31.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Gusht, 2025

Marrëveshja e armëpushimit në Gazë po respektohet

Pas 15 muajsh zie dhe dramë kolektive, tre pengje izraelite u liruan nga Hamasi dhe u kthyen në Izrael dhe dhjetëra palestinezë u lëshuan nga burgjet izraelite, duke i lënë izraelitët dhe palestinezët mes ndjenjës së festës dhe ankthit për armëpushimin që filloi të dielën.

Qielli mbi Gazën dhe Izraelin ishte i qetë për herë të parë brenda më shumë se një viti. Të zhvendosurit palestinezët filluan të ktheheshin në rrënojat e shtëpive të tyre dhe të kërkonin familjarët që i kishin lënë pas dhe në shumë raste t’i varrosin të dashurit e tyre. Pas muajve të tërë të kufizimeve të rrepta të ushtruara nga Izraeli, mbi 600 kamionë me ndihma humanitare hynë në territorin e shkatërruar.

Armëpushimi, që hyri në fuqi të dielën në mëngjes, dha një shkëndijë shprese për përfundimin e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Por në Izrael, gëzimi që shkaktuan pamjet e tre pengjeve të liruara Emily Damari, Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher që u bashkuan me familjet e tyre, u trazua nga paqartësitë e shumta rreth fatit të rreth 100 pengjeve të tjera të rrëmbyera gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, që ende po mbahen në Gazë.

Këto tre pengje të liruara ishin të parat nga 33 pengjet izraelite që duhet të lirohen gjatë gjashtë javëve të ardhshme, sipas marrëveshjes që përfshin pezullimin e luftimeve, lirimin e 2,000 të burgosurve palestinezë dhe shtimin e ndihmave për Gazën.

Çfarë do të ndodhë pas 42 ditësh të fazës së parë të marrëveshjes mbetet e paqartë. Fazat e tjera të marrëveshjes parashikojnë lirimin e pengjeve dhe të burgosurve të tjerë, si dhe përfundimin e përhershëm të luftës.

Por Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit administrata e Presidentit Biden dhe ajo e reja e Presidentit Trump bënë trysni për të arritur një marrëveshje para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të hënën në Uashington, tha se ai mori garanci nga zoti Trump se Izraeli mund të vazhdojë ta luftojë Hamasi nëse është e nevojshme.

Të dielën, shumë izraelitë panë transmetimet televizive gjatë tërë pasdites në pritje të lirimit të pengjeve, që po transportoheshin me makinën e ndihmës së parë të Kryqit të Kuq. Pamjet tregonin pengjet duke parakaluar në mesin e mijëra palestinezëve, përfshirë pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që kishin të vendosur shirita jeshile në ballë, derisa militantët i dorëzuan tek Kryqi i Kuq në rrugët e mbushura të qytetit të Gazës.

“I tërë vendi ju përqafon”, tha Kryeministri Netanyahu.

Ministri për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ligjvënës i së djathtës ekstreme, i cili dha dorëheqje të dielën nga qeveria për shkak të armëpushimit, tha se shteti është “i lumtur” për lirimin e tyre.

Në pamjet e publikuara nga qeveria izraelite, tre pengjet u panë të qanin ndërkohë që përqafonin familjarët e tyre.

Pamjet e transmetuara në ekrane të mëdha në Sheshin e Pengjeve, në Tel Aviv, ku familjet dhe përkrahësit e pengjeve protestuan çdo javë duke kërkuar armëpushim, u pritën me duartrokitje nga mijëra të pranishëm.

Skena të ngjashme u panë pas shtatë orëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, kur rrugët u mbushën nga turmat e njerëzve, ndërkohë që autobusët e bardhë me 90 të burgosur palestinezë – gra dhe të rinj – dolën nga burgu Ofer, në afërsi të Ramallahut.

Të gjithë ata që po lirohen janë arrestuar nga Izraeli nën akuzat që lidhen me sigurinë, duke filluar nga gjuajtja me gur e promovimi i dhunës në mediat sociale e deri tek akuzat më serioze siç është tentiva për-vrasje.

Të shtunën bëhet lirimi i grupit tjetër të pengjeve. Brenda dy javësh, bisedimet fillojnë për fazën e dytë të armëpushimit, e cila pritet të jetë shumë më sfiduese.

Në Gazë, gëzim dhe pikëllim

Në Gazë, banorët mirëpritën idenë e një pauze gjashtë javore në luftime, që deri më tani kanë shkaktuar vdekjen e mbi 46,000 palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, sipas të cilës mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë, por që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.

“Ky armëpushim është gëzim i përzier me dhembje”, tha i zhvendosuri Rami Nofal, djali i të cilit është vrarë nga bombardimet izraelite.

Militantët e Hamasit morën pjesë në disa festa, ndërkohë që turmat brohorisnin parulla në përkrahje të tyre. Policia e Hamasit doli në sipërfaqe pas disa muajsh që qëndroi e fshehur.

Disa familje u nisën drejt shtëpive të tyre në këmbë, me orenditë shtëpiake të ngarkuara në qerre gomarësh.

Izraelitët të ndarë për marrëveshjen

Në Izrael, skenat e militantëve të Hamasit duke festuar hapur në rrugët e Gazës, nxorën në sipërfaqe përçarjet rreth marrëveshjes së armëpushimit.

Asher Pizem, një 35 vjeçar nga qyteti Sderot, tha se marrëveshja vetëm ka shtyrë për më vonë ballafaqimin e ardhshëm të Izraelit me Hamasin. Ai gjithashtu kritikoi Izraelin që po lejon futjen e ndihmës në Gazë, duke thënë se kjo do ta ndihmojë ringjalljen e grupit militant.

“Do të presin dhe të sulmojnë sërish”, tha ai, duke shikuar në drejtim të rrënojave të Gazës nga një kodër në pjesën jugore të Izraelit, ku izraelitët u mblodhën për të parë hyrjen e marrëveshjes në fuqi.

Dëmet e luftës

Dëmet e luftës janë tronditëse dhe detajet e reja për shkallën dhe ndikimin e saj do të fillojnë të dalin në pah tani.

Forcat izraelite filluan tërheqjen nga disa pjesë të Gazës, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit, sipas banorëve të Gazës veriore.

Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës janë zhvendosur. Rindërtimi – nëse armëpushimi çon drejt një përfundimi të konfliktit – do të zgjasë të paktën disa vite.

Marrëveshja parashikon shtim të ndihmave humanitare, me qindra kamionë që do të hyjnë çdo ditë në Gazë, shumë më shumë se sa Izraeli ka lejuar më parë.

“Ky është moment i madh shprese”, deklaroi zyrtari i OKB-s- për ndihmat, Tom Fletcher. “I brishtë, por jetik”./VOA/

“E padrejtë dhe e pahijshme masakra që iu bë Asllanit”- Gazetari i njohur italian mbron mesfushorin shqiptar: Bëri ndeshje të madhe, askush nuk është si Çalhanollu

Kristjan Asllani ka qenë në epiqendër të kritikave kohët e fundit te Interi, por me disa paraqitje po ia del që të bëjë të gjithë atë që e kontestuan që të ndryshojnë mendje. Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Empolit ku dha edhe një asist në fitoren 3-1.

Pas sfidës, në emisionin televiziv “Pressing” të “Canale 5”, ishte gazetari i njohur sportiv italian, Sandro Sabatini, ai i cili iu kundërvu të gjithë atyre që kishin kritikuar mesfushorin shqiptar gjatë kësaj periudhe. Ai theksoi se Asllani nuk ishte në lartësinë e Çalhanollu, por kështu mund të thuhej edhe për shumë të tjerë, pasi turku ishte një futbollisti i veçantë.

“Mund të them se Asllani nuk është Çalhanollu, por askush në Europë nuk është Çalhanollu. Dhe nuk është faji i Asllanit, është faji i Çalhanollu. Ndaj edhe për faktin se mua më pëlqen të jem në anën e më të kritikuarve, a mund të them një fjalë për Asllanin? Pasi sinqerisht më është dukur e padrejtë dhe e pahijshme masakra që është bërë nga ana e vetë tifozëve të Interit ndaj Asllanit.

Asllani, të paktën sonte le ta themi kështu, ka bërë një ndeshje të madhe. Dhe të njëjtën gjë edhe në Venecia. Dhe Asllani është një lojtar i mirë. Ai nuk është Çalhanollu. Por nuk është se duhej ndeshja me Bolonjën për të zbuluar se Asllani nuk është Çalhanollu”, tha gazetari i njohur italian.

Si Ndikon Stresi i Vazhdueshëm në Shëndetin e Syve

Studimet shkencore, të cilave u referohet AgroWeb.org mbi ndikimin e stresit në organizëm, sugjerojnë se stresi është shkak por edhe pasojë e humbjes së shikimit.

Kur njeriu humbet shikimin, ai përjeton një nivel të jashtëzakonshëm të stresit mendor.

Në disa raste, një problem i tillë shoqërohet edhe me depresion dhe izolim social.

Natyrshëm, shkencëtarët mendojnë se stresi mund të ketë pasoja të rënda në humbjen e shikimit.

Shkencëtarët që kryen studimin janë pjesë e  Institutit Të Psikologjisë Mjekësore në Gjermani.

Ata shpjeguan se stresi i vazhdueshëm që rrit sasinë e kortizolit, ndikon në sistemin nervor simpatetik dhe atë vaskular.

Në vazhdimësi, stresi prek shëndetin e trurit dhe syve duke shkaktuar përfundimisht edhe humbjen e plotë të shikimit.

Stresi Shkakton Dhe Përkeqëson Problemet Me Sytë

Shkencëtarët gjermanë arritën në konkluzionin se stresi jo  vetëm që është pasojë e humbjes së shikimit por mund të përkeqësojë problemet me sytë.

Sipas tyre, nëse njeriu çlirohet nga prangat e stresit mund të përmirësojë shikimin dhe madje ta rikthejë atë.

Sjellja E Mjekëve Ndaj Pacientëve Ka Rëndësi

Shkencëtarët rekomandojnë meditimin, teknikat e menaxhimit të stresit ose këshillimin psikologjik si hapa për rikthimin e shikimit dhe përmirësimin e shëndetit të syve.

Nga ana tjetër, mjekët duhet të përpiqen që të ngjallin pozitivitet dhe optimisëm tek pacientët që vuajnë nga problemet me sytë.

Paralajmërimi që pacientët duhen përgatitur se do të humbasin dritën e syve një ditë, shkakton shumë frikë dhe ankth që përkeqëson ndjeshëm situatën.

Cilat Janë Problemet Që Shkakton Stresi Tek Sytë

Në shumicën e rasteve, problemet që shkakton stresi tek sytë janë të përkohshme.

Simptomat që shfaqen kur stresi ndikon tek shëndeti i syve AgroWeb.org i sjell më poshtë:

  • Humbje të shikimi periferik;
  • Ndjeshmëri të lartë ndaj dritës;
  • Kontraktime të syve;
  • Përtharje ose lagështi të tepërt tek sytë;
  • Shikim të mjegulluar
  • Shfaqja e pikave gjatë përqendrimit ose shikimit normal.

Këto simptoma zakonisht zhduken me përfundimin e një situate stresuese.

Nëse këto probleme vazhdojnë, atëherë rekomandohet që të konsultoheni me një mjek okulist./AgroWeb.org

Analiza e VOA: Cilat janë pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës nga administrata e re amerikane

Ceremonia e rikthimit të Donald Trump në presidencën amerikane të hënën ndiqet me vëmendje të posaçme edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit.

 

Qytetarët në Prishtinë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se pavarësisht ndërrimit të pushtetit lidhja ndërmjet dy popujve mbetet e palëkundur ndërsa shfaqën shpresën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në proceset e ardhshme politike dhe ato të integrimeve euroatlantike.

“I uroj suksese dhe shpresoj meqë ne kemi qenë gjithmonë mirë me Amerikën, na ka ndihmuar shumë, na ka përkrahur edhe në kohën e luftës por edhe pastaj. Uroj që mos të lëkundet ajo marrëdhënie që kemi bashkë si shtete. Shpresoj edhe që në problemet që i kemi me Serbinë do të na mbështes edhe më shumë sepse kemi ende nevojë për përkrahjen e saj në këtë cështje, kemi nevojë për intervenim që të pajtohen dy shtete sepse nuk kemi si të ia bëjmë ndryshe”, thotë Besarta Latifi.

“Amerika ne shqiptarët na do. Amerika e ka qëllimin që ne t’i marrim të drejtat që i ka çdo popull në Evropë. Planet e zhvillimit në Amerikë nuk i bëjnë sot për nesër por për 100 e besa edhe më shumë vite dhe atë drejtim pa marrë parasysh se cili president vjen në pushtet nuk guxon ta lëshojë”, thotë Gani Krasniqi.

“Amerika do të interesohet për këtë vend sepse ne me ndihmën e Amerikës e kemi fituar pavarësinë. Nuk ka fëmijë, as burrë, grua e as student që nuk e di atë që Amerika ka dhënë për Kosovën. Ne jemi bërë shtet me Amerikën. Amerika pa marrë parasysh politikën, për një njeri nuk e lë popullin sepse populli shqiptar është shumë i dashur për Amerikën. Amerika na ka ndihmuar shumë dhe ky lider është shumë i fortë, besoj që këtë problemin që e kemi ne me Serbinë këtu në veri, kam besim se do ta përmbyllë ky president amerikan”, thotë Hasan Ramadani.

“Unë mendoj se presidenti Trump atë çfarë e thotë e zbaton, i mirëmbahet atyre rregullave dhe është shumë i vendosur. Prandaj besoj që për Kosovën nuk do ndryshojë asgjë vetëm çka do të bëhet ndoshta edhe më mirë”, thotë Selvete Krasniqi.

Ndonëse roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet thelbësor në çlirimin e vendit, Kosova po kalon një periudhë të asaj që duket si një zbehje në marrëdhënien e qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

E ndodhur para zgjedhjeve të reja parlamentare që pritet të mbahen me 9 shkurt, Kosova thonë vëzhguesit, duhet të punojë në ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

BIRN: SPAK, ende në kërkim të parave të ‘incineratorit fantazmë’ të Tiranës

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha të hënën gjatë një komunikimi me gazetarët se Prokuroria e Posaçme po vazhdonte hetimet për të gjetur përfituesit e parave publike nga kontrata kontroverse e incineratorit të Tiranës. Dumani deklaroi gjithashtu se një pjesë e përfituesve ishin zbuluar vitin e kaluar, megjithëse nuk ishin ekzekutuar urdhërndalimet.

Nga momenti që incineratori i Tiranës është vendosur nën sekuestro, në gusht të vitit 2023, është caktuar  një administrator nga shteti dhe pagesat kryhen për llogari të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar. Dumani pohoi ndër të tjera se pjesë e hetimit është dhe mënyra e zbatimit të kontratës së incineratorit të Tiranës.

Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 100 milionë euro, megjithëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë. Në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, të cilët u arrestuan.

Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Në korrik të vitit 2024, SPAK njoftoi lëshimin e tetë urdhër-arresteve të tjera për pastrimin e rreth 20 milionë eurove përmes faturave fiktive nga incineratori i Tiaranës, por asnjëri prej personave të dyshuar nuk u arrestua.

Urdhër arrestet u lëshuan për Dashamir Ymeraj, pronari i një kompanie fiktive të përfshirë në skemën e evazionit fiskal; Denisa Tollkuçin, një nga drejtueset e “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k; Endrit Habilaj, drejtues i një kompanie mediatike; Renardo Nallbani, Ilir Dedja, administrator i disa kompanive në Zvicër dhe shtetasit e huaj të përfshirë në aferë, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts.

Prokuroria shpjegoi atëherë se personat e përfshirë konsiderohen pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që nga gjetjet e hetimeve rezultonte të kishin pastruar 20 milionë euro. Pastrimi i parave është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare, duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e grupit, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Në krye të grupit, SPAK identifikoi biznesmenët kontroversë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dy të shpallur në kërkim dhe të dënuar nga Gjykata e Posaçme në aferat e ndërtimit të inceneratorëve të Fierit dhe të Elbasanit.

Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim për çështjet./BIRN

Trump: Nga sot do të kemi vetëm dy gjini, mashkull dhe femër

Presidenti i 47-të i SHBA-ve Donald Trump pas betimit të tij, ka dekalruar se nga sot nis epoka e ndryshimeve në Am,erikë, për ta bërë sërish vendin të madh.

Ai tha se se do të ndërtojë një shoqëri të bazuar në merita dhe do të ndjekë një politikë zyrtare që njeh vetëm dy gjini: mashkull dhe femër.

Do të jemi sërish një vend i pasur dhe ari i lëngshëm poshtë këmbëve tona do të na ndihmojë,” deklaroi Trump, duke premtuar rikthimin te burimet natyrore për të fuqizuar ekonominë e vendit.

Ndër prioritetet e tij, ai përmendi heqjen e mandateve për mjetet elektrike dhe mbështetjen e punëtorëve amerikanë të prodhimit të automjeteve.

Do të ndërtojmë sërish automjete në SHBA dhe do të nis menjëherë të mbroj punëtorët amerikanë,” theksoi ai.

Trump njoftoi krijimin e një Departamenti të Eficiencës Qeveritare, duke premtuar përmirësim në menaxhimin shtetëror dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës përmes një urdhri ekzekutiv.

Orjola Pampuri takohet me senatorin e Teksasit, Ted Cruz

Deputetja e Demokratëve Euroatlantikë, Orjola Pampuri, ka qenë në Washington për të marr pjesë në ceremoninë e inagurimit të presidentit të SHBA, Donald Trump.

Në mbrëmjen e organizuar nga NewsMax, në nder te inaugurimit te Presidentit Trump, Pampuri është takuar me senatorin e Teksasit, Ted Cruz.

“Kenaqesi të takoja, senatorin e Texas, Ted Cruz, në mbrëmjen e organizuar nga NewsMax, në nder te inaugurimit te Presidentit Donald J. Trump” – shkruan Pampuri në facebook.

Basha uron presidentin Trump: Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë mes dy kombeve tona!

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar Donald Trump pas marrjes zyrtarisht të detyrës si president i SHBA. Në postimin e tij në facebook, Basha shkruan “Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë mes dy kombeve tona”.

Urimi i plotë i Bashës:

Urime të përzemërta Presidentit Donald J. Trump
Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë mes dy kombeve tona!

Në vend të protestave përpara qeverisë, protesta përpara SPAK-ut

Nga Ervis Iljazaj

Tashmë mosbindja, kaq shumë e propaganduar nga PartiaDemokratike duket si nje term i harruar dhe askush nuk flet më për të. Po ashtu edhe kërkesa për qeveri teknike, ngjan si një kërkesë nostalgjike që nuk dëgjohet në asnjë fjalë në retorikën publike të zotit Berisha. Protestat ndaj qeverisë ja kanë lënë vendin protestave ndaj SPAK. Me sa duket kjo është beteja kryesore e Partisë Demokratike duke dhënë një mesazh jo elektoral dhe të gabuar në prag të zgjedhjeve parlamentare. Mirëpo opozitarët dhe pjesë e elektoratit gri kërkojnë largimin e qeverisë Rama dhe jo të SPAK-ut, ashtu sikurse e ka si ofertë kryesore politike Partia Demokratike.

E gjitha kjo retorikë, pra çështja juridike personale e Sali Berishës, po kthehet tashmë në një betejë për Partinë Demokratike. Në fakt Berisha ka më shumë gjasa ta fitojë betejën e tij me mjete jurdike dhe jo politike. Nuk kuptohet se përse e bën këtë luftë politike ndaj SPAK kur koha ka treguar se ajo nuk ka asnjë efekt. Ndërkohë që nëse përdor mjetet juridike, ka më shumë shanse të dalë i fituar dhe të mos përfshijë partinë më të madhe opozitare në betejat e tijpersonale.

Kur ndodhi skandali i “Watergat”-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Nixon u vu në gjendje akuze nga Kongresi, ai dha dorëheqjen menjëherë dhe nuk priti që ky proces të mbaronte. Shumë bashkëpunëtorë të tij, votues dhe të afërt i kërkuan që ai ta bënte betejën juridike dhe mos të dorëhiqej. Mirëpo ai u përgjigj këtyre zërave se nëse do të vazhdonte këtë betejë nuk do të kishte më kohë të merrej me qeverisjen e Amerikës sepse procesi do t’i hante shumë kohë. Dhe për mua u shpreh ai, amerikanët dhe Amerika janë më të rëndësishëm se sa fati im personal.

Një gjest i madh politik për dikë që vërtet ka përzemër fatet e vendit dhe të partisë së tij. Po të hidhemi në kontekstin shqiptar, po ndodh totalisht e kundërta. Sali Berisha jo vetëm që nuk u dorëhoq pasi u shpall non-grata dhe ju hap një proces gjyqësor, por përkundrazi, e përdori forcën e tij politike, partinë dhe ndjekësit e tij për betejën e tij personale juridike.

Edhe sot kur u paraqit në SPAK, Berisha thirri një protestë përpara dyreve të drejtësisë, pikërisht për të treguar forcën politike të tij duke berë bashkë fatin e tij personal me atë të forcës së tij politike.

Sali Berisha deri në shkallën e fundit të drejtësisë ka prezumimin e pafajësisë dhe është një një njeri i pafajshëm, por nga ana politike statusi i tij, raporti i tij personal me ndërkombëtarët dhe me drejtësinë po i konsumon shumë energji Partisë Demokratike.

Të gjitha energjitë, forcat dhe aksionet po përdoren për mbrojtjen e tij dhe jo për betejën politike që PD do të duhet të bënte me qeverinë e Ramës. Fokusi kryesor i kësaj partie tashmë, nuk është më përmbysja e pushtetit, por fati personal i zotit Berisha. Është normale të ndodhë kështu. Nëse bëhën bashkë këto dy fate sigurisht që një parti nuk mund të ketë më fuqi të bëjë betejë politike më kundërshtarin. Jo më kot Nixon në Amerikë u dorëhoq, sepse e dinte fare mirë që pozita e tij juridike nuk do t’i linte më kohë të merrej me amerikanët dhe Amerikën.

Ndërsa me rastin e Berishës po ndodh totalisht e kundërta. Energji pa fund të harxhuar për betejën e tij personale me drejtësinë. Megjithatë, ky është tashmë vendimi që kanë marrë demokratët, të mbrojnë liderin e tyre dhe të sakrifikojnë pushtetin. Që nga ana njerëzore edhe mund të jetë akt i lavdërueshëm, por nuk është aspak politik në kuptimin e synimit të pushtetit që duhet të ketë një parti dhe një opozitë./Liberale.al

“Habit” Manastirliu, 7 muaj nga përfundimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2024, “kujtohet” për rezultatet

Nga Mirela Karabina

Ministrja e Arsimit ka dalë sot në një aktivitet duke paraqitur raportin e Maturës Shtetërore 2024, ndë rkohë që provimet e radhës janë afër.
Propagandë dhe paradoks bashkë!

Gjendur në kushtet e një arsimi të rrënuar (PISA 2022, UNESCO 2024) dhe para zgjedhjeve të 11 majit, Manastirliu sot përmes propagandës u përpoq të na thotë se sa mirë kanë shkuar provimet e maturës së kaluar dhe listoi “sukseset” e ministrisë së arsimit.

Në vend të heqë vetullat nxori sytë ministrja, sepse për propagandën e radhës kishte zgjedhur një proces të dështuar, siç është Matura Shtetërore.

Prej vitesh ka qenë nevojë urgjente që Matura Shtetërore të ndryshonte. Dështimi në administrimin i Provimeve të Shtetit ka prodhuar fiktivitet në vlerësim. duke i kushtuar të ardhmen maturantëve. Kopjimi masiv në provime dhe teste të hartuara me gabime shkencore e pikëzim të gabuar jo vetëm i ka dhënë maturantëve modelin e deformuar të Provimeve të Shtetit, por dhe të mashtrimit përmes fiktivitetit në notë duke shkallmuar meritokracinë.

Provimet e Maturë s Shtetërore ka qenë përcaktuese për pranimin në universitete me Reformën e 2006-ës dhe procesi ka vazhduar rrokapjekthi me problematika çdo vit edhe pse në shkelje të Ligjit të Ardimit të Lartë 80/2015, që të drejtën ia jepte universitetit.

E pra, ndoshta dikush duhet t’ja kishte thënë ministres mos bëhej qesharake, aq më tepër kur paraqiti si sukses rritjen e notës mesatare në lëndën e Matematikës në provimet e 2024-ës.

Po si doli ky rezulat dhe pse pikërisht në matematikë, çfarë ndryshoi në shkolla programi, tekstet, mësuesit apo metodologjia?!

Dhe pse kaq vonë e nxori këtë raport?

Asgjë nuk tha nga këto, përveçse vazhdoi me propagandë dhe gënjeshtra.

Rënia drastike e numrit të nxënësve në shkolla (me 40% në zonat rurale dhe 20% në zonat urbane) dhe mbyllja e 295 shkollave (INSTAT) dëshmojnë largimin masiv të nxënësve për shkak të cilësisë së dobët të arsimit dhe keqmenaxhimit (PISA 2022, UNESCO 2024) por ministrja as nuk merr përgjegjësi e as flet e jep zgjidhje për të siguruar arsimim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët.

Përmes mediave njihemi shpesh me shkolla të harruara dhe me kushte mesjetare larg vëmendjes e zona me shkolla të munguara, por me nxënës që kanë dëshirë të mësojnë. Po me mësuesit ndihmës ku jemi, a e kanë mundësi të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara ta marrin këtë shërbim pasi nga pandemia janë dy vite pas në arsimim (Banka Botërore 2020)?

Arsimi ka probleme madhore duke filluar nga ajri,uji, hapsira e pastaj më lart, në të menduarin krijues.

Propaganda e kryeministrit dhe ministres është e dalë boje tashmë, e kanë zhveshur si profesionitët e fushës, ashtu dhe vlerësimet dhe raportet ndëkombëtare (PISA, UNESCO, Banka Botërore).

Ndaj përpëlitet kot me Maturën e dështuar ministrja, arsimi është në emergjencë kombëtare.

Dhe një gjë, nuk ka proces mësimnxënie por të mësuarit dhe të nxënit.