15.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Lojtari i Kosovës që kushton 50 milionë euro

Milot Rashica ka shkëlqyer në fundjavën e kaluar për Werder Bremenin, pasi e kanë mposhtur Wolfsburgun 3-2 në kuadër të javës së 13-të në Bundesligë.

Ylli vushtrrias shënoi dy gola në këtë ballafaqim, duke arritur që ta kthejë skuadrën e tij në rrugën e fitores pas 87 ditësh.

Te Werderi duket se asgjë nuk shkon pa Rashicën. Në shtator, reprezentuesi i Kosovës u rikthye nga lëndimi.

Që nga atëherë, ai ka shënuar shtatë gola në nëntë paraqitje për skuadrën gjermane.
Duke parë formën e tij të lartë, shumë skuadra janë të interesuara për Rashicën dhe sipas Bild, Werderi i ka caktuar vlerën lojtarit të ‘Dardanëve’.

Klubi nga Bundesliga thuhet se po kërkon 50 milionë euro nga shitja e 24-vjeçarit, derisa kontrata e tij skadon në verën e vitit 2022.

Bremeni ka tentuar që ta bind Rashicën që ta vazhdojë kontratën dhe klauzola e tij të rritet edhe më shumë, por një gjë të tillë nuk e ka pranuar lojtari.

Prokuroria shkresë bashkisë dhe policisë: “Mos kryeni asnjë prishje ndërtese pa na pyetur ne”!

Prokuroria e Tiranës ka filluar hetim në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit. Prokuroria i ka dërguar një komunikatë bashkisë dhe policisë që të mos kryhet asnjë ndërtimin pa praninë e prokurorëve.

Prokuroria ka kërkuar që deri më datë 5 dhjetor të dorëzohen raportet.

Edhe pse një kërkesë është dërguar pranë policisë dhe bashkisë që më 27 nëntor, deri më sot nuk ka mbërritur në prokurori asnjë raport.

Përmes kërkesës Prokuroria e Tiranës kërkon që të dorëzohet raport i përpiktë me të gjitha banesat që janë dëmtuar nga tërmeti.

Po ashtu Prokuroria e Durrësit ka kërkuar sot konfiskimin e dokumenteve në zyrën e Urbanistikës.

Mjaltë, shafran dhe kanellë që të mos keni nevojë për antibiotikë

Ftohje, dhimbje fyti dhe kollë, dhimbje kyçesh dhe dobësi e përgjithshme. Këto janë simptomat e lidhura me sëmundjet e stinës së ftohtë ku na vijnë në ndihmë shumë metoda natyrale për t’i trajtuar

Një shembull është shafrani i Indisë, i cili, i kombinuar me mjaltin, kanellën dhe qumështin ose çajin e ngrohtë, lufton simptomat e gripit pa qenë nevoja të merrni medikamente.

Antibiotikë natyralë
Mjalti ka veti antimikrobiale kurse shafrani i Indisë përmban kurkumin, një antiinflamator i fuqishëm.

Dhe nëse shtojmë fuqinë e kanellës do të përftojmë një medikament natyral pa qenë nevoja të marrim medikamente në farmaci kundra sëmundjeve të stinës.

Përbërësit:
– 1 lugë shafran Indie
– 1 lugë kafeje kanellë
– 2 kokrra piper
– 100 ml mjaltë

Përgatitja:
Përzieni bashkë të gjithë përbërësit në një tas qelqi me kapak.
Vendosini në frigorifer për 3-5 ditë

Mënyra e përdorimit:
Për të pasur efikasitetin maksimal të këtij medikamenti duhet ta marrim si pije në një nga këto mënyra:

Dita e parë: 1 lugë kafeje çdo orë në qumësht ose çaj
Dita e dytë: 1 lugë kafeje çdo dy orë
Dita e tretë: 1 lugë kafeje çdo tre orë

Si ndikon trauma në trupin tonë

Përjetimi i një traume mund të të lërë me pasoja dramatike si mendore ashtu dhe fizike
Kur jemi të kërcënuar ndaj diçkaje, trupi aktivizon përgjigjen ndaj stresit. Kjo lloj përgjigje ndodh si në trup ashtu dhe në trurin tuaj.

Përgjigja e stresit akut është përgatitje për një emergjencë. Adrenalina dhe hormone të tjera çlirohen. Trupi mbyll proceset që lidhen me kujdesin afatgjatë. Kur janë të kërcënuara, riprodhimi, tretja apo funksione të tjera të trupit bëhen krejt të parëndësishme.

Kjo sepse urgjenca është mbijetesa. Rritja e nivelit të sheqerit në gjak mundëson energji të shtuar muskujsh. Rritja e kortisolit vepron kundër dhimbjes apo inflamacionit. Presioni i gjakut rritet gjithashtu.

Gjatë momenteve të emergjencës, niveli i rritur i endorfinës bën që njeriu ta injorojë dhimbjen fizike. Të gjitha këto efekte trupi i jep përmes simptomave të stresit siç janë: rrahje të shpejta zemre, dridhje trupi, djersitje, nxehtësi të brendshme, përzierje, frymëmarrje të çrregullt.

Sigurisht, të gjitha këto shoqërohen me pasoja psikologjike siç janë: mendimet negative, shqetësim, vështirësi në gjumë, probleme me përqendrimin, ndjenja faji apo gjykimi, nervozizëm dhe ankth që të shoqëron për një kohë të gjatë.

Urdhëruesit dhe zbatuesit e arrestimit politik të Xhulianës duhet të paguajnë

Dje, së bashku me dhjetra mbështetës të lirisë së fjalës, isha e pranishme në gjyqin politik që ju bë Xhuliana Aliajt me urdhër të Kryeministrit.

Me plot dinjitet Xhuliana dëgjoi kërkesën e Prokurorëve dhe vendimin absurd të gjykatës për ta konsideruar të ligjshëm arrestimin e saj dhe për ta detyruar të paraqitet dy herë në muaj në kuesturat e regjimit.

Xhuliana, u arrestua se postoi në llogarinë e saj personale në facebook, një shkrim të portalit të Vatikanit “ L‘avvenire.it”. Artikulli shprehte shqetësimin për mundësinë e shpërthimit të depozitave në Porto Romano, në periferi të Durrësit. Xhuliana i kërkoi qeverisë të sqarojë lajmin e mediave italiane, por Kryeministri nuk e vonoi përgjigjen e i dërgoi në shtëpi skuadrën e anti-terrorit dhe e arrestoi.

U akuzua se kishte përhapur panik, ndërkohë që kishte shkruar vetëm në hapësirën e saj #personale në fb. Kishte marrë vetem 26 pëlqime. Akuza nuk arriti të vërtetonte që veprimi i Xhulias ishte i qëllimshëm për të përhapur panik.

Një #gjyq #politik, që na riktheu në kohën e akuzave për “agjitacion e propagandë”. Xhuliana akuzohejj edhe pse mungonte ana subjektive e veprës penale (mungonte dashja, qëllimi). Çështje që nuk duhet të ishte çuar fare në gjykatë, e Xhuliana duhet të ishte liruar menjëherë, pasi arrestimi i saj ishte i paligjshëm.

Xhuliana është viktimë e qëllimit kriminal të Kryeministrit për t’i mbyllur gojën çdokujt që mendon ndryshe, cilitdo që kritikon keqqeverisjen, të gjithëve që ai nuk i blen dot, apo nuk i bën dot të heshtë. Xhuliana duhej të bëhej shembull për të tjerët, që të mos denonconin abuzimin, keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës dhe informimit.

Rasti i Xhulianës vërteton se vendi po rrëshqet me shpejtësi në diktaturë. Mirënjohje për këdo që u solidarizua në mbështetje të Xhulianës. Thirrje për reagim për këdo që ende nuk ka kuptuar që heshtja e mosveprimi qytetar po ndihmon në rivendosjen e një regjimi diktatorial.

Urdhëruesit dhe zbatuesit e arrestimit të Xhulianës duhet të paguajnë për çdo sekond qëndrim të padrejtë e antiligjor të saj në qelinë e ftohtë të Drejtorisë së Policisë. Urdhëruesit dhe zbatuesit e arrestimit të paligjshëm të Xhulianës duhet të paguajnë për traumën e përjetuar nga prindërit dhe të afërmit e saj.

#DrejtësiPërXhualianën
#StopCensurës
#TëNdalimDiktaturën
#ReagoPërTëDrejtatETua

Rama nuk heq dorë nga ndarja e 150 milionë dollarëve me 10 oligarkë, nuk i kalon fondet për tërmetin

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish lideri të PD-së, Lulzim Bashës, i cili propozoi dje tre pika për menaxhimin e situatës shkatërruese të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shefi i qeverisë i cilësoi kërkesat e opozitës pa vizion, por sërish la derën hapur duke e ftuar opozitën në tryezë për të shqyrtuar idetë në përballimin e katastrofës natyrore. “Opozita jo vetëm që nuk është ulur në tryezë, ku ne jemi për të përballur idetë.

Këtu nuk është situatë që të grindemi se kush e ka idenë më të bukur, por kjo është se si të bëhet më mirë. Deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkan zgjidhja dhe kjo është komponent i gjithë ekranit të ditës, fillon dita duke qarë , duke u gajasur dhe duke qeshur.

Këto tre pikat janë një ushqim për buzëqeshjen, nuk dua të them po gajasen , sepse nuk duhet të ndjehen keq kolegët e opozitës. Të thuash të mblidhen 500 inxhinierë, pse kaq? Pse jo 600, pse jo 450. Pika e dytë: të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve.

Po bëhet. Kemi ngritur gjithë dynjanë në këmbë. Është bërë Durrësi si lagjja para OKB, që sheh lloj lloj rracash dhe dëgjon të gjitha gjuhët. Pika e tretë është qamet. Të mos financohen oligarkët. Vazhdon loja.

Të ndalohet financimi oligarkëve dhe 150 mln që do i marrin aty, t’i marrë populli. Dmth të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë falas, që e paguajmë ne nga i cili përfitojnë qytetarët. Të ndalojmë shërbimet e dializës.

Të ndalojmë shërbimet e mjeteve spitalore, dhe t’u themi njerëzve se barkun do t’ua hapim me gërshërë dhe do t’ua qepim me makinë qepëse. Të ndalojmë edhe rrugën e Arbrit.

Dmth të ndalojmë të gjithë shërbimet, pse? Sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. I ftoj të vijnë në tryezë dhe të dëgjojmë idenë. Ta shohim njëri tjetrin si bashkëpunëtorë në këtë proces”-tha shefi i qeverisë.

Sekuestrohen dokumentat në zyrën e Urbanistikës në Durrës. A do të arrestohet Dako?

Pas tërmetit, që shkatërroi dhjetra banesa në Durrës, ku mbetën të vdekur 51 persona, Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet në zyrën e Urbanistikës.

Do të ballafaqohen dokumentet me objektet e shembura nëse janë rrespektuar ose jo lejet e ndëritmit. Prokuroria ka sekuestruar dokumentet e 10 viteve në fundit.

Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve.

Veprat penale që po hetohen janë ato të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet qe kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, si dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal.

Nuk dihet nëse do të ketë një urdhër ndalimi për ish-kreun e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili akuzohet si shkaktar për shembejen e pallateve të dnëruara gjatë 10 viteve të fundit që ai ka qënë në krye të Bashkisë.

Reagon Prokuroria e Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar lidhur me sekuestrimin e dokumentave në zyrën e urbanistikës në Durrës.

“Lidhur me rastin në fjalë grupi i hetimit të çështjes po kryen veprimet hetimore përkatëse siç parashikon K.Pr.Penale dhe një ndër to është dhe kqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve.

Sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas.

Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, por është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, ata (grupi hetimor), të jenë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdojnë dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato”, njofton Prokuroria.

Rrëfimi tronditës: Shtëpia ishte e copëtuar nga 400 anët e murit, por ekspertët thanë se ishte e banueshme

Mëngjesin e së martës (26 Nëntorit), Dorjan Greku kishte kaq shumë thirrje të humbura sa e ka të vështirë të kujtojë se cila ishte telefonata e parë, apo e fundit që e njoftoi për shembjen e pallatit ku jetonin familjarët e tij. Lajmi që e tronditi ishte se e gjithë familja ndodhej nën rrënojat e pallatit ku jetonin, në Thumanë.

Dorjani kishte më pak se dy muaj që jetonte në Francë, ku kishte shkuar për një jetë më të mirë dhe kishte kërkuar azil. Pikërisht nga Franca mori vesh se një tërmet i fuqishëm që do t’i shuante atij të gjithë familjen, babain Pëllumb Greku, nënën Çelike Greku dhe vëllain 31-vjeçar Sajmir Greku.

I tronditur dhe me shpresën se nuk kishte ndodhur ajo që i druhej, ai braktisi Francën dhe u nis drejt Shqipërisë. Kur shpresat për prindërit u shuan, drita e vetme në fund të tunelit u duk sikur ishte jeta e vëllait të tij, i cili u nxor i gjallë nga rrënojat. Por Sajmir Greku ndërroi jetë pak orë më vonë në spital, duke bërë që Dorjani të përjetonte një tragjedi të trefishtë.

Në një intervistë ekskluzive për tvklan.al, mes lotëve Dorjan Greku rrëfen momentin kur mori vesh lajmin që do t’i ndryshonte jetën, kthimin drejt Shqipërisë, por jo vetëm. Ai tregon edhe për dëmtimet që kishte pësuar shtëpia e tyre nga tërmetet e mëparshme. Dorjani thotë se tërmeti i Gushtit të 2018-s kishte shkaktuar dëmtime të shumta në pallatin ku ata jetonin. Ai tregon se ekspertët që kishin shkuar për të parë banesën e tyre kishin dalë në konkluzionin se banesa kishte vetëm dëmtime të suvasë dhe ishte e banueshme.

Keni humbur 3 pjesëtarët më të shtrenjtë të familjes, babain, nënën dhe vëllain. Keni arritur të shpëtoni vetë, ka arritur të shpëtojë nusja e vëllait tuaj bashkë me mbesën. Çfarë mund të na rrëfeni? Ku ishit ju në momentin e tërmetit dhe si e morët vesh që të afërmit tuaj ishin nën rrënoja?

Kisha udhëtuar për në Francë për të kërkuar një jetë sa më të mirë, kërkoja azil atje dhe normalisht kishim komunikim të vazhdueshëm, të përnatshëm. Më datë 26 kemi qenë në gjumë. U zgjuam në mëngjes, nusja tha Dori çohu se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ka rënë një tërmet shumë i madh. Mu duk thjeshtë një ëndërr ai zgjimi. U çova me qetësinë time si përherë. Pamë ato thirrjet e humbura të pafundme edhe nuk mund të them kush ishte personi i parë që më njoftoi apo ta mbaj mend, por thjeshtë familjet tona, shoqëria, miqësia. Na njoftuan se pallati ishte shembur dhe se familja jonë ishte nën rrënoja. Nuk kishim ende informacion nëse ishin gjallë apo vdekur. Thoja do Zoti i shpëton, ata e të gjithë ata që po përjetojnë këto momente.

Çfarë bëtë më pas? U nisët drejt Shqipërisë, e latë azilin?

Absolutisht. Po prisja minutë për minutë për të ardhur në Shqipëri. Mendoja se do të arrija gjithçka me forcat e mia, por është diçka natyrore, punë e Zotit. Falë atij jemi edhe ne të tjerët këtu. Nuk e përshkruaj dot…

Po kur morët vesh lajmin që Sajmiri u nxor i gjallë, kishit shpresë?

Absolutisht, mendova se… jo mendova, por u sigurova. Nuk po e përmendja më emrin e tij, thjeshtë po kërkoja për dy të tjerët, ose po dëgjoja edhe për të gjithë njerëzit që po mundoheshin që t’i nxirrnin nga rrënoja. Kurse unë mendoja që do ia hedhë Sajmiri, sepse ishte njeri shumë i fortë, kisha shumë shpresa tek ai. Por desh Zoti e mori me vete.

Cila ka qenë biseda e fundit që keni bërë me babain, me nënën, me Sajmirin?

Po atë natë ka qenë. Folëm si përnatë. Më tha mami që kam përcjellë nusen e vëllait bashkë me mbesën, i kam çuar të rrinë disa ditë tek njerëzit e vet.

Po tërmetin e kishin ndjerë?

Jo ishte diku nga ora 7 e gjysmë, 8.

Çfarë mund të na rrëfesh për Sajmirin?

Nuk e di, doja ta kisha këtu pranë vetes, do ta kisha një mbështetje shumë të fuqishme… nuk kam fjalë, nuk di të shprehem, jam i pafuqishëm.

Ju praktikisht keni lënë azilin, keni ardhur në Shqipëri, keni humbur 3 pjesëtarë të familje, nuk keni as banesë ku të rrini. Çfarë apeli keni sot dhe ku po rrini, ku po strehoheni?

Pas ceremonisë mortore ishim të gjithë sëbashku në Thumanë. Mendova po jetoj në Tiranë tek baxhanaku, te motra e nuses time. Po rrimë aty derisa të kontaktoj me dikë apo të lidhem me shtetin për të na strehuar, sado pak, sepse jemi shumë të tromaksur.

Ju kur keni ikur për azil?

As dy muaj nuk i kisha bërë të plota.

Po tërmetet e mëparshme keni qenë? A ka pasur dëmtime pallati juaj?

Tërmeti i parë, nuk e di në mos gaboj ka qenë në Gusht (2018). Normalisht unë kam qenë në punë gjatë ditës. Vajza ime e vogël, Klejsa dhe Ilda kanë qenë brenda në shtëpi, edhe mami. Kur ra i pari i fuqishmi normalisht kanë dalë jashtë. Janë trembur dhe shtëpia ishte copëtuar nga 400 anët e murit.

Ishte e dëmtuar?

Absolutisht, kishte dëmtime pamasë. Ky i Shtatorit, kam qenë vetë brenda. Te i pari e kam përjetuar vetë, nuk e di çfarë të të them.

Erdhën ekspertët, çfarë thanë?

Nuk e di a kanë qenë ekspertë apo çfarë, nuk e imagjinoj dot, nuk i njihnim, ose nuk u prezantuan kurrë. Erdhën panë, thanë që është i banueshëm.

Thanë që është i banueshëm, pavarësisht se apartamenti kishte dëmtime të brendshme?

Janë thjeshtë suvatime të rëna, thanë që është i banueshëm.

/tvklan.al

Vdekja e qenit…

Nga Kastriot DERVISHI

Ishte shqetësuese të mësonim se gjatë tragjedisë së fundit, forcat shqiptare të sigurisë nuk kishin asnjë qen kërkimi në operacionet e shpëtimit. Kemi një institut për qentë, por që paska dalë jashtë loje, sepse mendohet vetëm për “diversantët”.

Në harkun e 7 vjetëve e gjysmë, ngaqë depoja e Arkivit të Ministrisë së Brendshme ndodhet në këtë mjedis, së paku 1-2 herë në javë kam qenë në shkollën e qenve në periferi të Tiranës. Kam parë ecurinë e punës së njerëzve të përkushtuar, pasionin e të cilëve e fshiu fare politika e injorantëve me tekat e saj.

Në vitin 2007 shkolla kaloi në varësi të Akademisë së Policisë.  U krijuan praktika të reja pune. Jo vetëm që institutet që kishin nevojë “furnizoheshin” me “lëndën” e shkollës, por edhe pjesa e papërshtatshme shitej.

Vendosja e Saimir Tahirit në krye, ishte një fatkeqësi e madhe për ministrinë dhe pjesët përbërëse të saj. Tahiri që e kujtonte veten polic, veprimtarinë e tij e mbështeti te idetë e dala boje të disa kuadrove të pavlefshëm të komunizmit, të cilët i mori si këshilltarë.

Policia u politizua ndjeshëm, u orientua drejt falsitetit, verbërisë politike, shpërndarjes se lajmeve ordinere (duke shkelur edhe rregullat e informacionit të klasifikuar) dhe spektaklit. U rikthyen në punë oficerë fanatikë komunistë, u luftua elementi i përndjekur politik, profesionistët, etj.

Filluan panairet, ndërsa disa tyryfyçka partie që u bënë drejtore në ministri quanin “punë” spotet e llojit me merimanga për fëmijë në mure, apo shperndarjen e citateve “Jemi me Policinë e Shtetit”.

Një polici tërësisht e kalbur, por e lyer mirë nga jashtë, mbahej vetëm nëpërmjet mosushtrimit të detyrës, raportit jo korrekt me krimin si dhe nëpërmjet propagandës. Konkluzioni ishte i qartë: lulëzim i hatashëmni kriminalitetit, kthim i vendit në prodhues të lëndëve narkotike, etj.

Edhe shkolla e qenve nuk mund t’i shpëtonte këtij degradimi. Menjëherë u hoq nga puna shefi i saj. Shkolla kaloi në varësi të Drejtorisë së Kufirit, duke rikthyer një praktikë të kohës së komunizmit, se atë stil njihnin ndryshqet që solli partia. Se për këta ishte e paimagjinueshme të shërbejnë qente për kërkimin e drogës apo shpëtimin e njerëzve në rrënoja apo dëborë. Janë rritur me mitin e “kufitarit trim” që lufton “diversantët”.

U transferuan gjithë oficerët trajtues në detyra të tjera (a thua se kishte profile të ngjashme), duke e nxjerrë brenda pak vitesh realisht jashtë përdorimit. Nisur nga nga fakti se këta lloje nuk dinë të qeverisin, paaftësinë e tyre e mbushin me keqqeverisje e propagandë.

Vëreni këtë foto të vitit 2016. Ministri Tahiri takon qenin. Këtij madje i kanë vënë një “samar” me fjalën “Policia”. Një veprim qesharak ky pasi qentë e këtij lloji nuk kanë nevojë për fanela dhe samarë.

 

Pallati në Golem i pabanueshëm, 12 vjeçari në ankth: Nuk kthehem në këtë shtëpi…

Një familje 4 anëtarëshe në Golem të Kavajës fle në makinë prej një jave, për shkak të panikut nga tërmeti. Dy djemtë e familjes, 10 dhe 12 vjeç nuk pranojnë të kthehen në banesë, ku përjetuan tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa i ati pret një vlerësim nga ekspertët mbi gjendjen e pallatit.

“Duam të jetojmë në një shtëpi të fortë me një bazament të fortë mos të lëvizë nga tërmeti dhe mos të tronditemi më nga tërmeti”.

Kështu e nis rrëfimin Orgeni nga Golemi i Kavajës. Pallati në të cilin banon 12 vjecari me familjen e tij është shpallur i pabanueshëm. Dy  vëllezërit Sallaku, 10 dhe 12 vjeç rrëfejnë për ABC News përjetimin e tmerrshëm të mëngjesit se 26 nëntorit.

“Mbaj mend babin që na kapi prej krahësh, ishte tepër errësirë, pashë mamin dhe babin të trembur. Ne kaluam direkt hekurat, na tha babi, dhe ne kaluam, tjetër nuk mbaj mend”.

Babai i dy djemve tregon se ata nuk mund të kthehen në shtëpinë ku kaluan moment ankthi e paniku.

Gazetarja: Keni frikë të ktheheni në shtëpi?

“As bëhet fjalë të kthehem më këtu. Siç e shikoni po flemë në makinë bashkë me nusen dhe dy fëmijë. Plus që edhe po të shkoj në shtëpi të tjera, fëmijët nuk shkojnë se janë të trembur, nuk pranojnë, vetëm në makinë rrinë”.

Bujari është njëkohësisht edhe administrator i pallatit. Ai kërkon nga ekspertët  të vendosin sa më parë çfarë do të bëhet më këtë objekt.

“Ne kërkojmë të paktën të vijnë personat kompetentë dhe të na thonë banohet në këtë pallat apo nuk banohet. Siç e shihni, ky ka marrë dëmtime në kollona, në mure, kjo është anuar në një krah, që s’ke as çfarë ti riparosh më. Jemi munduar ta përforcojmë me ca mentela por prapë është e paarritshme”.

Ky  pallat ne Golem kishte pasur dëmtime qe nga tërmeti i 21 shtatorit, por banoret i kishin  riparuar vete ato./abcnews.al