31.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Takimi me Zelenskyn, Merz: Gjermania do të financojë raketat me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merz, në konferencën për shtyp me Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi i tij do të financojë raketat me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Ukrainë, por konkretisht do të dorëzojë raketën gjermane Taurus.

 

Kur u pyet për raketat Taurus, Merz tha se Gjermania dëshiron të mundësojë prodhimin e përbashkët të raketave me rreze të gjatë veprimi, por nuk do t’i zbulojë detajet publikisht.

“Nuk do të hyj në detaje këtu, por më lejoni të them se mbështetja ushtarake do të vazhdojë dhe ne do ta zgjerojmë mbështetjen në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbrojë veten.

Do të doja të theksoja diçka të re. Ne do të financojmë një sasi të konsiderueshme të Starlinks dhe ministritë tona të mbrojtjes do të nënshkruajnë një memorandum mbi raketat me rreze të gjatë veprimi. Nuk do të ketë kufizime në rreze veprimi, kështu që Ukraina mund të mbrohet përtej kufijve të saj”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se Gjermania “dëshiron paqe të përhershme për Ukrainën”.

Dosja “Sterilizimi”/ Ilir Beqaj në GJKKO

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në seancën për dosje e “Sterilizimit”, është shprehur se gjykata e ka pushuar procedimin penal të ngritur ndaj tij, duke i dhënë pafajësinë.

Beqaj deklaroi se këtë vendim ia kishte kërkuar disa herë SPAK, por sipas tij nuk ia kishte dhënë, ndërsa shtoi se më pas e siguroi nga Kuvendi.

“Bëhet fjalë për vendimin e pushimit të një procedimi penal të prokurorit të Tiranës, Endrit Bimi, që për mua është vendim pafajësie”, theksoi ai.

Ish-ministri iu drejtua togave të zeza të GJKKO-së, duke thënë që “i kujtoj gjykatës, që një nga rekomandimet e qeverisë të paraqitura nga ministri i Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme ishte sundimi i ligjit kërkohet respektimi strikt i të drejtave proceduralie të të pandehurve”.

 

Ilir Beqaj: Unë i kam kërkuar SPAK një vendim disa here, por nuk na e dha.

E siguruam më pas nga Kuvendi, që na e dha, pasi ju kishte shkuar nga SPAK mes materialeve për komisionin hetimor.

Bëhet fjalë për vendimin e pushimit të një procedimi penal të prokurorit të Tiranës, Endrit Bimi, që për mua është vendim pafajësie.

I kujtoj gjykatës, që një nga rekomandimet e qeverisë të paraqitura nga ministri i Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme ishte:

Sundimi i ligjit kërkohet respektimi strikt i të drejtave proceduralie të të pandehurve.

Dosja 5D/ GJKKO shpall vendimin, ja me sa vite burg u dënua drejtoresha e Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçi dhe 3 të pandehurit e tjerë

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për dosjen 5D, që i përket fraksionit të dytë, duke dënuar me burg drejtoreshën e Klubit Sportiv Tiranë, Deborah Keçi dhe 3 të pandehurit e tjerë, Teuta Guri, Reinaldo Gjerazi e Jetjon Meraj 

 

Deborah Keçi është dënuar me 1 vit burg për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe iu ul me 8 muaj qëndrim pas hekurave.

Në fund GJKKO vendosi pezullimin e dënimit të saj me burg dhe vënien e saj në 16 muaj shërbim prove.

Po ashtu iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Të pandehurit e tjerë, Teuta Guri, Reinaldo Gjerazi dhe Jetjon Meraj u dënuam me nga 9 muaj burgim secili, por përfituan nga gjykimi i shkurtuar dhe iu ul në 6 muaj burg.

VENDIMET:

Deborah Keçi- Shkelje e barazisë/ 1 vit burg.

8 muaj burg me gjykim të shkurtuar.

Pezullim i dënimin me burg dhe vënien në 16 muaj shërbim prove.

5 vjet heqje të së drejtës për funksione publike

Teuta Guri- Shkelje e barazisë/ 9 muaj burg

6 muaj me gjykim të shkurtuar.

60 orë punë në interes publik

Renaldo Gjerasi- 9 muaj

6 muaj me gjykim të shkurtuar.

60 orë punë në interes publik.

Jetjon Meraj – 9 muaj burg

6 muaj me gjykim të shkurtuar.

60 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.

 
Deborah Keçi

HETIMET E SPAK

Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve, është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.

Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.

Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar në datën 01.10.2019.

Zinxhiri i këputur i kontrollit minon besimin te tregu farmaceutik shqiptar

Si shumë pensioniste të brezit të saj në Shqipëri, Sanija, 72 vjeç, jeton larg të birit që ka emigruar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por emigrimi e ka pasur një anë pozitive, pasi djali i saj kujdeset për të gjitha medikamentet që i nevojiten asaj për të kuruar tensionin, aritminë dhe osteoporozën.

“Ndryshimi i ilaçeve që më vijnë nga Amerika është si nata me ditën me këto në Shqipëri,” thotë me këmbëngulje gruaja nga Tirana. “Nëse përdor ilaçet e tensionit që i marr me rimbursim, më duhet një muaj për ta stabilizuar [tensionin], kur përdor këto që më vijnë nga Amerika, tensioni më stabilizohet për një javë,” shtoi ajo.

E moshuara nuk është e vetmja që ndan mendimin popullor se medikamentet që qarkullojnë në Shqipëri nuk janë eficente. Një grup pacientësh, mjekësh dhe ekspertë të fushës i thanë BIRN në intervista të veçanta se nuk kanë besim te tregu farmaceutik shqiptar, i cili vuan nga keqfurnizimi dhe mungesa e kontrollit.

Çështja e cilësisë dhe efikasitetit të medikamenteve mbetet një temë e diskutuar prej të paktën një dekade, që kur Ministria e Shëndetësisë ndryshoi ligjin dhe vendosi që ta hapte tregun ndaj medikamenteve të lira gjenerike, që jo domosdoshmërisht mbartin garancinë e konsumit nga qytetarë të Bashkimit Evropian.

Në mungesë të studimeve të besueshme apo transparencës, gjithmonë e më shumë shqiptarë po zgjedhin që t’i blejnë medikamentet e tyre jashtë shtetit si garanci për efikasitetin e tyre.

“Jo gjithmonë gjëja e lirë është e mirë. Dhe këtu po flasim për shëndetin e njerëzve, ku kostoja nuk matet dhe nuk është vetëm lekë,” thotë Florian Toti, shefi i shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ekspertët e sistemit shëndetësor ia faturojnë mungesën e besimit një institucioni – Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila nuk arrin të analizojë një pjesë të madhe të medikamenteve që qarkullojnë në vend.

“Pjesa dërrmuese e barnave që qarkullojnë në vendin tonë nuk testohen, ato bazohen vetëm në dosjen që dorëzon kompania. Ato (barnat) mund të jenë edhe cilësore, por përderisa nuk testohen ne nuk kemi nga ta dimë”, ngre pikëpyetje Ilir Pecnikaj, profesor i Kimisë Organike pranë departamentit të Farmacisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, i zhvlerëson shqetësimet për mungesën e kontrollit të ilaçeve dhe thekson se “barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë përmbushin kriteret e cilësisë dhe sigurisë”.

“Theksojmë se nuk ka parashikim ligjor të posaçëm që të detyrojë kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të çdo bari (*molekule) që vendoset në treg në Republikës së Shqipërisë,” tha AKBPM në një përgjigje me shkrim për BIRN, duke e cilësuar punën e saj në linjë me praktikat e BE-së.

“Regres i madh”

Medikamente mjekesore ne nje farmaci. Foto ilustruese

Në vitin 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama ndryshoi ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” në emër të një reforme për reduktimin e kostove. Ligji asociohet me emrin e ministrit të kohës së Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe efektin kryesor e pati te zgjerimi i vendeve të origjinës së medikamenteve përtej Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera të Perëndimit.

Për t’u tregtuar në Shqipëri, një medikament tashmë nuk ka nevojë që të jetë i certifikuar nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve – EMA- por mjafton që të qarkullojë në njërin nga vendet e Ballkanit apo shtete të tjera.

Ndryshimi i ligjit solli një ndryshim thelbësor në strukturën e tregut farmaceutik shqiptar me një qarkullim total prej 25.4 miliardë lekësh [259 milionë euro].

Sipas të dhënave të siguruara nga Doganat, edhe pse Gjermania apo Italia vazhdojnë që të jenë ndër importuesit kryesorë të medikamenteve, ato po konkurrohen gjithnjë e më shumë nga Turqia, Serbia, Bullgaria apo Qipro. Dhe kjo për ekspertët e mjekësisë nuk është një shenjë e mirë.

Shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Florian Toti thotë se pas ndryshimeve ligjore, cilësia dhe siguria e medikamenteve ka pësuar “një regres të madh”.

“Me idenë që duke ulur çmimin ulim edhe koston për pacient, në fakt është ulur cilësia,” tha Toti, i cili e lidh këtë me largimin e mjaft medikamenteve patentë dhe zëvendësimin e tyre me gjenerikë.

Edhe mjeku Erion Dasho, i cili e ushtron prej vitesh profesionin në Gjermani, mendon se ndryshimi i ligjit nuk ofron më garanci për cilësinë.

“Kjo ka bërë që pacientët të kenë më pak besim,” tha Dasho për BIRN.

Edhe Diana Toma, ish-drejtuese e Urdhrit të Farmacistit, e sheh me shqetësim këtë përmbysje të origjinës së medikamenteve që qarkullojnë në vend.

“Ne jemi pushtuar nga Turqia, por edhe nëse e pranojmë këtë, a mund të bëjmë një analizë: përse erdhi Turqia? Erdhi se u preferua nga qytetari shqiptar apo se u boshatis qëllimisht tregu nga molekula të tjera dhe kjo ishte forma më komode,” pyet në mënyrë retorike ajo.

Pacientët janë gjithashtu të pakënaqur dhe po i kërkojnë zgjidhjet për sëmundjet e tyre jashtë shtetit.

Mira kurohet prej vitesh nga hipertensioni dhe pësoi së fundmi një goditje ishemike të damarëve të këmbës. Efikasiteti i një kure që bleu në Itali i ka rritur dyshimet për medikamentet që ka përdorur prej vitesh.

“U habita sa shpejt më dhanë efekt,” thotë e moshuara 75-vjeçare. “Ne me pension jetojmë, por më mirë i marr me lekë jashtë, se sa i marr falas,” shtoi ajo me bindjen se ilaçet e blera në Shqipëri “nuk të bëjnë asgjë”.

Pavarësisht shqetësimeve, mjeku Florian Toti bën thirrje që gjërat të mos ekzagjerohen dhe jo të gjithë duhen futur në një thes. Sipas tij, ndonjëherë ka barna shumë cilësore nga Turqia apo India, por ka edhe shumë barna të tjera që nuk u dihet origjina.

Kontrolli i munguar 

Foto ilustruese nga Pixabay.

Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, u krijua në vitin 1965 dhe është institucioni i vetëm shtetëror përgjegjës për vendosjen në treg, eksportin, tregtimin dhe përdorimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore. Në zemër të misionit të Agjencisë qëndron laboratori i kontrollit të barnave, si e vetmja strukturë e kontrollit të cilësisë së tyre në vend.

Pasi marrin autorizimin për tregtim nga AKBPM, kompanitë prodhuese janë të detyruara të dorëzojë mostra të barnave në laboratorin e kontrollit. Por shumica e këtyre mostrave nuk testohen.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se laboratori i AKBPM ka kapacitete të limituara dhe kryen nga 230 deri në 270 analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike në vit – një shifër kjo e papërfillshme në raport me medikamentet që qarkullojnë në treg.

Sipas një auditi të vitit 2024 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, liberalizimi i tregut të origjinës së medikamenteve dhe kapacitetet e limituara të kontrollit i kanë ekspozuar qytetarët shqiptarë ndaj barnave që “nuk kanë cilësinë dhe sigurinë e standardeve të BE-së”.

“Laboratori i kontrollit të analizave pranë AKBPM nuk funksionon me kapacitet të plotë dhe është pothuajse inekzistent, fakt i cili nuk jep siguri për cilësinë e të gjitha barnave që importohen”, thuhet në raportin e KLSH.

Kapacitetet e limituara laboratorike dëshmohen edhe nga numri i paktë i analizave. Gjatë viteve 2020-2023, AKBPM ka pajisur me autorizime dhe riautorizime 3624 medikamente, por ka kryer vetëm një numër shumë të vogël analizash për vetëm 644 prej tyre.

“Kjo shifër është alarmante,” thotë Taulant Muka, një shkencëtar i fushës së mjekësisë, i angazhuar me tregun farmaceutik jashtë vendit.

“Analizat duhet të jenë të rregullta, sistematike dhe të bazuara në përzgjedhje të rastësishme për të garantuar kontrollin real të cilësisë,” shtoi ai, duke e vënë theksin te barnat që nuk janë të certifikuara nga agjenci të njohura ndërkombëtarë si EMA/FDA.

Kapacitetet e reduktuara e këtij laboratori janë një sekret që e dinë të gjithë mjekët, të cilët në rast se u duhet të bëjnë verifikime të medikamenteve, janë të detyruar t’i dërgojnë jashtë vendit.

“Unë personalisht nuk kam pasur rast, por ka pasur disa mjekë që kanë kërkuar të bëhen analizat e disa tabletave që nuk kanë pasur as emër as asgjë tjetër dhe kemi kërkuar të dimë p.sh a është leverotoksinë kjo apo jo dhe janë çuar jashtë,” tha Toti nga shërbimi i Endokrinologjisë.

“Teorikisht çdo medikament që futet duhet të jetë aprovuar dhe i kontrolluar nga qendra e kontrollit të barnave, praktikisht agjecia nuk ka asnjë lloj laboratori për të verifikuar barnat,” shtoi ai.

Vetë AKBPM thotë se ka ndërmarrë masa për kryerjen e analizavre dhe prej 31 janarit 2025, dy laboratorët testues, ai fiziko-kimik dhe mikrobiologjik janë akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, “duke bërë të mundur akreditimin për 105 indekse si laborator testues”.

“Akreditimi me ISO 17025:2017 tregon se një laborator funksionon në mënyrë kompetente dhe gjeneron rezultate të sakta, duke përmirësuar besimin në shërbimet që ai ofron,” tha AKBPM, duke shtuar se ky akreditim vendos “një standard të munguar”.

Mirëpo ekspertët e shohin me dyshim faktin se akreditimi do të ketë ndonjë ndikim real në situatën e medikamenteve që qarkullojnë në treg.

“Ne nuk vuajmë nga fakti është i akredituar apo jo, ne vuajmë se sa reale janë përgjigjet e analizave që dalin,” tha Diana Toma, duke shtuar se laboratori duhej të ishte aprori i akredituar.

Toma është kritike ndaj përdorimit të marrëveshjes CEFTA në tregun farmaceutik, ndërsa thekson se problemi kryesor i shëndetësisë sot është fakti që tregtia po prevalon mbi cilësinë.

“Tregun farmaceutik ti e sheh vetëm si tregti, pra nuk prevalon siguria e barit, por prevalon efektoi financiar,” tha ajo.

Në momentin që një medikament regjistrohet për përdorim në Shqipëri, kompania prodhuese apo firma farmaceutike duhet të sjellë certifikatën e origjinës, por për ekspertët AKBPM ka detyrimin ligjor të bëjë verifikimin e çdo medikamenti dhe jo ti besojë vetëm dosjes.

Profesori Ilir Pecnikaj thotë se në tregun shqiptar qarkullojnë rreth 244 molekula, ndërkohë akreditimi për 105 indekse tregon për një vlerë minimale të ekzaminimeve që mund të kryhen.

“Kontrolli filestar duhet bërë për çdo regjsitrim bari, por ne sot bëjmë vetëm kontrollin e dosjes, dhe jo analiza laboratorike,” tha Pecnikaj për BIRN.

“Përveç principit aktiv duhet të analizohen edhe mbushësit, por të paktën sasinë e lëndëve aktive është e detyruar të bëhet për çdo medikament, por nuk bëhet,” shtoi ai.

Zinxhiri i këputur

Një nga mekanzimat që Agjencia e Barnave ka në dispozicion për të monitoruar cilësinë dhe sigurinë e medikamenteve është farmakovigjilenca, një mekanizëm që synon të mbledhë të gjithë raportimet për efekte të padëshiruara të medikamenteve apo problematika të tjera.

Megjithatë, edhe ky mekanizëm nuk funksionon siç duhet.

Një farmaciste në zonën e Astirit thotë se nuk i ka ndodhur asnjëherë që të njoftohet nga Agjencia për probleme me ndonjë medikament, gjë që sipas saj e bëjnë vetë kompanitë prodhuese.

“Njëherë kam tentuar me farmakovigjilencën, një blister që e bleu pacienti në farmacinë time i doli i mykur dhe menjëherë njoftova agjencinë nëpërmjet farmakovigjilencës, por nuk m’u përgjigjën asnjëherë,” thotë farmacistja.

“Unë i besoj shtetit tim, dhe besoj se shteti e ka kontrolluar, por mua më del produkti jo në rregull dhe askush se vuri ujin në zjarr edhe pas njoftimit,” shtoi ajo.

Ndonëse AKBPM e konsideron farmakovigjilencën si një ndër shtyllat kryesore, në fakt njoftimet për problemet me medikamentetet, që merren direkt nga EMA, janë jo vetëm shumë të pakta, por me disa javë e deri në disa muaj vonesë.

BIRN verifikoi disa prej njoftimeve në faqen e AKBPM dhe rezulton se ato datojnë 1 deri në 3 muaj vonesë në raport me EMA. Një vonesë e tillë për probleme që mund të sjellë pasoja serioze te konsumatorët konsiderohet e papranueshme nga ekspertët.

“Agjencia e barnave duhet të jetë në alert në mënyrë imediate me të gjitha instituconet e tjera, nuk është se nuk i vjen njoftimi, por nuk bën implemtimin dhe lidhjen me sistemin e alertit në kohë. Agjencia e barnave është inekzistente në të gjitha këto raste, pasi nuk funksionon i gjithë zinxhiri,” thotë pedagogu Pecnikaj.

Për Diana Tomën, fakti që nuk ka pasur denoncime tek farmakovigilenca nuk tregon mungesën e problemeve, por mungesën e besimit.

“…sa kohë që në faqen zyrtare nuk kemi informacion, sa kohë që akreditimi i instituconit është i vonët krahasuar me historikun e tij, për sa kohë ne kemi pushtim të tregut nga barna që origjinën e kanë më pak të pëlqyer se sa barnat që tregtohen në komunitetit evropian, sigurisht që besimi i pacientëve do të lëkundet,” theksoi Toma.

Shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Florian Toti thotë se origjina nuk është i vetmi problem me barnat në Shqipëri, të cilat sipas tij nuk ruhen dhe transportohen siç duhet.

Toti merr si shembull insulinat, të cilat duhet të ruhen në 2-8 gradë ose në të kundërt siguria e tyre është e dyshimtë. Por sipas tij mungon sistemi i gjurmimit.

“Në doganë kamioni pret 1-5 ditë dhe askush nuk të garanton më a është respektuar ky protokoll. Medikamentet transportohen në cepat më të largët, të mos harrojmë që edhe në mes të Tiranës energjia mungon për orë të tëra. Pastaj konsumatori e mban 5- 6 orë në çantë, pra zinxhiri është i pamonitoruar,” thekson ai.

Ekspertët e shëndetësisë këmbëngulin se mungesa e transparencës dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe krijon një sistem shëndetësor me dy nivele: një për ata që kanë mundësi të gjejnë mëyra dhe të trajtohe me medikamnete që i marrin jashtë vendit dhe një për të tjerët që mbesin pas. Në këtë situatë, nuk mungojnë edhe sugjerimet për një reformë të re.

“Rishikimi i mënyrës së licencimit të farmacive, vendosja e standardeve për shitjen e barnave, dhe mbi të gjitha, forcimi i kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Barnave,” thotë eksperti Muka për ndërhyrjet që duhen bërë.

“Mungesa e besimit të qytetarëve është tregues i qartë se sistemi aktual nuk funksionon si duhet,” përfundoi ai./reporer.al

Presidenti Trump: “Kupola e Artë” do të jetë falas për Kanadanë, nëse ajo bashkohet me SHBA-në

Presidenti Donald Trump shkroi në Truth Social të martën se Kanadaja “dëshiron shumë të jetë pjesë e Sistemit tonë të mrekullueshëm të Kupolës së Artë”, i cili do të kushtonte rreth 175 miliardë dollarë dhe do të ndërtohej gjatë tre viteve të ardhshme.

 

Ai shpjegonte se zyrtarët kanadezë po shqyrtonin propozimin e tij që Kanadaja të kontribuonte me 61 miliardë dollarë për mburojën e tij të mbrojtjes nga raketat “Kupola e Artë”, ose të mos paguante asgjë nëse do të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së.

Trump, i cili ka kërcënuar vazhdimisht sovranitetin kanadez, i bëri komentet menjëherë pasi kryeministri kanadez Mark Carney përshkroi planet për lidhje më të ngushta mbrojtëse me Bashkimin Evropian dhe mbasi mbreti Charles III i kishte dhënë disa goditje të holla SHBA-së dhe administratës Trump gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Kanadez më herët të martën, duke thënë se një “Kanada e sigurt” mund të “japë shumë më tepër sesa çdo fuqi e huaj mund të na marrë ndonjëherë”.

Trump ka shprehur interes për aneksimin e Kanadasë për muaj të tërë, duke kërcënuar vazhdimisht sovranitetin e fqinjit verior dhe e ka angazhuar kombin aleat në një luftë tarifore.

Kryeministri kanadez Carney ia bëri të qartë Trump gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji se Kanadaja nuk ka interes të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.

Carney tha në X ndërsa ndau një video të fjalimit të mbretit britanik të Kanadasë të martën, “Veriu i Vërtetë është i fortë dhe i lirë.”

Carney u tha gazetarëve javën e kaluar se zyrtarët kanadezë po “shqyrtonin” mundësinë e investimit në mburojën mbrojtëse të propozuar nga Trump.

Zyra e kryeministrit kanadez nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Axios për koment në lidhje me postimin e Trump.

Kur padrejtësia bëhet plagë e mendjes!

Nga Neli Demi

Kur dashuria nuk mbron: e padrejta si gjenezë e simptomës

Ka një moment në çdo histori terapeutike ku fjala ndalet. Jo sepse pacienti nuk ka çfarë të thotë, por sepse fjalët bëhen të pamjaftueshme. Më ndodh shpesh ta ndjej këtë ndalesë si një pikë kyçe, si një vend i brendshëm ku fjala nuk ka hyrë kurrë. Aty ku nuk është folur, nuk është dëgjuar, nuk është emërtuar kurrë ajo që ka ndodhur. Dhe ajo që ka ndodhur, zakonisht, është një padrejtësi.

Jo një ngjarje e madhe, jo një dhunë e qartë. Por një padrejtësi e vogël dhe e vazhdueshme si ajo pika e ujit mbi shkëmb. Një mungesë. Një fjalë që nuk u tha kurrë. Një sy që nuk të pa. Një përqafim që nuk erdhi. Një braktisje që u quajt “edukatë”. Një turpërim që kaloi si “shaka”. Dhe mbi të gjitha, një zemërim fëminor që nuk u mor kurrë seriozisht. Sepse në vendin tonë, fëmijët nuk kanë të drejtë të ndihen të lënduar. Ata duhet të durojnë. Të kuptojnë. Të falin. Të mos flasin.

Por trupi nuk harron. Zemra nuk fal pa u dëgjuar. Dhe simptomat, herët a vonë, dalin si gjuha e asaj padrejtësie që s’mundi kurrë të flitej.

E padrejta që nuk shihet — dhe nuk emërtohet

Ka një lloj dhune që nuk e shohim si të tillë sepse është “e zakonshme”. Dhe ka një lloj padrejtësie që nuk e quajmë të tillë sepse ndodh brenda dashurisë. Në shtëpi. Në familje. Nga njerëzit që na donin, por nuk dinin si.

Kur fëmija ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që ka ndjerë. Kur i thuhet të mos qajë, të mos frikësohet, të mos mërzitet. Kur ndjenjat e tij shpallen të gabuara, të ekzagjeruara, të tepërta. Ai mëson që nuk ka të drejtë të ndjejë. Dhe kjo është forma më e hershme e padrejtësisë.

Jo rrallë, fëmija përjeton gabimet e të rriturve si faj të vetin. Nëse mamaja nuk e dëgjon, është sepse ai nuk ka folur siç duhet. Nëse babai zemërohet, është sepse ai e ka merituar. Nëse të dy heshtin, është sepse ai nuk është aq i vlefshëm sa të dëgjohet. Dhe kështu nis ndërtimi i një bote të brendshme ku dashuria dhe faji janë të ngatërruara. Ku prindërit bëhen të shenjtë dhe fëmija bëhet problemi. Ku zemra mbushet me heshtje, dhe heshtja me plagë që nuk duken.

Këto plagë nuk quhen trauma. Askush nuk i përmend. Askush nuk i ka bërë me qëllim. Por janë aty. Dhe sa më të padukshme, aq më shumë rrënjosin idenë se “diçka nuk shkon me mua”. Dhe mbi këtë ndjesi ngrihen vite të tëra jete, marrëdhëniesh, përpjekjesh, simptoma që s’kuptohen dot. E padrejta është bërë truall.

Simptoma si dëshmi e së padrejtës

Shpesh, kur flasim për një simptomë, përqendrohemi te përmbajtja: ankthi, depresioni, varësia, vetë-nënvleftësimi, ndonjëherë çrregullime të të ushqyerit ose marrëdhënie të dështuara. Por më pak flitet për simptomën si akt kujtese. Si një mënyrë me të cilën trupi dhe mendja përpiqen të mbajnë mend diçka që është fshirë nga rrëfimi i jetës.

Simptoma shpesh është dëshmi e një përvoje që ka qenë e padurueshme për t’u jetuar kur ndodhi, dhe e papranueshme për t’u emëruar më vonë. Ajo kthehet me një intensitet që shpesh habit edhe vetë pacientin: “Nuk e di pse më kap kjo ndjesi, gjithçka ka qenë në rregull në jetën time.” Dhe pikërisht aty nis kërkimi. Aty ku “gjithçka ka qenë në rregull”, fshihet shpesh një padrejtësi që është mësuar të quhet “normalitet”.

Fëmija që mëson të shtypë ndjenjat për të ruajtur dashurinë e prindit, shpesh rritet duke ndëshkuar veten për çdo emocion që nuk përshtatet me të tjerët. Ajo ndjesi e përhershme që duhet të jesh “mirë”, që nuk ke të drejtë të kërkosh më shumë, që nuk je kurrë mjaftueshëm, janë mbetje të një përvoje ku e drejta për të ndjerë është shkelur pa u parë.

Në këtë kuptim, simptomat janë si një gjuhë që lind nga padrejtësia e pashprehur. Dhe kur i dëgjojmë me kujdes, ato nuk flasin vetëm për dhimbjen e sotme, por për një mungesë të vjetër: për një fjalë që s’u tha, një krah që nuk u zgjat, një ndjeshmëri që mungoi kur ishte më shumë se e nevojshme.

Teoria që i afrohet realitetit

Fatmirësisht, disa autorë e kanë parë këtë lidhje thelbësore mes padrejtësisë dhe simptomës. Alice Miller është ndoshta zëri më i njohur për publikun e gjerë, me shkrimet e saj mbi fëmijën që mban peshën emocionale të familjes. Ajo flet për “fëmijën e mirë”, që mëson të shtypë zemërimin dhe trishtimin për të ruajtur dashurinë e të rriturve dhe që si i rritur, paguan çmimin me depresion, vetë-mohim dhe ndëshkim të vetes.

Donald Winnicott, në mënyrën e tij më të qetë dhe të kujdesshme, na kujton se fëmija nuk ka nevojë për prindër perfektë, por për “mjedisin e mjaftueshëm të mirë”. Dhe kur ky mjedis dështon, jo thjesht njëherë, por vazhdimisht, fëmija nuk zhvillon dot ndjesinë e një vetjeje të sigurt, të mbështetur, të drejtë. Ai mëson të mbijetojë, por jo të jetë.

Selma Fraiberg flet për fantazmat që jetojnë në çerdhe: përvojat traumatike të prindërve që përsëriten te fëmijët e tyre, pa vetëdije, pa qëllim, por me pasoja reale. Këto fantazma janë shpesh forma të trashëguara të padrejtësisë, dhunë që nuk u fol kurrë, ndëshkime që u quajtën edukatë, mungesa që u mbuluan me sakrificë.

Mund të shtohet edhe zëri i Sandor Ferenczi-t, i cili foli me guxim për “terrorin e pakuptueshëm” që fëmija përjeton kur përkujdesësi është edhe burimi i dhunës. Kjo përvojë përmbysëse krijon një ndarje të thellë në brendësi të subjektit, që më vonë ndjehet i çoroditur, fajtor dhe pa të drejtë të kërkojë drejtësi.

Këta autorë na ndihmojnë të kuptojmë atë që shumë pacientë e ndjejnë, por nuk dinë si ta thonë: që në rrënjën e simptomës së tyre nuk qëndron vetëm një gjendje klinike, por një ndjenjë padrejtësie që askush nuk ia pranoi kurrë.

Padrejtësia si tabu kulturore

Në kulturën tonë, fjala “prind” është e shenjtë. Dhe me të, edhe çdo veprim që vjen prej tyre. “Të kanë bërë kokën”, “të rritën”, “të dhanë bukë”, “kanë sakrifikuan gjithçka për ty” etj., janë fraza që dëgjohen shpesh, si një formë ndalese për çdo pyetje, për çdo kritikë, për çdo kujtesë të dhembshme. Fëmija mëson herët se nuk ka të drejtë të ndjejë që është lënduar nga ata që e donin. Ai mëson të heshtë. Dhe më vonë, të mbrojë ata që e lënduan.

Kjo mbrojtje është rrënjosur thellë në mënyrën si shoqëria shqiptare e trajton marrëdhënien prind–fëmijë: me frikë, me faj, me mit. E padrejta që ndodh brenda shtëpisë mbulohet me nderim, me heshtje, me shpjegime që duken logjike, por janë emocionalisht bosh. “Ashtu ishin kohët.” “Nuk dinin më mirë.” “Të donin, por nuk dinin si.” Dhe kështu e padrejta kalon në një gjendje të dyfishtë: nuk quhet e tillë, por gjithsesi lë plagë.

Këto plagë pastaj përjetësohen në një kulturë që nuk njeh vuajtjen si e drejtë të njeriut, por si një borxh që duhet duruar. Që e konsideron vuajtjen si karakter, jo si plagë. Dhe kështu, shumë individë e jetojnë veten si “të dëmtuar”, pa pasur asnjëherë guximin apo lejen për të thënë: “kjo që më ndodhi nuk ishte e drejtë.”

Pikërisht këtu, në këtë çarje midis përvojës së brendshme dhe narrativës kulturore, lind simptomatologjia më e heshtur, më e shpërfillur, më e thellë. E padrejta bëhet e padukshme por asnjëherë e padëmshme.

Të jesh dëshmitar i vonuar

Në një botë që i kërkon individit të harrojë, të falë pa e kuptuar, të pranojë pa u dëgjuar, roli i terapistit është i jashtëzakonshëm: të jetë dëshmitar. Të ulet përballë një njeriu që flet për herë të parë për atë që nuk ka pasur emër. Të mos e ndalë. Të mos e shpjegojë. Të mos e minimizojë. Por të dëgjojë. Dhe me këtë akt të thjeshtë por të fuqishëm, të ndihmojë që ajo që ishte simptomë, të kthehet në histori. Që ajo që ishte e brendshme, të marrë formë të jashtme. Që e padrejta, më në fund, të quhet e tillë.

Nuk është e lehtë. Sepse shpesh, përballë nesh, ulet një njeri që ka ndërtuar gjithë jetën mbi mohimin e saj. Që ka bërë paqe me mungesën e drejtësisë duke ndëshkuar veten. Që ka mësuar të jetë “mirë”, kur në fakt është thyer brenda. Dhe detyra jonë nuk është ta nxjerrim menjëherë nga ai vend por ta shoqërojmë në rrugën e rikthimit tek e vërteta e tij.

Ky proces nuk është vetëm shërim. Është edhe akt drejtësie. Një drejtësi e vonuar, e vogël, intime por thelbësore. Është çasti kur një njeri pushon së menduari që është faji i tij. Kur fillon të kuptojë se ajo që ka ndjerë gjithë jetën nuk ishte çrregullim por një reagim i ndershëm ndaj një padrejtësie të panjohur.

Dhe në atë çast, simptomat ndoshta nuk zhduken. Por marrin një emër. Një kuptim. Një vend në histori. Dhe kjo është më shumë sesa mjekim. Është kthimi i subjektit tek vetja.

Në “gjurmët” e Igli Tares, 40-vjeçari shqiptar pranë akordit me klubin e Premier Ligës

Një tjetër shqiptar aspiron të ecë në “gjurmët” e Igli Tares, për sa i përket karrierës si drejtor sportiv, bëhet fjalë për Valon Behramin. Një lajm i bujshëm ka qarkualluar sot në mediat italiane. 

 

Sipas gazetarit Orazio Acomando, klubi që militon në Premier Ligë, Uatford është shumë pranë emërimit të një drejtori të ri sportiv dhe kandidati kryesor është Valon Behrami. Bisedimet janë në fazë të avancuar dhe palët po shkojnë drejt një marrëveshjeje.  

Nëse Behrami emërohet, ai pritet të marrë përsipër detyrat që më parë i mbulonte Nani në klubin anglez. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur thuhet se Udineze mund të shitet tek një fond amerikan me bazë në Nju Jork, çka mund të shkaktojë ndryshime të mëdha te klubi italian – edhe pse mediat italiane këmbëngulin se Uatford nuk do të ndikohet drejtpërdrejt nga kjo shitje. 

EMRI/ Pjesë e grupit të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës, arrestohet 44-vjeçari në Belgjikë! Banda me bazë në Durrës u zbulua nga zbërthimi i bisedave në SkyEcc

Një 44-vjeçar, i cili akuzohet se pjesë e grupit të fuqishëm kriminal me bazë në Durrës që u godit nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane ku u lëshuan 52 urdhër arreste, është arrestuar në Belgjikë.

 

Gertin Aliu akuzohet nga Prokuroria e Barit për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike dhe u arrestua në kuadër të operacionit “Ura”.

“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit policor ndërmjet homologëve të njësive të specializuara FAST, në vijim të operacionit “Ura”, Policia belge arrestoi në Belgjikë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, G. A., 44 vjeç”, informuan blutë.

Prokuroria e Barit, në vitin 2025, i ka caktuar Gertin Aliu  masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.

Kujtojmë që grupi i rrezikshëm kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës në Itali dhe vende të Evropës Veriore u godit pas zbërthimit të bisedave në SkyECC.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/Vijojnë bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “Ura”.

Kjo fazë e operacionit, rezultat i punës së përbashkët të FAST Albanias, FAST Italisë dhe FAST Belgjikës, me koordinimin e rrjetit ENFAST.

Lokalizohet dhe kapet në Belgjikë, një shtetas i akuzuar nga Prokuroria e Barit, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit policor ndërmjet homologëve të njësive të specializuara FAST, në vijim të operacionit “Ura”, Policia belge arrestoi në Belgjikë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, G. A., 44 vjeç.

Prokuroria e Barit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.

GODITJA E GRUPIT KRIMINAL 

Nga operacioni, u lëshuan 52 masa sigurie, nga të cilat 29 nga GJKKO për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri.

Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale, njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.

“Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në kuadër të operacionit në Shqipëri janë sekuestruar; 2 kompani ndërtimi, 4 shoqëri tregtare dhe restorante, 1 agjenci pasurish të paluajtshme, 1 TV kabllor, automjete luksoze, para cash, etj.  Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.

Ndërsa në Itali janë sekuestruar; 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare, 3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.

“Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv”, njofton SPAK.

Njoftimi i SPAK:

Operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave: 52 masa sigurimi dhe miliona euro të sekuestruara në Shqipëri dhe Itali

Në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot, më 21 maj 2025, një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:

  • 29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;
  • 1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;
  • 22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali.

Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.

Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.

Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë:

Në Shqipëri:

  • 2 kompani ndërtimi,
  • 4 shoqëri tregtare dhe restorante,
  • 1 agjenci pasurish të paluajtshme,
  • 1 TV kabllor,
  • automjete luksoze, para cash, etj.

Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.

Në Itali:

  • 9 apartamente,
  • 4 kompani,
  • 7 llogari bankare,
  • 3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.

Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.

Raporti I PLOTE/ Antimafia italiane: Si krimi shqiptar i ka shtrirë rrënjët kudo

“Kriminaliteti shqiptar” zë një vend të rëndësishëm në raportin e fundit të Drejtorisë së Antimafias Italiane (DIA) të prezantuar në parlamentin italiane këtë të martë. Në raportin e gjatë prej 424 faqesh që lapsi.al e disponon thuhet se rrjetet kriminale shqiptare janë të shtrira në të gjithë territorin italian dhe kanë krijuar lidhje të forta me grupet mafioze italiane si “Cosa Nostra” siciliane, “Ndrangheta” kalabreze, “Camorra” napolitane, etj.

“Trafikimi i drogës mbetet biznesi kryesor i këtyre organizate kriminale, falë fitimeve të larta. Ky sektor forcohet më tej nga krijimi i lidhjeve të forta me organizata të tjera kriminale që garantojnë kanale të privilegjuara të furnizimit me narkotikë nga jashtë si Shqipëria dhe Spanja” – citon raporti.

DIA nënvizon se organizatat kriminale shqiptare karakterizohen si më komplekset, por edhe nga më të organizuarat.

“Krimi shqiptar përfaqëson një nga shprehjet më komplekse dhe të strukturuara të krimit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në një mënyrë të përhapur në të gjithë territorin kombëtar, veprojnë me qasje të larmishme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë shumetnike, kryesisht të dedikuara për krime kundër pronës. Megjithatë, të tjerë kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me metoda operative që në disa raste kujtojnë ato të mafies” – thuhet në raportin e DIA-s.

Sipas raportit një tipar dallues i organizatave kriminale shqiptare është përdorimi i dhunës, si për të zgjidhur konfliktet e brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet për frikësim dhe kontroll. Ajo që tërheq vëmendjen se anëtarët e grupeve kanë lidhje familjare ose vijnë nga i njëjti rajon i Shqipërisë.

“Një karakteristikë e veçantë jepet nga përkatësitë, të cilat shpesh bazohen në lidhje familjare ose midis individëve me origjinë nga i njëjti qytet ose rajon i Shqipërisë. Këto lidhje forcohen nga kode të sakta sjelljeje që konsolidojnë strukturën e tyre të brendshme” – citon raporti.

Sipas antimafias italiane, trafikimi i drogës mbetet sektori kryesor i aktivitetit të krimit shqiptar dhe të ardhurat prej tij riinvestohen gjithnjë e më shumë në blerjen e aktiviteteve të ligjshme ekonomike dhe pasurive të paluajtshme. Për më tepër, provat hetimore konfirmojnë se bandat shqiptare janë të përfshira edhe në aktivitete të tjera të paligjshme, të tilla si trafikimi i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimin e prostitucionit dhe kryerjen e krimeve tatimore.

“Një hetim i kohëve të fundit nga Policia e Shtetit, i cili përfundoi më 7 dhjetor me arrestimin e dy individëve me origjinë shqiptare, ka treguar gjithashtu se si krimi shqiptar është shumë aktiv edhe në sektorë të përparuar siç është tregtia online e drogës. Në trafikimin e drogës, këto grupe etnike ndonjëherë veprojnë së bashku me grupe të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre të konsoliduar në nivel ndërkombëtar” – thuhet në raport për grupet mafiose shqiptare.

Ajo që veçohet është se grupet kriminale shqiptare janë të aftë të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të narkotikëve dhe që merren drejtpërdrejt nga kartelet e Amerikës së Jugut.

“Me importimin e sasive të mëdha të kokainës që synojnë furnizimin e qelizave të bashkatdhetarëve që veprojnë në qytetet kryesore italiane. Aftësia për të vepruar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese i ka mundësuar këtyre grupeve të ndërtojnë marrëdhënie të forta me Organizatat kriminale italiane, përfshirë ato të tipit mafioz. Shumë aktivitete kundër drogës, të zhvilluara në rajone të ndryshme italiane, kanë konstatuar sinergji të vërteta operative midis krimit të organizuar shqiptar dhe krimit vendas, të favorizuara nga rruga e qëndrueshme e lidhjes që ekziston midis brigjeve shqiptare dhe atyre puliane” – citon raporti.

Antimafia italiane nënvizon se “e ashtuquajtura “Rruga Adriatike” karakterizohet si një qendër për kalimin e narkotikëve nga Shqipëria në Itali dhe pjesën tjetër të Evropës, edhe sepse lehtësohet nga lidhjet ajrore me vendet e Ballkanit me pamje nga Adriatiku.

“Marrëdhëniet lehtësohen gjithashtu nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët janë kryesisht të përfshirë në furnizimin me drogë, duke ua lënë menaxhimin e tregtisë me pakicë organizatave kriminale italiane. Kokaina importohet në territorin italian nga deti dhe toka, nëpërmjet rrugëve kryesore evropiane të shpërndarjes, duke qenë në gjendje të mbështetet te subjektet e vendosura në Evropën Veriore, falë të cilëve, me kalimin e kohës, kanë arritur të depërtojnë në portet kryesore tregtare (Antwerp, Rotterdam dhe Hamburg)” – citon ndër të tjera raporti i antimafias italiane.

Aty jepen raste të shumta të operacioneve që tregojnë lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me familjet mafioze italiane siç është Ndrangheta.

“Aftësia për të krijuar marrëdhënie për qëllime biznesi-kriminale demonstrohet në marrëdhëniet e mbajtura nga bandat e Ndrangheta-s me organizata të tjera kriminale. Gjetjet më të fundit konfirmojnë tendencën e bandave për të krijuar bashkëpunime utilitare me grupe me origjina të ndryshme mafioze, të justifikuara kryesisht nga rrethana specifike dhe jo nga një ndarje e konsoliduar e interesave kriminale, një situatë që reflektohet edhe në marrëdhëniet me grupet e huaja, veçanërisht me origjinë shqiptare” – citon raporti.

Agim Baçi në “Opinion”: Opozita ka nevojë për reflektim të thellë pas zgjedhjeve të 11 majit. 200 mijë votues refuzuan politikën konfliktuale

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e “Opinion” në News24, u shpreh se PD duhet të reflektojë dhe të fokusohet te një analizë e brendshme e thelluar, në vend që të ndjekë të njëjtën rrugë që ka ndjekur në zgjedhjet e kaluara.

Baçi tha se, pavarësisht pretendimeve për parregullsi dhe mbledhjen e fakteve, opozita ka dhënë një reagim që nuk përputhet me atë që realisht i nevojitet.

“Ka pasur një gjuhë që ka shkuar deri te përmendja e grevës së urisë, çka nuk ka lejuar nisjen e një procesi serioz të identifikimit të problematikave të brendshme.

Nuk është thjesht çështje e zbatimit të nenit ‘Basha’, por nevoja për të ndërtuar një opozitë reale e tokësore”, shprehet Baçi.

Ai paralajmëroi se nëse opozita vazhdon të ndjekë të njëjtat procedura dhe qasje si në vitin 2021, rrezikon të humbasë kohë për t’u ringritur përballë një qeverie që, sipas tij, po perfeksionon mënyrat për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.

“Jo thjesht se neni “Basha” duhet zbatuar, por thjesht për shkak se opozita nëse do të bëhet peng i kësaj gjëje dhe do të reshtojë të njëjta procedura sic ndodhi në 2021 thjesht do të humbë kohë për tu ringritur përballë një qeverie që ndoshta mund të shtojë inxhinierikun e deformimit të vullnetit të zgjedhësve dhe do të jetë e vështirë nëse nuk është me këmbë në tokë”, tha Baçi.

Analisti Agim Baçi theksoi se qytetarët shqiptarë nuk janë aq indiferentë sa mund të mendohet, duke sjellë në vëmendje se partitë e reja kanë marrë rreth 200 mijë vota, ndërsa Partia Socialiste ka pësuar një rënie me rreth 5% të votave brenda vendit.

“Këto 200 mijë vota janë refuzim ndaj një politike konfliktuale. Rotacioni i vlen Shqipërisë, por duhet të vijë nga një opozitë që e kupton klimën e re shoqërore dhe politike”, shtoi ai.

Agim Baçi: Opozita pavarësisht pretendimeve në lidhje me zgjedhjet e 11 majit dhe mbledhjes së fakteve, unë mendoj se ka një reagim që nuk përputhet me atë që i nevojitet PD.

Ka patur një gjuhë që nënkutpon deri tek greva e urisë, cka nuk ka lejuar realisht të fillojë sa më shpejt një proces të identifikimit të problematikave që ka vetë opozita.

Jo thjesht se neni “Basha” duhet zbatuar, por thjesht për shkak se opozita nëse do të bëhet peng i kësaj gjëje dhe do të reshtojë të njëjta procedura sic ndodhi në 2021 thjesht do të humbë kohë për tu ringritur përballë një qeverie që ndoshta mund të shtojë inxhinierikun e deformimit të vullnetit të zgjedhësve dhe do të jetë e vështirë nëse nuk është me këmbë në tokë.

Nëse do shohin se qytetarët shqiptarë nuk janë aq indiferentë, janë 200 mijë vota nga partitë e reja. PS ka një minus 5 % të votave të saj brenda vendit. Ato 200 mijë vota më pak kanë zgjedhur të refuzojnë një politikë konfliktuale,

Emrat më të votuar në primare rezultuan më të votuarit dhe në 11 maj, dhe duhet të ishin në lista. ose duhet të futehsin të rinjtë në listat sigurta dhe ata me përvojë në listat e hapura.

Durrësi tregoi se ka njerëz që vlerësohen nga elektorati. Rezultati tregoi se nëse do respektoheshin emrat që votohen. Berisha premtoi se do të bashkonte opozitën dhe rezultoi se me 12 maj kemi të njëjtat akuza, të njëjtat përpjekje për të bërë një libër të zi për deformimin e vullnetit të zgjedhësve.