare për pranimin e donacioneve. Këto donacione, ndonëse janë të domosdoshme për të ndihmuar familjet në nevojë në fazën e parë të emergjencës, pra furnizimin e familjeve me veshje, ushqime, çadra e batanije; ndihmat vështirë se janë të mjaftueshme dhe në një farë mase, nuk janë as shumë të nevojshme, për fazën e gjatë të rindërtimit.

Kostoja e përgjithshme e rindërtimit është e vështirë të vlerësohet në kushtet aktuale, kur nuk është e qartë se sa është numri i pallateve të pabanueshme. Megjithatë, dëme në rendin e qindramilionë eurove nuk janë të papërballueshme për gjendjen ekonomike të sotme të Shqipërisë, në rast se tërmeti nuk shoqërohet edhe me keqqeverisje dhe abuzim me fondet e me prokurimet e rindërtimit.

Qeveria mund të përdorë: 1) rritje të borxhit publik; 2) rritje të përkohshme të taksave;  3) t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë të bëjë emision monetar; 4) të përdorë një pjesë të rezervës valutore të vendit; 5) një kombinim të këtyre masave më sipër.

Le ta nisim nga e përgjithshmja: Shqipëria ka një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 11 miliardë eurosh në vit. Nga kjo shumë dalin të gjitha paratë tona, pagat, fitimet e kompanive, taksat që mbledh buxheti i shtetit për shërbime publike. E thënë ndryshe, puna jonë dhe puna e emigrantëve që sillet në Shqipëri në formë remitancash krijon vlerë të shtuar 11 miliardë euro në vit. Pikërisht nga kjo shumë përgjatë dy apo tre viteve të ardhshme do të duhet të dalin paratë për të paguar dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Duke qenë se ne nuk e dimë se sa janë kostot e tërmetit, po shqyrtojmë tre mundësi. E para, që kostot janë relativisht të ulëta në rendin e 200 milionë eurove; e dyta, që kostot janë relativisht të larta, në rendin e 1 miliardë eurove dhe; e treta, që kostot janë në rendin e shifrës marramendëse prej 2 miliardë eurosh.

Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, kjo do të thotë kosto nga 1.8 deri në 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Opsioni i parë, zhvendosje fondesh nga koncesionet kontroverse te rindërtimi

Në rast se kostot janë 200 milionë euro, qeverisë i mjafton të pezullojë apo të shtyjë për më vonë disa projekte koncesionare shumë të debatueshme dhe thellësisht të paarsyeshme edhe në kohë pa tërmet, për të drejtuar fondet te rindërtimi i zonave të prekura nga tërmeti.

Ligji për Buxhetin e Shtetit ka një listë të këtyre projekteve nga të cilat është shumë e lehtë të zgjedhësh se çfarë mund të shtysh për më vonë: Milot – Balldre është një projekt autostrade me kosto të planifikuar 32 miliardë lekë ose 270 milionë euro dhe që synon ndërtimin e një rruge prej vetëm 17 kilometrash të gjatë. Kjo është një nga shumë projektet e infrastrukturës, të cilat që para tërmetit ishin kontroverse dhe të paarsyeshme.

Anulimi i kësaj kontrate tashmë që ajo nuk ka nisur ende është një hap shumë i logjikshëm për të siguruar fonde për rindërtimin. Por Milot – Balldre është larg të qenit e vetmja. Nëse kostot e rindërtimit nga tërmeti janë më shumë se sa kaq, kemi projekte të tjera që mund të anulohen: 1. Rruga Orikum Dukat, kostoja 83 milionë euro. 2. Incineratori i Tiranës, kostoja e paidentifikuar. 3. Incineratori i Fierit, kostoja e paidentifikuar. 4. Unaza lindore e Tiranës, kostoja 38 milionë euro. Në veçanti, anulimi i dy koncesioneve të rrugëve është veprim i logjikshëm për shkak se këto projekte nuk kanë nisur të zbatohen.

Opsioni i dytë, shtimi i borxhit publik/rritje taksash

Në rast se zhvendosja e fondeve nga koncesionet te rindërtimi nuk mjafton, qeveria ka mundësi të rrisë borxhin publik. Aktualisht ky borxh është në nivelin rreth 65% e PBB-së, shifër sakaq e lartë. Por për fat, interesat e këtij borxhi aktualisht janë të ulëta, pranë minimumit historik, kështu që rritja e këtij borxhi me, fjala vjen, nga 65 në 70%, mund të sjellë 550 milionë euro para të thata për të financuar rindërtimin. Natyrisht që nëse borxhi rritet, taksat mbi shqiptarët duhet të rriten gjithashtu për të shlyer këtë borxh.

Një veprim i arsyeshëm është rritja e përkohshme e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për së paku 2 apo tre vjet. Shqiptarët paguajnë përmes TVSH-së afro 1.3 miliardë euro në vit ndërsa rritja e TVSH-së nga niveli aktual 20% në, fjala vjen, 22%, mund të sjellë afro 130 milionë euro të ardhura shtesë në vit. Nëse dëmet nga tërmeti janë 200 milionë euro, atëhere mjafton që TVSH të rritet në 22% për rreth një vit e gjysmë që shqiptarët të paguajnë koston e rindërtimit.

Opsioni i tretë, emisioni monetar

Shqipëria, si çdo vend sovran, ka një monedhë e cila prodhohet nga banka qendrore. Në raste ekstreme, qeveria mund t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë të rrisë sasinë e lekut në qarkullim për të financuar rindërtimin. Kjo masë natyrisht që sjell zhvlerësim të monedhës kombëtare dhe inflacion. Dhe kjo masë përbën njëkohësisht një formë taksimi. Milton Friedman ka thënë në një rast se inflacioni është ajo formë taksimi për të cilën qeveritë nuk marrin miratim në parlament. Mund të duket një problem i vogël, por në krahasim me taksat e zakonshme, inflacioni është i tillë që i takson njerëzit ndërkohë që këta të fundit as që janë në gjendje të dallojnë se po taksohen.

Gjithsesi, emisioni monetar është një lloj arme veprimi në masë që i prek të gjithë, pavarësisht nëse janë të pasur apo të varfër. Në kushtet e sotme, kur leku është forcuar falë parave të bollshme të pista deri në 122 lekë për euro nga 140 që ka qenë tre vjet më parë, një emision monetar, që në gjuhën moderne njihet me termin lehtësim sasior, mund të jetë pozitiv edhe për pjesën tjetër të ekonomisë.

Opsioni i katërt, përdorimi i rezervës valutore

Si çdo vend tjetër modern, Shqipëria ka një instrument të quajtur: Rezerva valutore ndërkombëtare. Kjo është një shumë parash që menaxhohet nga Banka e Shqipërisë dhe që është akumuluar përgjatë njëzet viteve të fundit. Kjo është shuma që BSH përdor në rast krizash dhe niveli i saj llogaritet në muaj importe, d.m.th., vendi duhet të ketë aq para të kursyera sa të mund t’i lejojë vetes të paguajë katër muaj importe pa pasur asnjë burim tjetër në rast katastrofash. Në rast se dëmet nga tërmeti janë shumë të larta, atëhere qeveria mund të përdorë një pjesë të kësaj rezerve valutore. Rezerva valutore në fund të vitit 2018 ishte në masën 3.4 miliardë euro. [Shiko më shumë f. 94 të raportit vjetor të BSH]

Në rast se qeverisë i nevojiten, fjala vjen, 1 miliardë euro për rindërtimin, atëherë asaj i mjafton të përdorë më pak se një të tretën e rezervës valutore. Kjo nuk do të thotë se taksat nuk do të duhet të rriten dhe se vendi mund ta përballojë tragjedinë vetëm duke përdorur paratë e kursyera. Në rast se rezerva valutore preket për rindërtim, ajo do të duhet të plotësohet sa më parë që të jetë e mundur. Dhe e vetmja mënyrë për ta plotësuar është që të rrisësh taksat.

Ana pozitive e katastrofave natyrore është që, ndonëse burimet ekonomike duhet të zhvendosen, fjala vjen, nga koncesionet e rrugëve te rindërtimi i shtëpive, pasojat e këtij veprimi në ekonominë kombëtare janë neutrale, e ndoshta më pozitive. D.m.th., nëse betoni bëhet ndërtesa dhe jo rrugë, vlera e shtuar finale në ekonomi është njësoj. Por në rastin e ndërtesave, përfituesit janë shqiptarët e zakonshëm, gjë që nuk mund të thuhet si e vërtetë absolute në rastin e koncesioneve.

Nga një këndvështrim i përciptë, dëmet janë tërësisht të përballueshme për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare sot. Ndihmat, qofshin këto edhe prej miliona eurosh nga biznesmenë shqiptarë apo nga qytetarë të zakonshëm, janë veç një qindarkë e asaj që nevojitet dhe asgjë në krahasim me kontributin që do të duhet të japim të gjithë ne për rindërtimin e vendit. E vetmja gjë e papërballueshme është keqqeverisja. Nëse tenderët vijojnë të manipulohen trashë, apo kompani fantazmë fitojnë tenderë shumëmilionësh dhe prokuroria nuk është në gjendje të identifikojë se kush është përgjegjësi, asnjë lloj skeme financiare nuk është e mjaftueshme për rindërtimin e vendit.

/Reporter.al

Intelektualë dhe qytetarë kërkojnë qeveri teknike për përballimin e krizës

Mjeku i njohur Petrit Vargu i është drejtuar me një apel të fortë Kryeministrit Edi Rama, i cili mëngjesin e sotëm zhvilloi mbledhjen e rradhës së qeverisë, lidhur me situatën pas tërmetit dhe masat që duhen marrë për përballimin e situatës.

Rama ripërsëriti apelin drejtuar opozitës dhe kreut të saj, Lulzim Basha, për t’u ulur në një tryezë dhe për dhënë propozimet e tyre lidhur me masat.

Por mjeku Petrit Vargu i kujton Ramës se si tallej me opozitën para tërmetit dhe për lokomotivën që ecte përpara, ndërsa ata e shikonin me qesëndi.

Gjithashtu, vargu i kujton Ramës faktin se për PPP-të që shkatërruan ekonominë, ai nuk i pyeti asnjëherë, ndërsa sot si makiavelist i thërret për mendim.

“Inxhinierët dhe mjekët mos i thërrit që të japin mendime në vesh të shurdhet. Thjesht largohu dhe lër të krijohet një qeveri teknike”, shkruan Vargu në një postim në rrjet.

Postimi nga Petrit Vargu

Z.Kryeministër! Deri tani u tallje me opozitën jo parlamentare, me lokomotivën që ecte dhe me ata që shikonin me qesendi poshtë pemës.

Për PPP-te dhe bëmat e tjera nuk i pyete asnjeherë derisa shkatërrove ekonominë e vendit. Tani si Makiavelist që je, i thërret për mendim.

“By the Way”, Luli e ka ndërruar prapë shtëpine? Se me këto u more pas tërmetit të parë.

Lëri këto të papara “live” në 7 të mëngjesit mbledhje qeverie, sepse njerëzit e kuptojnë mirë sesa të cekët e të paditur jeni…

A e pe Shkrelin, që jepte këshilla praktike si duhet të sillen njerëzit e katit të parë dhe të fundit në rast tërmetesh?

Këto mund ti japësh me titra dhe në televizione dhe jo në mbledhje qeverie. Si resume e mënyrës si është sjellë Qeveria deri më sot, je thjesht i pa aftë të drejtosh këtë vend.

Inxhinierët dhe mjekët mos i thërrit që të japin mendime në vesh të shurdhet. Thjesht largohu dhe lër të krijohet një qeveri teknike.

Çfarë fshihet pas dorëheqjes së Sakos? A po prishen provat që akuzojnë Dakon dhe Ramën për pallatet?

E emëruar në detyrë nga Edi Rama në votimet monpartiake të 30 qershorit, Valbona Sako dha dorëheqjen sot nga detyra e saj si kryebashkiake e Durrësit, qytetit që edhe u prek më shumë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Përmes një statusi në Facebook, sot Valbona Sako u shpreh se ‘e lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës’.

Dorëheqja e saj erdhi pas deklaratës ku Sako u shprehe ndër të tjera se ‘për hir të së vërtetës ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar. Por duhet të jemi të kënaqur dhe me 50 viktima se në raste të tjera ka qenë mbi 1 mijë viktima…’

Por burime të tjera kanë bërë të ditur se, arsyeja e dorëheqjes së Sakos është një tjetër. Ajo ka qenë kundër shembjes së ndërtesave në Durrës, para se prokuroria të bëjë hetimet e plota.

Sako ka kërkuar që prokuroria me grupet e saj të bëjë hetimet e plota dhe më pas të nisnin shembjet. Ajo nuk ka pranuar që të shemben ndërtesa pa u përfunduar hetimet. Burimet thanë se, shembjet që po bëhen, do të fshijnë provat që akuzojnë Vangjush Dakon dhe vetë Edi Ramën.

Në këtë mënyrë, pas shembjes së ndërtesave prokuroria nuk do të mund të mbledhë prova për të ngritur akuza ndaj Vangjush Dakos dhe Edi Ramës.

Situata në Shijak shumë e rëndë, qindra familje në mes të katër rrugëve, të braktisur…

Nga Red VARAKU

Falë Zotit nuk pati viktima, por fatkeqësisht sipas ekspertëve minimalisht gati 90% e pallateve dhe një numër i madh shtëpish janë vlerësuar si të pabanueshme, pa llogaritur dëme të tjera materiale.

Me qindra familje kanë mbetur në mes të katër rrugëve, të braktisur në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë dhe përkrahje.

Me qindra qytetarë prej ditësh po i kalojnē netët jashtë dhe po vuajnë një situatë të rëndë humanitare.

Banorët nuk kanë asnjë qartësi nëse mund të përdorin banesat të cilat duken të dëmtuara rëndë.

Ata kanë mbetur rrugëve, por çuditërisht askush nuk flet dhe nuk ngre zërin për këtë.

Kjo e vërtetë është fshirë edhe nga harta e raportimeve qeveritare dhe hapësirave televizive.

Madje edhe gjatë një vizite të beftë të kryeministrit në qytet askush nuk foli për këtë katastrofë.

Por, ajo që është më e rëndë është përpjekja e autoriteteve lokale për ta fshehur këtë të vërtetë.

Çuditërisht autoritetet deklarojnë, që gjithçka është nën kontroll, por në të vërtetë situata në terren është totalisht jashtë kontrollit.

Banorët ankohen për indiferencë totale të shtetit si dhe për abuzime të jashtëzakonshme me ndihmat.

Duhet një reagim i menjëhershëm për ti ardhur në ndihmë këtyre familjeve që perveç traumës se shkatërrimit të gjithçka që kishin, janë dhe pa asnjë ndihmë e përkrahje.

Jep dorëheqjen e zgjedhura e Ramës pas deklaratës se, është e kënaqur shifrën prej 50 viktimash nga tërmeti

E zgjedhura e Rilindjes jep dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Durrësit pas deklaratës së papërgjegjshme për viktimat e tërmetit. Valbona Sako e ka njoftuar dorëheqjen në një postim në Facebook.

Vendimi i Sakos erdhi pas një prononcimi në media ku tha se, është e kënaqur shifrën prej 50 viktimash nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ekipit tashmë të shkërmoqur të rilindjes i ikën edhe kryetarja e Durrësit duke lënë në meshirë të fatit dhe pa shërbim mijra qytetarë që janë në pikë të hallit pas tërmetit shkatrrimtar të 26 Nëntorit.

Ja postimi

E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve.

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, ka bërë dy deklarata skandaloze brenda ditës së djeshme. Deklarata qe eshte pak te thuash te papergjeshme, por deklarata prej nje idioteje te vertete qe meriton shkarkimin urgjent nga detyra.

Deklarata me e rende eshte ajo qe ka bere pak me pare ne nje transmetim direkt per mediat ku shprehet se “eshte e kenaqur me 50 viktima”. A mund te kete deklarate me te tmerrshme per te cilen jo vetem duhet shkarkuar, por duhet arrestuar.

Deklaratën më të rëndë, por edhe më injorante, Sako e ka bërë për Top Channel dhe shprehet se qeveria është e kënaqur me 50 viktima, sepse mund të kishte patur më shumë se kaq, duke dëshmuar se papërgjegjshmëria dhe budallallëkut, tek përfaqësuesit e popullit, ka arritur në nivele të frikshme.

Gafën tjetër, Sako e ka bërë në një intervistë për ABC Neës dhe ka thënë se qytetarët po akomodohen në hotele me pesë yje, që në kushte normale nuk do t’i paguanin dot as për pushime.

Pra, në njëfarë mënyre, Sako po thotë se këtë nder që Rilindja po u bën këtyre njerëzve, nuk e kanë parë as në ëndërr, se nuk kanë para të shkojnë në hotele me pesë yje as për pushime.

“Ata që nuk janë sistemuar do të thotë që, zotëria, sot jemi në ditën e katërt nuk ka pasur nevojë për t’u sistemuar. Sot kemi evidentimin e saktë të pjesës së qytetarëve që realisht nuk kanë ku të banojnë. Akomodimi është i organizuar dhe siguruar për të gjithë.

Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira, janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime”, u shpreh Sako.

Pse u fshinë nga portali i Qeverisë donacionet me monedhë të huaj?

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook një mesazh i cili denoncon mundësinë e abuzimit me fondet dhuruara pas tërmetit të rëndë që goditi Shqipërinë.

“Denoncohet fshirja e donacioneve në monedhë të huaj nga portali i qeverisë”, shkruan Berisha duke publikuar edhe mesazhin e postuar në rrjetet sociale.

Postimi i ish-Kryeministrit bashkë me mesazhin dhe fotot

Denoncohet fshirja e donacioneve në monedhë të huaj nga portali i qeverisë. Lexoni postimin dhe shikoni foton e tij. sb

Rama i kapur mat… Fotot që po “çajnë” rrjetin!

I kapur mat, jo vetëm nga tërmeti i fortë, por nga plogështia e qeverisë që drejton për të menaxhuar një situatë emergjence, ka bërë kryeministri Edi Rama të rendë gjithë ditën nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga çadra në çadër (aty ku ka).

Me lëvizjet e kota nëpër vend, kreu i qeverisë po e shet veten si budalla, viktimë të pafajshëm apo edhe si fatkqe, ashtu si qindra familje që prej 4 ditësh po qëndrojnë në qiell të hapur.

Sjellja e kryeministrit ka bërë që në rrjetet sociale të shpërthejnë fotografi dhe meme që tregojnë më së miri “aktrimin” e tij në këto ditë zie…

Qeni hero/ Ja si Kiko i shpëtoi jetën një çifti nga Durrësi: “Na kapi batanijen dhe…”

Në qytetin e Durrësit ka ndodhur një histori mjaft e bukur, e cila të fal pakëz gëzim në këto ditë të vështira. E themi këtë pasi një qen i ka shpëtuar jetën një familjeje, kjo pasi ai nuk i la të flinin gjumë.

Gruaja që kujdeset për të ka thënë:

Natën që ra tërmeti Kiko, ishim në gjumë ne dhe ai na zgjoi nga gjumi, na kapi nga batanija’’.

Më tej ajo thotë se pallati u shemb komplet dhe se qenin nuk e lanë pasi u shpëtoi jetën.

Ajo është shprehur kështu:

U shemb komplet pallati. Na thanë që ta lëmë qenin, por ne nuk e lëmë pasi ai na shpëtoji jetën.’’

Sipas ekspertëve qentë janë të parët janë të parët që e ndjejnë tërmetin, pastaj kuajt.

Reportazh/ Dëshmi prekëse nga Durrësi: Rrënoja, kaos, dhimbje dhe…

Rrënoja, kaos, dhimbje, por edhe heronj që shpëtojnë të mbijetuar. Është Durrësi në orët e vështira të këtij fundnëntori, pas termetit të së martës, me një nga goditjet më të forta sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri. Një reportazh që sjell detaje nga rrënojat ku mbetën 51 viktima, vuajtjen e atyre që humbën familjarët si dhe përjetimet e zjarrfikësve heronj kur shpëtuan të mbijetuar, por edhe kur humbën familjarë të tyre.

Gazetarja Luljeta Progni sjell gjithçka nuk u pa në këto orë të vështira të këtij qyteti.

****
Kurrë më parë Durrësi nuk ka qënë më i lënduar se sot. Nën dheun e këtij qyteti lëngojnë shpirtra fëmijësh, djem, vajza, gra, burra e të moshuar, mbetur nën rrënojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Është një ndër goditjet më të rënda sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri.

Duhej të kishte shkuar në shkollë të martën në mëngjes, por nuk mundi, dhe fletoret e tij, të shkruara bukur, janë shpërndarë rrëmujshëm nëpër shkallët e shtëpisë së kthyer në gërmadhë.

Është shumë fatlum Besi Ceka, sepse i mbijetoi bashkë me gjithë familjen kësaj gjëme që u lëshua pa mëshirë në lagjen e kënetës. Gjyshi dhe prindërit e tij luftuan fort ndaj këtij masivi gërmadhash.

Besi, Bora, Sidriti janë fëmijët fatlumë të shtëpisë që u rrëzua nga tërmeti i të martës në mëngjes. Ata mbijetuan por tani jetojnë me traumën e madhe që pësuan në kalvarin e vështirë për të dalë nga këto rrënoja. Ata janë të lënduar edhe sepse pak metra më larg është shtëpia e kushërinjve të tyre, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionis, fëmijët e shtëpisë Lala, që u shua thuajse e gjitha si familje.

Janë të afërm të familjes Ceka, që gjendet pak metra larg tyre, shtëpia e shkatërruar e gjitha, por që për fat të mirë pa viktima.

Fëmijët e dy familjeve ndanë bashkë ditët e bukura nëpër oborret e këtyre shtëpive që janë sot rrënoja. Nëpër to u kënaqën me lojërat e fëmijërisë. Veçse, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionisi, nuk do të jenë kurrë më aty. Ata mbetën poshtë rrënojave të shtëpisë. Shpirtrat e tyre lenguan nën gërmadhë për 48 orë e mbi ta shfaqeshin kukulla, tesha, jastekë, krevatë por edhe djepi i binjakëve 2-vjeçarë, Dionisit e Dionisës.

Trupat e akullt të fëmijëve të familjes Lala u nxorën nga rrënojat. Ata u përcollën për në banesën e fundit, tetë veta të një vatre. Ramë Lala, 17 vjeç, është i vetmi i mbijetuar nga fatkeqësia. Ai mban pikërisht emrin e gjyshit.

Ecim pak për t’u drejtuar në qytet. Gjëmë e madhe në Lagjen 18. Janë shuar familje. Nën rrënojat e pallatit 6-katësh ka mbetur Klausi, bashkë me mamin Doloresin, me motrën Kristi, si dhe të atin, Eduard Reçi.

Atje nën shkatërrim mbeti edhe Esiela, 8-vjeçarja e bukur, përqafuar me mamin e saj Dienën, në atë skëterrë mbeti edhe gjyshe Roza.

Ka shumë bashkëmoshatarë të Besit, bashkë me prindër e gjyshe që lënguan deri në frymën e fundit nën rrënoja, në Durrës, Thumanë, Kënetë…

Heronjtë

Nëpër rrënoja zjarrëfikësit vazhduan punën deri dje. Ata kërkuan me shpresë deri në fund për të gjetur të mbijetuar. Ia dolën të shpëtojnë nga vdekja rreth 40 veta por prej andej nxorën pak më shumë se aq trupa të akullt, që nuk mundën të mbijetojnë.

Është beteja më e vështirë e tyre në gjithë përvojën si zjarrfikës.

Këta heronj punuan me përkushtim të vërtetë me jetën në fije të perit në çdo moment, duke marrë në sy rrezikun nga copat e betonit apo hekurit mbi kokat e tyre.

Me kolegët e tyre që erdhën nga Kosova pikësëpari, Greqia, Italia, Serbia, Franca, Rumania e shumë vënde të tjera, që iu gjendën pranë Shqipërisë në këto ditë të vështira.

Arben Cara është komandanti i skuadrës që shpëtoi nga rrënojat 25-vjeçarin Klajdi Qato. Është rasti më fatlum i kësaj katastrofe sepse pas 21 orë përpjekjesh e luftë me gërmadhat, Klajdi doli i padëmtuar prej andej. Kur Arben Cara bashkë me skuadrën e tij po luftonte për Klajdin, atje në Thumanë, shtatë familjarë të tij kishin dhënë shpirt poshtë shtëpisë të tyre të shkatërruar.

Padyshim, secili prej zjarrfikësve kishte shqetësimin e familjes së tij por beteja për të shpëtuar jetë nën rrënoja nuk iu la kohë, që të mendonin për këtë.

Jemi në ditën e dytë pas tërmetit. Efektivi e RENEA-s duke shpëtuar fëmijë në një kat të lartë pallati në Durrës.

Komandanti padyshim që ka shqetësimin për djalin e tij 2-vjeçar, që e thërret të vijë në shtëpi e t’i qëndrojë pranë, por nuk mundet të largohet nga detyra. E ka ndarë me ndjekësit e tij komunikimin emocional me birin aq të vogël.

“Miqte e mi vendosa ta ndaj me ju kete histori pasi u ndjeva shume i pafuqishem ne tragjedine e fundit kur degjoja pertej telefonit te qarat e djalit tim 2 vjecar, Semit i cili me therriste: Babi kam frike, hajde ke pija(shtepia), ka fantazma ne pi(shtëpi), etj, etj, me ate zerin e tij te pafajshem dhe me çiltersine e nje femije krejtsisht i pafajshem.Dhe pergjigjia ime dhe pse me gjysme zeri ishte;O dashuri o zemra ime nuk mund te vi sepse me duhet te ndihmoj disa femije te tjere, njerez te tjere qe jane ne veshtirsi e ndoshta fatkeqsisht me pak shprese per jeten e tyre”, shkruan në rrjetet sociale, komandanti i RENEA-s.

Ndërsa tronditjet e tokës prej tërmeteve vazhduan për dy ditë, zjarrëfikësit dhe forcat e tjera shqiptare të shpëtimit, punuan papushim… Tërhiqeshin vetëm në rastet kur toka dridhej fort. Për pak çaste largoheshin nga ato rrënoja të rrezikshme e trishtuese, për të marrë frymë a pirë pak ujë, e për t’iu kthyer sërish “luftës”.

Nëpër rrugët e qytetit mbretërontë llahtaria. Nën tmerrin e shkundjeve të forta që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, njerëzit e çoroditur endeshin kuturu nëpër sheshet ku ishin mbledhur për t’i shpëtuar mureve të rrëzuara të shtëpive të tyre. Pas tërmetit mijëra qytetarë të Durrësit nisën të mblidhen nëpër çadra pranë statiumit.

Rënia e qytetit

Nëpër rrugë ka heshtje, frikë, llahtari….. Qyteti është goditur pamëshirë nga fatkeqësia e madhe e Natyrës. Dy ditët e tmerrshme pas goditjes së rëndë, shkaktuan kaos e panik të paprovuar kurrë më parë. Njerëzit ecin si hije nëpër rrugë, të frikësuar nga vdekja që e panë t’u vinte aq afër.

Durrësi duket vërtet i shkatërruar. Mund të thuhet pa frikë se qyteti ka rënë….. objektivi i kamerave tona fikson njëra pas tjetrës banesa të shkatërruara fund e krye…

Panorama është e frikshme…. pallate e shtëpi të kafshuara dhunshëm nga shkundja e tokës.

Janë me qindra ndërtesat e dëmtuara rëndë apo pak më lehtë, por ku nuk guxon të fusësh kokën.

Kanë humbur thuajse gjithçka materiale, por ndjehen fatlumë ata që kanë shpëtuar bashkë me fëmijët.

Të mbijetuarit

Shoku që kanë pësuar nga goditejt e tërmetit i shtyn të ikin larg, sa të mundin më larg. Kosova është e para derë e hapur për ta…

Do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve karvani i makinave me ndihma e mjete shpëtimi, polici e ushtri, e gjithë Kosova në këmbë për të ndihmuar Shqipërinë, për të shpëtuar ç’të mundej. Ata ishin të parët që erdhën, e të parët që sollën qindra autobusë për të marrë familje nga Durrësi, Thumana a vende të tjera të rëna në tragjedi. Mijëra mesazhe falenderimi vijnë nëpër redaksitë tona, Nga Prishtina, Gjilani, Prizreni, Podujeva e shumë krahina të Kosovës, atje ku janë sistemuar qytetarë të zonave të goditura.

Ikën duke lënë pas qytetin bosh. Ikin bashkë me dhimbjen për jetët e humbura e llahtarinë që iu panë sytë. Rrugët e këtij qyteti kanë mbetur të shkreta, thuajse të braktisura./abcnews.al