19.5 C
Tirana
E diel, 3 Gusht, 2025

Shqiptarët punojnë vetëm për mbijetesë!

Punetore, duke shkarkuar tubat e pare te mberritura ne Shqiperi, te projektit te gazsjellesit TAP, prane Spitalles ne Durres./r/n/r/nWorkers unload newly arrived pipes for the construction of the future Trans-Adriatic Pipeline in Spitalle, near Durres, aimed to bring gas from the Caspian Sea to Europe.The 867 km pipeline will cross through Greece, Albania, offshore under the Adriatic Sea, before reaching Italy.

Nga Spartak Ngjela

Një mbijetesë e vakët shqiptare, kjo është gjendja e sotme. Asgjë më shumë.

Pse kemi rënë në këtë gjendje?

Kjo gjendje, në esencën është një luks i heshtur, që nuk ka ndriçim , por që ka krijuar këtë mbijetesë të vakët.

Po nga vjen e sigurohet kjo, dhe pse duhet të quhet mbijetesë?

Është mbijetesë sepse ata që punojnë dhe mbajnë familjet e këtu në Shqipëri, janë të punësuar në Perëndim, nga Italia në Gjermani dhe nga Gjermania në Angli.

Natyrisht kjo punë e frytshme është, por remitancat e tyte në euro apo në dollarë që ata dërgojnë në Shqipëri, krijojnë të ardhurat e të afërmve të tyre që jetojnë këtu.

Dhe kjo shumë parash që është mbi katër miliardë euro, mban jetën normale në Shqipëri.

Në fakt kjo shumë parash, po mban tregun, dhe sigurisht edhe bankat, edhe fitimin tregtar i cili është faktori kryesor që mban bankat, mban punësimin aktual, mban taksat e shtetit, dhe pas taksave që mbledh shteti, jeton e gjithë administrata shtetërore me një pagë të pranueshme tani, por që, të gjitha bashkë janë, por është edhe turizmi është që sjell një shumë jo të vogël në valutë, në këtë jetë monetare në Shqipëri.

Po a mjafton kjo?

Jo nuk mjafton.

Jeta nuk ecën dot në Shqipëri brenda kërkesës dhe ofertës perëndimore. Por tregu funksionon dhe jeta nëpër bare dhe restorantet është brenda karakterit evropian, madje në sasinë e vet, baret dhe restorantet qyteteve të mëdhenj të Shqipërisë janë më luksoze në Evropë.

Por si ka ndodhur e si po zhvillohet kjo?

Ja kjo është pyetja që bëjnë ekspertët e huaj.

Por nuk janë vetëm lokalet luksoze, se janë edhe makinat luksoze.

Dhe kjo i habit të gjithë. Por më shumë mërzit grekët që i shohin me zili qesharake makinat luksoze të shqiptarëve, se vetë ata janë shumë dobët në rrugët e tyre, sepse makinat i kanë masivisht nga ato më të lira fare.

Po shqiptarët si e kanë arritur këtë nivel?

Shqiptarët e kanë arritur me natyrën e tyre të mendjes që kërkon jetë, vetëm jetë të paqtë dhe të pasur. Dhe këtë e kanë arritur tek makinat e tyre, te baret dhe restorantet luksozë, dhe te bisedat e frytshme që ata bëjnë nëpër lokalet luksozë që vetë i kanë investuar.

Kjo është një çudi, po thonë ekspertët e huaj që janë kundër, por të tjerët thonë: ja, kjo është vlera esenciale e shqiptareve, që do t’i çojë ata shumë lart.

Parashikohet rritje me 15% të çmimeve të apartamenteve, ja zonat që preken më shumë

Rritja e çmimeve të apartamenteve nuk do të ndalet edhe gjatë 2025-s. Ndërtuesit presin të rrisin sërish çmimet e shitjes së apartamenteve. Shtrenjtim pronash pritet të ketë në zonat afër qendrës, Unazës së Vogël dhe Bulevardit të Ri në Tiranë.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, thotë se në kryeqytet, zonat ku do të ketë rritje të çmimeve do të jenë afër qendrës. “Në disa zona si brenda Unazës së Vogël, Bulevardi i Ri, ish-fusha e Aviacionit, çmimet kanë tendencë për rritje gjatë 2025-s”, thotë z. Harizi.

Rritje të ndjeshme të çmimeve sipas ndërtuesve parashikohet të ketë edhe në zonën e Bulevardit të Ri, për shkak të zhvillimit të shpejtë infrastrukturor që po njeh zona. Një nga zhvilluesit e një prej qendrave rezidenciale në këtë zonë konfirmon se nga janari 2025 do të rrisë çmimet e shitjes me 15% (nga 1,700 euro për metër katror çmimi do të arrijë në 2,000 euro për metër katror).

Për Kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, faktorët kryesorë që do të ndikojnë te shtrenjtimi i çmimeve mbeten rritja e kostos nga pagat e punëtorëve, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kostoja nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

“Kostot e ndërtimit pritet të rriten gjatë 2025-s, ku ndoshta zërin kryesor e zë fuqia punëtore. Sektori ballafaqohet gjithashtu me mungesë fuqie punëtore. Edhe cilësia e ndërtimit është në rritje, pasi ndërtuesit përdorin materiale më cilësore.

Shtim të kostove ka edhe nga rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksës së strehimit që erdhi pas ndryshimit të çmimeve të referencës”, pohon ai.

Edhe vetë zhvilluesit e qendrave rezidenciale në Tiranë rendisin si faktor kryesor të shtimit të kostove rritjen e pagave për punëtorinë, për materialet e ndërtimit dhe taksave.

“Gjatë 2024-s, pagesat ditore për punonjësit nisin nga 5,000-6,000 dhe deri në 7,500 lekë në ditë (tarifa më e lartë është paguar për lidhësit e hekurit të armaturës). Niveli i pagesës është i lartë. Për 2025 pritet që të shkojnë edhe 8,000 lekë/dita.

Kostoja është e lartë edhe për materialet e ndërtimit. P.sh., për qiranë e skelave, tarifat variojnë nga 19 deri në 22 euro për metër katror.

Që nga vjeshta e vitit 2023, ndërtuesit janë ngarkuar me 50 euro shtesë për metër katror nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Për shkak të kostove më të larta, rritja e çmimeve është e pashmangshme”, pohon një nga ndërtuesit në Tiranë.

Në 2024, ndërtuesit u goditën në kosto edhe nga rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksës së strehimit.

Vendimi për rritjen e çmimeve të referencës nga muaji gusht 2023, dha ndikim të menjëhershëm edhe mbi aktivitetin e ndërtimit, duke qenë se këto çmime shërbejnë si faktor kryesor për përcaktimin e vlerës së taksës në infrastrukturë dhe në vlera monetare zëvendësuese të taksës 3% të kontributit në strehimin social.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës, të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri në 76% për 32 zonat kadastrale të saj.

Kërkesa për blerje apartamentesh, pritet e njëjta ecuri si në vitin 2024

Pavarësisht se në kryeqytet vijon të ketë bum ndërtimesh, sipas operatorëve të tregut, kërkesa për blerje në vitin 2024 shënoi rënie. Shkak kryesor i rënies së kërkesës ishte rritja e lartë e çmimeve dhe emigrimi, kryesisht i të rinjve. Por ndërtuesit nuk presin shtim të kërkesës edhe gjatë 2025-s.

“Në Tiranë, tregu është konstant te ndërtimet e reja, ndoshta rishitja ka njëfarë stanjacioni, si pasojë e taksës shumë të lartë, 15% të tatimfitimit, pasi çmimet e referencës kanë diferencë të madhe krahasuar me 2018”, nënvizon Erjon Harizi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Në korrik të 2023, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi për rritjen e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Rritja e çmimeve për zonat kadastrale të Tiranës ishte nga 5 deri në 76% dhe nisi zbatimin nga muaji gusht 2023.

Pas rritjes së çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, vlerat e tyre u rritën edhe për 5 njësitë administrative të Tiranës, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Prezë. Për këto zona, çmimet fiskale mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave u rrit nga 29 deri në 73%.

Me ndryshimet e vendimit të muajit korrik, çmimet e referencës mbetën të pandryshuara në rrethe. Rritja e çmimeve të referencës shtoi detyrimet e qytetarëve dhe bizneseve për taksën e ndërtesës, që llogaritet mbi këto çmime.

Ylli Sula, drejtuesi i “Çelësi Media Group”, thotë se kërkesa për blerje në 2025 pritet të ndjekë tendencën rënëse të vitit paraardhës. Z. Sula thotë se rënia nuk do të reflektohet te kërkesa reale e familjeve për banim, pasi ajo ndër vite pothuajse është përmbyllur dhe çmimet e larta të shitjes po rrisin më tepër tendencën për zgjidhjen e çështjes së strehimit nëpërmjet qirasë afatgjatë.

Por sipas tij, ajo që pritet të shënojë rënie është kërkesa informale për blerje, për shkak të publikimit të bisedave në EncroChat të personave me aktivitet kriminal.

“Në Tiranë, oferta e ndërtimit vijon të jetë me mbingopje, ku ritmet e dhënieve të lejeve të ndërtimit janë të larta, ndonëse kemi edhe emigrim më të madh të të rinjve. Pra volumi i rritjes së dhënies së lejeve për ndërtime të reja mbetet jashtë logjikës së kërkesës së qytetarëve për qëllime banimi apo edhe të bizneseve për ambiente zyrash dhe dyqanesh.

Trendi i kërkesës reale për strehim nuk është në rritje dhe pritet zgjerim edhe për vitin 2025, pasi çmimet janë të papërballueshme për familjet e reja. Të pasurit e kanë ezauruar kërkesën për strehim. Kërkesa për prona për dyqan apo zyra ka rënë edhe nga bizneset, për shkak të çmimeve të larta.

Në vitin 2025 pritet të ketë ndryshime te kërkesa për blerje pronash me para të padeklaruara. Parashikoj që kërkesa nga kjo kategori të ulet, pasi pas shkodimeve të përgjimeve në Sky dhe EncroChat mes grupeve kriminale dhe hetimeve të nisura për to nga SPAK, sigurisht që do të stepin këtë kategori të blejnë prona me çmime të lartë në Tiranë.

Po ashtu edhe hetimet e nisura nga SPAK për figura të politikës dhe biznesit do të vijojnë të ndikojnë te kërkesa e blerjeve me para të padeklaruara”, thotë z. Sula.

“Në vitin 2025 pritet të ketë ndryshime te kërkesa për blerje pronash me para të padeklaruara. Parashikoj që kërkesa nga kjo kategori të ulet, pasi pas shkodimeve të përgjimeve në Sky dhe EncroChat mes grupeve kriminale dhe hetimeve të nisura për to nga SPAK, sigurisht që do të stepin këtë kategori të blejnë prona me çmime të lartë në Tiranë. Po ashtu edhe hetimet e nisura nga SPAK për figura të politikës dhe biznesit do të vijojnë të ndikojnë te kërkesa e blerjeve me para të padeklaruara”, thotë z. Ylli Sula i “Çelësi”.

EncroChat është një rrjet komunikimi dhe ofrues shërbimi me bazë në Europë, i përdorur kryesisht nga anëtarët e krimit të organizuar, përfshirë edhe persona me aktivitet kriminal nga Shqipëria. Platforma u zbulua nga Europol gjatë një operacioni të zhvilluar në vitet 2020-2021. Ky shërbim rezultoi se kishte rreth 60,000 abonentë të botës së krimit, përfshirë edhe shtetas shqiptarë që dërgonin mesazhe të koduara.

Kërkesa për blerje u ngadalësua edhe në vitin 2024. Ndërtuesit pohuan se shitjet ishin më të ulëta se në vitin 2023. Por pavarësisht luhatjeve të kërkesës, rritja e çmimeve nuk u frenua.

Në dhjetor 2024, në zonën e “Komunës së Parisit”, zyrat e shitjes së njësive të reja raportojnë çmime në nivel rekord për zonën. Të kontaktuar nga “Monitor”, zyra e shitjeve për një nga objektet e reja që po zhvillohet në zonë (pranë institucionit të Aviacionit Civil) thotë se çmimi i shitjes është 3,500 euro për metër katror. Krahasuar me 2023, kur çmimi maksimal ishte nga 2,600 deri 2,800 euro për metër katror, rritja është 25 deri në 35%.

Po ashtu, deri në muajin korrik, çmimet e apartamenteve në disa nga zonat qendrore u rritën 10 deri në 16%, krahasuar me muajin korrik 2023 sipas të dhënave të agjencive pasurive të patundshme.

Konkretisht te disa zona, si ajo pranë stadiumit “Selman Stërmasi” çmimi maksimal arriti 2,900 euro për metër katror nga 2,600 euro për metër katror që ishte në vitin 2023. Rritja ishte 16%.

Pranë parkut “Olimpik” në Tiranë, në një nga komplekset e reja që po ndërtohet, në muajin korrik 2024, çmimet e shitjes arritën nga 2,200 euro vlera minimale deri në 2,900 euro për metër katror vlera maksimale. Në këtë zonë, çmimet e shitjes në 2023 nisën nga 2,300 deri në 2,600 euro për metër katror.

Rritja ishte 10%. Brenda Unazës së Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve janë mbi 2,300 euro për metër katror.

Rritje çmimesh ka pasur edhe në zonat periferike. Sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme, rritja e çmimeve është ndikuar nga shtimi i kërkesës, pasi familjet e reja nuk arrijnë të përballojnë blerjen e shtëpisë në zonat qendrore.

Në “Kombinat”, çmimet e apartamenteve në muajin korrik arritën 1,200 deri në 1,300 euro për metër katror nga 1,100 që ishin vitin e kaluar. Rritja është nga 9 deri në 18%.

Në zonën e “Astirit”, çmimet u luhatën nga 1,200 deri në 1,300 euro për metër katror në vijat e para të ndërtimit nga 1,250 euro që ishte vjet. Në këtë zonë, çmimet janë rritur me 4%.

Në zonën e “Freskut”, çmimet e shitjes së apartamenteve nga 900-1000 euro për metër katror kanë arritur në 1,100 euro për metër katror.

Rritja është rreth 11%. Në Paskuqan nga 850-900 euro për metër katror, çmimet kanë arritur në 1,050 euro për metër katror, për shkak të kërkesës së lartë sipas agjentëve të pasurive të patundshme.

Shoqata e Ndërtuesve parashikon për 2025 ecuri pozitive të aktivitetit të ndërtimit, pasi shumë leje zhvillimi të dhëna në 2024 do të nisin zbatimin sivjet.

“Për vitin 2025, ecuria e sektorit të ndërtimit do të vazhdojë në të njëjtin ritëm si në 2024, ndoshta edhe më mirë, pasi shumë leje ndërtimi në Tiranë e bregdet nuk kanë filluar punë ende”, pohon Erjon Harizi.

Për periudhën janar-shtator 2024, sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ka arritur një nivel të ri historik, duke tejkaluar nivelin e 2022, që mbante rekordin deri tani.

Sipas INSTAT, për 9-mujorin e këtij viti janë dhënë gjithsej sipërfaqe leje ndërtimi prej 1.58 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në raport me 2022, që deri tani shënonte rekordin, sipërfaqja e lejeve është 8% më e lartë.

Lejet më të shumta janë dhënë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 666 dhe 684 mijë metra katrorë. P.sh. në tremujorin e tretë u dhanë leje që ishin në sipërfaqe sa 70% e gjithë vitit 2023./ Monitor

Pas 471 ditësh luftime banorët e Gazës zgjohen pa bombardime

Pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Tel Avivit dhe Hamasit, banorët e Gazës kaluan një natë pa ndonjë sulm nga ushtria izraelite dhe u zgjuan pa zhurmën e bombardimeve për herë të parë që nga 7 tetori 2023.

Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi dje në orën 11:15 të mëngjesit me orën lokale.

Me hyrjen në fuqi të armëpushimit, në Rripin e Gazës ndaluan sulmet që ushtria izraelite i ka vazhduar prej 471 ditësh. Për herë të parë në më shumë se 15 muaj, banorët e Gazës mundën të kalonin një natë pa zhurmën e bombardimeve dhe shpërthimeve.

Palestinezët në Gaza të cilët kanë luftuar për të mbijetuar nën zhurmën e sulmeve dhe bombardimeve për 471 ditë, u zgjuan mëngjesin e sotëm pa dëgjuar asnjë shpërthim.

– “Fëmijët e Gazës fjetën pa frikë dhe bombardime

Palestinezët që jetojnë në Gaza kanë bërë postime në llogaritë tyre të medias sociale lidhur me natën e tyre të parë pa sulme izraelite.

Yusuf Hamada, qytetari nga Gaza në llogarinë tij në median sociale është shprehur se “Nata e parë që fëmijët e Gazës fjetën pa frikë apo bombardime. Falënderimet i takojnë Zotit”.

– Përfundoi pritja e dhimbshme para morgjeve

Për shkak të sulmeve të Izraelit, në Gaza kanë humbur jetën 46.913 palestinezë duke përfshirë rreth 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra.

Palestinezët që humbën jetën në këto sulme silleshin në spitalet lokale nga të afërmit e tyre ose ekipet e mbrojtjes civile edhe për t’u regjistruar edhe për t‘u varrosur.

Palestinezët që humbën jetën mbaheshin në morgjet e spitaleve përpara varrimit. Mijëra njerëz në Gaza vajtuan të dashurit e tyre përpara këtyre morgjeve që nga fillimi i sulmeve të Izraelit më 7 tetor.

Me ndërprerjen e sulmeve izraelite, për herë të parë që nga 7 tetori palestinezët nuk humbën njerëzit e tyre të dashur dhe nuk u desh të prisnin në morgjet e spitaleve.

Gazetari Abu Bakr Abid në llogarinë e tij në rrjetet sociale ndau pamjet që regjistroi përpara morgut të spitalit Aksa në qendër të Gazës.

Abid tha se morgu i spitalit Aksa ishte i mbyllur dhe shtoi se “Kjo është hera e parë që morgu i këtij spitali është mbyllur me kyç që nga 7 tetori. Jam në lot. Nuk ka humbje jetësh, nuk ka mjerim, nuk ka kufoma dhe nuk ka më gjak të spërkatur në tokë. Tashmë nuk ka skena të tilla të tmerrshme”.

Inflacioni bazë u rrit në dhjetor, arriti nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit

Inflacioni bazë e mbylli vitin 2024 në rritje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin arriti në 2.5%, nga 2.34% që kishte për nëntorin.

Niveli i dhjetorit ishte njëkohësisht më i larti që prej muajit mars 2024. Me bazë vjetore, megjithatë, inflacioni bazë rezultoi sidoqoftë në rënie. Në fund të vitit 2023, ky tregues kishte qenë në nivelin 3.2%.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Përkundrejt rritjes së inflacioni bazë, inflacioni bazë neto për dhjetorin pësoi një rënie të lehtë në 2.21%, nga 2.22% që kishte qenë për nëntorin. Edhe inflacioni bazë neto është në rënie vjetore krahasuar me nivelin 3.38% të një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin dhjetor ishte në nivele të përafërta, me 2.2%.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se sinjalet e kthimit të rritjes së inflacionit bazë në dhjetor ngelen kryesisht të lidhura me produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Sipas INSTAT, inflacioni mesatar në ekonomi e mbylli vitin 2024 në nivelin 2.1%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 4% i fundit të vitit 2023.

Vitin e kaluar, inflacioni pësoi një rënie më të madhe se pritshmëritë. Kjo solli edhe ndryshimin e kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, që iu kthye uljes së normës bazë të interesit. Norma bazë u ul dy herë gjatë vitit 2024, në nivelin 2.75%.

Pas mbledhjes së dhjetorit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti 2025.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit gjatë vitit të kaluar janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit. Por, nga ana tjetër, nivelet më të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë së brendshme kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit./Monitor

Komunikimet e politikanëve në SkyEcc, Altin Dumani: Është arrestuar Jurgis Çyrbja! Dimë të ndajmë provën nga thashethemi! Strategji për krimet zgjedhore

Në një takim informal me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se “ju garantoj se në mometin që konstatohet një person dhe kemi prova do të marrim vendimet tona”.

Drejtuesi i SPAK, Dumani shtoi se Prokuroria e Posaçme arrin që të ndajë provën nga thashethemi, duke shtuar se “jemi sa më objektiv”.

Altin Dumani: Nuk është e vërtet që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e SkyEcc, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deri tanishme nuk na ka dalë lidhja direkte. Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv.

Tashmë kemi edhe një vendim të gjykatës kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentet. Në përpiqemi qe të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në SkyEcc, por ti lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kudo person, e kemi prova do të marrim vendimet tona.

Ai thekson se SPAK ka hartuar një strategji për hetimin e krimeve zgjedhore dhe se thuajse ka përfunduar.

Altin Dumani: Kam deklaruar që do të publikojë strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore, strategjia thuajse ka përfunduar, pritet miratimi po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin.

Basha takon Grenell: Kam besim se Trump dhe ekipi i tij do ta avancojë çështjen shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë të organizuar në prag të inaugurimit të Presidentit Trump, është takuar me të Dërguarin e Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell.

Gjatë bisedës, Basha theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe nevojën për vëmendje amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, përballë sfidave destabilizuese nga Rusia dhe aleatët e saj.

Basha shprehu besimin se administrata e re amerikane do të mbështesë prioritetet kombëtare, përfshirë përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike.

Postimi i plotë i Bashës:

Kënaqësi të bisedoja me Dërguarin e Posaçëm Presidencial për Misione të Veçanta, Richard Grenell, gjatë ceremonisë së veçantë të organizuar në prag të inaugurimit të Presidentit Trump. Për shqiptarët, SHBA-të mbeten aleati dhe partneri ynë strategjik. Forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit me to është një prioritet madhor.

Vëmendje amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme, veçanërisht për shkak të tendencave të vazhdueshme destabilizuese nga Rusia, e cila përdor aleatët e saj në Serbi dhe Republika Srpska, por edhe aktorë të caktuar politikë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Jam i bindur se Presidenti Trump dhe ekipi i tij do të mbështesin vendosmërisht prioritetet tona kombëtare, duke përfshirë përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe përshpejtimin e integrimeve në institucionet euro-atlantike.

Dëshmia e Nuredin Dumanit i “fundosi”/ Ankimuan dënimin me burg, Apeli i GJKKO-së merr vendimin për Agron Qafën dhe Florenc Çekrezin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 8 vite burg Agron Qafën dhe me 3.4 vite burg Florenc Çekrezin, të cilët janë arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” që u ndërmor nga SPAK pas dëshmive të të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës.

Dy të dënuarit kishin ankimuar vendimin, por kërkesa e tyre u rrëzua nga togat e zeza.

Agron Qafa është shpallur fajtor për veprën penale të “Vjedhjes me dhune”, në dëm të viktimës ****, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”.

Ndërsa Florenc Çekrezi akuzohet për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.01.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen penale të regjistruar me nr. 7/65 akti, datë 26.11.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehurve A.Q., F.Ç., kundër vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Shpenzimet gjyqësore në apel, i ngarkohen të pandehurve ankues A.Q. dhe F.Ç.

VENDIMI I GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e

Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Eglantina Mikani, Bib Ndreca dhe Olkeda Lice, me vendimin Nr. 46, datë 19.07.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale të “Vjedhjes me dhune”, në dëm të viktimës ****, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 139, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

1.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

1.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Agron Qafa me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

1.3. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

1.4. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Agron Qafa ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

2.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim të thjeshtë, në dëm të shtetasit ****, parashikuar nga neni 278/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5(pesë) vjet burgim.

2.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Florenc Çekrezi me 5(pesë) vjet burgim.

2.3. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

2.4. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Florenc Çekrezi, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

3. Provat materiale të disponohen në përfundim të gjykimit të procedimit të lidhur që gjykohet pranë kësaj gjykate.

4. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve solidarisht.

5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Georgia Meloni, e vetmja kryeministre evropiane që do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump si President në Uashington

Georgia Meloni është e vetmja kryeministre europiane që do të jetë e pranishme sot në Uashington, në ceremoninë e betimit të presidentit të ri amerikan. Ajo udhëtoi në Shtetet e Bashkuara me tre deputetë të partisë së saj, por pa asnjë anëtar tjetër të kabinetit të saj.

 

Kjo është një lëvizje që nënvizon marrëdhënien e ngushtë të kreut të qeverisë së Romës me Donald Trump, si dhe me miliarderin dhe politikanin, tashmë, Elon Musk.

Madje ka mundësi që përpara se të kthehet në Romë të gjejë mundësinë të diskutojë me Musk të gjithë rastin e bashkëpunimit të mundshëm të publikut italian me kompaninë e tij Starlink, e cila është aktive në fushën e telekomunikacionit satelitor.

Siç dihet, bëhet fjalë për një propozim bashkëpunimi pesëvjeçar me shtetin italian, me një vlerë totale prej 1.5 miliardë eurosh. Partitë opozitare në Romë kanë shprehur kundërshtimin e tyre dhe kanë kërkuar që të informohen në detaje nga zyrtarët e qeverisë. Megjithatë, gjithçka tregon se marrëveshja konkrete do të nënshkruhet në fund. Nëse asgjë tjetër sepse, siç ka argumentuar vazhdimisht Meloni, “në Evropë  nuk kemi teknologji të ngjashme”.

Dhe në lidhje me Evropën, mediat italiane theksojnë se ndërsa Italia  përfaqësohet sot në Kapitol në nivelin më të lartë, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen , nuk ka marrë as ftesë për të marrë pjesë. Sipas komentuesve italianë, nga qarqet në Bruksel është zbuluar se ky qëndrim i kreut të “Vëllezërve të Italisë” dhe kryeministrit të vendit nuk konsiderohet më i përshtatshmi, pasi minon në një fazë kaq kritike përpjekjen për të mbajtur një qëndrim i unifikuar nga shtetet më të mëdha anëtare të Unionit.

Nëse nuk përputheshin…

Por Georgia Meloni zgjodhi të theksojë marrëdhënien e saj të ngushtë personale dhe politike me okupatorin e ri ultra-konservator të Shtëpisë së Bardhë. Duke kërkuar, siç tregon gjithçka, ta kthejë vendin e saj në bashkëbiseduesin më të afërt të Shteteve të Bashkuara, për sa i përket të gjithë Kontinentit të Vjetër. Edhe më afër se  Britania e Madhe, me të cilën, sipas traditës, çdo president i ri amerikan bën kontaktin e parë në nivel ndërkombëtar pas marrjes së detyrës.

Siç tregon gjithçka, si Meloni ashtu edhe Trump po përpiqen të marrin përfitime të konsiderueshme politike nga kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë. E para është forcuar nga brenda dhe dobëson ndjeshëm partnerët e saj qeveritarë , duke filluar nga Lidhja. Udhëheqësi i saj, Matteo Salvini, deri pak muaj më parë ishte politikani italian që mbante kontaktet më të ngushta me Trump dhe krahun thellësisht konservator të republikanëve. Tani, gjërat kanë ndryshuar.

Udhëtimi i gjatë ia vlejti

Dhe Trump konfirmon se nuk është i interesuar për një dialog të barabartë me BE-në në tërësi, por për marrëdhënie individuale, të cilat tregojnë se ato mund të jenë edhe më të frytshme, pasi qeveritë e bashkëbiseduesve të tij identifikohen më fort me ideologjike stigma e tij.

Nuk është rastësi që kryeministri italian ka shkuar tashmë dy javë më parë në  Florida për një takim privat me presidentin e sapozgjedhur në rezidencën e tij verore në Mar-a-Lago. Trump e vlerësoi Melonin, duke nënvizuar se “ajo është një grua e shkëlqyer”, por duke llogaritur ndër karakteristikat e saj pozitive edhe faktin që “udhëtoi kaq shumë orë për ta takuar” dhe se si “i tregoi respekt të madh”.

Opozita e qendrës së majtë në Romë po bën thirrje që një marrëdhënie e njëanshme me Uashingtonin të mos miratohet, sepse, argumenton ajo, asnjë vend i vetëm i BE-së nuk  është në gjendje të arrijë marrëveshje të rëndësishme dhe të dobishme me administratën e re Trump. Mirëpo, Giorgia Meloni, me qëndrimin e saj, mesa duket shpreson të forcojë rolin e Italisë brenda Bashkimit Europian, falë “dialogut miqësor dhe joprotokollar” me biznesmenin dhe presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara.

Por është një bast i karakterizuar nga një përqindje e lartë rreziku. Sepse Italia mund të jetë – të paktën në këtë fazë –  vendi kryesor politikisht më i qëndrueshëm  në BE. Megjithatë, borxhi i tij publik vazhdon të jetë në një nivel jashtëzakonisht të lartë (137% të PBB-së) dhe një ndryshim i dukshëm natyrisht, me çdo vënie në dyshim të bashkëpunimit të nevojshëm të të gjitha shteteve anëtare me Brukselin , mund ta çojë atë në të paparashikueshme, por edhe shtigjet të rrezikshme./DW

Vlerësimi/ Më i miri i mbrojtjes së Lacios, Elseid Hysaj befason kritikët si titullar në Seria A

Elseid Hysaj ishte lojtari më i mirë në repartin e mbrojtes, ndërsa Lacio fitoi 0-3 në transfertën e Veronës. Mbrojtësi i djathtë shkëlqeu në sfidën e tij të parë si titullar në Seria A, përgjatë këtij sezoni.

Screenshot 2025-01-19 231036

Hysaj mori vlerësimin 7.9 nga “Sofascore”. Takimin e luajti të plotë, ndërsa pati 56 pasime të sakta. Në anën tjetër 4 topa të gjatë u shfrytëzuan, pasi u nisën prej tij.

Hysaj spikati me pesë spastrime. Në anën tjetër ndërpreu dy aksione, ndërsa pati dhe tre ndërhyrje të sakta pa top.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare fitoi gjashtë nga tetë duelet që pati. Fundjava shkoi kështu në mënyrën më të mirë për të.

Capture

Dita e parë e Donald Trump në detyrë me rekord vendimesh! Direkt pas betimit presidenti i ri i SHBA do të nisë nga detyra, dekretet që pritet të firmosë

Direkt pas betimit presidenti i ri i SHBA-së Trump të hënën do të nisë nga puna – me një numër rekord dekretesh. Mediat: Ndër këto vendime bëjnë pjesë edhe kontrollet në masë për dëbimin e migrantëve ilegalë.

Donald Trump do të inagurohet në detyrë për herë të dytë si president të hënën. Republikani ka udhëtuar një ditë më parë në Uashington D.C. – dhe ka deklaruar, se ditën e parë që do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë do të zbatojë një sërë premtimesh të dhëna gjatë fushatës elektorale. Në një intervistë për televizionin NBC News 78 vjeçari tha, se do të nënshkruajë një numër rekord dekretesh. Se sa saktësisht nuk e ka bërë të qartë, por i pyetur nga televizioni, nëse do të mund të jenë 100 dekrete, ai tha se numri i dekreteve mund të jetë rreth kësaj shifre.

A janë planifikuar kontrolle masive të migrantëve?

Pritet, që Trump ndër vendimet e para të verë në jetë edhe politikën strikte të shpallur prej tij ndaj migracionit. Në fushatën elektorale ai në mënyrë të përsëritur ka deklaruar, se do të zbatojë aksionin më të madh të dëbimeve në historinë e SHBA-së. Në mediat e SHBA-së spekulohet, se sa ashpër do të veprojë presidenti i ri dhe i dikurshëm. Wall Street Journal e më pas edhe New York Times duke iu referuar personave që i njohin nga afër planet, venë në dukje, se qysh ditën e martë në metropolin Çikago do të ketë kontrolle masive me qëllim ndalimin e migranteve dhe migrantëve pa dokumenta të vlefshme. Kontrollet e planifikuara me emërtimin “Operation Safeguard” (operacioni i masave mbrojtëse) do të zhvillohen gjatë një jave dhe eventualisht do të shtrihen edhe në qytete të tjera. Sipas Washington Post vetëm në Çikago do të marrin pjesë për kontrollet deri në 200 punonjës të autoritetit të mbrojtjes kufitare.

Trump do të nisë shpejt me dëbimet masive

Në intervistën për NBC Trump nuk i konfirmoi direkt vet planet konkrete për kontrolle të tilla. Megjithatë ai siguroi, se për të kanë prioritet të lartë dëbimet masive dhe se ai do të fillojë menjëherë me këto masa. Kur dhe ku saktësisht do të fillojnë dëbimet, Trump nuk e sqaroi. Edhe Tom Homan, i cili nën presidencën e Trumpit do të jetë i ngarkuari për mbrojtjen e kufijve, theksoi duke reguar ndaj njoftimeve në media, se deri tani nuk janë marrë vendime.

Qeveria e re e SHBA-së do t’i shqyrtojë edhe më tej vendimet. Njëkohësisht Homan i tha Washington Post, se është krijuar një e çarë për rrjedhje informacionesh dhe se për këtë do të hetohet. “Eshtë një rast jofatlum, sepse kushdo që i cënon këto operacione të autoriteteve të sigurisë, i përball me rreziqe më të mëdha punonjësit e këtyre autoriteteve”, tha Homan. Ai siguroi, se qeveria e re qysh në ditën e parë do të ndalojë njerëzit, që konsiderohen si “rrezik për sigurinë publike”./DW