23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Basha nga Shkodra: Socialistët e braktisën farsën e 30 qershorit, është koha për ta kthyer votën masive për largimin e këtij regjimi

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, pas takimit me strukturat e PD në Shkodër, gjatë një prononcimi për mediat falenderoi qytetarët që braktisën votimet e 30 qershorit. Basha tha se, rezultati është një motivim për opozitën për të sjellë transformimin në vend dhe u shpreh se ka ardhur koha për të dhënë zgjidhje për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Dua t’i shpreh mirënjohje këtij qyteti fisnik të zemrës evropiane të Shqipërisë me refuzimin rekord me 91 përqind që refuzuan jo vetëm 30 qershorin, por regjimin e hajnave dhe kriminelëve të Edi Ramës. Përulem para tyre”, tha Basha. Socialistët shkodranë braktisën farsën e 30 qershorit dhe lëshuan mesazhin kuptimplotë që ka kapur partinë e tyre, se ata s’janë gati ta pranojnë uljen e kokës para organizatës kriminale të strukturuar të Rilindjes”.

“Së dyti, për mua, për PD, për opozitën, refuzimi i Ramës, shumica ‘Rama ik’ është motivim dhe përgjegjësi për ta kthyer votën masive për largimin e këtij regjimi antikushtetues në një ndryshim të qëndrueshëm për çdo shqiptar, që duhet të vijë me ndryshime kushtetuese, zgjedhore politike, që do t’i paraprijë një transformimi të ekonomisë të thellë dhe një transformimi të thellë modernizues për vendimin”, u shpreh gjatë prononcimit për gazetarët.

“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështira. S’mjafton të themi që kjo është një qeverisje e dështuar e Ramës. Është koha për ti dhënë zgjidhje për të çliruar ekonominë nga pesë oligarkët me të cilët e ka kapur Rama. Për të ulur çmimet. Për t’i kthyer shqiptarëve të drejtën për të punuar dhe jetuar me dinjitet”, përfundoi Basha.

Avokati shqiptaro-amerikan flet në “Zërin e Amerikës”: SPAK nuk bëhet me prokurorë të korruptuar…

Petër Lumaj, avokat për Çështjet e Emigracionit në SHBA, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i pyetur nëse SPAK do arrinte të realizonte objektivat për goditjen e korrupsionit se këto institucione përfshirë Gjykatën Kushtetuese duhet të ngrihen patjetër.

Por Lumaj e vuri theksin tek integriteti i personave që do të bëhen pjesë e tyre.

Ai tha se ata nuk duhet të jenë simpatizantë të partive, por duhet të jenë asnjanës. Avokati u shpreh gjithashtu se ky është momenti kur PD dhe partitë e tjera duhet t’i bëjnë thirrje për rikthim në Shqipëri të avokatëve që janë edukuar dhe me prirje perëndimore.

“Shqipëria e ka të domosdoshme të formojë Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK është i domosdoshëm. Të rëndësishme janë elementët që do të hyjnë në këto agjenci, po ti quajmë kështu Gjykatën Kushtetues, SPAK dhe Gjykatën e Lartë.

Të jenë njerëz që të mos jenë të korruptuar, të kompromentuar, të mos jenë të përzier me situatën politike, por të jenë asnjanës. Kjo ka për të qenë puna kryesore, që duhet të jetë komplet e pavarur nga pikëpamjet politike dhe të kenë një dedikim për Shqipërinë dhe jo për partitë e ndryshme politike.

Kjo është domosdoshmëri dhe po përmend emrin e avokat Fatos Dervishi, që janë të edukuar jashtë shtetit, janë perëndimor. Këta janë njerëz që PD dhe partitë e tjera duhet t’i bëjnë thirrje që të kthehen, të përzihen në aktivitetin politik, në krizën politike, që ta zgjidhin në mënyrë paqësore, sepse opozita e ka të domosdoshme të kthehet në Parlament.

Pozita e ka të domosdoshme ta respektojë pikëpamjen e opozitës, deri diku të paktën që të krijojnë një shtet të konsoliduar jo politikisht, por të jetë Gjykata e pavarur. Gjykata e Lartë e pavarur. Po të jenë politike kriza do të vazhdojë dhe nuk do të zgjidhet”.

Deklarata e fortë e Lubonjës: Projekti i Ramës, eliminimi i kundërshtarëve! Rilindja ka kapur çdo institucion

Në një lidhje direkte për News 24, analisti Fatos Lubonja deklaroi se, eliminimi i kundërshtarëve është projekti i Rilindjes, duke akuzuar mazhorancën se ka kapur çdo institucion.

Sipas tij, nëse mund të realizohet apo jo ky projekt varet edhe nga opozita dhe populli shqiptar.

“Forcimi i kapjes së shtetit prej asaj organizate. Eliminimi maksimal i mundshëm shkallë-shkallë i ndoshta të gjitha kundërshtarëve. Kështu e shikoj projektin e rilindësve. A mund të funksionojë ky projekt? Apo është diçka që nuk mund të funksionojë në kushtet ku jemi, në Evropë, me aq kulturë demokratike sa kemi dhe me këtë opozitë që kemi? Kjo varet shumë dhe nga opozita. Varet nga populli shqiptar. Është një lojë e hapur”, deklaroi Lubonja.

Sipas Lubonnjës, e vetmja barrierë institucionale për pengimin e projektit për eliminimin e çdo zëri kundërshtues është Presidentit por se procesi është pothuajse i përfunduar.

“Projekti është eliminimi de fakto i çdo zëri kundërshtues. se deri ku mund të shkojë duhet parë. E vetmja barrierë institucionale ka ngelur presidenti, drejtësia është kapur, policia e përdorur në mënyrë skandaloze. Ekonomia e tyre. Nuk ka oligark që mendon të punojë me opozitën se opozita s’ka pushtet. Mediat gjithnjë e më shumë janë kapur po kapen. Procesi është pothuajse i përfunduar. Ajo që nuk dimë, është se sa të trembur janë shqiptarët si në regjimin e kaluar apo kanë kurajën të veprojnë”, u shpreh analisti i mirënjohur.

Dokumenti/ KQZ dhe doganat thellojnë skandalin për fletët e votimit fallco të Vaut të Dejës

• KQZ dhe doganat thellojnë skandalin për fletët e votimit të Vaut të Dejës. Prodhojnë dokumenta fallco me alibinë qesharake se nuk ka funksionuar sistemi i doganave.

• Vendimi I KQZ për fletët e votimit është marrë në 28 Qershor, por thotë se prosia është kryer në 27 Qershor. KQZ duhet të pranojë që ose mashtron, ose ka shpërdoruar detyrën.

DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE TË PARTISË DEMOKRATIKE, IVI KASO.

Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka thelluar fallsfikimin dhe shkeljen e ligjit në lidhje me votimet e paligjshme të zhvilluara në 30 Qershor. Shkelja e ligjit është flagrante, veçanërisht për Bashkinë e Vaut të Dejës, ku votimet u kryen me fletë votimi të fallsifikuara.

Pretendimi i doganave dhe Komisionit Qendror të Vjedhjeve, 3 ditë pas denoncimti të skandalit, se sistemi doganor ditën e mbërritjes së fletëve të votimit për Vaun e Dejës, nuk ka funksionuar, është një alibi qesharake dhe mjerane.

Dokumenti zyrtar doganor provon se fletët e votimit kanë qenë akoma në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor, ndërsa votimi në Vaun e Dejës ishte deklaruar i hapur një orë më parë, në orën 7 të mëngjesit.

(LETRA E DOGANAVE)

Gjithçka u tha sot nga KQZ për prodhim dokumentash me dorë nga vartësit e Edi Ramës në dogana, është njësoj si prodhimi i të dhënave fallco nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në zgjedhje. Është njësoj si prodhimi i rezultateve fallco për Elbasanin. Dokumentat prodhohen sipas nevojave që ka Edi Rama për të mbuluar krimin elektoral të 30 Qershorit dhe refuzimin e tij nga shumica e shqiptarëve.

Alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë.

Çdo letër tjetër, e prodhuar me dorë për llogari të propagandës së Edi Ramës, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, vetëm sa e thellon skandalin. Ajo provon se në këto votime, Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale.

Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit. Në këtë rast 4 anëtarët e KQZ-së duhet të pranojnë se ose janë duke mashtruar, ose kanë shpërdoruar në mënyrë flagrante detyrën.

(VENDIMI I KQZ)

Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites. Ky vendim i KQZ-së është marrë në një mbledhje publike dhe është pasqyruar gjerësisht nga media. Kjo do të thotë se askush nuk mund të urdhëronte prodhimin e asnjë flete votimi pa patur më parë një vendim nga KQZ-ja.

Prandaj, kamikazëve të Edi Ramës në KQZ apo dogana u ngelen vetëm dy alternativa: të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës ose të dalin para drejtësisë e të shkojnë në burg për shpërdorim detyre.

Banda e dosjeve 184 dhe 339 në komisionin hetimor për presidentin Meta, PD publikon emrat

Partia Demokratike ka denoncuar komisionin hetimor për presidenti Meta, që do shqyrtojë vendimet e kreut të shtetit dhe do kërkojë shkarkimin e tij.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata tha se, të gjithë anëtarët e këtij komisioni duhet të hetoheshin për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe duhet të ishin në burg.

Ai thekson emrat e deputetëve socialistë një pjesë e mirë e të cilëve janë pjesë e dosjeve 184 dhe 339 për zgjedhjet në Dibër e Durrës si Ndrazhi, Manja, Çyrbja, Harusha e Gjiknuri.

Deklarata e plotë e Çlirim Gjatës

Sot denoncojmë një skandal tjetër të Edi Ramës, i cili nuk është se ka filluar sot, por si ai keqbërësi, krimineli, që kapet gjithmonë në krim, kërkon të mbulojë një zullum me një zullum tjetër, kërkon të mbulojë një krim me një krim tjetër.

Kjo e radhës është Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit të republikës. Ky zullum i ri i Edi Ramës nuk është thjeshtë për çështjen e Presidentit të Republikës, por bëhet për disa shkaqe.

E para, për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e panumërta, për të mbuluar skandalin me skandal, sepse ai nuk del dot nga ajo vorbull ku ka hyrë. I dyti synim që kërkon Edi Rama nëpërmjet këtij komisioni të nënshtrojë dhe të frikësojë çdo lloj institucioni, çdo individ që punon në administratë, çdo personalitet, që të mos guxojë t’i dalë kundër qeverisë, pasi kjo e pret.

Dhe mbi të gjitha, skandali qëndron tek vetë përbërja e Komisionit Hetimor, pra tek ata deputetë që do të vendosin shkarkimin e presidentit të republikës. Përpara se të ndodhë kjo, Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se kush do ta hetojë presidentin e republikës.

Do ta hetojë Ilir Ndrazhi, i cili është përfaqësuesi politik ose krahu politik i bandës së Abdylajve, të cilin Abdylajt e kishin vënë në listë, me numër rendor, dhe i premtonin se do fitonin edhe 10 me 0 madje, dhe ky person i vendosur nga kjo bandë do të votojë shkarkimin e presidentit të republikës. Kush është kryetari i Komisionit Hetimor?

Ulsi Manja i dosjes 184, që Zoti e ruajtë me ç’kanë dalë nga përgjimet e Bild-it, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh, me drejtorë arsimorë, e me turli lloj të tillë, të organizuar në krim, për të vjedhur dhe për të blerë vota. Ky njeri pra, do të hetojë dhe do të vendosë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Për presidentin e republikës do të vendosë Jurgis Çyrbja, përfaqësues politik i Bandës së Shullazit, që i thoshte Shullazit se “po na bëjnë hetime” dhe i kërkonte që të ndërhynte për të ndaluar hetimet. Një tjetër që do të vendosë për presidentin e Republikës është Rrahman Rraja. Të gjithë e dimë skandalin e tij të fundit.

Do të vendosë Luan Harusha, përfaqësuesi i Bandës së Bajrajve, apo Damian Gjiknuri, që do të pastronte 30 milionë euro për llogari të Edi Ramës, duke falsifikuar dokumente zyrtare të qeverisë amerikane.

Pra, aktorët kryesorë të këtij komisioni janë personazhet e dosjeve “184” dhe “339” të blerjes së zgjedhjeve apo të lidhjes dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar.

Ulsi Manja do të hetojë presidentin nëse ka shkelur Kushtetutën apo jo. Po pse nuk e heton dikush Ulsi Manjën për atë çfarë ka bërë në Dibër, që kanë dalë përgjimet në “Bild”?

Pra, e gjithë bota e ka dëgjuar, e ka parë me zë dhe me figurë Ulsi Manjën se si shkelte ligjin për llogari të blerjes së votave dhe mbështetjes së krimit të organizuar.

Nuk mund të jetë hetues sot Ulsi Manja por i hetuar nga prokuroria. Ai duhet të ishte në burg për një krim që e panë të gjithë shqiptarët me zë dhe me figurë.

Shqiptarët nuk mund të gënjehen sot me propagandë.

Edi Rama e ka të qartë se komisionet për shkarkimin e Presidentit janë një sajesë propagande dhe abuzim me fondet publike.

Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën e zgjedhjes, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.

Vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit u shërben njerëzve, i shërben interesit publik, ndërsa votimet moniste të 30 qershorit siç shprehet edhe OSBE/ODIHR-i u mbajtën pa marrë në konsideratë interesin e qytetarëve.

Deri më sot dekretin e Presidentit nuk e ka shfuqizuar askush, por kemi një komision hetimor të mbushur me bashkëpunëtorë të krimit të organizuar që do të hetojë presidentin pse ka nxjerrë këtë dekret që është akoma në fuqi.

Kreu i KQZ ia përplas në fytyrë Bibës: Po u hapën kutitë e votimit do dalin shenjat e gishtave të tu

Një debat i ashpër ka shoqëruar mbledhjen e mbyllur të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve midis kryetarit të këtij komisioni Klement Zguri dhe nënkryetarit, Denar Biba, ku kreu i KQZ-së ka kërkuar hapjen e kutive të votimeve të 30 qershorit për të parë nëse aty ka apo jo më shumë fletë votimi se sa numri i votuesve që kanë shkuar realisht në votimet, ndërsa Biba ka insistuar për të mos i hapur duke kërkuar të fshehë manipulimin.

Klement Zguri: Jemi pothuajse në përfundim të këtij procesi që ka të bëjë me kërkesat ankimore. Në në një farë mënyre i kemi shfaqur opinionet tona, kemi folur, diskutuar, propozuar, vendosur, dhe sigurisht kemi konkluduar. I vetmi problem që kur ka filluar dhe deri sa po mbaron, i vetmi shqetësim, është se ka fletë votimi më shumë se zgjedhës. Është e vetmja gjë serioze, shqetësim serioz.

Ndërhyn Denar Biba: Si ka më shumë fletë votimi më shumë se votues.

Klement Zguri: Ka mundësi të më lesh të flas.

Denar Biba: Jo, jo, unë të le të flasësh, po jo të gënjesh.

Klement Zguri: Ti hapi kutitë dhe të shohim kush gënjen.

Denar Biba: Prandaj jam gënjështar unë se ti kërkon me patjetër të hapësh kutitë, ta lesh procesin që ata fitues të mos marrin…

Klement Zguri: O Denar nuk më shqetëson fare ti, kështu që mos u lodh për të ndërhyrë.

Ore ju dëgjoj nga përfaqësuesi i partisë sa jeni në tavolinë ju dëgjoj të gjithëve me respekt.

Denar Biba: Si mund ta thoni, kjo është e pabesushme.

Klement Zguri: Hape dhe besoje. Hapi kutitë dhe besoje.

Denar Biba: Po, provoje.

Klement Zguri: Po pra hape dhe bësoje po them.

Denar Biba: Apo të gjithë ata që ke nga mbrapa, një provë të vetme.

Klement Zguri: Unë s’kam nga mbrapa, ti i ke. Dhe ti se i hap se po i hape në mënyrë figurative po të shukohen listat janë shenjat e gishtace të tu, në mënyrë figurative po të them.

 

 

Analiza e Bashës: 3 arsyet pse shqiptarët braktisën Edi Ramën në 30 Qershor

Lideri i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim informal me strukturat e PD në Malësi të Madhe, ku dha disa mesazhe të rëndësishme për situatën pokitike në vend.

“Me 30 qershor Edi Ramën e braktisën edhe socialistët e ndershëm. Populli e braktisi për tre arsye kryesore:

1. Sepse e kuptoi, që siç thotë edhe raporti I OSBE-ODIHR, 30 qershori nuk ishte për popullin, madje nuk ishte as për PS-në. 30 qershori ishte për Edi Ramën dhe për kriminelët e hajdutët që qeveris. 30 qershori ishte për Paulin Stërkajn, për Ymer Lalën, Emiljano Shullazin, për Damian Gjiknurin, për Ulsi Manjën. Shkurt 30 qershori ishte për një grusht njerëzish që sot duhet të ishin në burg, jo në politikë.

2. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se kriza ekonomike në vend ka arritur një pikë të paimagjinueshme. Njerëzit janë keq për bukën e gojës. Kjo situatë ka një shkaktar dhe një përgjegjës që ka marrë gjithë pasuritë dhe ekonominë e vendit dhe ia ka dorëzuar 5 oligarkëve dhe 5 kriminelëve me të cilët pastron dhe ndan bashkë fitimet. Ky është “babloku I madh” që i thotë Ymer Lala. Është “babloku i madh” për kriminelët dhe oligarkët, por jo për popullin. Kriza ekonomike ka një shkaktar dhe ky është Edi Rama.

3. Arsyeja e tretë pse ndodhi 30 qershori është për shkak të rezistencës sonë. Qëndresa jonë ka arritur dy gjëra: ka vetëdijësuar shqiptarët dhe u ka vrarë frikën shqiptarëve

Përgjegjësia jonë tani është ta marrim këtë energji të 30 qershorit dhe ta transformojmë në një energji për ndryshimin e Shqipërisë. Ky është premtimi për shqiptarët, jo thjesht largimi I Edi Ramës. Moralisht dhe politikisht ai është I rrëzuar. Detyra jonë kryesore është që kësaj shumice të 30 qershorit t’i japim formën dhe dimensionet e shumicës qeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme që mbeten objektivi kryesor I lëvizjes që filluam së bashku me 16 shkurt.”

Përdorimi politik i administratës nga Rama/ 21 VKM për shtimin e 11,765 punonjësve me kontratë të përkohshme pune

Në shtator të vitit 2013 administrata publike llogaritej në 85 mijë, ndërsa sot, kemi një dyfishim të saj në 170 mijë, pra një shpërdorim i jashtëzakonshëm i parave publike nëpërmjet administratës së emëruar dhe përdorur politikisht.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, 7% e administratës është me shkollë fillore, 45% me 8-vjeçare dhe të mesme dhe 38% me të lartë, por me diploma plagjiaturë, të cilët “Rilindja” pavarësisht propagandës me dorëheqje si në rastin e ish-zv. Ministrit të Arsimit, e promovoi Kryetar Bashkie në Berat, fitues me 2,200 vota më tepër se votues. Sepse vjedhja është parimi, madje edhe kur vetë kandidojnë, vetë administrojnë, vetë votojnë, vetë numurojnë dhe vetë certifikojnë procesin e votimeve.

Shpërdorimi thellohet nëpërmjet fatuës 140 milion euro nga Vendimet e Gjykatave për largime të padrejta nga administrata, si pasoje e spastrimit të saj nga të aftët, të zotët, të trajnuarit brenda dhe jashtë nga taksat tona, madje edhe ata që mendojnë ndryshe por që përmbushnin të gjitha kriteret e vendit të punës, dhe zëvendësimit të tyre me persona partiakë e të pakualifikuar, sikurse tregojnë edhe të dhënat e fundit e INSTAT.

Por jo vetëm kaq, shpërdorimi shkon edhe më tej, nëpërmjet Vendimeve të Këshillit të Ministrave për hapjen e pozicioneve me kontrata të përkohshme pune, veçanërish në periudhë zgjedhjesh.

Vetëm një javë para votimeve fasade, nëpërmjet VKM Nr. 417, date 24.6.2019 u shtuan 420 pozicione me kontratë të përkohshmë pune, ndërsa pak ditë më parë, nëpërmjet VKM Nr. 483, datë 10.7.2019 u shtuan 1,806 pozicione me kontratë të përkohshmë pune.

Në 2 vitet e fundit, nëpërmjet 21 VKM-ve, janë shtuar 11,765 pozicione me kontratë të përkohshme pune, fatura e të cilëve bie mbi taksat e qytetarëve më të varfër në Europë.

Marinela ZIU
Drejtues, Zyra Juridike për Mbrojtjen e Administratës PD

 

U ringjallën shpresat serbe, ruse e sorosiane për territore të Kosovës! Por a do të kenë sukses ato?!

Enver Bytyçi

Vizita e presidentit Macron në Beograd po shoqërohet me një propagandë të shfrenuar të autorëve të ndarjes së Kosovës, si kthim në idenë e bllokuar në Samitin e Berlinit të 29 prillit të kaluar për ndarjen e Kosovës. Një lajm për këtë i France 24 u përhap me shpejtësi në mediet shqiptare, të cilat dukeshin qartë se ishin entuziaste në shërbimin e radhës ndaj Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, Vladimir Putin dhe Hashim Thaçit e Sorosit me kompani. Në atë lajm thuhej se Macron në Beograd, ndryshe nga Merkel, do të mbështesë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës edhe me opsionin e ndarjes së kësaj të fundit.

Ndërkaq me rastin e festës kombëtare të Republikës së Francës, ambasadori i këtij vendi, Didier Chabert, organizoi një pritje me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ku morën pjesë Thaçi, Haradinaj dhe Veseli. Nëse lexojmë nëntekstin e deklaratave të tyre, atëherë vëmë re diferencat në koshiencën dhe sub-koshiencën e ambasadorit, Thaçit, Veselit e Haradinajt.

Ambasadori Chabert  përdori zhargonin e presidentit Thaçi, kur foli për rrezikun e status-quosë në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb si dhe për ‘një marrëveshje ligjërisht të obligueshme’. Me kërcënimin për rrezikun e status-quosë dhe me joshjen për ‘marrëveshje ligjërisht të obligueshme’ ka operuar Hashim Thaçi gjatë gjithë kohës që loboi për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Edhe Kadri Veseli u duk i paqëndrueshëm dhe i paqartë në deklaratën e tij, ndërkohë që Haradinaj përshëndeti angazhimin e Francës dhe presidentit Macron për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në kornizat e mos-ndryshimit të kufijve.  Ndoshta Haradinaj dha mesazhin se ‘Ai nuk dëshiron ta besojë që presidenti francez i ndryshon kaq shpesh qëndrimet e tij, çka e paralajmëroi France 24 ditën e djeshme.

Por loja me Kosovën dhe kufijtë e saj nuk mbaron me kaq. Një ekspert amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, James Hooper, paralajmëroi po dje në Zërin e Amerikës se pavarësisht që Merkel e bllokoi idenë e ndryshimit të kufijve, këtë opsion ai e sheh si zgjidhjen më të mirë. Ai kritikoi ashpër zonjën Merkel dhe kryeministrin Haradinaj për bllokimin e procesit që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kishin nisur në këtë drejtim dhe e sheh zgjidhjen vetëm te një marrëveshje ‘gjithëpërfshirëse’, terminologji kjo e përdorur nga Thaçi. Sipas tij, zgjidhja gjithëpërfshirëse realizohet vetëm me ndryshimin e kufijve. Madje Hooper shton se ‘kufijtë e Kosovës në ish-Jugosllavi nuk ishin kufij shtetërorë të jashtëm, por kufij të brendshëm dhe si të tillë ata mund të ndryshojnë’. Me këtë ide ai hedh poshtë rekomandimin e gjithë pranuar të Komisionit të Banditerit të Londrës të vitit 1992, i cili ka përcaktuar që shtetet që dalin nga ish-Jugosllavia të njihen në kufijtë e brendshëm që kanë ekzistuar atë kohë.

Këto zhvillime të reja në prag të vizitës së presidentit Macron në Beograd dëshmojnë për rigjallërimin e idesë serbo-ruso-sorosiane  për ndarjen e Kosovës. Interesant është të hulumtohet fakti se si është e mundur që të ketë përputhje interesash midis Rusisë, Sorosit dhe ndonjë pjesëtari të administratës Trump, si Palmer, kur dihen konfliktet e ashpra midis Sorosit nga njëra anë dhe Putin dhe Trump nga ana tjetër?! Por kjo kërkon një studim të veçantë. Mund të thuhet vetëm ajo se interesat e palëve përputhen. Soros synon që përmes Beogradit të marrë në dorë Trepçën. Beogradi ka për qëllim të administrojë e të jetë sovran në veriun e Kosovës, ku bën pjesë Trepça dhe pasuritë e saj miliardëshe.

Moska dhe vetë Beogradi duan të krijojnë precedentin, me qëllim që Ballkani të futet në një konflikt të ri dhe kësisoj influenca ruse e Serbia e Madhe të bëhen realitet i padiskutueshëm. Administrata e Trump kujdeset për stabilitet dhe jo për kufij e demokraci, sepse për ta ‘Amerika është e para’. Kjo do të thotë se stabiliteti i shërben Amerikës më shumë se çdo gjë tjetër, veç tjerash dhe për shkak të muxhaidinëve iranianë të vendosur në Shqipëri. Besohet se ky është shkaku i mbështetjes për sorisistin Edi Rama, pavarësisht pozicioneve të kundërta brenda Amerikës.

Vetëm Europa dhe Gjermania nuk mund të jenë të fituar në këtë betejë. Ndërsa Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu e të tjerë shqipfolës që mbështesin idenë dhe projektin serbo-ruso -sorosian të ndarjes së Kosovës, e bëjnë këtë për shkak se janë të implikuar me Sorosin e njëkohësisht me Beogradin, ku është instaluar një qeverisje dhe një president sa Sorosist, sa rusofil. Ndërsa në administratën amerikane vegjetojnë jo pak sorosianë, pro-rusë dhe antishqiptarë. Megjithatë Trump do ta ketë të vështirë ta mbështesë një plan të tillë për shkak se ai në vjeshtë hyn në fushatë elektorale dhe dështimi i projektit do ta dëmtojë imazhin e tij. Demokratët pro Kosovës dhe shqiptarëve, përfshirë Eliot Engel, Biden etj, do ta shfrytëzojnë qëndrimin e tij për ta goditur si qëndrim pro-rus.

Por grupimi jo i vogël dhe jo pa influencë edhe te Macron kërkon dhe do të kërkojë të përçajë kombinacionin Berlin-Paris për të penguar një zgjidhje të konfliktit me ndarje e shkëmbim të territoreve. Thaçi ishte entuziast gjatë pritjes së ambasadorit francez në Prishtinë dhe përsëriti edhe ai nevojën e dialogut pa kushte me Serbinë. Haradinaj duket se është moderuar disi. Megjithatë ai deklaroi para një jave, pas publikimit të përgjimeve të Zaev, se ‘Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e kufijve do t’i mbrojmë me çdo çmim’. Kadri Veseli, nga ana e tij, po vëzhgon lëvizjet dhe matë me peshore nga anon ekuilibri. Nëse peshorja anon nga ndarja, do t’i bashkëngjitet idesë së çmendur të Thaçit, Vuçiçit dhe Edi Ramës. Nëse jo, atëherë do mbahet në anën e kundërshtarëve të ndarjes së Kosovës. Thjesht po rrotullon sytë sa në një anë në anën tjetër të kandarit!

Ndërsa në Shqipëri ka filluar gjuetia e shtrigave kundër atyre që mbështesin Haradinajn për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Në shenjë është vënë presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili gjithnjë gjendet në anën e kryeministrit të Kosovës, ndërkohë që Rama dhe Thaçi e shohin këtë pozicion si të rrezikshëm për ta. Mazhoranca e socialistëve dhe e deputetëve mumie, që kryeministri i Shqipërisë i çoi në parlament pas djegies së mandateve nga opozita reale, nuk janë të aftë të lexojnë synimet antikombëtare të Edi Ramës dhe lëvizjet që ai bën në favor të idesë serbo-ruso-sorosiane të ndarjes së Kosovës.

Interferimi i Edi Ramës në aferën antikombëtare të ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë, po mban peng gjithashtu Shqipërinë, njësoj si para vitit 1999. Në një farë mënyre peng i kësaj afere është i gjithë rajoni. Por është fat i madh që vendet e rajonit, veç Serbisë dhe Republikës Srpska të Dodikut, janë kategorikisht kundër çdo ndryshimi të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermania po ashtu është e vendosur bashkë me Britaninë e Madhe kundër këtyre ndryshimeve. Me rëndësi është që Ramush Hardinaj në Kosovë, Ilir Meta në Shqipëri dhe zërat e fuqishëm, si ai i Prof. Dr. Sali Berishës, të vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre në mbrojtje të kufijve dhe integritetit territorial të Kosovës.

Kosova ka autoritetin dhe rolin vendimtar për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Idhtarët e cenimit të këtij integriteti po abuzojnë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e konsiderojnë dhe përfaqësues të vullnetit politik të Kosovës. Kjo dukej në intervistën e zotit Hooper dhënë dje Zërit të Amerikës. Për ta larguar këtë alibi është detyrë e parlamentit dhe partive politike parlamentare opozitare dhe jo-opozitare, si dhe gjykatës kushtetuese  të Kosovës, që ta shkarkojnë presidentin e vendit. Kjo do të ishte zgjidhja ideale që parandalon rrezikun më të madh që Kosova ka pasur në historinë e saj pas masakrave të Milosheviçit. Në të kundërt, së paku duhet që vetë Ramush Haradinaj të marrë në dorë udhëheqjen e dialogut.  Vetëm në këtë mënyrë mund të dalë jashtë loje lobi pro rus, pro serb e pro soros brenda e jashtë shqiptarisë për ndarjen e Kosovës

Serbia do të hyjë në dialog edhe pa heqjen e taksës, nëse dikush e garanton se në tavolinë do të diskutohet ndarja e Kosovës dhe ripushtimi i veriut nga ana e saj. Këtë mund ta bëjë Macron gjatë vizitës së tij në Beograd, edhe si presion ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për ‘kokëfortësinë’ e tij për mosheqjen e taksës. Në këtë rast Thaçi jo vetëm do t’i gëzohej ndryshimit të kufijve, gjithnjë në favor të Serbisë, por do t’i gëzohej edhe ‘mposhtjes’ që ia bën kundërshtarit të tij kryesor,Ramush  Haradinajt. Ndaj Haradinaj duhet të bëjë llogari të sakta politike në interes të Kosovës në radhë të parë e përmes interesit të vendit edhe në interes të AAK-së. Nëse kufijtë hyjnë në agjendën e bisedimeve, zoti Haradinajt i mbetet të japë dorëheqjen e të shkaktojë krizë qeverisjeje e parlamentare. Pra, ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke dalë hapur kundër këtyre planeve.

Thaçi në këtë rast do të përpiqet të afrojë Isa Mustafën në qeveri, duke i dhënë atij postin e kryeministrit. Por LDK nuk do ta pranojë ofertën e Thaçit, ndryshe do tëhuhet të  llogarisë me humbjen absolute të elektoratit. Më pas Thaçi do t’i drejtohet për ndihmë Vuçiçit, me qëllim që të sigurojë mbështetjen e Listës Srpska në një qeveri me PDK-në mazhorancë. Në këtë rast tradhtia e presidentit të Kosovës do të dilte lakuriq dhe kurdo që do bëheshin zgjedhje, PDK do ta kishte të sigurt fundin e saj. Prandaj Kadri Veseli nuk do ta pranonte një qeveri me Listën Srpska. Kësisoj mbetet opsion vetëm shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare, prej ku Haradinaj do të siguronte një ngritje spektakolare të partisë së tij. Sido që ta vlerësosh situatën, duket qartë se fijet e suksesit për ruajtjen e territorit të Kosovës i ka kryeministri Ramush Haradinaj.

 

Shpërthim i fuqishëm në mes të Tiranës, ka të plagosur (Foto nga vendngjarja)

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pak minuta më parë në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Dyshohet se ka qënë një shpërthim nga bobola e gazit, ndërsa ka disa të plagosur.

Dëshmitarë okularë thanë se, zhurma ka qenë shumë e fuqishme dhe ka tronditur të gjithë zonën.

Ngjarja ka ndodhur pranë rrugës ‘Vaso Pasha’ në zonën e ish-bllokut. Nuk dihen shkaqet e shpërthimit ndërsa policia nuk ka dhënë asnjë njoftim.

Ngjarja

Dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi pranë një biznesi kreperie, dhe nga ngjarja katër persona kanë mbetur të lënduar. Burime nga vengjarja bëjnë me dije se, dy nga të plagosurit janë pronarët e kreperisë, burrë dhe grua, identitetet e të cilëve nuk dihen ende. 3 vajza dhe një burrë janë dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Ka shumë dëme materiale në biznesin ku ka ndodhur shpërthimi, ndërsa ngjitur me të ndodhet dhe një argjendari. Në vendngjarje ka mbërritur dhe drejtori i Policisë së Tiranës  dhe efektivë të shumtë.

Ngjarja ka shkaktuar panik në të gjithë zonën, ndërsa tymi vijon të jetë prezent në të gjithë zonën.

Bizneset janë të vendosura në katin e parë të një pallati shumëkatësh, ndërsa dëmet në të gjithë godinën janë të konsiderueshme.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 13:15 në rrugën ‘Vaso Pasha’ në ambientet e një dyqani eventesh ka shpërthyer një bombol gazi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në Spital për ndihmë mjekësorë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.