31.5 C
Tirana
E diel, 3 Gusht, 2025

Zgjedhjet e 11 majit/ KQZ miraton projektvendimin, ja si do të ndahen mandatet në secilin qark dhe sa kandidatë për deputetë do të jenë të renditur në listë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar projektvendimin për caktimin e numrit të kandidatëve për deputetë në listat shumë emërore, për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ndarja e mandateve për secilin qark si vijon;

  • Qarku Berat, 7 mandate, 2 të renditur
  • Qarku Dibër, 5 mandate, 2 të renditur
  • Qarku Durrës, 14 mandate, 5 të renditur
  • Qarku Elbasan, 14 mandate, 5 të renditur
  • Qarku Gjirokastër, 4 mandate, 1 i renditur
  • Qarku Fier, 16 mandate, 5 të renditur
  • Qarku Korçë, 10 mandate, 3 të renditur
  • Qarku Kukës, 3 mandate, 1 i renditur
  • Qarku Lezhë, 7 mandate, 2 të renditur
  • Qarku Shkodër 11, 4 të renditur
  • Qarku Tiranë, 37 mandate , 12 të renditur
  • Qarku Vlorë 12, 4 të renditur

PËRLLOGARITJA

Në zgjedhjet e 11 majit, në sistemin e ri zgjedhor që do të aplikohet në Shqipëri, 46 deputetët e parë të çdo partie do të jenë nga lista e mbyllur, e cila është përcaktuar nga partitë dhe votuesi nuk ka mundësi të ndikojë në renditjen e tyre. Për partitë që fitojnë më shumë mandate se ato që kanë në listën e mbyllur, do të ketë mundësi të fusin deputetë nga lista e hapur, ku renditja përcaktohet nga votuesit.

Dyzetë e gjashtë deputetët e parë të çdo partie do të jenë nga listat e mbyllura, aty ku renditjen e ka përcaktuar partia dhe votuesi nuk mund të ndikojë. Vetëm për ato parti, që do të fitojnë mandate përtej listës së mbyllur, do të kenë mundësi të fusin në Kuvend, deputetë nga lista e hapur, aty ku renditjen e përcaktojnë zgjedhësit. Dokumenti i KQZ ka llogaritur sipas qarqeve, se si ndahen mandatet në lista të fiksuara dhe në lista të hapura. Sipas kësaj skeme, partitë e vogla nuk do të kenë thuajse asnjë deputetet që vjen nga lista e hapur, por vetëm nga ato të mbyllura.

Për 11 majin, secila partia/koalicion do të garojë me 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur. Sipas qarqeve, në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur. Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur. Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur.

Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur. Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej. Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor. Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë. Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur, Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.

Sipas Kodit, për çdo parti garuese, mandat do të fitojnë të parët ata që janë në listën e mbyllur, dhe brenda listës së mbyllur do të respektohet renditja e paracaktuar nga kryetari i partisë. Nëse partia/koalicioni fitojnë mandate në atë qark, më shumë se sa ka emra lista e mbyllur, atëherë do të fitojnë mandat sipas radhës, më të votuarit nga lista e hapur. Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse zonjat nuk janë votuar sa duhet në zgjedhje.

Kongresi i Lushnjës, cilat ishin vendimet! Qëllimi, mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit dhe sigurimi i pavarësisë

Më 21 janar të vitit 1920 nisi zyrtarisht punimet Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

 

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Pjesëmarrës në kongres ishin 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Data 21 janar ishte çelja zyrtare e kongresit, ndërsa punimet e tij u zhvilluan nga 28-31 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina. Me 21 janar të 1920, para 104 vitesh, Ahmet Zogu vinte në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e krahinave me tradita patriotike, asaj të Matit, Dibrës dhe Mirditës. I shoqëruar nga qindra luftëtarët e tij, ai luajti rol kryesor në sigurinë e zhvillimit të punimeve të Kongresit në ato ditë të trazuara. Duke parë origjinën e tij, prej familjes së madhe patriotike Zogolli, aftësitë personale dhe krahinën që ai përfaqësonte, Kongresi e zgjedh Ahmet Zogun, unanimisht Ministër të Brendshëm.

Pas përfundimit të punimeve të kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjës, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin. Gjatë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç.

Qeveria e Durrësit u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të ndaluar zbatimin e vendimeve të kongresit, duke u mbështetur dhe në forcën e ushtrisë italiane. Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të Kongresit të Lushnjës, shumë nga e delegatët Tiranës, Elbasanit, Kavajës e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat italiane të nxitura nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjës. Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjës deri sa të stabilizohej disi situata e turbullt e krijuar, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”. Ahmet Zoguu si ministër i Brendshëm, luajti rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e rendit në një Shqipëri të trazuar siç ishte asaj kohe. Prandaj Ahmet Zogu, me plot kuptimin e fjalës mbështetur në fakte të pakontestueshme mund të themi, luajti rol kryesor në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Prej këtij momenti Tirana mbetet kryeqytet i Shqipërisë, filloi ngritja e institucioneve shtetërore, kombi nisi të bëhet shtet, nisi njohja ndërkombëtare e Shqipërisë duke u bërë e mundur futja e saj në Lidhjen e Kombeve të bashkuara brenda vitit 1920. Nga ky Kongres nisi udhëtimin bërja e shtetit shqiptar dhe ngritja politike e Ahmet Zogut me rolin e pazëvendësueshëm të tij në shërbim të atdheut dhe kombit nën moton: “Atdheu mbi të gjitha”.

Gjigantët e teknologjisë bashkojnë forcat, do të investojnë 500 miliardë dollarë në Inteligjencën Artificiale

OpenAI po bashkon forcat me Oracle dhe Softbank për të investuar 100 miliardë dollarë për të ndërtuar menjëherë qendra të dhënash të afta për të fuqizuar Inteligjencën Artificiale (AI).

 

I rrethuar nga bosët e tre kompanive që e takuan atë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se është “projekti më i madh i infrastrukturës së AI në histori”.

OpenAI , krijuesi i ChatGPT, ka kërkuar prej kohësh investime të mëdha në infrastrukturë për të mbështetur AI, duke lobuar për suportin e qeverisë.

Konsorciumi i tre gjigantëve të teknologjisë, i quajtur Stargate, planifikon të investojë 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme.

“Mendoj se ky do të jetë projekti më i rëndësishëm i kohës sonë”, tha CEO i OpenAI, Sam Altman.

Plani, i cili përfshin ndërtimin e infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale si qendrat e të dhënave, pritet të krijojë më shumë se 100,000 vende pune, sipas Trump.

Shefi i teknologjisë i Oracle, Larry Ellison, tha se qendrat e para të të dhënave janë në ndërtim e sipër në Teksas dhe se të tjera do të ndërtohen në vende të tjera.

OpenAI tha se njoftimi i konsorciumit Stargate, i cili gjithashtu përfshin firmën e investimeve të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe MGX, ishte kulmi i më shumë se një viti bisedimesh.

Partnerët e tjerë përfshijnë gjigantët e teknologjisë Microsoft, Arm dhe NVIDIA, Softbank dhe OpenAI thuhet në një deklaratë.

“Po jetoj një ëndërr me Interin”, Asllani para ndeshjes në Champions: Shnajderin e kam idhull

Pasion, teknikë dhe shumë dashuri për futbollin. Kristjan Asllani është duke kaluar sezonin e tij të tretë me fanellën e Interit, me të njëjtën vendosmëri që e ka sjellë në Milano në vitin 2022.

 

“Të veshësh këtë fanellë sigurisht që ka një emocion të jashtëzakonshëm. Unë kam ardhur këtu 20 vjeç dhe jam rritur tashmë. Kam mbi shpatulla një Europian dhe sigurisht që ndihem më i pjekur, edhe pse duhet të vazhdoj të punoj. Për mua është e rëndësishme që të kem një grup lojtarësh që më vlerëson. Shokët e skuadrës më mbështesin si brenda dhe jashtë fushës së lojës. Më kanë ndihmuar të rritem”, tha fillimisht Asllani.

NISJA E KARRIERËS- “Isha një fëmijë që gjithmonë në këmbët e mia kisha topin në këmbë. Futbolli gjithmonë më ka argëtuar dhe më ka emocionuar. Ka bërë që unë të jetoj momente të jashtëzakonshme si fitorja e titullit kampion me Interin sezonin e kaluar”.

BABAI- “Nëse ka një person që më ka bërë të apasionohem me futbollin ai ka qenë babai im. Kujtoj që shkoja shpesh për të parë ndeshjet me të. Pastaj pasionin e vërtetë ma transmetojnë tifozët që janë shpirti i këtij sporti. Të futesh në fushë dhe të luash për ta është diçka që më bën shumë krenar”.

FRATEZI- “Më pëlqen shumë që të sfidoj Fratezin në skuadër. Ndonjëherë qëndrojmë pas stërvitjes për një kohë të gjatë dhe provojmë të godasim në portë”.

SHNAJDER- “Më shumë sesa sfidë do të më pëlqente shumë që të luaja përkrah Uesli Shnajderit. Ai është një lojtar që e kujtoj shumë mirë. Ka teknikë dhe një vizion të jashtëzakonshëm”.

SFIDA- “Sfida më e madhe për mua ka qenë pikërisht të shkoja tek Interi. Duhet të vazhdoj të punoj dhe gjatë kësaj kohe kam marrë disa emocione. Edhe Europiani me Shqipërinë ishte realisht shumë emocionues dhe i bukur”.

GOLI- “Goli i parë me Interin në ‘San Siro’ ka qenë momenti më i bukur i karrierës time. E kisha pritur dhe e doja shumë prej një viti e gjysmë dhe më në fund erdhi”.

YLLI I DYTË- “Ishte një moment i paharrueshëm për mua dhe për të gjithë skuadrën. Të fitosh një titull në moshën time, me skuadrën për të cilën ke bërë tifo ishte një emocion shumë i madh për mua”.

TRANSFERIMI- “Kur u përshëndeta me Empolin për të mbërritur tek Interi ishte pak e vështirë sepse u largova nga një skuadër, ku kisha luajtur prej 13 vitesh, por nga ana tjetër e dija që do të nisja një rrugëtim ku do të mësoja shumë dhe do të fitoja”.

Vrojtimi/ 40% e fermave të kafshëve në Shqipëri përdorin antibiotikë! Ja efekti tek shëndeti i njerëzve

Rreth 40 për qind e fermerëve shqiptarë raportuan se përdornin antimikrobikë në kafshët e tyre sipas një vrojtimi në 525 ferma të prodhimit blegtoral, 29 veterinerë dhe 21 farmaci veterinare që u krye në kujdesin e Organizatës Botërore të Ushqimit FAO, rezultatet e të cilit u publikuan së fundmi.

 

Përdorimi i antibiotikëve në kafshë është i rëndësishëm pasi ai forcon rezistencën e ndaj antibiotikëve tek njerëzit.

Rezultatet e anketës treguan se përdorimi i antibiotikëve ishte më i lartë në fermat e mëdha.

Tek fermat blegtorale te të imtave (dhi dhe dele) 53.2 për qind e fermerëve përdornin antibiotikë, 51.6 për qind e bletëve, 50.3 për qind fermave të lopëve të qumështit dhe po kaq ata që mbarështojnë gjedh për mish. Gjithashtu 29 për qind e fermerëve të pulave dhe 23.3 për qind fermave shtëpiake përdornin antibiotikë.

Në Europë për shkak të një direktivë që kërkon kufizimin e antibiotikeve tek bagëtitë përdorimi i tyre kanë rënë me 50% ndërmjet 2011 dhe 2022.

Përdorimi i tepërt i antibiotikëve mund të rrisë gjithashtu rrezikun e baktereve që janë rezistente ndaj trajtimit. Kjo kërcënon shëndetin e kafshëve, por mund të jetë gjithashtu një rrezik për njerëzit për sëmundje kronike. Gjithashtu njerëzit mund të ekspozohen ndaj patogjenëve rezistent duke ngrënë mish dhe produkte të qumështit të kontaminuar.

Anketa ne Shqipëri tregoi se, shumica e fermerëve në blegtori nuk kishin arsim apo trajnim formal mbi shëndetin e kafshëve ose blegtorinë.

Mbajtja e evidencës se mjekimit është bërë në mënyrë më të plotë nga veterinerët dhe personeli i farmacive veterinare sesa nga fermerët. Shumica e veterinerëve mbanin shënime për antibiotikët e përshkruar. Informacioni që ruhet janë emrat dhe sasia e antibiotikëve të shitur ose të përshkruar në vit.

Në mënyrë të ngjashme, i gjithë personeli i farmacive ka mbajtur shënime për emrat e antibiotikëve të shitur në vit dhe sasitë e shitura. Nga ana tjetër, vetëm gjysma e fermerëve të anketuar kishin të dhëna për barnat e blera dhe rreth 40 për qind mbanin shënime për vizitat dhe trajtimet veterinare.

Përdorimi i antibiotikëve në përgjithësi nuk ishte një zgjedhje e parë në rast sëmundjeje në fermat e anketuara, pasi fermerët raportuan se thirrën veterinerin dhe aplikuan izolimin e kafshëve të sëmura fillimisht.

Burimet kryesore të antibiotikëve për fermerët ishin farmacitë veterinare, dhe në një masë më të vogël, veterinere private. Kur u pyetën se kush e merr vendimin se kur do të përdoren antibiotikët, fermerët kryesisht raportuan veterinerët privatë.

Pronarët e fermave gjithashtu kishin një rol në vendimet në lidhje me përdorimin e antibiotikëve, pavarësisht faktit se shumë prej tyre nuk kishin arsim apo trajnim të mëparshëm për shëndetin e kafshëve.

Ndërkohë që shumica e fermerëve ndiqnin këshillat e veterinerëve për dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit të terapisë me antibiotikë, një numër i konsiderueshëm e fermerëve (15.0 për qind) raportuan se kishin administruar (në dozë më të ulët dhe për kohë më e shkurtër) nga sa këshillohej.

Rreth 67 për qind e fermerëve deklaruan se gjithmonë ose shpesh merrnin antibiotikë me recetë.

Antibiotikët që janë përdorur, këshilluar ose shitur zakonisht në respektojnë renditjen e tyre sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH):

  • Antimikrobikë me rëndësi kritike me prioritet më të lartë: ceftiofur, cefquinome, enrofloxacin, kolistin
  • Antimikrobikë me rëndësi kritike: Gentamicina, neomicina, streptomicina, kanamicina, eritromicina, tylosin, tilmicosin
  • Antimikrobikë shumë të rëndësishëm: amoksicilinë, ampicilinë, benzilpenicilinë, kloksacilinë, tetraciklinë, oksitetraciklinë, klortetraciklinë, doksiciklinë, florfenikol, linkomicinë, sulfonamidet
  • Antimikrobikë të rëndësishëm: spektinomycin

Në shumicën e rasteve, substancat e listuara janë përdorur për trajtimin e sëmundjeve dhe shumë rrallë për parandalim.

Kur pjesëmarrësit u pyetën në lidhje me efikasitetin e  të antimikrobikëve, (76.6 për qind e fermerëve, 75.8 për qind e veterinerëve dhe 80.9 për qind e farmacistëve) raportuan se kanë vërejtur ulje të efikasitetit të këtyre substancave.

Pothuajse gjysma e fermerëve përdorues të antibiotikëve raportuan se nuk e kishin dëgjuar më parë për rezistencën ndaj antibiotikëve. /Monitor

“Një potencial gjigand”- DW: Avionët në Spanjë që fluturojnë me kerozinë nga vaji i gatimit! Ekzistojnë dy rafineri, pritet një e tretë!

Spanja është pararojë në fushën e gjenerimit të karburanteve të rigjenerueshme. Dy rafineri ekzistojnë ndërkohë dhe më 2025 pritet të pasojë edhe një firmë e tretë. Avionët fluturojnë me bio-kerozinë.

Gjithnjë e më shumë avionë në Spanjë po fluturojnë me bio-kerozinën e përftuar nga vaji i mbetur i gatimit. Studiuesit thonë, se kjo lëndë e përftuar kursen lëndën e parë dhe ka emisione neutrale ndaj mjedisit, krahasuar me kerozinën tradicionale.

Në një pikë furnizimi me karburant në Madrid mund të dorëzohet vaji i përdorur në tenxheret e skuqjes. Në këmbim jepen bonuse për furnizim me karburant. Sepse për sipërmarrjen vaji i përdorur për skuqje është një lëndë e parë me vlerë.

Një potencial gjigand

Vaji i përdorur në kuzhinë mblidhet. Me anije ai transportohet në Kartagjenë, në këtë rafineri krejt të re, për prodhimin e karburanteve të favorshme ndaj mjedisit. Emilio Mayoral, inxhnier rafinerie thekson:”Ka dy reaktorë. Ato i konvertojnë komponentët nga vajrat e mbetura të kuzhinave në të njëjtat elementë përbërës si tek karburantet me bazë nafte. Lënda kimike që përftohet është ekzaktësisht e njëjta si karburantet e naftës.”

Vetëm pak muaj është në funksionim kjo sipërmarrje dhe impianti punon me kapacitet të plotë. Emilioe Mayoral, vë në dukje më tej, se vetëm sot kompania prodhon tetë metër kub karburant në orë. Kjo sasi është 8000 litra kerozinë e favorshme për mjedisin.

E që të mbarojë një ditë lënda e parë, me gjasë nuk mund të ndodhë. Sepse ka mjaft pika grumbullimi të vajit të përdorur dhe një potencial gjigand, thonë prodhuesit e karburantit.

Estibaliz Pombo, eksperte e energjive alternativë thotë se „të gjithë e dinë, se kjo është e rëndësishme, që të grumbullohet vaji i konsumuar në kuzhina. Sot ne grumbullojmë vetëm 5%. Por ky vaj i përdorur mund të ketë një përdorim të dytë si karburant konform normave për ruajtjen e mjedisit.”

Objektiv ambicioz i Iberias

Në aeroportin e Madridit – përdoret karburanti nga rafineria e re. Provat kanë treguar, se, motorët nuk kanë asnjë problem me këtë kerozinë të përftuar nga vaji udhqimor. Deri në vitin 2023 shoqëria ajrore spanjolle Iberia synon që 10 përqind të serbatorëve të avionëve t’i furnizojë me këtë lloj kerozine. Një objektiv mjaft ambicioz ky.

Por kerozina e qendrueshme e përftuar nga vaji ushqimor, kushton aktualisht tri herë më shumë se kerozina e zakonshme. Çmimet megjithatë mund të ulen, sepse po rritet oferta.

Ndërkohë në Andaluzi po krijohet një tjetër rafineri, që do të prodhojë kerozinë nga mbetjet. Kjo do të jetë më e madhja në llojin e saj në Europë. „Ne përpunojmë yndyrnat shtazore dhe mbetjet nga industria agrare dhe ajo ushqimore”, thotë Marta Cencillo, eksperte e qarkullimit ajror konform ruajtjes së mjedisit.

Abu Dhabi investitor

Investitori më i madh i këtij impianti vjen pikërisht nga Emirati i Abu Dhabit, që është i njohur për biznesin me naftën. Atje siç duket besojnë, se në të ardhmen mund të fitojnë para me karburantet konform mjedisit.

Nxitës për këtë zhvillim të ri është edhe Bashkimi Europian. BE-ja ka përcaktuar, që avionët duhet të furnizohen me dy përqind kerozinë të përshtatshme për mjedisin. Deri në vitin 2030 kuota duhet të arrijë në gjashtë përqind. Ndërsa për 2050 është parashikuar që 70 përqind e kerozinës të jetë e qendrueshme.

I pandehur për fshehje pasurie, Asllan Dogjani paraqitet në GJKKO për të marrë pjesë në seancën gjyqësore!

Deputeti  Asllan Dogjani, është paraqitur në GJKKO, për të marrë pjesë në seancën paraprake, ku do vendoset për kalimin ose jo për gjykim të dosjes në ngarkim të tij.

Dogjani i cili akuzohet për fshehje pasurie, para hyrjes në ambientet e gjykatës së Posaçme ka thënë para gazetarëve se pret drejtësi.

Sipas SPAK, Dogjani ka bërë deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti.

Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, thotë SPAK.

Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme bën me dije se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.

“Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thotë SPAK.

“Raporti i OECD, një thirrje për ndryshim rrënjësor në shëndetësi”, Basha: Programi i Demokratëve Euroatlantikë, parashikon një rikonceptim të mirëstudiuar për ta bërë atë sipas nevojës së qytetarëve, jo sipas xhepit

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas publikimit të raportit të OECD mbi gjendjen shëndetësore në Europë. Sipas tij, raporti thekson mungesën serioze të investimeve në shëndetësinë shqiptare, duke lënë qytetarët me shpenzime të larta nga xhepi dhe një sistem të dobët shërbimesh.

Basha akuzon qeverinë Rama për dështim total në përmbushjen e premtimeve për shëndetësi falas, ndërsa thekson se buxheti publik shkon për koncesione korruptive. Ai më tej thotë se programi i Demokratëve Euroatlantikë, parashikon një rikonceptim të mirëstudiuar të shërbimit shëndetësor, për ta bërë atë sipas nevojës së qytetarëve, jo sipas xhepit i cili përfshin:
• Kartën e sigurimit shëndetësor për trajtim pa pagesa shtesë.
• Anulimin e PPP-ve të panevojshme dhe rritjen e buxhetit për rimbursime.
• Investime në teknologjinë dixhitale dhe luftë ndaj barnave jocilësore.

“Shqipëria meriton një shëndetësi moderne, ku qytetarët trajtohen me dinjitet dhe siguri,” përfundon Basha, duke kërkuar votën e qytetarëve më 11 maj për një ndryshim rrënjësor.

Postimi i plotë i Bashës:

Raporti i OECD mbi gjendjen shëndetësore në Europë, tregon një mungesë serioze të investimeve në shëndetësinë shqiptare, që prek drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenien e qytetarëve. Me shpenzime për frymë pothuajse 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së , Shqipëria përballet me sfida madhore si mungesa e pajisjeve moderne, infrastruktura e pamjaftueshme dhe burimet njerëzore të kufizuara në sektorin e shëndetësisë.

Situata dramatike në shëndetësi, është pasojë e dështimin total të Edi Ramës, i cili premtoi shëndetësi falas, por sot qytetarët paguajnë 60% të shpenzimeve nga xhepi, ndërsa paratë e buxhetit shkojnë për koncesione klienteliste dhe korruptive, sikurse dëshmojnë hetimet e SPAK.

Ky raport është një tjetër thirrje për një ndryshim rrënjësor, që mund të nisë vetëm me votën tuaj më 11 maj ️, për të lënë pas një që punon vetëm për vete, nuk ka interes shëndetin e qytetarëve.

Programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon një rikonceptim të mirëstudiuar të shërbimit shëndetësor, për ta bërë atë sipas nevojës së qytetarëve, jo sipas xhepit:

✅ Zbatojmë parimin “paraja ndjek pacientin”, duke i dhënë çdo shqiptari kartën e sigurimit shëndetësor, me të cilën mund të zgjedhë ku dhe si të trajtohet (publik apo privat) pa pagesa shtesë;

✅ Forcojmë skemën e sigurimeve shëndetësore, kalojmë nga pagues i vetëm në disa pagues;

✅ Rrisim buxhetin për shëndetësinë, ku 50% më shumë shkojnë në rimbursim dhe motivimin e personelit mjekësor;

✅ Anullojmë PPP-të e panevojshme, që zhvasin milionat e taksapaguesve;

✅ Krijojmë Agjencinë Kombëtare të Llogarive Shëndetësore për kontroll shpenzimesh në sektorin publik dhe privat;

✅ Investojmë në teknologjinë dixhitale, si kartelën elektronike, e cila i mundëson pacientit trajtim kudo dëshiron, duke pasur historikun mjekësor me vete;

✅ Përmirësojmë paketën bazë të sigurimeve shëndetësore, me rimbursim sipas diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient të mos mbetet pa mjekim për shkak të mungesës së barnave në lista;

✅ Luftojmë barnat jocilësore dhe mafian e barnave, duke siguruar medikamente bashkëkohore e të sigurta për çdo qytetar.

Me angazhimin dhe mbështetjen tuaj mund të ndërtojmë një shëndetësi moderne, ku dinjiteti e jetesa e secilit janë vërtet të mbrojtura.

Shqipëria meriton më shumë

SPAK aksion në Portin e Durrësit/ Hetime për kontratën e kontenierëve, sekuestrohen dokumente dhe pajisje

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë beftas një ditë më parë në Portin e Durrësit duke sekuestruar dokumentacion dhe pajisje. Kapitali ka mësuar se aksioni i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar në kuadër të një hetimi për kontratën e terminalit të kontenierëve, e cila për koinçidëncë përfundoi pikërisht një ditë më parë.

Ngarkim-shkarkimi i kontenierëve të mallrave është një nga bizneset më të mëdha në Portin e Durrësit. Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike e konçesionoi shërbimin tek kompania turke Kurum. Por për shkak se turqit nuk respektuan kontratën, në fund të vitit 2017, ish ministri i atëherëshëm i Infrastrukturës Damian Gjiknuri e anulloi koncesionin.

Në vitin 2021, Autoriteti Portual e privatizoi sërish shërbimin, këtë herë përmes një koncesioni të fshehë. Përmes një tenderi, APD e kaloi shërbimin e operimit të terminalit të kontenierëve tek një kompani private nga Malta e quajtur Hili Limited, e cila krijoi për këtë qëllim shoqërinë Mariner Adriatic. Sipas kontratës, kompania do të kryente për një periudhë 5 vjeçare shërbimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve dhe në këmbim Autoriteti Portual do t’i paguante asaj një shifër prej 31 milionë eurosh.

Zyrtari që nënshkroi kontratën ishte drejtori i atëhershëm i APD, Pirro Vengu, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin qeveritar të Edi Ramës. Burime i thanë Kapitalit se në qendër të hetimeve të SPAK është pikërisht roli i Vengut.

Dyshime për abuzim
Në dokumentat e tenderit për dhënien tek privati të shërbimit të kontenierëve, Autoriteti Portual kishte vendosur si detyrim se kompania fituese duhet të siguronte me fondet e veta, një sërë pajisjesh të domosdoshme për kryerjen e shërbimit, përfshirë 3 vinça të tonazhit të lartë, 6 reach stakera dhe 2 lefterakë.

Por pas zhvillimit të tenderit dhe shpalljes fituese të Hili Limited, kushtet dyshohet se u ndryshuan dhe kostot e blerjes së pajisjeve ju ngarkuan Autoritetit Portual duke favorizuar  kompaninë malteze, pasi të vetmet asetet që ajo duhet të sillte iu ngarkuan publikut.

Terminali i kontenierëve është një nga koncesionet më fitimprurëse të Portit. Vitin e kaluar, Mariner fitoi 1.2 milionë euro pas taksave, ndërkohë që regjistroi një xhiro prej gati 10 milionë eurosh. Praktikisht kontrata e operimit të kontenierëve privatizoi të gjithë fitimin e Portit të Durrësit, i cili tashmë ka vështirësi financiare.

Kontrata mes Autoritetit Portual dhe kompanisë ka përfunduar zyrtarisht një ditë më parë. Edhe pse ajo lejonte opsionin e shytrjes me 20 për qind, Autoriteti Portual dhe ministria e Infrastrukturës nuk kanë pranuar ta zgjasin, për shkak se kanë ndier presionin e hetimeve të SPAK.

Kallëzimi penal për tenderin e menaxhimit të kontenierëve në Portin e Durrësit është bërë tre vjet më parë nga deputeti demokrat Gazment Bardhi. Por tashmë hetimet kanë hyrë në një fazë të avancuar. Më parë, hetuesit e SPAK kishin marrë në pyetje anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të këtij tenderi, Alket Bedini, Rafael Rexha, Besian Hereni dhe Endri Sofija. Ndërsa tani hetuesit kanë shkuar më tej duke sekuestruar dokumentacion.

Cështja e pajisjeve është thelbi i hetimeve të SPAK dhe në fokusin e prokurorëve është roli i Pirro Vengut, i cili sipas burimeve, ndodhet në një pozitë jo fort komode në raport me hetimet./kapitali.al

Zjarri në resortin e skive, mes viktimave dhe shumë fëmijë! Si ndodhi tragjedia në hotelin me 237 pushues në Turqi, presidenti Erdogan shpall ditën e zisë

Të paktën 76 persona humbën jetën tragjikisht nga zjarri që përfshiu një resort skish në Turqinë veriperëndimore të martën, duke detyruar pushuesit të hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.

 

Sipas të dhënave të reja të publikuara nga mediat turke, mësohet se mes viktimave dhe 51 të plagosurve, besohet se ka dhe shumë fëmijë.

Sipas ministrit të Brendshëm turk, rreth 52 viktima u identifikuan dhe trupat e pajetë iu dorëzuan familjarëve të tyre. Ndërkohë, shkollat ​​dhe bizneset lokale filluan të postojnë njoftime për vdekjen e studentëve dhe stafit të tyre. Disa u raportuan se ishin nxënës të klasës së pestë, të moshës 10 deri në 11 vjeç.

Mësohet se nga të lënduarit që po marrin ndihmë mjekësore në spital, 17 prej tyre kanë marrë lëndime të lehtë dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre.

zjarri turqi resorti i skive (1)

Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin për zjarrin, ndwrsa 9 persona u arrestuan si pjesë e hetimit për zjarrin. Më herët, ministri i drejtësisë Yilmaz Tundes tha se pronari i hotelit ishte në mesin e të arrestuarve për t’u marrë në pyetje në hetim. Presidenti turk e shpalli të mërkurën ditë zie.

“Sot nuk është ditë politike, është ditë solidariteti, të jemi një dhe bashkë”, tha ai për X, duke shtuar se kushdo që gjendet përgjegjës do të mbajë përgjegjësi.

“Unë e them këtë qartë dhe pa mëdyshje një herë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit,” tha Tajip Erdogan .

Si ndodhi ngjarja

Zjarri në hotelin 12-katësh Grand Kartal, i cili ndodhet në destinacionin e njohur të turizmit dimëror të Kartalkaya, rreth 300 km në perëndim të Stambollit dhe 180 km nga Ankaraja, shpërtheu në orën 3:27 të mëngjesit. Në atë kohë, shumica e klientëve të hotelit ndodheshin në dhomat e tyre dhe flakët i gjetën duke fjetur, gjë që vlerësohet të ketë shtuar numrin e viktimave.

Në numrin e madh të viktimave ka kontribuar edhe fakti se në këtë kohë nxënësit në Turqi janë me pushime dy javë pas përfundimit të semestrit të parë në shkolla dhe për shumë familje kjo është periudhë ekskursionesh dimërore.

TURQI

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Është e mundur që kjo të jetë për shkak të një rrjedhje gazi ose një shkëndije elektrike. Vlerësimet e para tregojnë se zjarri ka rënë në zonën e restorantit të hotelit.

Në kohën e zjarrit, në hotel ishin 237 pushues, sipas prefektit të Bolou, Abdulaziz Aydin.

Në pamjet e shfaqura, zjarri ka përfshirë me shpejtësi hotelin dhe e ka shkatërruar plotësisht. Fakti që ndërtesa kishte veshje druri në muret e saj ka kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e shembjes së ndërtesës.

Sipas mediave turke, hoteli nuk kishte një sistem shuarje zjarri me bazë uji që aktivizohej automatikisht në rast zjarri dhe alarmi nuk binte.

Informacioni fillestar se nuk kishte as shkallë të jashtme shpëtimi në rast zjarri, u mohua nga ministri i Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, i cili citoi një certifikatë përkatëse nga Shërbimi Zjarrfikës.

Gjithashtu u tha se nuk ka stacion zjarrfikës në Kartalkaya, i cili është një nga vendpushimet më të rëndësishme të skive, relativisht afër Stambollit dhe Ankarasë. Stacioni më i afërt i Shërbimit Zjarrfikës është një orë e 15 minuta larg.