22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

42% e popullsisë në rrezik të varfërisë, por tkurren shpenzimet për ndihmën ekonomike

Teksa Shqipëria ka zyrtarisht 42% të popullsisë në rrezik të varfërisë, shpenzimet për ndihmën ekonomike në raport me PBB-në në këto vitet e fundit kanë ardhur në rënie.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike në Shqipëri në raport me PBB-në kanë një tendencë tkurrjeje.

Në vitin 2024, fondet për shpenzimet për ndihmën ekonomike arritën vetëm 1,1% e PBB-së, dukshëm më pak se 1.6% në vitin 2014. Rënia e vazhdueshme e shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në për shtresat në nevojë vjen në një kohë kur kostot e jetesës, të tilla si çmimet e ushqimeve, qirasë, transportit etj., janë rritur ndjeshëm, duke goditur më fort shtresat në nevojë.

Në fillim të viteve 90, mbështetja ekonomike zinte një peshë relativisht të lartë në PBB, duke arritur kulmin në vitin 1995 me 1.7% të PBB-së. Kjo ishte një periudhë kur Shqipëria po përjetonte tronditje të thella ekonomike pas rënies së sistemit komunist. Në këtë kontekst, roli i ndihmës ekonomike si instrument i stabilitetit social ishte jetik.

Të dhënat tregojnë se pas vitit 2014 fillon një fazë rënieje e vazhdueshme e ndihmës ekonomike në raport me PBB-në, Por nga ana tjetër, Shqipëria është vendim me nivelin më të lartë të varfërisë relative në Rajon dhe Europë me të dhëna të Bankës Botërore dhe Eurostat.

Ndërkohë që vendi ka përjetuar rritje ekonomike, rënia progresive e përqindjes së ndihmës ekonomike në raport me PBB-në ngre shqetësime për rolin e mbrojtjes sociale në politikat publike, të cilat janë vënë në dukje edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria ka nivelet më të ulëta në Rajon të ndihmës ekonomike. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pas saj rritën shpenzimet sociale, duke përfshirë transferta direkte, subvencione për faturat e energjisë, apo skema për ndihmë për ushqim dhe ngrohje.

Shqipëria jep ndihme ekonomike për rreth 62 mijë familje, por sasia e ndihmës është shumë poshtë minimumit jetik (6.85 USD në ditë) për person.

Por nëse qeveria shqiptare synon të përmbushë objektivat e integrimit në BE, rritja e shpenzimeve për ndihmën ekonomike është një nga kriteret kryesore në grupin e reformave ekonomike për të bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse./MONITOR

Ilaçet që nuk japin efekt/ Si e ndryshoi ligjin Rama në 2014

Nga Esmeralda Keta

Si shumë pensioniste të brezit të saj në Shqipëri, Sanija, 72 vjeç, jeton larg të birit që ka emigruar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por emigrimi e ka pasur një anë pozitive, pasi djali i saj kujdeset për të gjitha medikamentet që i nevojiten asaj për të kuruar tensionin, aritminë dhe osteoporozën

“Ndryshimi i ilaçeve që më vijnë nga Amerika është si nata me ditën me këto në Shqipëri,” thotë me këmbëngulje gruaja nga Tirana. “Nëse përdor ilaçet e tensionit që i marr me rimbursim, më duhet një muaj për ta stabilizuar [tensionin], kur përdor këto që më vijnë nga Amerika, tensioni më stabilizohet për një javë,” shtoi ajo.

E moshuara nuk është e vetmja që ndan mendimin popullor se medikamentet që qarkullojnë në Shqipëri nuk janë eficente. Një grup pacientësh, mjekësh dhe ekspertë të fushës i thanë BIRN në intervista të veçanta se nuk kanë besim te tregu farmaceutik shqiptar, i cili vuan nga keqfurnizimi dhe mungesa e kontrollit.

Çështja e cilësisë dhe efikasitetit të medikamenteve mbetet një temë e diskutuar prej të paktën një dekade, që kur Ministria e Shëndetësisë ndryshoi ligjin dhe vendosi që ta hapte tregun ndaj medikamenteve të lira gjenerike, që jo domosdoshmërisht mbartin garancinë e konsumit nga qytetarë të Bashkimit Evropian.

Në mungesë të studimeve të besueshme apo transparencës, gjithmonë e më shumë shqiptarë po zgjedhin që t’i blejnë medikamentet e tyre jashtë shtetit si garanci për efikasitetin e tyre.

“Jo gjithmonë gjëja e lirë është e mirë. Dhe këtu po flasim për shëndetin e njerëzve, ku kostoja nuk matet dhe nuk është vetëm lekë,” thotë Florian Toti, shefi i shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ekspertët e sistemit shëndetësor ia faturojnë mungesën e besimit një institucioni – Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila nuk arrin të analizojë një pjesë të madhe të medikamenteve që qarkullojnë në vend.

“Pjesa dërrmuese e barnave që qarkullojnë në vendin tonë nuk testohen, ato bazohen vetëm në dosjen që dorëzon kompania. Ato (barnat) mund të jenë edhe cilësore, por përderisa nuk testohen ne nuk kemi nga ta dimë”, ngre pikëpyetje Ilir Pecnikaj, profesor i Kimisë Organike pranë departamentit të Farmacisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, i zhvlerëson shqetësimet për mungesën e kontrollit të ilaçeve dhe thekson se “barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë përmbushin kriteret e cilësisë dhe sigurisë”.

“Theksojmë se nuk ka parashikim ligjor të posaçëm që të detyrojë kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të çdo bari (*molekule) që vendoset në treg në Republikës së Shqipërisë,” tha AKBPM në një përgjigje me shkrim për BIRN, duke e cilësuar punën e saj në linjë me praktikat e BE-së.

“Regres i madh”

Në vitin 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama ndryshoi ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” në emër të një reforme për reduktimin e kostove. Ligji asociohet me emrin e ministrit të kohës së Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe efektin kryesor e pati te zgjerimi i vendeve të origjinës së medikamenteve përtej Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera të Perëndimit.

Për t’u tregtuar në Shqipëri, një medikament tashmë nuk ka nevojë që të jetë i certifikuar nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve – EMA- por mjafton që të qarkullojë në njërin nga vendet e Ballkanit apo shtete të tjera.

Ndryshimi i ligjit solli një ndryshim thelbësor në strukturën e tregut farmaceutik shqiptar me një qarkullim total prej 25.4 miliardë lekësh [259 milionë euro].

Sipas të dhënave të siguruara nga Doganat, edhe pse Gjermania apo Italia vazhdojnë që të jenë ndër importuesit kryesorë të medikamenteve, ato po konkurrohen gjithnjë e më shumë nga Turqia, Serbia, Bullgaria apo Qipro. Dhe kjo për ekspertët e mjekësisë nuk është një shenjë e mirë.

Shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Florian Toti thotë se pas ndryshimeve ligjore, cilësia dhe siguria e medikamenteve ka pësuar “një regres të madh”.

“Me idenë që duke ulur çmimin ulim edhe koston për pacient, në fakt është ulur cilësia,” tha Toti, i cili e lidh këtë me largimin e mjaft medikamenteve patentë dhe zëvendësimin e tyre me gjenerikë.

Edhe mjeku Erion Dasho, i cili e ushtron prej vitesh profesionin në Gjermani, mendon se ndryshimi i ligjit nuk ofron më garanci për cilësinë.

“Kjo ka bërë që pacientët të kenë më pak besim,” tha Dasho për BIRN.

Edhe Diana Toma, ish-drejtuese e Urdhrit të Farmacistit, e sheh me shqetësim këtë përmbysje të origjinës së medikamenteve që qarkullojnë në vend.

“Ne jemi pushtuar nga Turqia, por edhe nëse e pranojmë këtë, a mund të bëjmë një analizë: përse erdhi Turqia? Erdhi se u preferua nga qytetari shqiptar apo se u boshatis qëllimisht tregu nga molekula të tjera dhe kjo ishte forma më komode,” pyet në mënyrë retorike ajo.

Pacientët janë gjithashtu të pakënaqur dhe po i kërkojnë zgjidhjet për sëmundjet e tyre jashtë shtetit.

Mira kurohet prej vitesh nga hipertensioni dhe pësoi së fundmi një goditje ishemike të damarëve të këmbës. Efikasiteti i një kure që bleu në Itali i ka rritur dyshimet për medikamentet që ka përdorur prej vitesh.

“U habita sa shpejt më dhanë efekt,” thotë e moshuara 75-vjeçare. “Ne me pension jetojmë, por më mirë i marr me lekë jashtë, se sa i marr falas,” shtoi ajo me bindjen se ilaçet e blera në Shqipëri “nuk të bëjnë asgjë”.

Pavarësisht shqetësimeve, mjeku Florian Toti bën thirrje që gjërat të mos ekzagjerohen dhe jo të gjithë duhen futur në një thes. Sipas tij, ndonjëherë ka barna shumë cilësore nga Turqia apo India, por ka edhe shumë barna të tjera që nuk u dihet origjina.

Kontrolli i munguar

Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, u krijua në vitin 1965 dhe është institucioni i vetëm shtetëror përgjegjës për vendosjen në treg, eksportin, tregtimin dhe përdorimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore. Në zemër të misionit të Agjencisë qëndron laboratori i kontrollit të barnave, si e vetmja strukturë e kontrollit të cilësisë së tyre në vend.

Pasi marrin autorizimin për tregtim nga AKBPM, kompanitë prodhuese janë të detyruara të dorëzojë mostra të barnave në laboratorin e kontrollit. Por shumica e këtyre mostrave nuk testohen.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se laboratori i AKBPM ka kapacitete të limituara dhe kryen nga 230 deri në 270 analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike në vit – një shifër kjo e papërfillshme në raport me medikamentet që qarkullojnë në treg.

Sipas një auditi të vitit 2024 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, liberalizimi i tregut të origjinës së medikamenteve dhe kapacitetet e limituara të kontrollit i kanë ekspozuar qytetarët shqiptarë ndaj barnave që “nuk kanë cilësinë dhe sigurinë e standardeve të BE-së”.

“Laboratori i kontrollit të analizave pranë AKBPM nuk funksionon me kapacitet të plotë dhe është pothuajse inekzistent, fakt i cili nuk jep siguri për cilësinë e të gjitha barnave që importohen”, thuhet në raportin e KLSH.

Kapacitetet e limituara laboratorike dëshmohen edhe nga numri i paktë i analizave. Gjatë viteve 2020-2023, AKBPM ka pajisur me autorizime dhe riautorizime 3624 medikamente, por ka kryer vetëm një numër shumë të vogël analizash për vetëm 644 prej tyre.

“Kjo shifër është alarmante,” thotë Taulant Muka, një shkencëtar i fushës së mjekësisë, i angazhuar me tregun farmaceutik jashtë vendit.

“Analizat duhet të jenë të rregullta, sistematike dhe të bazuara në përzgjedhje të rastësishme për të garantuar kontrollin real të cilësisë,” shtoi ai, duke e vënë theksin te barnat që nuk janë të certifikuara nga agjenci të njohura ndërkombëtarë si EMA/FDA.

Kapacitetet e reduktuara e këtij laboratori janë një sekret që e dinë të gjithë mjekët, të cilët në rast se u duhet të bëjnë verifikime të medikamenteve, janë të detyruar t’i dërgojnë jashtë vendit.

“Unë personalisht nuk kam pasur rast, por ka pasur disa mjekë që kanë kërkuar të bëhen analizat e disa tabletave që nuk kanë pasur as emër as asgjë tjetër dhe kemi kërkuar të dimë p.sh a është leverotoksinë kjo apo jo dhe janë çuar jashtë,” tha Toti nga shërbimi i Endokrinologjisë.

“Teorikisht çdo medikament që futet duhet të jetë aprovuar dhe i kontrolluar nga qendra e kontrollit të barnave, praktikisht agjecia nuk ka asnjë lloj laboratori për të verifikuar barnat,” shtoi ai.

Vetë AKBPM thotë se ka ndërmarrë masa për kryerjen e analizavre dhe prej 31 janarit 2025, dy laboratorët testues, ai fiziko-kimik dhe mikrobiologjik janë akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, “duke bërë të mundur akreditimin për 105 indekse si laborator testues”.

“Akreditimi me ISO 17025:2017 tregon se një laborator funksionon në mënyrë kompetente dhe gjeneron rezultate të sakta, duke përmirësuar besimin në shërbimet që ai ofron,” tha AKBPM, duke shtuar se ky akreditim vendos “një standard të munguar”.

Mirëpo ekspertët e shohin me dyshim faktin se akreditimi do të ketë ndonjë ndikim real në situatën e medikamenteve që qarkullojnë në treg.

“Ne nuk vuajmë nga fakti është i akredituar apo jo, ne vuajmë se sa reale janë përgjigjet e analizave që dalin,” tha Diana Toma, duke shtuar se laboratori duhej të ishte aprori i akredituar.

Toma është kritike ndaj përdorimit të marrëveshjes CEFTA në tregun farmaceutik, ndërsa thekson se problemi kryesor i shëndetësisë sot është fakti që tregtia po prevalon mbi cilësinë.

“Tregun farmaceutik ti e sheh vetëm si tregti, pra nuk prevalon siguria e barit, por prevalon efektoi financiar,” tha ajo.

Në momentin që një medikament regjistrohet për përdorim në Shqipëri, kompania prodhuese apo firma farmaceutike duhet të sjellë certifikatën e origjinës, por për ekspertët AKBPM ka detyrimin ligjor të bëjë verifikimin e çdo medikamenti dhe jo ti besojë vetëm dosjes.

Profesori Ilir Pecnikaj thotë se në tregun shqiptar qarkullojnë rreth 244 molekula, ndërkohë akreditimi për 105 indekse tregon për një vlerë minimale të ekzaminimeve që mund të kryhen.

“Kontrolli filestar duhet bërë për çdo regjsitrim bari, por ne sot bëjmë vetëm kontrollin e dosjes, dhe jo analiza laboratorike,” tha Pecnikaj për BIRN.

“Përveç principit aktiv duhet të analizohen edhe mbushësit, por të paktën sasinë e lëndëve aktive është e detyruar të bëhet për çdo medikament, por nuk bëhet,” shtoi ai.

Zinxhiri i këputur

Një nga mekanzimat që Agjencia e Barnave ka në dispozicion për të monitoruar cilësinë dhe sigurinë e medikamenteve është farmakovigjilenca, një mekanizëm që synon të mbledhë të gjithë raportimet për efekte të padëshiruara të medikamenteve apo problematika të tjera.

Megjithatë, edhe ky mekanizëm nuk funksionon siç duhet.

Një farmaciste në zonën e Astirit thotë se nuk i ka ndodhur asnjëherë që të njoftohet nga Agjencia për probleme me ndonjë medikament, gjë që sipas saj e bëjnë vetë kompanitë prodhuese.

“Njëherë kam tentuar me farmakovigjilencën, një blister që e bleu pacienti në farmacinë time i doli i mykur dhe menjëherë njoftova agjencinë nëpërmjet farmakovigjilencës, por nuk m’u përgjigjën asnjëherë,” thotë farmacistja.

“Unë i besoj shtetit tim, dhe besoj se shteti e ka kontrolluar, por mua më del produkti jo në rregull dhe askush se vuri ujin në zjarr edhe pas njoftimit,” shtoi ajo.

Ndonëse AKBPM e konsideron farmakovigjilencën si një ndër shtyllat kryesore, në fakt njoftimet për problemet me medikamentetet, që merren direkt nga EMA, janë jo vetëm shumë të pakta, por me disa javë e deri në disa muaj vonesë.

BIRN verifikoi disa prej njoftimeve në faqen e AKBPM dhe rezulton se ato datojnë 1 deri në 3 muaj vonesë në raport me EMA. Një vonesë e tillë për probleme që mund të sjellë pasoja serioze te konsumatorët konsiderohet e papranueshme nga ekspertët.

“Agjencia e barnave duhet të jetë në alert në mënyrë imediate me të gjitha instituconet e tjera, nuk është se nuk i vjen njoftimi, por nuk bën implemtimin dhe lidhjen me sistemin e alertit në kohë. Agjencia e barnave është inekzistente në të gjitha këto raste, pasi nuk funksionon i gjithë zinxhiri,” thotë pedagogu Pecnikaj.

Për Diana Tomën, fakti që nuk ka pasur denoncime tek farmakovigilenca nuk tregon mungesën e problemeve, por mungesën e besimit.

“…sa kohë që në faqen zyrtare nuk kemi informacion, sa kohë që akreditimi i instituconit është i vonët krahasuar me historikun e tij, për sa kohë ne kemi pushtim të tregut nga barna që origjinën e kanë më pak të pëlqyer se sa barnat që tregtohen në komunitetit evropian, sigurisht që besimi i pacientëve do të lëkundet,” theksoi Toma.

Shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Florian Toti thotë se origjina nuk është i vetmi problem me barnat në Shqipëri, të cilat sipas tij nuk ruhen dhe transportohen siç duhet.

Toti merr si shembull insulinat, të cilat duhet të ruhen në 2-8 gradë ose në të kundërt siguria e tyre është e dyshimtë. Por sipas tij mungon sistemi i gjurmimit.

“Në doganë kamioni pret 1-5 ditë dhe askush nuk të garanton më a është respektuar ky protokoll. Medikamentet transportohen në cepat më të largët, të mos harrojmë që edhe në mes të Tiranës energjia mungon për orë të tëra. Pastaj konsumatori e mban 5- 6 orë në çantë, pra zinxhiri është i pamonitoruar,” thekson ai.

Ekspertët e shëndetësisë këmbëngulin se mungesa e transparencës dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe krijon një sistem shëndetësor me dy nivele: një për ata që kanë mundësi të gjejnë mëyra dhe të trajtohe me medikamnete që i marrin jashtë vendit dhe një për të tjerët që mbesin pas. Në këtë situatë, nuk mungojnë edhe sugjerimet për një reformë të re.

“Rishikimi i mënyrës së licencimit të farmacive, vendosja e standardeve për shitjen e barnave, dhe mbi të gjitha, forcimi i kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Barnave,” thotë eksperti Muka për ndërhyrjet që duhen bërë.

“Mungesa e besimit të qytetarëve është tregues i qartë se sistemi aktual nuk funksionon si duhet,” përfundoi ai./Reporter.al

Nuredin bej Vlora: dy herë kandidat për president dhe kryeministër i Shqipërisë

Nga dr. Hasan Bello

Nuredin bej Vlora ka lindur në Stamboll në vitin 1889. Ai ishte pinjoll i Familjes Vlora dhe djali i ish-kryeministrit të Perandorisë Osmane, Ferit Pashë Vlorës. I shkolluar në katedrat më të mira të kohës, Nuredin beu do të angazhohet në periudhën e krijimit të shtetit shqiptar si kundër lëvizjes vorioepirote ashtu edhe kundër Kryengritjes në Shqipërinë e Mesme (1914-1915).

Në vitet e Luftës së Parë Botërore ai u vendos në Evropë dhe më 1917 u martua me amerikanen Helen Margret Kelly (1884-1952). Më pas shkoi në ShBA dhe në maj të vitit 1918 u zgjodh anëtar i Kryesisë dhe kryetar nderi i Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, kryetar i së cilës ishte patrioti Kristo Dako. Nuredin beu e përfaqësoi këtë parti në Konferencën e Paqes, duke mbrojtur interesat shqiptare kundër pretendimeve italiane dhe serbo-greke.

Në vitin 1925-1927 Nuredin beu u emërua kryetar i Bashkisë së Vlorës, duke lënë gjurmë në urbanistikën e qytetit. Por për arsye që nuk dihen ai u shkarkua nga kjo detyrë. Kjo dhe të tjera shkaqe e kthyen atë në kundërshtar të A. Zogut.

Në vitin 1935 ai mori pjesë aktive në Kryengritjen e Fierit, drejtuesit e të cilës kishin parashikuar rikthimin e republikës dhe emërimin e tij si president. Për këtë, ai mbështetej në prapaskenë nga italianët. Dështimi i saj solli arrestimin dhe dënimin e tij me vdekje. Ndërhyrja e “faktorit ndërkombëtar” e detyroi A. Zogun që ta amnistonte. Por kjo nuk ishte hera e parë që ai shihej si kandidat potencial. Në vitet e LDB edhe gjermanët e planifikonin atë si kryeministër.

Aktivizimi i tij në radhët e Ballit Kombëtar bëri që në vitin 1944 ai të largohej nga Shqipëria.

Nuredin beu vdiq më 23 tetor 1964 në qytetin Heidelberg të Gjermanisë. Emri i tij filloi të përmendej pas rënies së komunizmit. Kështu ndodhi edhe me Ferit Pashë Vlorën, i cili refuzoi të merrte postin e kryeministrit në vitin 1914, kur elita politike shqiptare deklaroi se, ai ishte i vetmi person që mund ta nxirrte vendin nga kriza.

(Në foto Nuredin bej Vlora vetëm dhe me djalin e xhaxhait, personalitetin e njohur Eqrem bej Vlora)

Ish-portieri i Lacios: Igli Tare jeton me skuadrën, do të shkëlqejë edhe te Milani

Federiko Marketi e njeh mirë Igli Taren. Ishte ai që e transferoi te Lacio, duke i dhënë shansin e jetës, por praktikisht edhe ai që i tregoi se nuk ishte më në planet e bardhekaltërve. Por gjithsesi ai ruan respekt për të dhe thotë se është lëvizja e duhur për Milanin.

NJOHJA- “Unë kam qenë një vit pushim dhe kisha shumë dëshirë për t’u rikthyer në fushë. Humba edhe Kombëtaren në atë kohë dhe kisha frikë se mos nuk e gjeja më nivelin tim. Tare ishte vendimtar, bashkë me presidentin Lotito. Pas largimit të Muslerës, më treguan se isha i duhuri. Tare kishte durim. Nuk e shihja fushën e lojës prej një viti dhe në 2-3 ndeshjet e para isha i shokuar. U zhbllokova më vonë”.

INTELIGJENT- “Në pamje të parë, Tare duket një person shumë i mbyllur. Por sapo të njeh është një njeri që di të njohë anën personale të atletit. Nuk të gjykon vetëm në aspektin sportiv. Lojtarët kalojnë momente të vështira dhe sigurisht që ai më ka qëndruar afër. Kam qëndruar për vite me radhë te Lacio, edhe pse kam pasur momente ku kam diskutuar me të për merkaton. Është një person inteligjent që kupton nga futbolli dhe me vitet është përmirësuar. E meriton këtë shans”.

RRITJA- “Duhet të them që ka mësuar shumë gjëra duke menaxhuar situata të ndryshme dhe duke qenë korrekt. Nuk mund të them që s’ka pasur edhe ndonjë diskutim të ashpër, por gjithmonë përfundonte mirë dhe me synimin për të zgjidhur problemin”.

PËRJASHTIMI– “Klubi dhe trajneri donin një profil më të ri, siç ishte Strakosha, dhe për mua nuk kishte më hapësira. Tare më qëndroi afër edhe pse e dinte që në nivelin profesional u godita. Por mendoj që e zgjidhi situatën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai ishte i qartë me mua që në fillim. Tare dhe Lotito më mbrojtën kur nisa aventurën me Lacion, edhe pse bëra gabime”.

MILANI- “Lacio ishte një klub i rëndësishëm, ku ka presion. Por Tare ia doli që të zgjidhte mirë problemet dhe ta menaxhonte situatën. Te Milani duhet të fitosh trofe. Sigurisht që do të ketë presion, por ai do ta jetojë si një stimul më shumë”.

Ndahet dosja “Sterilizimi”, të pandehurit do gjykohen me gjykim të shkurtuar përveç Ilir Beqajt!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për të gjithë të pandehurit në çështjen “Sterilizimi”, me përjashtim të Ilir Beqajt, i cili nuk ka aplikuar për këtë formë gjykimi.

 

Kjo do të thotë se Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi do të përfitojnë nga ulja e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë, në bazë të procedurës së përshpejtuar.

Ndërkohë, Ilir Beqaj do të gjykohet në procedurë të zakonshme, ndërsa ai ka vijuar të kundërshtojë akuzat ndaj tij, duke kërkuar qartësi në formulimin e tyre.

Mësohet se ish-ministri është larguar nga salla e gjyqit para se të mbaronte seanca gjyqësore dhe të jepej vendimi  nga trupa gjykuese.

 

DOSJA

Pasi ish-ministri i Shëndetësisë u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.

I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.

Prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre.

“Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty,” tha Beqaj për gazetarët jashtë dyerve të SPAK.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj po ashtu konfirmoi kontrollin për mediat dhe shtoi se ishin sekuestruar dokumente, kompjuterë dhe telefonat celularë dhe konfirmoi se veprimet hetimore lidheshin me rolin e ish-ministrit si drejtues i SASPAC.

Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për t’i caktuar atij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat mbi aferën e sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni i tij si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kurtulaj nuk ishte i arritshëm për koment.

Interesa pasurore të fshehura

Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.

Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura.  Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.

Megjithëse Adriana Beqaj i dhuroi dhe i shiti aksionet e saj në kompaninë “Albanian Food and Hospitality Lab” në janar 2020, bazuar në përgjimet telefonike të realizuara nga Prokuroria në dhjetor 2023, ngrihen dyshime se ish-ministri Beqaj vazhdon të ketë interesa pasurore në restorantin Gzona. Në këto përgjigjime, Beqaj përdor telefonin e shoferit të tij, Arben Dani për te komunikuar me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj në mënyrë që të lidhet me administratorin e restorantit, Gazmend Prenga.

Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Po ashtu, rezulton se shtetasi Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme një automjet luksoz të modelit Audi A8, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Ermal Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.

Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba, prokuroria vëren se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, nga të cilat e fundit rezulton të jetë marrë me 12 dhjetor në momentin kur mjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj dhe është parkuar përpara SPAK. Ish-ministri paraqitet çdo javë në Prokurori për shak të masës detyrim paraqitje si pjesë e hetimit të sterilizimit.

I pyetur për Ermal Kurtualajn, ish- ministri deklaroi të premten se e njeh prej shumë vitesh dhe prej punës në SASPAC.

“Ermal Kurtulajn e njoh prej 15 vitesh,” tha ai.  “Që nga maji i 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej edhe nga SASPAC-u,” shtoi Beqaj.

Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Prokuroria ka rezultuar se Ermal Kurtulaj rezulton i përfshirë në punët e restorantit Gzona. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit të dhjetorit, ka disa komunikime ndërmjet tyre në lidhje me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për atë.

“Nga komunikimet e kryera dyshohet se personi nën hetim, Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj, dyshime të cilat ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi (Ilir Beqaj) si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj,” shprehet prokurorja Elida Kaçkini në kërkesën “Për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve” drejtuar Gjykatës së Posaçme.

Në dalje nga SPAK të premten, Ilir Beqaj mohoi të kishte akoma interesa financiare mbi restorantin.

“Lokali Gzona nga shkurti i vitit 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare me familjen time,” tha ai. “Bashkëshortja ime është larguar para 4 vitesh dhe nga e gjithë puna, ka marrë 1.5 milionë lekë të vjetra,” shtoi Beqaj.

Gzona me fondet e BE-së

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, u themelua nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit 2021, ndërsa kryeministri Edi Rama emëroi në krye të Agjencisë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Roli i kësaj agjencie është që të koordinojë veprimtarinë dhe programet kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, si dhe të monitorojë zbatimin e tyre. Një ndër programet që SASPAC menaxhon dhe monitoron është programi ‘USAIR Facility Point’, i cili është një projekt strategjik i 9 (nëntë) partnerëve në tetë vende, me qëllim mbështetjen e proceseve të zbatuara në kuadër të bashkëpunimit makro -rajonal të rajonit Adriatiko-Jonian.

Koordinator i këtij projekti është emëruar shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili konsiderohet si lehtësues që mbështet Koordinatorin Shtetëror të SASPAC, Ilir Beqaj në përmbushjen e detyrave të tij.

Sipas SPAK, rreth orës 4 pasdreke më 16 gusht 2023, shoqëria tregtare ‘Landways International’ ka lëshuar një faturë me përshkrimin ; kontratë shërbimi’ dhe vlerë 149,809.21 euro kundrejt programit EUSAIR të drejtuar nga Kurtulaj. Disa minuta përpara, restoranti Gzona i ka lëshuar kësaj kompani një faturë me vlerë 4,18 milionë lekë dhe përshkrim shërbime kateringu.

Fakti që faturat janë lëshuar pak minuta pas njëra-tjetrës, krijon dyshimin e arsyeshëm “që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare Landëays ka paguar ndaj Gzonës, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eussair-i.”

Prokuroria ngre pikëpyetje se një rast i ngjashëm i restorantit është regjistruar me shoqatën ‘Foreign Investors Association of Albania’ (FIAA). Sipas faturave rezulton projekti Eusair ka lëshuar faturë shitje ndaj FIAA me 17 gusht 2023, ora 15:40:55, në vlerën 22,000 Euro dhe kjo shoqatë ka lëshuar 25 minuta më vonë, faturën me vlerë 350,000 lekë kundrejt restorantit “Gzona”.

Për të transferuar fondet e projektit USAIR drejt restorantit ‘Gzona’ duke humbur gjurmët janë përdorur dhe fatura të lëshura nga biznese të tjera kulinare. Nisur nga komunikimi i përgjuar me 11 nëntor midis Ermal Kurtulajt dhe administratorit të restorantit Me’NAM diskutohet transferimin i një vlere prej 325 mijë lekësh nëpërmjet faturave fiktive.

“Këto fatura… i përkasin restorantit “Gzona” dhe këto veprime janë kryer për qëllime që të fshihet lidhja me Gzonës dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë drejtori i SASPAC-ut që monitoron këto projekte,” thekson prokuroria.

Fatura fiktive dhe konflikt interesi

Sipas Prokurorisë së Posaçme, koordinatori i ‘USAIR Facility Point’, Ermal Kurtulaj dyshohet si personi kyç në skemën korruptive për keqpërdorimin e fondeve të BE-së nëpërmjet faturave fiktive. Sipas SPAK, ai është përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare dhe OJF, duke vendosur vlera fiktive në faturime me qëllim përftimin personal.

Nga përgjimet telefonike, Prokuroria shprehet se Kurtalaj ka kërkuar dhe siguruar dy fatura fiktive me vlerë 51,800 euro edhe nga shoqëria “Nine Services Int”, që ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulencë në aktivitete sportive” – në veçanti në sportin e futbollit.

Kurtulaj është përgjuar duke kërkuar dhe siguruar fatura fiktive nga disa shoqëri tregtare në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë si dhe fatura konsulence nga persona fizikë me vlerë dhjetra mijëra euro. Në një rast, Kurtulaj është vëzhguar nga prokuroria duke marrë atë që në dukje kuptohet si ryshfet nga administratorja e një prej bizneseve që lëshonte fatura fiktive.

Sipas Prokurorisë, nga të dhënat e administruara deri në këtë fazë të procedimit, shtetasi Ermal Kurtulaj rezulton se përfshihet edhe veprime të tjera më punonjës të Agjencisë, konkretisht me shtetasen Mira Topçiu, nëpunëse financiare pranë SASPAC, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kryejnë po ashtu veprime me të njëjtën natyrë, ku në të paktën një rast rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar si qira salle dhe shërbim kateringu.

Përveç këtij fakti, rezulton se të dy këta persona kanë të regjistruar në emër të tyre OJF dhe person fizik, të cilat kryejnë veprime me njëri-tjetrin po në funksion të veprimtarisë së tyre shtetërore, duke qenë kështu edhe në konflikt interesi.

Tregu i punës favorizon meshkujt/ Hendeku gjinor në vend, diferencë e lartë mes punësimit të dy gjinive

Në vitin 2024, Shqipëria renditet ndër vendet me hendekun më të thellë gjinor në punësim në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, diferenca mes normës së punësimit të burrave dhe grave në vendin tonë arrin në 12.6 pikë përqindje, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 9.2 pikë përqindje.

Ky tregues, i njohur si “hendeku gjinor i punësimit”, mat diferencën mes normës së punësimit të meshkujve dhe femrave të moshës 15–64 vjeç. Në Shqipëri, për vitin 2024, norma e punësimit për gratë është 62.4%, ndërsa për burrat 75%. Për krahasim, mesatarja e BE-së është 66.2% për gratë dhe 75.4% për burrat.

Pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, Shqipëria renditet ende në vendin e shtatë nga fundi në Europë për normën e punësimit të grave. Më keq se ne qëndrojnë vende si Serbia, Rumania, Greqia, Italia dhe Turqia.

Ndër vendet me pabarazitë më të thella gjinore në punësim kryesojnë Turqia me 36.3 pikë përqindje dhe Italia me 17.8 pikë përqindje. Në anën tjetër të spektrit, Finlanda, Estonia dhe Lituania kanë treguesit më të mirë, me diferenca minimale nga 0.4 në 1.2 pikë përqindje.

Pabarazia gjinore në punësim lidhet me faktorë të ndryshëm si diskriminimi në tregun e punës, pjesëmarrja e ulët e grave në vendimmarrje, si dhe barrën e kujdesit për fëmijët dhe punën e papaguar në familje. Këto barriera vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në aksesin dhe qëndrueshmërinë e grave në tregun e punës. Ky hendek i theksuar gjinor në Shqipëri ngre pikëpyetje serioze mbi politikat aktive të tregut të punës dhe efektivitetin e masave për barazi gjinore./SCAN

BE-ja kërkon formimin e Qeverisë së re të Kosovës, ambasadori Orav: Kemi nevojë për një partner!

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë të mërkurën se shpreson se Kosova do ta formojë sa më shpejt qeverinë e re, me të cilën blloku evropian mund të punojë për rrugën e vendit drejt integrimit evropian.

Aivo Orav

Duke folur në konferencë në Prishtinë, e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, Orav tha se Kosova mund të bëjë gjëra të cilat e çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv”, theksoi Orav në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ai shtoi se BE-ja ka “nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ngërçi politik vjen pasi asnjë pari nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe nga mungesa e vullnetit nga partitë politike për krijimin e ndonjë koalicioni qeverisës.

Ndërkohë, Orav foli edhe për çështje të tjera, si masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Duke folur për masat, të cilat BE-ja tha javën e kaluar se ka filluar t’i heqë dalëngadalë, Orav tha se Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me bllokun për heqjen e tyre në tërësi.

Në lidhje me Asociacionin, Orav theksoi se BE-ja e ka bërë gjithmonë të qartë se ai duhet të themelohet.

“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha ai.

Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta dërgojë këtë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe Sorensenit gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 17 mars./REL

Zelensky nga Berlini: Rusia përsërit ultimatume të vjetra, nuk ofron asgjë të re për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot nga Berlini se Rusia nuk ka paraqitur asnjë propozim të ri për t’i dhënë fund luftës, por vazhdon të përsërisë ultimatume të njohura tashmë nga e kaluara.

 

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelensky theksoi se Ukraina nuk pranon asnjë lloj kushti për arritjen e një armëpushimi dhe i konsideron veprimet e Rusisë si pjesë e një fushate propagandistike pa përmbajtje reale.

“Bota po pret prej më shumë se një jave që Rusia të finalizojë të ashtuquajturin memorandum për paqe. Deri më tani nuk ka asgjë të re, vetëm ripërsëritje të ultimatumeve të vjetra”, tha ai.

Sipas tij, thelbi i konfliktit buron nga, siç u shpreh ai, “një dëshirë kriminale e Rusisë për të vrarë njerëz dhe për të shkatërruar jetë”, ndërsa paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm nëse Moska ndryshon qasjen.

Zelensky bëri thirrje për intensifikimin e presioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit. Ai theksoi se zgjatja e luftës duhet të jetë e dhimbshme për Moskën dhe se Gjermania po e mbështet Kievin në këtë drejtim.

Deklarata e presidentit ukrainas vjen pas një telefonate të gjatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan Donald Trump më 19 maj, ku Putin u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Ukrainën mbi një memorandum për paqe dhe një armëpushim të përkohshëm.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina nuk është informuar mbi përmbajtjen e këtij dokumenti. “Nuk dimë çfarë përfshin ky memorandum, cilat parime synon të përfshijë Rusia”, u shpreh ai.

Në përfundim, Zelensky ritheksoi se çdo iniciativë për paqe duhet të jetë pa kushte dhe të bazohet në rikthimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ai hodhi poshtë çdo përpjekje për imponim kushtesh përmes deklaratave publike, duke i quajtur ato “manovra propagandistike pa vlerë reale”.

‘LSI 369 mijë$ të padeklaruara për lobim’, Meta e pranon: Shkelet ligji, por unë s’di gjë, të pyeten kushëriri i Monikës e Eriol Braimllari!

Statusi i të pandehurit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie për Ilir Metën duket se është një arsye që luftën me ish-bashkëshorten Kryemadhi dhe ish-bashkëpunëtorët në LSI ta intensifikojë.

Përmes një postimi mbi 5 faqe në Facebook, nga qelia e burgut 313 ku u rikthye pasi SPAK i komunikoi akuzat zyrtare të martën, Meta flet për lobimin në SHBA, ku pranon se një shifër 369 mijë dollarëshe që SPAK e citon si të padeklaruar nga LSI mund të jetë e vërtetë. Por për këtë ai nuk di asgjë.

Nëse del diferenca midis pagesave të deklaruara nga kompanitë në SHBA për llogari të LSI dhe atyre që ka deklaruar LSI në KQZ, atëherë pa diskutim që kemi një problem serioz me ligjin amerikan dhe shqiptar, por kjo nuk ka asnjë lidhje me Ilir Metën, sepse as kam qenë në dijeni të pagesave të paligjshme nga dikush dhe as kam autorizuar dikë në SHBA të bëjë veprime të tilla të cilat janë ose diletante ose të qëllimshme

Për të sqaruar se kush ka përgjegjësi ligjore për të gjitha këto, Ilir Meta thotë se duhen pyetur 2 persona, Adrian Shatku (kushëri i Monika Kryemadhit) si dhe Eriol Braimllari, ish Drejtori i Kabinetit të Metës.

Natyrisht, personi i parë që duhej pyetur quhet Adrian Shatku, i cili ka qenë prezantuesi i këtyre kompanive me LSI dhe ka mbajtur lidhjet me to. Ky është një shqiptaro-amerikan-dibran, shumë i njohur për prokurorët e SPAK-ut, por çuditërisht i papyetur se paska tre vjet që nuk paska ardhur në Shqipëri. Çudi pse?

Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespondencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo.”

Ish drejtorin e tij të kabinetit, Meta e lidh edhe me një tjetër përgjegjës armik, Endrit Braimllari, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së.

Kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka pasur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, duke qenë përgjegjës edhe për organizimin dhe për financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri në SPAK si përfaqësues i PL (LSI), doli si “rilindas” i Edi Ramës dhe, siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë”, shkruan Meta.

Por për cilën pjesë të lobimit flet Meta? Bëhet fjalë për kontrata për konsulenca lobimi mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Global Security and Inovative Solution LLC dhe JPM Strategic Solutions, për të cilat thotë Meta se kontaktet i mbante Adrian Shatku. Në fakt SPAK thotë se nga hetimet rezulton se nga janari 2016 – Dhjetor 2017 LSI i ka paguar kompanisë GSIS LLC, për qëllime konsulence dhe lobimi mbi 463USD dhe ka deklaruar shpenzime për konsulencë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe ka paraqitur pranë SPAK vetëm tre fatura të paguara që shkojnë 93,761 USD. Diferenca prej 369.785 USD është paguar nga një entitet i pa deklaruar nga partia LSI.

Gjithashtu SPAK evidenton se 12 pagesa të cilat kompania “UNIFI Communication INC” me drejtor ekzekutiv kushëririn e Monika Kryemadhit Adrian Shatkun ka bërë në llogari të kompanisë JPM Strategic Solutions. Kujtojmë se në biznesin e Unifi në  Shqipëri, SPAK dyshon se ishte bashkëortake edhe Monika Kryemadhi.

Në reagimin e kësaj të mërkure, kreu i Partisë së Ilir Meta flet edhe për një tjetër kontratë lobimi të ish LSI, atë me “McKeon Group”. Për këtë kontratë bën me faj ish-bashkëpunëtorin e tij në LSI, deputetin Vangjel Tavo (edhe pse nuk e përmend me emër se ai e ka prezantuar me avokatin greko-amerikan në Greqi, Fidetzis.

Madje për Metën, Tavo kishte propozuar në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së që të paguheshin 15 mijë USD parapagim për kompaninë “McKeon Group”, nga të cilët pranon se kishte marrë ftesa për ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump në vitin 2016, por që sipas tij nuk i ka përdorur bashkë me Petrit Vasilin, pasi më parë i kishte siguruar nga kongresmenë.

Postimin Meta e mbyll duke shkruar edhe një herë se asnjë provë dhe fakt nuk i çon dot Ilir Meta, përveç urdhrit politik të Edi Ramës dhe shefave të tyre që presin mandate të përjetshëm prej tij duke shërbyer si kamikazë politikë.

Eshtë e çuditshme se në këtë dosje ka shumë dibranë dhe grekë”, shkruan Meta duke lidhur origjinën e ish bashkëshortes së tij Kryemadhi nga Dibra apo ish-bashkëpunëtorit Tavo, minoritar grek.

Unë dhe Monika nuk jemi më çift, pasi jemi divorcuar edhe juridikisht plotësisht dhe unë nuk kam asnjë pretendim pronësor apo pasuror ndaj saj. Ndaj do të lutesha që përgjegjësitë të mos i trajtoni më çift, pasi ato janë individuale të secilit në raport me ligjin.”, shkruan Meta.

Ndërkohë, sa i takon fotos me Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Meta thotë se janë zyrtare dhe në New York ka qenë si President i Republikës, sipas protokollit zyrtar.

Zgjedhjet dëshmuan pazarin Rama-Berisha për të mbajtur peng vendin/ Mirela Karabina: Shqipëria meriton më shumë se klasa 34-vjeçare e tranzicionit

Në një intervistë të fundit në emisionin “7pa5” në Vizion Plus me gazetarët Alma Çupi dhe Syrjai Bakalli, Mirela Karabina, kandidate për deputete në qarkun Elbasan nga Koalicioni Euroatlantik, dha një mesazh të qartë mbi qëndrimin e saj politik dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë.

E pyetur nëse ishte penduar që nuk kishte garuar me një forcë më të madhe politike në zgjedhjet e 11 majit – një zgjedhje që mund t’i kishte garantuar karrigen e deputetes – Karabina u shpreh me vendosmëri: “Unë jam krenare që përfaqësoj Koalicionin Euroatlantik – një grupim politik që po kërkon të çajë këtë sistem dhe që ka dëshmuar koherencë, qartësi në ide dhe qëndrim të pandryshuar ndaj interesave të vendit.”

Ajo theksoi se nuk do të zgjidhte kurrë rrugën e lehtë për të arritur në Parlament nëse kjo do të thoshte të shkelte mbi parimet e saj. Për Karabinën, Trekëndëshi politik 35-vjeçar – bashkëpunimi i fshehtë dhe i dëshmuar ndër vite mes PS, PD dhe LSI – është një bllokadë ndaj zhvillimit demokratik të vendit. Ajo akuzoi forcat tradicionale politike për pazar të hapur në zgjedhjet e fundit: “Zgjedhjet e 11 majit dëshmuan qartë pazarin PS+PD për të ruajtur pushtetin e tyre si mburojë ndaj drejtësisë dhe në kurriz të qytetarëve.”

Sipas saj, më 11 maj demokratët u tradhtuan dhe shqiptarët humbën.

Megjithatë, ajo thekson se beteja nuk përfundon këtu. Karabina garanton se Koalicioni Euroatlantik do të mbetet një zë i fortë dhe i pandalshëm përballë sistemit që, sipas saj, po pengon çdo forcë ndryshe. “Ne do të vazhdojmë të jemi një zë i fortë përballë këtij sistemi që pengon çdo forcë ndryshe, përballë Trekëndëshit të Bermudes dhe në krah të qytetarëve.”

Në përmbyllje, ajo deklaroi se beteja ligjore e Lulzim Bashës dhe e gjithë grupimit të saj për legjitimitetin e Partisë Demokratike do të vazhdojë deri në triumfin e së drejtës. “Shqipëria meriton më shumë,” ishte mesazhi përfundimtar i Karabinës, një thirrje për ndryshim dhe një apel për qytetarët që të mos dorëzohen përballë padrejtësisë politike.