30.5 C
Tirana
E martë, 5 Gusht, 2025

Doli në hetimet e SPAK për Veliajn, por biznesmeni përmendej edhe në përgjimet e pronarëve të Inceneratorit të Tiranës

Ndërkoh që SPAK vijon hetimet ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në skenë po dalin edhe emra biznesmenësh që janë vënë në sitën e prokurorëve për çështjen në fjalë. VNA publikoi sot detaje të tjera nga dosja, ku rezulton se Mirton Lika është pronari i apartamentit në Sky Tower, që SPAK dyshon se e posedonte në mënyrë të tërthortë Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës. Nga e hetimet e SPAK, biznesmeni në fjalë del aksioner në disa kompani.

Por kjo nuk është hera e parë që emri i tij del në hetimet e zyrtarëve të lartë. Kujtojmë se Mirton Lika përmendet edhe në dosjen e SPAK për dy pronarët “de fakto” të inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Zoto-Mërtiri atë kohë u vunë në përgjim telefonik dy ditë pasi ishte mbyllur pagesa për Elbasanin, ndërsa hetimet fillestare ndaj tyre nisën direkt me interceptimin e telefonave. Por dy kokat e inceneratorit ishin vënë në dijeni të çështjes penale të nisur në prokurorinë e Elbasanit, dhe sipas SPAK, ata udhëzonin Mirton Likën, pronarin e “Sky Hotels” në Tiranë, të mari masa për zhdukjen e gjurmëve dhe kapjen e ndonjë prove të mundshme nga prokuroria.

Në dosjen e prokurorisë SPAK thuhet se: ”…referuar transkriptimeve të përgjimeve telefonike rezulton se Mirel Mertiri dhe Klodian Zoto, në 8 shtator 2017 kanë ardhur në dijeni për procedimin penal të regjistruar nga Prokuroria Elbasan, pasi kanë mësuar ndërkohë në lidhje me sekuestron e vendosur nga kjo prokurori. Dhe personi që është identifikuar si Agron Ceka, shofer personal i familjes Ahmetaj, i përgjigjet t’i bëjë të fala shefit. Po në këtë datë Klodian Zoto, komunikon me Mirton Lika duke i kërkuar që për nja një orë t’i fikin kamerat tek kati i tyre dhe Mirtoni në vijim i komunikon se për 5 minuta hiqen fishat e katit të 13 deri nesër në mëngjes…”.

Përmendja e të njëjtin person në dosjen e dy personave kyç të inceneratoratorëve që tashmë janë shpallur në kërkim dhe tani në hetimet të kryebashkiakut, të bën të dyshosh se mund të jetë nyja lidhëse e përfshirjes së Veliajt në aferën e inceneratorit të Tiranës. Por përderisa Prokuroria e Posaçme nuk është shprehur për një gjë të tillë, ndodhemi ende në kontekstin e dyshimeve.

SPAK aktualisht është duke hetuar për lidhje të mundshme dhe konflikt interesi mes kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, me biznesmenin Lika dhe arsyet pse Ajola Xoxa ka shfrytëzuar apartamentin 11/4 në Sky Toëer, aty ku ka dhe zyrat kompania e saj “Harabel”. Veliaj po hetohet për katër vepra penale, si pastrimi i parave dhe korrupsioni./VNA/

“Plantium Residence”, kulla 12 katëshe pranë Art Turbinës

Tirana vazhdon të përjetojë një transformim të shpejtë urban, ku ndërtimet e reja dominojnë në lartësi peizazhin e qytetit. Kjo qasje po shihet qartë në zonën rreth Liqenit Artificial, apo rrugët që të çojnë drejt parkut.

Projekti i radhës është “Platinum Residence”, një pallat 12-katësh që po ngrihet krah rrugës “Sami Frashëri”, pranë Art Turbina. Ndërtimi ka nisur mbi bazën e një leje të datës 26 maj 2023 nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe pritet të përfundojë brenda tre vitesh.

Projekti është investim i kompanisë Al-Konstruksion e lidhur me Vega të Aleksandër Gavoçit, e cila në fillim-vitet 2000 ka ndërtuar kompleksin mes rrugës Sami Frashëri dhe Marko Boçari.

Google/Projekti i Plantium Residence në Rrugën Sami Frashëri.

E shkuara e trazuar me pretendimet rreth truallit

Një kalvar i gjatë pretendimesh pronësie në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë përshkallëzoi në përplasje me policinë dhe përmbaruesit. Ishte marsi i vitit 2019 kur familjet Llapaj dhe Dervishi kundërshtuan një vendim gjykate që i njihte pronësinë e truallit ku ata kishin shtëpitë sipërmarrësve Aleksandër e Ilir Gavoçi.

Vëllezërit Gavoçi rezultonin trashëgimtarë të pretendimeve për pronën nga familja e Ali Rizanit, të cilit regjimi diktatorial ia kishte sekuestruar në vitin 1949.

Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.

Familjet Llapaj e Dervishi kishin përfituar në vitet 90-të shtetëzimin e një ndërtese të ngritur gjatë diktaturës dhe ishin në proces legalizimi për një shtesë dykatëshe. Ata e konsideronin vendimin e gjykatës të padrejtë.

Rreth gjashtë orë përplasje të dhunshme me forcat e rendit tronditën mbarë opinionin publik teksa dy familjet me 15 anëtarë ankoheshin se vëllezërit Gavoçi kishin përfituar nga sistemi i korruptuar i drejtësisë. Ata madje pretenduan se ata kishin dalë nga fjala e tyre për t’iu dhënë apartamente në këmbim të lirimit të truallit.

Por vetë Aleksandër Gavoçi, njohur si sipërmarrës ndërtimi me kompaninë Vega, konfirmoi në media vullnetin për t’iu dhënë zgjidhje familjarëve teksa pak ditë më vonë banesat u shembën.

Tranformimi i zonës

Katër vite pasi siguruan truallin me përplasje publike, sipërmarrësit e kompanisë Vega siguruan lejen për ndërtimin e pallatit që ngushton edhe më tej hapësirën e rrugës Sami Frashëri krah ArtTurbinës.

Plantium Residencce i shtohet kullave të tjera shumëkatëshe që po tranformojnë zonën rreth liqenit dhe rrugëve që të çojnë drejt parkut.

Zona ka pësuar tkurrje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Sipas raportit “Linjat bazë për mbrojtjen dhe zhvillimin e parkut të Tiranës”, sipërfaqja e parkut është zvogëluar me 40-45 hektarë, një humbje që bie ndesh me parimin që kërkon zgjerimin e hapësirave të gjelbra përballë rritjes së popullsisë.

United Towers of Tirana është një tjetër kullë që është ndërtuar në rrugët drejt liqenit ngjashëm si Lake View Residences, apo dhe kulla të tjera, të cilat kanë ngjallur shqetësime për ndikimin që kanë mbi hapësirat publike dhe cilësinë e jetës në qytet.

Ndërsa Tirana vazhdon të zgjerohet, dilemat mbi balancimin e zhvillimit urban dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra mbeten shqetësuese se kurrë.

Citizens.al

“SPAK ka fituar betejat me publikun”/ Zekthi: Partitë e vjetra nuk e duan drejtësinë e re. Pse vota e diasporës është e mbuluar me mister

Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 deklaroi se SPAK ka fituar betejat me publikun.

Zekthi tha se partitë e vjetra nuk e duan drejtësinë e re, pasi kjo e fundit po dënon njerëz të PS, PD dhe Partisë së Lirisë.

“PS, PD dhe ish-LSI duan ta shkatërrojnë drejtësinë e re. Të gjitha partitë e vjetra nuk e duan SPAK-un. PS nuk ka pse ta dojë SPAK, pasi i janë hetuar ministra e deputetë. PD e LSI nuk kanë veshur doreza fare dhe e thotë hapur se janë kundër SPAK. Njerëz nga këto tre parti kanë qenë ministra, kryeministra, drejtorë të rëndësishëm. PD dhe Partia e Lirisë sulmojnë përditë SPAK-un dhe normalisht që kjo ndikon. SPAK ka fituar betejat me publikun. Këta duan që SPAK-un ta njollosin, SPAK mbijeton vetëm duke prekur të paprekshmit. PD dhe PL nuk do fitojnë dot, pasi nuk janë në anën e së drejtës. PS do që të ndalë punën e drejtësisë së re me anë të Komisionit Xhafaj”, tha Zekthi.

Më tej, Zekthi u shpreh se vota e diasporës është e veshur me mister, pasi nuk mund të patronazhohet.

“Vota e diasporës është proces delikat. Të dyja palët kanë “frikë” sepse vota e diasporës ka mister. Zgjatja e vlefshmërisë së kartave është bërë dhe më herët. Frika se një “dorë votash” të diasporës mund të ndryshojë mandate nëpër qarqe, e ka bërë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë të mistershme. Pavarësisht se maxhoranca thotë se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, sërish kjo votë nuk dihet se me cilën palë do shkojë. Shqiptarët e diasporës nuk është e lehtë t’i patronazhosh. Shqiptarët e diasporës janë shumë të pakënaqur me qeverinë e Ramës, por nuk kanë besim tek opozita. Mendoj se shqiptarët në Greqi e Itali do të votojnë PS, ndërsa ata që janë në Gjermani mendoj se do të votojnë opozitën. Rama i jep shumë rëndësi çdo vote që mund ta përfitojë. PD është në kaos e ka qenë gjithmonë në kaos”, tha ai.

Duke folur për betimin e presidentit të SHBA Donald Trump, Zekthi nënvizoi se nuk beson se ekziston një politikë e posaçme amerikane ndaj Shqipërisë. Ai tha se SHBA ka politika për rajonin, por jo posaçërisht për vendin tonë.

“Nuk ekziston një politikë e posaçme e SHBA për Shqipërinë. Ka politika të SHBA për Ballkanin ose një pjese të Europës, por jo posaçërisht për vendin tonë. Politika që vendet e rajonit tonë të luftojnë korrupsionin do të vazhdojë. Donald Trump mendon se për shkak të “botës së lirë” dhe heqjes së tarifave është dëmtuar ekonomia amerikane, por nuk e konsideron Bashkimin Europian një entitet të keq. Nuk mund të themi se SHBA do të sulmojë BE-në. Trump duket se ka një bezdi nga organizatat e mëdha ndërkombëtare”, deklaroi Zekthi.

“Berisha nuk i merr dot kurrë votat e Bashës”/ avokati Petraj: Demokratët Euroatlantikë kanë strukturat me të mira në të gjitha rrethet

I ftuar në intervistën e ditës në Dritare TV nga gazetari Ermal Peçi, avokati Edmond Petraj u shpreh se sulmi që iu bë Lulzim Bashës ishte një gafë e madhe.

Sipas tij, Berisha dhe PD e tij nuk do t’i marrin dot as votat që mori Basha në zgjedhjet e 2021.

“Gafa më e madhe është lufta që iu bë Lulzim Bashës. Gabimi më i madh është lufta për të rrëzuar Lulzim Bashën. Në mënyrën se si e denigruan është nga më të dhimbshmet, sepse votat që mori Basha në zgjedhjet e fundit, PD me të gjithë këta nuk i marrin dot më dhe ishte në prag të fitores. Në qoftë se ai do kishte bërë koalicion, sot do ishte në pushtet.”– u shpreh ai.

Sipas Petrajt, nën drejtimin e Bashës, ishte hera e parë që PD mori vota në jug.

Më tej avokati i njohur u shprej se partitë e tjera do të pranojnë ftesën e Lulzim Bashës, sepse, sipas tij, Basha la strukturat më të mira në rrethe.

“Nga sot ka vetëm dy gjini”, DASH mbyll faqen ku përzgjidhej gjinia ‘X’ në pasaportë

Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka mbyllur website-in që informonte qytetarët për mundësinë e përzgjedhjes së gjinisë alternative në pasaportat amerikane.

Ky veprim ndodhi vetëm një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që njeh vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, duke përjashtuar njohjen zyrtare të personave transgjinorë.

Faqja e internetit informonte qytetarët se ata mund të zgjidhnin një nga tre opsionet për shënuesin gjinor në pasaportat e tyre: mashkull (M), femër (F), ose një identitet të papërcaktuar ose alternativ (X).

Në njoftim theksohej se aplikantët nuk kishin nevojë të paraqisnin dokumentacion mjekësor për të ndryshuar shënuesin gjinor.

Tani, faqja në fjalë ridrejton përdoruesit në një seksion të përgjithshëm për informacionin mbi nxjerrjen e pasaportave.

Në urdhrin ekzekutiv të firmosur në ditën e parë në detyrë, Trump deklaroi se qeveria federale do të njohë vetëm dy gjini mashkull dhe femër duke argumentuar se këto gjini janë të pandryshueshme dhe bazohen në realitetin themelor dhe të pakundërshtueshëm.

Qeveria u fal taksat resorteve me 4-5 yje, Komisioni i Ekonomisë ‘vulos’ pazaret për oligarkët para zgjedhjeve

Qeveria Rama u ka falur taksat të gjitha resorteve me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar deri në fund të vitit 2026.

Nisma ligjore e deputetit të PS, Blendi Klosi për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua ditën e sotme nga Komisioni i Ekonomisë.

Ky vendim është qoka e radhës për oligarkët në prag të zgjedhjeve.

Shënim/ Sa më shumë të qëndrojë Rama në pushtet, aq më shumë do largohen shqiptarët nga ky vend

Politika është mision. Që Shqipëria është sot në këtë gjendje, është pikërisht se politika nuk është parë si e tillë, por si një mundësi e shpejtë për t’u pasuruar dhe për të mbyllur disa punë personale. Me një polarizim ekstrem dhe me një media nën kontroll, sigurisht që edhe gjatë mund të rrish në politikë, edhe punët e tua mund t’i mbyllësh, madje edhe mund të pasurohesh. Veçse sërish në sytë e njerëzve shenjohesh si hajdutë, si i korruptuar, si i marrë peng nga interesa okulte. Të dalë sa të dojë Rama të flasë për ndershmëri, të flasë që nuk ka lidhje me bandat apo me të fortët, të thotë sa të dojë që drejtëinë në këtë vend e bëmë ne. Sërish askush nuk e beson. As të vetët nuk e besojnë. Mund ta votojnë, por e dinë që ato që ai thotë janë gënjeshtra.
Po çfarë rëndësie ka e vërteta kur ajo nuk na çon te pushteti, mund të pyes ndokush.
Sigurisht që ka shumë rëndësi, sepse ‘e morën’ Shqipërinë plot dhe e boshuan, i gjetën njerëzit plot shpresa dhe i vranë shpresën, ishin shqiptarët idealistë dhe i shndërruan në interesaxhinj të rëndomtë. Këto të këqia i ka shkaktuar politika këtij vendi. Veç të tjerash.
Për të mos folur për pabarazinë e madhe sociale dhe ekonomike mes një shtrese dhe një tjetre. Dhe kjo nuk ka ardhur si pasojë e tregut apo garës së lirë, por pikërisht si pasojë e mbështetjes klienteliste që qeveria i ka dhënë një grushti të vogël në kurriz të pjesës tjetër të njerëzve. Kjo ka shërbyer si ‘kapar’ dhe si ‘garanci’ edhe për gjasmeopozitën, e cila ‘kohet’ me lekët e korrupsionit qeveritar për të mbyllur gojën dhe për t’i blerë heshtjen. Dhe kështu janë të gjithë të lumtur. Rama vijon pushtetin, shqiptarët vijojnë të largohen nga vendi. Win-win./Nga Namir Lapardhaja

Lezha në prag të zgjedhjeve: Asfalt për vota apo investime për qytetarët?

Nga Elvis Hila

Fshati Kallmet, që ndodhet 10 kilometra në veriperëndim të qytetit të Lezhës, shtrihet në një terren kodrinor të pasur me vreshta, ullishte dhe tokë pjellore. Ky terren e ka bërë të njohur për prodhimin e verës së kuqe me të njëjtin emër.

Megjithatë, infrastruktura e fshatit, ndryshe nga fama që lidhet me prodhimet cilësore, nuk ka qenë në të njëjtin nivel. Kjo ka bërë që një investim i kohëve të fundit nga Bashkia Lezhë të mirëpritet nga banorët.

“Më në fund erdhi dita që rruga këtu të bëhet me asfalt,” tha një i moshuar nga Kallmeti, ndërsa rruga pranë banesës së tij po asfaltohej. “Kemi vuajtur shumë, sepse rruga ishte gjithnjë me baltë dhe gropa,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, banorët e fshatit Tresh, i cili ndodhet vetëm 13 kilometra në jugperëndim të Kallmetit, nuk ndajnë të njëjtin optimizëm për investimet e bashkisë në rrjetin rrugor.

“E gjithë kjo bëhet për të na mashtruar dhe për të marrë votat tona, pasi po vijnë zgjedhjet,” tha një banori i Trushit, i cili preferoi të mbetej anonim. “Ku ishin këta gjithë këto vite? Sot vijnë dhe bëjnë sikur po punojnë,” pyeti ai.

Qarku i Lezhës prodhon 7 mandate deputetësh, dhe forcat politike kanë filluar intensifikimin e aktivitetit për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po zhvillojnë takime të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit – pasi vota e diasporës shihet si vendimtare në këto zgjedhje.

Ndërkohë, me afrimin e fushatës zgjedhore, nuk kanë munguar akuzat nga opozita për keqmenaxhim të fondeve publike për qëllime elektorale dhe për presion ndaj administratës publike, duke përfshirë regjistrimin dhe ndarjen e të dhënave të votuesve emigrantë me Partinë Socialiste.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë në Këshillin Bashkiak, Alfrida Marku, shprehet se buxheti i miratuar nga Këshilli Bashkiak – i cili kontrollohet nga Partia Socialiste – nuk reflekton nevojat e qytetarëve. Sipas saj, buxheti është fokusuar tek rrugët për qëllime elektorale.

“Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2025, nga ana e Bashkisë Lezhë nuk pati transparencë dhe respektim të prioriteteve, si pasojë e mungesës së konsultimeve të mirëfillta me qytetarët dhe grupet e interesit,” tha ajo.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, nuk bie dakord me këto akuza. Ai e vlerëson buxhetin e këtij viti si më të madhin në historinë e njësisë së qeverisjes vendore. Sipas Ndreut, buxheti vjen për herë të parë me zero borxhe të mbartura dhe investimet nuk kanë asnjë lidhje me periudhën zgjedhore.

“Është një arritje dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme, një administrim korrekt dhe me përkushtim i gjithë stafit,” tha ai. “Në këtë mënyrë i kemi dhënë frymëmarrje Bashkisë Lezhë, gjë që na mundëson realizimin e një sërë investimesh,” shtoi Ndreu.

Në fund të vitit 2024, Bashkia Lezhë miratoi buxhetin për vitin 2025, i cili kap vlerën e 2.27 miliardë lekëve. Nga ky buxhet, 42.3% do të shkojë për investime publike, 29% për paga dhe 28.7% për mallra dhe shërbime.

Me këtë buxhet, është parashikuar ndërtimi i 51 rrugëve në zonat rurale dhe urbane, si dhe një fond prej 70 milionë lekësh për rindërtimin e një pallati në qendër të qytetit të Lezhës, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas Alfrida Markut, gjatë dy viteve të fundit investimet e bashkisë u përqendruan vetëm në infrastrukturë rrugore, duke anashkaluar problematikat e tjera që banorët kanë në çdo njësi administrative.

“Madje, viti 2024 u karakterizua edhe nga moszbatimi në kohë i investimeve të premtuara, si pasojë e dy faktorëve: parashikimet jorealiste dhe përpjekjet për të shtyrë punimet sa më afër periudhës zgjedhore,” tha ajo.

“Të njëjtën gjë po bëjnë edhe me buxhetin e vitit 2025, pasi janë parashikuar investime në 51 akse rrugore, dhe kjo është tërësisht për qëllime elektorale,” shtoi Marku.

Edhe planifikimi i 70 milionë lekëve për rindërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 ka sfond elektoral, sipas këshilltares së PD-së. Përveç pallatit, bashkia do të investojë edhe për rindërtimin e 41 banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Uroj që të jetë një parashikim serioz dhe objektivi të jetë zgjidhja përfundimtare e problemit të tejzgjatur të këtyre familjeve, e të mos jetë një përpjekje për t’u përdorur gjatë periudhës elektorale,” tha ajo.

“Theksoj se kjo shtesë në buxhet u paraqit një ditë para diskutimit në Këshillin e Bashkisë për projektbuxhetin e vitit 2025, disa ditë pasi këshilltarët ishin njohur zyrtarisht me projektbuxhetin 2025,” shtoi Marku.

Ndreu pranoi se, ashtu si në vitin 2024, edhe në vitin 2025 fokusi i buxhetit të Bashkisë Lezhë do të jetë tek infrastruktura, por mohoi se kjo shtyhej nga interesa elektorale.

“Po vazhdojnë investimet e parashikuara në rrugët e zonave rurale, dhe po ashtu kemi parashikuar ndërhyrje në 51 rrugë të tjera në qytet dhe fshatra,” tha ai. “Nuk ka aspak lidhje me zgjedhjet e 11 majit, por ne mendojmë se situata është tejet problematike dhe ndërtimi i rrugëve është një domosdoshmëri,” shtoi Ndreu.

Ai theksoi se rindërtimi i pallatit të dëmtuar nga tërmeti dhe i 41 banesave individuale do të realizohet me fondet e bashkisë, ndërsa shtoi se më herët procesi i rindërtimit u bllokua për shkak të rritjes së çmimeve të ndërtimit.

Nga ana tjetër, opozita pretendon gjithashtu se Partia Socialiste po i bën shantazh administratës për të siguruar vota nga diaspora. Nënkryetari i Partisë së Lirisë në Lezhë, Vivian Golemi, thotë se administratës i është shpërndarë një formular për ta plotësuar dhe, sipas tij, po i kërcënojnë me largim nga vendi i punës.

“Punonjësve të administratës u është shpërndarë një formular dhe secili prej tyre duhet të sigurojë 5 vota për Partinë Socialiste, në mënyrë që të ruajnë vendin e punës,” tha Golemi. “Këto janë metoda antidemokratike që synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit,” shtoi ai.

Por kryetari i Bashkisë Lezhë dhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste në pushtet, Pjerin Ndreu, i hedh poshtë pretendimet e opozitës në lidhje me votat e diasporës.

“Lajthitja opozitare ka shkuar deri aty sa të besojnë se regjistrimet e emigrantëve bëhen nën presion,” tha ai, ndërsa shtoi se opozita ka humbur “orientimin, logjikën dhe rrugën në oborr të vet.”

“Po pse, kaq të thjeshtë e dinë këtë punë opozita sa nxjerrin xhevahire të tilla bajate?” pyeti Ndreu. “Kujt i hyn në punë një regjistrim emigranti nën presion?” përfundoi ai./BIRN

Çfarë është një tarifë dhe si funksionon? Ja kujt i bie barra ekonomike nëse Trump mban zotimin dhe tarifon me 10% BE-në dhe Kinën

Duke iu përmbajtur një prej premtimeve të tij elektorale, Donald Trump thotë se po mendon të vendosë një tarifë prej 10% për mallrat që hyjnë në SHBA nga Kina (tashmë ka paralajmëruar edhe BE).

 

Ja një shpjegim i thjeshtë nga BBC, se çfarë do të thotë kjo:

Në terma praktike, një tarifë është një taksë e brendshme e vendosur mbi mallrat kur ato hyjnë në vend, në përpjesëtim me vlerën e importit. Kështu që një makinë e importuar në SHBA me një vlerë prej 50,000 dollarë i nënshtrohet një tarife prej 25%, do të përballej me një tarifë prej 12,500 dollarë.

Tarifa paguhet fizikisht nga kompania vendase që importon mallrat, jo nga kompania e huaj që i eksporton ato.

Megjithatë, çështja se ku bie barra përfundimtare “ekonomike” e tarifave, në krahasim me faturën paraprake, është më e ndërlikuar.

Nëse firma importuese amerikane ia kalon koston e tarifës personit që blen produktin në SHBA në formën e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë, do të ishte konsumatori amerikan ai që mban barrën ekonomike.

Por nëse firma importuese amerikane thith koston të vetë tarifës dhe nuk e kalon atë, atëherë ajo firmë thuhet se mban barrën ekonomike në formën e fitimeve më të ulëta sesa do të kishte gëzuar ndryshe.

Përndryshe, është e mundur që eksportuesve të huaj mund t’u duhet të ulin çmimet e tyre të shitjes me shumicë me vlerën e tarifës në mënyrë që të mbajnë klientët e tyre amerikanë.

SHBA-ja është importuesi më i madh në botë: Kina, Meksika dhe Kanadaja përbëjnë rreth 40% të 3.2 trilion dollarëve të mallrave që importon çdo vit.

Si duhet ta mbani krahun gjatë matjes së tensionit! Pozicioni i gabuar jep rezultate jo të sakta

Një studim i ri ka zbuluar se një krah i pozicionuar në mënyrë jo të duhur gjatë  matjes së presionit të gjakut, qoftë në shtëpi ose në zyrën e mjekut, mund të rezultojë në lexime që janë “dukshëm më të larta” sesa kur krahu është në pozicionin e rekomanduar: i mbështetur siç duhet në një tavolinë, me ngjitësen e vendosur në nivelin e zemrës.

 

Një krah i vendosur në mënyrë jo të duhur gjatë matjes së presionit të gjakut mund të çojë në një diagnozë të gabuar të hipertensionit, i cili, sipas ekspertëve, mund të rezultojë në trajtim të panevojshëm.

Studimi, i botuar të hënën në revistën JAMA Internal Medicine, zbuloi se krahu që mbështetet në prehër gjatë matjes mund të bëjë që leximi i presionit të gjakut sistolik të mbivlerësohet me 3.9 mm Hg dhe leximi diastolik me 4 mm Hg. Nëse krahu varet, leximi sistolik mund të mbivlerësohet me 6,5 mm Hg dhe ai diastolik me 4,4 mm Hg.

Presioni i gjakut matet në milimetra merkur (mm Hg), dhe përbëhet nga dy numra,  leximet e sipërme (sistolike) dhe të poshtme (diastolike). Një person konsiderohet të ketë presion të lartë të gjakut ose hipertension nëse leximet janë vazhdimisht 130/80 ose më të larta.

Shkencëtarët shkruan se ka disa arsye fiziologjike pse një krah i pozicionuar në mënyrë jo të duhur mund të shkaktojë një tregues gabimisht më të lartë të presionit të gjakut.

Një distancë më e madhe vertikale midis zemrës dhe vendit të vendosjes së manshetës mund të rrisë presionin hidrostatik në arterie për shkak të ndikimit të gravitetit, duke çuar në një lexim të mbivlerësuar të presionit të gjakut.

Gjithashtu, një krah i pambështetur mund të shkaktojë tkurrje të muskujve, gjë që mund të rrisë presionin e gjakut.