19.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

Pse prokurori i SPAK flirton me pushtetin, a janë ata të pavarur?

Altin Dumani mori vetëm katër vota dje nga KLP duke mos mundur të zgjidhej kreu i SPAK-ut, garë e humbur ndaj Arben Krajës që mori gjashtë vota.

Por, një ditë para se të kandidonte siç duket në një foto të publikuar nga 27.al ai është ulur gjatë me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Një foto e shkrepur të dielën e vërteton këtë.

Njeriu, i cili është me shpinë në fotografi është pikërisht Altin Dumani.

Sipas ndryshimeve të mëdha ligjore që u bënë në kuadër të Reformës në Drejtësi, anëtarët e SPAK nuk duhet të kenë asnjë kontakt me elementë kriminalë apo personazhe politike.

Nuk dihet se cila ka qenë tema e diskutimit mes personazheve në fjalë, megjithatë duket aspak i rastësishëm një takim i tillë vetëm pak orë para se të fillonte votimi për kreun e SPAK.

Edhe pse nuk u zgjodh kryetar, Dumani është anëtar i kësaj strukturë dhe një foto e tillë nuk i shërben as atij dhe as SPAK-ut që duhet të ndjekë këmba këmbe kriminelët dhe politikanët e korruptuar…të paktën kështu iu tha shqiptarëve që filluan të shpresonin se ky vend mund të bëhej kur filloi Reforma në Drejtësi.

Qytetarët në protestë para hotelit në Tiranë ku u takua Rama me Vuçiç

Qytetarë të shumtë nga Tirana, Maqedonia e Veriut dhe Kosova protestuan pranë vendit ku uzhvillua takimi informal mes Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

Me dhjetra forca policore janë angazhuar dhe kanë rrethuar zonën ku u zhvillua takimi, një hotel shumë pranë Kryeministrisë dhe zyrave të Kryesisë së Kuvendit.

“As nuk u mor vesh kur hyri te Rogneri, as nuk u mor vesh kur doli nga Rogneri, pasi erdhi dhe iku si mi. Vuçiç i ka duart të lyera me gjak, jo vetëm të shqiptarëve.

Edhe sot kur të shkojë në koncertin e bamirësisë, apo nesër kur të shkojë në Durrës te banesat e shqiptarëve të prekur nga tërmeti, ata do ta kenë shumë të qartë se në prag të shtëpisë i ka shkuar një kriminel lufte”, tha Abazi, ndërsa me një grup qytetarësh protestonin para vendit ku u zhvillua takimi informal.

Vokshi: Zv/Dekani i Inxhinierisë u shkarkua me urdhër politik të Ramës se tha të vërtetat e tërmetit

Shkarkimi nga detyra i zv/dekanit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Agim Seranaj, pasi ky i fundit konstatoi problemet me dëmtimet e prekura nga tërmeti në Durrës, ka sjellë edhe reagimin e ish-deputetes demokrate, Albana Vokshi, që e ka cilësuar këtë shkarkim si një urdhër politik të Ramës.

‘Zv.dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, z. Agim Seranaj, është shkarkuar sot me urdhër politik të Edi Ramës.

Profesor Seranaj, një nga profesionistët dhe ekspertër më të mirë në vend, për shkak të eksperiencës së tij në këtë fushë, ka qenë pjesë e ekipeve shtetërore të vlerësimit, për të bere ekspertim të cerdheve dhe kopshteve apo institucioneve të tjera.

Ndryshe nga drejtuesit militantë apo ekspertët servilë, Prof Seranaj, ka folur publikisht për situatën aktuale të ndërtesave duke evidentuar në mënyrë profesionale keqmenaxhimin nga ana e institucioneve të situatës pas tërmetit dhe duke mbrojtur interesin publik.

Rama ka vendosur të censurojë jo vetëm mediat, me anë të paketës që sapo kaloi në parlament, por edhe cdo zë kritik që nxjerr zbuluar përgjegjësinë direkte të tij në numrin e madh të viktimave por edhe të ndërtesave e pallateve të shembura nga tërmetet. Tashmë ka vendosur të hakmerret edhe ndaj ekspertëve më të njohur duke urdhëruar shkarkimin e tyre nga detyra për shkak se i kanë prishur propagandën që kishte përgatitur.

Dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe prej ushtari politik të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Neritan Shkodrani, i cili pa dinjitet dhe integritet profesional, i është nënshtruar urdhërit politik të Edi Ramës, duke cënuar rëndë autonominë universitare.

Në emër të Partisë Demokratike i bëj thirrje trupës së pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të reagojnë për këtë ndërhyrje flagrante në autonominë universitare dhe për veprimin prej ushtari politik të Dekanit të Fakultetit!

#AutonomiUniversitare’-shkruan Vokshi.

 

Shkarkohet zv/dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit, Berisha: E pushuan pse tha të vërtetën e…

Zëvendësdekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Agim Seranaj është shkarkuar nga detyra. Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka publikuar në Facebook dhe dokumentin të firmosur nga dekani Neritan Shkodrani.

Sipas denoncuesit që i ka dërguar dokumentin ai është shkarkuar për shkak se shkoi në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës me studentët dhe ju tregoi të vërtetën.

“Pedagogu shkarkohet nga detyra se tha te verteten per termetin dhe demet e tij! Lexoni mesazhin dhe shikoni dokumentin e qytetarit dixhital! sb Doktor Pershendetje ,po ju informoj per kete rast E shkarkuan se kishte shkuar tek rrenojat e durresit me studentet Edhe po thonte te verteten per termetin dhe per demet e tij”, shkruan Berisha në Facebook.

Kujtojmë se Agim Seranaj, pas tërmetit të 26 nëntorit ishte i ftuar në emisionin Opinion, ku ngriti alarmin sesi po bëhej inspektimi i godinave të ndërtuara. Ai tregoi me dokumenta se po përdoreshin 5 formulare të ndryshme dhe secili kishte nxjerrë përfundimin e vet.

Kurbani që duhet të bëjmë për të rikthyer demokracinë

Nga Red VARAKU

Edi Rama vazhdon të refuzojë me mendjelehtësi çdo mundësi, që është ofruar nga vetë Perëndimi, për të nxjerrë vendin nga kolapsi dhe përplasja e sigurtë.

Bllokimi i integrimit në Tetor, nuk është tjetër vetëm se një mjet presioni i BE për t’i dhënë fund krizës dhe për a kthyer vendin në normalitet. Por , në vend që të tërhiqej në emër të integrimit, realizimit të ëndrrës së vjetêr shqiptare, nëpërmjet mundësisë që j ofroi Bundestagu, Rama duket se ka zgjedhur rrugën e përplasjes së pashmangshme me popullin e tij.

Sulmi i fundit mbi lirinë e medias, vendimi për të burgosur deputetë të Opozitës dhe gazetarë të fjalës së lirë, vetëm sepse kanë denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar, tejkaloi çdo imagjinatë, madje edhe të vetë atyre që e kanë votuar.

Ky sulm vulosi përfundimisht faktin për të cilin Opozita kishte kohë që kishte paralajmëruar, që vendi po rrëshket me shpejtësi drejt diktaturës, nëpërmjet ‘riaktivizimit’ të kriminelëve që masakruan shqiptarët për 50 vjet.

Ky sulm dëshmon që ky njeri jo vetëm nuk i njeh detyrimet që ka Shqipëria në plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave me BE, por qëllimisht i shkel ato, në mënyrë që ku proces të zgjatet pafund.

Ky është një zhvillim që i ka alarmuar edhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, pasi konsiderohet si rast i paprecedentë që një vend, i cili kërkon të anëtarësohet në BE, jo vetëm nuk merr përsipër detyrimet që i burojnë nga ky proces, por sulmon hapur edhe ato pak arritje të këtyre 30 vjetëve, siç janë respektimi i të drejtave të Opozitës dhe mbrojtja e lirisë së fjalës.

Sipas një përfaqësuesi të Parlamentit Europian, vendimi i fundit i kryeministrit rrezikon jo vetëm kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria, por edhe bllokimin përfundimtar të integrimit.

Mbi të gjitha është e papranueshme që njeriu, që prej shtatë vjetësh na mburrej në emër të Perëndimit, tani që duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që burojnë nga ky proces, urdhëron pabesisht ushtarët e tij të hedhin në erë dy shtyllat më të rëndësishme të demokracisë, respektimin e Opozitës si dhe lirinë e fjalës.

Ky gjest duket se do të ketë kosto të rëndë për Shqipërinë, pasi kësaj rradhe mund të ndikojë deri edhe te një opinion negativ i Komisionit Europian për hapjen e negociatave. Me këto vendime, ai synon acarimin e krizës dhe mbetjen e Shqipërisë jashtë dyerve të Evropës, dhe po përpiqet që t’ia faturojë këtë dështim Opozitës

Pas bllokimit të integrimit nga Franca dhe nëntë kushteve të Bundestagut, Rama duket qartë se nuk ka qenë kurrë i interesuar për të avancuar procesin e integrimit, pasi sipas këtyre kushteve , ai do të duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, kësisoj do të detyrohet të dorëzojë pushtetin.

Por, ai e di që pa pushtet është i marrë fund, sepse pushteti është sot e vetmja garanci për të. Më shumë se askush tjetër, ai e ka të qartë, që nëse një ditë qentë përreth tij do të mbeten pa ushqyer, të gjithë do t’i turren për ta shqyer. Me idenë e pushtetit , ai jo vetëm e mban të unifikuar kopenë e babëzitur për plaçkë, por njëkohësisht edhe e dominon atë.

Për faj të tij, sot Shqipëria është shteti i vetëm kandidat për në BE, që nuk ka as Gjykatë Kushtetuese dhe dhe as Gjykatë të Lartë. Është shteti i vetëm kandidat për në BE, ku është asgjësuar tërësisht demokracia lokale nëpërmjet zgjedhjeve moniste, ku liria e medias tashmë edhe formalisht nuk egziston , ku Opozita dhe gazetarët burgosen sepse denoncojnë krimet e qeverisë , ku liria ekonomike ka vdekur me kohë, ku korrupsioni dhe trafiku i drogës janë kapilare.

Natyrisht, që një vend i tillë nuk mund të bëhet pjesë e BE. Por, kjo me sa duket ka qenë që në fillim arsyeja se pse Rama i ka ndërmarrë këto vendime. Ai ka hequr dorë nga ëndrra Perëndimore e shqiptarëve për hir të pushtetit, ndaj ka vendosur të sillet me opozitën dhe krizën politike si një diktatoruc lindor.

Me shumë djallëzi, deri në momentin e djegjes së mandateve, ai ia pati dalë të përfshijë Perëndimin në luftë kundër Opozitës, por pas djegjes së mandateve dhe publikimeve të BILD, gjithçka është bërë e qartë.

Lufta që ai i ka shpallur Opozitës duke e kërcënuar me burg si dhe lufta që i ka shpallur fjalës së lirë , janë tregues të padiskutueshëm që kryeministri shqiptar nuk po e kupton spiralen se ku është futur dhe se si mund të degradojë kjo krizë.

Çdo ditë që po kalon, ai me sjelljen e tij po i ngjan gjithmonë dhe më shumë sjelljeve të diktatorëve lindorë, të cilët demokracinë e kanë fasadë, Opozitën e kanë kukull në duart e tyre dhe median e kontrollojnë me whatsapp.

Kjo mjafton më shumë se çdo alarm ndërkombëtar për të kuptuar që situata do të përkeqësohet nga ora në orë, dhe përplasja civile nëse nuk ndërhyet në kohë nga faktori ndërkombëtar, duket e pashmangshme.

Është koha që ky kryeministër të reagojë me përgjegjësi, sepse situata është aq e nxehtë sa edhe shkëndija më e vogël, mund të hedhë në erë gjithçka dhe ky njeri nga kryeministër mund të kthehet në kurbanin kryesor që duhet të bëjmë për të rikthyer demokracinë dhe për t’i hapur rrugë integrimit.

Paketa anti-shpifje/ Komisioni Europian i shqetësuar: Nuk u pasqyruan rekomandimet e Këshillit të Europës

Ndryshimet e ligjeve të medias në Shqipëri, që u miratuan të mërkurën mes polemikave e kritikave të shumta, vazhdojnë të ngjallin shqetësim. Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Zërit të Amerikës se Brukseli “merr shënim” miratimin në parlament të paketës anti-shpifje.

Megjithëse ligjit iu bënë ndryshime deri në minutën e fundit dhe qeveria Rama theksoi se ato janë bërë në përputhje të plotë me OSBE-në, zëdhënësi i Komisionit, i tha Zërit të Amerikës se “rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës nuk janë marrë në konsideratë” në variantin përfundimtar.

Zëdhënësi tha se Brukseli do të vazhdojë të punojë nga afër me autoritetet shqiptare, për t’u siguruar që standartet evropiane për lirinë e të shprehurit dhe mediat do të respektohen.

Përfaqësuesë të mediave shqiptare si dhe të institucioneve ndërkombëtare kanë qenë të një mendjeje se amendamentet e reja paraqesin problem lidhur me garantimin e lirisë së mediave./VOA/

Teliti takohet me biznesin fason: PD ka program të qartë dhe të thjeshtë për rimëkëmbjen ekonomike

BIZNESI DREJT FALIMENTIT, RILINDJA PO FUNDOS EKONOMINË E SHQIPTARËVE.
Qeveria e litarit në fyt për të pamundurit dhe e bllokimit të frymëmarrjes për biznesin.
KCK dhe gjobit kë të mundësh, kështu janë kthyer inspektorët e taksave dhe të takimeve, të cilët përmes kontrolleve abuzive kanë krijuar frikë dhe pasiguri për biznesin, duke i detyruar shpeshherë që të ulin edhe qepenin.

Sot bashkë me Gjergji Gjikën (Kryetarin e Shoqatës së Fasonistëve të Shqipërisë), Dhuratën dhe Flamurin pamë nga afër aktivitetin e një biznesi fason në periferi të Tiranës, ku situata paraqitej e rëndë në kushtet e taksave tejet të larta, cmimit të rritur të energjisë elektrike, mosrimbursimit të TVSH-së, kontrolleve të shpeshta dhe abuzive të taksidarëve.

Madje për biznesin tejet shqetësuese paraqitet edhe situata me rënien e pajustifikuar të kursit të këmbimit për shkak të futjes në treg të qindra milionë euro parave të pista të drogës, duke humbur edhe ato pak fitime që siguronin nga kontratat e tyre porositëse.
Keto kushte ia bëjnë shumë të vështirë vijimin e veprimtarisë këtij biznesi, përmes të cilit ushqehen dhe mbajnë familjen me dhjetëra punëtore.

Biznesi dhe lehtësirat ndaj tij duhet të jenë pritoritet për zhvillimin ekonomik të vendit, por shqiptarët prej më shumë se 6 vitesh po shohin cdo ditë rrënimin e tyre.

KJO ËSHTË SITUATË ËSHTË E PAPRANUESHME E DUHET TË MARRË FUND.
Partia Demokratike është në krah të biznesit dhe në krah të qytetarëve.
PD ka programin e saj të qartë dhe të thjeshtë për rimëkëmbjen ekonomike dhe mbështetjen e biznesit të madh, përmes uljes deri në 40 përqind të cmimit të energjisë për biznesin; vendosjen e taksës së sheshtë 9 përqind tatim fitimi, shkalla të larta amortizimi, rimbursim të menjëhershëm të TVSH, e vecanërisht duke eliminuar burokracitë e tepërta me qëllim mbajtjen larg nga biznesi të inspektorëve tatimor, të cilët më shumë se sa për kontrolle rutinë shkojnë e ushtrojnë presion ndaj biznesit.

Është koha për të punuar për shqiptarët dhe jo për oborrin qeveritar.
Është koha për të punuar për të nesërmen e këtij vendi dhe jo për ta dhënë Shqipërinë si plackë PPP për oligarkët.

Partia Demokratike e ka gati planin e nxjerrjes së vendit nga kriza dhe do të zbatohet që ditën e parë që shqiptarët me votë të lirë e të ndershme do të na besojnë dhe do na vendosin në drejtim të punëve.

Banorët e prekur nga tërmeti akuza me fakte ndaj Dakos: Jepte leje abuzive, shiste betonin e tij! Prokuroria asnjë hetim

Teksa 9 persona, shumica ish-zyrtarë në nivele drejtorësh e specialistësh, qëndrojnë pas hekurave si përgjegjës për pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëntorit me 23 jetë të humbura në Durrës, mbi kryebashkiakun që për 12 vite drejtoi qytetin, Vangjush Dako, nuk rëndon asnjë akuzë.

Prokuroria dhe policia nuk kanë çelur asnjë hetim ish-kryebashkiakun socialist, i cili për 3 mandate dha leje të pafundme ndërtimi për pallate që tërmeti i shkatërroi.

Banorët e Durrësit e drejtojnë gishtin te njeriu që kishin në krye të bashkisë dhe e bëjnë atë përgjegjësin kryesor të asaj që janë duke përjetuar, raporton Balkanëeb.

Dëmtimet që la pas tërmeti në pallatin 13 katësh, në lagjen 17 të Durrësit, janë mëse të dukshme, muret e jashtme dhe të brendshme përfunduan në rrugë. Leja për pallatin që tashmë është i pabanueshëm është lëshuar në vitin 2009, kohë kur bashkia drejtohej nga Dako.

Banorët kanë jetuar në një pallat, ku tërmeti iu tregoi se shkeljet ishin bërë me të dyja këmbët.

Leje ndërtimi të pazbardhura, pallate pa struktura antisizmike, themele të dobëta, kolona pa sasinë e mjaftueshme të hekurit, punime të kryera pa asnjë mbikëqyrje nga pushteti lokal. Këto janë abuzimet që tërmeti i nxori në pah të bëra kur Dako drejtonte Bashkinë e në të njëjtën kohë vëllai i tij zotëronte kompaninë e betonit, 3D, dhe ishte një ndër furnizuesit kryesor të ndërtuesve në Durrës.

Leja për pallatin 13 katësh është dhënë për 10 kate dhe një papafingo, por ndërtesa u ngrit me 13 kate. Ndërtimi i 3 kateve shtese, të cilët nuk dihet nëse ishin me leje, ishte fundosëse për pallatin, i cili nuk mundi ta mbante peshën gjatë lëkundjeve.

Pas 3 mandateve që firmosi leje të pafundme ndërtimi në Durrës, ish-kryebeashkiaku Vangjush Dako sot fshihet dhe hesht për pasojat tragjike dhe shkatërrimin e qindra pallateve.

Realitetet janë të ndryshme dhe aspak të ngjashme në pak metra në lagjet e Durrësit, me pallate të shkatërruara, të cilat gjatë viteve të drejtimit të Dakos kanë abuzuar me lejet dhe cilësinë e ndërtimit, dhe nga ana tjetër pallate që nuk pësuan asnjë dëmtim të strukturës, gjatë tërmetit të 26 nëntorit. /BalkanWeb

Reagon gazetari gjerman: Rama, armik i medias së lirë, është një klloun…

Gazetari i “BILD”, Peter Tiede, i cili u bë i njohur për shqiptarët pasi publikoi përgjimet e vjedhjes së votave në Dibër, ka replikuar me përfaqësuesin e OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir.

Në një mesazh në rrjetet sociale, gazetari gjerman shkruan se kryeministri shqiptar, Edi Rama, është një armik i medias së lirë.
“Vërtetë besoni tek Edi Rama?

Nga përvoja ime unë nuk besoj asgjë. Ai është një armik i medias së lirë. Ai po përpiqet të bëjë ndaj meje atë që ka bërë ndaj kolegëve të mi në Shqipëri; më akuzon se jam blerë nga opozita. Ai është një kloun”, shkruan Peter Tiede.

Kujtojmë se Harlem Desir është zyrtari i vetëm i OSBE që tha se ligji i propozuar nga Rama është konsultuar me ndërkombëtarët. BE, KiE dhe sot ambasada e SHBA kanë kritikuar paketën antishpifje të miratuar nga Parlamenti.

Zyrtare, Bashkimi Europian bojkoton takimin e Ramës për minishengenin

Shefi i diplomacisë europiane Josep Borell nuk do të shkojë në samitin e vendeve të një pjesë të Ballkanit Perëndimor të cilat po përpiqen ta jetësojnë temë minishengenin ballkanik, e të cilin po e bojkoton edhe Kosova për shkak të raporteve me Serbinë.

Mospjesëmarrjen e Borell në takimin e Tiranës më 21 dhe 22 dhjetor e ka komentuar Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë megjithatë se shpreson që përveç Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kjo iniciativë do të zgjerohet.

Mali i Zi ka shfaqur rezerva ndaj minishengenit duke thënë se ajo është duplifikim i CEFTA’s por në Tiranë do të udhëtojë edhe Presidenti Milo Gjukanoviq. “Me të vërtetë nuk më interesin se a u pëlqen a jo europianëve, ata, kur mblidhet Këshilli Europian nuk na pyesin fare se a na pëlqen neve ndonjë vendim i tyre” ka thënë Vuçiq.,

“Janë disa që nuk u pëlqejnë këto, kur nuk janë të ulur në ulësen kryesore dhe kjo nuk është ndonjë fshehtësi e madhe” ka thënë Vuçiq. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ftuar nga Kosova Presidentin Hashim Thaçi për të shkuar në Tiranë por ky i fundit ka refuzuar duke e përmendur Serbinë si shkaktare.

“Dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar.

Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë” ka shkruar Thaçi në facebook teksa i është përgjigjur Ramës.

Ndaj kësaj, ka reaguar Kryeministri Rama i cili ka thënë se nuk e kupton këtë veprim të Thaçit pasi ky i fundit ka qenë pjesë e tryezave me Serbinë dhe se tani po e përjashton dhe po e izolon Kosovën.