21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Trump paralajmëron Putinin se po “luan me zjarrin” ndërsa sulmet ndaj Ukrainës vazhdojnë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të martën se presidenti rus, Vladimir Putin, po “luan me zjarrin”, ndërsa Moska vazhdon të sulmojë Ukrainën.

Trump shkroi në Truth Social se Putin nuk e kupton se “nëse nuk do të ishte për mua, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë”.

“Ai po luan me zjarrin”, tha Trump.

Paralajmërimi vjen pas kritikave të Trump të dielën, kur ai tha se Putini është “çmendur plotësisht” pasi Rusia nisi sulme ajrore në Ukrainë për tre netë rresht.

Trump shprehu konfuzion në lidhje me sjelljen e Putinit. “Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur atij”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë këto komente si “mbingarkesë emocionale”, duke minimizuar kritikat e Trump.

Trajneri i ri i Realit/ Alonso, nxënësi i talentuar i mësuesve më të mirë

Zhoze Murinjo e paralajmëroi ngjitjen e spanjollit në një intervistë të kohëve të fundit, pasi e kishte Alonson nën komandën e tij gjatë tri sezoneve që ata ishin së bashku te Reali. “Ai u rrit me një baba që ishte edhe lojtar edhe trajner dhe më pas u bë një lojtar i shkëlqyer. Pozicionimi i tij në fushë dhe njohuritë e tij për lojën ishin shumë të larta.

Ai luajti gjithashtu në Spanjë, Angli dhe Gjermani dhe u trajnua nga Guardiola te Bajerni, nga unë dhe Ançeloti te Reali dhe nga Benitez te Liverpuli. Nëse i bashkoni të gjitha këto, Ksabi Alonso ka cilësitë për të qenë një trajner shumë i mirë”, parashikoi trajneri portugez. Dhe në moshën 43- vjeçare, Ksabi Alonso merr përsipër sfidën më të madhe të karrierës së tij të re, si trajner për të drejtuar Realin e Madridit.

Një vit më parë, Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut, dy nga ishklubet e tij, e ndoqën në kërkim të një zëvendësuesi për Jyrgen Klop dhe Tomas Tuhel, përkatësisht. Pavarësisht thirrjeve, Alonso preferoi të priste zërin e Florentino Perezit dhe Madridit, i vetëdijshëm se Ançeloti po i afrohej datës së “skadimit”. Alonso është prezantuar në Valdebebas me misionin e ringjalljes së një projekti që supozohej të ishte fitues pas mbërritjes së Mbape një vit më parë, por që është eklipsuar nga Barcelona e Hansi Flik dhe Lamin Jamal. Madridit i duhet një antidot për të ndaluar rivalin e tij të përjetshëm dhe po i drejtohet Alonsos, i cili është i destinuar të bëhet një nga trajnerët më të mirë të gjeneratës së tij.

Koha e tij e suksesshme si lojtar në La Liga, Premier League dhe Bundesligë, njohuritë e tij të brendshme për Realin dhe përvoja e fituar prej tij nën drejtimin e disa prej trajnerëve kryesorë të dekadave të fundit, janë disa nga faktorët që kanë ndryshuar ekuilibrin e fuqisë që sekretariati teknik të anojë nga Alonso. Ai është menaxhuar nga Rafa Benítez te Liverpuli, Manuel Pelegrini, Murinjo dhe Ançeloti te Reali, Pep Guardiola dhe Ançeloti te Bajerni, Luis Aragones dhe Del Boske te Spanja. Jo keq!

Çfarë duhet të hanë fëmijët? Udhëzimet bazë për një ushqyerje të shëndetshme që nga mosha e hershme

Ushqyerja e fëmijëve është një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e tyre të shëndetshëm fizik dhe mendor.

Mjekët dhe dietologët theksojnë se një dietë e ekuilibruar në fëmijëri ndihmon jo vetëm në rritjen e qëndrueshme, por edhe në formimin e zakoneve të mira ushqimore për të ardhmen.

Ja cilat janë grupet kryesore ushqimore që nuk duhet të mungojnë në dietën e përditshme të një fëmije:

Frutat dhe perimet – baza e shëndetit
Fëmijët duhet të konsumojnë të paktën 5 porcione frutash dhe perimesh në ditë. Ato janë të pasura me vitamina, minerale dhe fibra që forcojnë sistemin imunitar dhe ndihmojnë në tretje. Zgjidhni fruta të freskëta dhe të ndryshme me ngjyra të ndryshme – sa më shumë ngjyra në pjatë, aq më shumë lëndë ushqyese!

Proteinat – për rritje dhe zhvillim muskulor
Mishi pa dhjamë (sidomos mishi i pulës ose viçit), peshku, vezët, fasulet dhe thjerrëzat janë burime të mira proteinash. Ato janë thelbësore për zhvillimin e muskujve dhe riparimin e indeve.

Produktet e qumështit – për kocka të forta
Qumështi, kosi dhe djathi ofrojnë kalcium dhe vitaminë D, të domosdoshme për zhvillimin e kockave dhe dhëmbëve. Fëmijët kanë nevojë për rreth 2-3 porcione në ditë nga ky grup ushqimor.

Karbohidratet komplekse – për energji gjatë ditës
Buka integrale, orizi kaf, makaronat e plota dhe patatet janë burime të mira karbohidratesh që sigurojnë energji afatgjatë. Duhet shmangur buka e bardhë dhe produktet me shumë sheqer të shtuar.

Yndyrnat e shëndetshme – në sasi të moderuar
Avokadoja, arrat, farat, vaji i ullirit dhe peshqit e yndyrshëm si salmoni përmbajnë yndyrna të shëndetshme që ndihmojnë zhvillimin e trurit. Por duhet pasur kujdes me sasinë.

Ushqimet që duhen kufizuar:

Sheqernat e shtuara – karamelet, pijet e gazuara dhe ëmbëlsirat industriale ndikojnë negativisht në energjinë, përqendrimin dhe shëndetin oral.

Kripa – shumë ushqime të përpunuara kanë përmbajtje të lartë kripe, që mund të ndikojë në presionin e gjakut.

Ushqimet e skuqura – duhet të konsumohen shumë rrallë, pasi përmbajnë yndyrna të pashëndetshme.

Spitale me fasada luksoze, por pa mjekë/ Miliona euro investime në rrethe, qytetarët dynden në QSUT

Miliona euro nga buxheti i shtetit derdhen çdo vit për rikonstruksionin e spitaleve rajonale në Shqipëri, por mungesa e mjekëve specialistë i ka kthyer këto institucione në godina bosh me pamje luksoze. Një situatë paradoksale që rrezikon seriozisht shërbimin shëndetësor në zonat e largëta dhe që detyron qytetarët të marrin rrugën drejt Tiranës apo jashtë kufirit.

Spitalet e Rrëshenit dhe Kukësit janë shembuj konkretë të kësaj problematike. Edhe pse janë rikonstruktuar së fundmi me standarde të larta ndërtimi, mungesa e mjekëve specialistë i ka bërë ato jofunksionale. Banorët e veriut të vendit, përfshirë verilindjen, shpesh i drejtohen spitaleve në Gjakovë apo Prizren për të marrë trajtim mjekësor bazë.

Në këtë sfond, të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) tregojnë se qytetarët nga rrethet vijojnë të vërshojnë drejt Tiranës për kujdes shëndetësor, duke mbingarkuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Vetëm gjatë vitit 2024, QSUT ka realizuar 562,397 vizita ambulatore të specializuara, një rritje prej 48% krahasuar me vitin 2023. Ky institucion përpunoi gjithashtu 44% të shtrimeve spitalore në vend dhe mbajti 91% të totalit të rritjes së vizitave ambulatore në të gjitha spitalet universitare të Tiranës. Në total, pesë spitalet universitare në kryeqytet regjistruan 621,117 vizita, kundrejt 435,115 një vit më parë – një rritje prej 43%.

Në një reagim publik, Qendresa Qytetare kërkon analizim të thelluar të këtyre shifrave dhe rishikim të politikës së financimeve në shëndetësi: “Fokusi duhet të jetë pacienti dhe shërbimi që merr, jo fasada e godinës ku ai nuk gjen dot mjekun”.

Nëse trendi vazhdon, spitalet e rretheve rrezikojnë të mbeten vetëm monumente betoni të papërdorura, ndërsa qendra shëndetësore në Tiranë dhe spitalet jashtë vendit do të vazhdojnë të mbajnë peshën e një sistemi që shpesh investon më shumë në pamje sesa në funksion.

Raporti i Antimafias: Shqiptarët po ‘pushtojnë’ tregun global të kokainës, janë bërë ekspertë në transport dhe negociata

Krimi shqiptar vijon të jetë ndër më të rrezikshmit në Itali dhe jo vetëm. Antimafia Italiane ka publikuar sot raportin e punës për vitin 2024 dhe një hapësirë e veçantë i kushtohet Shqipërisë.

Sipas Antimafias, grupet mafioze janë infiltruar në kompani dhe institucione civile me qëllim që të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes, duke mbrojtur të ardhurat nga aktivitetet kriminale me forma gjithnjë e më komplekse të pastrimit të parave. Sipas saj, në shumë raste mafia vendase ndihmohet nga grupet shqiptare.

Organizatat më aktive duket se janë ato me kombësi shqiptare, nga Afrika e Veriut dhe ato nga Afrika Sub-Sahariane (veçanërisht Nigeria), me projeksione transnacionale në vende të tjera evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja, si dhe në Amerikën e Jugut. Organizatat kriminale shqiptare, në veçanti, luajnë gjithnjë e më shumë një rol dytësor krahasuar me eksponentët e Ndrangheta-s dhe Kamorrës së Barit, duke qenë në gjendje të mbështeten te kontaktet e tyre në portet kryesore tregtare të Evropës Veriore dhe në Amerikën e Jugut”, thekson raporti.

Pjesë nga raporti i Antimafia për Shqipërinë

Kriminaliteti shqiptar përfaqëson një nga format më komplekse dhe të strukturuara të kriminalitetit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në mënyrë të gjerë në të gjithë territorin kombëtar, operojnë me qasje të ndryshme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë multietnike, të përqendruara kryesisht në krime kundër pasurisë. Të tjerë, ndërkohë, kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me mënyra operimi që në disa raste i afrohen atyre mafioze.

Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, e cila përdoret si për zgjidhjen e konflikteve të brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet frikësimi dhe kontrolli. Një veçori e tyre është sistemi i anëtarësimeve, që shpesh bazohen në lidhje familjare ose në lidhje mes individëve me origjinë nga i njëjti qytet apo rajon i Shqipërisë. Këto lidhje përforcohen nga kode të caktuara sjelljeje që konsolidojnë strukturën e brendshme të grupeve.

Trafiku i narkotikëve mbetet sektori kryesor i aktivitetit dhe të ardhurat që burojnë prej tij po investohen gjithnjë e më shpesh në blerjen e bizneseve legale dhe pasurive të paluajtshme. Provat hetimore, gjithashtu, konfirmojnë se grupet shqiptare janë të përfshira edhe në veprimtari të tjera të paligjshme, si trafiku i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi i prostitucionit dhe kryerja e krimeve fiskale.

Raporti i Antimafias: Shqiptarët po ‘pushtojnë’ tregun

Një hetim i fundit i Policisë së Shtetit, i përfunduar më 7 dhjetor me arrestimin e dy shtetasve me origjinë shqiptare, ka treguar gjithashtu se kriminaliteti shqiptar është shumë aktiv edhe në sektorë të avancuar si tregtia online. Në trafikun e drogës, këto grupe etnike bashkëpunojnë ndonjëherë me organizata të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre tashmë të konsoliduar në nivel ndërkombëtar. Ato janë të afta të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të drogës dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me kartelët e Amerikës Latine për importimin e sasisë së konsiderueshme të kokainës të destinuar për furnizimin e celulave shqiptare që veprojnë në tregjet kryesore italiane.

Aftësia për të operuar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese u ka mundësuar këtyre grupeve të krijojnë marrëdhënie të forta me organizatat kriminale italiane, përfshirë edhe ato me karakter mafioz. Shumë operacione antidrogë të kryera në rajone të ndryshme të Italisë kanë zbuluar sinergji të vërteta operative mes krimit të organizuar shqiptar dhe atij vendas, të favorizuara nga një linjë e qëndrueshme lidhëse mes brigjeve shqiptare dhe atyre pulieze.

E ashtuquajtura “rrugë adriatike” është një nyje kyçe për kalimin e narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe pjesës tjetër të Europës, e lehtësuar gjithashtu nga lidhjet ajrore me vendet ballkanike që kufizohen me Adriatikun. Këto marrëdhënie lehtësohen edhe nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët merren kryesisht me furnizimin me drogë, ndërsa shpërndarjen e lënë në dorë të grupeve kriminale italiane. Kokaina importohet në territorin italian nëpërmjet detit dhe tokës, përgjatë rrugëve kryesore të shpërndarjes europiane, duke u mbështetur te bashkëpunëtorët e tyre në Europën Veriore, përmes të cilëve kanë arritur të depërtojnë në portet kryesore tregtare (Antwerp, Rotterdam dhe Hamburg). /Pamfleti

Shtrenjtohet pastrimi i Durrësit/ Myshketa: Bashkia ka një kontratë me inceneratorin e Sharrës që rrit detyrimet e qytetarëve. Pjesë e aferës korruptive

Joni Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak në Durrës tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Informacion se taksat e qytetarëve për trajtimit të mbetjeve janë rritur shumë për shkak të kontratës që ka bashkia me inceneratorin e Sharrës.

Sipas Myshketës, kjo kontratë është pjesë e aferës së madhe korruptive që rëndon xhepat e qytetarëve të cilët nuk marrin shërbimin e duhur.

Bashkia e Durrësit pretendon se është rritur numri i bizneseve dhe kjo bën një arkëtim më të madh të tarifave të trajtimit të mediave, duke shtuar arkëtimin e bashkisë.

Bashkia e Durrësit ka një kontratë të lidhur me inceneratorin e Sharrës ku ndjeshëm rritin detyrimin e të qytetarëve dhe bizneseve në lidhje me këtë kontratë që është një aferë që i shkon në linjë aferës korruptive të madhe prej 400 milionë euro, afera e inceneratorit. Prapa hekurave ndodhen një numër i madh politikanësh i rangjeve të larta.

Qytetarët e Durrësit paguajnë në bazë edhe të peshës që bëhet ky lloj transporti për ton në inceneratorin e Sharrës çka rrit ndjeshëm shpenzimin dhe peshën ndaj xhepave të qytetarëve dhe bizneseve në Durrës.

Çdo familje paguan 3500 lekë në vit, ndërsa ruralet 1500 lekë në vit. Qoftë qytetarët dhe bizneset nuk marrin shërbimin e merituar. Bëhet pagesë që nuk kthehet në shërbim. Ankesa vijnë nga qytetarët në lidhje me leximin e faturës së ujësjellës kanalizimit e cila është e mbingarkuar me taksat vendore dhe tarifimet e ndryshme. Asnjë qytetar nuk a transparencë me atë që paguan.

Filozofi Scruton: Atë që ke trashëguar nga etërit e tu – meritoje

Nga: Filozofi britanik Roger Scruton, Hyrja në veprën England and the Need for Nations

Demokracitë ia kanë borxh ekzistencën besnikërive kombëtare – besnikërive që supozohet të ndahen bashkërisht si nga qeveria dhe opozita, ashtu edhe nga të gjitha partitë politike dhe nga elektorati si një tërësi. Kudo që përvoja e përkatësisë kombëtare është e dobët ose nuk ekziston, demokracia ka dështuar të lëshojë rrënjë. Sepse, pa besnikëri kombëtare, opozita është kërcënim për qeverinë dhe mosmarrëveshjet politike nuk krijojnë asnjë bazë të përbashkët. Megjithatë, kudo ku ideja e kombit është nën sulm – ose përçmohet si një formë arkaike e unitetit shoqëror, ose madje dënohet si shkak për luftë dhe konflikt, për rrjedhojë duhet të shpërbëhet dhe zzëvendësohet nga format më iluminuese dhe më universale të juridiksionit.

Por, çfarë saktësisht supozohet të zëvendësojë kombin dhe shtetin kombëtar? Dhe, si do të ndihmojë apo ruajë rendi i ri politik trashëgiminë tonë demokratike? Pak njerëz duken të gatshëm të japin një përgjigje, dhe përgjigjet që ofrohen shpejt fshihen prapa dërdëllitjeve, të mishëruara në përdorimin nga BE-ja të doktrinës kishtare të “subsidiaritetit” [parimi sipas të cilit një autoritet qendror duhet të ketë një funksion ndihmës, duke kryer vetëm ato detyra që nuk mund të kryhen në një nivel më local!], për të zhveshur shtetet anëtare nga kompetencat e veta nën maskën e një autonomie të dhënë.[1] Përpjekjet e fundit për të tejkaluar shtetin kombëtar në një lloj rendi politik ndërkombëtar, kanë përfunduar ose si diktatura totalitare, si Bashkimi i dikurshëm Sovjetik, ose si burokraci të pakontrollueshme, si Bashkimi Evropian sot. Edhe pse shumë nga shtetet kombëtare të botës moderne janë fragmente të mbijetuara të perandorive, pak vetë propozojnë rikthimin e sundimit perandorak si rruga e së ardhmes për njerëzimin. Atëherë pse, dhe për çfarë qëllimi, duhet të heqim dorë nga forma e sovranitetit që na është e njohur dhe mbi të cilën mbështetet një pjesë kaq e madhe e trashëgimisë sonë politike?

Ne, në Evropë, ndodhemi në një pikë kthese të historisë sonë. Parlamentet dhe sistemet tona ligjore ende gëzojnë sovranitet territorial. Ato ende përputhen me modelet historike të vendbanimeve që i kanë mundësuar francezëve, gjermanëve, spanjollëve, britanikëve dhe italianëve të thonë “ne” dhe të dinë kë kanë parasysh me këtë fjalë. Mundësia ende ekziston për të rikuperuar kompetencat legjislative dhe procedurat ekzekutive që formuan shtetet kombëtare të Evropës. Në të njëjtën kohë, është vënë në lëvizje një proces që synon të shpronësojë sovranitetin e mbetur të parlamenteve dhe gjykatave tona, që synon të zhdukë kufijtë midis juridiksioneve tona, që synon të shpërbëjë kombësitë evropiane në një kolektivitet pa kuptim historik, të bashkuar as nga gjuha, as nga feja, as nga zakonet dhe as nga sovraniteti dhe ligji i trashëguar. Duhet të zgjedhim nëse duam të ecim përpara drejt atij rendi të ri, apo të kthehemi pas te sovraniteti i provuar dhe i njohur i shtetit kombëtar territorial.

Në të njëjtën kohë, elitat tona politike flasin dhe sillen sikur të mos ekzistonte asnjë zgjedhje për t’u bërë – njësoj siç bënë komunistët në kohën e Revolucionit Rus. Ata i referohen një procesi të pashmangshëm, ndryshimeve të pakthyeshme, dhe edhe kur dallojnë një shteg “të shpejtë” nga një shteg “i ngadaltë” drejt së ardhmes, janë të qartë në mendjet e veta se të dyja shtigjet çojnë në një destinacion të vetëm – destinacionin e qeverisjes transnacionale, nën një sistem të përbashkët ligjor, ku besnikëria kombëtare nuk do të ketë më shumë rëndësi sesa mbështetja për një ekip lokal futbolli.

Në këtë pamflet, paraqes argumentin në favor të shtetit kombëtar, duke pranuar se ajo që kam për të thënë nuk është as gjithëpërfshirëse dhe as përfundimtare, dhe se mund të përfytyrohen edhe forma të tjera sovraniteti që do t’u përgjigjeshin nevojave të shoqërive moderne. Argumenti im nuk është se shteti kombëtar është e vetmja zgjidhje për problemet e qeverisjes moderne, por se është e vetmja zgjidhje që ka dëshmuar veten. Mund të ndiejmë tundimin për të eksperimentuar me forma të tjera të rendit politik. Por, eksperimentet në këtë shkallë janë të rrezikshme, pasi askush nuk e di si të parashikojë ose të kthejë mbrapshtë pasojat e tyre.

Revolucionet franceze, ruse dhe naziste ishin eksperimente të guximshme; por në secilin rast ato çuan në shembjen e rendit ligjor, në vrasje masive brenda vendit dhe në agresion jashtë tij. Politika e mençur është të pranojmë rregullimet, sado të papërsosura, që janë zhvilluar përmes zakonit dhe trashëgimisë, t’i përmirësojmë ato me rregullime të vogla, por jo t’i rrezikojmë me ndryshime të mëdha, pasojat e të cilave askush nuk mund t’i parashikojë me të vërtetë. Argumenti për këtë qasje u paraqit në mënyrë të pakundërshtueshme nga Burke në Reflektimet e tij mbi Revolucionin Francez [Reflections on the French Revolution], dhe historia pasuese e ka konfirmuar vazhdimisht pikëpamjen e tij. Mësimi që duhet të nxjerrim, pra, është se përderisa shteti kombëtar ka dëshmuar se është një themel i qëndrueshëm i qeverisjes demokratike dhe juridiksionit laik, duhet ta përmirësojmë, ta rregullojmë, madje edhe ta zbusim, por jo ta hedhim poshtë.

Nismëtarët e eksperimentit evropian – si profetët e vetëshpallur, ashtu edhe konspiratorët që vepronin prapa dyerve të mbyllura – ndanin bindjen se shteti kombëtar kishte shkaktuar dy luftërat botërore. Shtetet e bashkuara të Evropës u dukeshin atyre si receta e vetme për paqe të qëndrueshme. Kjo pikëpamje është, për dy arsye, krejtësisht e papërshtatshme. Së pari, është thjesht negative: ajo refuzon shtetet kombëtare për luftënxitjen e tyre, pa dhënë ndonjë arsye pozitive për të besuar se shtetet transnacionale do të jenë më të mira. Së dyti, ajo e identifikon normalitetin e shtetit kombëtar përmes versioneve të tij patologjike. Siç ka argumentuar Chesterton për patriotizmin në përgjithësi, të dënosh patriotizmin sepse njerëzit shkojnë në luftë për arsye patriotike, është njësoj si të dënohesh dashurinë sepse disa dashuri përfundojnë në vrasje. Shteti kombëtar nuk duhet të kuptohet përmes kombit francez gjatë Revolucionit apo kombit gjerman në çmendurinë e tij të shekullit njëzet. Sepse, ato ishin kombe që kishin humbur mendjen, ku burimet e paqes civile ishin helmuar dhe organizmi shoqëror ishte kolonizuar nga zemërimi, mllefi dhe frika. E gjithë Evropa u kërcënua nga kombi gjerman, por vetëm sepse vetë kombi gjerman ishte i kërcënuar nga vetvetja, pasi kishte rënë në ethet nacionaliste.

Nacionalizmi është pjesë e patologjisë së besnikërisë kombëtare, jo gjendja e saj normale – një pikë ku do të kthehem më poshtë. Kush në Evropë është ndier i kërcënuar në mënyrë të ngjashme nga format spanjolle, italiane, norvegjeze, çeke apo polake të besnikërisë kombëtare, dhe kush do t’ua mohonte këtyre popujve të drejtën për një territor, një juridiksion dhe një sovranitet të tyre? Polakët, çekët dhe hungarezët kanë zgjedhur të bashkohen me Bashkimin Evropian: jo për të hedhur poshtë sovranitetin kombëtar, por me përshtypjen se kjo është mënyra më e mirë për ta rikuperuar atë. Unë besoj se ata e kanë gabim. Por, këtë do ta kuptojnë vetëm më vonë, kur tashmë të jetë tepër vonë për të ndryshuar.

Autorët e krahut të majtë-liberal, në ngurrimin e tyre për të pranuar kombin si aspiratë shoqërore apo si synim politik, shpesh bëjnë një dallim ndërmjet nacionalizmit dhe “patriotizmit” – një virtyt i lashtë, i lavdëruar nga romakët dhe nga figura si Machiavelli, i cili për herë të parë artikuloi bazën intelektuale të juridiksionit modern laik.[2] Patriotizmi, argumentojnë ata, është besnikëria e qytetarëve dhe themeli i qeverisjes “republikane”; ndërsa nacionalizmi është një armiqësi e përbashkët ndaj të huajit, të panjohurit, atij që i përket të “jashtmes”.

Kam pak simpati për këtë qasje. Megjithatë, e kuptuar siç duhet, patriotizmi republikan i mbrojtur nga Machiavelli, Montesquieu dhe Mill është një formë e besnikërisë kombëtare: jo një formë patologjike si nacionalizmi, por një dashuri e natyrshme ndaj vendit, bashkëkombësve dhe kulturës që i bashkon. Patriotët janë të lidhur me njerëzit dhe territorin që u përket me të drejtë; dhe patriotizmi përfshin një përpjekje për ta përkthyer atë të drejtë në qeverisje të paanshme dhe në sundim të ligjit. Kjo e drejtë territoriale e nëntheksuar është e nënkuptuar në vetë fjalën – patria duke qenë “atdheu”, vendi ku ti dhe unë i përkasim.

Besnikëria ndaj territorit, sugjeroj, qëndron në rrënjët e të gjitha formave të qeverisjes ku ligji dhe liria mbizotërojnë. Rrjedhimisht, përpjekjet për të dënuar kombin në emër të patriotizmit, nuk përmbajnë ndonjë argument të vërtetë kundër asaj forme të sovranitetit kombëtar që do të mbroj në këtë pamflet.[3] Do të mbroj atë që Mill e quante “parimi i kohezionit ndërmjet anëtarëve të të njëjtës bashkësi apo shteti”, të cilin ai e dallonte nga nacionalizmi (ose nga “kombësia, në kuptimin vulgar të termit”), me këto fjalë të iluminuese:

Nuk kemi nevojë thuajse fare të themi se nuk nënkuptojmë kombësinë në kuptimin vulgar të termit; një antipati pa kuptim ndaj të huajve; një indiferencë ndaj mirëqenies së përgjithshme të racës njerëzore, ose një preferencë të padrejtë për interesat e supozuar të vendit tonë; një vlerësim të veçorive të këqija vetëm sepse janë kombëtare, ose një refuzim për të përvetësuar ato që janë gjetur të mira nga vende të tjera. Ne nënkuptojmë një parim ndjeshmërie, jo armiqësie; bashkimi, jo ndarjeje. Nënkuptojmë një ndjenjë interesi të përbashkët midis atyre që jetojnë nën të njëjtën qeveri dhe që përfshihen brenda të njëjtëve kufij natyrorë apo historikë. Nënkuptojmë që një pjesë e bashkësisë të mos e konsiderojë veten si e huaj në raport me një pjesë tjetër; që ata të çmojnë lidhjen e tyre – të ndiejnë se janë një popull, se fati i tyre është i përbashkët, se e keqja ndaj cilitdo bashkëkombës është e keqja e tyre, dhe që të mos dëshirojnë në mënyrë egoiste të çlirohen nga pjesa e tyre e ndonjë vështirësie të përbashkët duke këputur lidhjen.[4]

Frazat që do të theksoja në atë pasazh janë këto: “vendi ynë”, “interesi i përbashkët”, “kufijtë natyrorë apo historikë” dhe “fati ynë është i përbashkët”. Këto fraza bien në rezonancë me besnikërinë historike që do të mbroj në këtë pamflet.

Për ta thënë shkurt: argumenti kundër shtetit kombëtar nuk është paraqitur siç duhet, ndërsa argumenti për alternativën transnacionale nuk është paraqitur fare. Prandaj, besoj se ndodhemi në prag të vendimeve që mund të rezultojnë katastrofike për Evropën dhe për botën, dhe se kemi vetëm pak vite në dispozicion për të vlerësuar trashëgiminë tonë dhe për ta rimarrë atë në zotërim. Më shumë se kurrë, për ne tingëllojnë të vërteta vargjet nga Fausti i Goethes:

Was du erebt von deinen Vtern hast,
Erwirb es, um es zu besitzen.

Atë që ke trashëguar nga etërit e tu, meritoje, që të mund ta zotërosh. Ne, në shtetet kombëtare të Evropës, duhet ta rifitojmë sërish sovranitetin që brezat e mëparshëm e skalitën me aq mund nga trashëgimia e krishterimit, sundimit perandorak dhe ligjit romak. Duke e fituar, do ta zotërojmë; dhe, duke e zotëruar, do të jemi në paqe brenda kufijve tanë/ Përktheu: Agron Shala

_____________

[1] Shih përkufizimin për “subsidiarity” te vepra ime Dictionary of Political Thought, bot. 2, London: Pan, 1996.
[2] Dallimi është përkufizuar dhe mbrojtur me kujdes nga Maurizio Viroli në For Love of Country: An Essay on Patriotism and Nationalism, Oxford, 1995.
[3] Mbrojtësi kryesor i një patriotizmi të majtë liberal është John Schaar. Shih sidomos ‘The Case for Patriotism’, American Review, 17, May 1973, dhe Legitimacy in the Modern State, New Brunswick, NJ, 1981. Argumenti në kontekstin e socializmit anglez është paraqitur nga Hugh Cunningham, ‘The Language of Patriotism, 1750-1915’, History Workshop, 12 (1981), dhe është trajtuar me elokuencë nga Viroli në For Love ofCountry, 1995.

[4] J.S. Mill, A System of Logic, bot. 10, London, 1879, vëll. 2, f. 522.

U mbajt sekret/ Si Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun e Euros para zgjedhjeve

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përsëri në tregun valutor në muajin maj, për të frenuar valën e re të rënies të kursit të këmbimit Euro-Lek.
Më datë 6 maj, kursi i këmbimit Euro-Lek zbriti në një minimum të ri historik, në nivelin e 97.99 lekëve. Burime nga tregu financiar bëjnë të ditur se, qysh të nesërmen, më datë 7 maj, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë duke blerë Euro në treg, me qëllim për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit me Lekun.

Shumat e blera nuk bëhen publike nga Banka e Shqipërisë. Ato publikohen gjithmonë me kohëvonesë, në deklaratat për ndërhyrjet në tregun valutor, në fund të tremujorit pasardhës.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, duke arritur vlerën më të lartë historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.
Blerjet e planifikuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, në fakt përbënin vetëm një pakicë të shumës së përgjithshme të blerë. Ato vitin e kaluar arritën vlerën e 283.8 milionë euro, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, blerjet direkte, me synim moslejimin e rënies së mëtejshme të kursit Euro-Lek arritën shumën rekord prej 649 milionë eurosh. Për herë të parë vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase.
Blerjet direkte nisën qysh në muajin maj dhe vazhduan deri në muajin dhjetor, me një ndërprerje të përkohshme në muajin shtator. Muaji me vlerën më të lartë të blerjeve ishte tetori, kur Banka Qendrore bleu 169.4 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Gjatë muajit nëntor 2024, kursi i euros regjistroi nivelin më të ulët historik në vlerën e 98.11 lekëve, ndërsa e mbylli vitin 2024 shumë afër kësaj vlere.
Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, rënia e Euros në kursin e këmbimit me lekun do të kishte qenë edhe më e madhe.
Banka e Shqipërisë i ka argumentuar ndërhyrjet në kursin e këmbimit me ndjekjen e objektivit të saj të inflacionit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ushtron presione në ulje mbi inflacionin e importuar në ekonomi. Prej më shumë se një viti, inflacioni ndodhet poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Një situatë e tillë ka motivuar edhe ndërhyrjet për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit Euro-Lek, megjithëse në parim Banka e Shqipërisë ka theksuar se ngelet e përkushtuar ndaj regjimit të lirë të kursit të këmbimit valutor.
Për vitin 2025, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 22 ankande të blerjes së valutës, mes muajve shkurt dhe dhjetor. Shuma e parashikuar e blerjeve parashikohet në intervalin midis 270 dhe 350 milionë eurove. Megjithatë, kjo shumë nuk përfshin ndërhyrje të mundshme direkte në kursin e këmbimit, të cilat nuk mund të parashikohen./Monitor

180 milionë euro tenderë të fshehtë: grabitja që Rama nuk do ta lexojë në Bruksel

Gjatë periudhës 2022–2024, qeveria “Rama” ka shkelur çdo kufi ligjor të prokurimeve dhe koncesioneve publike, duke zhvilluar në fshehtësi 220 tenderë dhe kontrata koncesionare me vlerë mbi 180 milionë euro, të cilat nuk janë publikuar as në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse, as në Buletinin e Prokurimeve Publike.

Këto janë prokurime të paligjshme, jashtë çdo planifikimi buxhetor dhe strategjie zhvillimi, të përdorura për të shpërblyer klientë të qeverisë përmes “qokave” shumëvjeçare, të maskuara si shërbime emergjente apo mirëmbajtje objektesh publike.

Raporti i auditimit të Ministrisë së Financave, që detajon këtë skandal, është bllokuar për publikim me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Sepse ky raport do të trondiste jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe Komisionin Europian, pasi përmban shkelje të rënda në një nga katër kapitujt më të rëndësishëm të negociatave me BE: prokurimet publike dhe transparenca financiare.

Shtatë ministri – përfshirë Arsimin, Shëndetësinë, Bujqësinë, Infrastrukturën, Kulturën, Mjedisin dhe Ministrinë e Sipërmarrjes, si dhe bashkitë më të mëdha të vendit: Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Korça dhe Vlora, kanë zhvilluar në fshehtësi të plotë kontrata 4–5 vjeçare për shërbime që:

-ose janë të mbivendosura me kontrata ekzistuese;
-ose janë dhënë për objekte e impiante që nuk funksionojnë;
-ose janë kryer vetëm në letra, me raporte mbikëqyrëse fiktive.

Në 97 raste, janë dhënë fonde për mirëmbajtje spitalesh, shkollash, rrugësh, portesh, impiantesh uji apo përpunimi mbetjesh, ndërkohë që të njëjtat objekte janë nën kontrata aktive nga tenderë të mëparshëm.
Pra, fondet janë përdorur paralelisht për të njëjtin objekt, në të njëjtën kohë, nga dy kompani të ndryshme.

Këto nuk janë thjesht “shkelje administrative”. Janë vjedhje të pastra, me dijeni të plotë të krerëve të institucioneve dhe me miratim të heshtur politik nga vetë kryeministri.

Sipas raportit, Agjencia e Prokurimeve Publike, APP, ka qenë palë bashkëpunuese në këtë skemë. Ajo ka pranuar dhe certifikuar procedura prokurimi jashtë sistemit, me dokumentacion të paplotë, të padeklaruara dhe me kompani të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin lokal apo qendror.

Vlera totale, 180 milionë euro, është mbi tavanin buxhetor vjetor të institucioneve përkatëse. Pra, fondet janë përdorur jashtë miratimit të Kuvendit, duke konsumuar shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Buxhetin dhe Kodit Penal për shpërdorim fondesh publike.

Dhe nëse këto janë bërë me firmat e ministrave dhe kryebashkiakëve, kryefirma është vetë ajo e Edi Ramës, sepse nuk ekziston praktikë buxhetore në Shqipëri që të kalojë 1 euro jashtë vullnetit të kryeministrit.

Këto tenderë e koncesione janë lehtësisht të gjurmueshme. Janë të padeklaruara, por ekzistojnë me dokumente të brendshme. Janë firmosur nga zyrtarë konkretë, kanë përfituar kompani të caktuara, dhe fondet janë lëvruar nga Thesari i Shtetit.

Berisha, “ëngjëlli mbrojtës” i Edi Ramës!

Nga Spartak Ngjela

Gjendja jonë politike dhe shtetërore në Shqipëri është në qetësinë e thellë të kryeministrit Edi Rama.

Po, si i është krijuar një qetësi e tillë dhe pa fare emicion politik kryeministrit Edi Rama?

Kjo është një qetësi që vjen nga fakti se kryeministri nuk ka kundërshtar; ngaqë kryetari i Partisë Demokratke, Sali Berisha, është nonngrata në Uashington dhe në Londër, kurse në Shqipëri ai është i akuzuar nga SPAK për korrupsion.

Dhe këtu merr fund gjithçka, sepse sot opozita nuk drejtohet nga një kryetar që mbron intetesin kombëtar.

Interesi kombëtar i shqiptarisë në Shqipëri dhe në Kosovë është mbështetur te NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë?

Është pikërisht ky fakt që nuk e lejon Partinë Demokrate që të luftojë për pushtet; dhe kjo është pikërisht arsyeja kryesore që Partia Demokratike doli aq dobët në zgjedhjet politike të majit 2025.

Gjithsesi duhet të kuptohemi: politka është interes dhe kuptohet se interesi i Partisë Demokratike është mbështetur tek Sali Berisha.

Por pikërisht kjo është arsyeja e nënvleftësimit ndërkombëtar të Partisë Demokratike; kurse lidershipi i Partisë Demokratike ende nuk po arrin ta kuptojë këtë

Po Sali Berisha?

Sali Berisha është në interesin e tij, sepse ai është një person me akuzë penale në SPAK dhe kuptohet që po lufton me të ardhmen e tij politike në Shqipëri.

Por pikërisht këtu përplaset interesi i PD me interesin e kryetarit të saj Sali Berisha.

Ja pra, kjo është kontradikta e kësaj kohe për Partinë Demokratike.

Por këtë kontradiktë Partia Demokratike nuk e zgjidh dot.

Atëherë?

Kjo situatë kështu do të vijojë derisa SPAK të gjykojë Sali Berishën. Dhe, nga ky gjykim kuptohet se Sali Berisha ose merr pafajsi, ose dhe mund të dënohet. Por po të dënohet Berisha nuk mund të vijojë dot jetën politike

Prandaj dhe kjo analizë sigurisht që mbyllet pikërisht këtu; në pritje për gjyqin penal që SPAK do të zhvillojë për çështjen penale që është ngritur kundër Sali Berishës.

Por ja pra, pikërisht kjo është arsyeja që gjendja jonë politike dhe shtetërore në Shqipëri është e mbërthyer në qetësinë e thellë të kryeministrit Edi Rama.