29.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Dako komandon Partinë Socialiste në Durrës! (Foto)

Vangjush Dako u ‘rikthye’ në krye të Bashkisë së Durrësit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, atëherë kur emri i tij lakohej më shumë për ngjarjen e rëndë. Me bekimin e Ramës, ai ia doli të katapultonte në krye të kësaj bashkie të besuarin e tij, Zhyljen Varfaj.

Por njeriu i shpallur si i padëshiruar në SHBA për shkak të ‘korrupsionit të madh’, duket se ‘de facto’ vazhdon të udhëheqë edhe Partinë Socialiste të qytetit bregdetar, pavarësisht se është larguar prej aty zyrtarisht.

Gjatë festës së Krishtlindjes, Dako ishte në krye të grupit të deputetëve socialistë, kryetarit të qarkut dhe prefektit, të cilët vizituan Kishën Ortodokse në Durrës.

Për ironi, ‘vartësi’ i tij, Zhyljen Varfaj, mungonte.

Vangjush Dako u pa në krah të kryeministrit Edi Rama, në disa raste, edhe gjatë ditëve të pas-tërmetit kur vazhdonin përpjekjet për nxjerrjen e trupave nga rrënojat e ndërtesave të shembura.

Në një rast, ai u pa duke folur me Ramën se si duheshin ‘rregulluar disa letra’.

Basha uron Krishtlindjet nga Durrësi: Të bashkohemi fuqishëm për të përballuar çdo të keqe

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka uruar Krishtlindjet sot nga qyteti i Durrësit, i cili u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Me një mesazh nga Kisha e Shën Palit në qytetin bregdetar, Basha bëri thirrje për një bashkim më të madh dhe të fuqishëm, si një familje për të përballuar çdo të keqe.

URIMI I KRYETARIT BASHA NGA KISHA ORTODOKSE NË DURRËS

Nga Kisha e Shën Palit dua të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Krishtlindje të gëzuara! Kjo feste sjelltë besim, shpresë dhe ua mbushtë zemrat me dritë të gjithë shqiptarëve!

Mendimet dhe lutjer e mia janë për ata që janë më shumë në nevojë, në veçanti, për të goditurit nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Qoftë kjo festë, kjo ditë e shenjtë e lindjes së Krishtit edhe një thirrje për një bashkim më të madh, me të fuqishëm, si një familje, për të perballuar çdo të keqe dhe për të dalë në dritën e begatisë dhe bekimit të Zotit!

Gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Puthja e Ramës për oligarkun

Anxhela dhe Martini iu gëzuan sot shtëpisë së re, çelësat e së cilës ua dorëzoi me dorën e tij kryeministri Rama pasi banesa e tyre e vjetër u bë e pababueshme nga tërmeti i 21 shtatorit.

Derën e hapi e zonja e shtëpisë teksa Rama udhëzonte Martinin e vogël që të hynte me këmbën e djathtë, pasi kështu sillte edhe mbarësi.

“Mbarësia”, për të cilën Rama udhëzoi Martinin duket se ishte vetëm një metër pas vogëlushit që sytë i shndrisnin nga gëzimi që po bëhej me një shtëpi të re.

Ai quhet Pëllumb Salillari, pronari i kompanisë së njohur “Salillari” dhe Rama e falenderoi atë në një mënyrë ndryshe për dhënien e një grushti nga dhjetra milion eurot tenderë të marra nga qeveria dhe bashkia e Tiranës gjatë viteve të fundit.

Abcnews.al ka fiksuar momentin kur Rama e puthi Pëllumb Salillarin në “ballë” (sec 0: 20) teksa i dhuronte Martinit dhe Anxhelës shtëpinë e ndërtuar nga biznesmeni i preferuar i qeverisë.

Nga ç’duket prej videos së transmetuar live në ERTV , Rama la të kuptohej se nuk e mbante mend Pëllumbin, megjithatë letrat tregojnë se ai është një ndër fituesit më të mëdhenj të tenderëve të organizuar nga institucionet publike, përfshi edhe bashkinë e Tiranës.

Kompania e tij përllogaritet të ketë marrë rreth 50 milion euro tenderë vetëm nga tre lotet e Unazës së Re.
I njëjti bizesmen ka gjysmën e aksioneve të kompanisë “Albanian Highway Concession“, të ngritur bashkë me “Kastrati Group” për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ndërsa është shpallur fitues nga Bashkia e Tiranës për koncensionin 15.3 milion euro të Terminalit të Transportit Publik të kryeqytetit.

Marrja e dhjetra apo qindra milion eurove tenderë nga taksat publike dhe “kthimi” i këtij borxhi përmes rindërtimit të ndonjë shtëpie një katëshe duket të jetë një trend i kohëve të fundit dhe sigurisht, mund të falenderohesh edhe me ndonjë puthje në “ballë” nga i pari i vendit. /abcnews.al

Video/ Flet pedagogu që humbi shikimin dhe banesën nga tërmeti…

Pas tërmetit të nëntorit, pedagogu i Politeknikut Klement Qerimi humbi jo vetëm banesën ku jetonte prej 30 vitesh, por edhe shikimin. Retina e syrit të djathtë iu dëmtua teksa po zhvendoste në errësirë orenditë nga godina 15 në Qytet Studenti.

Qerimi: U godita nga një mobilie në retinën e syrit të djathtë. Këtë e kam syrin tim aktiv, se syrin e majtë e kam me probleme që nga lindja.

Në Shqipëri mjekët e kanë të pamundur t`i rikthejnë shikimin e plotë. Shpresë ka gjetur në një spital në Izrael. Ai kërkon ndihmën e institucioneve shqiptare, pasi e ka të pamundur financiarisht të përballojë ndërhyrjen.

Qerimi: Nuk e di sa do të kushtojë sepse do të bëhet një vizitë, analizë nga klinika të specializuara dhe atje do të përcaktohet. Kërkoj nga shteti shqiptar të më trajtojë për shërimin e dritës së syve, ta mendojnë sikur është një pjesëtar i familjes së tyre.

Klement Qerimi thotë se problemi me shikimin i krijon vështirësi jo vetëm në përmbushjen e detyrës së tij si pedagog, por edhe për kujdesin e fëmijëve të mitur. /Oranews

“Gëzuar Sandri… Këtu gjithmonë vlerësohet ai që s’vlen dhe mbrohet ai që merret me pisllëqe”… 

Këngëtari i njohur i viteve 90′-të në Shqipëri, Dashnor Diko ka reaguar pas arrestimit të këngëtarit Aleksandër Gjoka dhe lirimit të tij më pas nga policia.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Diko ka shkruar se me përhapjen e këtij lajmi doli në pah fakti që ky vend ka marrë fund pasi sipas tij vlerësohen ato që merren me pisllëqe.

Në postimin e tij këngëtari kishte bashkangjitur edhe një foto me Alkesandër Gjokën duke pirë së bashku pas lirimit të tij duke uruar që ta shijojnë jetën me sa kanë mundësi pa i bërë keq askujt.

Postimi i plotë i Dashnor Dikos

Në përgjithësi jeta e një Artisti ka një perceptim pak më ndryshe se e dikujt tjetri, por kjo sdo të thotë që ti je negativ në shoqëri deri aty sa që të bëhesh lajm, nuk dua të bëj avukatinë apo për të treguar se është miku im më i ngushtë, por lajmi duhet të marrë dritë dhe të jetë transparent për çdo njeri.

Të jetë transparent dhe kur bën aksident një qeveritar dhe nuk tregohet se me kë femër ishte në makinë dhe kur kapet i afërmi i një ministri me një ton drogë dhe shteti ia mohon…prandaj nuk është se lajmi pati vlerë, por prapë këtu doli në pah se ky vend ka marrë fund dhe ska për tu bërë kurrë, këtu gjithmonë do vlerësohet ai që s’vlen dhe gjithmonë do mbrohet ai që merret me pisllëqe.

Gëzuar Sandri…jetën do shijojmë me aq mundësi sa kemi dhe pa i bërë keqë kujt.

Basha uron Krishtlindjet: Nje lutje dhe urim të veçantë për të gjithë bashkëqytetarët e prekur nga tërmeti

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka uruar Krishtlindjet mbarë shqiptarëve kudo ku janë me fjalët: Zoti e ndriçoftë rrugën drejt begatisë dhe bashkimit tonë si një familje e madhe për të mirën dhe mbarësinë e çdo shqiptari.

Urimi i kryetarit Basha për Krishtlindje

Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në vigjilje të Krishtlindjes ju uroj nga zemra: Për shumë vjet gëzuar!

Nje lutje dhe urim të veçantë kam për të gjithë bashkëqytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ardhtë kjo Natë e Shenjtë plot shpresë dhe bekim për një të nesërme më të mirë.

Dua të falenderoj dhe uroj në këtë natë besimtarët dhe shërbëtorët e Zotit, që me përkushtimin e tyre ndihmojnë për lehtësimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve, duke e kthyer shtëpinë e Zotit në strehë për çdo shqiptar në nevojë.

Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, Zoti e ndriçoftë rrugën drejt begatisë dhe bashkimit tonë si një familje e madhe për të mirën dhe mbarësinë e çdo shqiptari.

Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

“Lufta” e çmendur për “Folie Marine”! Kush qëndron pas përfitimit të pronës përrallore në bregdet

Nga Jerola Ziaj, Vladimir Karaj/BIRN

Nga fillimi i shtatorit, zyra e kadastrës në Vlorë regjistroi një seri të pazakontë largimesh nga puna të drejtuesve të saj. Brenda pak muajsh, katër drejtues të këtij institucioni dhanë dorëheqjen me pretendimin se vendimi i tyre bazohej në arsye personale dhe familjare.

Megjithatë, të dhënat dhe dokumentet e mbledhura nga BIRN tregojnë se ndryshe nga sa është deklaruar publikisht, dorëheqjet mund të kenë qenë të detyruara për shkak të një konflikti të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë, mbi të cilën ngrihet një pjesë e resortit luksoz ‘ Folie Marine.’

Në mënyrë më specifike, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës në Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 148 mijë metrash katrorë në bregdetin e fshatit Jalë – një prej zonave më të lakmuara të Rivierës.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u vu në lëvizje nga Avokatura e Shtetit, e cila bëri rekurs ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit të Vlorës që ia njihte këtë pronë familjes Gjoka nga Vunoi. Vendimi nxorri në sipërfaqe një konflikt që vijonte prej vitesh për pronën me vlerë miliona euro.

Përplasja- sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar- është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës ‘Folie Marine’ dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë ‘Soleil & Sea’ i është dhënë nga qeveria statusi i ‘investitorit strategjik’ dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si ‘Soleil Village’.

Vlera e këtij investimi, sipas Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama është 67 milionë euro. Qeveria merr përsipër edhe mbështetjen e investitorit në problemet e pronësisë ndaj palëve të treta, por konflikti për këtë pronë duket se i ka dalë jashtë kontrollit.

Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal“. Kallëzimi që Xhillari ia vuri në dispozicion BIRN është firmosur në emër të kompanisë Kempixh – një shoqëri të cilën ai e ka zotëruar dikur dhe që ka në pronësi disa prej godinave në resortin turistik.

Vetë Xhillari la të kuptohej se ai ishte investitori pas fshatit turistik, edhe pse kompania që mori statusin e investitorit strategjik është regjistruar në emër të dikujt tjetër. Të dyja palët pretendojnë implikimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë socialiste në favor të njërit apo tjetrit.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare përmes Avokatit të Shtetit ka marrë në zotërim me një vendim të Gjykatës së Apelit pronësinë e disa sipërfaqeve të tokës, të cilat ishin regjistruar në emër të Jani Kostës, ish-administrator i kompanisë Kempixh. Avokati i Shtetit ka bërë gjithashtu rekurs edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për pasuritë që i ishin njohur Kristo Gjokës. Avokatura po ashtu kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të kësaj gjykate.

Familja Gjoka i sheh qëndrimet e Avokatit të Shtetit si një përpjekje për ta zhveshur atë nga prona, e cila në rast se kthehet nën pronësinë e shtetit i kalon investitorit strategjik, sipas ligjit për këtë të fundit.

E gjithë situata e krijuar duket si simptomë e abuzimit ndër vite me pronat në bregdet, të cilat rezultojnë të pamenaxhuara, pa harta kadastrale dhe me një mori pretendimesh për mbivendosje.

Ndërkohë, ndërhyrja e qeverisë duket se e ka acaruar edhe më shumë situatën, pasi kjo e fundit përmes statusit të investimeve strategjike vendoset në krah të njërës palë në proceset e kontestuara të pronësisë.

‘Grupe të strukturuara kriminale’

Ligji i debatueshëm i investimeve strategjike, i miratuar në vitin 2015, është përdorur edhe më herët për bllokimin e njohjeve të pronësisë për banorët e fshatrave të bregdetit në favor të kompanive që kanë marrë të drejta për investime në struktura turistike.

Lista e kompanive që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë përfshin aktualisht 8 shoqëri. Statusi jepet nga një institucion i quajtur Komiteti i Investimeve Strategjike. Në listën e tokave të dhëna me këtë ligj gjenden parcela në Gjirin e Lalzit, në Dhërmi dhe në Sarandë.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka miratuar gjithashtu një masterplan për zonën e jugut të Shqipërisë si dhe ka në proces miratimin e masterplaneve për zona të tjera bregdetare, ku parcela të mëdha toke janë ndarë më vete të shënjuara si zona për “investime strategjike”.

Investigimet e mëparshme të BIRN kanë zbuluar se ngjashëm me rastin e resortit ‘Folie Marine’, disa nga këto investime strategjike në bregdetin e Jonit janë ndërtuar gjithashtu në toka të kontestuara.

Në një kallëzim penal ndaj 10 individëve të depozituar me 1 nëntor 2019 – ku përfshihet edhe biznesmeni Alban Xhillari, Kristo Gjoka pretendon se ky i fundit përmes kërcënimit dhe ryshfetit po synonte bllokimin e pronës së tij dhe çregjistrimin e saj nga kadastra e Vlorës.

Gjoka rendit ndër të kallëzuarit e tij edhe kreun aktual të kadastrës së Vlorës, Taulant Canameti dhe Jani Kostën – për të cilin thotë se është i afërm i Alban Xhillarit, si dhe disa persona të tjerë që sipas tij kanë gisht në përpjekjet për të tjetërsuar pronën. Ai pretendon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal.

“Një biznesmen i quajtur Alban Xhillari, i cili prej vitesh nën kërcënimin e kallashnikovëve ka terrorizuar banorët e fshatit Vuno dhe ka zaptuar të gjithë Jalën…,“ shprehet Gjoka në një letër drejtuar kryeministrit dhe një sërë institucionesh të tjera.

Në një bisedë me BIRN, Gjoka pretendoi se ligjshmëria e pronës së tij nuk ishte në diskutim dhe se për këtë arsye, asnjë nga punonjësit e Kadastrës nuk mori përsipër të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë.

Gjoka po ashtu akuzon Xhillarin dhe personat e lidhur me të për legalizimin përmes dokumenteve të falsifikuara të godinave të ngritura prej kompanisë Kempixh në zonën e Jalës. Ai i vuri në dispozicion për BIRN një mori dokumentesh dhe vendimesh, përfshirë komunikime të brendshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, vendime të gjykatave dhe harta që sipas tij tregonin vendndodhjen e pronës që pretendohej nga dy palët. Gjoka tha se do i kërkonte bashkisë Himarë që të prishte godinat, që sipas tij ishin pa leje.

Ai pretendon ndër të tjera se atij po i merret prona ngaqë është pjesë e minoritetit grek. Në kallëzim, Gjoka thotë se leja e ndërtimit nga KKT dhe statusi i ‘investitorit strategjik’ për resortin ‘Folie Marine’ janë përfituar me dokumente të falsifikuara.

Gjoka pretendon në kallëzimin e tij përfshirjen e një sërë personash që ai i cilëson si punëtorë të Xhillarit, përfshirë administratorin e ‘Soleil&Sea’, Ardit Bajraktari, i cili del përfaqësues i kompanisë edhe në vendimin e marrjes së statusit si investitor strategjik.

Përballë këtij denoncimi, kompania Kempixh e administruar në kohë të ndryshme nga vetë Alban Xhillari dhe më pas nga Jani Kosta, kallëzoi penalisht Kristo Gjokën dhe 6 persona të tjerë. Në denoncimin që BIRN mori nga Xhillari përmes aplikacionit ‘Ëhat’s app’, pretendohet se Gjoka dhe personat rreth tij janë gjithashtu një “grup i strukturuar kriminal“.

Në këtë kallëzim akuzohet për shkelje të ligjit Gjykata e Apelit të Vlorës dhe ekspertja që bëri matjet topografike dhe që sipas kallëzimit, mori “vërejtje nga Ministria e Infrastrukturës.”

Kallëzimi i Kempixh po ashtu shprehet se është pala tjetër ajo që ka përdorur forcë, dokumente false dhe ryshfet për ta marrë pronën.

“Një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit që ndodhet në dosje, i marrë si nga Arshiva e Shtetit dhe nga Arshiva Vlorë pas pyetjeve që ne kemi bërë pranë këtyre institucioneve, na është thënë se një pjesë e këtij dokumentacioni është i falsifikuar,” thuhet në kallëzimin e Kempixh.

Në kallëzim veçohet si fakt i dyshimtë një kontratë mes shtetasve Klodjan Jahaj, Klodian Xhyheri, Indrit Kaporaj dhe Spiro Gjoka, të cilët do të merrnin gjysmën e sipërfaqes së përfituar nga Kristo Gjoka në Gjykatën e Apelit. Në kontratën që Xhillari i dërgoi BIRN, këta persona e përfitonin tokën si shpërblim për ndihmën që do jepnin për regjistrimin e saj në Kadastër.

“Është e kuptueshme lehtësisht se kjo sipërfaqe i është dhënë këtyre personave, pasi këta të fundit kanë marrë përsipër dhënien e një vendimi të tillë nga gjykata nëpërmjet veprime korruptive, pasi nuk ka asnjë arsye logjike minimale apo ligjore për hartimin e një veprimi të tillë”, thuhet në kallëzim.

I pyetur nga BIRN për rolin e zotit Bajraktari, Xhillari tha se kjo “nuk ishte e rëndësishme.” Nga ana tjetër, ai pretendoi se investimi i tij ishte ndër më të rëndësishmit në zonë dhe se po rrezikohej nga “ky grup” – duke nënkuptuar Gjokën.

Të dy palët ndërkohë në kallëzimet e tyre dhe në bisedat e bëra me BIRN pretendojnë përfshirjen e paligjshme zyrtarëve më të lartë të shtetit në çështjen e tyre. Ata akuzojnë ministra dhe ish-ministra të qeverisë së Partisë Socialiste dhe drejtues të tjerë të shtetit, si prokurorë, policë dhe gjyqtarë. Akuzat megjithatë nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur.

Kompania me statusin e investitorit strategjik, “Soleil & Sea” dhe Bajraktari nuk u arritën dot për koment. Megjithatë, të dhënat e BIRN tregojnë se ajo është e favorizuar në këtë përplasje.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike – pjesë e së cilit është kryeministri, zv.kryeministri dhe disa ministra, në rast se ka palë të treta që kanë pretendime mbi pronën, kompania do ketë mbështetje nga qeveria.

“Në rast se pas kryerjes së regjistrimit fillestar të zonës së zhvillimit, rezultojnë tituj pronësie të palëve të treta private, atëherë investimi/investitori strategjik përfiton mbështetje,” thuhet në vendim.

I njëjti vendim nënvizon se investitori duhet të synojë një marrëveshje me pronarët e tokës, por “në rast se investitorit strategjik i cënohet prona që disponon nga palë të treta, investitori, sipas rastit, përfiton të drejtën e shpronësimit ose të marrjes me qira me kontratën 1 euro”.

Kristo Gjoka ka sulmuar pikërisht këtë vendim në një letër dërguar kryeministrit Rama, ambasadave, prokurorisë dhe disa ministrave. Ai kërkon heqjen e statusit të investitorit strategjik për ‘Soleil & Sea’, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Kaos në kadastër

Më 23 prill 2019, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pronësinë e tokës në Jalë-mbi një pjesë të së cilës ndodhet edhe “Folie Marine”. Vendimi u mor nga tre gjyqtarët e fundit të mbetur asokohe në Gjykatë të Lartë, Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani.

BIRN mësoi se tetë muaj më vonë, ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk është ekzekutuar ende, ndërkohë që ka shkaktuar kaos ne zyrën e kadastrës së Vlorës. Fillimisht, vendimi i Gjykatës së Lartë u refuzua nga ish-drejtori i kadastrës së Vlorës – në atë periudhë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Klodian Troci.

Në një relacion për Departamentin e Anti-Korrupsionit në Këshillin e Ministrave me 2 maj 2019, Troci shprehet se kërkesa e Avokatit të Shtetit dhe pretendimet për mbivendosje pronash në zonën e Jalës nuk mund të trajtoheshin.

Troci, i cili akuzohet nga kompania Kempixh se kishte ekzekutuar me urgjencë vendimin e Gjykatës së Apelit, shprehet ndër të tjera se zona e Jalës ishte ”zonë e pamenaxhuar“, për të cilën nuk disponoheshin harta kadastrale të pasurive dhe nuk mund të konstatohej mbivendosja.

Pak javë pas firmosjes së kësaj përgjigje, më 15 maj, Troci u spostua në vendin e zv.drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërsa drejtues i ASHK-së së sapokrijuar u caktua Florian Alimadhi, i cili më herët kishte qenë regjistrues në Durrës.

Megjithëse nga maji deri në shtator 2019 kishte marrë të paktën një urdhër me shkrim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Alimadhi dhe punonjësit e ASHK-së në Vlorë përsëri refuzuan të regjistronin vendimin e Gjykatës së Lartë.

Më 6 shtator ASHK kreu një akt-kontrolli dhe i konsideroi jo-ligjore arsyet e dhëna deri në atë moment nga drejtuesit e degës lokale të Vlorës, duke kërkuar sërish regjistrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë si dhe “miratimin e urdhrit për ndalimin e veprimeve me pasuritë”.

Prej këtij momenti, disa drejtues të Kadastrës në Vlorë dhanë dorëheqjen njëri pas tjetrit. Dy ditë pas këtij urdhri, më 8 shtator 2019, drejtori i ASHK-së, Florian Alimadhi dhe nëndrejtori Klodian Troci dhanë dorëheqjen, ndërsa në krye të institucionit u komandua juristi Alteo Nazëraj.

Më 13 shtator, Nazëraj delegoi te një nga juristët e kadastrës veprimet e kërkuara nga ASHK, por juristi ashtu siç edhe kishin bërë më herët, refuzoi të kryente veprimet. Më 19 shtator Nazëraj dha dorëheqjen nga kadastra e Vlorës, duke qëndruar në krye të institucionit vetëm 10 ditë.

Nazëraj u zëvendësua nga Elona Hodaj (Kurti), ndërsa u komandua si zv.drejtor Taulant Canameti, i cili është transferuar nga Tirana. Më 27 shtator, Hodaj i delegon Canametit kompetencat mbi shërbimet në sektorin e sportelit dhe kadastrës.

Më 30 shtator, Canameti nxjerr një urdhër të brendshëm me të cilin duhej të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë. Por drejtoresha Hodaj e shfuqizoi këtë vendim vetëm 24 orë pasi ai ishte firmosur, duke arsyetuar se Canameti nuk ishte i autorizuar për të lëshuar urdhra dhe as të marrë vendime. Hodaj urdhëroi anulimin e urdhërit dhe fshirjen e shënimeve të bëra në regjistrin hipotekor. Pak ditë pasi firmosi këtë anulim, më 6 tetor 2019, Hodaj dha dorëheqjen, ndërsa Canameti mori postin e saj.

Përpos largimit të 4 drejtuesve në pak muaj, një sërë punonjës të kadastrës në Vlorë u shkarkuan dhe ndaj të tjerëve u morën masa disiplinore. Duke kërkuar të mbeteshin anonimë, juristë të ASHK-së në Vlorë i thanë BIRN se ndjeheshin të kërcënuar, sepse bëhej fjalë për një pronë me vlerë miliona euro.

Megjithatë, BIRN mësoi se para policisë, asnjë nga zyrtarët nuk ka pranuar se është kërcënuar ashtu siç pretendojnë palët në kallëzimet e tyre.

BIRN arriti të kontaktonte vetëm me një prej ish-drejtuesve të kadastrës që u përfshi në këtë histori, Elona Hodaj, e cila u shpreh se nuk e njihte mirë dosjen pasi qëndroi në detyrë vetëm 19 ditë.

“Gjatë kohës së drejtimit të ASHK, kisha prioritet popullin, t‘i dëgjoja, t‘i prisja, t‘i zgjidhja [problemet],“ tha ajo.

Hodaj mohoi të ishte kërcënuar. Ajo pretendoi se e kishte anuluar urdhrin e vartësit të saj, Taulant Canameti për të regjistruar vendimin e Gjykatës së Lartë vetëm për arsye të procedurës.

“Ndërsa dorëheqja nga institucioni lidhet vetëm me motivet familjare sikurse kam cituar edhe në kërkesën për dorëheqje”, tha Hodaj.

Drejtori aktual i ASHK-së në Vlorë, Taulant Canameti, i cili zuri vendin e Hodajt, nuk pranoi të fliste mbi detajet e dosjes. Canameti, i cili akuzohet nga Kristo Gjoka si pjesë e grupit të Xhillarit, shoqërohet prej kohësh në punë prej punonjësve të Gardës që qëndrojnë jashtë zyrave të kadastrës në mbrojtje të tij.

“Do të zbardhet shumë shpejt e gjithë e vërteta e kësaj çështjeje,” tha Canameti. “E rëndësishme për qytetarët është që institucioni është në punë dhe nuk kanë asnjë arsye të frikësohen apo shqetësohen,” përfundoi ai./ Reporter.al/

Mes Vuçiç dhe shqiptarëve, Edi Rama zgjodhi të parin!

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një shënim në Facebook, duke komentuar sjelljen e Ramës ndaj Kosovës në takimin me Vuçiçin në Tiranë për Minishengenin, shkruan ndër të tjera se: ‘Vuçiç me shumë sinqeritet e tregon ngazëllimin dhe ngre në qiell Ramën si të vetmin shqiptar antishqiptar, që është nga ana e tij’.

‘Në pabesi të plotë, kundër të gjithë shqiptarëve nga Tirana në Prishtinë, Edi Rama zgjodhi me ndërgjegje të jetë kundër tyre.

Edi Rama si peng i një strategjie antishqiptare, që ka për qëllim shpërbërjen kombëtare nëpërmjet shpopullimit dhe mjerimit diskriminues ekonomik, po bën gjithshka që në Serbi të përjetohet një ngazëllim i natyrshëm.

Ndaj Vuçiç me shumë sinqeritet e tregon ngazëllimin dhe ngre në qiell Ramën si të vetmin shqiptar antishqiptar, që është nga ana e tij, prandaj Vuçiç thotë:

“Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull gjenocidal. Rama, për nismën e Shengenit të vogël, ka treguar kurajë të rrallë”.

Rama nuk ka asnje ndjeshmeri per sjelljen genocidiste mizore te Serbise ndaj Kosoves,ndaj per te eshte njelloj sikur genocidi te mos kishte ekzistuar kurre.

Ne te kundert, me e pakta qe Rama mund te bente do te ishte qe te kerkonte Referendum per te ashtuquajturin Minishengen.

Por Edi Rama nuk mund te perballet kurre me nje Referendum qe permes Minishengenit ai te shese Shqiperine, sepse do te kishte kunder te gjithe shqiptaret ne Shqiperi e kudo ne bote.

Edi Rama i vendosur kryekeput ne funksion te detyres se percarjes mes Shqiperise dhe Kosoves, po kupton gjithnje e me shume se shqiptaret jane 100% bashke kunder kesaj percarjeje dhe Minishengenit si instrument i saj.

Izolimi i Kosoves dhe nxjerrja e saj jashte vemendjes eshte pikerisht ajo qe Serbia do per te mos e njohur kurre Kosoven dhe Edi Rama pikerisht kete bën.

Sot ne te gjithe hapesiren shqiptare ekziston vetem nje problem,nje kundershtar dhe percares, qe eshte Edi Rama.

Çlirimi prej tij eshte pastrimi i rruges se kauzave te medha ne Shqiperi dhe Kosove ku integrimi europian mbetet kryekauza,qe kerkon bashkerendim te energjive,unitet dhe sakrifica te perbashketa’, shkruan Vasili.

Vreto denoncon korrupsionin me rikontstruksionin e rrugëve në Librazhd: Paratë do t’i ktheni dhe burgut s’do t’i shpëtoni…

Pas nje sere denocimesh te bera prane Partise Demokratike dega Librazhd persa i perket rikontstruksionit te rruges atomobilistike Librazhd – Dorez vajtem dhe konstatuam problemet nga afer. Ndyresirat qe jane perzier ne keto afera te piseta, te turpeshme dhe te patolerueshme eshte hera e trete qe prokurojne para per rikonstruksionin e kesaj rruge ne vendin e quajtur Perroi i Alhysjet lagja Balza por parate jane pervetesuar nga marresi ne dorezim i punes te pa bere.

Akoma pa u mbushur nje muaj nga rikonstruksioni i rruges eshte shembur perseri sepse aty nuk jane kryer punime por eshte lustruar dhe shuma e lekeve eshte pervetesuar. I emeruari ne komitetin e Partise nje megaloman dhe i paturp si individ nuk ka as frike ligjin aq me teper qe eshte ngritur dhe SPAK por vetem behet mjese pervetesimit ne cdo prokurim. I them keto pasi dhe siç shihet dhe nga fotot e meposhtme te cilat i kam shkrepur vete ne terren shihet qarte qe jo vetem nuk mund te quhet rikonstruksion por dhe meremetim nuk mund ta quash pasi e gjith kjo behet per tu hedhur hi syve njerezve dhe per tu mbyllur gojen atyre aq me teper sot ne kete lloj qeverisjeje ku transparenca eshte zero dhe nuk dihet ku shkojne dhe si perfundojne taksat tona.

Ky investim madhor qe eshte bere ne kohen e qeverisjes se Partise Demokratike dhe qe i ka dhene nje impakt te madh zhvillimi zones jo vetem nuk u zgjatua ku te pakten te dergohej deri ne pjesen fundore te fshatit Gizavesh gjate qeverisje mavi por nuk u arrit as te mirmbahet pasi nga konstatimet e bera ne terren del se punetoret e rruges jane thjesht militante partie dhe dalin thjesht te bejne propogande qorre per sektin mavi dhe jo te mirmbajne rrugen.

Edhe firmat fantazme te cilat sjane gje tjeter vecse vegla qorre te te emeruarit te Komitetit te Partise dhe te Tao Taos te cilat gjate pushtetit te ketyre Grykesave te pangopur sherbejne thjeshte si Gropa te Zeza per vjedhjen e fondeve ndersa ne kohe fushatash sherbejne si Jenicere te Sulltanit per te grumbulluar vota por Partia Demokratike si e vetmja shpres per ringritjen ekonomike te vendit premton qe me te ardhur ne pushtet do tua tregoje vendin sejcilit prej tyre qe ka abuzuar me taksat tona.

Te jeni te sigurte se sejcili ka per te marre ate qe i takon dhe grykesave dhe te babeziturve te pangopur do tu tregohet vendi. Eshte per te ardhur keq ku po katandiset kjo zone si rezultat i keqqeverisjes se ketij sekti qe po i detyron njerezit te braktisin vendin. Ne si Parti Demokratike i bejm thirrje jo vetem banoreve te ketyre zonave por te gjithe banoreve te treves se Librazhdit qe mos braktisin pronat por te braktisin Sektin Mavi, te braktisin Rilindjen e Ed-Ver droges pasi me ardhjen e Partise Demokratike ne pushtet ketyre trevave do tu kthehet dinjiteti dhe dinamika e zhvillimit per ti kthyer ne promotor te Zhvillimit te agroturizmit, kulinarise dhe blegtorise.

Bujar VRETO
Kryetar i Partisë Demokratike, dega Libazhd