31.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Gusht, 2025

UEFA i beson gjyqtarëve nga Shqipëria, Jorgji vendos drejtësi në sfidën mes gjigantëve të Bundesligës dhe Hungarisë

Enea Jorgji është kryesori i ndeshjes, që do të luhet mes Frankfurtit dhe Ferencvarosh. Takimi i vlefshëm për raundin e shtatë të Ligës së Europës, do të fillojë të enjten në orën 21:00.

 

Jorgji do të shoqërohet në Gjermani nga dy asistentë shqiptarë, Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj.

Frankfurt ndodhet për momentin në vendin e pestë me 13 pikë. Në anën tjetër Ferencvarosh mban vendin e 16-të me 9 pikë.

Përballja mes gjigantëve të Bundesligës dhe atyre të Hungarisë premton spektakël.

VIDEO/ U akuzua se përshëndeti turmën duke bërë veprime naziste, Elon Musk i përgjigjet kritikave

Polemika të mëdha janë shkaktuar që nga mbrëmja e së hënës në inaugurimin e Donald Trump, pas një gjesti të Elon Musk në skenën në të cilën u mbajt parada për nder Trump, e cila u cilësua si naziste.

elon musk

Duke kafshuar buzën e poshtme, ai goditi dorën e djathtë mbi zemër, gishtat u përhapën gjerësisht, pastaj zgjati krahun e djathtë jashtë, në një kënd lart. Pastaj u kthye dhe bëri të njëjtin gjest me dorë turmës pas tij.

“Zemra ime është për ju. Falë jush është e sigurtë e ardhmja e qytetërimit,” tha ai gjatë përshëndetjes.

Musk i është përgjigjur drejtpërdrejt akuzës ndaj tij, fillimish me një përgjigje që ai ka dhënë në një postim në X, ku mohoi që përshëndetja ishte naziste.

“A mund të ndalojmë së quajturi njerëzit nazistë? Nuk funksionoi në periudhën e zgjedhjeve, nuk funksionon tani, është e mërzitshme dhe e vjetër. Nuk kalon më, njerëzit nuk janë të tronditur nga ajo”, shkroi një përdorues i X në një video të publikuar, ndërsa Musk iu përgjigj: “Pikërisht”.

musk-answer

Pas këtij komenti, Musk bëri dhe një tjetër reagim, duke i cilësuar këto akuza si të lodhura.

“Sinqerisht, keni nevojë për truke më të mira të pista. Sulmi i stilit ‘të gjithë janë Hitler’ është kaq i mërzitshëm,” shkroi ai.

Screenshot 2025-01-21 131840

 

Reagime të menjëhershme në rrjetet sociale ka pasur edhe nga historianë dhe akademikë, të cilët veprimin e tij e cilësuan nazist.

Claire Aubin, një historiane e specializuar për nazizmin në Shteteve të Bashkuara, tha se gjesti i Musk ishte një “sieg heil”, ose përshëndetje naziste.

“Mendimi im profesional është se ju jeni mirë, duhet t’u besoni syve”, postoi ajo në X, duke iu referuar atyre që besonin se gjesti ishte një referencë e hapur ndaj nazistëve.

Ruth Ben-Ghiat, një profesoreshë historie në Universitetin e Nju Jorkut, tha: “Ishte një përshëndetje naziste dhe gjithashtu shumë luftarake.”

Gjyqi për dosjen “Metamorfoza” zhvillohet me debate! Behar Bajri kërkoi gjykim me dyer të mbyllura, SPAK i refuzoi kërkesën

Procesi gjyqësor për dosjen e shumëpërfolur “Metamorfoza” ka nisur mes mungesash dhe debatit për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura.

 

Në seancë munguan të pandehurit Pëllumb Gjoka, Asmer Bilali dhe Xhevahir Lita, ndërsa të pranishëm ishin Behar Bajri, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj dhe Oltion Bistri.

Për shkak të një fatkeqësie familjare, avokatja e Edmond Prekës nuk ishte e pranishme. Po ashtu, mungoi edhe mbrojtësi ligjor i Ardit Hasanbegajt për arsye shëndetësore.

Gjatë seancës, i pandehuri Behar Bajri (i njohur edhe si Behar Bajrovic) kërkoi që gjykimi të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se mediat e kishin paragjykuar atë.

SPAK kundërshtoi këtë kërkesë, duke deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për të zhvilluar procesin gjyqësor me dyer të mbyllura dhe GJKKO e rrëzoi kërkesën.

Sakaq, seanca e radhës u vendos të zhvillohet në datën 30 janar 2025.

Atalanta “sheh” fazën tjetër, Berat Gjimshiti pritet titullar në Champions

Atalanta e Berat Gjimshitit përballet sot në orën 18:45 ndaj Shturm Gracit në sfidën e parafundit të Ligës së Kampioneve në fazën e kampionatit.

Bergamaskët ndodhen në vendin e 13-të në kuotën e 11 pikëve dhe një fitore do t’i siguronte menjëherë fazën “play off”. Por ky nuk është objektivi i vetëm që Atalanta ka, pasi fitorja do të rriste shanset për një vend mes 8 më të mirave të Europës dhe ndaj Shturmit në shtëpi, shihet si një ndeshje e lehtë në letër.

Nga minuta e parë në këtë sfidë pritet të luajë edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti. Fitorja ndaj Shturmit të Gracit është e nevojshme edhe për faktin se një hap fals do të vendoste në rrezik gjithçka, duke parë se sfida e fundit në Ligën e Kampioneve do të jetë kundër Barcelonës së Hansi Flikut.

Nga djali i dy emigrantëve në postin e lartë të administratës së Trump! Kush është Marco Rubio që u konfirmua nga Senati si Sekretar Shteti

Senati amerikan ka konfirmuar emërimin e Marco Rubio si Sekretarin e 72-të të Shtetit të SHBA-së në administratën Trump.

 

Shtëpia e Bardhë, duke postuar  në X, konfirmoi emërimin e tij si Sekretar i Shtetit.

“Urime Marco Rubio për konfirmimin e tij unanim si Sekretar Shteti, i pari në kabinetin e Presidentit Trump. Amerika është kthyer dhe po hyn në një epokë të artë”, tha Shtëpia e Bardhë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Marco Rubio është djali i dy emigrantëve punëtorë nga Kuba. Babai i tij punonte si banakier banketi dhe nëna e tij ekuilibronte kujdesin për familjen në shtëpi, ndërsa punonte në një fabrikë, si arkëtare dhe si shërbëtore hoteli.

Rubio pa nga afër se si puna e palodhur, besimi dhe komuniteti i ndihmuan prindërit e tij të arrinin ëndrrën amerikane.

Kujtojmë se Donald Trump u betua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara në Kapitolin e SHBA në Uashington, DC.

Pas betimit, Trump deklaroi se “epoka e artë” e Amerikës ka filluar.

Të gjithë te “Gabi”! INSTAT: Importet e veshjeve të përdorura në vend janë rritur me 81%! Largimi i të rinjve dhe…, çfarë e shkaktoi zhvendosjen e blerjeve të shqiptarëve

Gjithnjë e më shumë konsumi i veshjeve në vendin tonë po zhvendoset te mallrat e dorës së dytë, të njohura si të përdorura.

 

Pjesa e popullsisë që “investon” në veshjet e reja, kryesisht të rinjtë, po pakësohen nga emigrimi dhe rënia e lindjeve, ndërsa popullsia në moshë pensioni, që po zgjerohet, harxhon më pak për veshje.

Të dhënat e INSTAT treguan se gjatë vitit 2024, importet e veshjeve të përdorura në sasi shënuan rritje me mbi 81%. Gjatë vitit të kaluar u importuan 22,1 mijë tonë veshje të përdorura nga 12,2 mijë tonë në vitin 2023.

Importet e veshjeve të përdorura nga viti 2019 deri në vitin 2023 ishin rreth 12 mijë tonë, por në 2024 gati u dyfishuan në mbi 22 mijë tonë.

Me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat.

Gjatë vitit të kaluar, importet e veshjeve të reja pësuan rënie në disa grupe ose qëndruan në vendnumëro.

Importet e veshjeve të reja në sasi ishin në rënie të lehtë për dytin viti radhazi më 2024.

Rënia e konsumit të veshjeve në Shqipëri mbart disa faktorë të shumëfishtë që kanë të bëjnë me tkurrjen dhe plakjen e popullsisë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të shportës.

Tkurrja e numrit të të rinjve, të cilët zakonisht priren të blejnë veshje të reja po ndikon negativisht konsumin. Gjithashtu popullsia e vendit po tkurret përveçse po plaket.

Vendi nisi të tkurret nga njerëzit që prej vitit 1990. Normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni ishin faktorët kryesorë që kontribuuan në zvogëlimin e popullsisë. Gjatë periudhës midis censeve 2011-2023, popullsia e vendit u tkurr me 420 mijë banorë.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.

Moshat më të vjetra kanë strukturë të ndryshme konsumi nga të rinjtë dhe harxhojnë pak për veshje dhe zakonisht priren të plotësojnë nevojat në tregjet e dorës së dytë. Por veshjet e dorës në dytë janë kthyer në trend edhe për grupmoshat e tjera kudo në botë, për shkak se shpesh ofrojnë çmim të ulët kundrejt një cilësie të mirë.

Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që mat perceptimin e qytetarëve për situatën ekonomike, gjeti se më 2024 shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë. Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore.

Njësoj si në Europë, qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë. Edhe në Europë dhe më gjerë, shitjet e veshjeve të reja po përballen me rënie këtë vit, edhe pse inflacioni po stabilizohet duke thyer të gjitha parashikimet për rritje të shitjeve në fillim vit./ Monitor

im

Kaos në Kuvendin e Malit të Zi, opozita bllokon seancën e Kuvendit dhe pengon miratimin e buxhetit

Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.

 

Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

“Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiq.

Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.

Mandiq nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj.

Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.

BE-ja ofron ndihmë

Bllokimi i punimeve në Kuvendin e Malit të Zi u diskutua edhe gjatë vizitës zyrtare të komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Mal të Zi, e cila ofroi ndihmën e Komisionit Evropian për normalizimin e punës së Kuvendit.

Delegacioni i BE-së propozoi përfshirjen e Komisionit të Venecias – një organ këshillues i Këshillit të Evropës – në zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe parlamentare.

Edhe pse DPS-ja nuk e refuzoi publikisht këtë propozim, kryeministri malazez, Millojko Spajiq, e akuzoi atë për aktivitete antievropiane.

Deputeti i opozitës nga Social-demokratët, Nikolla Zirojeviq, tha se nuk ka vend për kompromis kur shkelet Kushtetua.

“Nuk e di se si duhet ta komunikojmë, ta shkruajmë, ta vizatojmë, ta këndojmë, si me shumicën parlamentare, ashtu edhe me Delegacionin e BE-së: nuk negociojmë për respektimin e Kushtetutës së Malit të Zi në Kuvendin e Malit të Zi”, tha Zirojeviq.

Kërkesat e opozitës

Përveçse anulimin e pensionimit të gjyqtares Gjuranoviq, opozita kërkon edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze.

Ndryshime të tilla kërkojnë partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, i udhëhequr nga Andrija Mandiq.

Konkretisht, ato kërkojnë që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar kështu me gjuhën malazeze, dhe liberalizim të shtetësisë, përkatësisht t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë.

Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi.

Spajiq tha se për to do të vendoset me konsensusin e të gjitha palëve.

Opozita, në anën tjetër, tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave./rel

Turqi, thellohet bilanci, shkon në 66 numri i të vdekur nga zjarri në hotelin e skive, pushuesit lidhën çarçafë për të zbritur nga dritaret

Të paktën 66 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë dërguar në spital pasi një zjarr shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya në provincën veriperëndimore Bolus të Turqisë.

Zjarri raportohet se filloi në restorantin e hotelit dhe u përhap në të gjithë ndërtesën 12-katëshe për shkak të pamjes së jashtme prej druri. Deri më tani, shkaqet mbeten të panjohura, sipas Hurriyet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, kohë kur shumica e pushuesve ishin në gjumë, gjë që e vështirësoi edhe më shumë situatën, raportojnë mediat turke. Sipas guvernatorit të rajonit, Abdulaziz Aydin, në hotel qëndronin 234 të ftuar.

Videot e telefonave celularë kapën skena tronditëse, me vizitorët që lidhnin çarçafë për t’u zbritur nga dritaret, ndërsa të tjerët bërtisnin për ndihmë. Dy nga viktimat u vranë pasi u hodhën nga ndërtesa në panik, tha guvernatori.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u informua për incidentin dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tundes njoftoi hapjen e një hetimi për zjarrin, duke emëruar gjashtë prokurorë dhe një ekip prej pesë ekspertësh.

Raporti i OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë!

Në vitin 2022 Shqipëria kishte shpenzimet shëndetësore për frymë (publike +private), prej vetëm 734 euro. Ky ishte niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik  (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

 

Shpenzimet për frymë për shëndetësinë në Shqipëri janë gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

Në rajon, shpenzimet më të larta për shëndetësinë i ka Mali i Zi, dy herë më shumë se tek ne (1593 euro), e ndjekur nga Serbia (1517), Maqedonia e Veriut (1142 euro), Bosnjë-Hercegovina (1072). Edhe nëse bëhen llogaritjet me popullsinë e fundit të CENs prej 2.42 milionë banorë, sërish shpenzimet për frymë mbeten më të ulëtat në Europë, teksa nuk i kalojnë 820 euro, ose 4.3 herë më pak se në Europë.

Të dhënat tregojnë se Zvicra kryeson Europën për nivelin e lartë të shpenzimeve shëndetësore për frymë me 5630 euro në vit e ndjekur nga Norvegjia me 5,376 euro.

Midis vendeve të BE-së, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin të larta edhe në Gjermani me 5,317 euro frymë ose 50% mbi mesataren e BE-së. Shpenzimet shëndetësore në Austri dhe Holandë ishin gjithashtu të paktën 25% më të larta se mesatarja e BE-së.

Në anën tjetër brenda BE, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin më të ulëtat në Hungari, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, me më pak se 1900 euro për person. Po në disa vende jashtë BE-së, shpenzimet shëndetësore ishin shumë më pak.

Për shembull, Turqia shpenzoi vetëm rreth 1000 euro për  frymë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër ishte më pak se 800 euro. Gjithashtu shqiptarët janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore, sipas anketës së fundit të “Security Metër”, të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar, pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% dhe Serbisë, 20%.

OECD vë re se shpenzimet shëndetësore në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore ishin mbi pesë herë më të larta se në disa vende në Evropën Qendrore, Lindore ose Jugore.

Në periudhën e rritjes së ngadaltë pas krizës financiare globale në 2008/09, rritja vjetore e shpenzimeve shëndetësore për frymë arriti në 3.4% mesatarisht në vendet e BE-së midis 2015 dhe 2019. Me fillimin e pandemisë COVID-19 në fillim të vitit 2020, qeveritë akorduan burime të paprecedentë financiare për sektorin e shëndetësisë për të luftuar COVID-19 dhe për të trajtuar pasojat.

Rritja mesatare e shpenzimeve shëndetësore arriti gati 6% në terma realë në vitin 2020 dhe u përshpejtua në 9.6% në 2021 në vendet e BE-së për të zhvilluar opsionet e trajtimit të pandemisë.

Mirëpo pas luftës në Ukrainë që nxiti krizën e energjisë dhe rritjen e kostove të jetesës, financimet për shëndetësinë u dobësuan.

Si rezultat, shpenzimet shëndetësore për frymë ranë ndjeshëm në vitin 2022 në të gjithë BE-në. Vlerësimet paraprake për vitin 2023 tregojnë për një tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve shëndetësore në rreth gjysmën e vendeve të BE-së. Trajektorja e shpenzimeve të sistemeve shëndetësore po kthehet në nivelet para pandemisë./Monitor

fg

100 milionë dollarë më shumë në ditë, DW: Super të pasurit po pasurohen edhe më shumë

Njerëzit më të pasur në botë po bëhen gjithnjë e më të pasur. Pasuria e tyre rritet deri në 100 milionë dollarë në ditë. Në anën tjetër, shtohet varfëria.

Në prag të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Oxfam njoftoi se vitin e kaluar numri i miliarderëve në botë është shtuar me 204 miliarderë të rinj.

Oxfam bëri të ditur se pasuria e super të pasurve po rritet: pasuria e tyre totale është rritur nga 13 trilionë dollarë në 15 trilionë dollarë në vitin 2024, brenda një viti. Në të kundërt, 733 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm – rreth 152 milionë më shumë se në vitin 2019.

Studimi i Oxfam “Takers not Makers” zbulon se aktualisht ka 2,769 miliarderë në botë. Pasuria e tyre është rritur tre herë më shpejt në vitin 2024, krahasuar me një vit më parë, me rreth 100 milionë dollarë në ditë.

Në Gjermani ka 130 miliarderë

Në Gjermani pasuria totale e super tëpasurveu rrit me 26.8 miliardë dollarë në vitin 2024, në gjithsej 625.4 miliardë dollarë. U regjistruan edhe nëntë miliarderë të rinj, kështu që tani ka 130 miliarderë në Gjermani.

Gjermania ka tani më së shumti miliarderë pas SHBA-së, Kinës dhe Indisë. Oxfam llogarit se miliarderët gjermanë përfitojnë mbi mesataren nga trashëgimia.

Ndërsa 36 për qind e pasurisë së miliarderëve në mbarë botën vjen nga trashëgimia, në Gjermani kjo shifër shkon në 71 për qind.

Në të njëjtën kohë, varfëria është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Shumë njerëz nuk janë në gjendje të ruajnë standardin e tyre të zakonshëm të jetesës.

Kjo pabarazi ekstreme është shkaktuar kryesisht nga politikat e padrejta tatimore,” shpjegoi zëdhënësi i Oxfam Manuel Schmitt. “Super të pasurit shpesh paguajnë më pak taksa dhe kontribute sesa familjet e klasës së mesme,” thotë ai.

Oxfam: Kërcënimet për demokracinë
Sipas autorëve të studimit, të pasurit janë përfituesit më të mëdhenj të viteve të krizës.

Nga këndvështrimi i kësaj organizate humanitare, hendeku në rritje ka pasoja për gjendjen globale, por edhe për gjendjen në shoqëritë kombëtare. Super të pasurit kanë siguruar me qëllim që strukturat e padrejta të mbeten të qëndrueshme.

Vendet ekonomikisht të forta në veriun global vazhdojnë të vendosin rregulla, nga të cilat përfitojnë super të pasurit dhe korporatat e tyre,” thuhet në raport. Kjo, thotë studimi, është ende pasojë e kolonializmit.

Drejtori ekzekutiv i Oxfam Gjermani, Serap Altinisik, paralajmëron për pasoja negative për demokracitë.

Pasuria shkon paralelisht me pushtetin politik. Këtë e shohim sot me rastin e rikthimit të Presidentit Donald Trump: një president miliarder i mbështetur nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk”, thotë Altinisik dhe shton: “Rritja e pasurisë së super të pasurve është e pakufizuar, ndërkohë që vështirë se ka përparim në luftën kundër varfërisë”.

Sipërmarrësit amerikanë të teknologjisë në krye
Raporti bazohet në të dhënat e revistës Forbes. “Edhe sikur të humbnin 99 për qind të pasurisë së tyre brenda natës, ata do të ishin ende miliarderë”, thuhet në raportet e “Forbes”, ku përfshihen edhe sipërmarrësit amerikanëtë teknologjisë, Jeff Bezos (Amazon), Mark Zuckerberg (Meta), Larry. Ellison (Oracle), Bill Gates dhe Steve Ballmer (të dy Microsoft) dhe Larry Page (Google).

Besohet se super të pasurit kanë ndikim në rritje mbi legjislacionin tatimor. Për shembull, në uljen e tatimit mbi të ardhurat e korporatave, tatimet joadekuate të fitimeve kapitale, përjashtimin nga tatimi mbi trashëgiminë dhe heqjen e tatimit mbi pasurinë.

Midis viteve 1990 dhe 2017, numri i vendeve me taksë mbi vlerën e shtuar u trefishua nga 50 në më shumë se 150, ndërsa numri i vendeve me një taksë neto mbi pasurinë ka rënë nga dymbëdhjetë në katër”, thotë studimi i Oxfam.