Disa shkolla greke janë mbyllur përkohësisht në rajonin e Maqedonisë Qendrore të Greqisë për shkak të përhapjes së shpejtë të bakterit “Strep A”.
Sipas medieve greke, në një shkollë në rajonin Kalamaria të Selanikut u zbuluan rastet e para të këtij bakteri.
Mësimi fillimisht u pezullua në tri shkolla fillore dhe në dy kopshte në rajon për shkak të përhapjes së shpejtë të baktereve që shkaktuan infeksionin.
Katër shkolla në qytetin Serres ku u zbulua bakteri “Strep A” u mbyllën përkohësisht si masë paraprake.
Instituti Kombëtar Grek i Shëndetit Publik (EODY) deklaroi se bakteri “Strep A” është shumë ngjitës dhe shtoi se duhen ndjekur rregullat e higjienës personale.
Autoritetet rekomanduan që personat e infektuar të qëndrojnë në shtëpi për të paktën 24 orë pas fillimit të trajtimit me antibiotikë dhe se situata po menaxhohet në mënyrë të kontrolluar.
Shqiptarët nuk i kanë shpëtuar përpjekjeve të ekzekutivit të ri gjerman për të shtuar nivelin e riatdheshimeve.
Media e njohur gjermane, Welt citon Günter Krings, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, të ketë bërë thirrje për zgjerimin e fluturimeve të tilla, ndërkohë që avioni më i fundit me shqiptarë të refuzuar, u nis nga Hanoveri.
“Ky është më shumë se një simbol”, mësohet të ketë thënë Krings. “Këto fluturime duhet të intensifikohen. Ne kemi nevojë për më shumë fluturime të tilla kthimi dhe masa dëbimi, sepse ligji i azilit ka dy anë: Ne duam t’u japim mbrojtje atyre që kanë nevojë për të – por edhe të dëbojmë ata që nuk kanë realisht nevojë, ose që e kanë humbur këtë të drejtë pasi kanë kryer akte të dhunshme”, kanë qenë komentet e tij.
Zyrtari i larte shtoi se ne gjithashtu duam t`ua bëjmë të qartë njerëzve se ata që duhet dhe mund të largohen nga vendi, nuk ka përse të presin të njëjtin nivel mbështetjeje nga shteti gjerman”.
Krings mbështeti sakaq “sistemin e paraburgimit në pritje të dëbimit për kriminelët dhe uljen e përfitimeve për të gjithë ata që duhet dhe mund të largohen nga Gjermania.
Një avion i nisur nga aeroporti Hannover-Langenhagen të hënën drejt Prishtinës dhe Tiranës, thuhet se transportonte rreth 70 persona të dëbuar, përfshirë dhe të dënuar për krime të ndryshme.
Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani fitoi titullin e dytë të Serisë A me Napolin. Mbrojtësi ka luajtur titull pothuajse në çdo ndeshje dhe padyshim është një nga më të mirët në rolin e tij.
Ai ka ndarë një video në profilin e tij zyrtar në “Instagram”, teksa shfaqet krah shokut të tij të skuadrës Simeone Xhovani.
Rrahmani shprehet me ironi se: “Ata thanë që ne nuk mund ta bëjmë” ndërsa Xhovani vazhdon më pas: “Dhe gjithashtu që jemi shumë keq”.
Më pas mbrojtësi i Kosovës thotë: “Por ne ja dolëm”… Duke ndërthurur çdo gjë në një video, teksa pranë mbajnë trofeun e Serisë A dhe festojnë me tifozët të cilët kanë pushtuar rrugët e Napolit për të festuar.
Një nga arsyet kryesore pse fshati shqiptar ndodhet ende në një varfëri të thellë është mungesa e investimeve të menduara dhe të planifikuara mirë. Shpeshherë has emigrantë që, pasi kthehen me shumë sakrifica nga jashtë, vendosin të investojnë në vendlindje, por në mënyra joefikase dhe shpesh të padobishme për zhvillimin afatgjatë.
Një rast tipik është ai i atij që mbjell dy dynym pemtore dhe, në vend që të investojë në sistemin e ujitjes, plehërimin apo rrethimin e tokës, shpenzon 25 mijë euro për një fuoristradë luksoze, vetëm për të shkuar te pemtoret. Të tjerë shembin shtëpinë e vjetër tradicionale – që me pak ndërhyrje mund të kthehej në një strehë të ngrohtë dhe funksionale – dhe në vend të saj ngrenë një pallat katërkatësh, ku dy katet e fundit mbeten të paperfunduara për vite me radhë. Në fund, shtëpia “e re” duket më e braktisur dhe më pa shpirt se ajo që u shemb.
Ka edhe nga ata që investojnë mijëra euro për të ndërtuar avlli betoni 3–4 metra të larta, që kushtojnë sa tre shtëpi bashkë, ndërkohë që në parcelë mbillen vetëm 20 pemë dhe nuk ka as ujë të mjaftueshëm për to.
Një tjetër gabim i shpeshtë është sjellja e fidanëve frutorë nga jashtë, pa u përshtatur me kushtet klimatike dhe tokësore të zonës. Në fund, këto pemë nuk japin prodhim, bien viktimë e sëmundjeve ose thahen pas dy vitesh. Mungon bashkëpunimi me agronomë, analiza e tokës, planifikimi afatgjatë dhe ruajtja e trashëgimisë bujqësore vendase.
Problemet janë të panumërta, por e përbashkëta është kjo: shpeshherë shqiptari zgjedh rrugën më të shtrenjtë dhe më të gabuar. Kjo ndodh për shkak të mungesës së këshillimit, mentalitetit të tregut të shpejtë, mungesës së edukimit bujqësor dhe dëshirës për të impresionuar të tjerët, më shumë sesa për të ndërtuar diçka të qëndrueshme.
Shqipëria ka një klimë unike në Europë, ku – me pak mend, dije dhe përkushtim – mund të bëhen mrekulli. Ne kemi burime natyrore të jashtëzakonshme, tokë pjellore, ujë, diell dhe trashëgimi kulturore të rrallë. Ajo që mungon është vizioni dhe planifikimi. Nëse fillojmë të investojmë me mendje të ftohtë, me qëllim zhvillimin dhe jo fasadën, fshati shqiptar jo vetëm që mund të dalë nga varfëria, por të kthehet në një nga zonat më të begata të rajonit.
Gjiganti teknologjik amerikan, Meta, mund t’i përdorë postimet në platformat e veta, Facebook dhe Instagram, nga përdoruesit në Bashkimin Evropian për ta trajnuar softuerin e tij të inteligjencës artificiale (IA), Meta AI, pasi afati për refuzim nga përdoruesit skadoi të martën.
Për t’i përmirësuar modelet e veta të IA-së, kompania planifikon ta analizojë të gjithë përmbajtjen publike të publikuar nga përdoruesit e rritur nëpër vendet e BE-së, me përjashtim të postimeve nga përdoruesit që kanë kundërshtuar, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Bisedat në aplikacionin WhatsApp, po ashtu në pronësi të Meta-s, nuk do të përdoren për trajnime të IA-së.
Por, komunikimet me asistentin e Meta-s me IA konsiderohen publike dhe munden, po ashtu, të përdoren për trajnime.
Cristiano Ronaldo zyrtarisht i ka dhënë lamtumirën kohës së tij në Ligën Profesionale Saudite përmes një mesazhi në rrjetet e tij sociale.
Pas humbjes 3-2 të Al Nassr ndaj Al Fateh në ndeshjen e fundit të sezonit, ku Ronaldo shënoi një nga dy golat e ekipit të tij, ylli portugez duket se konfirmoi largimin nga ekipi, duke i dhënë fund spekulimeve të vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.
Ronaldo publikoi një mesazh në Instagram duke lënë të nënkuptuar largimin nga klubi të cilit iu bashkua në vitin 2023.
“Ky kapitull është mbyllur. Historia? Është ende duke u shkruar. Mirënjohës të gjithëve”, shkroi portugezi.
Ronaldo u bashkua me Al Nasr në janar 2023 pas një mosmarrëveshjeje me trajnerin e atëhershëm të Mançester Junajtid, Erik ten Hag.
Ai u transferua në Arabinë Saudite me një kontratë rekord prej 200 milionë eurosh në vit deri në 2025-ën, që është kontrata më e madhe e futbollit për një lojtar në histori.
Megjithatë, legjenda 40-vjeçare portugeze ka pasur vështirësi të fitojë trofe të mëdhenj me klubin, duke dështuar të fitojë ligën saudite ose Ligën e Kampioneve të AFC në Lindjen e Mesme.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe shtetasit Ahmet Masha për heqjen e së sigurisë.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për zgjatjen e afateve hetimore me 3 muaj, që ishin kundërshtuar nga personat nën hetim.
SPAK ka afat deri më 20 korrik për të përfunduar hetimet për këtë dosje.
Organi hetues pret përgjigje për letër-porosinë e nisur partnerëve jashtë Shqipërisë, ku janë kërkuar informacione lidhur me disa episode të çështjes dhe subjekteve që pl hetohen.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, përkrahje krimi dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.
Ndërtimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë po shoqërohet me pasoja mjedisore prej ndërhyrjeve në shtratin e lumit Shkumbin, çka ka ngjallur shqetësim mes banorëve dhe aktivistëve lokalë.
Në njësi administrative si Labinot-Fushë apo Xibrakë degëzime të lumit janë spostuar për t’i hapur vend zgjerimit të trasesë së rrugës. Në periudha të ndryshme kompanitë e kontraktuara për punimet kanë zhvendosur rërë dhe zhavorr, kanë turbulluar rrjedhën, gërryer toka bujqësore dhe ndryshuar gjendjen e sedimenteve të lumit.
Kjo dinamikë ka prekur më së shumti biodiversitetin e jetës në lumë dhe peshkimin.
Shkumbini buron nga mali i Valamarës – mes Korçës, Gramshit dhe Pogradecit – dhe përshkon 181 kilometra mes tre qarqeve dhe gjashtë qyteteve përpara se të derdhet në Adriatik. Ai konsiderohet një lum i rëndësishëm për kulturën, bujqësinë dhe turizmin.
Ilustrim i shtrirjes së lumit Shkumbin/Citizens.al.
Investime pa kujdes për mjedisin
Aktivistë dhe gazetarë lokalë kanë dokumentuar aktivitetin shqetësues të kompanive të kontraktuara për punimet e rrugës Elbasan-Qafë Thanë në shtratin e Shkumbinit. Ekskavatorë dhe kamionë u fotografuan në tetor duke marrë zhavorr dhe gurë nga lumi.
Pamjet nga terreni treguan se ndërhyrjet janë kryer me mjete të rënda, pa ndonjë masë mbrojtëse mjedisore apo tabelë informuese.
Kjo vërtetoi pretendimet e vazhdueshme për dëme në mjedis nga aktivistët e “Nismës për mbrojtjen e lumit Shkumbin”, pasi ndërhyrjet në rrjedhë dëmtojnë cilësinë e ujërave, stabilitetin hidrologjik dhe diversitetin biologjik të rrjedhës.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e “Korridorit VIII”, është pjesë e një projekti të konsideruar i rëndësisë së veçantë nga qeveria, pasi lidh portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
“Kërkuam të binin kambanat e alarmit në lidhje me rrezikun që po shkakton ndërtimi i rrugës, atë të shkatërrimit të rrjedhës natyrore të lumit,” tha Matilda Alliu nga “Nisma për mbrojtjen e lumit Shkumbin”.
Shqetësimit të aktivistëve i bashkohet zëri i ekspertëve mjedisorë si Ahmet Mehmeti, të cilët thonë se krahas ndërhyrjeve për ngritjen e hidrocentraleve, devijimi i rrjedhës së lumit është “alarmant” dhe “një krim ndaj natyrës”.
Mehmeti shprehet se, bazuar edhe në vëzhgimet që janë bërë, tokat që mbajnë gjallë jetën e fshatarësisë janë dëmtuar nga punimet e rrugës.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
“Brigjet e lumit Shkumbin janë dëmtuar dhe gërryer. Në ndërtimin e veprave madhore, siç janë këto superstrada, gjithmonë do ketë probleme. Por këtu hyn faktori njeri dhe projekti i merr parasysh gjithmonë këto probleme”, thotë ai më tej.
Për ekspertin Mehmeti, shkeljet e rregullave për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe dëmtimi i rrjedhës rrisin rrezikun e erozionit dhe shembjes së tokës.
“Është thelbësore që ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve të aplikohen dhe të respektohen për lumin Shkumbin, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit”, përfundon ai.
Luljeta Bylykbashi, përfaqësuese e Qendrës Mjedisore për Studime dhe Zbatime, shpreh shqetësim për situatën mjedisore, sidomos në zonën e Librazhdit, teksa biologia Marilda Osmani, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” apelon për një menaxhim më të përgjegjshëm.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Bylykbashi thotë se kompanitë e kontraktuara për punimet kanë shkelur standardet mjedisore duke ndikuar negativisht te gjendja e lumit. Sipas saj përtej ndërhyrjeve që po kryhen për rrugën nevojitet që për zonën ku kalon Shkumbini të vendoset një normë e atillë zhvillimi që ta stimulojë turizmin dhe ndërtimin miqësor me natyrën.
“Turizmi ka potencial të madh këtu, por nuk mund të realizohet pa një lumë të pastër,” thotë ajo.
Lumi Shkumbin është një arterie ujore me rëndësi historike, kulturore dhe ekologjike për Shqipërinë. Por ndërhyrjet inxhinierike nuk janë të vetmet që nuk po shoqërohen me respektim të standardeve mjedisore.
Në zonat e urbanizuara rreth Shkumbinit nuk ka impiante të trajtimit të ujërave të zeza. Industria, sipërmarrjet dhe restorantet shkarkojnë mbetje dhe ujëra direkt në lumë, njësoj si fshatrat e zonës që hedhin mbetjet bujqësore.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
“Lumi vazhdon të ndotet në mënyrën më të keqe dhe nëse Këshilli i Basenit Ujor të Lumit Shkumbin nuk merr masa drastike dhe të vërë para përgjegjësisë ata që paguhen për të mbrojtur e monitoruar lumin, vihet në pikëpyetje roli dhe efektiviteti i këtij këshilli”, përfundon Ahmeti.
Citizens iu drejtua me kërkesa për komente Bashkisë Librazhd, për të kuptuar se çfarë qëndrimi ka nga ky institucion në lidhje me gjendjen e lumit përgjatë zonave që ajo mbulon. Mirëpo nuk mori përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.
Nëse situata vijon me këtë prirje përkeqësuese vendi rrezikon të humbasë jo vetëm një pasuri natyrore, por edhe besimin e komunitetit në projekte të mëdha infrastrukturore.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje nga aksionet me urdhër të SPAK në qytetin e Elbasanit në kuadër të hetimeve të krimeve zgjedhore. Raportohet se bëhet fjalë për dy procedime të ndryshme, njëri i ekzekutuar disa ditë më parë, ndërsa i dyti mëngjesin e sotëm.
Gazetarja informon se agjentët e BKH-së zbarkuan mëngjesin e sotëm në Elbasan ku u ekezekutuan 4 urdhra kontrolli, ndërsa është sekuestruar telefoni i një zyrtari të Bashkisë i cili dyshohet se ka blerë vota në favor të një kandidati të PS-së nga lista e hapur.
“SPAK është rezervuar për të bërë me dije emrin e kandidatit për deputet”, deklaroi Klodiana Lala, duke shtuar se “brenda celularëve që janë sekuestruar mund të kompromentohen njerëz të politikës që janë aktualisht në Kuvend ose pritet të hyjnë pasi kanë fituar më 11 Maj”.
Gjithashtu, pak ditë më parë, është ekzektuar një tjetër urdhër kontrolli në qytetin e Elbasanit. Raportohet se gjatë kontrolleve në një banesë në Belsh, që dyshohet se i përket një biznesmeni, janë gjetur më shumë se 200 mijë euro.
“Mësohet, sipas burimeve, se gjatë kontrolleve disa ditë më parë në një banesë në Belsh që dyshohet se i përket një biznesmeni janë gjetur më shumë se 200 mijë euro. Nëse kjo shumë ka të bëjë krim zgjedhor apo jo, po vlerësohet nga ana e prokurorëve”, theksoi gazetarja.
Ajo u shpreh se në të dyja rastet ka dyshime të forta për korrupsion në zgjedhje të PS.
Gazetarja Klodiana Lala: Me urdhër të prokurores së posaçme Dorina Bejko, hetuesit e BKH-së të mbështetur nga SPAK zbarkuan mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit për të ekzekutuar 4 urdhra kontrolli. Bëhet fjalë për 4 persona që dyshohet të jenë përfshirë në korrupsion zgjedhor, duke blerë vota në favor të PS.
Po ashtu është ushtruar kontroll banese. Në mesin e këtyre 4 personave sipas burimeve nga SPAK, rezulton se iu është sekuestruar celulari edhe një zyrtari pranë Bashkisë Elbasan, që sipas të dhënave paraprake, është përfshirë në shitblerje të votës në favor të një kandidati të PS nga lista e hapur, edhe pse SPAK është e rezervuar për të bërë me dije emrin e kandidatit për deputet.
Ndërkohë duhet theksuar se një tjetër prokurore e posaçme pak ditë më parë, kishte urdhëruar kontroll të banesave e bizneseve, por edhe sekuestrim të celularëve të personave po ashtu të përfshirë në korrupsion.
Mësohet, sipas burimeve, se gjatë kontrolleve disa ditë më parë në një banesë në Belsh që dyshohet se i përket një biznesmeni janë gjetur më shumë se 200 mijë euro. Nëse kjo shumë ka të bëjë krim zgjedhor apo jo, po vlerësohet nga ana e prokurorëve.
Bëhet fjalë për dy procedime të ndara nga njëri-tjetri. Procedimi i ditës së sotme i urdhëruar nga Dorina Bejko, që ka të bëjë me 4 kontrolle personale, sekuestrim celularësh dhe kontroll banese, ku nuk janë gjetur sende të paligjshme por janë marrë vetëm celularët që do të zbërthehen nga ana e hetuesve për të parë dhe konfirmuar nëse ka biseda kompromentuese për zgjedhje.
Ndërsa hetimi tjetër i përket një tjetër prokuroreje të posaçme që kontrollet janë ushtuar më herët.
Në të dyja rastet ka dyshime te forta për korrupsion në zgjedhje të PS, që fitoi Qarkun Elbasan.
Hetimet janë duke vijuar. Brenda celularëve që janë sekuestruar mund të kompromentohen njerëz të politikës që janë aktualisht në Kuvend ose pritet të hyjnë pasi kanë fituar më 11 Maj.
Banorët e fshatit Kaninë, në Vlorë, kanë vijuar dhe këtë të martë protestat për të kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohen punimet për ndërtimin e bypass-it të qytetit të Vlorës.
Sipas banorëve, në hyrje të parcelave bujqësore është vendosur një tub me lartësi minimale, që lejon kalimin vetëm të këmbësorëve, duke e pamundësuar hyrjen e mjeteve të tonazhit të rëndë, përfshirë ato bujqësore, zjarrfikëset dhe ambulancat. Ata theksojnë se kjo situatë përbën rrezik serioz për sigurinë dhe jetën e banorëve, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet që jetojnë pranë aksit të punimeve.
“Shqetësimi është shumë i madh. Së pari është fjala për jetën e njerëzve. Këtu jetojnë familje, të moshuar që çdo ditë dalin te ullinjtë. Mund të përfundojnë në rrugë, pasi nuk ka asnjë barrierë. Nuk kemi akses në pronat tona. Mjetet e mëdha nuk mund të kalojnë. Pse është kaq e vështirë t’i jepet një zgjidhje kësaj situate? Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me protestat,” tha një nga banorët për Euronews Albania.
Një tjetër protestues kërkoi që mbikalimi që është parashikuar për kalimin e banorëve të rishikohet dhe të ndërtohet më i lartë, në mënyrë që të lejojë kalimin edhe të automjeteve të emergjencës dhe atyre bujqësore.
“Protestojmë sepse po ndërtohet një mbikalim për kalimin tonë në anën tjetër të rrugës, por është shumë i ulët. Kjo zonë pritet të marrë zhvillim, pse të mos ndërtohet një mbikalim me lartësi të mjaftueshme, që të kalojnë edhe zjarrfikëset dhe ambulancat”, tha ai.
Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë sa më parë për të gjetur një zgjidhje teknike që garanton sigurinë dhe të drejtat e tyre për akses në pronat dhe jetën e përditshme.
Doriana Musai, urbaniste tha se festivali i arkitekturës se ishte një akt i mirëfilltë teatral dhe se fjalimi i Ramës ishte folklor dhe poezi.
Sipas...